Osmani udhëton për në El Salvador, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të rizgjedhur

Me ftesë të homologut të saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në El Salvador.

“Me ftesë të Presidentit të Republikës së El Salvadorit Nayib Bukele, Presidentja Osmani ka udhëtuar zyrtarisht për në Republikën e El Salvador. Vizita e Presidentes Osmani është e para e një kreu të shtetit të Republikës së Kosovës në këtë shtet.”

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të rizgjedhur, Nayib Bukele, por gjatë takimit atje ajo do të zhvillojë disa takime.

“Presidentja do të marrë pjesë në Inaugurimin e Presidentit të ri-zgjedhur Nayib Bukele. Gjatë qëndrimit në San Salvador, Presidentja Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me udhëheqës shtetëror të El Salvadorit, duke filluar me Presidentin Bukele. Fokusi i këtyre takimeve do të jetë forcimi i marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit ndërshtetëror si dhe forcimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i aleancave të reja me shtete në rajonin e Amerikës Latine.”

“Presidentja po ashtu do të zhvillojë një sërë takimesh të tjera bilaterale me përfaqësues të shteteve të tjera, me qëllim të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe avancimit të bashkëpunimit bilateral në fusha të interesit të përbashkët.”/ KultPlus.com

Publikohet “Albania” nga Capital T, kënga që do të shoqërojë kombëtaren shqiptare në kampionatin Evropian (VIDEO)

Sot është publikuar kënga zyrtare që do të shoqërojë Kombëtaren e Shqipërisë në Kampionatin Evropian, Gjermani- 2024, që fillon me 14 qershor.

Kënga titullohet “Albania” dhe këndohet nga këngëtari i mirënjohur Capital T. Kënga do të do të ndjekë kombëtaren shqiptare të futbollit, gjatë gjithë rrugëtimit të saj në EURO- 2024.

Lajmi se kënga “ALBANIA” i është besuar Capital T., u bë i ditur pak ditë më parë nga vetë Federata Shqiptare e Futbollit.

“FSHF është e lumtur t’ju bëjë me dije se kënga zyrtare e Kombëtares shqiptare në finalet e Euro 2024 titullohet “Albania” dhe është realizuar në bashkëpunim me një nga artistët më të suksesshëm të muzikës shqiptare & më të pëlqyer, Capital T. Një këngë që përfaqëson më së miri identitetin tonë kombëtar e që do të udhëheqë kuqezinjtë tanë në çdo moment përgjatë kësaj aventure të paharrueshme në finalet e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024. Ky bashkëpunim unik përfaqëson fuqinë e bashkimit dhe pasionit, që na karakterizon të gjithë si shqiptarë. Le të festojmë së bashku këtë moment historik & të mbështesim ekipin tonë drejt suksesit! Forca Shqipëria!”, shkruhej në faqen zyrtare të FSHF. / KultPlus.com

https://youtu.be/yqe71Ys01JI?si=Kr7lqjdF2rd8eg_T

Nxënës shqiptarë nga Mali i Zi vizitojnë kalanë e Rozafës

Kalaja e Rozafës u vizitua sot nga një grup turistësh të veçantë, fëmijët e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti” nga Ostros i Krajës, Mali i Zi.

Kureshtja e tyre për të mësuar më shumë për historinë e kalasë së Shkodrës dhe lidhjet e saj me vendlindjen e tyre, nxiti dëshirën për të eksploruar pas në kohë historikun e ndërtimit të kësaj kalaje.

Në programin e vizitave me udhërrëfyes për fëmijë, nën udhëheqjen e arkeologut Helidon Sokoli, vizitorët nga Mali i Zi patën mundësinë të provonin ndjesinë e zbulimit të thesareve të fshehura të kësaj kalaje duke u kuriozuar për profesionin e bukur të arkeologut.

Kalaja e Rozafës është atraksioni kryesor i qytetit të Shkodrës. Nga viti në vit ajo ka njohur rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve. Vetëm gjatë muajit prill ajo është vizituar prej më shumë se 12 mijë persona. Kjo shifër rezulton të jetë 3668 vizitorë më shumë se gjatë muajit prill të një viti më parë.

Investimet e kryera në kala e kanë kthyer atë në një atraksion turistik të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj. Ata shfaqin interes edhe për muzeun, ku janë të ekspozuara objekte që i përkasin Antikitetit dhe Mesjetës, si dhe mozaikun romak të shek. IV pas Krishtit zbuluar në vitet ’78-79 në pjesën e poshtme të qytetit. /atsh/KultPlus.com

Kanadaja i kishte strehuar më shumë se 5500 kosovarë më 1999, detaje të operacionit “Parasol”

Para dy ditësh, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, qëndroi në Otava të Kanadasë ku zhvilloi një takim me homologen e saj, Mélanie Joly. Ndër të tjera, Gërvalla e falënderoi atë për një operacion që Kanada kishte ndërmarrë në vitin 1999 për t’i ndihmuar refugjatët e Kosovës që po i iknin spastrimit etnik nga forcat serbe.

“Diskutuam hapur për fusha të reja të bashkëpunimit mes dy shteteve tona, duke i shprehur mirënjohje të veçantë për programin qeveritar të njohur si “Operation PARASOL” ku Kanadaja pranoi në vitin 1999 rreth 7000 refugjatë shqiptarë nga kampi në Stankovec, duke u ofruar kështu një shtëpi të dytë në Kanada”, tha Gërvalla më 28 maj.

Por, çka është ky operacion që u përmend?

Më 1999 kur pas ndërhyrjes së NATO-së në Kosovë dhe kur filloi një fushatë e egër e spastrimit etnik të shqiptarëve nga forcat serbe e që rezultoi me afër 1 milion refugjatë në vendet fqinje, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët doli me një apel ndërkombëtar për ndihmë për t’u marrë me situatën, Qeveria e Kanadasë iu përgjigj. Kanada ra dakord të rivendoste disa nga refugjatët që ishin zhvendosur dhe kërkoi që CF, një nga korporatat kombëtare bamirëse kanadeze, të luante një rol. Në përgjigje të kësaj kërkese, Forcat Kanadeze nisën Operacionin PARASOL. Ai do të niste më 9 prill 1999 deri më 31 gusht 1999.

Më 6 prill të 1999-ës, CF-ja lëshoi një Urdhër Paralajmërimi duke vendosur bazat e Forcave Kanadeze (CFB) Borden, Trenton, Kingston, Petaëaëa dhe Meaford, në një njoftim 72 orësh për të pritur dhe strehuar 5000 refugjatë deri në gjashtë muaj. CFB Valcartier u caktua si rezervë. Tre ditë më vonë, më 9 prill, CF ishte gati për të pritur refugjatët e parë dhe CFBs Greenëood, Aldershot, Gagetoën dhe Halifax, ishin shtuar në operacion.

