Kitara e anëtarit të “Beatles” John Lennon u shit në një ankand telefonik në Nju Jork për një vlerë rekord prej 2.67 milionë euro, duke e bërë atë instrumentin më të shtrenjtë të grupit të shitur ndonjëherë në ankand.
Shitja e mëparshme rekorde u vendos nga kitara akustike e Lennon, e cila u shit për 2.21 milionë euro në një ankand në Kaliforni në vitin 2015, raporton BBC.
Kitara e Lennon, që kishte humbur për më shumë se 50 vjet, u shit në një ankand telefonik në “Hard Rock Cafe” në Nju Jork të mërkurën.
Lennon luajti atë kitarë me 12 tela gjatë regjistrimit të albumit “Help!” nga viti 1965, dhe u gjet në papafingo të një shtëpie në Britaninë e Madhe kur pronarët po përgatiteshin të shpërnguleshin./KultPlus.com
Parakalimi me veshje të veçanta nga aktorët është mënyra se si ata zgjedhin të shfaqen në tapetin e kuq për premierën e një filmi, por jo për Will Smith.
Ai ka ardhur me këtë autobus për premierën e filmit të tij më të fundit aksion “Bad Boys: Ride or Die” duke krijuar një atmosferë shumë pozitive. Nuk e la me kaq pasi edhe dhuroi një performancë të shkurtër ku këndoi këngën “Miami”.
Fituesi i çmimit Oscar u prit me brohoritje nga fansat në Los Angeles.
Ai zbriti nga ky autobus dykatësh për të nënshkruar autografe për qindra fansa që ishin mbledhur për të parë kastin e aktorëve. Familja e Will ishte gjithashtu e pranishme në tapetin e kuq për të mbështetur aktorin e njohur ndërsa intervistat për gazetarët zgjodhi t’i bënte i shoqëruar me aktorin tjetër Martin Lawrence.
Martin dhe Will kanë luajtur në disa filma “Bad Boys” gjatë 30 viteve të fundit dhe janë bërë një dyshe ikonë në film. Përveç bashkëpunimit të tyre të suksesshme dyshja janë miq të mirë edhe në jetën reale.
“Bad Boys: Ride or Die” del në kinema më 5 qershor.
U dashurova me një grua pothuajse të bukur Ajo herë-herë është pothuajse e çuditshme I pëlqen sidomos shtëpia e muzgut Ku gjithçka është pothuajse lunatike
U dashurova me një grua pothuajse të këndshme Ajo herë-herë është pothuajse e pazakonshme Është e paarsye po unë, pikërisht për këtë E kam ngritur kasollen në pyllin e saj të flokëve
U dashurova me një grua pothuajse të rrallë Ajo herë-herë është pothuajse e pakuptimtë Njëlloj si unë që jam kjo re e bardhë Që e mbështjell të gjithën se s’dua të më ikë./ KultPlus.com
Poeti i njohur korçar, Skënder Rusi, është ndarë nga jeta në moshë 72-vjeçare.
Liriku i letrave shqipe, krijuesi i 25 vëllimeve la pas krijimtarinë e tij si një pasuri të çmuar për letërsinë shqipe, më i fundit “Dalëngadalë unë po bëhem ikje”.
Skënder Rusi lindi në vitin 1952 në Korçë. Krijimet e tij u përfshinë në antologjitë e disa vende të Evropës si Gjermani, Zvicër. Aktori për disa vite ushtroi profesionin e Kryetarit të Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re”, ndërsa pak vite më parë u vlerësua me titullin Qytetar Nderi i Korçës./ Top Channel/ KultPlus.com
Ekuilibri letrar shpalos refleksione të thella mbi natyrën e letersisë, procesin e shkrimit dhe ndikimin e kontekstit shoqëror e kulturor në krijimtarinë letrare, autori analizon marrëdhëniet mes autorit e lexuesit, si dhe autori ngul këmbë që të ruaj parimin themelor të letërsisë, pra kujtesën shpirtërore, ekuilibri letrar si objekt të studimit ka aspekte fenomenologjike të artit letrar, duke i parë në prizmin e estetikës, ka të bëjë me shqyrtimin e ndryshmeve të perceptimit, përvojës, dhe kuptimit që lexuesi ose kritiku ka ndaj një teksti letrar. Në këtë kontekst, fenomenologjia, një qasje filozofike që kërkon të kuptojë strukturën e perceptimit dhe përvojës së individit, aplikohet për të analizuar se si lexuesi ndjen dhe interpreton një veprim artistik. Në aspektin e estetikës, vlerësohet bukuria dhe kënaqësia që shkakton një veprim artistik, duke përfshirë tekstet letrare.
Ekuilibri letrar vërehet kur autorët ndërtojnë vepra që sjellin harmoni nëpërmjet gjuhës, strukturës, temës, dhe stilistikës, duke e bërë atë tërheqëse për lexuesin në një mënyrë që përputhet me qëllimin dhe synimet e tyre artistike. Për të kuptuar këtë ekuilibër, kritikët përdorin koncepte fenomenologjike për të shqyrtuar përvojën e lexuesit përballë tekstit, duke u fokusuar në perceptimet, emocionet, dhe interpretimet e tyre. Përvoja estetike e lexuesit ndikon në vlerësimin e një teksti letrar dhe në përcaktimin e ekuilibrit letrar të tij.
Në përgjithësi, ekuilibri letrar trajton një harmoni dhe njëkohësisht një tension të qëndrueshëm mes elementeve të ndryshme të një teksti letrar, duke siguruar një përvojë të pasur estetike dhe intelektuale për lexuesin. Përdorimi i artit letrar për të komunikuar ide të tilla shpesh rrit kuptimin dhe ndërgjegjësimin e lexuesit në lidhje me çështje komplekse shoqërore, politike, dhe humaniste. Një nga avantazhet e kësaj teknike është që ajo mund të bëjë që konceptet filozofike të jenë më të kuptueshme dhe më të afërta për lexuesit, duke iu mundësuar atyre të ndjehen pjesë e historive dhe përvojave që paraqiten në libër. Kjo ndikon në mënyrë pozitive në perceptimin dhe në qëndrimin e tyre ndaj temave të rëndësishme shoqërore dhe humaniste.
Përveç kësaj, përdorimi i metaforës dhe fenomeneve autoritare në artin letrar janë një mjet i fuqishëm për të shprehur kritikën sociale dhe politike, duke e bërë atë një formë efektive të protestës dhe ndryshimit shoqëror. Përmes përvojës artistike, lexuesit ndjehen të përfshirë në diskutimet për çështjet më të thella dhe ndihmojnë në përhapjen e ndërgjegjësimit për problemet aktuale. Në fund të fundit, librat që përdorin këtë lloj qasjeje janë mjet për të krijuar një dialog midis autorit dhe lexuesit, duke e nxitur reflektimin dhe debatin mbi temat dhe konceptet që trajtojnë. Kjo bën që arti letrar të jetë një burim i pasur për shpjegimin dhe përmbushjen e kuptimit tonë të botës dhe të vetvetes.
Mënia-Në këtë pjesë analizohen dhe detajizohen konceptet autoritare te cenzures të bazuara në filozofinë e Platonit, i cili mendonte se idealja e një shoqërie të drejtë ishte një shoqëri ku filozofët të gjykuar si udhëheqësit më të drejtë do të udhëhiqnin. Thymos është emocioni i urrejtjes dhe zemërimit, ndërsa menis intelegjenca dhe arsyeja, Platoni argumenton se në një shoqëri të drejtë thymos do të nënvlerësohej në favor të menis, për te shmangur konfuzionin dhe konfliktin shoqëror. Në të njëjtën kohë, në letërsinë shqiptare ka pasur një evolucion të ndjeshëm në mes thymosit e mënis. Autorët kanë shprehur zemërimin dhe revoltën ndaj cenzurës e ndjeshmërisë sociale nëpërmjet veprave të tyre, duke reflektuar ndërveprimin kompleks midis emocioneve dhe arsyjes në krijimtarinë e tyre.
Imagjinimi- Nëpërmjet fantazisë, poetët shpesh eksplorojnë sfera të ndryshme të imagjinatës, duke krijuar botë të reja, personazhe fantastike, dhe ngjarje të jashtëzakonshme. Kjo mund të shërbejë si një mjet për të shprehur ide dhe emocione të thella që janë jashtë kontekstit të perceptimit të zakonshëm. Në lidhje me metafizikën, poetët përpiqen të kapin aspekte të së pashpjegueshmes dhe të së padukshmes nëpërmjet poezisë, duke u përqendruar në temat dhe pyetjet që lidhen me ekzistencën, shpirtin, dhe marrëdhënien tonë me botën. Poetët që janë marrë me këto tranformime; Rrahman Dedaj, Sabri Hamiti, Ali Podrimja, Visar Zhiti, Ervin Hatibi, etj.
