Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark, më 12 qershor të vitit 1999, kishte mbajtur një fjalim kushtuar Kosovës dhe çlirimit të saj.
Clark kishte thënë se 12 qershori ishte dita më e rëndësishme në të gjithë operacionin në kuadër të të cilit ishin të angazhuar për javë dhe muaj të tërë.
Ai i kishte falënderuar ushtarakët e NATO-s për guximin dhe përkushtimin që treguan, duke pohuar se familjet e tyre ishin dhe do të mbeten krenar me ata.
“Jo vetëm që forcat tona kanë kryer një fushatë të suksesshme ajrore e cila e detyroi Millosheviqin të përmbushte pesë kërkesat tona qendrore, por ato gjithashtu kanë qenë përgjegjëse për punën heroike në frontin humanitar”, ka thënë Clark.
“Puna jonë, natyrisht, është shumë larg nga kryerja dhe rreziqet janë larg nga përfundimi. Forcat tona po hyjnë në një territor të vështirë, por ata e dinë se kauza e tyre është e drejtë dhe do të bëjnë gjithçka që duhet për të siguruar Kosovën dhe për t’u përgatitur për kthimin e qindra mijëra refugjatëve që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre nga ky spastrim etnik brutal”.
Gjenerali Clark ka pohuar se Slobodan Millosheviq ishte bindur që NATO po fitonte, dhe se duhej të largoheshin forcat e ushtrisë së tij nga Kosova.
“Në fillim, ne thamë se do të sulmonim sistematikisht dhe në mënyrë progresive, do të sulmonim, degradonim, shkatërronim nëse presidenti Millosheviq nuk do t’i përmbush kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe përfundimisht t’i shkatërrojë forcat serbe në Kosovë, objektet e tyre, logjistikën dhe të gjitha asetet e saj. Presidenti Millosheviq e vlerësoi dhe ne e bëmë pikërisht këtë, dhe Millosheviqi u bind”.
“Kur u pyetën se sa kohë do të zgjaste, udhëheqësit e NATO-s kanë thënë se mund të duheshin ditë, javë ose muaj, në fund të fundit do të varej nga sa dënime dhe vuajtje do të ishte i gatshëm Presidenti Millosheviq t’u impononte forcave të tij të armatosura. Edhe kjo ishte e vërtetë dhe ne kemi thënë prej javësh që ne po fitonim, ai po humbiste dhe e dinte. Mendoj se ngjarjet na kanë nxjerrë në pah në çdo rast”.
“Tani, një detyrë tjetër e madhe është duke u zhvilluar, nxjerrja e forcave serbe dhe futja e forcave tona është një operacion i madh logjistik që nuk është pa rrezik”, ka thënë Clark. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një video të shpërndarë në rrjete sociale, ka shënuar 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës.
“Përjetësisht mirënjohës për të gjithë vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë sonë!”, ka shkruar presidentja Osmani.
Në një video të gjatë 1 minutë e 30 sekonda, janë përmbledhur copëza të momenteve më të rëndësishme që kanë sjellë çlirimin e Kosovës.
“Zgjidhja më e mirë për Kosovën, është një Kosovë e pavarur”, dëgjohet duke thënë ish-presidenti historik Ibrahim Rugova.
Ndërsa, pjesë e videos është edhe momenti kur njëri nga pjesëtarët e NATO-s, iu drejtohet serbëve se nga ai moment, kanë mbetur vetëm 30 minuta që të largohen nga vendi ynë./KultPlus.com
Ishte mëngjesi i 12 qershorit të vitit 1999 në Kosovë. Kjo datë do të mbahet mend gjatë dhe do të shënohet në librat e historisë pasi shënon triumfin ndaj agresorit serb dhe natyrisht çlirimin e vendit. Asokohe sulmet ajrore të NATO-s pushuan, për t’i mundësuar këmbësorisë hyrjen në Kosovë, që më pas do të largonin forcat serbe nga aty.
Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës do të ktheheshin në shtëpitë e tyre pas vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në atë kohë, Javier Solana, që dërgoi 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Falënderimi i refugjatëve të kthyer në atdhe, për forcat paqeruajtëse, ishte tepër prekës.
Sot Kosova feston 24 vjetorin e Çlirimit. Trupat paqeruajtëse të KFOR-IT janë ende prezente në territorin e Kosovës edhe pse tashmë misioni i tyre është zvogëluar ndjeshëm në numër, pasi Kosova ka konsoliduar institucionet shtetërore, policinë dhe madje ushtrinë.
Integriteti territorial është i garantuar me shpalljen e pavarësisë në 17 shkurt të 2008-ës, të njohur nga mbi 100 shtete të botës. / KultPlus.com
Zbuloni Lukovën dhe Ksamilin, dy vende magjepsëse në Shqipëri – të konsideruara si Maldivet e Evropës – ideale për pushime verore, shkruan Daniela Caruso në një artikull të botuar në revistën italiane “viaggi.nanopress.it” .
Shqipëria është një nga destinacionet më të pëlqyera të kohëve të fundit. Edhe në verën e 2024, ajo do të jetë “mbretëresha” e pushimeve për italianët, dhe jo vetëm.
Për më tepër, në këtë vend do të zbuloni dy vende të mrekullueshme që konsiderohen si “Maldivet e Evropës”; Lukova dhe Ksamili.
Të dyja këto fshatra bregdetare ndodhen në Rivierën Shqiptare.
Shqipëria, një vend që pret të zbulohet
Lukova dhe Ksamili përkufizohen si “Maldivet evropiane”, pasi karakterizohen nga peizazhe vërtet magjepsëse. Ju mund të kaloni pushime ekonomike: kini parasysh që do të shpenzoni vetëm 25 euro nata për akomodimin më të lirë.
Në verën e vitit 2024, duket se Shqipëria do të jetë një nga destinacionet më të pëlqyera për italianët dhe më gjerë.
Në fakt, vendi ballkanik ka shënuar një rekord në sektorin e turizmit, duke mirëpritur 9,5 milionë vizitorë të huaj.
Shqipëria regjistroi një rritje prej 33,2% krahasuar me një vit më parë: një shifër shumë e rëndësishme, duke qenë se ky vend ballkanik ka vetëm 2,8 milionë banorë.