Forcat Kanadeze u përfshinë shumë me një rol mbështetës duke ofruar transport, akomodim, ushqim, shërbime mjekësore dhe me ndihmën e vullnetarëve, mbështetje e rehati shumë të nevojshme. Më 2 maj 1999, fluturimet e para filluan të mbërrinin në Kanada me refugjatë në bord. Duke u alternuar midis CFB Trenton, Ontario dhe CFB Greenwood, Nova Scotia, fluturimet u takuan nga vullnetarë nga Kryqi i Kuq, klubet lokale Lions dhe Rotary, Ushtria e Shpëtimit, anëtarët e komunitetit lokal dhe personeli i CF për të ndihmuar refugjatët të kalonin nëpër procesin e vlerësimit fillestar.

Ekipet e shoqërimit, të përbëra nga një person ushtarak dhe një vullnetar, iu caktuan një grup prej 7 deri në 14 refugjatësh. Kudo që ishte e mundur, grupet përbëheshin nga familje të tëra (duke përfshirë kafshët shtëpiake) për t’u siguruar që ato të mos ndaheshin ose humbeshin në tranzicion. Ekipet ishin përgjegjëse për të ditur vendndodhjen e secilit anëtar të grupit në çdo kohë dhe për lëvizjen e tyre nga stacioni në stacion. Kjo përfshinte përpunimin e imigracionit, ekzaminimin mjekësor, identifikimin, dushin, veshjet e reja dhe një vakt të nxehtë. Një hap kyç në këtë proces u quajt “dyqani i këpucëve”, një stacion i ngritur për të zëvendësuar këpucët që konsideroheshin “të pashëndetshme bujqësore” – të mbuluara me shumë papastërti për t’u pastruar – nga Agriculture Canada. I gjithë procesi primar i pritjes, duke përfshirë edhe gjetjen e këpucëve të përshtatshme, u përfundua në më pak se një orë.

Pasi pritja parësore përfundoi, refugjatët ose u transportuan në akomodimet në bazën ku zbarkuan, ose u zhvendosën në një nga bazat e tjera mbështetëse. Pasi kaluan përafërsisht dy muaj në këto objekte, refugjatët u zhvendosën më pas në qytete në të gjithë Kanadanë ku atyre iu ofrua mundësia për t’u vendosur përkohësisht ose përgjithmonë në një komunitet me ndihmën e një sponsori. Në secilin rast, refugjatët kishin mundësi të zhvendoseshin përsëri në Kosovë brenda 24 muajve nga mbërritja e tyre fillestare në Kanada.

Kur u rivendos stabiliteti në Kosovë, afërsisht një e treta e kosovarëve zgjodhën të riatdhesoheshin, pjesa e mbetur vendosi të fillonte një jetë të re dhe të qëndronte në Kanada. Në fund të gushtit 1999, kur operacioni PARASOL u mbyll, CF kishte përpunuar më shumë se 5500 refugjatë./Express/ KultPlus.com

Jetë

Alfonsina Storni

Nervat e mia janë tendosur marrëzisht,
në venat e mia gjaku vlon, lëng zjarrmues
që brof në buzët e mia, ku pastaj shtiret
me harenë e tërë kremteve të mundshme.


Kam ëndje të qeshurash; mjerimet e mia
që askujt nuk dua t’ia fal aspak,
sot nuk më qesëndisin, e unë kotem
me trishtimin e kaltër ku ato gëlojnë.


Bota buçet fuqishëm; krejt harmoninë e saj
e ndiej aq drithërueshëm, saqë e përvetësoj
kur gjerb tingujt e saj magjepsës.


Veç para pak çastesh, dritaren time hapa
e në tisin e brishtë të erës
pranvera m’i pruri rrezet e diellit.


Përktheu nga spanjishtja:

Elvi Sidheri

Qendra Kombëtare e Librit shpall fituesit e Fondit të Përkthimit Letrar në Gjuhë të Huaj

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sot veprat fituese për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”.

Nga 12 aplikime, juria, e kryesuar nga përkthyesi Erion Kristo dhe me anëtarë dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha dhe profesor Blendi Lamin, vlerësoi për t’u mbështetur financiarisht nga QKLL, 6 autorë dhe veprat e tyre.

Fituesit për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”:

Ylljet Aliçka, me “Histori njerëzish të zakonshëm”; Maklena Nika me “Nitroglicerinë”; Namik Dokle me “Vallëzim me hënën”; Arian Leka me “Në kërkim të këmishës së humbur”; Manjola Nasi me “Një udhëtim e gjysmë”; Artur Spanjolli me “Lule drite në ag”.

Ceremonia e shpalljes së fituesve u zhvillua në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit./ KultPlus.com

16 universitete evropiane dhe mbi 25 biznese në Panairin e Karrierës dhe Studimeve Jashtë Vendit në UNI – Universum International College

UNI-Universum International College fuqizuar nga Arizona State University për herë të shtatë rradhazi organizoj Panairin e Karrierës dhe të Studimeve Jashtë Vendit. Kjo ngjarje e rëndësishme zhvillohet në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Stafit, më i madhi në Ballkanin Perëndimor.

Nga ky panair shumë studentë do të marrin rrugë të studimeve jashtë vendit, e shumë të tjerë do të fillojnë një punë me kontratë të rregulltë.

Pas një suksesi të vazhdueshëm gjatë viteve të kaluara, edhe këtë vit UNI, më 29 Maj në kampusin e Prishtinës dhe më 30 Maj në atë të Ferizajit, mirëpriti kompani vendore, organizata dhe institucione të cilat gjatë këtij panairi kishin mundësi promovimi të biznesit, rreth shërbimeve dhe misionit të tyre si dhe komunikimin direkt me studentët e UNI-it, kështu duke zgjeruar rrjetëzimin dhe bashkëpunimin mes tyre.

Gjithashtu këtë vit pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të universiteteve Europiane nga  Gjermania, Holanda, Polonia, Latvia, Lituania etj., si dhe nga Turqia, të cilët gjatë këtij panairi prezentuan mundësitë për studime një-semestrale në universitetet të cilat përfaqësonin.

Qëllimi i organizimit është edhe indentifikimi i talentëve të rinj, rekrutimi i tyre dhe krijimi i partneriteteve me kompanitë pjesëmarrëse.

Ky event përfaqësoi një mundësi të jashtëzakonshme ndërveprimi  për studentët të cilët janë në rrugën e zhvillimit në karrierë si dhe mundësitë e punësimit duke u njohur më konkretisht me kërkesat në tregun e punës si dhe programe për studime ndërkombëtare.

