Bertrand Russell mbi zilinë, fragment nga ‘Pushtimi i lumturisë’

“Pos brengave të mundshme, një nga shkaqet më njohura të palumturisë, është zilia. Zilia, do të thosha, është njëra ndër pasionet më të përgjithshme dhe më të thella të njeriut.

Ajo mund të hetohet lehtë te fëmijët para se të mbushin një vit dhe çdo pedagog kësaj duhet t’i kushtojë kujdesin më të hollë. Në shfaqjen më të vogël të afrisë ndaj një fëmije në dëm të tjetrit, hetohet menjëherë dhe nuk durohet. Kushdo që ka punë me fëmijë, duhet domosdo që kur ndan, të jetë i drejtë deri në fund, i përkryer, i ashpër dhe i pandryshueshëm.

Mirëpo fëmijët vetëm pak më tepër e zbulojnë lakminë dhe xhelozinë e tyre se sa të rriturit. Ky emocion është njësoj mbizotërues midis fëmijëve dhe të rriturve.

Midis damave mesatare të çmuara, zilia luan një rol jashtëzakonisht të madh. Nëse uleni në metro dhe ndodh që pranë vagonit të kalojë ndonjë grua e bukur e veshur mirë, shikojini sytë e grave të tjera. Do ta vëreni se secila prej tyre, me përjashtim të mundshëm të atyre që janë të veshura më mirë, e vështrojnë atë grua me shikim smirëzi dhe do të përpiqen të gjejnë diçka që është nënçmuese për të.

Dëshira për skandale është shprehje e kësaj smire të përgjithshme: edhe çfarëdo tregimi kundër gruas tjetër besohet menjëherë pa fakt bindës. Moralizimi i shumëfishtë i shërben po këtij qëllimi: u’a kanë zili atyre që bëjnë mëkat, kurse në të njejtën kohë e konsiderojnë se është virtyt të dënohen ato për mëkatet e tyre. Ky lloj i veçantë i virtytit është sigurisht shpërblim i vetvetes.

Saktësisht po kjo gjë, ndërkaq, mund të vëheret plotësisht edhe ndër burra, me përjashtim se gratë i konsiderojnë rivale të gjitha gratë e tjera, kurse burrat si rregull e kanë këtë ndjenjë vetëm ndaj burrave të profesionit të njejtë.”

– Bertrand Russell“Pushtimi i lumturisë” / KultPlus.com

Cybertruck-u i Tesla-s është bërë makina më e urryer në botë

Festivali Mardi Gras i New Orleans feston të çuditshmen, por mes kostumeve, maskave dhe festimeve të shfrenuara, një e ardhur rishtaz në festimet e këtij viti nuk u prit mirë.

Gjatë një parade, pesë Tesla Cybertrucks që transportonin drejtuesit e aktivitetit u pritën me fishkëllima të vazhdueshme, u rrethuan dhe u goditën me kanaçe birre, mbeturina dhe një lumë rruazash të Mardi Gras.

Pavarësisht reputacionit të tyre si mjete të forta, dy prej dritareve të automjeteve u plasaritën.

“Kishte fishkëllima dhe sulme nga fillimi deri në evakuim,” shkroi një nga drejtuesit e paradës, duke thënë se kishin mbajtur dyert e makinave të mbyllura nga frika se mos i tërhiqnin zvarrë jashtë. Policia në fund i devijoi automjetet nga parada, ndërsa drejtuesit e aktivitetit u detyruan të vazhdonin në këmbë.

Reagimi ishte i parashikueshëm. New Orleans është një bastion liberal në Louisiana, një pjesë ndryshe shumë republikane e Amerikës. Cybertruck – një përbindësh këndor prej çeliku inox – është bërë një vijë ndarëse në një Amerikë gjithnjë e më të polarizuar dhe një simbol i zhvendosjes radikale të Elon Musk drejt së djathtës politike.

Për shumë njerëz në të majtën politike, ky automjet është shndërruar në një kapele MAGA (Make America Great Again) me rrota.

Shitjet e makinës kanë qenë zhgënjyese – me rreth 40,000 njësi vitin e kaluar, ato përfaqësojnë vetëm 2% të totalit të shitjeve të Tesla-s. Por Cybertruck-u është bërë një shënjestër për kundërshtarët në rritje të Musk, ose një shenjë sfide ndaj rezistencës liberale. “Nuk kam pasur kurrë një makinë që të krijonte kaq shumë urrejtje,” shkroi një pronar në një grup në Facebook për Cybertruck. “Dhe unë e përqafoj këtë me gjithë fuqinë time.”

Një tjetër shtoi: “Pesë vjet më parë, kur e porosita këtë makinë, nuk do ta kisha menduar kurrë që kur më në fund ta merrja, ajo do të shihej si një përfaqësuese lëvizëse e Elon Musk – ose ndoshta e Trump.”

Të tjerë raportojnë se shoferët e makinave të tjera u tregohen të pasjellshëm në rrugë, duke bërë gjeste armiqësore dhe duke ngarë makinat në mënyrë agresive pranë tyre. Në një rast, një kalimtar përdori një Cybertruck të parkuar si tualet publik. Makina ka një modalitet monitorimi që regjistron video të incidenteve të tilla.

“Duhet një personalitet i fortë për të ngarë një Cybertruck dhe nuk është për të gjithë, sepse thjesht tërheq shumë vëmendje,” thotë Gene Munster, një partner menaxhues në Deepwater Asset Management dhe një ndjekës i kompanisë. Ai thotë se të kesh një Cybertruck është si të ngasësh një “pikëçuditëse mbi rrota.”

Ndërsa Musk është bërë një nga aleatët më të besuar të Trumpit, mungesa e respektit ndaj makinës është kthyer në vandalizëm në mes të një vale protestash kundër Tesla-s në SHBA javët e fundit. Cybertruck-ët janë spërkatur disa herë me grafite që përfshijnë svastika, dhe në të paktën tre raste janë sulmuar koncesionarë makinash në incidente të dyshuara si zjarrvënie kriminale.

Në incidentin më të fundit, të martën në mbrëmje, disa makina u dogjën në një qendër të Tesla-s në Las Vegas, me fjalën “Resist” të spërkatur në derën e njërës prej tyre.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, e quajti aktin “terrorizëm të brendshëm”. Musk tha se Tesla ishte viktimë e “urrejtjes dhe dhunës nga e majta.” Asgjë nga kjo nuk ishte në mendjen e Musk në nëntor 2019, kur ai prezantoi Cybertruck përpara një audience me fansa të entuziazmuar. Miliarderi po përpiqej të hynte në tregun fitimprurës të kamionçinave amerikane, të dominuar nga modelet tradicionale si Ford F-150. Ai besonte se vetëm një dizajn i guximshëm dhe jokonvencional do të mjaftonte.

“Nuk duket si asgjë tjetër,” tha Musk para publikut – një fakt me të cilin të gjithë mund të pajtoheshin. Ai pretendoi se makina mund të ishte më e shpejtë se një Porsche 911 dhe më e fuqishme se një F-150, dhe se ishte e pathyeshme. Ky pretendim u hodh poshtë në mënyrë spektakolare kur një test për të demonstruar dritaret rezistente ndaj goditjeve dështoi, me xhamat që u thyen nga një sferë metalike.

Kjo nuk i trembi blerësit potencialë, të cilët u tunduan nga premtimi i një çmimi fillestar prej 40,000 dollarësh. Më shumë se një milion njerëz depozituan një shumë të rimbursueshme prej 100 dollarësh për ta rezervuar.

Por interesi nuk u kthye në një bum shitjesh. Kur Cybertruck mbërriti në fund të vitit 2023 – dy vjet me vonesë nga premtimi i Musk – modeli më i lirë kushtonte 60,990 dollarë, mbi 50% më shumë se çmimi i reklamuar fillimisht.

Problemet e prodhimit e kanë ndërlikuar situatën. Tesla ka përdorur teknika të pazakonta si gigacasting, që përfshin prodhimin e pjesëve të mëdha të shasisë në një copë të vetme, në vend që të ngjiten pjesë më të vogla. Edhe pse kjo metodë premton ulje të kostove, Cybertruck ka qenë subjekt i disa tërheqjeve nga tregu për shkak të problemeve si pedalët e gazit që shkëputeshin dhe fshirëset e xhamave që nuk funksiononin.

Në javën e fundit, blerësve të mundshëm u është thënë se porositë janë pezulluar për shkak të një problemi me zbukurimet metalike që mund të shkëputen gjatë lëvizjes. Shitjet mund të kenë arritur tashmë kulmin, me mbi 5,000 njësi të shitura në muajin shtator të vitit të kaluar, por që ranë nën 3,000 në shkurt, sipas Cox Automotive.

Tregjet ndërkombëtare nuk do ta shpëtojnë situatën. Tesla e prezantoi Cybertruck në një turne demonstrimi në Evropë vitin e kaluar, por makina nuk është e ligjshme për rrugët në Britani apo BE, pasi këndet e saj të mprehta nuk përmbushin rregulloret e sigurisë evropiane.

Pavarësisht shitjeve modeste, Cybertruck është bërë një fenomen kulturor. Ai ka tërhequr vëmendjen e yjeve si Katy Perry, Kim Kardashian dhe Shaquille O’Neal. Me gjithë problemet, aleanca e Musk me Trump mund të rrisë interesin për Teslën.

“Tesla shiti rreth 600,000 njësi në SHBA vitin e kaluar,” thotë Ike Silver. “Trump mori 77 milionë vota.” / KultPlus.com

7G2CEHED4RA010306

Papa do të dalë të dielën nga spitali ku qëndroi për më shumë se një muaj

Papa Françesku do të dalë të dielën nga spitali ku ka kaluar më shumë se një muaj duke u trajtuar për pneumoni të dyfishtë, tha Dr. Sergio Alfieri, kreu i skuadrës që kujdeset për Papën ka bërë të ditur.

Papa Françesku ndodhet në spital që nga 14 shkurti, njofton CNN.