Arsyet për të vizituar Shqipërinë janë të ndryshme. Ky destinacion ndodhet shume pranë Italisë, dhe mund të arrihet me traget me një kosto të përballueshme – krahasuar me vendet më të njohura evropiane – që për më tepër janë shumë më shtrenjtë.
Gjithashtu, Shqipëria karakterizohet nga plazhe të bukura, të pastra dhe ushqimi është shumë i shijshëm dhe me kosto të ulët.
Maldivet e Evropës: Zbuloni Lukovën dhe Ksamilin
Dy perlat e Shqipërisë, të quajtura “Maldive të Evropës”: Lukova dhe Ksamili, janë dy nga atraksionet kryesore të vendit.
Udhëtimin mund ta nisni nga Saranda, “kryeqyteti turistik” i Shqipërisë, i karakterizuar nga plazhe me rërë të bardhë dhe një det i kristaltë dhe transparent.
Lukova ndodhet pranë ishullit të Korfuzit dhe Syrit të Kaltër – një burim ujor, dukuri natyrore dhe vend turistik i shpallur Monument i Natyrës.
Ndërsa, Ksamili është i famshëm për ujërat smerald që karakterizojnë detin që e rrethon si dhe për ishujt shkëmborë që ndodhen aty pranë – të cilat mund të arrihen me varkë ose me not.
Gjatë muajve të verës, Saranda dhe Ksamili janë shumë të mbushura me turistë, prandaj ju këshillojmë t’i planifikoni pushimet tuaja në periudha në të cilat ka më pak prezencë turistike – në mënyrë që të shijoni bukurinë e peizazheve, plazheve dhe klimën dhe atmosferën e pranishme në këto vendpushime./atsh/KultPlus.com
Sonte KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botëror.
1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams
2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken
3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit
4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër
5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman
6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni
7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh
8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov
9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel
10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson
11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi
12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu
13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi
14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington
15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark
16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost
17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe
18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand
19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol
20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson
21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung
22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung
23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër
24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson
25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol
26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan
27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik
28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni
29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol
30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn
31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com
“Duhet guxim për të dashuruar, por dhimbja përmes dashurisë është një zjarr pastrues gjë të cilën ata që dashurojnë në përgjithësi e dijn. Ne të gjithë njohim njerëz të cilët aq shumë frikësohen nga dhimbja sa që mbyllen brenda vetes dhe nuk japin asgjë, nuk marrin asgjë dhe në këtë mënyrë tkurren deri sa jetën e bëjnë thjeshtë një vdekje që jeton.”
“Pavarësisht se sa e thjeshtë është një femër, nëse e vërteta dhe ndershmëria janë të shkruara në fytyrën e saj, ajo do të jetë e bukur.”
“Unë besoj që secili mund ta mposht frikën duke i bërë gjërat që gjithmonë ka pasur frikë ti bëjë.”
“Është shumë më mirë të ndezësh një qiri se sa ta mallkosh errësirën.”
“Kurrë mos u mërzit dhe kurrë nuk do të bëhesh i mërzitshëm.”
Kujtojmë se sot bëhen 138 vite nga lindja e Eleanor Rooseveltit, ish-zonja e parë e SHBA-ve.
Anna Eleanor Roosevelt ishte një figurë, diplomate dhe aktiviste politike Amerikane.
Ajo shërbeu si zonja e parë e Shteteve të Bashkuara nga 4 mars 1933, deri në 12 prill 1945, gjatë katër mandateve të burrit të saj Presidentit Franklin D. Roosevelt në detyrë.
Roosevelt shërbeu si Delegate e Shteteve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Presidenti Harry S. Truman më vonë e quajti atë “Zonja e Parë e Botës” në shenjë nderimi për arritjet e saj të të drejtave të njeriut./ KultPlus.com
S’ka gjuhë që s’mund të përkthejë, por ka poetë që s’dinë të përkthejnë, ashtu siç ka poetë që s’dinë të bëjnë poezi. Po a ka gjuhë më pak poetike se frëngjishtja që i ka të gjitha fjalët oksitone? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë që të nxjerrë poetë aq të mëdhenj? Po a ka gjuhë më pak poetike se anglishtja, me gjithë ato fjalë monosilabike? Po mos ka qenë pengesë kjo gjuhë për ata poetë të mëdhenj të Anglisë?
Ku pyet poeti! Dhe ca më pak s’pyet poeti shqiptar! Se shqipja ka mundësira të pakufishme për të krijuar dhe për të përkthyer. Ajo ka fjalë të shkurtra, të gjata, oksitone, paraoksitone, proparaoksitone, ç’të duash ka! Nga mundësitë që krijon gjuha shqipe ua kalon shumë gjuhërave të botës dhe mund të krahësohet me gjermanishten. Prandaj s’ka faj gjuha, po ku është poeti?
(Marrë nga profili i Marie Poradeci) / KultPlus.com
KultPlus ju sjell fotografi të vjetër ku mund të shihen anëtarët e rok grupit Gjurmët, para ëmbëltores Elida në Pallatin e Rinisë (ish Boro Ramizi), në Prishtinë.
Gjurmët është grup artistësh i njohur, grupi është formuar në vitin 1981 ne Prishtinë dhe ka qenë aktiv deri në vitin 1988. Grupi kishte pesë anëtarë. Vokalisti i grupit ishte Migjen Kelmendi, tani gazetar dhe publicist i njohur. Anëtarët tjerë ishin Tomorr Kurshumliu, Bekim Dyla, Petrit Riza e Armando Gjini./ KultPlus.com
Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.
Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.
Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.
Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë
Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.
Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.
Burrat gjithmonë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje – gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.
Asnjë artist i madh nuk i sheh ndonjëherë gjërat si ato janë në të vërtetë. Nëse ai e bën këtë, ai do të jetë më artist.
Fytyra e njeriut është autobiografia e tij. Fytyra e një gruaje është vepra e saj artistike.
Dallimi në mes letërsisë dhe gazetarisë është se gazetaria është e palexueshme dhe letërsia nuk lexohet./KultPlus.com
KultPlus, sjell disa kujtime nga Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare. Ajo për herë të parë para publikut si dirigjente ka dalë me suitën për kor dhe orkestër “Vullnetarët” të të ndriturit dhe të madhit kompozitorit Tonin Harapi.
