Kështu mund ta llogarisin sa do ta kenë pagën punëtorët e sektorit publik me ligjin e ri

Qeveria e Kosovës ka vendosur sot që vlera e koeficientit për paga të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024.

Por, sa i bie që të paguhen saktë punëtorët e sektorit publik me Ligjin e ri të Pagave?

Vlera e pagës prodhohet duke shumëzuar vlerën monetare të koeficientit (105 euro për këtë vit) me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18, e të cilët mund t’i gjeni këtu.

Me Ligjin për Paga parashihet që Presidentja e Kosovës ta ketë pagën më të madhe në vend, me koeficient 18. Pas saj radhitet Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 17.5.

Paga e kryeministrit është paraparë ta ketë koeficientin e njëjtë me atë të Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të shtetit, me koeficient 17.

Shefi dhe zëvendësshefi i Stafit në Presidencë do ta ketë koeficientin 13. Shefi i Stafit në Zyre të Kryeministrit dhe Kuvendin e Kosovës me koeficient 12.5. Këshilltarët politik me koeficient mbi 10.

Pozita e Komandantit të FSK-së është parapa të paguhet me koeficient 15, ndërsa koeficientin 15.5 do ta ketë pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës pritet ta ketë koeficientin 14.5. Ndërsa në Shërbimin Korrektues të Kosovës, udhëheqësi i pavionit është parapa ta ketë koeficientin 7.3.

Rektori do ta ketë koeficientin 14.2, dekani 12.8 dhe profesori i rregullt 12.4. Drejtori i Shkollës së Mesme të lartë 6.4 dhe mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Lartë 5.8. Mësimdhënësi në Shkollë fillore dhe të Mesme të Ulët 5.6, Mësimdhënësi në institucionet parashkollore 5.2 dhe edukatorët 5.

Pozita e Drejtuesit në Shëndetësi është 12.4, Mjek specialist 12, Mjek në Specializim 8, Mjek i përgjithshëm, Stomatolog, Farmacist 7.4, Laborant, Infermier, Mami, Teknik mjekësor, Teknik farmacist, 5.6.

Ambasadori do ta ketë koeficientin 10.

Kryetari i kryeqytetit do ta ketë koeficientin 15, ndërsa kryetarët e komunave do ta kenë koeficientin në bazë të numrit të banorëve që ka komuna. Për shembull komuna që ka mbi 100 mijë banorë, kryetari i saj do ta ketë koeficientin 13.

Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës./Gazeta Express /KultPlus.com

Sulm kibernetik ndaj institucioneve të Kosovës, Qeveria tregon se çfarë është identifikuar

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka bërë të ditur se institucionet e shtetit të Kosovës ditëve të fundit janë përballur me sulme kibernetike, të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit, por për momentin gjendja është stabile – shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale.

Në një postim në Facebook, Kryeziu ka thënë se sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë.

“Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik.

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, përkatësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit të internetit.

Për momentin, gjendja është stabile – shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale dhe të qasshme, ka thënë Kryeziu.

Ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI do të vazhdojë me monitorimin e sigurisë së shërbimeve dhe sistemeve qeveritare dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e funksionimit dhe sigurinë e tyre, ka shtuar ai.

Dy ditët e fundi ka pasur probleme të kohë pas kohe me shërbimin e internetit në Institucionet e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Dhoma e Tregtisë kërkon përfitim të barabartë nga shteti, e jo kushtëzim për sektorin privat

Dhoma e Tregtisë kërkon nga Qeveria e Kosovës mbështetje të drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuar për punëtorët dhe sektorin privat, shkruan KultPlus.

Mbi 250 mijë punëtorëve të sektorit privat , sipas DTIK-së, u është rënduar gjendja për shkak situatës ekonomike të krijuar në vend.

“Rikujtojmë se janë mbi 250 mijë punëtorë të punësuar në sektorin privat të cilët mbajnë familje dhe jeta i’u është rënduar për shkak të gjendjes ekonomike të krijuar në vend, e të cilët mund të mos përfitojnë nga pako e re e masave e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës pasi që e vetmja pikë e paraparë për këtë kategori, në kuadër të kësaj pako është kushtëzimi prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për tre muajt e pare, ku realizimi i së njëjës do të jetë shumë i vështirë për një pjesë të madhe të bizneseve”, thuhet në reagimin e DTIK-së.

Ata vlerësojnë se kjo rritje do të jetë e vështirë për shumicën e bizneseve, prandaj edhe kërkojnë mbështetje.