Papa 88-vjeçar gjithashtu planifikon të ofrojë një bekim dhe përshëndetje për dashamirësit në fund të lutjes së Angelus të së dielës, tha më herët të shtunën zyra e shtypit e Vatikanit.

Papa zakonisht drejton lutjen e Engjëllit dhe ofron një reflektim çdo javë, por nuk e ka bërë këtë gjatë pesë të dielave të fundit. Vatikani tha se teksti i shkruar i fjalëve të Papës do të publikohet siç është bërë më parë.

Shtrimi aktual i Françeskut ka qenë qëndrimi i tij më i gjatë në Gemelli që nga zgjedhja e tij si Papë 12 vjet më parë. Ndërsa ai nuk është parë prej pesë javësh, prania e tij është ndjerë me Vatikanin duke lëshuar një mesazh të shkurtër audio nga Papa, si dhe një foto fundjavën e kaluar që e tregon atë duke u lutur në kishën e atij spitali.

Vatikani tha të mërkurën se gjendja e papës dukej se po përmirësohej, duke shtuar se pneumonia e tij konsiderohet nën kontroll. Ai nuk ka më nevojë për frymëmarrje të asistuar, por ka vazhduar të marrë oksigjen.

Javën e kaluar, Papa miratoi një proces të ri reformash tre-vjeçare për Kishën Katolike, duke dërguar një sinjal të fortë se ai synon të qëndrojë në detyrë pavarësisht qëndrimit të tij të gjatë në spital.

Reformat në tryezë përfshijnë si t’i jepen role më të mëdha grave në Kishën Katolike, duke përfshirë shugurimin e tyre si dhjakë dhe përfshirjen më të madhe të anëtarëve joklerik në qeverisje dhe vendimmarrje.

Ndërsa përditësimet e fundit mjekësore nga Vatikani kanë folur për përmirësim, ai nuk ka dhënë asnjë detaj se kur Papa mund të lirohet nga spitali dhe nuk është ende e qartë nëse ai do të dalë në kohë për Javën e Shenjtë dhe Pashkët./ KultPlus.com

‘Mirësia e njeriut është një flakë që mund të fshihet, por nuk zhduket’

Thënie frymëzuese nga Nelson Mandela

Nelson Mandela lindi më 18 korrik të vitit 1918. Gjatë gjithë jetës së tij ai ishte luftëtar i lirisë; ai luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej zezakëve në Afrikë. Shumë vite të jetës së tij, Mandela i kaloi nëpër burgje. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.

Nelson Mandela ndoqi Universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.

Në vitin 1962, 44-vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”

Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.

“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.

Si president, Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.

“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.

KultPlus, ju sjell disa nga thëniet frymëzuese të ish-Presidentit të Afrikës së Jugut.

“Askush nuk lind me urrejtje kundër një race tjetër, kundër një religjioni tjetër apo kundër një shtrese tjetër sociale. Njerëzit e mësojnë më vonë urrejtjen. Atëherë, nëse mësojnë urrejtjen, ata mund të mësojnë edhe dashurinë, meqenëse për zemrën njerëzore dashuria është diçka më e natyrshme se urrejtja.”

“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ringritur sërish”.

“Unë jam në thelb një optimist. Nuk mund ta them nëse është e lindur, apo e ushqyer. Pjesë e të qenit optimist, është që të mbash kokën drejtuar nga Dielli, dhe me këmbët që ecin përpara”.

“Mirësia e njeriut është një flakë që mund të fshihet, por nuk zhduket”.

 “Dikur toleroja shumë sepse nuk doja të humbja njerëzit, tani vendos kufij sepse nuk dua të humbas veten”./ KultPlus.com

Gjykata Kushtetuese i lejon beqarët të birësojnë, duke i dhënë fund një ndalimi 40-vjeçar

Gjykata Kushtetuese e Italisë vendosi dje se të pamartuarit mund të birësojnë të mitur të huaj, duke i dhënë fund një ndalimi 40-vjeçar të kësaj praktike dhe duke vendosur një precedent që mund të hapë rrugën për të lejuar beqarët italianë të birësojnë brenda vendit, sipas AP.

Vendimi i gjykatës shpalli jokushtetues përjashtimin e beqarëve nga birësimet ndërkombëtare sipas një ligji italian të vitit 1983, i cili lejonte vetëm çiftet e martuara të ndiqnin birësimet ndërkombëtare.

Sipas gjykatës më të lartë të Italisë, përjashtimi i personave beqarë rrezikonte efektshmërinë e të drejtës së fëmijës për t’u rritur në një mjedis familjar të qëndrueshëm dhe harmonik.

Vendimi i gjykatës pasqyron gjithashtu shqetësimet e avokatëve të birësimit për një prirje në rënie në birësimin ndërkombëtar në Itali gjatë viteve të fundit – për shkak të vështirësive në rritje për çiftet në kryerjen e birësimeve jashtë vendit dhe kostove të larta që lidhen me procesin e gjatë.

Sipas komisionit ndërkombëtar të birësimeve të Italisë, në periudhën e parë të 2024 birësimi ndërkombëtar në vend ra me 5,6% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë dhe me 14,3% krahasuar me 2022.

Qeveria e krahut të djathtë të Italisë e kryesuar nga kryeministrja, Giorgia Meloni ka kundërshtuar birësimet e beqarëve në gjykatë, por opozita e qendrës së majtë të vendit e përshëndeti vendimin e së premtes si një “pikë kthese historike”. / KultPlus.com

Gëte: Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një burrë për fëmijët e tij, është të dojë nënën e tyre

Më 22 mars të vitit 1832, në Gjermani, vdiq njëri ndër shkrimtarët më të njohur gjerman, Johan Volfgang Gëte.

Gëte, akoma vazhdon të njihet si ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore, shkruan KultPlus.

Sot, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të këtij shkrimtari të pavdekshëm.

“Fati na i plotëson pjesën më të madhe të dëshirave tona, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej asaj që ne kemi projektuar në dëshirimet tona.”

“Njerëzit e angazhuar në politikë janë gjithnjë dinamikë, kërkojnë pareshtur mundësi të reja, hidhen nga njëra anë në tjetrën, siç përpëlitet i sëmuri në krevat, duke menduar se ashtu do të gjejnë rehatinë e munguar.”

“Do të parapëlqeja të mbetesha në gjykimin e një fëmije, sepse për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, fëmijët janë një gur prove, ata nuk kanë ende nevojë për të vjetrit që të gënjejnë vetveten.”

“Del se një grumbull librash nuk janë shkruar që dikush të mësojë diç nga to, më shumë janë shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë.”

“Bukuria, ajo që gjithnjë ka aftësinë të na magjeps, është manifestim i ligjeve sekrete natyrore, të cilat nëse nuk i qëmtojmë me ngulmin e një eksploratori, do të na fshiheshin ne përgjithmonë për të mbetur mister.”

“Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë gjithnjë kërcënuese.”

“Urrejtja është diçka e veçantë. Atë do ta gjeni më të fuqishmen, më të dhunshmen dhe të kahur deri në caqet e mizorisë atje ku shkalla e kulturës është më e ulëta.”

“Kush dëshiron të shpëtojë nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon, kush kërkon diçka më të mirë nga ajo që e ka, priret të veprojë përherë verbërisht.” / KultPlus.com

Rama ndjek punimet në shkollën “Edith Durham”: Godina e 48 arsimore e Tiranës Europiane, gati më 15 shtator

Një tjetër shkollë 9-vjeçare në kryeqytet po ringrihet nga themelet, duke shënuar godinën e 48 arsimore të Tiranës që transformohet në një institucion të denjë me standarde europiane.

“Edith Durham”, një nga shkollat me tradita të kryeqytetit do të mirëpresë nxënësit e saj në vitin tjetër shkollor me një infrastrukturë të zgjeruar, që përfshin përveç klasave të dyfishuara edhe terrene të bollshme sportive, bibliotekë, laboratorë mësimorë për çdo lëndë, etj.

Për të inspektuar punimet në kantier ishte sot Kryeministri Edi Rama së bashku me Kryetaren e deleguar të bashkisë Anuela Ristani.

“Shkolla ‘’Edith Durham’’, një nga shkollat më krenari e kryeqytetit, e hapur që në 1945, me rekonstruksion në 2003 dhe që atëherë nuk ishte prekur shtesa sepse ka pasur shumë kërkesa.

Kapaciteti i nxënësve këtu ka qenë shumë i madh, nga 36 nxënës me dy turne. Ajo që bëjmë është që po rindërtohet e gjitha që nga kati -0 që do funksionojë për shërbimet teknike, deri tek 3 nivele, ku kapaciteti i klasave dyfishohet për të njëjtët numër nxënësish, por shmanget tërësisht turni i dytë.

Kjo shkollë funksionoi edhe si rezervë për gjithë rikonstruksionin e “Emin Durakut’’ këtu afër. Ajo që do të ndodhë  është që këtu jemi në dy objektet e para, dhe pastaj do të vijojmë me objektin e tretë që do të krijojë gjithë këtë harkun që ju shikoni. Ajo që është e re, megjithëse numri i nxënësve nuk do të shtohet po të gjithë do të jenë në një turn.” – shpjegoi kryetarja e deleguar e Bashkisë Anuela Ristani – duke iu referuar projektit të shkollës, të ekspozuar në hyrje të kantierit.

Ajo tha ndër të tjera se mjediset e shkollës do të shfrytëzohen edhe për aktivitete të komunitetit në orët e pasdites.

“Numri i laboratorëve dyfishohet. Ka laboratorë çdo temë; laboratori i gjuhëve të huaja, fizikë, kimi, biologji. Ka dy salla polifunksionale për aktivitetet e shkollës, ka hyrje për ata me aftësi të kufizuar në nivelin e parë, ka dhe tualete që shërbejnë për personat me aftësi të kufizuar dhe hyrje në palestër edhe në sallat polifunksionale të nivelit të parë për komunitetin,  kështu që do të shfrytëzohen edhe jashtë orarit të shkollës për aktivitete për komunitetin. Ne kemi programin e “Shkolla në komunitet’’ që bëjmë dhe kurse të fëmijëve po mund të ketë edhe kurse për të rritur dhe aktivitete të tjera përveç palestrës.