Rozmari Jorganxhi ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike. “Mezzosoprano” në TOB dhe ka interpretuar me profesionalizëm në nivele të larta role nga operat ndërkombëtare, por edhe ato kombëtare. Nga viti 1967-1984 ajo ka dirigjuar Korin e TOB duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni unik të kulturës shqiptare. Më 1993 Jorganxhi në moshën 56-vjeçare fiton audicionin dhe fillon si këngëtare profesioniste në Teatrin Giusepe Verdi të Triestes ku këndoi për 10 vjet. Zonja Jorganxhi ka dhënë dekada mësim në Universitetin e Muzikës duke i dhënë kulturës shqiptare emra artistësh si në fushën e dirigjimit ashtu edhe në atë të kantos. Rozmari ka lindur në një familje me tradita muzikore nga ana e të atit , “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, i cili këndoi për 65 vjet si solist në qytetin e Korçës, që prej vitit 1920, kur u krijuan shoqëritë e para muzikore në këtë qytet.
Vetë qyteti i Korçës ka nxjerrë artistë lirike si Tefta Tashko Koço, Jorgjie Truja,( e cila ka qenë dhe regjisorja e parë e TKOB), Mihal Ciko, Kristaq Antoniu etj, ( kanë qenë dhe mbeten ikona, qe ngritën themelet e artit lirik në Shqipëri).
Shkoi për studime në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku pati si pedagoge kantoje “Artisten e Popullit” Marie Kraja. Në atë kohë pedagogë kantoje si ajo ishin dhe këngëtarët e parë lirikë si Jorgjie Truja, Gjyzepina Kosturi, Mihal Ciko. Më pas shkoi për studime në Konservatorin e Moskës për kanto ku ishin: Avni Mula “ Nderi i Kombit”, Mentor Xhemali “Artist i Popullit”,Gjoni Athanas “Mjeshtri i Madh”, Ibrahim Tukiqi “Artist i Popullit”. E vetmja vajzë mes tyre ishte Rozmari që ishte dhe më e reja në moshë, vetëm 15 vjeç!
Në këtë Konservator , sot Akademia e Artit të muzikës, ajo gjeti të ndriturin Lluk Kaçaj “Nderi i Kombit”, Albert Papariston, Maliq Herrin, Çesk Zadenë “Artist i Popullit”, Tish Daijen “Nderi i Kombit”, Dhora Lekën, Hamide Stringën. Për dirigjentë me të kanë studiuar Rifat Teqja “Artist I Popullit”, për dirigjent orkestre dhe Milto Vako “Artist i Merituar” dirigjent kori.
Më vonë erdhën për studime në këtë Konservator kompozitor Nikolla Zoraqi “Artist i Popullit”, këngëtaret si Irena, Gjergo, Luiza Papa, Gjinovefa Heba, Gaqo Çako “Artist i Popullit”. Vazhdoi dirigjimin dhe kanton për 7 vjet duke dalë shkëlqyeshëm. Në vitin 2017, në moshën 80-të vjeçare ajo mori titullin “Mjeshtre e Madhe”./ KultPlus.com
Gjurmët, rock grupi kosovar që ishte i pranishëm në skenën e muzikës shqiptare gjatë periudhës 1980-1986 kanë realizuar shumë këngë që edhe sot këndohen nga rock grupet tjera e vazhdojnë të dëgjohen akoma nga adhuruesit e këtij zhanri.
“Mendoja çdo gjë merr fund pa ty’’, është një ndër këngët më të njohura të grupit. Kjo, një këngë që përçon një emocion të jashtëzakonshëm dhe është himn i plot gjeneratave dhe realiteteve të ndryshme prej njëra tjetrës në Kosovë, shkruan KultPlus.
Në vitin 2002, Gjurmët publikuan projektin Gjurmët LP, një përmbledhje e këngëve të tyre me incizim të lartë dhe shkrime retrospektive të Kelmendit për kohën e funksionimit të grupit.
Më poshtë keni tekstin e plotë të këngës:
Vallë është e mundur më kalon pranë dhe një copë akull më bën një puthje ta kujtoj Ishe ti ajo
Duket me bëhet nuk di çfarë kam sot..
Ledhatimet a thua ishin dhe ajo ëndërr
Një sheti s’me bie n’mend sa je larg nga unë sa afër ishim të premtoja mrekulli i marri, thosha çdo gjë merr fund pa ty
Një grimcë, ti një grimcë unë kështu fati e do këtë punë Një grimcë, ti një grimcë unë kështu fati e do këtë punë
Kthehem rrotull nganjëherë ç’kanë këta njerëz ç’shikojn n’qiell
Ledhatimet a thua ishin dhe ajo ëndërr
Një sheti smë bie n’mend sa je larg nga unë sa afër ishim të premtoja mrekulli i marri, thosha çdo gjë merr fund pa ty
Një grimcë, ti një grimcë unë kështu fati e do këtë punë Një grimcë, ti një grimcë unë kështu fati e do këtë punë Kthehem rrotull nganjëherë ç’kanë këta njerëz ç’shikojnë n’qiell. / KultPlus.com
Shqipëria, me peizazhet e saj të larmishme dhe koston e përballueshme të jetesës, është një destinacion ideal për pushime verore unike dhe ekzotike, shkruan Jeanne Zisou në një artikull të botuar në të përditshmen franceze “Public.fr” .
Vera ka ardhur dhe ju po kërkoni një destinacion unik dhe të lirë? Mos kërkoni më tej, Shqipëria është vendi i duhur për ju.
E vendosur në Ballkan, Shqipëria është vend i kontrasteve.
Ajo ofron pasuri kulturore dhe natyrore të ruajtura ende nga turizmi masiv.
Me plazhet e saj të kristalta, malet madhështore dhe trashëgiminë historike magjepsëse, Shqipëria është një destinacion që ia vlen të zbulohet.
Por, të udhëtosh drejt Shqipërisë do të thotë edhe të gëzosh një kosto jetese shumë të përballueshme.
Qoftë për akomodimin, ushqimin apo aktivitetet, buxheti juaj i pushimeve nuk do të shtrëngohet.