“Punëdhënësit e sektorit privat e që janë shumicë, do ta kenë shumë vështirë të bëjnë ngritjen e pagave për punëtorët e tyre, për shkak se të njëjtit kanë probleme me inkasim të mjeteve dhe sigurimin e qëndrueshmërisë financiare për bizneset e tyre, në mënyrë që të njëjtat të mos falimentojnë”, thekson kjo odë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë gjithashtu kërkon që Qeveria e Kosovës të marrë në konsideratë gjendjen e rënduar financiare të bizneseve në vend dhe të mos kushtëzoj punëtorët e sektorit privat, ashtu siç nuk ka kushtëzuar punëtorët e sektorit publik dhe të njëjtit të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga shteti. /KultPlus.com

Kështu do të subvencionohen nga Qeveria ata që do të kursejnë rrymë

Të gjithë qytetarët që kursejnë energjinë elektrike do të subvencionohen nga Qeveria e Kosovës.

Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Financave, Hekuran Murati, më 3 shtator.

Sipas ministrit Murati, kushdo që shpenzon më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njejtë të vitit të kaluar, do të do të subvencionohet.

“Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë orë në shtatorin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 100 kilovatëve, ose 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, ka thënë ai.

Kjo dhe masa të tjera, sipas kryeministrit Kurti, do të jenë ndihmë në kuadër të pakos për përballen me inflacionin, e cila është vazhdimësi e pakos për ringjalljen ekonomike.

Kurti tha se familjet me asistencë sociale do të mbështeten me dyfishim të shumës së asistencës për një muaj. Ndërsa me nga 100 euro në nëntor do të mbështeten studentët.

Sipas tij, nga shtatori pensionistët do të marrin nga 100 euro, me nga 50 euro zyrtarët publikë, ndërsa me nga 100 euro punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Ndërsa për punëtorët e sektorit privat u tha se Qeveria do të subvencionojë për tre muaj ato biznese që i rrisin pagat e punëtorëve, pra gjysmën e rritjes së pagës së tyre për tre muaj.

Në total, Kurti tha se do të ndahen 150 milionë euro për pakon për përballen me inflacion.

Ai tha po ashtu se shpejt do të procedohet në Qeveri e Kuvend, Projektligji për punë publike i cili ka për qëllim kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore dhe punët përcjellëse. / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës njofton për takimin e sotëm: Sot kishte dy tema në agjendë

Sot në Bruksel u mbajt takimi i tretë i nivelit të lartë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ky takim është dashur të mbahej më 19 korrik. Mirëpo, ai u pat shtyrë për muajin gusht me kërkesën e palës tjetër, gjersa Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pat shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje.

Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim.

Kryeministri Kurti falënderoi Bashkimin Evropian, z.Borrell dhe z.Lajçak, për organizimin dhe ndërmjetësimin në këto bisedime, drejt normalizimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. /KultPlus.com

Kurti prezanton të arriturat e deritanishme të Qeverisë në fushën e Kulturës

Në mbledhjen e 89-të të Qeverisë së Kosovës është biseduar shumë për artin dhe kulturën në vend, shkruan KultPlus.

Kurti ka njoftuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur thirrjen për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, të cilës i janë përgjigjur 370 aplikues.

“Vlera e ndarë për këtë thirrje ka qenë 300 mijë euro. Veprat e blera do t’i takojnë Fondit Shtetëror të Artit dhe do të përdorën për diplomaci kulturore të shtetit tonë, duke i ekspozuar ato në pikat kryesore diplomatike të Republikës së Kosovës”.

“Artistët tanë janë punëtorë dhe talentë. Ata me punën e tyre kanë arritur që emri Kosovë të thirret disa herë në skenat e famshme kulturore. Qeveria është këtu për infrastrukturë. Ne do t’i krijojmë kushtet që talentet e reja dhe artistët aktualë të mos brengosen për asgjë tjetër përveçse inspirimit e thellimit në imagjinatën e tyre”, ka vazhduar ai.

Ndërkaq, Kurti fjalimin e kësaj mbledhje e ka filluar me bienalen e Manifestës, duke treguar se Kosova do të ketë përfitime të mëdha nga kjo ngjarje.

