Kurti i uron mirëseardhje Utës: E falënderojmë përzemërsisht

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për alpinisten Uta Ibrahimi, e cila ka ngritur flamurin e Kosovës në 14 majat më të larta në botë, shkruan KultPlus. 

Ai i uroi mirëseardhje Ibrahimit, kur kjo e fundi erdhi mbrëmë në Kosovë dhe u prit nga Qeveria e Kosovës dhe një numër njerëzish. 

Postimi i plotë: 

“Uta, mirë se na erdhe nga akujt e Kanchenjungës!

Ngjitja shkallëve për në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, aty ku ishim grumbulluar për ta nderuar një grua të jashtëzakonshme, besoj të ketë qenë ngjitja më e lehtë. Kësaj radhe na erdhi edhe me histori në supe, si gruaja e parë shqiptare dhe nga i gjithë Ballkani që ka ngjitur 14 majat më të larta të botës – që të gjitha mbi 8 mijë metra të larta. Përkundër që ngjiti malet më të larta të botës, ajo gjithmonë ka qenë me këmbë në tokë – me dashamirësinë shoqërore për cilindo që e njeh. 

Për punën dhe kontributin e Utës që nuk matet me altimetër, e falënderojmë përzemërsisht. Si qeveri, si institucione, por para së gjithash, si qytetarë”, shkruan Kurti në “Facebook”. /KultPlus.com

Kur artistët kinez vizituan Shkodrën në vitin 1955 (FOTO)

Shkodra është një prej qyteteve më të kahershme të Shqipërisë, me një histori banimi mijëvjeçare në qytet dhe krahinë. Po ashtu Shkodra gjatë viteve të tëra, ka qenë një vend ku është zhvilluar kultura dhe jeta artistike, shkruan KultPlus.

Një fotografi e postuar nga Vinceś Mudroū‎, dëshmon se këtë qytet e kanë vizituar edhe artistë kinezë, në vitin 1955. Derisa ata parakalojnë përmes rrugëve të këtij qyteti, qytetar të shumtë kanë dalë për të pritur ardhjen e tyre.

KultPlus, ju sjellë këtë fotografi që tregon një atmosferë të këndshme në këtë qytet, derisa me buzëqeshje, e duartrokitje artistët kinez përshëndeten me banorët e qytetit të Shkodrës./ KultPlus.com

Ata sy

Poezi nga Fjodor Tjutçev

Kam njohur sy – o, ata sy!
Sa fort i desha e di një Zot!
Kish kaq magji dhe zjarr aty,
Sa shpirtin s’mund ta shkulnja dot.

N’atë vështrim të pakuptuar
Zbulohej jeta gjer në fund.
Kish kaq pasion të përvëluar,
Kaq pikëllim sa s’ka kurrkund!

Dhe shihte rëndë, madhërishëm,
Që nën qepallat, mengadal’.
Dhe ish gazmor dhe ish i hijshëm
Dhe si një vojtje ish fatal.

Shpesh rrija shihja i mahnitur,
Por asnjëherë s’munda dot
Që ta vështroj’ pa u tronditur,
Ta adhuroj pa derdhur lot. /KultPlus.com

Konferenca shkencore: Idetë dhe mesazhet kombëtare të Frashërllinjve

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencës zgjodhi këtë herë Frashërin, kryefshatin historik të Shqipërisë në zonën e Dangëllisë, për të organizuar më 25 maj 2025 konferencën shkencore me temë: “Idetë dhe mesazhet kombëtare të Frashërllinjve”.

638e1432-3f4a-46c2-83eb-21c159327b55

Qëllimi ishte që, pikërisht në ditën e lindjes së poetit të madh Naim Frashëri, në shtëpinë ku u lindën tre vëllezërit, të bëheshin publike gjetje dhe dokumente të reja që dëshmojnë kontributin e jashtëzakonshëm të tre kolosëve të Rilindjes Kombëtare: politikanit dhe shtetarit Abdyl Frashëri, poetit dhe gjuhëtarit Naim Frashëri, dhe dijetarit e enciklopedistit Sami Frashëri.