Morfologjia- Morofologjia e poezisë në letërsinë shqiptare analizon dhe vlereson tranformimet e figurave duke i vënë në pah raportet komplekse midis natyrës dhe kulturës. Figurat mitike dhe legjendare që gjejnë rrënjë thellë në trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar shpesh reflektojnë një lidhje të ngushtë me natyrën dhe fenomenet e saj te veprat e Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Anton Pashkut e Sabri Hamitit.
Metafizika- Hermenautika dhe shqyrtimi i elementeve metafizike në poezine e Sabri Hamitit ndihmon në zbulimin e estetikes së fshehur të autorit. Duke u përqendruar në interpretimin dhe analizen e thellë të veprave të tij, arrijmë të zbulojmë një pasqyrë më të plotë të pasionit e vizionit të autorit nga vepra e parë “Njeriu vdes i ri”, deri te “Kukuta e Sokratit”.
Litota- Këtu autori bën analize poetike te tregimit te Eqrem Bashës te vepra “Hije ne grila”. Përmes interpretimit bartian e sosyrian del ne konkluzion se tregimi e ruan shprehësinë e universalizuar të njeriut si individ dhe përmban vrojtimin meditues të autorit.
Aporitë- Ndryshe njihen si kontradiktat apo konfilktet e veshtira ne tekst janë aspekt i rëndësishëm në librin në fjalë pasi autori vëren një çekulibrim terminologjik të tekstit e kritikës letrare, ndaj propozon që një studim letrar të përdor hermenatikën si pikë referimi.
Gjenuinja- Studimi i fenomeneve të teorisë letrare në një nivel të përgjithshëm përfshin një gamë të gjerë të shkencave humaniste dhe të mendimit filozofik që shërbejnë për të analizuar dhe interpretuar veprat letrare. Në këtë kontekst, filozofët, teoricienët e letrave dhe fenomenologët janë të përfshirë në një përpjekje për të kuptuar natyrën dhe rëndësinë e tekstit letrar. studimi i fenomeneve të teorisë letrare në një nivel të përgjithshëm ofron një kornizë të gjerë për të kuptuar dhe interpretuar veprat letrare. Filozofët, teoricientet e letrave, dhe fenomenologët ofrojnë qasje dhe mënyra të ndryshme për të analizuar tekstin, duke kontribuar në zhvillimin e një kuptimi më të thellë dhe më të gjerë të tij. Në Kosovë janë analizuar veprat studimore të Rexhep Qosjes, Sabri Hamitit.
Refuzimi- Analizohet fenomeni i përkthimit si një rikrijim në burgjet e Shqipërisë totalitare. Realizmi socialist e çekuilibroi sistematikën letrare shqiptare duke ua mohuar lirinë krijuese shkrimtareve.
Problematikat e dala nga qarqet Evroperendimore të filozofisë
Mea culpa, Ideologemat, Përhershmëria, Ekulibri
Mea culpa ose fajësimi, shpesh shërben si një mënyrë për të rishikuar dhe reflektuar mbi gabimet dhe arritjet tona, dhe në këtë kontekst, trajtimi i ideve gnoseologjike dhe historike të “vdekjes së autorit” nga modernizimi deri në postmodernizëm është një temë e rëndësishme në studimin e letërsisë dhe artit në përgjithësi. Koncepti i “vdekjes së autorit” ka qenë një temë e rëndësishme në teorinë letrare, sidomos në periudhën e modernizmit dhe postmodernizmit.
Ideologemat- Analiza e dialogeve të Platonit, siç janë “Kratili” dhe “Fedri”, dhe lidhja e tyre me çështjen e kërkimit të formave ideale, është një temë e thellë që lidhet ngushtë me interpretimin dhe vlerësimin e censurës dhe lirisë letrare në kontekstin e metemit të realizmit socialist. Lidhja e dialogeve të Platonit me censurën dhe lirinë letrare në metodën e realizmit socialist reflekton tensionet e thella midis idealit dhe realitetit, midis kërkimit të formave ideale dhe kufizimeve që vijnë me një regjim cenzor. Kjo analizë ofron një perspektivë të thellë mbi sfidat dhe konfliktet në interpretimin e teksteve letrare dhe në ruajtjen e lirisë së shprehjes së artistit në një kontekst politik dhe ideologjik të caktuar.
Përhershmëria- Trajtohet parimi filozofik për një njohje të tekstit letrar, se si ai duhet të vendoset në kohë, në mënyrë që të marrë kuptim të ri e të saktë si dhe të ruhet autorialia.
Ekuilibri- Ekuilibri i identitetit personal dhe globalizimit është një temë e rëndësishme që reflekton tensionet midis individualitetit dhe ndikimit të shoqërisë globale në krijimtarinë dhe shprehjen personale. Në këtë kontekst, ideja e komunikimit global dhe ndikimi i tij në identitetin personal dhe në estetikën letrare është një temë e rëndësishme për diskutim. Analiza e ekuilibrit të identitetit personal dhe globalizmit në krijimtarinë letrare sjell në pah tensionet dhe sfidat që vijnë me komunikimin global dhe ndikimin e tij në individ. Ruajtja e një ekuilibri të qëndrueshëm është thelbësore për të siguruar integritetin e identitetit personal dhe për të promovuar një estetikë letrare autentike dhe të pasur.
Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe vrojtimi metafizik e dokjesor
Në këtë analizë të titulluar “Hermenautika”, autori studion dhe shqyrton konceptet e Kanunit të Leke Dukagjinit, duke i ndarë ato në 12 libra dhe duke shpjeguar parimet themelore të hermeneutikës që aplikohen në interpretimin e këtij dokumenti historik dhe kulturor. Hermeneutika si një qasje interpretuese që përqendrohet në kuptimin dhe interpretimin e tekstit, merr në konsideratë kontekstin dhe kulturën që e rrethon atë.
Në këtë analizë, autori përdor parime hermeneutike për të kuptuar thellësisht mesazhet dhe rregullat që përmbahen në Kanunin e Leke Dukagjinit.
Për të interpretuar dhe kuptuar më mirë mesazhet dhe rregullat e Kanunit të Leke Dukagjinit, autori aplikon parime të hermeneutikës. Kjo përfshin marrjen në konsideratë të kontekstit historik dhe kulturor, kuptimin e gjuhës dhe fjalëve të përdorura në dokument, si dhe analizën e ndikimit të Kanunit në shoqërinë dhe kulturën shqiptare.
Përmes kësaj analize të hermeneutikës në interpretimin e Kanunit të Leke Dukagjinit, autori ofron një kuptim të thellë dhe të gjerë të këtij dokumenti të rëndësishëm historik dhe kulturor në kontekstin e tij. Hermeneutika jep një metodë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për të kuptuar tekstin në mënyrë të drejtë dhe të plotë.
Shënim: Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof. dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./ KultPlus.com
Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në mbështetetje të Komunës së Gjakovës është në prag të organizimit të edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar Koral, festival që do të mbahet në muajin qershor, shkruan KultPlus.
Kastriot Sada, organizator i këtij festivali ka bërë të ditur për KultPlus se në këtë edicion do të marrin pjesë kore nga pesë shtete, e sipas të cilit vijnë nga: Turqia, Qipro, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Ai poashtu ka bërë të ditur se koristët pjesëmarrës në këtë edicion do të jenë rreth 180 persona, e që në Gjakovë do të performojnë brenda 4 dhe 5 qershorit, kur edhe do të mbahet festivali./ KultPlus.com
(Binak Kelmendi: “Lexuesit e kartëmortaleve”, Botimet REA, Prishtinë, 2023)
“… fatet dhe emrat e njerëzve përsëriten. Sikur ditët e javës dhe sikur muajt e vitit. ‘Sidomos fatet tragjike’, tha me vete, duke i futur fotot e varreve të Halilave në çantë.”
Binak Kelmendi (1950), përkthyesi, publicisti dhe autori i shumë veprave, njihet edhe për përmbledhjen e tij me tregime “Lexuesit e kartëmortaleve”, në të cilën vdekja e jeta si premisa filozofike paraqesin relacionin dualist të luftës së njeriut për mbijetesë përgjatë historisë.