UNI – Universum International College menaxhohet dhe fuqizohet nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i rankuar si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.

Bashkohuni me ne sot dhe filloni rrugën tuaj drejtë një të ardhmeje të ndritur nesër! Për më  shumë info. Kliko KETU.
Gjithashtu kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram./ KultPlus.com

Rama: Korabi, një përrallë e bukur e bjeshkëve tona

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mëngjes ka publikuar pamje nga mali i Korabit, duke e cilësuar si një përrallë të bukur të bjeshkëve shqiptare.

Parku natyror Korab-Koritnik, është i preferuari i të pasionuarve pas ngjitjeve në male dhe një ndër shtigjet më të preferuara për turistët është Bele – Zbinec – Stanet e Pobregut.

Parku Korab ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri (2751 m), ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës./KultPlus.com

Oda Haliti do të performojë në hapjen e Berlin Beats 2024

Nga Prishtina në Berlin, për të dytën herë Oda Haliti performon përsëri në një prej netëve më të rëndësishme në Berlin Beats. Ngjarja mbahet në muzeun shumë të njohur prestigjioz Hamburger Bahnhof në Berlin, muze ky i cili njihet ndër më të rëndësishmit në botë të artit bashkohor.

Verën e kaluar në edicionin e parë të Berlin Beats 2023, 50.000 vizitorë shijuan programin muzikor nga artistë të mëdhenj të skenës së Berlinit. Oda Haliti ishte e vetmja artiste jo vendore e cila ishte e ftuar të performonte në Berlin Beats në natën speciale “Lange Nacht Der Museen zu Berlin”, natë kjo e cila rezultoi me suksesin më të madh në programin e Berlin Beats 2023 – me audiencën më të madhe nga gjithë artistët e tjerë.

Këtë vit me 7 qershor, Oda Haliti do të performojë në hapjen e Berlin Beats 2024 si pjesë e programit më të madh dhe më të rëndësishëm muzikor të Hamburger Bahnhof. Ajo kryeson listën e DJ-ve që do të marrin pjesë këtë vit si headliner i eventit/ngjarjes, në një program serioz me artistë të tjerë të njohur botëror.

Oda Haliti njihet gjërësisht në skenën elektronike muzikore të Kosovës dhe ndërkombëtarisht me mbi 15 vite karrierë muzikore, mes stilit të saj të kuruar të muzikës techno/elektronike e me një ndërthurje të pagabueshme të rrymave të ndryshme eksperimentale dhe ekscentrizmit ritmik.

Oda Haliti është ndër pioneret e muzikës elektronike në Ballkan dhe për herë të dytë radhazi, një shhqiptare paraqitet në Berlin Beats, duke bërë bashkë një audiencë ndërkombëtare jashtëzakonisht të dedikuar ndaj muzikës elektronike dhe artit bashkëkohor.

Performanca e saj në Hamburger Bahnhof shënon një pikë kyçe në karrierën e saj, por edhe në kulturën muzikore të Kosovës e Shqipërisë, pasi ky institucion kulturor pret qindra-mijëra vizitorë në vit, por edhe sepse mban një peshë të veçantë në zhvillimin e praktikave të artit bashkëkohor, përpos të paturit një program muzikor tej mase të kuruar dhe të shumëpritur nga audienca.

Nata e 7 qershorit hap dyert për të gjithë të apasionuarit dhe dashamirësit e rrymave të ndryshme të muzikës elektronike, e në mjediset e hapura pranë muzeut Hamburger Bahnhof, do të zhvillohen netë të ndryshme, që premtojnë pjesëmarrje të gjerë e momente të paharrueshme në kryeqytetin e Europës, në Berlin.

Kjo seri e netëve me muzikë elektronike hap edhe sezonin e gjatë muzikor që do të vijojë deri më 29 gusht 2024./ KultPlus.com

Osmani emëron ambasadorin e ri të Kosovës në Hungari

Delfin Pllana është emëruar ambasador i Republikës së Kosovës në Hungari.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një postim në X shkruan se ambasadori Pllana do të vazhdojë të forcojë lidhjet midis vendeve.

“I shpreh urimet e mia më të mira ambasadorit të emëruar Delfin Pllana, ndërsa ai merr detyrën e re si ambasador i Republikës së Kosovës në Hungari.

Unë jam i bindur se ai do të vazhdojë të forcojë lidhjet midis vendeve tona dhe të thellojë lidhjet midis popujve tanë”, shkruan Osmani./ KultPlus.com

67 vite më parë u themelua Universiteti i Tiranës

Më 30 maj të vitit 1957 u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës, me vendim të Këshillit të Ministrave të kohës.

Në mbledhjen e kësaj date, qeveria vendosi emërimin e Zija Këlliçit si rektor të USHT-së, të Kolë Paparistos si zëvendësrektor për anën shkencore dhe të Hasan Dumës si zëvendësrektor për anën mësimore. Ky vendim do të hynte në fuqi më 1 qershor dhe përcaktonte që USHT-së t’i kalonin kuadrot dhe mjetet materiale e financiare.

Sipas projektdekretit, USHT-së do të përbëhej nga 6 fakultetet e poshtërenditura:

1) Fakulteti i Histori-Filologjisë;

2) Fakulteti Juridik;

3) Fakulteti Ekonomik;

4) Fakulteti i Inxhinierisë;

5) Fakulteti i Shkencave të Natyrës;

6) Fakulteti i Mjekësisë.

Fillesat e para për ngritjen e këtij institucioni të parë të arsimit të lartë në Shqipëri i gjejmë në vitin 1946, kur u hap Instituti i Lartë Pedagogjik dyvjeçar dhe në vitin 1947, kur u hap Instituti i Shkencave. Gjatë viteve 1946-1956 funksiononin në Tiranë gjashtë institute të larta: Instituti Pedagogjik, Instituti Politeknik, Instituti Mjekësor, Instituti Bujqësor, Instituti Ekonomik dhe Instituti Juridik.

Në vitin e parë akademik 1957-1958, universiteti kishte 3613 studentë. Studentët do të diplomoheshin në 15 specialitete. Në vitin 1967, universiteti mori formën e vet të plotë me ndërtimin e kampusit të parë të tij duke i dhënë këtij universiteti një dinamizēm më të madh. Kështu pas 20 viteve nga krijimi, në vitin 1977 numri i studentëve pa shkëputje nga puna arriti në 8880; nga të cilat rreth gjysma ishin vajza. Duhet theksuar që në këto vite të para ishin diplomuar 21368 studentë të cilët më pas u angazhuan në sektorët më të vështirë të jetës së vendit./atsh/KultPlus.com

“Ura e Zonjës”, një atraksion i rëndësishëm i qarkut Gjirokastër

Ura e Zonjës, Monument Kulture i Kategorisë I, është çliruar nga vegjetacioni duke bërë që monumenti të dalë më në pah.