Nga Tirana, kryeqyteti dinamik, në fshatrat piktoreske të Rivierës Shqiptare… çdo cep i vendit është plot me thesare të fshehura.
Ne ju rekomandojmë të vizitoni vendin mesdhetar dhe të shijoni një përvojë ekzotike këtë verë.
Zbuloni Tiranën dhe rrethinat e saj
Filloni aventurën tuaj në Shqipëri me kryeqytetin e saj, Tiranën.
Ky qytet i gjallë dhe plot ngjyra është zemra kulturore dhe politike e vendit. Mos e humbisni një shëtitje në Sheshin Skënderbej.
E vendosur në qendër të qytetit, ajo është e rrethuar nga muzetë, xhamitë dhe ndërtesat historike.
Shëtisni nëpër zonën e Bllokut, dikur i lejuar vetëm për elitën komuniste, sot një vend për jetën e natës dhe kafenetë më në tendencë.
Vizitoni Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2 në lartësitë e qytetit. Këta dy bunkerë janë dëshmitarë të vërtetë të historisë.
Sot të shndërruar në muze historikë dhe bashkëkohorë.
Rrethinat e Tiranës ofrojnë gjithashtu një arratisje të mrekullueshme. Mes tyre, ai i malit të Dajtit, i aksesueshëm me teleferik.
Me të mbërritur atje, shijoni panoramën befasuese të qytetit dhe maleve përreth.
Për një zhytje në historinë mesjetare, vizitoni Kalanë e Krujës, rreth një orë larg me makinë.
Eksploroni Shqipërinë, mes plazheve dhe mbetjeve antike
Riviera Shqiptare shpesh krahasohet me bregdetin francez. Megjithatë, ajo është një perlë e vërtetë e ruajtur ende.
Me plazhet idilike dhe ujërat bruz, Shqipëria është destinacioni ideal për pushime relaksuese.
Vendpushimet bregdetare të Dhërmiut dhe Himarës janë veçanërisht të njohura për atmosferën e tyre qetë.
Por, mbi të gjitha, peizazhet e tyre që të lëne pa frymë.
Për adhuruesit e natyrës dhe emocioneve, ofrohen aktivitete të ndryshme ujore ose thjesht të shijoni diellin në rërën e imët.
Mbi të gjitha, mos e humbisni një vizitë në qytetin e Sarandës.
Saranda është porta hyrëse për në mbetjet antike të Butrintit, i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ky qytet i lashtë greko-romak është një domosdoshmëri për adhuruesit e historisë dhe arkeologjisë.
Shqipëria është një destinacion që ndërthur sharmin, diversitetin dhe aksesueshmërinë.
Pavarësisht nëse jeni një adhurues i kulturës, natyrës apo relaksit, ky vend ka diçka për të kënaqur të gjitha dëshirat tuaja.
Peizazhet e tij të larmishme, trashëgimia e pasur dhe mirëpritja e ngrohtë e bëjnë atë një vend ideal për pushime.
Përveç kësaj, udhëtimi në Shqipëri është sinonim i ofertave të favorshme.
Çmimet mbeten shumë konkurruese në krahasim me destinacionet e tjera evropiane.
Ndaj, për këtë verë, guxoni të jeni aventurier dhe nisuni për të zbuluar Shqipërinë. Nuk do të zhgënjeheni!/abcnews/ KultPlus.com
Qeveria e Islandës tha se i ka dhënë leje kompanisë së fundit të gjuetisë së balenave për të kapur 128 balena këtë vit.
Grupet e të drejtave të kafshëve deklaruan se ndërsa numri është dukshëm më i ulët se në vitet e mëparshme, vendimi për ta lejuar atë është çnjerëzor dhe zhgënjyes.Qeveria njoftoi se kompanisë “Hvalur hf” iu dha leja për të gjuajtur në ujërat islandeze dhe pjesë të Grenlandës dhe Ishujve Faroe gjatë sezonit, i cili zakonisht zgjat nga qershori deri në gusht.Kuota është gjysma e asaj që ishte në vitin 2023, kur qeveria islandeze lejoi gjuetinë e 264 balenave me fin, sipas organizatës jofitimprurëse Fondi Ndërkombëtar për Mirëqenien e Kafshëve.
“Njoftimi i sotëm përfaqëson një ulje të ndjeshme të kuotës dhe kohëzgjatjes së gjuetisë”, tha Patrick Ramage, drejtor i grupit. Por ai shtoi se është “absolutisht qesharake të lejosh çdo lloj gjuetie”.“Është një lajm i keq për Islandën dhe një lajm i keq për ruajtjen e detit,” tha ai.Qeveria islandeze pezulloi përkohësisht gjuetinë komerciale të balenave me fije vitin e kaluar për arsye të mirëqenies së kafshëve./abcnews/ KultPlus.com
Një grup grabitësish kanë shpuar nga kanalet e lashta drejt bodrumit të një argjendarie në qendër të kryeqytetit italian, dhe kanë vjedhur bizhuteri me vlerë të paktën €500,000.
Banda mori ora dhe metale të çmuara nga dyqani ‘Bulgari’ para se të zhdukeshin sërish në kanalizimet e qytetit teksa policia është vënë në ndjekje të tyre.
Goditja ishte bërë mesnatën e të shtunës, kur ata hynë nga një vrimë që ksihin hapur nga poshtë në bodrumin e argjendarisë në rrugën Via Condotti, e cila është e mbushur me dyqane të mallrave të luksit.
Mediat vendase thonë se tre grabitësit e maskuar ishin regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe alarmi i dyqanit ishte aktivizuar në kohë .
Policia kishe ardhur për shtatë minuta por iu deshën dhe pesë minuta të tjerë për të thyer derën e dyqanit që ishte përforcuar si barrikadë nga brenda prej grabitësve.
Vjedhësit kishin mbledhur objektet e grabitura dhe ishin zhdukur sërish në vrimën nga kishin hyrë brenda 11 minutave, sipas mediave italiane.
“Teksa ne po hapnim derën i dëgjonim ata që thonin, ‘Ikim tani , ikim’,” tha një hetues për të përditshmen vendase La Repubblica.