Temat e këtyre tregimeve që në thelb kanë idenë e vdekjes, thelbin ontologjik të njeriut e të jetës shenjojnë një histori të lashtë të integrimit dhe komunikimit me artin e korpusin e veprave letrare. Që nga paraqitja e hershme e veprave si “Epi i Gilgameshit”, pyetjet filozofike e ontologjike të të cilit shenjojnë bashkëpunimin midis artit dhe jetës, kanë vazhduar edhe në ditët tona duke u shndërruar në truallin e hulumtimeve brenda së cilës letërsia dhe shkrimtari observojnë duke kërkuar dhe afirmuar vetveten. Kështu që nga titulli i veprës “Lexuesit e kartëmortaleve”, titull ky i cili vjen si emërtim i njërit prej tregimeve të veprës, paraqet ndeshjen e jetës me vdekjen e cila paraqitet si një enigmë e cila mbulon ekzistencën njerëzore, ngjall soditje, frikë dhe kuriozitet.
“-Çfarë lexojnë?
-Lexojnë, lexojnë, për shembull, kartëmortalet, a si quhen ato letrat që lajmrojnë për vdekje njerëzish.”
Eksplorimi i historive dramatike të luftës ofron një dritare për gjendjen njerëzore në rrethana ekstreme. Këto rrëfime përshkruajnë gjallërisht tmerret dhe heroizmin e luftës, duke treguar qëndrueshmërinë e individëve në mes të kaosit. Këto tregime përbrenda kodit të komunikimit letrar sikur e zhvillojnë betejën e personazheve me ngjarjet e paraluftës, të luftës dhe të pasluftës, karakteristikë kjo e cila është e pranishme edhe në disa vepra në prozë nga ky autor.
Luftërat gjatë historisë shpesh zbulojnë modele tragjike që përsëriten, duke treguar koston njerëzore të konfliktit. Nga ngritja e perandorive te konfliktet moderne, shkatërrimet e luftës dhe ndikimi i saj tek individët dhe shoqëritë bëhet jehonë me kalimin e kohës. Qoftë humbja e jetëve, zhvendosja e popullsive apo shkatërrimi i kulturave, pasojat tragjike të luftës përsëriten vazhdimisht, duke nënvizuar rëndësinë e kërkimit të zgjidhjeve paqësore të konflikteve. Përsëritja e vrasjeve gjatë luftërave nënvizon realitetin e zymtë të konfliktit, ku jetët humbasin tragjikisht në një cikël dhune dhe hakmarrjeje. I ndërtuar me këtë temë tregimi “101 vjet bashkë”, tregon historinë e përsëritur të dy Halilave të një familjeje që përfunduan tragjikisht nga okupatori serb:
“…Gjyshin ma kanë vratë ata, serbët. Ishte afër t’i bënte gjashtëdhjetë vjet. Ata serbë, nuk e lanë t’i bënte”
Vazhdimi i këtij cikli vrasjesh vazhdon edhe pas 101 vjetesh duke pasqyruar aspektet më të errëta të natyrës njerëzore.
“Ata. Serbët. Ata. Prapë serbët. Prapë ata. Njëjtë. Pas 101 vjetësh. Vrasje e re e një Halili tjetër. Afër shtëpisë së tij.”
Dashuria, atdheu dhe vdekja
Ndeshja e dashurisë dhe vdekjes në letërsi është një temë e përjetshme që është eksploruar në mënyra të ndryshme nëpër kultura dhe epoka. Dashuria dhe vdekja, forca në dukje të ndryshme, shpesh ndërthuren në tapiceri të ndërlikuar të ekzistencës njerëzore, duke formësuar rrëfimet e pasionit, humbjes dhe transcendencës. Konvergjenca e tyre ndriçon natyrën paradoksale të përvojës njerëzore, ku ekstaza e dashurisë mund të bashkëjetojë me pashmangshmërinë e vdekjes.
Në letërsi, tema e sakrifikimit të dashurisë personale për atdheun shpesh eksplorohet në mënyra të ndryshme, duke pasqyruar kompleksitetin dhe konfliktet me të cilat përballen individët kur ndahen midis dashurisë romantike dhe detyrës patriotike. Kështu me këtë tematikë shquajmë tregimet: “Te pllaka përkujtimore”, “Ofelia, shqip”, “Dashuria”.
“Te pllaka përkujtimore“– Epitafet, ato mbishkrime të përmbledhura por të thella të gdhendura në gurët e varreve, shërbejnë si kujtime të qëndrueshme për të vdekurit. Ato përmbledhin thelbin e jetës së një personi, virtytet, vlerat ose ndonjëherë veçoritë e tyre, me vetëm disa fjalë. Në zemër të një varreze solemne, mes vargjeve të varreve të gërryera që mbajnë emra të humbur nga koha, shtrihet një varr që tregon një histori dashurie e tragjedie. Këtu, nën tokë, prehen dy shpirtra të lidhur jo vetëm nga dashuria, por edhe nga dora mizore e fatit. Historia e tyre, e skalitur në gur dhe e pëshpëritur nga era, shërben si një kujtesë prekëse e kostos njerëzore të luftës dhe fuqisë së qëndrueshme të dashurisë.
“Ishte e ndaluar dhënia e kumtit për vrasjen e dashnorëve që kishin marrë pjesë në demonstratat e 28 Nëntorit të vitit 1968, tha ai me një zë të dridhur “.
Rrethana e vdekjes së tyre, të mbytura mes ujërave të trazuara të luftës e demonstratave, shërbejnë si një kujtesë e zymtë e natyrës së pafalshme të konfliktit. Në vdekje, ata u bënë dëshmorë të një kauze që nuk e zgjodhën ata, por viktima të një bote të copëtuar nga grindjet dhe përçarjet.
“Dashuria” –Në zemër të këtij tregimi qëndron një çift dhe dashuria e tyre si një fener shprese mes kaosit të botës që i rrethon. Të lidhur së bashku nga një lidhje e krijuar në zjarret e pasionit, ata ëndërrojnë për një të ardhme të mbushur me premtime dhe mundësi. Megjithatë, ekzistenca e tyre idilike u shkatërrua nga gjëmimet ogurzezë të luftës, të cilat i ndanë me forcë mizore dhe të paepur. Dashuria ndaj atdheut e detyroi njeriun të dëgjonte thirrjen e detyrës, të vishte uniformën e kombit të tij dhe të marshonte drejt së panjohurës.
“Ai pastaj fiku televizorin, ngjeshu revolen, lidhi për rripi dy bomba dhe mori vrapthi teposhtë shkallët e ndërtesës.”
Shpirtërorja dhe materialja në tregimet e Kelmendit
Skema bardhezi e personazheve me bazë modelin përrallor si kudo në letërsinë e shkruar edhe në tregimet e Kelmendit i është nënshtruar një pluraliteti faktorësh që kanë determinuar në paraqitjen e karaktereve njerëzore nëpër dimensione diversive. Kështu marrëdhenia mes shpirtërores dhe materiales jepet në tregimin “Fëmija pa emër”. Dëshira e Zojës dhe e murgeshave për t’i shërbyer Perëndisë me përpikëmeri anashkalon nevojat e tyre fizike e aq më pak dëshirën për të pasur fëmijë, akt i cili konsiderohet si prostitucion dhe derivim nga misioni i shenjtë.
“Zoja shikon sidomos foshnjën në duart e murgeshës. ‘Është fëmija im’, thotë me një pendesë vrastate. ‘Jo, nuk është’, bërtet në kupë të qiellit duke ia plasur vajit.”
Mënyra sesi e ndërton Kelmendi figurën e Zojës na ngjason me figurën biblike të Shën Mërisë: lindja e foshnjës pa baba vetëm përmes frymës së shenjtë, frika e akuzimit nga masa për prostitucion dhe përdhunim, largimi nga vendi i saj, ndjenja në kishte bërë faj apo jo, aftësia e të folurit të foshnjës së sapo lindur, etj
Në Ungjillin sipas Mateut shkruan:
“ Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Josefin, para se të banonin së bashku, u gjet shtatëzanë për virtyt të Shpirit të Shenjt…. Qe, Virgjëra do të mbetet shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel – që do të thotë: Hyji me ne!“
Ndërsa aftësia e të folurit të foshnjës në djep të cilën e thekson Kelmendi në tregimin e tij ka gjithashtu premisa fetare:
Kelmendi:
“Foshnja lëshon një klithmë të madhe dhe ia nis edhe ajo një vaji idhnak.
“Pse nuk ma vë emrin?’
Ashtu dëgjon ose i bëjnë veshët Zojës.”
Ndërsa në Kur’an thuhet:
“Atëherë ajo u bëri me shenjë kah Isai. Ata thane: Si ti flasim atij që është foshnjë në djep?” (Merjem).