Hyrja do të vazhdojë të jetë nga krahu ku është dhe do të lirohet edhe pjesa e oborrit ku ajo barriera do të jetë pak  shumë si shkolla “Sami Frashëri’’ që të mos krijojë mur me trotuarin. Standardet janë për hir të së vërtetës, shumë të mira, duke fillur që nga gjerësia e korridoreve deri tek ndriçimi i klasave. Në këtë shkollë si në asnjë shkollë tjetër kemi edhe ngrohje dhe ftohje kondicionimi. Dhe përveç atyre kemi dhe një sistem poshtë ku ndodhen të gjitha shërbimet; të ujësjellësit, të zjarrfikëseve. Ka 3 shkallë emergjence për daljen e fëmijëve në rast emergjence.

Do të ketë një sallë të veçantë për mësuesit. Do të ketë të gjitha hapësirat e bibliotekës.  Si kjo klasë që po ju tregoj, do të ketë 33 të tilla. Po ta shikoni edhe pamja e klasave sheh nga rruga dhe nga pjesa e oborrit.” – u shpreh Ristani.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë deri më tani, duke theksuar se duket shumë cilësore

“Këtu paskeni punuar shkëlqyeshëm këtu lart. Është një lloj pune me beton që është spektakolare. Shumë pastër. Është ambicioze shumë. Keni bërë një punë fantastike. Është shumë impresionuese.” – iu drejtua ai ndërtuesve./ KultPlus.com

Qeveria mbajti mbledhje elektoronike, emëroi bordet e KEK-ut dhe Postës së Kosovës

Qeveria në detyrë e Kosovës mbajti dje mbledhje elektronike në të cilën mori disa vendime.

Mes tyre edhe emërimet e bordeve të KEK-ut dhe të Postës së Kosovës.

Të gjitha vendimet e Qeverisë:

1.   Miratuar Rregulloren e Rezultateve në Punë në Sektorin e Shëndetësisë.

2.   Emëruar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata Energjetike e Kosovës/KEK Sh. A” me këtë përbërje:

                            i.           Valdrin Krasniqi, kryesue;

                          ii.           Merita Kasapolli, anëtare;

                         iii.           Filloretë Gashi-Sadiku, anëtare;

                         iv.           Shpetim Zharku, anëtar.

3.   Emëruar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Posta e Kosovës Sh.A” me këtë përbërje:

                            i.           Gëzim Paci, kryesues;

                          ii.           Safije Beseni, anëtare;

                         iii.           Sebahate Rexha, anëtare;

                         iv.           Visar Nura, anëtar.

4.   Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për bartje të së drejtës së shfrytëzimit të parcelës sipas Shtojcës 1. të këtij vendimi, me qëllim të ndërtimit të objektit për Degën e Farmacisë – Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

5.   Miratuar Dokumentin Strategjik dhe Planin e Veprimit për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme – NFH 2025-2030.

6.    Themeluar Ndërmarrjen Publike Lokale “Ekosistemi” Sh. A, Shtime. Kjo ndërmarrje themelohet me 100% aksione nga Komuna e Shtimes.

7.   Miratuar nismën për lidhjen e Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut për zbatimin e marrëveshjes së tyre dypalëshe në lidhje me bashkëpunimin për zhvillim.

8.   Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

9.   Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Hungarisë për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

10. Themeluar komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim në Pozitën e lartë të Kategorisë Drejtuese: Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, me këtë përbërje:

                            i.   Anita Kalanderi, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, kryesuese;

                          ii.   Fadile Dyla, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare;

                         iii.   Venera Çerkini, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtare;

                         iv.   Kaltrina Dauti-Bytyqi, u.d. Udhëheqëse e Divizionit të Burimeve Njerëzore në MFPT, anëtare;

                           v.   Valon Avdiu, ekspert i jashtëm, anëtar.

11. Themeluar komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitat e larta të Kategorisë Drejtuese për pozitat si vijon: Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike,  Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së  Kosovës për Siguri Publike,  Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, me këtë përbërje:

                            I.   Afërdita Beka, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, kryesuese;

                          II.   Fadile Dyla, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare;

                        III.    Naim Gashi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, anëtar;

                        IV.   Ahmet Gashi, u.d. i Udhëheqësit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, anëtar;

                          V.   Besnik Aliu, ekspert i jashtëm, anëtar.

12.  Themeluar komisionin Ad hoc për vlerësimin Profesional për Pranim në Pozitën e lartë të Kategorisë Drejtuese: Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me këtë përbërje:

                            i.  Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, kryesues;

                          ii.   Anita Kalanderi, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, anëtare;

                         iii.   Ilir Muçaj, Sekretar i Përgjithshëm në Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtar;

                         iv.   Lindita Osaj, Udhëheqëse e Divizionit të Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, anëtare;

                           v.  Lulzim Aliu, ekspert i jashtëm, anëtar.

13. Themeluar komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim në Pozitën e lartë të Kategorisë Drejtuese: Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Civil të Kosovës, me këtë përbërje:

                            i.  Jeton Qela, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, kryesues;

                          ii.   Anita Kalanderi, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë;

                         iii.  Ilir Muçaj, Sekretar i Përgjithshëm në Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtar;

                         iv.   Safete Selmani, Udhëheqëse e Divizionit të Burimeve Njerëzore në Autoritetin e Avicionit Civil të Kosovës, anëtare;

                           v.  Lulëzim Aliu, ekspert i jashtëm, anëtar.

14. Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore “Mekanizmi” që menaxhohen dhe administrohen nga AKP, shpronësimi i të cilës është i nevojshëm për realizimin e projektit: Ndërtimi i ndërtesave të banimit të përballueshëm dhe social për Komunën e Podujevës.

15. Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të  pronave të paluajtshme të  pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i Projektit: Qarkorja e Vjetër e Qytetit të Gjilanit.

16. Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të  pronës së paluajtshme “Pasuri shoqërore Kombinati i Drurit Ferizaj, Seksioni i Pyjeve Gjilan”, që menaxhohet dhe administrohet nga AKP, shpronësimi i të cilës është i nevojshëm për realizimin e projektit: “FLOËS” i financuar nga Banka Botërore dhe Ndërmarrja Rajonale për Ujësjellës “ Hidromorava” Sh.A.

17. Miratuar projektet kapitale si projekte shumë-vjeçare, sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, si në vijim:

                            I.  Renovimin e Stadiumit të Qytetit në Gjakovë;

                          II.   Stadiumi i Qytetit në Suharekë;

                        III.    Renovimi i objekteve kulturore.

18. Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 24/251 të datës 12 mars 2025.

19. Ndarë 350,000 euro për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

20. Miratuar Kontributin Kombëtar të Përcaktuar të Kosovës./ KultPlus.com

Celan dhe Gisele: katër letra

Gisèle de Lestrange, piktore franceze, dhe Paul Celan u takuan për herë të parë më 9 nëntor 1951, me të cilën u martua një vit më vonë

LETRA E PARË

Café Kléber,

Trocadéro, [Paris]

11 dhjetor 1951

I shtrenjti im,

Jam ende shumë afër teje, kujdesit tënd, syve të tu, sinqeritetit tënd të bukur dhe dashurisë tënde.

Jam shumë e lumtur të të tregoj se sa qetësisht rashë të fle dje. Dhe dëshira ime e vetme është të di se edhe ti je po ashtu rehat. Është kjo qetësi ajo që më shqetëson, ti e di, nuk është e natyrshme për mua – nuk është fare e natyrshme për mua, e ti je aq që ma dhe tash. Ende s’po mund ta kuptoj. Mos më pyet se çka mendoj, ngase nuk mund ta di ende.

Do të doja ta kuptoja.

Do të doja ta pranoja.

Do të doja ta njihja.

Të të njoh ty më lirshëm, por kjo më frikëson po ashtu – psataj, është kaq e ëmbël të të dua ty, përtej çdo logjike.

Do të doja të jesh i lumtur dhe unë po ndihem bukur larg teje, kaq e papërsosur për ty. Kjo gjithsesi është bukur shqetësuese.

Duhet të jetë tepër e vështirë të Duash një poet, një poet të pashëm. Ndihem aq e pavlefshme për jetën tënde, Poezinë tënde, Dashurinë tënde – dhe gjithçka që nuk është ti tashmë duket të mos ekzistojë për mua.

I dëgjoj fjalët e tua dhe ndihem bukur afër teje. Ma ka ëndja të jem edhe më afër. Më pëlqen të të shikoj – duke e ditur se je aty, duke të të parë të heshtur dhe të përqendruar, më jep vetëbesim, më qetëson në mënyrë të pabesueshme –

I dashuri im i shtrenjtë –

Më duket se një jetë e re tashmë ka filluar për mua – se ti tashmë ke krijuar brenda meje një lule jete që unë zor se mund ta shoh, por që tashmë është duke e imponuar veten bukur butësisht dhe me këmbëngulje.

E mbaj brenda meje, e frymoj me xhelozi gjithë ditën kur nuk mund të të shoh dhe tashmë ka zënë një vend bukur të mirë, bukur të pakuptueshëm. Jam shumë e ngadaltë në kuptimin e asaj që prapëseprapë e ndiej tashmë bukur fuqishëm.

I dashur, më duhet të të lë tash, do të jem e lumtur po gjete qoftë edhe gëzimin më të vogël, qoftë edhe vetëm për një sekondë, duke i parë këto radhë, sado që të shkruara keq. Më fal që s’di fjalë të bukura si ti – barti, i dashur Poet, në muzikën tënde të mrekullueshme.

E mërkurë – ishte pa asnjë fije dyshimi dëshira të të shihja ajo që më bëri të sajoja këtë premierë në La Hune – e cila nuk është deri te premten – dhe kjo është arsyeja pse po e lejoj veten të të shkruaj sot. Veç po deshe diçka tjetër, ma ha mendja se mund të shihemi të premten në orën 6:30 te La Hune. Sa larg – po do të jetë edhe më e ëmbël!