Kanalizimet e Romës datojnë prej kohërave romake me një rrjet të gjerë e kompleks tunelesh, të ngjashëm me një sistem të nëndheshëm metroje.
“Qendra e Romës është e mbushur me tunele kanalizimesh që datojnë prej epokës romake dhe përdoren ende”, tha Marco Placidi, i grupit ‘Sotterranei di Roma’, që eksploron arkeologjinë e vjetër të tuneleve.
“Ato janë të lartë sa të ecësh në këmbë dhe nuk kanë shumë ujë. Nuk janë totalisht të përshkruara në harta prandaj është e vështirë të zbulosh se nga kanë kaluar grabitësit”, shtoi Placidi, sipas The Independent.
Një tentativë e ngjashme është bërë në gusht 2022, kur një bandë grabitësish tentuan të hynin në një bankë në Vatikan, por dështuan pas bllokimit të një prej grabitësve dhe arrestimit nga policia./ topchanel/ KultPlus.com
“Reporting House” quhet ekspozita e cila u hap mbrëmë në ish- objektin e mallrave “Gërmia” me fotografi, dukumente, dokumentare e vepra të ndryshme artistike të cilat dokumentojnë ngjarjet që kanë ndodhur në vitet e ’90-ta, me theks të veçantë krimet serbe në vitet 1998- 1999, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë e kuruar nga Gazmend Ejupi dhe Jeta Xharra është hapur me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, dhe prezanton përmbajtje arkivore nga puna e gazetarëve, fotografëve dhe punonjësve të mediave, të cilat vijnë si dëshmi për të krijuar kujtesë kolektive mbi ngjarjet që ndodhën para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Protestat e 1 tetorit 1997”, “Protestat e minatorëve“, “Mësimi në shtëpitë-shkolla”, pamje nga protesta “Bukë për gratë dhe familjet e Drenicës” , pamje të qytetarëve të vrarë, pamje të refugjatëve, dhe rrëfime për përjetime të ndryshme erdhën më të gjalla se kurrë përmes kësaj ekspozite e cila do të qëndroj e hapur deri në javën e dytë të shtatorit.
“Reporting House” përmban fotografi, artefakte e dokumentarë të Vaughan Smith, Jeremy Bowen, David Loyn, Flaka Surroi, Alban Bujari, Ilaz Bylykbashi, Ridvan Slivova, Paul Lowe, Donika Shahini, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Hazir Reka, Gzmend Avdiut, Eki Rrahmanit dhe do të shtrihet edhe në Hamamin e Prishtinës e në galerinë “Paper”, sipas organizatorëve gjithmonë duke synuar përsiatje, dialog dhe katarzë.
Si pjesë e kësaj ekspozite janë prezantuar rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën gjatë viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste-TV publik gjerman, Nippon TV-Televizion publik japonez, RTE-TV publik irlandez, EO 2 Vandaag-TV publik holandez), Tele 5-TV spanjoll dhe Frontline Television News.
Kuratori i ekspozitës, Gazmend Ejupi ka thënë se ideja për realizimin e një projekti të tillë synon informimin e gjeneratave të reja mbi atë që ka ndodhur në Kosovë në të kaluarën.
“Koncepti kuratorial ka filluar me angazhimin e Jetës për të pasur një ekspozitë për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Ideja e ekspozitës është për të t’u dhënë të rinjve informacione dhe histori të së kaluarës. Përveç reportazheve ideja ka qenë të jetë e lidhur gjithmonë me gazetari për këtë ekspozitë, nga ku kemi filluar ta diskutojmë dhe të ftojmë edhe artistë të tjerë që kanë lidhje me mediumin e videos, që kanë referencë për luftë, imigrim”, është shprehur kuratori Ejupi.
Ai më tutje ka bërë të ditur se “Reporting House” është një ekspozitë e cila kërkon shumë kohë për ta eksploruar në tërësi.
“Jemi ofruar te Komuna për të kërkuar një hapësirë dhe na është ofruar kjo. Ekipi i ndërmarrjes publike banesore ka bërë një punë të mrekullueshme. Ky ka qenë një vend jofunksional, 1770 m2 shtë kuruar në mënyrë minimale, me hapësirë për shikuesit për të shëtitur, për të pyetur. Mirëpo nuk është ekspozitë që mundesh me pa për një ditë. Kjo është një farë procesi edukativ i cili ka referenca shumë me rëndësi dhe dokumentarë të cilët marrin kohë. Në anën e majtë është një hapësirë që është krijuar vetëm për BBC-në që na ka dhënë të drejtën për të shfrytëzuar materiale të cilat nuk guxojnë të publikohen diku tjetër”, ka bërë të ditur kuratori Ejupi.
Ndërsa për rolin e fuqishëm që ka fotografia në dokumentimin e luftës e potencoi edhe fotografi amerikan Ron Haviv, i cili ka qenë fotoreporter në luftën e vitit ’99 në Kosovë.
“Mendoj se fotografia është jashtëzakonisht e fuqishme në këtë drejtim, sepse pak pas lufte kam pasur një bisedë me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara dhe ai pati thënë se një prej arsyeve pse kanë intervenuar në Kosovë shumë më shpejt sesa në Bosnjë ka qenë për shkak të fotoreporterëve”, ka thënë Haviv.
Fotografi Haviv Kosovën sot e sheh si shembull nga i cili sipas tij duhet të frymëzohen edhe ukrainasit.
“Jam i kënaqur të shoh se ku është Kosova sot, sidomos në krahasim me Bosnjën. Kosova është frymëzim për Ballkanin dhe mendoj se ukrainasit sot do të marrin shembull se si të ringjallen sërish”, ka gjithashtu Haviv.
Kurse presidentja Vjosa Osmani e cila po ashtu ishte pjesë e kësaj ekspozite ka deklaruar se e vërteta as nuk mund të mohohet e as të ndryshohet pasi krimet janë bërë para syve të botës.
“Pikërisht për shkak të storjeve të këtyre gazetareve u njoh e vërteta për Kosovën dhe siç e them rëndom në çdo diskutim, ne çdo prezantim ne samite ndërkombëtare se e vërteta as nuk mund të mohohet as nuk mund të ndryshohet, sepse ajo ka ndodhur para syve të botës dhe arsyeja pse ka ndodhur para syve të botës janë këta njerëz që i shihni ju këtu, i falënderoj për kontributin”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja më tej shtoi se nuk duhet të ndalen përpjekjet për ta mbrojtur të vërtetën e popullit të Kosovës.