Konferencën e hapi Prof. Marenglen Spiro, Sekretar Shkencor i Akademisë, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti Prof. Ethem Ruka, Kryetar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës. Ruka theksoi se Frashëri është “Meka e shqiptarisë”, vendi ku u hodh fara për shpëtimin dhe ndërtimin e Shqipërisë. “Ne sot kemi detyrimin t’i nderojmë, t’i kujtojmë dhe të përulemi para monumenteve të këtyre burrave të mëdhenj të shqiptarizmës,” u shpreh ai. Sipas tij, fara e hedhur në Frashër mbolli pemën e pavarësisë më 1912 dhe të Kongresit të Lushnjës më 1920.

84156c96-6b7c-4ae8-927f-039a2d746f9e

Akademiku Pëllumb Xhufi mbajti një referat mbi profilin politik dhe diplomatik të Abdyl Frashërit, një prej figurave themelore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila mori trajtat e një shteti dhe qeverie të parë shqiptare me institucione dhe atribute të plota.

Prof. Paskal Milo vuri në dukje kontributin e Sami Frashërit në vizionin për shtetin modern shqiptar, duke përfshirë idetë për strukturat shtetërore, sistemin monetar dhe deri te propozimi për një kryeqytet të vendosur në një pikë gjeografike të baraslarguar nga Shkodra, Prizreni, Manastiri dhe Janina.

Historiani Kastriot Bezati, me titullin “Mjeshtër i Madh”, kujtoi rëndësinë historike të dy kuvendeve kombëtare të mbajtura në Teqenë e Frashërit, të njohura si Kuvendet e Frashërit, që zënë një vend të veçantë në historinë kombëtare.

f8a4deee-27df-4de3-89cc-93cc034e670a

Prof. Ksenofon Krisafi solli dokumente dhe fakte të reja me vlera juridike dhe institucionale për veprimtarinë e Abdyl Frashërit në përpjekjet për ndërtimin e një shteti shqiptar me integritet të plotë dhe të barabartë me vendet fqinje.

Poeti Lumo Kolleshi kontribuoi me një cikël të ri poetik kushtuar Naim Frashërit, të cilin e përshkroi si “mësuesin e popullit të tij”.

Prof. Fatos Tarifa referoi mbi konceptin dhe rrugët që Shqipëria duhej të ndiqte pas pushtimit osman, duke theksuar se drita e ndezur nga Frashërllinjtë ndriçoi të ardhmen e vendit.

Poeti dhe studiuesi nga Kosova, Agim Vinca, solli në konferencë vlerësimet e akademikut Rexhep Qosja për Naim Frashërin, duke u mbështetur te vepra e tij “Porosia e Madhe”.

Gjuhëtari i njohur Prof. Xhevat Lloshi prezantoi botimin më të fundit në Shkup, nën redaktimin dhe drejtimin e tij, të veprës së Sami Frashërit. Ai theksoi se ajo që njihet deri më tani për Samiun është vetëm një pjesë e vogël krahasuar me gjithçka që ai ka shkruar dhe krijuar.

49ea68e0-2d17-400c-bb73-1700441792d5

Prof. Sherif Bundo vlerësoi Frashërin si një qendër të rëndësishme pelegrinazhi kulturor dhe turistik, falë pozitës gjeografike, mjedisit natyror dhe vlerave kulturore e etnografike që përmban. Ai propozoi që Frashëri të kthehet në një itinerar tërheqës turistik kombëtar.

Në përmbyllje të konferencës, u theksua se: Frashëri dhe Frashërllinjtë ndërtuan Shqipërinë – Shqipëria nuk duhet të lejojë të harrohet Frashëri. Kryefjala ishte një thirrje për ndërtimin e infrastrukturës rrugore drejt këtij vendi me rëndësi kombëtare, si dhe propozimi për rikonstruksionin dhe pasurimin e muzeut të vëllezërve Frashëri.

Në konferencë morën pjesë edhe anëtarë të tjerë të Akademisë, si deputetja Prof. Luljeta Bozo, Prof. Aleksandër Xhuvani, Prof. Arben Baboçi dhe personalitete të shquara nga Shqipëria dhe Kosova. Pjesëmarrës ishte gjithashtu edhe akademiku dhe studiuesi rumun me famë europiane, Kostandin Barku, i cili së bashku me ekipin e tij ka botuar rreth një mijë libra historikë, përfshirë edhe studime të veçanta për Frashërllinjtë.

Ndryshe nga aktivitetet e zakonshme, kjo konferencë u organizua me kontributet vetjake të anëtarëve të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës./ Gazeta Panorama/ KultPlus.com

‘Mos u përpiq të bëhesh një njeri i suksesit, por përpiqu të bëhesh një njeri me vlera’

Fizikanti i famshëm Albert Ajnshtajni konsiderohet gjerësisht si një nga mendjet më të mëdha që ka jetuar ndonjëherë. Ai hapi qasjen ndaj një pasurie të madhe të dijes dhe fuqisë.