Ura e Zonjës ndodhet në mesin e fushës poshtë rrugës që të çon në fshatin Labovë e Kryqit. Ajo për arsye të spostimit të shtratit të lumit me 50-60m më në veri, ndodhet tashmë në brigjet ranore të këtij shtrati duke patur gjithashtu dhe pjesë që i mungojnë dhe nuk lejojnë një lexim të qartë veçanërisht të anës veriore të saj.

Në gjendjen e tanishmë ura është e gjatë 70 metra me një lartësi prej 7 metrash mbi aluvionet që kanë mbuluar këmbët e saj. Gjerësia e urës është 3.8 m.

Ura është e formuar nga një sistem harqesh (qemeresh) e ndarë me harqe më të vegjël mes tyre (dritare shkarkuese) e cila në total ka katër harqe të plotë (duke nisur nga drejtimi jugor) dhe një hark të dëmtuar në kulmin verior.

Muratura është e krijuar me gurë të bardhë gëlqeror të radhës, por bie në sy që në pjesēn e këmbëve të qemereve kemi dhe përdorim të gurëve ranorë konglomerat me përmasa më të mëdha (40 x 100 cm). Si lidhës i muraturës ka shërbyer llaçi me bazë rërën e gëlqeren.

Kreu i urës duke qënë i kalueshëm ka qënë i shtruar me kalldrëm i cili vjen i ndryshëm në pjesë të ndryshme. Kështu në kurizet e harqeve ka pjesë kalldrëmi me gurrë të zi radhë rreth 8 cm të trashë e të vendosur në këmbë. Në pjesë të tjera midis ka kalldrëm me gurë lumi të rrumbullakët.

Qemeret e dritareve shkarkuese kanë si karakteristikë formën e tyre, e cila është e ndikimit oriental, pasi janë qemer me majë./atsh/KultPlus.com

Java Kulturore Italiane, Veliaj: Mos humbisni aktivitetet fantastike

Së shpejti nis Java Kulturore Italiane. Aktivitetet e saj nisin më 2 dhe përfundojnë më 9 qershor.

Organizatorët e Javëve Kulturore Ndërkombëtare përmes një postimi online shprehen se, lidhja jonë me Italinë është e shenjuar në shekuj e në breza. “Jemi frymëzuar nga kultura italiane me rrënjë të thella dhe jemi tërhequr pafund nga sharmi i saj”, shkruan JKN.

Java Kulturore Italiane konsiderohet si një moment historik pasi do të jetë e mbushur me aktivitete që përfaqësojnë thelbin dhe më të mirën e kësaj kulture që admirohet nga e gjithë bota dhe është një nga lokomotivat e kulturës së njerëzimit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ftoi qytetarët që të mos humbasin një javë të mbushur me një seri aktivitetesh fantastike. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj i fton që të ndjekin aktivitetet e shumta të organizuara, mes të cilave do të ketë koncerte, opera, shfaqje kontemporane, sport, konferenca e shumë të tjera./atsh/KultPlus.com

Rivendosja e marrëdhënieve me ShBA, vizita e izoluar e kongresmenëve amerikanë në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 30 maj të vitit 1990 nisi hapja e Shqipërisë ndaj perëndimit.

Nga një vend i izoluar tërësisht nga bota, vitet ’90 filluan të rrëfenin erën e lirisë edhe për Shqipërinë.

Përafrimi i Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara i ka fillesat tek vizita në Tiranë e dy kongresmenëve amerikanë, Tom Lantosh dhe Jozef DioGuardi (arbëresh-amerikan).

Në këtë vizitë u hodh idea e hapjes së ambasadës amerikane në Tiranë si dhe hapja ndaj Perëndimit. Ramiz Alia, në atë kohë në krye të shtetit, i mirëpriti propozimet për rivendosjen e marrëdhënieve që do të konkretizohej me hapjen e përfaqësive përkatëse, disa muaj më vonë.

Në përshëndetjen e mirëseardhjes, Alia do të shprehej: “Në Amerikë, vëllezërit tanë kanë gjetur një atdhe të madh dhe këta vëllezër kanë ruajtur lidhjet me atdheun e tyre. Ne i jemi mirënjohës presidentit Wilson për çështjen shqiptare”.

Lantosh, i njohur edhe si mbështetës i pavarësisë së Kosovës, ishte i idesë se vetëm hapja e një ambasade amerikane në Tiranë mund të shënonte një pikë kthese në marrëdhëniet ndërshtetërore.

Në koherencë me Alinë, ish-kongresmeni DioGuardi tha gjatë pritjes se Amerika u bë atdheu mikpritës i shqiptarëve, duke shfaqur të njëjtat vlera si Shqipëria që strehoi komunitetin hebre. Takimi u përshkua nga nota të ngrohta midis palëve./atsh/KultPlus.com

Libri “My Cat Yugoslavia” i Pajtim Statovcit në listën e ngushtë për çmimin prestigjioz në International Literature Award

“My Cat Yugoslavia” është në listën e ngushtë për çmimin prestigjioz International Literature Award, libër ky i shkrimtarit të suksesshëm kosovar Pajtim Statovci, shkruan KultPlus.

“My Cat Yugoslavia” është roman i autorit që është publikuar në vitin 2019, njëherit edhe roman debutues i autorit, e që është vlerësuar me çmime të ndryshme prestigjioze, sikurse që kanë qenë edhe në vëmendjen e medieve më të njohura të botës.

Libri në gjuhën gjermane është përkthyer nga Stefan Moster, ndërkohë Statovci përgjatë këtij viti ka paralajmëruar edhe botimin e romanit të fundit “A cow gives birth at night”.

Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990, ndërsa është larguar për në Finlandë me familjen e tij në moshën 2 vjeçare./ KultPlus.com

Kryetari Përparim Rama: Gala Koncert me 3 qershor në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se me datë 3 qershor duke filluar nga ora 20:00 do të mbahet një koncert gala për të festuar 25-vjetorin e Çlirimit të Prishtinës.

Koncerti do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, ku do të performojnë Petrit Çarkaxhiu, Vesa Luma, Vullnet Sefaja dhe Yll Limani.