“Përgëzime për punën nuk duhet të ndalemi me kaq, duhet të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta edhe spektri politik dhe gazetarët, të gjitha mediat, shoqëria civile në mënyrë që së bashku ta mbrojmë të vërtetën tonë, në mënyrë që dhimbja të cilën e kemi përjetuar si popull mos të përsëritet më kurrë”, është shprehur më tej presidentja.
Në këtë ekspozitë ishte e pranishme edhe profesoresha universitare Remzie Shahini- Hoxhaj, e cila u befasua nga pamjet e shtëpive shkolla ku ajo kishte vijuar shkollimin e mesëm, e më pas edhe me pamjet e protestave të 1 tetorit, ku kishte qenë pjesë e organizatës studentore.
“Pamjet që po i shihni në ekran janë pamjet e protestës së 1 tetorit 1997, në atë kohë unë kam qenë studente e Universitetit të Prishtinës. Kjo është protesta e parë jo e dhunshme që e kemi organizuar si union i studentëve për kthimin e objekteve shkollore, të cilat atë kohë u morën nga okupuesit. Unë i kam pasur dy detyra atë ditë, kam qenë mbajtëse e rendit dhe vëzhguese. Si organizatë studentore kemi punuar mjaftë gjatë, diku rreth 2-3 muaj për organizimin e kësaj proteste, sepse e kemi pasur parasysh se me çfarë pushtues kemi të bëjmë, sepse ka qenë shumë e vështirë me u organizua në atë kohë, imagjinoni vetëm mjete komunikimi nuk ka pasur, telefona statikë”, ka thënë profesoresha Shahini- Hoxhaj, duke potencuar se pamjet e tilla i ngjallën emocion ngase tregojnë një histori shumë të brishtë të Kosovës, për të cilën gjë ka falënderuar edhe organizatorët.
“Besoj që është shumë mirë që është marrë kjo iniciativë për organizimin e kësaj ekspozite për t’u shpërndarë edhe në tjera vende, për shkak se të rinjtë tanë duhet ta shohim se edhe kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë përmes së cilës ne kemi arritur edhe deri te liria. Neve na është cenuar liria e shprehjes, fjala, shkollimi dhe unë besoj që shumë shpejt e harrojmë në qoftë se nuk i ripërtërijmë, nëse nuk i kujtojmë, i harrojmë ngjarjet të cilat na kanë ndodhur” ka thënë më tej profesoresha Shahini- Hoxhaj.
Ndërsa artisti Burim Myftiu për ekspozitën “Reporting House” tha se është njëra prej ekspozitave më domethënëse sa i përket tematikës së luftës së Kosovës.
“Është një paraqitje e mrekullueshme, mund të them një prej ekspozitave më të bukura të pas luftës, duke iu falënderuar kuratorit Gazmend Ejupit, organizatores Jeta Xahrra. Është një përmbledhje e mrekullueshme, por mbi të gjitha është fenomeni i riaktivizimit të qendrës tregtare “Gërmia”- shtëpisë së parë të mallrave në Prishtinë dhe ëndrra e çdo kujt që ky objekt prap të funksionalizohet, aq më mirë si një galeri arti”, ka thënë artisti Myftiu.
“Reporting House” është mundësuar nga “BIRN Kosova”, “KALLXO.com”, “Bienalja e Prishtinës” dhe “Paper Gallery” dhe do të qëndroj e hapur deri në javën e dytë të shtatorit, dhe mund të vizitohet nga e marta në të shtune, përgjatë orës 10:00- 18:00./ KultPlus.com
Elhaida Dani, një nga këngëtaret më të suksesshme të muzikës së lehtë shqiptare, rikthehet në skenën e festivalit të RTSH këtë vit, por jo si konkurrente.
Elhaida do të jetë drejtoresha artistike e Festivalit 63 të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, një bashkëpunim që pritet të zgjasë më shumë se një vit.
Prezantimi i saj në këtë post shumë të rëndësishëm për eventin muzikor, që organizohet çdo fund vit në RTSH, u bë nga drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza.
“Ardhja e Elhaidës është një lajm i gëzuar për mua, stafin dhe mbarë opionionin publik, sepse do të jetë një vlerë e shtuar për festivalin, duke pasur parasysh karrirën e saj të jashtëzakonshme duke nisur që nga fitoret e saj në shumë kompeticione muzikore. Me të do të punpojë edhe Bojken Lako, që ishte drejtor i Festivalit të 62-së, i cili ka bërë një nga festivalet më mira që që ka bërë RTSH”, tha z. Peza.
Artistja Elhaida Dani, fituese e shumë kompeticioneve muzikore si brenda ashtu edhe jashtë vendit u shpreh entuziaste për detyrën e re. Ajo tha se do të përcjellë të gjithë përvojën e saj personale dhe profesionale në festivalin e 63 të këngës, për të cilin tashmë ka nisur puna.
“Është një kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe. Kam lindur dhe jam rritur në Fetstivalin e RTSH-së, dhe falë këti festivali kam shkelur edhe në skenën e Eurovizonit. E di se çfarë do të thotë për artistët shqiptar ky Festival. E di rëndësinë. Do të japë më të mirën time në këtë Festival, por edhe në ato të ardhshmet. Është mundësi e artë për ti treguar edhe Shqipërisë vlerat më të mira. Po synojmë të zgjedhim një skuadër sa më profesioniste, sa më serioze, për të bërë një punë shumë të madhe për këtë Festival dhe ato të ardhshme”, komentoi Dani.
Elhaida Dani ka një karrierë të gjatë dhe të pasur muzikore. Falë zërit të saj të magjishëm, ajo ka ka rrëmbyer shumë çmimeve të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.
Në vitin 2009, Elhaida fitoi talent show-in ‘Star Akademi’ dhe në vitin 2012 fitoi çmimin e parë në Top Fest. Edhe skena e Festivalit të Këngës në RTSH nuk është e panjohur për artisten, e cila ka konkuruar në vitin 2011 me këngën ‘Mijëra vjet’, ku rrëmbeu çmimin ‘Melodia më e mirë’, ndërsa në vitin 2014 ajo u shpall fituese e festivalit dhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong 2015 me këngën “I’m Alive”.