Nga studimet e tij u ngrit terreni mbi të cilën bazohen teoria e kuantikës, si dhe konceptet e energjisë në pikën zero, teoria e vrimave të zeza dhe kërkimi për një teori të unifikuar të forcave. Zbulimet e tij ishin gjithashtu përgjegjëse për bombën e parë atomike. Një dualitet i madh!

Çfarë është ajo që e bën mendjen e një individi të aftë për vepra të tilla të mahnitshme?

Besohet nga disa që, me çfarëdo lloj mënyre, për çfarëdo arsye – qoftë anomalie, fati ose të dyja – përmbajtja e mendjes së Ajnshtajnit u soll në një mënyrë që formoi çelësin e një prej mistereve më të thella të universit, duke lejuar një mençuri tjetër, atë shpirtërore të rrjedhë përmes saj.

Më poshtë gjeni 25 nga citimet më inteligjente dhe më intriguese të Albert Einstein. Ju këshillojmë që të mos i lexoni nxitimthi, disa kanë një kuptim më të thellë se sa mund të mendoni fillimisht dhe meritojnë një meditim të përzemërt.

1) “Imagjinata është më e rëndësishme sesa njohuria. Sepse njohuria është e kufizuar, ndërsa imagjinata përqafon gjithë botën, duke nxitur përparimin, duke lindur evolucionin”.

2) “Sekreti i krijimtarisë është të dish se si t’i fshehësh burimet e tua”.

3) “Natyra na tregon vetëm bishtin e luanit, por unë nuk dyshoj se bishti i përket luanit edhe pse ai nuk mund ta zbulojë menjëherë veten për shkak të madhësisë së tij të pamasë.”

4) “Përvoja më e bukur që mund të kemi është ajo e misterit. Është emocioni themelor që qëndron në djepin e gjithë artit dhe shkencës së vërtetë”.

5) “Përsosja e mjeteve dhe ndryshimi i qëllimeve duket të jetë problemi ynë kryesor”.

6) “Sa i përket ligjeve të matematikës që i referohen realitetit, ato nuk janë të sigurta, për aq sa janë të sigurta, nuk i referohen realitetit”.

7) “Nëse nuk mund ta shpjegosh në mënyrën më të thjeshtë, ti nuk e ke kuptuar mirë.”

8) “Asnjë problem nuk mund të zgjidhet nga niveli i njëjtë i ndërgjegjes që e krijoi atë”.

9) “Vetëm njohuritë dhe aftësitë njerëzore nuk mund ta çojnë njerëzimin drejt një jete të lumtur dhe dinjitoze. Njerëzimi ka çdo arsye të mundshme për t’i vendosur lajmëtarët e standardeve dhe vlerave të larta morale mbi zbuluesit e së vërtetës objektive”.

10) “Informacioni nuk është dituri”.

11) “Gjëja më e pakuptueshme për botën është se është e kuptueshme”.

12) “Çdo gjë që mund të numërohet nuk numërohet domosdoshmërisht, gjithçka që llogaritet nuk mund të llogaritet domosdoshmërisht “.

13) “Për të formuar një anëtar të pastër të një kopeje delesh, duhet të jetë mbi të gjitha një dele”.

14) “Çdo gjë duhet të jetë e thjeshtë, por jo të thjeshtohet më tej”.

15) “Njeriu duhet të kërkojë për atë që është dhe jo për atë që mendon se duhet të jetë.”

16) “Çdo njeri që lexon shumë dhe përdor trurin e tij shumë pak bie në zakone të liga të të menduarit”.

17) “Veprimi është forma më e lartë e kërkimit.”

18) “Perëndia nuk kujdeset për vështirësitë tona matematikore. Ai integron në mënyrë empirike”.

19) “Kushdo që nuk e merr seriozisht të vërtetën në çështje të vogla nuk mund të besohet as në ato të mëdha”.

20) “Shpirtrat e mëdhenj kanë hasur gjithmonë kundërshtim të dhunshëm nga mendjet mediokre. Mendja mediokre është e paaftë për të kuptuar njeriun që refuzon të përkulet verbërisht ndaj paragjykimeve konvencionale dhe zgjedh që t’i shprehë mendimet e tij me guxim dhe ndershmëri”.