Simbolika e figurave historike
Tregimet e Binak Kelmendit të cilat janë derivuse të një shumësie persiatjesh mbi shumë premisa filozofike si mbi lindjen, vdekjen, kujtimet e së kaluarës që shpalosin ndër të tjerash edhe kujtesën dhe identitetin nacional, paraqesin edhe një realitet të përditshëm, madje edhe kur ndërfut dhe tipizon personazhe nga historia. Fjala vjen, Agata Kristi, Edit Durham, Karl Marksi, Skënderbeu, Genti, Ofeli, Don Kishoti, etj. Në këtë mënyrë, tregimtari Binak Kelmendi vë një relacion përshkrues e shpjegues për shëmbëlltyra të njohura historike, duke ndërtuar një lloj paralelizmi me ngjarje të ndodhura në kohën e tij aktuale. Marrja e këtyre figurave nga historia ndoshta mund të jetë intencë autoriale për të përshkruar laramanin e botës njerëzore në përgjithësi, e të asaj shqiptare në veçanti. Agata Kristi, për shembull, shpesh eksploron temën e drejtësisë dhe të vërtetës nëpërmjet romaneve detektivore. Karl Marksi nëpërmjet teorisë së tij thekson rëndësinë e ndryshimit shoqëror dhe drejtësinë sociale. Skënderbeu simbolizon rezistencën dhe krenarinë kombëtare. Genti, Ofelia dhe Don Kishoti kanë mesazhe të ndryshme rreth identitetit, ëndrrave dhe realitetit.
Gjithë ideja e kërkimit identitar dhe rreziqeve brenda këtij kërkimi, paraqitja e modeleve përmes personazheve konkrete të veprës dhe personazheve historike shpalos kujtesën dhe identitetin nacional të Kelmendit. Identitetin nacional të tregimtarit e spikat edhe përmes vendosjes së ngjarjeve në tokat shqiptare ku edhe përmend toponime si: Prishtina, Deti Jonë, Bregu i Diellit, Bjeshkët e Nemina, Rugova, Malet e Sharrit, Drini i Bardhë, etj.
Instrument solid i Kelmendit është kthesa që realizon gjatë rrëfimit, duke e hedhur lexuesin brenda situatave të papritura që ngrisin dilema dhe paradoksalisht dërgojnë drejt zgjidhjeve tragjike e euforike.
Stili tregimtar i Kelmendit spikatet edhe te forma e ndërtimit të personazheve, ku vlen të ceket detajizimi në prezantimin jo vetëm të botës së jashtme si modelim, por veçmas të botës internale të personazhit si aspekt që distribuon gjithë strukturën e rrëfimit.
Kelmendi kodin e rrëfimit të tregimeve të tij e ndërton pëmes monologut të brendshëm në të shumtën e rasteve, por nuk lë anash as dialogët e shkurtë mes personazheve. Krahas monologut që ani pse element dramatik, realizon një narrator minor të tipit autodiegjetik që midis tjerash ravijëzon me një ton kritik portretin e psikokulturës shqiptare.
Tregimet e përmbledhjes “Lexuesit e kartëmortaleve” të shkrimtarit Binak Kelmendi përmes paraqitjes dualiste të premisave filozofike, paraqitjes nacionale të atdheut në vazhdën e okupuesve të shumtë përgjatë viteve, por edhe në paraqitjen e jetës në liri, duke kujtuar me krenari figurën e shquar kombëtare të Skënderbeut e figura të të tjera historike, arrin ta ndërtojë rrafshin tematik e ideor në mënyrë interesante. Kështu përmes elementeve të ndërtimit të këtyre tregimeve, si stilit, gjuhës, rrëfimit, figurave e motiveve, autori spikatë aftësinë e tij për të paraqitur realitetin kombëtar, si dhe për të ngjallur ndjenja estetike te lexuesit përmes përshkrimeve dramatike e tronditëse.
Shënim:
Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof. dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./ KultPlus.com
Sony Music thuhet se është në bisedime për të blerë katalogun muzikor të grupit rock Queen, duke përfshirë hite si Bohemian Rhapsody, Radio Ga Ga dhe Another One Bites The Dust.
Universal Music thuhet gjithashtu të jetë përfshirë, për shkak të marrëdhënies së gjatë të kompanisë me grupin, i cili nënshkroi me labelin britanik EMI në 1972 dhe mbeti me kompaninë pasi u ble nga Universal në 2011.
Nëse grupi arrin çmimin prej 1 miliard dollarësh, do të jetë marrëveshja më e madhe e këtij lloji, duke tejkaluar 500 milionë dollarët që Sony pagoi për të blerë katalogun e Bruce Springsteen në fund të vitit 2021.
Në fillim të këtij viti, Sony fitoi gjithashtu një interes prej 50% në muzikën e Michael Jackson nga pasuria e këngëtarit të ndjerë me një kosto prej të paktën 600 milion dollarë.
Shitja e katalogëve muzikorë është bërë një biznes i madh gjatë tetë viteve të fundit, me kompanitë diskografike dhe kompanitë e kapitalit privat që kanë marrë të drejtat e muzikës nga David Bowie, Bob Dylan, Justin Bieber, Shakira, Neil Young, Blondie dhe Fleetwood Mac për shuma milionë dollarë.
Marrëveshjet ofrojnë siguri të menjëhershme financiare për artistët dhe pasuritë e tyre, ndërsa mbajtësit e të drejtave shpresojnë të përfitojnë duke ndërtuar rrugë të reja të ardhurash.
Të drejtat muzikore shihen si një investim tërheqës sepse këngët vazhdojnë të gjenerojnë para për dekada. /rtsh.al/ KultPlus.com
Sot, në Ministrinë e Kulturës u mbajt ceremonia për ndarjen e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor për vitin 2023.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, bazuar në vlerësimin e Komisionit Vlerësues, Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” post-mortem e ndau për piktoren Alije Vokshi dhe Çmimin Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor për piktorin Esat Valla.
Çmimin post-mortem dhe mirënjohjen për piktoren Alije Vokshi e pranoi vajza e saj, Visare Selimaj, kurse piktori Esat Valla ishte i pranishëm në këtë ceremoni.
Alije Vokshi është gruaja e parë e diplomuar në pikturë, duke u bërë një ndër pioneret e artit pamor në Kosovë, ndërkaq Esat Valla është i njohur për pikturat e tij surreale.
Komisioni Vlerësues ishte në përbërje të Valbona Zherkës, Lirije Buliqit dhe Alisa Gojani-Berishës.
Këto çmime u jepen personaliteteve të shquara për arritjet profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e tyre në avancimin e artit./ KultPlus.com
Edicioni i dytë i Festivalit të Këngës së RTK-së tashmë ka hapë thirrjen për aplikim, ku ftojnë të gjithë ata që duan të sfidohen në fushën e muzikës të aplikojnë për këtë edicion, shkruan KultPlus.
Radio Televizioni i Kosovës ka bërë të ditur që edhe këtë vit drejtor i festivalit do të jetë Adi Krasta dhe se përgatitjet për këtë edicion tashmë kanë filluar.
KultPlus ju sjell linkun për mundësi të aplikimit./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në El Salvador ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurumit të presidentit të rizgjedhur Nayib Bukele.
Osmani ka publikuar një video nga arritja dhe pritja shtetërore që i është bërë në aeroportin e El Salvadorit, e ku është intonuar edhe himni i Republikës së Kosovës nga Garda presidenciale e El Salvadorit.
“Me ftesë të Presidentit Nayib Bukele, unë do të marr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Bukele dhe do të takohem me përfaqësues të tjerë të shtetit për të diskutuar qëllimin tonë të përbashkët për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit midis vendeve tona”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com
Një grup i përbashkët pune me specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), pedagogë dhe studentë të Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore (DATK) u angazhua për dy javë në një projekt vrojtimi arkeologjik intensiv.
Projekti kishte si synim evidentimin e siteve arkeologjike potenciale dhe dokumentim të pasurive të trashëgimisë kulturore në zonën kodrinore të Divjakës. Ky projekt u mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit si dhe Universiteti i Tiranës, në kuadër të Paktit për Universitetin dhe me propozim të bashkisë së Divjakës.
