Hapet audicion për filmin ‘DUA’ të Blerta Bashollit

Është hapur audicion për filmin e metrazhit të gjatë artistik nga regjisorja e filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli dhe produksioni Ikonë Studio.

Vendosur në periudhën e luftës së Kosovës filmi rrëfen për Duan, një adoleshente, e cila nis një udhëtim për të zbuluar miqësinë, dashurinë dhe në fund të fundit veten e saj. Si një vajzë 14 vjeçare dhe duke qenë një nga vajzat e përjashtuara nga shoqëria. Dua është mjaft e turpshme dhe mundohet të përkufizohet në shoqëri, duke filluar nga stili e deri te gjërat dhe djemt që i pëlqejnë.  

Kushtet për aplikim:

Vajza dhe djem nga mosha 13 deri në 20 vjeç

Talent për aktrim

3 foto aktuale (pa grim, me dritë natyrale)

Video prezantuese rreth vetes (pa grim, me dritë natyrale)

Aplikimi mund të bëhet në: [email protected]

Data e fundit për aplikim: 05/04 2024/KultPlus.com

Hapet audicioni për Korin e Zërave të Bardhë

Teatri Kombëtar i Operas e Baletit hap audicionin për Korin e Zërave të Bardhë, ku fëmijët do të trajnohen profesionalisht nga artistët e TKOB, pa pagesë.

Kori i Zërave të Bardhë, i themeluar në shtator të 2022-shit, përgjatë një viti është bërë pjesë e shumë produksioneve të TKOB-së, në të tilla si: operetën “Karnavalet”, veprën simfonike vokale “Carmina Burana”, “Oratorio de Noel”, “Muzika- Dashuri e përjetshme”, celebrimi i “Retro Christmas”, etj.

Nga ky kor janë pikasur talente të reja duke i promovuar në skenën prestigjioze të TKOB-së, siç ishte dhe 10-vjeçarja Aislin Shyti, e cila debutoi në oratorion “Elias” të F. Mendelssohn.

TKOB fton prindërit të dërgojnë të dhënat e fëmijës se tyre në e-mail-in zyrtar të TKOB-së, duke theksuar se prioritet do të kenë fëmijë që studiojnë një instrument muzikor.

Audicioni do të zhvillohet më 26 mars, pranë mjediseve të TKOB-së./atsh/KultPlus.com

Me këngë e valle shqipe hapet ‘Qendra Kulturore Shqiptare’ në Zagreb

Me këngë e valle të bukura shqipe, dje në mënyrë solemne është hapur “Qendra Kulturore Shqiptare” në Zagreb të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Kjo “Qendër Kulturore Shqiptare” me hapsirë prej 650 metra katrorë, nga tash e tutje do të jetë adresë ku do të zhvillohen të gjitha aktivitetet e shqiptarëve që jetojnë në Kroaci.

Pjesë e ceremonisë hapësë ishin përfaqësues nga Qeveria kroate, Presidenca kroate, Qyteti i Zagrebit, ambasodorë, miq kroat, dhe Shqiptarët nga gjithë Kroacia.

Njoftimin për hapjen e kësaj qendre e ka bërë Shuip Ziberi përmes një postimi në facebook:

“E gëzofshim Shqiptarë!

Sot në Zagreb/24 shkurt 2024 në ora 12:00 u hap në mënyrë solemne “Qendra Kulturore Shqiptare” me hapsirë mbi 650 metra katror. Në këtë qendër janë vendosur zyret në të cilat do të zhvillohen aktivitetet e Shqiptarëve në këtë objekt të bukur.

Në hapje ishin nga Qeveria kroate, nga presidenca kroate, nga Qyteti i Zagrebit, ambasodorët, miq kroat, dhe Shqiptarët nga gjithë Kroacia.

Hapja u përcoll me fjalë përshëndetse dhe me program kulturo-artistik, këngë e valle të bukura shqiptare”, ka shkruar Ziberi./ KultPlus.com

Hapet konkursi për Çmimet Vjetore për Teatër

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ftuar të gjithë të interesuarit që të aplikojnë dhe insitucionet relevante të artit të propozojnë kandidatët për Çmimet vjetore në Teatër.

Kategoritë:

Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore

4 Çmimet Vjetore për Teatër 2023; shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori/aktorja më e mirë dhe çmimin vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar.

MKRS ka njoftuar që propozimi duhet të përmbajë arsyetimin me shkrim, CV-në e të nominuarit, si dhe materialet tjera përcjellëse./ KultPlus.com

Hapet Ekspozita Ndërkombëtare ‘Gara e Artit Global – KOSOVA ART ‘8’

Mbrëmë me një ceremoni solemne u hap Ekspozita Ndërkombëtare “Gara e Artit Global – KOSOVA ART ‘8”, me kurator Muhamet Ahmeti-Metis, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku mbi 40 artistë nga 15 shtete të botës, prezantuan krijime të tyre artistike.