Karriera e artistes me orgjinë nga Shkodra, do të shënonte kulmin me pjesëmarrjen e saj në ‘The Voice of Italy’ në vitin 2013, ku theu të gjithë pritshmëritë, duke u shpallur fituese mes dhjetëra zërave më të mirë italianë.
Ajo arriti të rrëmbente jo vetëm zemrën e publikut shqiptar, por edhe zemrat e atij italian. Pas këtij suksesi të merituar, Elhaidës iu hapën dyert e skenave ndërkombëtare falë edhe bashkëpunimit me këngëtarin dhe kompozitorin Rikardo Kocante, i cili ishte mentori i saj në “The Voice of Italy’.
Elhaida Dani mori rolin e rëndësishëm të Esmeraldës në muzikalin “Notre Dame de Paris”, i cili u shfaq në skenat më prestigjoze të botës dhe ku u prit me duartrokitje të shumta. Gjatë karrierës së saj muzikore, Elhaida ka publikuar dhjetëra këngë që janë mirëpritur nga publiku./rtsh/ KultPlus.com
Në Ambasadën e Kosovës në Berlin është hapur ekspozita e fotografit Arian Mavriqi, duke shënuar fillimin e Javës së Kulturës së Kosovës dhe 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Ambasadori i Kosovës, Faruk Ajeti, theksoi rëndësinë e kësaj dite historike, duke nderuar të gjithë ata që kontribuuan drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Ndërsa, autori i fotografive, Arian Mavriqi foli rreth punës së tij dhe emocionet që japin fotografitë anekënd Kosovës.
Mavriqi u shprehu mirënjohës që fotografitë e tij po prezantohen edhe në Berlin para publikut gjerman dhe diasporës shqiptare.
Ekspozita “Flasim përmes fotografisë” prezantoi peizazhe të mrekullueshme të Kosovës, të cilat shpërfaqin dhe zbulojnë thesaret natyrore të Kosovës.
Ekspozita do të jetë të hapur për publikun deri më 12 qershor, nga ora 12:00-15:00 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin.
Ja çfarë shkruan Bajroni për shqiptarët në një letër dërguar nënës nga Preveza, më 1809:
“….. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Gratë e tyre janë përherë një gjë fisnike, por burrat i përdorin si skllave, i godasin, pra me pak fjale janë si nen zgjedhë. Ato punojnë tokën, mbjellin dhe korrin. Merren me prerjen e drurëve në pyll e deri në rregullimin e rrugëve publike. Burrat janë te gjithë luftëtare. Lufta dhe gjahu janë të vetmet zeje me të cilat ata merren”. / KultPlus.com
Prej 27 e deri më 29 qershor do të mbahet Fetsivali “Mirëdira, dobar dan” në Beograd, festival që do të nisë me shfaqjen e njohur “Babai dhe Babai” me tekst të Jeton Neziraj e regji të Kushtrim Koliqit, shkruan KultPlus.
Edhe në këtë edicion do të ketë prurje të ndryshme artistike, kanë bërë të ditur organizatorët.
KultPlus jus jell të plotë njoftimin e organizatorëve.
“Mirëdita, dobar dan” është një platformë unike për shkëmbim kulturor, si dhe dialog mbi çështjet kritike që shmangen dhe neglizhohen. Shkëmbimi kulturor është një mjet i fuqishëm për të promovuar pajtimin dhe paqen e qëndrueshme, si dhe për të kapërcyer hendekun midis dy kulturave, dhe ne i ftojmë të gjithë të na bashkohen në këtë përpjekje,” tha Tijana Đuknić në emër të Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Festivali nisë hapjen zyrtare me shfaqjen e “Babai dhe babai”, një shfaqje teatrale nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj, me regji të Kushtrim Koliqit, e cila është planifikuar për të enjtën, më 27 maj, në orën 19:30 në “Dorćol Platz”.
Programi i debateve të festivalit do të trajtojë çështje që rrethojnë shkëmbimin kulturor midis Kosovës dhe Serbisë, duke i adresuar në mënyrë specifike ndalimet dhe pengesat brenda bashkëpunimit kulturor, akademik dhe artistik, si dhe trajtimin e efekteve të mbetura gjatë luftës. Debati hyrës, i titulluar “Normalizimi i moslejimit apo moslejimi i normalizimit: Pengimi i shkëmbimit kulturor” është planifikuar për të premten, më 28 qershor, në orën 17:00 në vendin “Miljenko Dereta” (Dobračina 55). Ky diskutim do të përqendrohet në ndalimet e ndryshme me të cilat përballen artistët, intelektualët dhe praktikuesit e kulturës. Kufizimet ekonomike, akademike dhe kulturore paraqesin pengesa për mirëkuptimin ndërkulturor, duke moslejuar normalizimin e marrëdhënieve midis dy shoqërive.
Debati i dytë, gjithashtu do të paraqesë edhe prezantimin e librit “Shënimet e krimbit Smolinski” nga shkrimtari i ri kosovar Azem Deliu, që shtjellon temat që kanë të bëjnë me trashëgiminë e luftës dhe ndikimet e saj bashkëkohore në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Programi i festivalit të këtij viti përfshin edhe filmin “Vera ëndërron detin” nga regjisorja Kaltrina Krasniqi. Ky film debutoi në Festivalin e Filmit në Venecia dhe më vonë fitoi çmime në Festivalin e Filmit në Tokio dhe Goteborg, si dhe në “Festivalin e Filmit Zona e Lirë” të Beogradit. Shfaqja e filmit do të jetë në “Koska bar” (Dobračina 59) të shtunën, më 29 qershor, në orën 19:30.
Përveç kësaj, bendi i njohur kosovar “La Fazani,” i udhëhequr nga karizmatiku Arbër Salihu, do të performojë në “Elektropionir” (Cetinjska 15) të premten, më 28 qershor, në orën 21:00. Bendi arriti fitoren në konkurrimin e vitit të kaluar për zgjedhjen e përfaqësuesit të Kosovës në Eurovizion, pavarësisht se Kosova ende nuk është pranuar si pjesëmarrëse në këtë ngjarje.