Puno, dashuria ime, dhe mos mendo për mua shumë – nëse kjo të shpërqendron. S’do ta doja këtë.

Do të punosh edhe të mërkurën po ashtu – dhe unë, në shtëpi, do të pikturoj, besoj – dhe kështu do të jemi shumë afër njëri-tjetrit.

Po t’i dërgoj mendimet e mia më të buta dhe shikimin tim që është i gjithi i yti, ngase ti po thua se të pëlqen

Gisèle

LETRA E DYTË

[Paris,]

12 dhjetor 1951

Dashuria ime, si mund të të rrëfej gëzimin që ndjeva këtij mëngjesi kur gjeta letrën tënde? Duhej të ishte edhe më i madh, ky gëzim, derisa frika, edhe pse e pranishme kur zemra befasohet, ishte rrezikshëm e përzier me atë gëzim –

Pra s’do të të takoj deri të premten… por të shtunën po ashtu, ma thuaj, dhe mbase edhe të dielën…

Po të shikoj, e shtrenjta ime, po të shikoj tashmë mbrapa kësaj mjegulle që shpresa, a s’mendon edhe ti kështu, s’do të lodhet se davarituri

Paul

LETRA E TRETË

[Paris,]

7 janar 1952], në orën dhjetë

Maïa, dashuria ime, do të doja të dija si të ta them sa shumë dëshiroj që e gjithë kjo të mbetet, të mbetet e jona, të mbetet e jona përgjithmonë.

Siç po e sheh, kam përshtypjen, duke ardhur drejt teje, se po lë botën, se po i dëgjoj dyert të përplasen mbrapa meje1, derë pas dere, ngase janë të shumta, dyert e kësaj të ndërtuara nga moskuptimi, qartësive të rreme, përtalljes. Me gjasë ka edhe dyer të tjera për mua, me gjasë ende nuk e kam përshkuar gjithë hapësirën në të cilën është përhapur kjo rrjetë e shenjave që nuk na udhëheqin drejt – por po vij, dëgjo, po të avitem, ritmi – po e ndiej – po ngadalësohet, dritat mashtruese po fiken njëra pas tjetrës, gojët gënjeshtare po mbyllen nga vetë jargët e tyre2 – s’ka fjalë më, s’ka zhurma më, asgjë më nuk i shoqëron hapat e mi –

Do të jem aty, pas teje, në një çast, në një sekondë që do ta inaugurojë kohën Paul

Paul

LETRA E KATËRT

[Paris]

28 janar 1952 — 17:00h

Maïa, dashuria ime, po të shkruaj, siç të kam premtuar – po si do të mund të mos të të shkruaja – po të shkruaj të të them se ti nuk resht se qeni këtu, bash mbrapa meje, se ti më shoqëron ngado që shkoj, se kjo botë është e jotja, vetëm e jotja, dhe e cila përhapet dhe e i ka vënë themelet, falë teje, e një dimensioni të ri, një koordinatë e re, të cilës para pak kohësh ndava mendjen t’i përgjigjem, që nuk është më ajo vetmi e pashueshme që më shtynte çdo çast të qëroj këdo që më dilte përpara, të gjuaj vetveten – ngase doja të jem korrekt dhe të mos ndaj askënd! – se gjithçka ndryshon, ndryshon, ndryshon përposh shikimit tënd –

E dashura ime, do të të telefonoj menjëherë, në orën shtatë, pasi të dal nga ora e mësimit3. Por s’do të resht së menduari për ty para se të të telefonoj – jam përherë në merak, pak më pak se dje, sigurisht, edhe më pak se pardje, por gjithmonë jam në merak siç nuk kam qenë kurrë në merak për ndokënd – por ti e di, s’është nevoja të ta them –

Atë që kam dashur deri tash, e kam dashur që të jem në gjendje të të dua ty

Paul

Shënime:

1) Ky imazh do të përdoret përsëri nga Celani në epitafin e shkruar në kujtim të birit të tij, “Grab-schrift für François,” Paul Celan, Die Gedichte: Neue kommentierte Gesamtausgabe in einem Band, ed. Barbara Wiedemann (Berlin: Suhrkamp, 2018;), p. 75: “Die beiden Türen der Welt / stehen offen: / geöffnet von dir / in der Zwienacht. / Wir hören sie schlagen und schlagen” [Që të dy dyert e botës/ janë të hapura:/ të hapura nga ti/ në muzg./ I dëgjojmë të përplasen, të përplasen.].

2) Celani i referohet relacionit të tij konfliktuoz me Vlaire Goll, e veja e poetit të ri Yvan Goll, e cila e kishte akuzuar rrejshëm Celanin se e kishte plagjiatizuar burrin e saj të ndjerë dhe, në gusht të vitit 1953, kishte filluar një fushatë përgojimesh, të cilës Celani i ishte referuar me ‘Infamie’. Mes shumë ngjarjeve shqetësuese, në mars të vitit 1956, Celani kishte marrë një letër anonime, pa dyshim të shkruar nga Claire Goll, në të cilën zbulomte deklaratat e supozuara të një shkrimtari nga Berlini lindor, Georg Maurer, duke e paraqitur Celanin si “mjeshtër të plagjiatit” (Meisterplagiator). Më 3 maj 1960, Celani u bë i vetëdijshëm për letrën përgojuese të titulluar “Unbekanntes über Paul Celan”, të botuar nga Claire Goll në një revistë të vogël të Munihut, ‘Baubudenpoet’. Këto shpifje do të përhapeshin shumë shpejt në shumë gazeta me qarkullim më të madh: me këtë, afera Goll do të hynte në një fazë virale.

3) Me qëllim që të fitonte para për ta mbajtur veten (si një shtesë e domosdoshme të ndihmës që merrte, si person pa shtet, nga Entr’aide universitaire française), Celani jepte mësime gjermanishteje dhe frëngjishteje dhe punonte si përkthyes.

/Marrë nga Paul Celan, ‘Letters to Gisèle’, New York Review Books, 2025/ KultPlus.com

Alpinistët e rinj, eksplorim dhe promovim atraksioneve turistike të Krrabës

Natyra e qyteteve shqiptare shpalos diversitetin në mënyra të mrekullueshme.

Fshati i Krrabës që ndodhet në pjesën juglindore të Tiranës dhe është një nga zonat me bukuri të veçanta natyrore që ofron destinacione të shumta e mjaft të lakmuar për t’u vizituar nga turistët.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ishte në Krrabë ku takoi me Eglin, Klismanin, Kudretin dhe Sokolin, 4 djem të rinj të apasionuar pas alpinizmit që promovojnë përmes rrjeteve sociale bukuritë natyrore të zonës së tyre.

Denaj shprehet se “me pasion dhe përkushtim ata nuk rreshtin së promovuar thesaret natyrore të Krrabës, Syrin e Ciklopit, Shpellën e Mbytjes dhe Lumin Katarak”.

“Zëri i tyre dhe dashuria për vendlindjen, janë ftesa më e bukur për ta kthyer Krrabën në një destinacion turistik gjithnjë e më të njohur”, thekson ministrja.

Njëri prej të rinjve tregoj se, ndër atraksionet më të bukura të zonës është Syri i Ciklopit, që përveç pamjes mahnitëse ai krijon mundësinë të notohet gjatë ditëve të nxehta të verës.

Më pas është Shpellën e Mbytjes që është një atraksion i ri për tu eksploruar nga vizitorët dhe Lumin Katarak që është shumë i aksesueshëm nga turistët.

Denaj theksoi se, kjo është një zonë që ka potencial të madh për të zhvilluar bujtinat me zonjat që gatuajnë prodhime tradicionale të zonës duke e kthyer fshatin e Krrabës në destinacion të turizmit gjithëvjetor. /atsh/ KultPlus.com

Gëte: Karakteri formohet nëpër shtrëngatat e botës

Thënie nga Johan Volfgang von Gëte (Johann Wolfgang von Goethe):

Çfarëdo mendon të bësh, apo e ke ëndërr, filloje. Guximi ka gjenialitet, pushtet dhe magji brenda!

Besoji vetvetes dhe do të dish të jetosh!

Pasuria është diçka që mund të ndihmojë në jetë, por jeta nuk është diçka që kalohet për të grumbulluar para!

Idetë e guximshme janë si lëvizjet e shahistëve që mund të sjellin humbjen e lojës, por krijojnë rastin për të filluar një lojë të re, e cila mund të fitohet!

Sjelljet e një njeriu janë një pasqyrë ku ai e sheh portretin e vet!

Njeriu fisnik i bën për vete njerëzit fisnikë, dhe di si të mbështetet tek ata!

Një jetë e padobishme është një vdekje e hershme!

Mosha na tregon sa fëmijë kemi mbetur!

Të gjitha mendimet inteligjente janë menduar tashmë; e vetmja gjë e nevojshme është të përpiqemi t’i mendojmë prapë!

Dijet që kam unë mund t’i ketë çdo njeri, por zemra ime është vetëm e imja!

Sundoje atë! Bëje botën t’i shërbejë qëllimit tënd, por mos i shërbe asaj!

Tregohu i njerëzishëm dhe përdor fjalë të mira, sidomos për ata që nuk janë të pranishëm!

Të jesh brilant nuk ka asnjë vlerë nëse t’i nuk respekton asgjë!

Disa defekte janë të domosdoshme për hir të individualitetit!

Karakteri formohet nëpër shtrëngatat e botës!

Karakter, në gjërat e vogla apo të mëdha, do të thotë të marrësh përsipër ato gjëra që ti ndihesh i zoti t’i bësh!

Mirëkuptimi është gjenia e njerëzimit!

Korrektësia luan shumë rol, por guximi më tepër!

Një përgjigje korrekte është si një puthje e ëmbël!

Fati na i plotëson dëshirat, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej dëshirave tona!

Përça dhe sundo, bërtasin politikanët; bashko dhe prijë është kryefjala e mençurisë!

Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë të lëkundur!

Dyshimi rritet sa më shumë që të dimë!

Mos ëndërro ëndrra të vogla, sepse ato nuk kanë fuqi t’i vënë në lëvizje zemrat e njerëzve!

Gabimi është i pranueshëm për ne sa kohë që jemi të rinj; por ai nuk duhet gërmuar në pleqëri!

Çdo ditë ne duhet të dëgjojmë të paktën një këngë të vogël, të lexojmë në poezi të bukur, të shohim një pikturë të arrirë, dhe, nëse është e mundur, të flasim sa më pak fjalë!

Të gjithë duan të jenë dikush; askush nuk do që të rritet!

Vajzat dashurohen për ato që janë; djemtë për çfarë premtojnë të jenë!

Shkoni në vendet e huaja dhe do të arrini të njihni gjërat e mira që i ke në atdhe!

Urrejtja është aktive, zilia është pasive; por ka vetëm një hap midis zilisë dhe urrejtjes!

Është i vdekur në këtë botë, ai që nuk beson në një botë tjetër!

Është më i lumturi, mbret apo bujk qoftë, ai që gjen paqe në shtëpinë e vet!

Unë mund të të them ty, mik i ndershëm, se kujt t’i besosh: besoji jetës; ajo të mëson më mirë se libri ose oratori!

Njihe veten? Nëse do ta njihja veten, do t’ia mbathja me të katra. Mos o Zot që ta njoh!

Dëgjoji bindjet e të gjithëve, por dyshimet e tua mbaji për vete!

Nëse fillon të mendosh për gjendjen tënde fizike apo morale, zakonisht e gjen se je i sëmurë!

Në fushën e ideve çdo gjë varet nga entuziazmi… në botën reale gjithçka qëndron mbi këmbënguljen!

Më mirë të mashtrohesh nga miqtë, se t’i mashtrosh ata!

Secili ta pastrojë derën e vet dhe e gjithë bota do të jetë e pastër!

Disa njerëz nuk kujdesen për paratë e tyre derisa iu mbarohen, të tjerët bëjnë të njëjtën gjë me kohën e tyre!

Asgjë nuk është më e vlefshme se dita e sotme!

Pasionet janë vese ose virtyte në kulmet më të mëdha të fuqisë së tyre!

Burracakët kërcënojnë vetëm kur janë të sigurt!

Gjëja më e vështirë për t’u parë është ajo që ke para syve!

Njeriut të zgjuar i duket çdo gjë qesharake, njeriut të ndjeshëm i duket çdo gjë e rëndë!

Ai që zë vendin e parë, rrallë e luan rolin kryesor!

Njerëzit përçmojnë atë që s’e kuptojnë!

Ugo Borsatti, fotografi që pasqyroi historinë e Triestes, vdes në moshën 98-vjeçare

Fotografi i famshëm, Ugo Borsatti, fotografitë e të cilit pasqyruan historinë prej disa dekadash të qytetit të Triestes në Itali, ka vdekur në moshën 98-vjeçare, sipas “InTrieste”.

Arkivi i tij me më shumë se 350,000 negativë, i vendosur në koleksionin e tij Foto Omnia, shërben si një rekord vizual i pashembullt i transformimeve politike dhe kulturore të qytetit.

Puna e Borsatti dha dëshmi për disa nga momentet më përcaktuese të Triestes, duke përfshirë trazirat e vitit 1953 dhe kthimin e shumëpritur të qytetit në Itali në 1954.

Fotografitë e tij kapën jo vetëm trazirat e historisë, por edhe jetën e përditshme të qytetarëve në Trieste, duke ruajtur një kujtesë kolektive për brezat që do të vijnë.

Ndër imazhet e tij më të famshme është Bacio (Puthja), një fotografi ikonë që mishëron historitë njerëzore të ndërthurura me të kaluarën e qytetit.

Ndër imazhet e tij më të famshme është Bacio (Puthja), një fotografi ikonë që mishëron historitë njerëzore të ndërthurura me të kaluarën e qytetit.

I lindur në Trieste në vitin 1926, Borsatti zhvilloi një pasion për fotografinë në rininë e tij, duke themeluar përfundimisht Foto Omnia, një studio që do të bëhej sinonim i fotografisë dokumentare në rajon.

Gjatë dekadave, puna e tij u shtri përtej fotoreporterizmit duke prekur fotografinë e rrugës dhe portretet, gjithmonë me një ndjeshmëri të thellë ndaj njerëzve dhe vendeve që fotografonte.

I njohur si dekani i fotografëve të Triestes, Borsatti mori vlerësime të shumta gjatë karrierës së tij dhe imazhet e tij janë ekspozuar gjerësisht, duke ofruar një dritare në zemrën e një qyteti të formuar nga ndryshimi i kufijve dhe identiteteve.

Vdekja e tij shënon humbjen e një tregimtari mjeshtëror pamor, fotografitë e të cilit mbeten një dëshmi e paçmuar e qëndrueshmërisë dhe karakterit të Triestes. /atsh/ KultPlus.com

’50 mijë vakte falas gjatë pandemisë’, shqiptari Joe Haliti shpallet ‘Qytetar i Vitit’ në Houston

Shqiptari  Joe Haliti është shpall “Qytetar i Vitit” për vitin 2025 në Houston.

Çmimi Halitit iu dorëzua të shtunën e kaluar, duke u nderuar për bujarinë e tij, pasi ai servon vakte për festa si Krishtlindjet dhe Falënderimet dhe gjatë fatkeqësive natyrore.

Në tetor 2020, ai arriti qëllimin e tij për të shërbyer 50,000 vakte falas gjatë pandemisë COVID-19, dhe qëllimi i tij i radhës është 100,000 vakte të dhuruara, transmeton Klankosova.tv.

Pasi mori çmimin, ai tha se është tejet falënderues për dashurinë dhe mezi pret të shërbejë për qytetin edhe viteve në vijim.

“Faleminderit për mbështetjen dhe dashurinë që na keni treguar. Ne mezi presim t’i shërbejmë këtij qyteti për shumë vite që vijnë”, u tha ai të mbledhurve.

Shqiptari Joe mbërriti në New Jersey në fund të viteve 1980 si emigrant nga Shqipëria. Ai filloi të punojë në restorantet e familjes Haliti me të mbërritur në ShBA.

’15 ditë prilli’, dramatizimi i romanit të Anisa Markarian, eksperiencë unike në ArTurbina

Teatri Kombëtar ka vënë në skenë për herë të parë dramën “15 ditë prilli”, e bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores Anisa Markarian, një emër i njohur i kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm.

Me regji të Driada Dervishit, ky dramatizim i gërshëtuar me situata groteske dhe humori është mirëpritur nga artëdashësit në Sallën Central në ArTurbina.

“15 Ditë Prilli” është një vepër që ngërthen dramën, emocionin dhe reflektimin mbi jetën dhe historinë. Kalimi i saj nga faqet e romanit në skenën e teatrit sjell një dimension të ri, duke i dhënë publikut mundësinë të përjetojë nga afër historinë e saj të fuqishme.

Vepra po interpetohet nga një kast i njohur aktorësh, mes të cilëve Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Adelina Muça, Sanie Hoti, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj dhe Jaho Guma.

Me një ekip të talentuar krijues, përfshirë kompozitoren Rona Castrioti, kostumografen Desantila Lika, skenografin Beqo Nanaj dhe koreografen Valentina Myteveli, shfaqja premton një qasje artistike të thellë dhe të ndjerë e cila do vijojë të shfaqet edhe gjatë kësaj fundjave duke ofruar një eksperiencë unike për artdashësit.

Romani “15 Ditë Prilli” i Anisa Markarian, rrëfen ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht.

Merita Mehmeti: Labirint Portretizues i Vrullit Poetik

Nga Merita Mehmeti
(Recension i librit “Ama dorën” të autores Dije Demiri-Frangu)

Hyrje

Bota fëmijërore ka qenë dhe do mbetet një ndër themelet kryesore të formimit të njeriut në të gjitha trajtat, ku prek ato copëza të krijuara nga imagjinata dhe poashtu ngritet në nivelin jetësor të ballafaqimit të realitetit, që domosdo do realizojnë ëndrrat në të ardhmen. Kjo padyshim që prek hapat kryesor të formimit të personalitetit ku çdo fëmijë kalon nëpër një lojë. Lojë të njohjes, lojë të të mësuarit, të analizuarit dhe padyshim të përjetuarit emocional, ku reflekton mbi botën imagjinare të një mendjeje të lirë dhe të pafajshme që në thelb na ofrojnë momente argëtuese.

Dije Demiri-Frangu, përmes poezive të saj në librin “Ama dorën”, përveç paraqitjes së botës fëmijërore, nuk i mungon të shprehurit e botës së saj për natyrën, përjetimet e lagjes, reflektime shpirtërore dhe paraqitje të përvojave të ndryshme jetësore ku shfaq episode të ndryshme dhe ndonëse edhe qesharake që përcillen herë-herë me një ton kritik, ku na përfytyron një ambient real në versionin e saj.

Motivet në këto poezi, përplasen me njëra-tjetrën jo për të paraqitur ndonjë qëllim dinamik apo diçka që është e paarritshme, por për të paraqitur situata të cilat janë të njëtrajtshme me qëllim që të krijojë vetëbesimin tek fëmijët, rëndësinë e ndikimit të tyre në jetën tonë, dhe në thelb paraqitjen e formës edukative në mënyrë që faji mos të ndikojë negativisht tek ta, me përqendrim që raporti kryesor në formimin e tyre është me të rriturit dhe këtë e hasim qysh në hyrje të librit, ku Dija shpreh gëzimin e saj si gjyshe për nipin.

Ballafaqimet e para të fëmijës me botën dhe reflektime emocionale

Poezitë fillojnë me lumturi, vazhdojnë me argëtim dhe përmbyllen me dhimbje dhe mallëngjim për humbjen e një personi shumë të dashur, duke reflektuar ndjenja të fuqishme njëkohësisht që na krijon një univers mendimesh dhe duke konkretizuar faktin që dinamikat e jetës janë të pashmangshme.