Specialistët e IKTK u shoqëruan në këtë projekt vrojtimi dhe nga specialistët e Muzeut Historik të Lushnjës. Rezultatet e pasura të fushatës së terrenit do të pasohen nga një proces sistematik analize të gjetjeve dhe formulim të një strategjie konkrete për menaxhimin dhe promovimin e një pasurie që duket fare pak e njohur deri sot./atsh/KultPlus.com
Joseph Haydn, (lindur më 31 mars 1732, Rohrau, Austri – vdiq më 31 maj 1809, Vjenë), kompozitor austriak. U rekrutua në moshën tetë vjecare në korin e Katedrales së Shën Stefanit, Vjenë, ku mësoi violinë dhe tastierë. Pasi u largua nga kori, ai filloi të mbështeste veten duke dhënë mësim dhe duke luajtur violinë, ndërsa ndërmori një studim rigoroz të kontrapunës dhe harmonisë. Mori shpejt vëmendjen e Pietro Metastasio dhe nëpërmjet tij u bë faktotum për kompozitorin Nicola Porpora në këmbim të mësimeve.
Duke fituar hyrjen në shoqërinë e lartë, në 1761 ai u bë kreu i institucionit muzikor në pallatin e madh të familjes Esterházy, i cili do ta mbështeste atë për pjesën më të madhe të karrierës së tij. Në këtë pozicion izolimi artistik, por me burime të shkëlqyera, Haydn u ndje i lirë të eksperimentonte dhe u detyrua të bëhej origjinal. Në vitet e fundit ai u njoh ndërkombëtarisht si kompozitori më i madh i gjallë.
Ai kompozoi vepra të rëndësishme pothuajse në çdo zhanër, dhe veprat e tij elegante dhe të këndshme balancojnë mendjen dhe seriozitetin, zakonin dhe risinë. Ai kompozoi 106 simfonitë, duke përfshirë 12 simfonitë e fundit të njohura “Simfonitë e Londrës” (1791–95). Ai praktikisht shpiku kuartetin e harqeve dhe 68 kuartetet e tij mbeten themeli i letërsisë së kuartetit. Veprat e tij korale përfshijnë 14 mesha dhe oratoriumet Krijimi (1798) dhe Stinët (1801).
Ai gjithashtu shkroi 47 sonata për piano dhe më shumë se 125 vepra të bukura për baritonin si violonçel. Njihet si formuesi kryesor i stilit klasik, ai ushtroi ndikim të madh te miku i tij Wolfgang Amadeus Mozart dhe te studenti i tij Ludwig van Beethoven.
Thëniet e tij më të famshme:
“Unë kurrë nuk kam qenë një shkrimtar i shpejtë, kam kompozuar me shumë kujdes dhe përpjekje.”
“Nëse doni të dini nëse keni shkruar diçka që ia vlen të ruhet, këndojini vetes pa askend afër.”
“Unë do të komunikoj me Zotin dhe duhet të jem i veshur siç duhet!”
“Unë ju them përpara Zotit dhe si njeri i ndershëm, djali juaj (W A Mozart) është kompozitori më i madh që kam njohur nga personi dhe reputacioni, ai ka shije dhe për më tepër aftësinë më të madhe në kompozim.”
“Nuk kishte njeri pranë që të më ngatërronte, kështu që u detyrova të bëhesha origjinal.” /KultPlus.com
31 maji shënon Ditë Botërore pa duhan, ditë kjo që i kushtohet luftës kundër duhanit.
Qëllimi shënimit të kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell konsumimi i duhanit. Kjo festë vjetore informon publikun mbi rreziqet e përdorimit të duhanit, çfarë po bën Organizata Botërore e Shëndetësisë për të luftuar epideminë e duhanit dhe çfarë mund të bëjnë njerëzit në mbarë botën për të kërkuar të drejtën e tyre për shëndet dhe jetë të shëndetshme dhe për të mbrojtur brezat e ardhshëm.
Tema e këtij viti për Ditën Botërore pa Duhan është: “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”.
Shtetet Anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë krijuan ‘Ditën Botërore Pa Duhan’ në vitin 1987, për të tërhequr vëmendjen globale ndaj epidemisë së duhanit dhe vdekjeve dhe sëmundjeve të parandalueshme që ajo shkakton.
Në vitin 1987, Asambleja Botërore e Shëndetësisë miratoi Rezolutën WHA40.38, duke bërë thirrje që 7 Prilli 1988 të jetë një “ditë botërore kundër pirjes së duhanit”. Në vitin 1988, u miratua Rezoluta ËHA42.19, duke bërë thirrje për festimin e Ditës Botërore kundër Duhanit, çdo vit më 31 maj.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, pirja e duhanit është shkaktari kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme, është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë.
Çdo vit në botë vdesin rreth 8 milion njerëz, si pasojë e tymosjes së duhanit, numër ky që bazuar në trendin aktual, pritet të dyfishohet gjatë 20 vjetëve të ardhshme. Çdo 6.5 sekonda në botë vdes një njeri nga dëmet që sjell tymosja e duhanit, sipas OBSh-së.
Duhanpirësit janë dyfish më të rrezikuar nga goditja në tru dhe katërfish nga sëmundjet e zemrës sesa jo- duhanpirësit.
Ata kanë deri në 22 herë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të mushkërive sesa jo-duhanpirësit.
Përdorimi i duhanit ndikon në ndotjen e ambientit dhe ka pasoja negative në shoqëri. Përdorimi i duhanit rrit shpenzimet familjare dhe ndikon në varfëri.
Sipas IKShPK-së, përfitimet e lënies së duhanit të mund të jenë të menjëhershme si:
Pas vetëm 20 minutash të lënies së duhanit, rrahjet e zemrës suaj normalizohen
Brenda 12 orësh, niveli i monoksidit të karbonit në gjakun tuaj bie në normale
Brenda 2-12 javësh, qarkullimi juaj përmirësohet dhe funksioni i mushkërive rritet
Brenda 1-9 muajve, kollitja dhe gulçimi zvogëlohen
Brenda 15 viteve, rreziku i paraqitjes së sëmundjes së zemrës është sa i një jo-duhanpirësi.
Brenda 5-15 viteve, rreziku i sulmit të zemrës zvogëlohet në atë të një jo-duhanpirësi.
Shanset që duhanpirësit ta lënë duhanin me sukses janë 84% më të mëdha, kur marrin këshillim intensiv nga mjeku. / KultPlus.com
Edhe për verën e 2024, Shqipëria është në krye të listës së udhëtimeve të turistëve italianë që duan të shkojnë me pushime në plazh dhe në një destinacion jo shumë larg Italisë, sipas revistës italiane manintown.com .
Nëse keni menduar të udhëtoni në Shqipëri këtë vit, ne ju rekomandojmë të vizitoni Sarandën, një nga qytetet me plazhet më të bukura në vend.
Saranda ndodhet në Rivierën Shqiptare, në një zonë mjaft strategjike ku mund të vizitoni të gjitha mrekullitë e tjera të bregdetit dhe rrethinave të tij.
Qyteti bregdetar është një nga vendet më të njohura turistike, falë plazheve të tij mahnitëse.
Pesë eksperiencat që nuk duhen humbur gjatë pushimeve tuaja në Sarandë:
1. Ngjituni në Kalanë e e Lëkurësit
Një nga ndalesat e para emocionuese që duhet përfshirë në itinerarin tuaj të udhëtimit në Sarandë është Kalaja e Lëkurësisë.
Ajo është një kështjellë e vendosur në majë të një kodre, nga e cila mund të shijoni pamje vërtet magjepsëse të detit dhe peizazhit përreth.
Kalaja e Lëkurësisë daton në vitin 1573 dhe qëllimi i ndërtimit të saj ishte kontrolli i zonës më poshtë.
Sot, vetëm disa pjesë të kështjellës kanë mbetur, të cilat strehojnë një restorant dhe shpesh është vendi ku organizohen ngjarje dhe ceremoni.
2. Vizitoni plazhet më të bukura të Sarandës
Saranda është një nga perlat e Shqipërisë mbi të gjitha falë ujërave të pastër dhe të kristaltë që e rrethojnë.
Në rrethinat e qendrës ndodhet plazhi i qytetit, i rrethuar nga shëtitorja e tij.
Plazhet më të bukura në këtë zonë ndodhen në shtrirjen që lidh Sarandën me Ksamilin.
Këtu mund të vizitoni Plazhin e Manastirit, Plazhin e Pulëbardhës dhe Plazhin e Ksamilit.
3. Vizitoni Manastirin e 40 Shenjtorëve
Ky manastir, rreth 10 minuta larg me makinë nga qendra e Sarandës, i kushtohet 40 ushtarëve të krishterë që refuzuan të hiqnin dorë nga feja e tyre në vitin 320.
Ai është ngritur në një kodër dhe për një kohë të gjatë ka qenë vend pelegrinazhi.