“Duke marrë shkas këtë ngjarje të rëndësishme kulturore më lejoni që shkurtimisht të ndaj me ju disa prej arritjeve tona kryesore të deritanishme në fushën e Kulturës:

  • Po bëhen hapa konkret në reformimin e kornizës ligjore. Për herë të parë është bërë një analizë e mirëfilltë nga një plejadë e akterëve institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, organizatave jo-qeveritare dhe komunitetit të gjerë kulturor dhe artistik me qëllim hartimin e koncept-dokumentit për Kulturë të cilin shumë shpejtë do ta sjellim për votim në mbledhje të Qeverisë.
  • Kemi themeluar institucionin e Operës së Kosovës. Kosova për herë të parë ka program vjetor të Operës për vitin 2022. Programi vjetor i Operës ka përfunduar me sukses paraqitjen me performanca dhe prezantime edukative mbi edukimin operistik për fëmijë “Edu Opera” në 10 shkollat publike të muzikës në Kosovë.
  • Është arritur dhe miratuar në Qeveri marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e ri të Bashkimit Evropian “Creative Europe” për periudhën 2021-2027. Ky program krijon hapësira të reja për komunitetin tonë artistik për avancim të veprimtarisë brenda dhe jashtë shtetit, dhe njëherit fuqizon pozitën e Republikës së Kosovës në hartën kulturore evropiane.
  • Me qëllim të avancimit të arteve pamore në Kosovë, në vazhdën e punës për themelimin e muzeut të artit bashkëkohor është formuar Këshilli Iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor, i cili ka filluar punën me qëllim të themelimit të institucionit të Muzeut, krijimit të sistemit organizativ, konceptit dhe programit, si dhe përgatitjen e koleksionit të Muzeut.
  • Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kemi hapur thirrjen për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, të cilës i janë përgjigjur 370 aplikues. Vlera e ndarë për këtë thirrje ka qenë 300 mijë euro. Veprat e blera do t’i takojnë Fondit Shtetëror të Artit dhe do të përdorën për diplomaci kulturore të shtetit tonë, duke i ekspozuar ato në pikat kryesore diplomatike të Republikës së Kosovës”, thuhet në fjalimin e të parit të ekzekutivit. /KultPlus.com

Projektligji për hekurudhën Durrës – Prishtinë miratohet në Qeverinë e Kosovës

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për miratimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes  së Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit dhe Projekt-Idesë për Lidhjen Hekurudhore Durrës – Prishtinë.

Sipas njoftimit të bërë nga qeveria, qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i proceduarve dhe ndarja e kostove ndërmjet palëve për financimin e Studimit të Fizibilitetit.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i procedurave dhe ndarja e kostove ndërmjet palëve për financimin e Studimit të Fizibilitetit të këtij projekti, gjegjësisht për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në njoftimin e qeverisë. /KultPlus.com

Qeveria e Kosovës miraton nismën e MAShTI për bashkëfinancim të bursave për Master me Ambasadën e Francës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar nismën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për lidhjen e marrëveshjes me Ambasadën e Francës në Kosovë për bashkëfinancim të bursave të arsimit të lartë në nivelin Master.

Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin e lëvizjes së studentëve kosovarë në Francë dhe përforcimin e bashkëpunimit në këtë fushë, duke hapur kështu rrugë për financimin e disa bursave për studentët tanë që të ngrisin kapacitetet profesionale në fushat me interes për zhvillimin e vendit. / KultPlus.com

Ku do të aplikojnë qytetarët për marrjen e shtesave prej 100 eurosh?

Qeveria e Kosovës është afër finalizimit të platformës online për aplikim për shtesat prej 100 eurosh për punëtorët në sektorin privat dhe studentët.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se shumë shpejt do të dalin me njoftimin dhe udhëzimet mbi procesin e aplikimit.

“Është çështje ditësh”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se edhe për shtesat prej 100 euro për studentët janë duke punuar në platformën ku do të mund të bëhet aplikimi.

Më 12 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të gjitha kategorive të pensionistëve, punëtorëve të sektorit publik e privat, si dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro shesë në muajin prill.

Familjet që përfitojnë asistencë sociale do të kenë po ashtu dyfishim të vlerës së saj për këtë muaj.

Nga kjo ndihmë, siç ka thënë Kurti, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se më 15 prill janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për pensionistët.

Ndërkaq, javën tjetër, sipas Qeverisë do të ekzekutohet pagesa e dyfishtë e asistencës sociale për 26 mijë familje dhe shtesat për punëtorët e sektorit publik.

Ndihma e Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas një inflacioni të lartë që ka goditur vendin.

Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në muajin mars në Kosovë është rritur për 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021. / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës merr vendim, paga minimale rritet në 250 euro

Në mbledhjen e radhës të mbajtur nga Qeveria e Kosovës është miratuar projektligji që cakton pagën minimale në vlerë prej 250 euro neto apo 264 euro bruto, përcjell KultPlus.

Gjatë kësaj mbledhje u vendos edhe për heqjen e tatimit për 250 euro pagë.

Kryeministri, Albin Kurti tha se pavarësisht sa është lartësia e pagës, për pjesën e 250 eurove nuk do të ketë tatim në pagë.

Ndërkaq, ministri Financave, Hekuran Murati tha se nevojitet të ndryshohen ligjet që ndërlidhen me pagën minimale. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Qeveria ka vendosur që t’i strehojë 20 gazetarë nga Ukraina

Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i pranojë 20 gazetarë ukrainas të cilët janë larguar nga vendi I tyre shkaku I agresionit rus, përcjell KultPlus.

Kurti ka shkruar se do t’i përkrahin gazetarët ukrainas dhe do t’ua mundësojnë punën nga distanca.

“Qeveria jonë ka vendosur që të pranojë 20 gazetarë nga Ukraina në Kosovë. Ata janë detyruar që ta lënë atdheun e tyre nga invazioni rus. Në përkrahje dhe solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj, në bashkëpunim me Federatën Evropiane të Gazetarëve ne do t’ua mundësojmë atyre të punojnë nga distanca”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës mbulohet me flamurin e Ukrainës, Kurti: Historia favorizon të drejtët

Objekti i Qeverisë së Kosovës sot është mbuluar me flamurin e Ukrainës, përcjell KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar në rrjetin social Twitter një fotografi me të cilën ka shprehur mbështetjen ndaj popullit ukrainas.

Krah kësaj fotografie, ai ka thënë se edhe pse lufta mund të jetë e vështirë, historia favorizon të drejtët.

“Pavarësisht se sa të errëta janë kohët apo sa e vështirë të jetë lufta, historia favorizon të drejtët. Në këtë kohë kritike për popullin ukrainas, ne mbuluam ndërtesën e qeverisë për të treguar solidaritetin e popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës ndan edhe 10 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjeteve buxhetore në shumë prej dhjetë milionë euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Qeveria ka zhvilluar mbledhje elektronike ku ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej dhjetë milionë euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Sipas njoftimit, këto mjete shkojnë për masën 3.7 – mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike. / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës miraton masat e reja anti-COVID

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

Kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00, për dallim që deri tash niste nga ora 00:00.

Po ashtu, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

*Certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;

*Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

*Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës;

Procesi mësimor do të zhvillohet siç është bërë deri tash.

Pensionistët vazhdojnë të jenë të liruar nga paraqitja e rregullt.

Mbledhjet në ambiente të mbyllura lejohen me maksimum 30 persona.

Ndalohet veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, apo dasmave e fejesave. Ndalohet edhe mbajtja e pritjes për ngushëllim.

Gastronomisë i lejohet puna deri në orën 21:00. Muzika në lokalet e gastronomisë lejohet deri në orën 20:30.

Klikoni KËTU që të njoftoheni me masat që do të hyjnë në fuqi nga nesër. / KultPlus.com

Qeveria aprovon kërkesën e ZRRE-së: Konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWh në muaj, do t’u rritet fatura

Kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji rreth rritjes së çmimit të energjisë elektrike është për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWh energji ka marrë aprovimin e Qeverisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

ZRRE, institucion i pavarur përgjegjës për përcaktimin e tarifave që pasqyrojnë koston për konsumatorët fundor, ka lëshuar Raportin e saj Konsultativ për Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të Tarifave të Energjisë Elektrike.

“Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.

Ndërkaq, në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh.

E në anën tjetër, konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës. /KultPlus.com

Prodhuesit e kriptovalutave: Qeveria po na detyron t’i shesim

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që disa qytetarë të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro në vitet e fundit.

Njoftimet për shitje po bëhen kryesisht në grupe të ndryshme në rrjetet sociale, ku zakonisht diskutohet vetëm për çështjen e kriptovalutave.

Çmimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga 1,500 e deri në 8 mijë euro, varësisht prej pajisjes.

REL ka komunikuar me disa prej tyre, të cilët në kushte anonimiteti kanë thënë se janë detyruar t’i ndalin pajisjet, të cilat i kanë blerë më shtrenjtë dhe tash po i shesin më lirë.