21) “Ekuacionet janë më të rëndësishme për mua, sepse politika është për të tashmen, por një ekuacion është diçka për përjetësinë”.

22) “Mos u përpiq të bëhesh një njeri i suksesit, por përpiqu të bëhesh një njeri me vlera”.

23) “Feja ime përbëhet nga një admirim i përulur i frymës së pafundme superiore që zbulon veten në detajet më të lehta që ne mund t’i perceptojmë me mendjen tonë të brishtë dhe të pafuqishme”.

24) “Mendimi praktik nuk është asgjë më shumë se një depozitë e paragjykimeve të përcaktuara nga mendja para se të arrini tetëmbëdhjetë vjeç.”

25) “Lirimi i fuqisë atomike ka ndryshuar gjithçka, përveç mënyrës sonë të të menduarit… zgjidhja e këtij problemi qëndron në zemrën e njerëzimit. Po ta kisha ditur, do të bëhesha orëndreqës!”/KultPlus.com

E dashura shkruan përsëri

Poezi nga Johan Volfgang Gëte

Pse kthehem përsëri te këto fletë?
I dashur, mos më pyesje më mirë,
S’kam ç’them, me të vërtetë, po kam dëshirë
Ta mbash në dorë letrën time, vetë.

Meqë s’vij dot, kjo letër le të jetë
Prej zemrës sime ç’është me e dlirë,
Gëzim, rënkim e shpresë e dëshirë;
Gjithçka që s’pat fillim e fund e s’do ketë.

Sot dëshiroja fort mos të ta thoja
Se në dëshira, ëndrra dhe mendime
Besnikja zemër kthen e vje te ti.

Kështu dikur qëndroja e të shikoja
Dhe s’flisja dot. Ç’të thoshte goja ime?
E gjitha isha si në mrekulli./KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton Nënën Pashke: “Dhembja e nënave nuk shuhet pa drejtësi”

Në përvjetorin e vetësakrificës së saj, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar me nderim Nënën Pashke, një prej figurave më të njohura të dhimbjes dhe qëndresës së nënave që humbën më të dashurit gjatë luftës në Kosovë.

Në mesazhin e tij, Kurti theksoi se plagët e luftës nuk mund të shërohen pa zbardhjen e së vërtetës dhe pa drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. Ai rikujtoi se shumë nëna ende presin me ankth për të marrë lajme për fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

“Kujtimi për Nënën Pashke dhe për të gjitha nënat që vuajnë në heshtje për të dashurit e tyre të zhdukur, na obligon që të mos harrojmë kurrë krimet e kryera në Kosovë,” tha Kurti. Ai shtoi se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i kryer nga Serbia nuk mund të harrohen dhe nuk duhet të mbesin të pandëshkuara.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për Nënën Pashke,” përfundoi ai./KultPlus.com

“A je mirë” kënga më e re e La Fazanit (VIDEO)

La Fazani sapo ka lansuar këngën e tij të fundit “A je mirë” këngë që ka një tekst shumë thumbues për përditshmërinë e rinisë së Kosovës. 

Kjo këngë është me tekst dhe aranzhim të vet Arbër Salihut, dhe në të njëjtën kohë është lansuar edhe me videoklip e që është punuar nga Likana Cana. 

KultPlus ju sjell këtë projekt të fundit të Arbër Salihut i cili tashmë është i njohur për stilin e tij./ KultPlus.com 

Ekipi shqiptar merr vlerësime në konkursin e pikturës “Small Montmartre of Bitola”

Sot është dita e tretë e konkursit ndërkombëtar të pikturës “Small Montmartre of Bitola”.

Në Manastir të Maqedonisë së Veriut merr pjesë edhe një skuadër piktoresh shqiptare, 6 vajza të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.

Dita e dytë e kolonisë së piktorëve të vegjël, rezultoi e suksesshme për ekipin shqiptar. Nën një qiell plot ngjyra dhe frymëzim, shkëlqeu talenti i nxënëses së QKKF-së, Livia Kokthi, e cila u përzgjodh ndër 15 më të mirët nga 100 pjesëmarrës. Më herët, në ditën e parë të konkursit të pikturës, dalluan Alisia Gjyli dhe Sabrina Pogoni, mes 20 më të mirave në “Small Montmartre of Bitola”. Më tej, vlerësimin më të lartë e mori Sabrina Pogoni, e cila u rendit mes 8 më të mirave.