Ajo që ruhet sot nga kjo ndërtesë janë vetëm rrënojat e mbetura në këmbë pas bombardimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
4. Vizitoni zonën arkeologjike të Butrintit
Nëse jeni në Sarandë, mund të zbuloni edhe zonën arkeologjike të Butrintit, rreth 15 kilometra larg qytetit.
Zona ndodhet brenda Parkut Kombëtar të Butrintit dhe është gjithashtu pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992.
Butrinti është një qytet antik i banuar që në kohërat parahistorike, i cili më vonë u shndërrua në një koloni greke, një qytet romak, një qytet bizantin dhe më pas një zonë pushtimi venecian.
Sot këtu mund të gjeni ende mbetjet e dyerve të lashta, një tempull dhe një teatër, disa banja publike, një kullë veneciane dhe një kështjellë.
5. Bëni një udhëtim ditor në Korfuz
Saranda është një pikënisje e shkëlqyer për të vizituar mrekullitë e tjera që e rrethojnë, qoftë edhe në pak orë.
Ju mund t’i kushtoni një ditë Korfuzit, duke pasur parasysh afërsinë e tij me qytetin.
Udhëtimi me traget nga Saranda në Korfuz zgjat nga 30 minuta deri në një orë e 40 minuta./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga mali i Korabit, të cilin e cilësoi si një përrallë të bukur të bjeshkëve tona.
Parku natyror Korab-Koritnik është i preferuari i të pasionuarve pas ngjitjeve në male.
Një ndër shtigjet më të preferuara për turistët është Bele – Zbinec – Stanet e Pobregut, pjesë e këtij parku.
Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.
Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri (2751 m), ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës./ KultPlus.com
Në qytetin bregdetar të Sarandës prej dy netësh po zhvillohet “Saranda Fish Festival”, aktivitet që kremton jo vetëm traditën e bukur të peshkimit, por edhe kulturën, historinë e nautikës dhe mikpritjen shqiptare.
Nga 28 maji deri në 1 qershor në “Saranda Fish Festival” pjesë e axhendës janë aktivitete të larmishme dhe koncerte.
Në ceremoninë e hapjes së këtij festivali në shëtitoren e qytetit ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, i cili ftoi qytetarët nga i gjithë vendi, por edhe turistët e huaj t’i bashkohen këtij aktiviteti, duke e cilësuar “një udhëtim të mrekullueshëm të traditës, artit dhe kulturës në Sarandë”.
“Shpresoj që ky vit turistik të jetë edhe më i mirë se vitin e kaluar”, tha Çaçi.
Çdo mbrëmje, vizitorët kanë mundësinë të shijojnë një atmosferë të gjallëruar me aktivitete të ndryshme, që nga muzika live e artistëve të njohur, deri tek shfaqjet artistike. Festivali do të jetë një vend ideal për të kaluar kohë cilësore me familjen dhe miqtë.
Në koncerte pritet të performojnë këngëtarë të njohur të skenës shqiptare si Elhaida Dani, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi e Elton Deda dhe grupi polifonik i Sarandës.
Vizitorët kanë treguar interes edhe për muzeun kushtuar nautikës në Sarandë, ku zbulohet historia e saj përmes imazheve, dokumenteve dhe objekteve, të cilat janë dëshmi të gjalla të qytetit plot traditë dhe histori.
Gjatë festivalit i është kushtuar një hapësirë edhe fëmijëve, një botë si në përralla që i nxit të shpalosin imagjinatën e tyre, ta duan njëri-tjetrin, detin dhe natyrën me aktivitete me animatorë, piktura, shfaqje filmash, krijim balonash, lojëra, muzikë dhe argëtim.
Një pjesë e rëndësishme e festivalit është sigurisht ushqimi. Vizitorët kanë mundësinë të shijojnë gatime tradicionale të zonës, veçanërisht pjatat me bazë peshku. Kuzhinierë të talentuar përgatisin receta të mrekullueshme, që reflektojnë pasurinë gastronomike të Sarandës.
Nën qiellin e hapur, çdo natë shfaqen filma që tregojnë historinë dhe kulturën e rajonit, duke ofruar një mundësi unike për të mësuar më shumë rreth Sarandës dhe traditave të saj.
Saranda Fish Festival është një mundësi e shkëlqyer për të përjetuar thellësinë e kulturës dhe traditës së peshkimit të Sarandës.
Me një program të pasur dhe të larmishëm aktivitetesh, festivali synon të jetë një ngjarje e paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit./ KultPlus.com
Pas shumë paraqitjeve pianistike brenda dhe jashtë Kosovës, pianistja e njohur Lule Elezi së fundmi ka mbajtur një koncert solistik në ambientet e hapura të Pallatit Aristokrat Mbretëror, Mala Wies Palace, përcjell KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ajo nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë me ndjekësit në rrjetin social Facebook.
”Para një audience të mrekullueshme kisha përjetime të rralla gjatë momenteve kur performoja në piano, ku gjatë gjithë performancës sime më shoqëronin edhe cicërrimat e zogjëve”, ka shkruar ajo.
Tutje, ajo shprehet e lumtur për performancën para një audience të madhe, ndërsa falënderoi kryetarin e Belsk Duzy të Polonisë, Wladyslaw Piatkowski.
Më poshtë gjeni postimin e plotë nga pianistja Elezi (pa ndërhyrje):
“Të dashur miq,
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Belsk Dužy të Polonisë, z. Wladyslaw Piatkowski, isha e privilegjuar të mbajë koncert solistik në ambientet e hapura të Pallatit Aristokrat Mbretëror, Mala Wies Palace.
Para një audience të mrekullueshme kisha përjetime të rralla gjatë momenteve kur performoja në piano, ku gjatë gjithë performancës sime më shoqëronin edhe cicërrimat e zogjëve!
Falënderoj Kryetarin e Komunës z. Wladyslaw Piatkowski, Shkëlqesinë e Tij Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Poloni, z Drilon S. Gashi për përkrahjen e pakursyer, përfaqësuesit e Ambasadës së Shqipërisë në Poloni, si dhe dy shoqatat iniciatore të organizimit të koncertit, Poloni- Kosovë me kryetar Haxhi Dulla dhe Poloni- Shqipëri me kryetare Dorota Horodyska.
Faleminderit nga zemra dhe jam mirënjohëse për praninë e të gjithëve në këtë koncert mbresëlënës”. / KultPlus.com
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka kërkuar vendeve anëtare të zotohen për 40 miliardë Euro ndihma vjetore për Ukrainën, i tha të enjten një burim i aleancës agjencisë së lajmeve Reuters, ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s po mblidheshin për bisedime në Pragë.
Zoti Stoltenberg nuk ka përmendur më parë një shumë të caktuar, por më herët zyrtarë të NATO-s patën hedhur idenë e rreth 100 miliardë eurove në pesë vite, ose 20 miliardë euro në vit.
Me pasigurinë për të ardhmen e mbështetjes amerikane për Ukrainën për shkak të mundësisë së rikthimit në Shtëpinë e Bardhë të ish-presidentit Donald Trump, ministrat e jashtëm të NATO-s do të diskutojnë të premten për mënyrat se si mund t’i japin një të ardhme më solide dhe afatgjatë ndihmave për Ukrainën.
Bisedimet do të përqëndrohen tek qartësimi i detajeve për paketën e ndihmave për Ukrainën, për të cilën do të jepet miratimi në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington, në datat 9-11 korrik, ku do të ketë edhe ndryshime për mënyrën se si do të organizohen armët dhe municionet që dërgohen.
“Duhet ta ruajmë nivelin aktual të mbështetjes si një minimum për të siguruar Ukrainës kushtet për t’i parashikuar situatat, për aq kohë sa do të e nevojshme”, tha një burim i NATO-s, duke shtuar se aleatët kishin dhënë rreth 40 miliardë euro në vit që nga sulmi frontal i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.
Gazeta gjermane Handelsblatt tha më herët të enjten se zoti Stoltenberg po kërkonte një zotim nga vendet anëtare prej 40 miliardë dollarësh në vit.
Zoti Stoltenberg ka propozuar që NATO-ja të marrë përsipër koordinimin e ndihmës ushtarake ndërkombëtare për Ukrainën, duke i dhënë aleancës një rol më të drejtpërdrejtë në luftën kundër Rusisë, ndërkohë që ky rol nuk përfshin angazhimin e forcave të NATO-s në këtë konflikt.