Me një fjalë rasti kuratori Muhamet Ahmeti-Metis, i falënderoi artistët nga vendet e largëta që konkurruan me veprat e tyre në këtë edicion.  Po ashtu ai foli për rëndësinë e saj dhe bashkëpunimin me artistët ndërkombëtarë dhe vendorë të cilët po krijojnë njohje dhe ura bashkëpunimi.

Ndërsa, zyrtari për kulturë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Naser Shatrolli, ceku se “Në filozofinë e kësaj ekspozite piktorët vendës dhe ata ndërkombëtarë kanë paraqitur përkatësinë e tyre krijuese, që përkon me mendësi të caktuara të shoqërive prej nga vijnë ata”.

Po ashtu gjatë kësaj ceremonie juria profesionale me kryetar Safet Spahiu nga Maqedonia e Veriut, Saimir Strati nga Shqipëria dhe Adriana Sedaj nga Kosova, ndanë edhe çmimet për veprat e këtyre artistëve: 

Majlinda Kelmendit i u nda çmimi i parë “Gara e Artit Global – KOSOVA ART ‘8”, Çmimi Special iu nda Adem Rusionvcit dhe Fehmi Hoxhës nga Kosova, Orhan Cebrailoglun nga Turqia dhe Nehat Beqirin nga Maqedonia e Veriut.

Ekspozita  Ndërkombëtare “Gara e Artit Global – KOSOVA ART, është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 20 janar 2024./KultPlus.com

Në Manastir hapet biblioteka e parë shqipe

Sot është hapur Biblioteka e parë shqipe, në qytetin e Alfabetit, në Manastir nga iniciativa e studentes Emira Selimi, përmes donacioneve të shumta shkruan KultPlus.

“Faleminderit Kombi im, ju e themeluat Bibliotekën e parë shqipe në Manastir. Kjo Bibliotekë sot u hap”, ka shkruar Selimi në facebook.

Kjo ceremoni e hapjes së kësaj biblioteke, u përcoll edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka thënë se ruajtja e gjuhës është thirrje për ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Në 115 vjetorin e alfabetit shqip, në Manastirin e shenjtë të shqipes që bëri bashkë gegë e toskë, myslimanë dhe të krishterë për abecene që kemi sot. Ta ruash dhe të lëvrosh gjuhën amtare nuk është thjesht një thirrje për ruajtjen e një trashëgimie kulturore. Ajo është thirrje për të ruajtur identitetin kombëtar”, ka shkruar ai.

Hapja e kësaj Biblioteke u inicua nga studentja Selimi, e cila kohë më parë publikoi iniciativën për ta shpëtuar shqipen nga asimilimi në Manastirin e alfabetit shqip.

“Çfarë vendos Zoti, nuk e ndal dot njeriu. Faleminderit Zot që më mbrojte gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë,” ka shkruar Selimi në facebook./KultPlus.com

Me aktivitete të shumëta hapet edicioni i parë i Panairit të Librit për Fëmijë

Vjollca Duraku

Me një numër të madh të fëmijëve, nën tingujt e muzikës të krijuar nga nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, sot është shënuar hapja e edicionit të parë të Panairit të Librit për Fëmijë, në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Edicioni i parë i Panairit të Librit për Fëmijë u mundësua nga organizata joqeveritare ETEA, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Libraria “Dukagjini”, Ministria e Kulturës si dhe Komuna e Prishtinës.

Nën duartrokitjet e shumta të fëmijëve pjesëmarrës, ceremoninë hapëse të këtij edicioni të panairit të librit, e bëri drejtori i organizatës ETEA,  Agon Ahmeti, i cili fillimisht tha që është shumë i lumtur që gjendej në mesin e fëmijëve dhe që së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë kishin arritur të organizojnë këtë ngjarje, sipas tij, modeste por të lezetshme.

“Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj, sidomos ndaj juve që jeni edhe më të vegjël, ju lakmoj që jeni në këtë moshë. Unë përfaqësoj organizatën jo qeveritare ETEA, ne jemi bërë bashkë me bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani”, me librarinë “Dukagjini”, disa prej shtëpive botuese, me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Kulturës për të organizuar një ngjarje e cila shihet që është modeste, por është shumë e lezetshme”, ka thënë drejtori Ahmeti.

Drejtori Ahmeti gjithashtu, bëri thirrje që menjëherë pas përfundimit të këtij edicioni të planifikojnë një panair më madhështor për vitin e ardhshëm.