Pjesa e parë e veprës quhet “Kur isha mbret”, ku përfshin poezitë për fëmijë, ku autorja paraqet një art mendimesh e veprimesh inspiruese e atraktive, ashtu siç duhet të jetë një botë e fëmijëve, që nga të qarit e tij të parë e deri në momentet kur ata kapin frerët e jetës. Ata kalojnë në një botë të pasuruar me personazhe kafshë e insekte si dhe aktivitete me lodra, ku lë të nënkuptojmë se nuk kemi të bëjmë me tema që imponohen veprimet por me situata të cilat edhe ne jemi mësuar në jetën e përditshme.

 Kjo pjesë e parë shfaq haptazi kuptimin e ndjesisë fëmijërore nga Dija, sepse të jesh fëmijë, është sikur të jesh mbret sepse nuk adresohen gabimet e tyre, papjekuria, relacionet me botën e jashtme dhe shumë tjera ku ky fakt ngritet në diskurs real duke e larguar artin nga bota e tyre.

Poezitë e saj janë një shprehje direkte, konkrete të diçkaje që ajo sheh dhe jep mendimin e përvojave interesante me qëllim që të jenë të kapshme për lexuesit por që të fshihet edhe mesazhi në to. Poezitë janë përzierje emocionale të mendimeve, parimeve jetësore ku merr si subjekt natyrën, dashurinë familjare dhe i trajton ato me elemente të buta artistike, por që patjetër kemi edhe pjesë kritikuese të reflektimeve emocionale të saj.

Bota fëmijërore është gjithmonë e dashur dhe këtë e hasim në poezinë “Dëshira e një vogëlushi”, ku shprehet;

“Një djalosh ka një dëshirë fantastike,

 Të hynte si zog/Në një anije kozmike,

 Të udhëtojë natën/Të udhëtojë ditën,

 Dhe në hënë/Ta dërgojë frikën”.

Këtu hasim përjetimin e ëndrrave imagjinare të një fëmije ku mund të inspirohet nga një vizatim, fotografi, që ngritë dëshirën e tij për të sfiduar veten që të mposhtë uraganin e tij të brendshëm, qoftë ndjenjë zemërimi, frike apo gëzim duke përvetësuar karakter të posaçëm që të jetë në gjendje të realizoj idetë e tij dhe ambiciet.

Mes dhimbjesh, Dija shpreh edhe periudhën e luftës në Kosovë tek poezia “Fëmijëve të vrarë në Kosovë”, me vargjet;

“Ju kaherë në qiell e bëni lojën,

  Fshiheni pas diellit,

  Yjet i ndiqni në vend të fluturave”. 

Kemi të bëjmë me ëndrra të lëna në gjysmë, një shpërthim emocional kujtimesh për Kosovën tani të lirë që për ta u ndalë jeta sepse çdo fëmijë meriton të bëj lojën e tij, të manifestojnë lirinë shpirtërore, një jetë aktive për zhvillimin e tyre me qëllim që të krijoj një improvizim optimist.

Bota e fëmijëve njihet të jetë analizuese dhe interesante në letërsi, kështu që Dija, diti të trajtoj me mjeshtëri portretizimin e insekteve e kafshëve, ku hasim në poezinë “Merimanga është mjeshtre”, dhe shprehet;

“Kur merimanga gjyshe punon/Ta pengojë askush nuk guxon,

 Di fort të pickojë/Se punën me rrjetë nuk e zë lojë”.

Portretizimi i merimangës, ndonëse si gjyshe, nënkupton mundin e bërë me vite, në kuptim figurativ, që të ndihet krenare për punën e saj të palodhur të ndërtimit të pëlhurës, specifikisht shtëpisë ku çdokush do ruante mundin e vet dhe madje edhe të sulmoj nese dikush e pengon në universin e saj, por duke e theksuar gjithmonë si punëtore e cila nuk rri kot.

Për këtë arsye, autorja shpesh del dhe kritikuese në momente të veçanta ku nuk heziton të shpalosë mendimet e saj qoftë edhe për familjen apo persona të njohur që ka kaluar në jetën e saj.

Nëse merimanga është një punëtore edhe pse insekt, atëherë Dija na paraqet faktin që çdo kund ka një Don Kishot, dembel ku portretizimi është shumë real në aspektin krahasues, ku këtë detaj e hasim në poezinë “Don Kishoti i lagjes time”, ku shprehet;

“Provojnë të bëjnë atë që s’bëhet dot,

  Mendojnë se një punë e vështirë,

  Kryhet lehtë e mirë”.

Kjo liri shprehëse paraqet jo një filozofi të ndërlikuar, sepse kritikat e Dijes, prekin realitete të sotme por që gjithmonë kanë qëllime edukative. Këtë e shohim më së miri tek poezia “Asnjeri nuk mbet fëmijë”, ku fatkeqësisht kjo kohë e re ka ndikuar në mënyrë të padobishme tek gjeneratat e reja, ku edukativ konsiderohet telefoni sesa një libër të cilin mund ta kapësh kurdo, prandaj shprehet me një pasthirrmë;

“O në këto rrjete sociale,

  Më shumë po hamë nervozë/Sesa po pimë bozë,

  Si po rriteni kështu pa diell, o medet,

  Më asnjë fëmijë nuk mbet, o medet”.

Motivi i dashurisë dhe mund të themi edhe i lojës, shprehet me ide dhe fjalë ku krijojnë herë afri dhe herë kritikë ku autorja individualizon me qasje origjinale, meqë rast përmbushen të tëra si poezi urbane, sepse loja që trajton konsiderohet psikologjike që ndikon tek audienca e sidomos tek fëmijët që psikologjia e tyre konsiderohet sipërfaqësore pa pasur qëllim emocionet negative.

Motivet gërshetohen duke prekur natyrën dhe botën e brendshme që i zgjeron në kontekste të ndryshme, sepse shpirti për Dijen, është vendi ku takohen ndjenjat e pashmangshme të xhelozisë, urrejtjes dhe inatit, dhe ajo që ka kufij të pa përcaktuar si zemra, ku shprehet në mënyrë ironike;

“Vetëm njerzit e këqinj,

  E kanë zemren minus 1000,

  Kurr s’kam pasur ethe,

  Unë kurr nuk kam ngri”.

Motivi i dashurisë më tej, vazhdon edhe tek pjesa e dytë e veprës “Dashuria është kontinent”, ku në këto poezi ajo e tregon forcën e dashurisë përmes së cilës i shpreh me ndjenja të kontrolluara, ku ajo e universalizon më tej edhe tek qeniet tjera duke ngritur pikëpyetjen se pse nuk shkruhet edhe per dashurinë e tyre, këtë e vërejmë tek poezia “Kur dashuron foka dridhet toka”.

Në këtë pjesë poezitë shprehen si pëshpëritje intime, dhe jo siç jemi mësuar të dëgjojmë shpesh dashurinë mes njerzve, prap e universalizon aktin intim të natyrës, pra puthjen, si puthja e valës me bregun, flutura lulen, zogu zogun, bilbili  kanarinën dhe të tjera.

Poezia “Fjala të dua”, bart emocionet e pa lëkundshme për dashuritë e përhershme për babain, për nënën, shokun e miken, për fat të mirë e mbushur në të gjitha format dhe që për të shpërndarë pozitivitet, ndihet nevoja që ta shpreh tërë kohën;

“Ngado që ecë fjalën TË DUA, e them

  Shumë herë në ditë e atëroj,

  Ka të tjerë që fare se thonë/Disi me sy provojnë ta tregojnë”.

Kapërcimi i trajtës së motivit në aspektin e nostalgjisë

Pjesa e tretë “Lagjja që s’flet”, ka në thelb të trajtuar motivin e vdekjes, kryesisht vdekjen e gjyshes ku këtu hasim dhimbjen e madhe dhe raportin e afërt me të, ku vazhdimisht kujton veprimet e saj me dashuri.

Lagjja që s’flet nënkupton varrezat, ndjenjën e vetmisë dhe mendimeve që nuk kanë zhurmë, ndarje të gjata nga jeta duke i konsideruar me kohën si dhimbje të vjetra, ku qaset me një shpërthim emocional;

“Varret janë përrallë vetë,

  O gjithë ai gaz i gjyshes/Ku mbet ku u tret,

  Ajo shkoi/Në lagjen që s’flet”.

Nostalgjia për të, nuk është kujtimi i përkohshëm i cili zbehet me kalimin e viteve, por harresa edhe pse si fjalë ka kuptimin e fuqisë së zhdukjes, shfarosjes së imazheve jetësore, është po aq e fuqishme sa të rikthejë nga një detaj i vogël çdo gjë që lidhet me kujtimet edhe pas ca vitesh, prandaj;

“Harresa ngjan të jetë si era”.

Poezia e Dijës manifeston liri shpirtërore të jetës aktive të njeriut duke dhënë mundësinë të bashkëndjejmë çiltërsinë e lojës së fëmijës, duke improvizuar imazhe reale, ndonëse kritikuese por që në thelb ka qellim edukativ.

Paraqitja figurative ka qenë një përzierje e kjartë ku të lë përshtypjen se Dija ka depërtuar nëpër ato mendje, ku merr element natyrën, kafshët, insektet, problemet e falshme të fëmijës, përvojat e veta të jetës duke i trajtuar në mënyrë kronologjike proceset e jetës, ashtu siç e fillon me poezitë për fëmijë, duke kaluar në reflektimet e mendjes së saj dhe duke mbaruar veprën me kujtimin e vdekjes së gjyshes, duke lënë të kuptojmë nga vetë titulli se “Ama dorën”, i asocion procesit të jetës, të njohjes, të përjetimit dhe kërkimit në labirintet e errësirës dhe të lumturisë.