Njëri prej tyre tha në një përgjigje me shkrim se është detyruar t’i shesë tri pajisjet e tij, pasi nuk dëshiron të veprojë në mënyrë kundërligjore.

“I kam pasur tri pajisje dhe të tria i kam shitur, sepse Qeveria nuk ka dhënë afat se për sa kohë do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave. Po të kishte një afat, do t’i ndalonim përkohësisht. Të tri pajisjet i kam shitur 1,500 euro”, tha ai.

Shitblerja e pajisjeve për prodhim të kriptovalutave po bëhet edhe në një grup me qindra qytetarë në aplikacionin ‘Telegram’.

“Kam filluar qe më shumë se 6 muaj të prodhoj kriptovaluta. Për momentin kam një pajisje (Rig 5700xt 6-GPU). E kam blerë 7 mijë euro. Pesë mijë euro i kam marrë kredi për ta blerë. Çdo muaj prej kësaj pajisje i kam fituar 500 deri 600 euro”, tha njëri prej tyre në kushte anonimiteti.

Vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, sipas tij, është pak i ngutshëm dhe shpreson që i njëjti të anulohet.

Ai tha se ende nuk ka vendosur nëse do ta shesë pajisjen, pasi që, sipas tij, nuk shpenzon shumë rrymë.

Bie çmimi i pajisjeve

Përveç shitjes së pajisjeve, qytetarët kanë filluar t’i tërheqin fitimet e tyre të fituara nga prodhimi i kriptovalutave.

Në njërën nga kompanitë për këmbimin e kriptovalutave në Prishtinë, thonë se ata qytetarë që kanë kritpovaluta, tashmë kanë filluar t’i tërheqin fitimet, ndonëse aktualisht vlera e tyre ka rënë.

Ardian Alaj, bashkëpronar i njërës prej kompanive për këmbim të kriptovalutave, tha se me datat 4 dhe 5 janar ka qenë një fluks më i madh i njerëzve, të cilët kanë këmbyer valutat e tyre.

Ai tha se vendimi i Qeverisë nuk ka pasur shumë sqarime dhe njerëzit ndihen të rrezikuar se çfarë do të ndodhë me valutat e tyre.

“Kemi klientë të rregullt që çdo muaj vijnë i konvertojnë fitimet e tyre për nevoja të rrymës, internetit dhe nevojat e tyre personale, por këto dy ditë fluksi i njerëzve ka qenë më i madh dhe sasia e këmbimit të valutave ka qenë shumë e madhe krahasuar me muajt paraprakë”, tha Alaj.

Sipas tij, pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka filluar të bjerë çmimi i pajisjeve në faqe të ndryshme online ku qytetarët i postojnë fotografitë e pajisjeve të tyre.

“Ajo çka po vërehet është se çmimi i pajisjeve ka pësuar rënie shumë të madhe. Zakonisht blerja e një pajisje, ka kushtuar deri 5 mijë euro, tash mund të gjendet në treg me 2,000-2,500 euro”, tha Alaj.

Sipas Doganës së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2021, në Kosovë janë importuar pajisje për prodhim të kriptovalutave në vlerë rreth 600 mijë euro.

Qeveria zotohet se do t’i ndalojë kriptovalutat edhe në veri

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të enjten se do të identifikohen lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës.

Në dy operacione të ndara, Policia e Kosovës tha më 6 janar se ka sekuestruar 70 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim dërguar REL-it, zyra për media e Qeverisë ka njoftuar se pas identifikimit do të ndërpritet prodhimi i kriptovalutave, duke përfshirë edhe veriun e Mitrovicës.

Mirëpo, zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, tha të mërkurën se kjo kompani e ka të pamundur t’i identifikojë lokacionet ku prodhohen kriptovalutat, e aq më pak në veri të Kosovës.

“Identifikimi i lokacioneve ku prodhohen kriptovaluta, nuk është kompetencë e KEDS-it. Dihet që nuk e furnizojmë veriun dhe nuk kemi qasje atje, e kemi të pamundur”, tha Buzhala, duke shtuar se e kanë të vështirë të dinë edhe sa shpenzojnë rrymë këto pajisje.

Në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës thuhet se “në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike dhe një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit”.

“Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovalute, duke marrë parasysh shifra konservative, konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit”, thuhet në përgjigje.

Që prej vitit 1999, furnizimi me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës është problem.

Që nga ajo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës.