”Kanga jonë, Për ty Prishtinë” – Gala Koncert me 3 Qershor në sheshin “Skënderbeu” në Kryeqytet. Festojmë të gjithë së bashku 25 vjetorin e Çlirimit të Prishtinës, me performanca të artistëve tonë fantastikë, të cilët ndër vite e kanë pasuruar skenën muzikore”, ka shkruar Rama./KultPlus.com

“Gjuha në bashkëkohësi”, sfidat me të cilat përballet shqipja

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u zhvillua takimi i dytë i ciklit “Gjuha shqipe në bashkëkohësi”, në kuadër të “Vitit të Gjuhës Shqipe”, i shpallur si i tillë nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit.

E ftuar në këtë aktivitet ishte prof. dr. Anila Omari, nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.

Lashtësia e gjuhës shqipe, origjina, të dhënat që na çojnë tek një gjumë më shumë se 6000-vjeçare, por edhe lidhja e ngushtë me gjuhën njerëzore dhe studimet, ishin disa nga çështjet që profesoresha Omari, diskutoi në prani të nxënësve, studentëve, mësuesve dhe profesorëve. Një ndalesë më e gjatë iu kushtua prejardhjes së gjuhës si pjesë e degës indoevropiane, metodat, konceptet, disiplinat e ndërdisiplinat, por edhe ngjashmëritë me popujt e tjerë. Tema solli një bashkëbisedim mes pyetjeve dhe përgjigjeve që janë objekt jo vetëm bisedash, por edhe studimesh rreth gjuhës shqipe.

Në takim u prekën gjithashtu sfidat e këtij shekulli, me të cilat po përballet gjuha shqipe, siç janë një sërë ndryshimesh politike, sociale, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në çështjet gjuhësore./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Llogo e shënimit të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës simbolizon historinë dhe kulturën tonë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka treguar se llogoja zyrtare e shënimit të 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, është frymëzuar nga historia dhe kultura jonë.

Kurti ka treguar se se motivet dhe ngjyrat që i gjejmë të qëndisura në veshjet tradicionale e të thurura në artizanatet tona, vijnë të rifreskuara me dizajn modern.

“Aty shohim profilin e pëllumbit të bardhë që simbolizon paqen e lirinë, si dhe simbolin e shqiponjës dykrenare e vigjilente, që është e ngulitur thellë në historinë e identitetin tonë kombëtar”, ka shkruar Kurti./KultPlus.com

Zhan D’Ark, heroina franceze që u dogj e gjallë në turrën e druve

Më 30 maj të vitit 1431 një shenjtore digjet në turrën e druve. Flakët e tmerrit dogjën së gjalli 19-vjeçaren, Zhan d’Ark, duke finalizuar një gjyq fars. Një spektakël tmerri përcolli atë ditë fundmaji në vitet e largëta të mesjetës, se si trupi e një shpëtimtareje, i një vajze të përkorë, i një dëshmitareje të vullnetit qiellor, digjej e gjallë në turën e druve.

Ndëshkimi i asaj vajze të hyjshme do të ishte një tjetër padrejtësi që do të rëndonte me peshën e akuzës ndaj atyre që hynë në kujtesën e gjeneratave të damkosur nga vula e turpit. U përcoll ajo ngjarje në gjithë qytetërimin e mesjetës si një kulm i mprehtë i triumfit të një shpirti blatuar në besim. U ndjen në faj dhe pendim, u shtangën dhe u bënë me turp, gjithë ata që fabrikuan një akuzë ndaj një prej shembujve më domethënës të ngadhnjimit të besimit mbi çdo ndalim dhe shtypje.  Zhan d’Ark i dha Francës disa nga fitoret më legjendare dhe mori në këmbim të drejtën për të qenë zëri dhe vullneti i një force të epërme, i një pushteti sovran, i një drejtësie që ngrihet mbi çdo poshtërsi dhe anatemë dhe merr vlerë realiteti historik.

Zhan d’Ark kishte ardhur për të përmbushur një obligim të lartë dhe e bëri këtë kundër atij pushteti dhe asaj smire, që e akuzoi dhe e ndëshkoi. Ajo u shua në turrën e druve më 30 maj të vitit 1431 dhe u shndërrua në një shenjtore që lyp përulësi dhe mirënjohje.

Shumë vite më vonë, Kisha Katolike do ta shpallte Zhan d’Arkën martire dhe shenjtore, ndërsa Shekspiri, Volteri, Michelet, Schiller, Mark Twain, Anatole France, George Bernard Shaw dhe të tjerë të shumtë për t’u përmendur demostruan heroizmat dhe fatin e saj fatal me shkrimet e tyre.

Më 30 maj kalendari kishtar përkujton Shën Zhan d’Ark, virgjër. Sapo i kishte mbushur trembëdhjetë vjet, u tha prindërve, Zhakut e Izabelës: “Dëgjoj shpesh zërat e shenjtorëve: zërin e Kryengjëllit Mikel, të Shën Katerinës së Aleksandrisë e të Shën Margeritës së Antiokisë; më bëjnë thirrje për të ecur në rrugën e përshpirtërisë!”.

Ndërsa në moshën 18 vjeçe u besoi të fshehtën e madhe: “Zërat më bëjnë thirrje të çliroj Francën!”. I ati u tërbua e ajo u detyrua të ikë nga shtëpia, ku nisën ta shikojnë si të çmendur. Por kur parafoli mundjen e Francës, e paralajmërimi i saj u vërtetua pikë për pikë, fisnikët e zonës e shoqëruan tek mbreti, që ndodhej në Kinon. Asokohe mbret ishte Karli VII, 26 vjeç, i ligsht, pa kurrfarë sigurie në vetvete, i torturuar nga mendimi se ishte bir i paligjshëm, që ia kishte ushqyer vetë e ëma.

Ndërkaq veriu i Francës, me gjithë Parisin, ishte ndër duart e anglezëve e të borgonjonëve; në ushtrinë e Francës mbretëronte plogështia e shpërdorimi, Orleans-i ishte i rrethuar nga anglezët. E kjo katundare analfabete i foli mbretit për fitore, ia zbuloi mendimet e fshehta të së tashmes e të së kaluarës, i paralajmëroi ndëshkime qiellore në se nuk do ta shpëtonte Francën. Atëherë mbreti, pasi u këshillua me profesorët e gjykatësit, i la dorë të lirë.

Dikush e quante të marrë, dikush shenjte! Ndërkaq Zhana d’Ark kishte në mendje një plan krejt të qartë, që filloi me riorganizimin e ushtrisë: nënshtroi komandantët, i detyroi trupat t’i bindeshin, rivendosi disiplinën. Pa bërë asnjë mrekulli tjetër: është kjo mrekullia e saj. Fliste, qortonte, nxiste. E dinte se Francës së gjunjëzuar, i duhej një fitore e menjëhershme. Nisi, prandaj, të mendojë për trupat që duhet të çlironin Orleans-in nga rrethimi. Ushtarët, që rifituan dinjitetin e tyre, iu binden me kënaqësi Zhanës, ndonëse ajo tregohej tepër e ashpër me ata që blasfemonin.