Shënim; Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, tek prof. dr. Sali Bashota, në nivelin e studimeve; Master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./ KultPlus.com

‘GOBankingRates’: Shqipëria mes destinacioneve ndërkombëtare më të mira për të udhëtuar këtë pranverë

Dëshironi të keni pushime të paharrueshme pranverore në 2025 pa hyrë në borxhe?

Ekzistojnë të paktën pesë destinacione ndërkombëtare që turistët amerikanë mund të vizitojnë me çmime buxhetore, shkruan Heather Taylor në një artikull të botuar në “GOBankingRates”.

Këto vende ofrojnë ushqime të shijshme, mundësi të shumta aktivitetesh kulturore për të marrë pjesë dhe pamje mahnitëse që mund t’i përjetoni vetëm gjatë stinës së pranverës.

“GOBankingRates” iu drejtua dy ekspertëve të udhëtimeve, të cilët renditën destinacionet kryesore – ku turistët rekomandohen të shkojnë këtë pranverë.

Mos e humbisni mundësinë për të planifikuar udhëtime në këto pesë destinacione ndërkombëtare, Shqipëri, Portugali, Japoni, Austri, Republikën Dominikane.

Shqipëria

Shqipëria është renditur ndër pesë vendet më të përballueshme për të pushuar në vitin 2025.

Turistët që nuk mund të përballojnë pushime pranverore në Greqi këtë vit, duhet të mendojnë të vizitojnë Shqipërinë fqinje.

Ata do të jenë në gjendje të përjetojnë më të mirën e të dy botëve: pamje të bukura natyrore në një peizazh magjepsës që nuk kushton aq shumë sa mund të imagjinoni.

“Shqipëria krenohet me peizazhin e saj të larmishëm, nga plazhet e bukura përgjatë deteve Jon dhe Adriatik deri te malet e thepisura të Alpeve Shqiptare,” tha Kendra Guild, nënkryetare e “Solos Holidays”.

“Përballueshmëria e bën atë një destinacion të arritshëm për të shijuar më të mirat e detit Adriatik me çmime dukshëm më të ulëta”, shtoi ajo.

Sipas “Kayak” – motori i kërkimit për shërbimet e udhëtimeve – Tirana renditet e shtata ndër destinacionet kryesore në trend për pushime pranverore në 2025.

Udhëtimi me linjë ajrore për në kryeqytetin shqiptar, Tiranë kushton rreth 764 dollarë. /atsh/ KultPlus.com

‘Porosia’ e fundit e Naum Priftit dhe dorëshkrimet e pabotuara, ekspozohen në Bibliotekën Kombëtare

Biblioteka Kombëtare ka çelur një ekspozitë në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea” me dorëshkrimet personale të shkrimtarit Naum Prifti.

Takimi u moderua nga zv. Drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi ku e pranishme ishte edhe vajza e shkrimtarit, Julika Prifti e cila përshëndeti gjithashtu çeljen e ekspozitës, duke falënderuar të pranishmit dhe organizimin e takimit.

“Një ekspozitë e re, e paparë më parë. Babai kishte 100 dosje të ruajtura në shtëpi dhe në çdo gjë kishte të detajuar çfarë përmbante dosja. Babai ka gati po aq shumë gjëra të pabotuara sa ka të botuara. Janë një mori filmash…”, u shpreh Julka Prifti.

Për të pranishmit u shfaq edhe dokumentari “Porosia e përjetësisë ” nga producenti Mumin Jashari, Media Film Production, Prishtinë mbi amanetin e shkrimtarit Naum Prifti për t’ia sjellë hirin në Shqipëri.

Artistet e nderuara Justina Aliaj dhe Violeta Trebicka interpretuan pjesë të krijimtarisë së Naum Priftit; “Lisi plak”dhe “Pse Shqipëria ka male shumë”.

Në përfundim të takimit, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të Naum Priftit ndanë kujtimet dhe mbresat e tyre nga e kaluara me shkrimtarin, mes të cilëve Paskal Milo, Sadik Bejko, Dhimitër Haxhimihali, Çerçiz Loloçi dhe Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve në Nju-Jork, Adnan Mehmeti.

Dorëshkrimet e ekspozuara kanë një vlerë të veçantë, sepse përmbledhin historikun e krijimtarisë letrare dhe kinematografike të Naum Priftit, si dhe ndajnë detaje interesante nga jeta e tij personale dhe natyra kurioze që shkrimtari ka pasur.

Naum Prifti ka lindur në Rehovë të Kolonjës, ku kreu shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaroi Politeknikumin Mjekësor në Tiranë dhe punoi një vit si ndihmësmjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë vazhdoi studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”.

Prifti punoi më pas si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjës.  Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76.

Në këto vite shërbeu edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (Neë York), ku vazhdoi të jepte ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar dhe për letërsinë shqipe. Në vitin 1995 u zgjodh sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra.

Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj.

Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Tregimi: “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005./atsh/ KultPlus.com

Çfarë i ndodhi Aleksandër Moisiut në Gare du Nord, në Paris ?

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Mars 2025

Revista rumune “Oglinda Lumii” ka botuar, me 9 janar 1932, në faqen n°192, një ndodhi të veçantë për Aleksandër Moisiun në Gare du Nord, në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Si e humbi adresën Moisiu

Burimi : Oglinda Lumii, 9 janar 1932, f.192
Burimi : Oglinda Lumii, 9 janar 1932, f.192

Pak muaj më parë, Moisiu erdhi në Paris për të kaluar dy-tre ditë dhe qëndroi në një hotel shumë modest pranë Gare de Nord. Pasi la valixhet në dhomën e tij, aktori i madh doli në qytet për të blerë dy-tri gjëra.

Në mesnatë, duke u kthyer në shtëpi dhe duke mbërritur në Gare de Nord, Moisiu vuri re se kishte harruar të shkruante emrin dhe adresën e hotelit.

Kulmi i fatkeqësisë : hotelet, shumë të shumtë në këtë lagje, i ngjajnë të gjithë njëri-tjetrit. Më në fund, pas një shëtitjeje të gjatë, Moisiu vuri re një, hyrja e të cilit dukej e njohur.

— Zotëri, nuk e di, a banoj këtu ? — pyeti ai derëtarin (rojen) me sinqeritet.

— Jam i lodhur nga shakatë në këtë orë ? — u përgjigj ai me inat dhe përplasi derën.

Moisiu provoi fatin më pas në hotelin fqinj.

— A jeton këtu zoti Moisi ? — pyeti ai me ndrojtje.

Si përgjigje, portieri e mori me forcë në krahë, e futi në ashensor dhe në katin e dytë ia besoi shërbëtorit :

— Vendoseni në shtrat menjëherë; Është krejtësisht i dehur./ KultPlus.com

Vdes në moshën 91-vjeçare aktori hollivudian, Jack Lilley

Jack Lilley, i njohur për rolet e tij në “Little House on the Preirie”, ka vdekur. Ai ishte 91 vjeç.

Djali i tij, Clint Lilley, konfirmoi për Fox News Digital se babai i tij kishte vdekur “i qetë në gjumë”, në shtëpinë e të moshuarve të Fondit të Filmit dhe Televizionit në Calabasas, të mërkurën më 19 mars.

“Ai ishte i veçantë në llojin e tij”, tha Clint ndërsa tregoi se sa krenar ishte që ishte pjesë e tre brezave në Hollywood.

193 vite nga vdekja e shkrimtarit gjenial gjerman, Johann Wolfgang Goethe

Johann Wolfgang Goethe (shqiptohet: Johan Volfgang Gëte) lindi më 28 gusht 1749 në Frankfurt am Main dhe vdiq më 22 mars 1832 në Weimar të Gjermanisë. Në vitin 1782 atij ju dha titulli noblesk “Johann Wolfgang von Goethe”. Gëte ishte jo vetëm një penë e zjarrtë e poezisë gjermane, por dhe një dramaturg e publicist i disa veprave letrare me tematikë shkencore. Pas vitit 1776 Gëte mori përsiper edhe detyra politike dhe organizative në oborrin e Weimarit.

Krijimtaria letrare e Gëtes përmban një numër të konsiderueshëm me poezi, drama, tregime e novela. Perveç tyre ai ka publikuar dhe një numër të shumtë dorëshkrimesh autobiografike, estetike, artistiko-letrare, si dhe shkrime me përmbajtje nga fusha e shkencave natyrore. Një rëndësi të konsiderueshme për letërsinë kanë dhe korespondencat apo shkëmbimet e letrave, gjë të cilën ai e bënte me shumë pasion. Ne krijimtaritë fillestare letrare spikasin idetë e tij demokratike të iluminizmit.

Vlerat e tij si shkrimtar i talentuar u thelluan tek romani i shumëlexuar “Stuhi e vrull”, për shkrimin e të cilit Gëte dha kontributin kryesor. Kurse si talent i romantizmit ai u bë gjerësisht i njohur në mbarë Evropën në vitin 1774 me romanin “Vuajtjet e djaloshit Verter”. Më vonë Gëte ndryshoi stilin e shkrimeve të tij duke ju referuar idealeve të antikes. Pas viteve 1790 së bashku me Friedrich Schiller ata u bënë përfaqsuesit më të denjë të epokës klasike të Weimarit. Gëte njihet edhe sot si një nga figurat më të shquara të letërsisë gjermane dhe asaj botërore.