Sot, aventura artistike vazhdon mes telajos dhe shpirtit krijues në zemër të Manastirit./atsh/KultPlus.com

Korça organizon Festivalin Ndërkombëtar të Karnavalit

Korça po bëhet gati për hapjen e sezonit turistik me një festë të madhe, Festivalin Ndërkombëtar të Karnavalit.

“Më 7 qershor, qyteti ynë shndërrohet në një skenë të madhe ngjyrash, krijimtarie dhe gëzimi”, u shpreh kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Karnavalet janë një traditë e dashur për korçarët dhe jo vetëm. Ato janë një festë që bën bashkë komunitetin dhe shpirtin artistik të qytetit. Çdo vit, me dhjetëra kostume mbresëlënëse tregojnë jo vetëm fantazinë, por edhe identitetin dhe mesazhet personale të pjesëmarrësve.

Pritet që rrugët e Korçës të mbushen së shpejti me superheronj, figura teatrore, personazhe mitologjike apo mesazhe të forta përmes veshjes.

Kryebashkiaku i Korçës, ftoi për pjesëmarrje në këtë festival ndërkombëtar duke kujtuar disa nga kostumet më kreative të viteve të kaluara përmes një albumi fotografik./atsh/KultPlus.com

Biblioteka “Thimi Mitko” e Korçës, e para biblioteke moderne me fond të digjitalizuar

Fillesat e Bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë datojnë prej korrikut të vitit 1921. Biblioteka u themelua nga federata “Vatra” dhe u quajt “Biblioteka Popullore”, e para në Shqipëri.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, e shoqëruar nga drejtoresha Jorida Dhëmbi, vizitoi mjediset tashmë moderne të kësaj biblioteke.

Kjo bibliotekë u restaurua në vitin e 100-vjetorit të saj, duke u bërë e para e këtij lloji në Shqipëri, në mënyrë që libri të ketë vendin e merituar në një botë ku bibliotekat e shekullit të 21-të kanë më shumë se libra. Duke iu përshtatur ndryshimeve në teknologji bibliotekat tashmë janë shndërruar në hapësira për aktivitete krijuese dhe transformuese. Në këtë kuadër, me iniciativën dhe ndihmën e Bashkisë Korçë është bërë edhe digjitalizimi i gjithë fondit të librave të Bibliotekës “Thimi Mitko”.

Në fillesat e saj, për pasurimin e fondit dhanë kontribut mjaft patriotë korçarë brenda dhe jashtë vendit. Nikolla Lako, i cili ishte edhe drejtori i parë i kësaj biblioteke, kishte ruajtur me kujdes fondin e librave të Alandro Kastriotit dhe botimet e veta. Patrioti Spiro Dine dhuroi botimin origjinal të Thimi Mitkos, “Mbleta Shqyptare” dhe “Abetaren” e Naum Veqilharxhit. Ndërsa mes dhurimeve nga patriotët e mërgimit gjendet dhe “Historia e Skënderbeut”, botim i vitit 1602.

Libri më i hershëm i kësaj biblioteke daton në vitin 1541 me dorëshkrimin “Commentario delle cose dei Turchi, et del s. Georgio Scanderbeg, principe di Epiro, con la sua vita”, me autor Paulo Giovio dhe Andrea Ganbini, botuar në Venecia.

Më 28 nëntor të vitit 1930, filantropi i shquar korçar, Thoma Turtulli, i dhuroi qytetit një nga ndërtesat me vlera të spikatura arkitektonike të stilit neoklasik, për ta shndërruar në tempullin e dijes, në bibliotekë. Gjatë inaugurimit Thoma Turtulli tha: “Që djalëria korçare të lërë kafenetë dhe t’i drejtohet librit”./atsh/KultPlus.com

Shkodra në mëngjese

Poezi nga Ernest Koliqi

Këndojnë’ s’bashku n’mëngjes pes’ kumbanore
Këndojnë’ n’ajri mbi Shkodër ende fjetë:
Mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh n’liqe synin e qetë.