Erdhi, pastaj, veprimi politik kryesor. Zhana e hoqi pothuajse zvarë Karlin VII në Reims, ku e kurorëzoi më 17 korrik 1429. Kështu Franca kishte një mbret të vërtetë e të padiskutueshëm, para të cilit tani qytetet e shumta armike hapnin portat. Kjo është kthesa politike dhe ushtarake që çoi drejt fitores: në vitin 1437 Karli VII hyri ngadhënjimtar në Paris. Po Zhana nuk ishte më. Pasi u plagos para Parisit (shtator 1429) ajo u kap nga borgonjonët, të cilët ia shitën anglezëve. Ata hapën menjëherë kundër saj një proces gjyqësor. U paraqit si shtriga e Ruënit para një gjykate të kryesuar nga Pierr Kushon, ipeshkëv i Bovesë, në të cilën bënin pjesë dyzet anglezë e po aq francezë anglofilë. Zhana nuk kishte mbrojtës, në një kohë kur edhe pjesëmarrja e gruas në luftë, veshur si mashkull, konsiderohej krim. Qëndroi e papërkulur para gjykatësve, ripohoi se “zërat” nuk e kishin gënjyer, kapërceu një çast ligështie, i thirri sërish “zërat”, dëgjoi pa i luajtur qerpiku dënimin me vdekje: djegie mbi turrën e druve si shtrigë.

E dogjën, sapo i kishte mbushur 19 vjet, në mes të Sheshit të Tregut në Ruë. Nga flakët, që ia pushtonin trupin, ajo s’ia ndante sytë të Kryqëzuarit, të cilin rrëfyesi e mbante të ngritur lart para saj. Në vitin 1455 papa Kalisti III urdhëroi të rishikohej procesi e të rehabilitohej plotësisht Virgjëra e Orleanit. Zhanë d’Ark, për të cilën janë shkruar mijëra faqe historike e letrare, u shpall e lume nga papa Piu X në vitin 1910; shenjte – nga Benedikti XV në vitin 1920./KultPlus.com

Media britanike “Rest Less”: Shqipëria – mes vendeve të mahnitshme për zbulime kulturore

Bota është e madhe, e bukur dhe emocionuese, e përbërë nga kultura të ndryshme magjepsëse. Kultura është thelbësore për ekzistencën njerëzore dhe përshkruan besimet, vlerat dhe traditat e përbashkëta sipas të cilave jeton çdo komunitet!

Udhëtimi në vende me kultura të ndryshme mund të jetë jashtëzakonisht i dobishëm. Jo vetëm që na ofron perspektiva të reja për botën, por gjithashtu na ndihmon të krijojmë lidhje të pasura dhe kuptimplote me një gamë më të gjerë njerëzish! shkruan në një artikull gazetarja Elise Christian, të botuar në të përditshmen britanike restless.co.uk .

Shqipëria është renditur mes 11 destinacioneve më të mahnitshme për zbulime kulturore.

Ndërsa Shqipëria ka përjetuar një fluks turistik vitet fundit, kultura e saj rurale mbetet e jashtëzakonshme, ku shumë vendas ende jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria.

Shqipëria është gjithashtu një vend me plazhe të mahnitshme, fshatra idilike, pamje mahnitëse të Alpeve dhe vende të pabesueshme historike, siç janë mbetjet e Perandorisë Osmane.

Ky vend i Evropës Jugore ka gjithashtu shumë xhevahirë të fshehur.

Një prej tyre është “Syri i Kaltër” një burim misterioz me ujëra të kaltër verbues me një thellësi të panjohur .

Gjirokastra – e përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005, karakterizohet nga shtëpitë prej guri që ngjajnë me fortesa të vogla dhe rrugët me kalldrëm që të çojnë në pazarin e qytetit.

Vija bregdetare e saj gjarpëruese, e quajtur Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe me ujëra të thellë blu dhe vendpushime magjepsëse si Dhërmiu dhe Ksamili.

Në brendësi të vendit, do të zbuloni male të larta, kështjella dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake./atsh/KultPlus.com

Aktorja Margarita Xhepa: Si t’i përqafojmë vështirësitë e jetës dhe t’i kthejmë ato në mundësi

‘UNICEF Albania’, në një nga “Mësimet e së Premtes” u bashkua një aktore ikonë shqiptare, Margarita Xhepa, e cila në moshën 90-vjeçare dhe me një karrierë mbi 70-vjeçare, ndau me stafin e UNICEF-it mençurinë e saj, të fituar përmes përvojave personale.

E njohur për punën e saj dhe interpretimet e pashoqe në afro 40 filma dhe 150 pjesë teatrale, ajo ka portretizuar personazhe të shumtë në shumë zhanre dhe është renditur ndër aktoret më të vlerësuara në Shqipëri. Pak ditë më parë, e ftuar nga ministri shqiptar i Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, ajo ka festuar ditëlindjen me një ceremoni zyrtare.

“Nuk jam mësuar të festoj ditëlindjet e mia. Në brezin tim, ditëlindjet e vajzave nuk festoheshin kurrë. Vetëm djemtë, burrat, por gratë … rrallë”, rrëfeu Margarita.

Pavarësisht nga mosha e saj dhe angazhimi i vazhdueshëm në jetën publike ende, ajo nuk mundi të refuzonte ftesën e UNICEF-it për një fjalim motivues dhe të ndante njohuritë e saj për arritjen e balancës punë-jetë me stafin. Veprimtaria, e konceptuar si një “Talk-show”, u moderua me mjeshtëri nga Emira Shkurti, Specialiste e Drejtësisë për Fëmijët – një grua me shumë talente, përfshirë edhe pasionin për muzikën.

Salla e mbledhjeve të UNICEF-it në Shqipëri ishte e mbushur plot. E pyetur për çelësin e suksesit, artistja theksoi se si një ndjenjë qëllimi i jep jetës kuptim dhe përmbushje më të madhe. Duke ndarë përvojat e saj unike, ajo tregoi se si t’i përqafojmë vështirësitë në jetë dhe t’i kthejmë ato në mundësi, pasi thelbësoret e vërteta në jetë janë vetëm dy: virtyti dhe mençuria. Të jetosh një jetë të disiplinuar me një ndjenjë qëllimi dhe të jetosh në përputhje me vlerat dhe parimet e tua është ajo që mund ta bëjë një ekip të duket i mrekullueshëm!