“Ju njoftoj që sot e nisëm dhe po bëj thirrje edhe përmes mediave që në momentin që përfundohet kjo ngjarje të bëhemi bashkë të gjithë dhe të fillojmë një planifikim për vitin e ardhshëm, ashtu siç e meriton një panair i librit që dedikohet ekskluzivisht për fëmijë. Meqenëse po planifikohet të zgjerohet sheshi deri te “Rrethi i Flamurit”, pse jo të shkojmë deri atje me libra”, tha ai.

Më pas hijeshia e ngjarjes iu shtua, kur skenës iu bashkua edhe një prezantuese e vogël, Ema Bryma, e cila tha që organizimi i një ngjarje të tillë e gëzon pamasë.

“Unë si lexues e rregullt i gëzohem pa masë organizimeve të tilla, sepse leximi më lumturon, më pasuron mendjen dhe më fut në një botë tjetër me shumë aventura”, tha Ema e cila më tutje i falënderoi të gjithë organizatorët e panairit në emër të të gjithë fëmijëve të Kosovës.

Kjo vogëlushe fjalën i kaloi, nënkryetares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiut e cila e kishte shijuar pamasë prezantimin nga një fëmijë. Ajo fillimisht tha se ishte hera e parë që dikush kaq lezetshëm e kishte ftuar për të marrë fjalën në skenë.

Nënkryetarja Sahatçiu më tutje tha se ishte kënaqësi që si Komunë kanë mbështetur organizimin e këtij aktiviteti.

“Kjo është hera e parë që më ka ftuar dikush në skenë kaq lezetshëm dhe ëmbël si ti, kështu që faleminderit shumë. Faleminderit të gjithëve që jeni prezent sot. Unë jam Donjeta, dhe punoj në Komunën e Prishtinës, ajo që është përgjegjëse për rrugët, për hapësirat publike, për shkollat dhe çerdhet dhe sot me shumë kënaqësi kemi qenë mbështetës të organizimit të këtij aktiviteti.”

Ajo më tutje shtoi se Komuna e Prishtinës ka filluar një aktivitet të ri që është “Ora e Leximit”, dhe me këtë rast u bëri thirrje fëmijëve që çdo ditë të lexojnë nga një faqe më shumë si kusht për t’u lejuar më pas nga prindërit për të lozur lojërat që dëshirojnë.

“Ne kemi filluar një aktivitet të ri që është “Ora e Leximit” nëpër shkolla për të përmirësuar mënyrën se si ne lexojmë libra çdo ditë. Kështu që u ftoj të jeni në shkollat dhe çerdhet e juaja, të lexoni sa më shumë libra dhe pse jo bashkë me prindërit e juaj të keni një sfidë, që çdo ditë të lexoni nga një faqe më shumë në mënyrë që të fitoni më shumë kohë në lojërat e juaja që dëshironi t’i bëni në kohën e lirë”, përfundoi nënkryetarja e Prishtinës.

Ndërsa Ilirjana Hasaj, menaxhere në librarinë Dukagjini, tha që është shumë e lumtur që përpos aktiviteteve të shumta që kjo librari i organizon për fëmijë, ka arritur të organizojë edhe këtë panair, i cili deri tani i ka munguar kryeqytetit.

“Fëmijë të dashur, për mua është shumë kënaqësi e madhe që kemi ardhur sot këtu. Ju e dini që në librarinë Dukagjini, çdo herë organizojmë për ju aktivitete të ndryshme, sjellim libra të ndryshëm, ndoshta edhe shumë prej jush keni ardhur në librari, për ne është shumë kënaqësi, prandaj edhe punojmë dhe sjellim risi çdo herë për ju. Dhe pikërisht për ju e kemi sjell këtë panair sepse një i tillë ka munguar”, shtoi Hasaj.

Më tej fjala iu kalua Fatime Mehmetajt, udhëheqëses së bibliotekës së qytetit “Hivzi Sylejmani” e cila u shpreh se organizimi i një aktiviteti të tillë shënon një festë të madhe për kryeqytetin.

“Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj ngjarje shumë të rëndësishme për kryeqytetin e Prishtinës, sidomos që jam në mesin e fëmijëve, sepse edhe misioni i bibliotekës është që të bëj bashkë lexuesin me librin. Biblioteka “Hivzi Sylejmani” i është  bashkangjitur kësaj iniciative që për kryeqytetin është një festë e madhe.”

Në emër të bibliotekës Mehmetaj i ndau edhe dy mirënjohje, për Ajet Dalipin i cili bibliotekës i kishte dhuruar bibliotekën e tij personale me mbi 2000 ekzemplarë si dhe Fondacionit Agim Lluka, që këtë vit po ashtu ka dhuruar kontingjent të librave me shumë vlerë, me rreth 405 tituj.

Pas ceremonisë hapëse, në një prononcim për KultPlus, drejtori i organizatës ETEA, tha se duke qenë se është edicioni i parë, këtë vit panairi ka më shumë karakter pilotues.