Kremlini tha të enjten se Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe disa vende evropiane po e inkurajonin Ukrainën të vazhdojë atë që e quajti “luftën e pakuptimtë” të Kievit me Rusinë dhe i akuzoi ata për përshkallëzimin e tensioneve në javët e fundit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë vazhdimisht se aleatët perëndimorë po marrin më shumë kohë se ç’duhet për të marrë vendime kyçe për mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
ARMATIMET E DHURUARA
NATO-ja do të merrte përsipër koordinimin e armatimeve të dhuruara dhe të furnizimeve nga grupi Ramstein i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, një koalicion ad hoc me rreth 50 vende pjesëmarrëse, i emërtuar sipas një baze ajrore amerikane në Gjermani, ku u mblodh për herë të parë në vitin 2022.
Gjatë një takimi të Grupit Ramstein
Lëvizja shihet gjerësisht si një përpjekje për të siguruar një lloj rezistence ndaj mundësisë së rikthimit në detyrë të ish-presidentit Trump, duke e vendosur koordinimin nën një ombrellë të NATO-s.
Por diplomatët pranojnë se një masë e tillë do të kishte efekt të kufizuar, pasi Shtetet e Bashkuara janë fuqia dominuese e NATO-s dhe sigurojnë shumicën e armatimit për Ukrainën. Pra, nëse Uashingtoni do të donte të pakësonte ndihmën perëndimore për Kievin, do të kishte mundësinë ta bënte këtë.
NATO-s do të duhet gjithashtu të kapërcejë rezistencën nga kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili e ka bërë të qartë se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në përpjekjen e re, duke argumentuar se ajo e afron aleancën më pranë një lufte me pasoja katastrofike me Rusinë.
Ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s pritet gjithashtu të trajtojnë atë që shihet si ndryshimi më i fundit në mbështetjen perëndimore për Ukrainën, me disa aleatë që po heqin kufizimet që ia ndalonin Kievit të përdorte armë të dhuruara për të goditur objektiva brenda Rusisë – një lëvizje kundër së cilës presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin.
Ndërsa administrata amerikane po peshon pozicionin e saj, sekretari i Shtetit Antony Blinken do të pyetet me siguri nga homologët e tij në Pragë nëse Uashingtoni do të ndjekë shembullin e tyre.
Sekretari Blinken duke folur në Moldavi (29 maj 2024)
Të mërkurën, ai u bë zyrtari i parë i administratës që sinjalizoi se Shtetet e Bashkuara mund të shqyrtojnë ndryshimin e qëndrimit të tyre.
“Mendoj se ajo që keni parë gjatë dy viteve të fundit – ndërsa natyra e fushëbetejës ka ndryshuar, pasi vendndodhjet, mjetet që Rusia po përdor kanë ndryshuar – është se ne kemi ndryshuar dhe jemi përshtatur”, tha sekretari Blinken në Moldavi.
“Kjo është pikërisht ajo që do të bëjmë në vijim”, shtoi ai.
Uashingtoni ka qenë deri më tani mbështetësi më i madh financiar dhe ushtarak i Kievit që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, por Uashingtoni ka thënë vazhdimisht se as nuk inkurajon dhe as nuk mundëson sulme jashtë territorit të Ukrainës. /VOA/ KultPlus.com
“Enciklopedia… shfaqet si zhanër i veçantë letrar, i mbiquajtur postroman. Struktura e tekstit, në ligjërim dhe në tematikë, shfaqet e afërt me romanin, por përsëri e ndryshme, shfaqet si zhanër, i cili mund ta trashëgojë apo edhe ta zëvendësojë romanin. Është ngjizje midis formës enciklopedike dhe imagjinatës letrare.” (Kosumi, 2023)
Rrëfimi i “Enciklopedisë imagjinare” fillon me prologun që shërben si një lloj harte orientuese për rrugëtimin në ishullin autorial, historik e fiksional, rrugëtim që ngjan me një labirint që ka shumë hyrje e shumë porta e po ashtu shumë mundësi leximi e interpretimi. Autori qysh në fillim na sugjeron disa modele leximi, pra është në kërkim të lexuesve të ndryshëm, që do të zbulojnë rrugë të reja për të hyrë në enciklopedinë e tij. Ai paraqet në prolog pesë lloje lexuesish të mundshëm për enciklopedinë, lexuesin një (lexuesi tradicional), lexuesi dy (ai që krijon dritare leximi), lexuesi tre (lexuesi enciklopedik), lexuesin poetik dhe lexuesin ideal. Një nga leximet e rekomanduara duke filluar nga shkronja D drejt A, majtas, sjell një mënyrë eksperimentale, por njëkohësisht mënyrë shumë e kënaqshme e leximit të enciklopedisë.
Mënyra e të rrëfyerit nga fakti deri te fiksioni, nga përjetimet, dëshmitë e tmerret e jetuara e deri te historitë që përsëriten ndër vite e shekuj të ndryshëm, autori depërton në psikologjinë, formimin, jetesën e mbijetesën e “ishullarëve”, siç i quan ai, sepse vepra e tij e tejkohshme historikisht e fiksionalisht paraqet historinë e ishullit e toponimit të Gumurit në shumë dimensione.
Rrëfimet strukturohen si kujtesë historike në shumë raste duke u ndërlidhur me njëri-tjetrin përmes rendit alfabetik, duke filluar me Gumurin (që paraqet një varrezë kolektive ilire në formë të rrethit). (Kosumi, 2023, f. 293)
Në “Enciklopedinë imagjinare” në shumë rrëfime e hasim Gumurin si vendbanim, toponim që autorit i shërben si strumbullar për të lidhur ngjarjet e të bëmat e ishullarëve.
Pushtimet, pushtuesit dhe pasojat e tyre te shqiptarët
“Enciklopedia imagjinare” mund të lexohet edhe si dëshmi e fuqishme historike për pushtimet: romake, osmane, serbe, bullgare e shumë të tjerë që synuan të kenë të drejta mbi tokat e Arbit.
Në rrëfimin “A është toka gjithçka?”, familjes Ukëhaxhaj pushtuesi serb në të gjitha kohët e kolonizimet ia mohoi të drejtën e pronësisë mbi truallin familjar, i largoi me dhunë nga shtëpitë e e vendi i tyre. Rikthimet, riblerjet e luftërat për tokën familjes Ukëhaxhaj iu shndërrua në një odisejadë të pafundme.
Përveç tokës, pushtuesit shpesh synuan edhe kulturën e trashëgiminë shqiptare. Rrëfimi “Kodiku i Purpurt i Beratit dhe historia e ruajtjes së tij” është një dëshmi rezistence, vendosmërie e vetëdijeje që shqiptarët patën për kulturën dhe identitetin që u takon atyre.
“… Edhe Kodikun e Purpurt të Beratit e lakmuan deri në zhbërje shumë ushtri, shumë perandori, u dhanë shumë para e ari për të rrëmbyer, u vranë e u ekzekutuan mbrojtës të tij, u dogjën kisha u zhgroposën varreza për ta gjetur…
Kjo zgjati me vite e shekuj…” (Kosumi, 2023, fv. 337-338)
Pushtuesit patën në dorë gjithçka madje dhe shndërrimin identitar të shqiptarëve, përmes dhunës ortodoksët i bënë serb, myslimanët i bënë turq, ky ishte depëtimi deri në palcë, të humbasësh identitetin përmes gjësë më të shenjtë, përmes fesë. Kështu ndodhi me Salih Uglën, që dikur këndoi në gjuhën e të parëve, pra shqip, e më pas si rapsod këndonte në gjuhën serbe e boshnjake, sepse kishte harruar gjuhën së cilës i përkiste.
Lufta e pushtuesve të ndryshëm karshi shqiptarëve ishte shumëdimensionale si për nga zaptimi i territoreve e deri te mohimi i gjithçkaje që do të përbënte kulturën dhe dijen shqiptare.
“Karta e kontrabandistëve të librave të ndaluar”paraqet historinë e Haxhi Ali Musë Ahmetit, shqiptari i parë i ekzekutuar për libra të ndaluar.
Po ashtu, pasardhësi i tij Artin J Ahmeti, ishte i përndjekuri kryesor i shtetit të Jugosllavisë, me akuzën e vetme që sa ishte kulturore aq edhe politike “Kontrabandë e librave shqip nga Shqipëria”. Pushtuesit i pengonte gjithçka që përfaqësonte identitetin shqiptar, sepse të përhapësh dijen në gjuhën amtare për ta ishte një rrezik i përhershëm.
Burgu, Qëndresa e Liria
Mendimi ndryshe apo edhe ëndërrimi ndryshe nga pushtuesi nënkupton se do ta kalosh jetën, do vdesësh e madje edhe në jetën e përtejme do të të ndjekë burgu, ky ishte realiteti që përcolli shumë shqiptarë dhe familjet e tyre për shumë vite të errëta gjatë sundimit serb në Kosovë.