Njëkohësisht, hapja e ekspozitës së artistes vizuale Ermira Murati, e njohur artistikisht si The Orange Girl, do të fillojë në orën 19:00 në “Endžio Hab” (Dobračina 4) po atë ditë. Veprat e Ermirës përcjellin mesazhe të veçanta politike, duke eksploruar temën e puthjes si një shprehje që është thelbësisht joneutrale.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit është falas.
Edicioni i njëmbëdhjetë i festivalit “Mirëdita, dobar dan” është i organizuar me mbështetjen e madhe të Bashkimit Evropian dhe Fondacionit Rockefeller Brothers.
Ju lutemi gjeni bashkangjitur datat e edicionit të njëmbëdhjetë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!.”
Edicioni i këtij viti i festivalit “Mirëdita, dobar dan” i organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR, Serbia), Integra (Kosovë) dhe Iniciativa Qytetare (CI, Serbia) do të prezantojë një përzierje unike të artit, kulturës bashkëkohore dhe diskutimeve domethënëse që hedhin dritë mbi tema historike kyçe, si dhe të orientuara drejt së ardhmes, veçanërisht të rëndësishme gjatë kësaj periudhe sfiduese për marrëdhëniet Kosovë-Serbi./ KultPlus.com
Në prag të koncertit “Michael Jackson: Historia dhe legjenda e mbretit të pop-it”, Teatri Kombëtar i Operas e Baletit po bën përgatitjet e fundit për këtë shfaqje që sipas tij, do të jetë e jashtëzakonshme.
Koncertit të datës 13 qershor, në sheshin “Rezistenca”, Durrës, i paraprijnë 2 ditë me prova për koncertin vokal-simfonik.
Pas dy koncerteve që korrën sukses të jashtëzakonshëm në TKOB, “Queen: Show must go on” dhe “Paganini in Jazz”, kompozitori dhe dirigjenti i famshëm italian Roberto Molinelli, vjen sërish në Tiranë dhe në Durrës për të sjellë një tjetër ikonë të muzikës botërore: Michael Jackson.
Hitet nga “Thriller”, “Beat it”, “Heal the World” e deri te “Billie Jean” do të ngrenë peshë zemrat e publikut, të interpretuara nga Orkestra Simfonike e TKOB-së, nën drejtimin e maestros Roberto Molinelli dhe vokalistëve Clarissa Vichi e Mattia Sciascia.
Artdashësit mund ta ndjekin këtë koncert edhe në Tiranë, më 14 qershor./atsh/KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë vizitës në Baku, zhvilloi takime me personalitete të larta të turizmit dhe mjedisit nën kornizën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe financave të gjelbra.
Azerbajxhani do të jetë vendi pritës i Samitit Botëror të Klimës COP29 këtë vit, nën temën “Financat e Gjelbra”.
Në takimin me ministrin e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore, Mukhtar Babayev, ministrja Kumbaro njoftoi se Shqipëria po punon për të prezantuar në sekretariatin e Konventës, Kontributin Kombëtar të Klimës.
Gjithashtu të dy ministrat dakordësuan për mundësi bashkëpunimi në modelet e turizmit të qëndrueshëm përmes zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore.
“Shumë i vyer me takimi me ministrin e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore të Azerbajxhanit që do të presë këtë vit Samitin Botëror të Kilmës COP29 me temë “Financat e Gjelbra” e ku Shqipëria po përgatitet për prezantimin e Kontributit Kombëtar të Klimës në sekretariatin e Konventës”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.
Më tej, ministrja Kumbaro u takua me Fuad Naghiyev, drejtues i Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Azerbajxhanit, ku diskutuan mundësi për të çuar përpara bashkëpunimin në fushën e turizmit që vendosëm gjatë mbledhjes së Komisionit Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik mes dy vendeve tona.
3190 vizitorë nga Azerbajxhani kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit 2023, ose 130% më shumë se viti 2022, shifra që tregojnë potencialin e tregut azer përmes prezantimit të ofertës turistike shqiptare.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit ndodhet në Azerbajxhan në kuadër të mbledhjes së Komitetit Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit./atsh/KultPlus.com
Më 11 qershor 1988 u nda nga jeta Gegë Marubi, fotograf dhe atdhetar i shquar.
U lind në Shkodër në vitin 1907 në familjen e fotografit të njohur Kel Marubi. Familja Marubi historisë së fotografisë shqiptare i ka dhënë kontributin më të madh të mundshëm.
Ata kanë kaluar nëpër duar mbi 15.000 foto, negativë që shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të kohës, personalitetet me rëndësi, pamje nga jeta shqiptare, veshjet, kostumet, dasmat dhe tërë jetën etnografike shqiptare.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë ”Marubi” në Shkodër është një thesar që përfshin një arkiv prej mbi 500 000 negativash, që përshkruajnë familjet, qytetarët, ushtarë, politikanë dhe tregtarët lokalë në Shkodër, momentet e përditshmërisë dhe ngjarjet historike nga mesi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.
Ai ishte fotografi i fundit i familjes dhe vlerësohet si një nga fotografët më të shquar në Ballkanit të brezit të tij. /KultPlus.com
Shkrimtarja dhe përkthyesja e njohur shqiptare Helena Kadare ishte e ftuar mes vogëlushëve në “Kurthin e Piterpan”, ku ka folur për jetën e saj, karrierën dhe jetën familjare me bashkëshortin Ismail Kadare dhe dy vajzat.
Mes pyetjeve të shumta të fëmijëve drejtuar shkrimtares, njëra ishte pikante, pse gjeniu i letërsisë shqipe nuk kishte zgjedhur t’i dhuronte një unazë martese bashkëshortes.
Fakti që u pëlqente jeta moderne siç thotë ajo, duke u zhveshur nga petku i konservatorizmit, çifti Kadare nuk u pëlqente që në gisht të mbanin një unazë martese.
“Jo nuk më ka dhuruar sepse ne ishim një brez që e quanim veten shumë modern duke i përjashtuar këto zakone. Ishin ca zakone konservatore jashtë shijeve tona”, u shpreh Kadare.