Mes shumë çështjeve të ngritura, për të ardhmen e të rinjve dhe se si UNICEF mund t’i përgjigjet më mirë nevojave të tyre, ajo shprehu shqetësimin e saj për qëndrimet e brezit të ri në shoqëri dhe bëri thirrje për një ndjenjë modestie, mirënjohjeje dhe respekti. Ajo vuri në dukje rolin e përgjegjësisë së familjes dhe prindërve për t’u kujdesur për fëmijët e tyre dhe për të komunikuar me ta. Aktorja  gjithashtu bëri thirrje për më shumë mundësi jashtëshkollore për adoleshentët, për të ndihmuar talentet e rinj të shfaqen dhe rriten, si dhe të mbështesin një klimë të përgjithshme më të favorshme për artin, kulturën dhe emancipimin shoqëror.

Fjalimi motivues i mbajtur stafit për t’u përpjekur për përsosmëri pa sakrifikuar mirëqenien e tyre dhe për të qëndruar të bazuar në vlerat e tyre, krijoi një përshtypje mbresëlënëse. Enkelejda Bregu, Specialiste e Politikave Sociale, së fundmi iu bashkua UNICEF-it, ku tha: “Më duhet ta pranoj, takimi me aktoren e madhe, Margarita Xhepa ishte më i miri për mua, mbresëlënës, argëtues, emocionues dhe i mbushur me reflektime për këdo nga ne. Shumë shpesh ne kapemi lehtësisht në rutinën, zhargonin dhe klishetë. Ndonjëherë, shumë lehtë mund ta gjejmë veten të kapur në egoizëm, mungesë besimi dhe viktima të ishujve tanë.”

Elvana Pernaska, Menaxhere e Burimeve Njerëzore, tha: “Përbërësit e bisedës së saj ishin si një recetë e pasur për mua, se si të bëj jetën me më kuptim dhe të suksesshme. Mençuria e Margaritës ishte shumë rreth Thjeshtësisë dhe Dashurisë se si të jesh mirënjohës në jetë, të tregosh mirënjohje, të punosh shumë dhe ta duash atë që bën, të jesh i disiplinuar, të jesh i sinqertë, të tregosh dhembshuri, të duash familjen tënde, të tregosh kujdes për njerëzit, të tregosh kujdes për të moshuarit, për edukimin e brezave të rinj – tju mësoni atyre historinë dhe kulturën e vendit, sesi të ekspozoni veten ndaj artit dhe kulturës pasi kjo na bën më të mirë…”

Murat Sahin, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri rrëfen: “Në ditët e sotme shumë organizata po bëjnë biznes për fëmijët, sfida është si të dallojmë veten nga të tjerët, prandaj duhet të frymëzojmë njerëzit, kemi nevojë për heronj kombëtarë si zonja Xhepa që të na sfidojnë dhe shoqëria për të mirën më të madhe për fëmijët. Ne do të vazhdojmë me sesionet “Mësimet e së Premtes” dhe do të ftojmë ekspertë jotradicionalë dhe njerëz të njohur nga sfera të ndryshme të jetës për frymëzim dhe motivim të mëtejshëm. Liberale/TemA/ KultPlus.com

Zigmund Frojd: Vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten

Sa të vërteta përballon një mëndje, sa të vërteta guxon te thote ajo? Për mua kjo është bërë gjithnjë e më tepër masa e vërtetë e vlerave njerëzore. Gabimi, besimi në një ideal nuk është verbim, gabimi është paburrëri. Çdo ide, çdo hap përpara drejt njohjes rrjedh nga guximi, nga rreptësia ndaj vetvetes, nga pastërtia ndaj saj, kumton Fridrih Niçe. Nëpër këtë synaps kalon gjithçka që përshkruan simbolikën e këtij gjeniu, kësaj shkrepëtime drite të fillimshekullit.

Masa me e sigurt e çdo force ështe qëndresa që ajo mposht. Kështu, veprimi fillimisht përmbysës, pastaj rindërtues i Zigmund Frojdit kuptohet me të vërtetë vetëm po të përfytyrojmë moralin e një periudhe të mëhershme dhe të tashmes kur merr zë guximi i një mjeku që do të shkundte nga themelet jo vetëm pikpamjet e deriatëhershme për psikoanalizën por do të shtangte gjithë botkuptimin akademik që strukej pas panevojës për ta njohur njeriun me atë çfarë ai është.

“Instinktet nuk lejohen t’i shtypësh, dhe është e kotë të supozosh se kur i shtyp, ata ikin e zhduken përgjithmonë. E shumta, mund t’i ndrydhësh, duke i kaluar nga vetëdija në pavetëdije.

Por duke iu nënshtruar kësaj shmangieje të rrezikshme, ata grumbullohen në thellësi të shpirtit dhe, duke fermentuar vazhdimisht, krijojnë shqetësime nervore, çrregullime dhe sëmundje.

Forca e instinkteve të epshit, të damkosura nga morali, përbëjnë një pjesë të pashkatërrueshme të qenies njerëzore që rilind në çdo embrion, se ky element nuk mund të shmanget kurrë, por në disa raste arrin të zbutet veprimi i tij duke kaluar në vetëdije.

Instinktet mund t’i disiplinojë vetëm ai që i njeh, demonët mund t’i zbusë vetëm ai që i nxjerr nga honi i tyre i errët në dritë dhe i sheh në fytyrë. E rëndësishme nuk është t’i mbytësh në heshtje të fshehtat më të mistershme të njeriut, por t’i detyrojë ata të flasin.”

… dhe ai Zigmund Frojd (6 maj 1856 – 23 shtator 1939) mjeku, neurologu udhe pionieri i psikanalizës, i vetëm kundër të gjithëve, i’a arriti kësaj sfide, e çliroi njeriu nga robëria e kahershme për t’i dhënë lirinë e themeltë si shpërblim.

Idetë e Frojdit për shumë vite vazhuan të trajtoheshin si blasfemi. Ai kishte nxjerrë nga terri një ushtri të pamatë ligësie që fshihej brenda “homo sapiens”. Ai çliroi njeriun nga alogjizmi trashanik sipas së cilës, kur një gjë e fsheh, ajo nuk ekziston. Sipas tij vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten.

***

Në vitin 1923 Zigmund Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetera operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi ai mbërriti në Angli, dhimbjet u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij aplikimin e një doze morfine vdekjeprurëse. Më 23 shtator të vitit 1939 ai shpëtoi nga dhimbjet dhe vuajtja që zgjatonte me agoninë e një fati pa shpresë, duke u shuar.

Ai është në gjithçka i përkorë, edhe në guximin për të ngritur zërin, dhe në kushtrimin që lëshon përbindshëm në kllapinë ku dergjet vetëdija e kohës.