Krijimtaria letrare
Poezi, këngë dhe balada
Geistesgruß (Poezi”Përshëndetje Shpirtit”), 1774 Burg Lahneck
In allen guten Stunden (Në të gjitha orët e mira), 1775
Der Erlkönig (Baladë “Mbreti ERL”), 1782
Xenien (Poezi , së bashku me Friedrich Schiller), 1796
Die erste Walpurgisnacht (Baladë, nga Felix Mendelssohn Bartholdy në formë të kantateve për soli, kor dhe orkestër), 1799
Vom Sänger hat man viel erzählt (Poezi kushtuar një këngëtarit”Për këngëtar tregojn shumë”), 1815
Wenn die Liebste zum Erwidern (Poezi kushtuar heshtjes), 1816
West-östlicher Divan (Poezi”Divani lindor-perëndimor), 1819

Drama
Die Laune des Verliebten, shkruar më 1768, u shtyp më 1806
Die Mitschuldigen , u shkrua më 1769, u shtyp më 1787
Götz von Berlichingen mit der eisernen Hand , 1773
Prometheus (Poezi), 1774
Neueröffnetes moralisch-politisches puppenspiel, 1774
Ein Fastnachtsspiel von Pater Brey, 1774
Jahrmarktsfest zu Plundersweilern, 1774
Götter, Helden und Wieland, 1774
Clavigo , 1774
Egmont, u shkrua më 1775, në shtyp 1788
Erwin und Elmire, 1775
Stella, 177
Der Triumph der Empfindsamkeit , 1777
Iphigenie auf Tauris, formë proze më 1779, u shtyp më 1787
Torquato Tasso, prej 1780, u shtyp më 1790
Faust. Një fragment, 1790
Der Groß-Cophta , 1792
Der Bürgergeneral , 1793
Faust. Një tragjedi ( përputhet me pjesën e parë të Faustit), prej 1797, u shtyp nën këtë titull më vitin 1808
Mahomet, përkthimi dhe përpunimi i tragjedisë nga Volteri më vitin 1802.
Die natürliche Tochter, 1804
Pandora (Festspiel), u shkroi më 1807/08, u shtyp më 1817
Faust II. (Pjesa e dytë e Faustit), 1833

Romane dhe Novela
Die Leiden des jungen Werthers (Roman-letre), 1774, Botimi i dytë 1787
Wilhelm Meisters theatralische Sendung (Roman), prej 1776, u shtyp më 1911
Unterhaltungen deutscher Ausgewanderten (Kuadër rrëfimi), 1795
Wilhelm Meisters Lehrjahre, 1795/96 (Tekst)
Novelle, prej 1797
Wilhelm Meisters Wanderjahre (Roman), prej 1807, u shtyp më 1821, ribotim më 1829 (Tekst)
Die Wahlverwandtschaften, 1809 (Tekst)

Përkthime
Das Leben des Benvenuto Cellini (Përkthim), 1797
Mahomet, Përkthim dhe përpunim të tragjedisë nga Volteri, 1802

Përkthime në shqip
Vuajtjet e djaloshit Verter, (Die Leiden des jungen Werthers) Onufri, 2004
Fausti, INFOBOTUES
Kënga e udhëtarit në shtërngatë, (The Song of Walker on the Storm), Johan V. Gëte, TOENA

Shënime dhe aforizma
Maximen und Reflexionen, 1833

Shkrime estetike
Über Kunst und Altertum (6 Vëllime, së bashku me Johann Heinrich Meyer), 1816–32

Shkrime shkencore
Über den Zwischenkiefer der Menschen und der Tiere, 1786
Beiträge zur Optik (2 Vëllime), 1791/92
Zur Farbenlehre , 1810

Fjalime
Einleitung zu den Trauerreden (freimaurerische Trauerrede zum Ableben des Meisters vom Stuhl Ridel), 1821
Rede zum brüderlichen Andenken Wielands (freimaurerische Trauerrede), von Goethe vorgetragen am 18.
Februar 1830
Dem würdigen Bruderfeste: „Fünfzig Jahre sind vorüber“ (poetischer Dank für eine Ehrenurkunde seinesfünfzigjährigen Maurerjubiläums), 1830

Proza autobiografike
Aus meinem Leben. Dichtung und Wahrheit (4 Vëllime), 1811–33
Italienische Reise, 1816/17
Kampagne in Frankreich (Raport), 1822

Të tjera
Römische Elegien, 1788–90
Venezianische Epigramme, 1790
Die guten Weiber, 1817/ KultPlus.com

Dita Botërore e Ujit shënohet sot

Më 22 mars shënohet Dita Botërore e Ujit, e cila është përcaktuar me rezolutën e OKB-së në dhjetor të vitit 1992.

Me shënimin e kësaj dite, OKB-ja ka për qëllim të rrisë rëndësinë e mbrojtjes së ujërave dhe mungesën e ujit të pijshëm në shumë vise të botës. Gjithashtu, nga viti 2005 deri 2015 është shënuar decenia e ujërave. Kështu shënimi i kësaj dite ka rëndësi më të madhe gjatë këtyre viteve.

Dita e parë Botërore e Ujit është shënuar më 22 mars 1993, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit të pijshëm dhe me qëllim të apelimit te të gjithëve që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve të ujit të pijshëm.

Për çdo vit në Ditën Botërore të Ujit theksohen aspektet specifike të ujit të pijshëm siç janë: uji për qytete, kualiteti i ujit, ujerat ndërkufitare, uji dhe kultura etj.

Sipas vlerësimeve deri në vitin 2025, dy të tretat e popullsisë botërore do të jenë të goditura me kërkesë të madhe për ujë të pijshëm, shkruan Kosova Press, transmeton Klan Kosova.

Ekspertët kanë vlerësuar që rreth 1.1 miliard njerëz nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, ndërsa 2.5 miliardë njerëz nuk i kanë të siguruara kushtet elementare higjieno-sanitare.

Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë mjaft të errëta. Në raportin e tyre theksohet se burimet e ujit do të zvogëlohen vazhdimisht për shkak të rritjes së numrit të popullsisë, ndotjes dhe ndryshimeve klimatike.

Botërori 2026, Shqipëria humb ndeshjen e parë ndaj Anglisë në “Wembley”

Kombëtarja shqiptare luajti ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Anglisë, e vlefshme për Kupën e Botës 2026.

Në stadiumin “Wembley” triumfuan të zotët e shtëpisë me rezultatin 2-0. Pavarësisht disfatës, Shqipëria zhvilloi një ndeshje dinjitoze përballë një prej skuadrave më të mira në botë.

Trajneri Silvinjo e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Thomas Strakosha (GK), Naser Aliji, Berat Gjimshiti (C), Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Jasir Asani dhe Myrto Uzuni.

Minutat e para nisën me Anglinë në sulm, megjithatë Shqipëria ishte vendosur mirë në prapavijë, duke shmangur rrezikun.

Anglia mori avantazhin në minutën e 20-të me Lewis-Skelly.

Rasti më i mirë i Shqipërisë ishte në minutën e 27-të, kur topi i devijuar nga Burn goditi traversën. Pjesa e parë u mbyll 1-0.

Fraksioni i dytë nisi pa ndryshime për kuqezinjtë, megjithatë në minutën e 63-të trajneri Silvinjo aktivizoi Brojën.

Sulmuesi kuqezi ishte menjëherë protagonist, duke u shfaqur rrezikshëm në portën kundërshtare.

Momenti më i mirë ishte në të 69-ën, kur Broja pasoi mirë për Asanin, i cili nga brenda zonës nuk e goditi topin.

Anglia shënoi golin e dytë në minutën e 77-të me Harry Kane.

Trajneri Silvinjo kreu dy ndryshime të tjera, duke aktivizuar Adrion Pajazitin dhe Arbër Hoxhën. Ndërsa në minutën e 82-të doli nga loja për arsye dëmtimi Thomas Strakosha dhe në portë u fut Elhan Kastrati.

Deri në fund asgjë nuk ndryshoi në rezultat dhe sfida u mbyll 2-0 për Anglinë.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë kualifikuese më 24 mars ndaj Andorrës, në stadiumin “Arena Kombëtare”, në orën 20:45.

Formacionet zyrtare të ndeshjes:

Anglia: Pikford, Uokër, Konsa, Burn, Ljuis-Skelli, Xhons, Bellingam, Rajs, Foden, Kejn, Rashford. Trajner: Tomas Tuhel

Shqipëria: Strakosha, Aliji, Ajeti, Gjimshiti, Balliu, Ramadani, Asllani, N.Bajrami, Laçi, Asani, Uzuni. Trajner: Silvinjo/ KultPlus.com

Chopin Piano Fest Prishtina prezanton programin e edicionit të 15-të

Festivali i pianos “Chopin Piano Fest” në Prishtinë, ka publikuar probramin e edicionit të 15-të, përcjell KultPlus.

Festivali fillon nga 8 maji deri më 9 qershor 2025, ku pritet të festohen 15 vite muzikë me gjithsej 15 koncerte ku perfomojnë artistë të njohur, ansamble kamertale, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me soliste dhe koncertet e dedikuara per talentët e rinj premtues.

Ky edicion jubilar do mbahet në Amfiteatrin e Ri, Biblioteka Qendrore Universitare Prishtinë./ KultPlus.com

Kaçaniku organizon aktivitet në mbështetje të personave me sindromën Down

Sot, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, në sheshin e Kaçanikut u organizua një aktivitet sensibilizues në mbështetje të personave me sindromën Down, në mbështetje të aftësive, forcës dhe qëndrueshmërisë së tyre unike. 

Në këtë aktivitet u përçua mesazhi se së bashku mund të ndërtohet një shoqëri ku të gjithë vlerësohen dhe pranohen për atë që janë.

“Ne mund t’i dëshmojmë vlerat tona humane vetëm kur tregojmë solidaritet dhe mbështetje ndaj personave me nevoja të veçanta. Ata janë pasuri e madhe shoqërore e kulturore. Ata asnjëherë nuk janë barrë”, kanë thënë organizatorët.

Në këtë aktivitet të organizuar me mbështetjen e doktorit dhe stomatologut nga Kaçaniku, Dr. Astrit Sokoli nga “Mici Dent”, dhe bashkëpunëtorëve “Shigjeta”, morën pjesë edhe shumë përfaqësues dhe personalitete të njohura.

Në koordinim me Policinë e Kosovës, u realizua një parakalim i fëmijëve me sindromën Down të cilët kishin veshur uniformën e policisë. Ata shpërndanë kartolina, vallëzuan së bashku dhe ndanë shumë momente të mira mes vete, ku komuniteti i Kaçanikut tregoi një solidaritet në rritje, pasi për herë të parë u organizua diçka e tillë në këtë komunë./ KultPlus.com