Heronjtë si: Adem Dema, Alban Mala e shumë të tjerë janë personazhet me anë të të cilëve paraqitet qëndresa, revolucioni, por edhe ana e errët e burgjeve, torturave e vrasjeve nga dora e armikut.
Burgu paraqitet në shumë pikëpamje si: Burgu artistik (burgu i veçantë i destinuar vetëm për artistët), Burgu i hapur: burgu që nuk kishte grila, nuk ishte fizik, por më shumë psikologjik dhe Burgu jetik- njerëzit që jetonin e zhvilloheshin brenda mureve të këtij burgu u mësuan aq shumë me të sa kur u lanë të lirë nuk ditën të mbijetonin si të tillë.
Burgu, aty ku ëndërron për lirinë, për idealet e ndonjëherë edhe për familjen, por asnjëherë atë që pason, çka pas lirimit?. Personat që përjetuan burgjet, torturat e patën gjithmonë të vështirë të risocializohen sepse ai “burgu” i ndiqte gjithmonë nga pas e nuk kishin shpëtim.
“E humbi betejën. Nuk arriti ta mundte burgun e ëndrrave. Ai ishte galuc aty, mu në krevatin e tij dhe gjithnjë shfaqej i gatshëm të vepronte, sapo ky t’i mbyllte sytë. E torturonte. Nuk ishte aspak miqësor.” (Kosumi, 2023, fv. 118-119)
Urrejtja, armiku, hakmarrja
Arbi e Sarbi ishin gjithmonë në luftë e gjithmonë armiq, sepse Sarbi lakmonte gjithçka që kishte Arbi e donte ta kishte me çdo kusht, këtu fillon urrejtja, armiqësia e mbi të gjitha edhe vetë hakmarrja. Urretja, lakmia e synimet e shtetit të Serbisë ndaj Kosovës, synimet për zhdukje e zhbërje e kanë origjinën shumë të hershme, por ajo që theksohet në “Enciklopedinë imagjinare” është një kapitull tmerri e marrëzie “Elaborati për zhdukjen e shqiptarëve 1848-1999”.
Ky Elaborat është dëshmi e gjallë e dokumentuar për mendësinë serbe dhe pretendimet e tyre për zhdukjen e shqiptarëve në forma masive.
“Le të llogarisim afërsisht sa do t’i kushtojë vendit tonë dëbimi i 200,000 shqiptarëve dhe vendosjen e një numri sa më të madh të popullatës sonë në vendet e tyre…
Kur vjen puna tek feja, shqiptarët janë shumë të prekshëm, prandaj ata mund të ngacmohen në këtë drejtim gjithashtu. Kjo mund të arrihet përmes keqtrajtimit të klerikëve të tyre, shkatërrimin e varrezave etj.” (Kosumi, 2023, fv. 169-170)
Urrejtja e armiqësia nuk përfundon me këtë elaborat, ata madje krijuan një “Fjalorth për Armiqtë e Popullit” që përdornin shprehje nga më të ndryshmet për t’iu referuar atyre që i kundërshtonin.
Hakmarrja është njëra nga format më dobëta, kur armiku e humb fuqinë që ka dhe përdor mjete rrethanore për ndëshkim, kështu ndodhi me Manastirin e Graçanicës. Të gjitha dokumentet që nga koha osmane e paraosmane argumentojnë se ky Manastir i përkiste shqiptarëve ortodoksë të rrethit të Llabjanit që njihej si “Kisha e Virgjëreshës” vend të cilin shqiptarët e ruajtën me fantizëm gjithmonë sepse aty gjendeshin pikturat më të bukura fetare që përfaqësonin identitetin e tyre fetar e kulturor. Si shenjë hakmarrjeje për humbjen e luftës, serbët mbyllën përgjithmonë dyert e manastirit për shqiptarët dhe e përvetësuan manastirin dhe nuk i lanë asnjë te drejtë shqiptarëve mbi të.
Kujtesa, burgu, darka e personalja
Një nga rrëfimet më të vështria për përjetimet, për dokumentimet është rrëfimi i historisë personale, i asaj që dogji thellë në shpirt.
Dy nga rrëfimet që ngërthejnë në vete personalen e bëhen edhe më emocionale kur përjetohen e ripërjetohen përmes kujtesës janë: Darka e pikëlluar dhe Harrimi. Darka e pikëlluar paraqet fatet e lidhura detyrimisht e rastësisht të familjes nga Kumanova me familjen nga Kosova. Familja e Nexhat dhe Shpresa Ukshinit, mirëpritën me muaj të tërë në shtëpinë e tyre familjen kosovare të përndjekur nga lufta, një nënë me tri vajza dhe një grua plakë, kjo ishte familja e ardhur. Fillimisht familja e Nexhat Ukshinit kishin dyshime se në do ja dilnin ta mbanin këtë familje, por më vonë në darkën e fundit që do të quhet e pikëlluar do të kuptojnë se ishin mësuar aq shumë me familjen kosovare sa ndarja prej tyre solli shumë pikëllim në familjen e tyre.
Të gjithë ne kemi nga një çast që nuk e harrojmë, një çast të ngulitur në mendjen tonë që duam gjithmonë që pluhuri i harresës të mos e mbulojë asnjëherë, për rrëfyesin e kësaj ngjarjeje ndarja nga gruaja dhe vajzat, çasti i ecjes së tyre drejt sheshit do të jetë një nga kujtimet që nuk do ta shlyejë asnjëherë nga kujtesa.
“…e pa ende qartë gruan me pallton e kuqe dhe dy vajzat teksa mbaheshin me njërën dorë për kindat e palltos së nënës. E dalloi qartë pallton e bukur të kuqe, atë që e vishte mbrëmjeve dhe e bënte të shkëlqente… I dalloi qartë çantat e vogla me katërkëndësha shumëngjyrësh, të blera në Paris… Fytyrat nuk ua shihte. “Çfarë fytyra mund të kenë tashti?….
Hapat e tyre dhe shpina e tyre, këto i shihte qartë dhe saktë… “Memorizo! Memorizo! Kurrë nuk do t’i shohësh! Mos i harro! Regjistroje në tru dhe ruaje aty!” (Kosumi, 2023, f. 251)
Kjo pamje është njëri nga episodet, ku njeriu është i mpirë, nuk i duhet më asgjë tjetër e kësaj bote, përveç memorizimit të çastit që po i ikën nga duart e nuk do ta shohë më asnjëherë.
Bajram Kosumi “Enciklopedinë imagjinare” apo do kisha thënë Enciklopedinë e përjetimeve dhe dokumentimit e përfundon me një epilog shfajësimesh para një gjykatësi për të gjitha synimet e ëndrrat që pati për krijimin e një Libri të Ri. Kjo vepër pavarësisht se si klasifikohet si histori, dokumentar apo edhe thjesht fiksion e postroman ngërthen në vete pamjet e të shumë kohëve shfaqjet e shpërfaqjet e shumta të historisë, është një arkivë e gjallë, një dokumentar përjetimesh e një sugjerim për historinë që do të shkruhet.
Maj, 2024
Shënim: Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof. dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. / KultPlus.com
Kanë filluar zyrtarisht përgatitjet për edicionin e dytë të Festivalit të Këngës në RTK. Drejtor i festivalit do jetë sërish Adi Krasta, i cili ka zgjedhur të njëjtin grup pune, që drejtohet artistikisht nga Florent Boshnjaku, ndërsa producente ekzekutive do të jetë Arta Avdiu.
Festivali i Këngës ka çelur garën me një periudhë të mundësisë së aplikimit.
Aplikimet bëhen në ueb faqen RTKlive.com, që i dedikohet Festivalit të Këngës. Informacionet e vazhdueshme rreth festivalit, që do të mbahet në javën e fundit të tetorit mund t’i gjeni në faqet ‘online’, ‘facebook’ e ‘instagram’.
Për hapjen e konkursit të edicionit të dytë, drejtori i tij, Adi Krasta, tha se konkursi do të hapet shumë shpejtë.
“Ndoshta që në datën 31 maj e do të qëndrojë i hapur tre muaj, deri në 30-31 gusht, ngjashëm si në vitin e kaluar, sepse janë kohë të parapërcaktuar që më parë dhe është e mjaftueshme për të përgatitur që forcat krijuese të parapërgatisin këngët, t’i kolaudojnë, t’i rishikojnë, me ekspertë të fushës që këngët të jenë moderne, të dëgjueshme, simpatike, të pëlqehen nga publiku, etj.”, tha Krasta. / KultPlus.com