Ai ishte i vetmi që mundi të depërtonte më thellë se askush tjetër më parë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut. Nuk qe aspak e lehtë udha që do të merrte ky Odise i shpërfaqjes së fatit dhe fatalitetit, ku padija e kishte kyçur njeriun, këtë krijesë sa prepotente aq dhe inferiore.

Kaluar mbi një energji të pashtershme angazhimi vetëmohues, ai do të rrëmonte zhguallin e trashë ku njeriu strukej e të nxirrte që andej, ta ç’burgoste prej misterit dhe bestytnishë, frikës për të hyrë brenda vetes dhe ndjellakeqes për ta nxjerrë prej skutave të errëta e për ta shpaluar faqe dritet. Si asnjëherë më parë, si të vetmen shtangie që bota do ta kundronte gojëhapur dhe anatemuese, ai guxoi dhe triumfoi. E denoncoi njeriu e nënvetëdijes dhe vetëdijes, para vetvetes. E shfletoi atë si një libër të dënuar të mbetej i mbyllur. E tregoi me gisht. E përzuri me shqelma nga skutat ku kishte shekuj që strukej. I dha dritë që i duhej për të parë dhe të vërtetën e tronditëse për të ardhur në vete.

Mendimet ushqehen po aq me përgënjeshtrime sa me vërtetime, një vepër ekziston jo më pak nga urrejtja sesa nga dashuria që zgjon. I vetmi triumf vendimtar i një ideje, i vetmi gjithashtu që jemi të gatshëm edhe ta adhurojmë, është shkrirja e saj në jetë. Sepse asgjë, në kohën tonë të një drejtësie të pasigurt, nuk e rindez dhe aq besimin në epërsinë e mendjes sesa shembulli i gjallë i njeriut të vetëm që ka gjithnjë guxim të thotë të vërtetën për ta përhapur në tërë gjithësinë.

Ai ishte Zigmund Frojd. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Vepra e humbur e Caravaggio shfaqet në ekspozitë në Madrid

Një nga zbulimet më të mëdha në historinë e artit, një pikturë e sapo verifikuar nga artisti i shekullit XVII Caravaggio (Michelangelo Merisi da Caravaggio) po shfaqet në muzeun “Prado” në Madrid, sipas BBC.

“Ecce Homo”, e cila tregon guvernatorin romak Ponc Pilatin që prezanton Krishtin para njerëzve, është një nga vetëm 60 veprat e njohura të mjeshtrit italian – që i shpëtoi vëmendjes së botës së gjerë të artit, pasi fillimisht iu atribua një artisti më pak të njohur.

Vepra u tërhoq nga shitja me urdhër të qeverisë spanjolle në vitin 2021, disa orë përpara se të shitej në ankand për një çmim fillestar prej 1,500 euro.

Tani, tre vjet pas asaj ndërhyrjeje vendimtare, vepra po ekspozohet për herë të parë që nga konfirmimi i statusit të saj të vërtetë.

Në fillim të këtij muaji, “Prado” tha se piktura ishte “pa dyshim, një kryevepër e Caravaggio”, duke e quajtur atë “një nga zbulimet më të mëdha në historinë e artit”.

Caravaggio, i cili vdiq në vitin 1610 në moshën 38-vjeçare, ishte i njohur për përdorimin dramatik të dritës dhe hijes për të sjellë një realizëm të thellë psikologjik në skenat e dhunshme që ai përshkruante, përgjithësisht.

Historianët e artit e kanë përshkruar punën e tij si fillimin e “Pikturës Moderne”.

“Ecce Homo” besohet se i përkiste koleksionit privat të mbretit spanjoll Philip IV, përpara se të ekspozohej në apartamentet e djalit të tij, Charles II.

Ajo u rishfaq në Madrid në prill 2021, ku u përshkrua si produkt i një artisti që i përkiste  piktorit spanjoll të shekullit XVII, José de Ribera.

Por, pasi ekspertët në “Prado” shprehën dyshimet e tyre për autorësinë e vërtetë të pikturës, Ministria spanjolle e Kulturës ndërhyri për të bllokuar shitjen e saj.

Ajo do të ekspozohet deri në tetor në një ekspozitë të veçantë pas një marrëveshjeje me pronarin e saj të ri, që besohet të jetë një shtetas britanik që jeton në Spanjë.

Sipas raportimeve të medieve spanjolle, piktura kaloi nga një pronar te tjetri duke arritur vlerën e 36 milionë eurove.

Jorge Coll, drejtuesi i galerisë së artit në Londër, “Colnaghi” tha për gazetën “El País” se piktura do të mbetej në koleksionet publike, në vend që të përfundonte në shtëpinë e pronarit. /atsh/ KultPlus.com

Ansambli ‘Romanasul’ nga Rumania, fitues i Festivalit Ndërkombëtar ‘Aulona Folk’

Ansambli “Romanasul” nga Rumania u shpall fitues i edicionit të 16-të të Festivalit Ndërkombëtar “Aulona Folk”, i zhvilluar për katër ditë në qytetin e Vlorës.

Kupa e festivalit iu dorëzua në natën finale ansamblit rumun nga zëvendësministrja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello.

Nata finale e këtij festivali u mbyll përmes një koncerti me numra të zgjedhura nga të gjitha grupet pjesëmarrëse të këtij edicioni.

Për katër ditë me radhë 300 artistë nga grupet përfaqësuese të folkut nga Italia, Ukraina, Maqedonia e Veriut, Kosova, Greqia, Hungaria, Rumania si dhe ansamble e grupe nga Shqipëria e kthyen qytetin bregdetar në një epiqendër të folkut europian jo vetëm për spektatorët që e ndoqën pranë skenës ngritur në sheshin e Stadiumit “Flamurtari” por edhe në sheshet e rrugët e qytetit.

Hapja e festivalit në sheshin historik të Flamurit, parada e kostumeve në Bulevardin “Ismail Qemali”, koncertet në mjediset e hapura të Qendrës Historike, në Lungomare, Pyllin Orbital, vizitat në Muzeun Kombëtar “Pavarësia” dhe kudo në rrugë e trotuare i dhanë Vlorës një atmosferë sa festive aq edhe me ritme e ngjyra kostumesh shumëngjyrëshe.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli tha për ATSH-në se “përveç dimensionit kulturor, i cili u demonstrua përmes këngëve dhe valleve nga secili shtet përfaqësues jo pak me interes u përcoll edhe ai i turizmit kulturor, ku artistët pjesëmarrës në festival vizituan nga afër dhe përjetuan magjinë e detit dhe bregdetit vlonjat”.

Festivali u organizua nga Qendra Kulturore “Aulona”, me mbështetjen kryesore të bashkisë së Vlorës./ atsh/ KultPlus.com