“Është modest por i lezetshëm, sepse kapacitetet nuk kanë qenë të mjaftueshme për të qenë gjithëpërfshirës, por duke qenë edicioni i parë ka njëfarë karakteri pilotues në mënyrë që të shohim se si po shkon.”

Drejtori Ahmeti  më tutje shtoi se do të përpiqen që vitin e ardhshëm të organizojnë një panair edhe më dinjitoz në mënyrë që fëmijët të stimulohen për lexim dhe mundësisht ta shndërrojnë në një proces të zakonshëm leximin.

“Planet i kemi që menjëherë pas përfundimit të edicionit të parë, të mblidhemi të bëhemi bashkë dhe të shohim që për vitin e ardhshëm të fillojnë përgatitjet qysh prej këtij viti në mënyrë që në edicionin e ardhshëm të kemi një panair të librit ekskluzivisht për fëmijë sa më dinjitoz dhe sa më të bukur në mënyrë që fëmijët përveç argëtimit nëpër aktivitetet e shumta që ka për t’i pasur edhe ky edicion i panairit, ta mendojnë, kujtojnë librin, ta shfletojnë dhe pse jo ta shndërrojnë në një proces të zakonshëm leximin.”

Deri më datën 07 tetor 2023, në orët e pasdites, përpos shitjes së librave prej gjashtë shtëpive botuese i cili konsiderohet aktivitet konstant, do të ketë edhe aktivitete të shumta si pjesëmarrja e robotëve për të argëtuar fëmijët prezent, program nga Anibari, program i ofruar nga Fondacioni 17, Dokufest, takimet me shkrimtarë të karvanit për fëmijë, promovime të librave për fëmijë etj.

Prezent në këtë panair pritet të jenë edhe udhëheqësit e Kosovës, si kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, për tu takuar me fëmijë dhe për të pasur lexime dhe bashkëbisedime për librin.

Nga ora 10:00 deri në 14:00 gjatë ditëve të panairit Biblioteka e qytetit e ka të hapur regjistrimin falas për të gjithë fëmijët e interesuar nga klasa e parë deri në të nëntën, me validitet një vjeçar. /KultPlus.com

Nesër nis Panairi i 20-të i Librit në Tiranë

Nesër më 15 nëntor në Tiranë nis edicioni i 20-të i Panairit të Librit, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit është në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2016-nëntor 2017.

Ky panair bashkon të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.

Panairi i 20-të i Librit ‘Tirana 2017-të’ nis më 15 nëntor me fillim nga ora 08:00 në Pallatin e Kongreseve dhe zgjat deri më 19 nëntor./ KultPlus.com

Në Tiranë nesër hapet ekspozita e veglave muzikore popullore

Ekspozita e veglave muzikore popullore të përdorura në territorin shqiptar gjatë shek. XIX dhe XX do te organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar.

Ajo do të hapet nesër, më 11 nëntor, në orën 17.00 në Tiranë dhe do të jetë e hapur deri më 15 nëntor.

Koleksioni përmban mbi 170 vegla muzikore popullore, duke treguar përmes tyre historinë muzikore të një kombi. Aty ka vegla membranofone, idiofone, kordofone dhe aerofone. Shumë vegla të këtij koleksioni janë të rralla dhe kanë dalë nga pëdorimi. Të gjitha veglat janë pjesë e koleksionit privat të Ermal Selës. Ai ka mbi shtatë vite që mbledh dhe ruan këto vegla. Gjatë kësaj kohe është njohur edhe me shumë artizanë, të cilët vazhdojnë të mbajnë gjallë punimin e velgave popullore muzikore.

Kjo ekspozitë shoqërohet edhe me një katalog. Në të paraqiten me foto dhe përshkrim të gjtha veglat që do të paraqiten në ekspozitë. Në katalog ka edhe foto të artizanëve që vazhdojnë të punojnë vegla muzikore.

Ekspozita do të kurohet nga skenografi Klajd Ymeri./ KultPlus.com

‘Pallati i Brigadave’ hap dyert për vizitorët (FOTO)

Një nga vendet më të mistershme të kryeqytetit shqiptar, që vitet e fundit është bërë pjesë e eventeve të mëdha politike, artistike ka hapur dyert për të gjithë.

Misteri i historisë që mbart Pallati i Brigadave, sidomos për faktin se ka qenë gjithmonë i mbyllur për sytë e publikut, tani mund të zbulohet çdo fundjavë.

Për herë të parë që prej ndërtimit të tij, parqet e Pallatit të Brigadave kanë hapur dyert për të gjithë vizitorët gjatë fundjavës.

Ata që e vizituan, mbetën të kënaqur nga madhështia dhe bukuria e kopshteve rreth e qark. Parqet e Pallatit të Brigadave do të qëndrojnë hapur çdo fundjavë.

Lajmin e ka ndarë për publikun edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj./ KultPlus.com