Përhap lajmin e zgjimit rrezja e parë
T’parat përshëndetje dridhen n’heshti letë,
E shpejt n’at lavdi, që e vesh’ fare,
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell pranvere i ri shprazet n’shtëpija,
Udha e lulishta, tue ngjall’ ngjyra e shkëndija,
Tue mbshtjell’ gjithçka si nji tis ari, i hollë,

skaj n’skaj si lum gzimi tue rrëshqitë
n’sytë e vashave qeshë, e mbush’ me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojn’ n’shkollë./KultPlus.com

Lugina e Vjosës propozohet të shpallet “Rezervat Biosfere”, Rama: Emocion dhe krenari

UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat Biosfere.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “ky është një lajm që na mbush me emocion dhe krenari”.

“Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar, është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por vjen pas një pune shumë intensive të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga vizita e parë e drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay në Vjosë në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve të zonave të mbrojtura që ndoqën çdo hap me përkushtim e profesionalizëm”.

Rama u shpreh se “Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është modeli i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon, ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore, si një himn për natyrën dhe për njerëzit”.

Shpallja e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës do të përforcojë statusin e saj ndërkombëtar dhe do të promovojë më tej ruajtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall më 13 mars 2023 nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes./atsh/KultPlus.com

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë

Poezi nga Pablo Neruda
Përktheu: Orjela Apolloni

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë

Me shkruejt, për shembull: “Nata asht e yjëzueme,
dhe dridhen, të kaltër, yjet atje në naltësi”.

Era e natës shetit nëpër qiell dhe këndon.

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë
E kam dashtë, dhe ndojherë edhe ajo m’ka dashtë.

Në net si kjo e kam mbajtë n’krahët e mi.
E kam puthë kaq herë nën qiellin e pafund.

Ajo m’ka dashtë, dhe ndojherë edhe unë e kam dashtë
Si mos me i dashtë sytë e saj të mëdhenj e të thellë.

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë
Kur e mendoj që s’e kam ma. Kur e ndjej që e kam humbë.

Me ndëgjue natën e pafundme, ma e pafundme pa të.
E vargu bie n’shpirtin tim si vesa mbi bar.

Ç’randësi ka që dashnia ime s’mundi me e mbajt’.
Nata asht e yjëzueme dhe ajo s’asht me mu’.

Kjo asht e gjitha. N’largësi dikush këndon. N’largësi.
E kam humbë atë, prandaj n’shpirt thellë po vuej.

Si për me e pasë ma ngat, shikimi im e kërkon,
zemra ime e kërkon, e ajo nuk asht me mu’.

Dhe asht e njajta natë që i zbardhë po të njajtat pemë.
Ne, ata të ktyneherë, ma s’jemi t’njajtit.

Tash ma nuk e du’, asht e qartë, por sa fort e kam dashtë.
Zani im kërkon erën për me e prekë veshin e saj.

E tjetrit. Ka me qenë e tjetrit. Si para puthjeve të mia.
Zani i saj, trupi i saj i qartë. Sytë e saj t’pafundmë.

Tash ma nuk e du’, asht e qartë, por ndoshta edhe e du.
Asht kaq e shkurtë dashnia dhe kaq e gjatë harresa.

Sepse në net si kjo e kam mbajtë në krahët e mi,
E kam humbë atë, prandaj n’shpirt thellë po vuej;

Qoftë kjo dhimbja e fundit që m’shkakton,
Dhe këto vargjet e fundit që për të i shkruej./ KultPlus.com

Hapet Ekspozita e Diplomës së Studentëve në Fakultetin e Arteve të UP-së

Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës do të hap sot zyrtarisht Ekspozitën e Diplomës për studentët e Gjeneratës 2025. Ceremonia solemne u mbajt në Galerinë e Fakultetit, duke filluar nga ora 12:00, në prani të profesorëve, studentëve, përfaqësuesve institucionalë dhe shumë të ftuarve nga jeta kulturore dhe artistike.

Ekspozita paraqet punimet përfundimtare të studentëve të diplomuar nga të gjitha drejtimet e studimit në fushën e arteve vizuale. Ajo synon të shfaqë përkushtimin, kreativitetin dhe arritjet profesionale të kësaj gjenerate të re artistësh, duke shërbyer njëkohësisht si reflektim mbi rrugëtimin e tyre akademik.

Organizatorët theksojnë se kjo ekspozitë nuk është vetëm një ngjarje akademike, por edhe një festë publike e artit, që i fton qytetarët të njihen nga afër me punën e studentëve dhe të bashkëbisedojnë me ta në një ambient të hapur dhe inspirues.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun çdo ditë pune deri më 6 qershor 2025. Vizitorët janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të mbështesin talentin e brezit të ri të artistëve të Kosovës./KultPlus.com

Rama: Teatri i ri Kombëtar po merr formë dita-ditës

Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar po vijon, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda vitit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, projekt i cili po merr formë çdo ditë e më shumë.