Së fundmi, Kosova po përballet me krizë energjike, pas rritjes së importit të energjisë. Autoritetet kanë miratuar masat emergjente për energji.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike. /REL/ KultPlus.com

Pas 11 viteve, Kosova do të bëjë regjistrimin e popullsisë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në vitin 2022 do të bëjnë regjistrimin e ri të popullsisë, përcjell KultPlus.

Gjatë ditës së sotme, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se regjistrimi i popullsisë ishte paraparë të bëhej gjatë vitit 2021, por për shkak të pandemisë një gjë e tillë është shtyrë.

“Regjistrimi i popullsisë është bërë në vitin 2011 dhe normalisht do të duhej që të bëhej në vitin 2021, por për shkak të pandemisë dhe të rrëzimit të qeverisë, regjistrimi do të bëhet në vitin 2022”, ka thënë Murati në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti tha se ky projektligj do të zhvillohet në vitin 2022, dhe do të ndihmojë në përcaktimin e kompetencave të organeve të cilat rregullojnë dhe zbatojnë procesin e regjistrimit të popullsisë. /KultPlus.com

Rama e Kurti nënshkruajnë marrëveshjet në Elbasan

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur mbledhjen e shtatë radhazi në Elbasan, ku edhe kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, shkruan KultPlus.

Njëra prej pikave që mori vëmendje të madhe është “shkrirja” e kufirit, ku edhe nga viti i ardhshëm nuk do të ketë më kolona nëpër kufinjë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Raman, bënë nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve

Marrëveshjet e nënshkruara:

-Marrëveshja për krijimin e sekretariatit koordinues ndërqeveritarë

-Marrëveshja për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore ose të kontrollit hyrje/daljet e mallrave.

-Marrëveshja për lehtësimin e procedurave për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm.

-Marrëveshja për rregullat e regjimit lokal të kufirit.

-Marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Kukës-Kryshevc-Dragash.

-Marrëveshja për sigurime shoqërore.

-Marrëveshja për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë

-Njohja dhe njësimi reciprok i diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet tjera të autorizuara.

-Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.

-Kalendari i përbashkët kulturor vjetor Shqipëri-Kosovë

-Marrëveshja për avancimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë

-Marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Kosovës.

-Marrëveshja për bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve. /KultPlus.com

Qeveria e Kosovës miraton 4 propozime të ministres Dumoshi për bashkëpunim me Shqipërinë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen  e sotme ka miratuar propozimet e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për Kalendarin e Përbashkët Kulturor mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, i cili nënshkruhet nga dy ministret respektive të kulturës.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe Marrëveshjen e cila do të nënshkruhet për bashkëprodhime filmike mes Kosovës e Shqipërisë, e cila do të mundësojë bashkëpunimin mes Qendrës Kinematografike të Kosovës me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, që do të shërbejë në prodhimin e filmit dhe forcimin e mëtejmë të lidhjeve kulturore dhe etnologjike midis dy vendeve. Me këtë marrëveshje parashihet edhe ndarja e përbashkët e çmimeve për fushën e kinematografisë.

Gjithashtu, është miratuar edhe Memorandumi i bashkëpunimit, i cili do të nënshkruhet mes Kosovës e Shqipërisë për veprimtarinë botuese dhe librit me qëllim të rritjes së shkëmbimit kulturor në këtë fushë, të qarkullimit të librit dhe të bashkëpunimit të Bibliotekave Kombëtare të të dyja vendeve.

Edhe në fushën e sportit, Qeveria, miratoi propozimin e ministres Dumoshi për memorandumin Ligën Unike në Basketboll e cila do të jetë një mbështetje institucionale për themelimin e një lige të përbashkët në basketboll

Ministrja Dumoshi, me rastin e miratimit të propozimeve të MKRS-së nga ana e Qeverisë tha se janë vendime të cilat do të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit konkret të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës.

“Me vendimet të cilat ka miratuar Qeveria në mbledhjen e sotme, Kosovës dhe Shqipërisë i hapet rruga për shkëmbimin e përvojave në fushat e kinematografisë, të librit dhe aktiviteteve tjera kulturore që institucionet tek ne dhe në Shqipëri i planifikojnë për t’i zhvilluar me qëllim të kultivimit të vlerave të mirëfillta kombëtare dhe me këtë rast dua ta falënderojë Qeverinë Hoti për miratimin e këtyre nismave”, u shpreh ministrja Dumoshi. / KultPlus.com