“Me punën në kantierin e Teatrit të ri Kombëtar, që po merr formë dita-ditës, si një tjetër gur i çmuar mes gjerdanit të veprave që e kanë transformuar kryeqytetin”, shkruan Rama.

Projekti i ri, vepër e njërit prej arkitektëve më të mëdhenj bashkëkohorë, Bjarke Ingels, e studios daneze BIG, synon të krijojë një ndërtesë që lidhet me hapësirën e jashtme, si një strukturë performuese dhe një zgjatim fleksibël i jetës publike të Tiranës, ku Teatri bëhet vetë një “aktor” në kontekstin e qytetit.

Projekti po zhvillohet në zonën ku aktualisht gjendet pozicionuar Teatri Kombëtar në ndërthurjen e akseve të pedonaleve. Ndërtesa është ndarë në dy pjesë: një për aktorët dhe administratën, dhe një tjetër për publikun, me funksionin kryesor teatrin.

Të dy pjesët kanë akses të veçantë. Publiku do të ketë hyrje nga fasada kryesore ose një hyrje tjetër nën hark. Ndërsa pjesa e tavanit të ndërtesës do të shërbejë gjithashtu si një teatër i hapur/auditor, ku publiku mund të ulet në shkallare për aktivitete të ndryshme.

Teatri i Ri Kombëtar në Tiranë do të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon. Ky teatër do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë./atsh/KultPlus.com

Restaurohet ikona e vëllezërve Zografi, “Burimi Jetëdhënës”

Përfundoi procesi i restaurimit dhe konservimit i ikonës “Burimi Jetëdhënës” me origjinë nga Manastiri i Shën Pjetrit, Vithkuq, Korçë.

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti, tha për ATSH-në se janë dashur pothuaj dy vjet për restaurimin e kësaj ikone nga Qendra e Restaurimit dhe Studimit të Ikonave, Laboratori i Restaurimit, pranë MKAM.

Ikona “Burimi Jetëdhënës”, me origjinë nga Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit, i përket shek. të 18-të dhe është vepër e autorëve Kostandin dhe Athanas Zografi, vëllezërit nga Korça.

Ikona ka pasur shumë problematika, si rënie gruntit dhe të shtresës pikturale. Kishte dëmtime të panelit të drurit nga insektet drungrënëse. Verniku ishte tejet i oksiduar dhe kishte krijuar ishullime. Për shkak të këtyre problematikave të shumta që mbarte, u desh një kohëzgjatje e procesit të restaurimit dhe konsolidimit.

Drejtoresha e MKAM tha se, pas ndërhyrjes restauruese si dezifektimit, konsolidimit dhe pastrimit të vernikut të oksiduar, në fund u krye ritokimi dhe rillakimi./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Kalorësi i Babunjës zhvendoset në Muzeun e Historisë së Natyrës në Vjenë

“Kalorësi i Babunjës”, statuja prej bronzi e zbuluar në Babunjë të Lushnjës, vjen nga lashtësia në skenat ndërkombëtare.

Pas restaurimit në Institutin Getty dhe ekspozimit në Los Angeles, ky dëshmitar i epokës arkaike ndodhet tani në Muzeun e Historisë së Natyrës në Vjenë, një ambasador 14 cm i trashëgimisë sonë mijëravjeçare.”

Kështu shkruan Gonxhe në rrjetet sociale. /KultPlus.com

Martin Scorsese dhe rrëfimi për Bob Dylanin

“Jeta nuk do të thotë ta gjesh veten apo të gjesh çfarëdo tjetër”, thotë Bob Dylan, “Bëhet fjalë për krijimin e vetes”. Në moshën 78-vjeçare, muzikanti kalon në një fazë të re të vetë-krijimit me filmin intrigues, magjepsës, hutues e ndonjëherë ekzaltues – “Rolling Thunder Revue: A Bob Dylan Story by Martin Scorsese review” të regjisorit Martin Scorsese. Kjo do të thotë se Scorsese ka mbikëqyrur edhe editimin e arkivit filmik dhe se bashkëpunoi me Dylanin në një akt tjetër artistik të vetë-riformimit, shkruan kritiku i filmit Peter Bradshaw.

Filmi flet për turneun e koncerteve të quajtur “Rolling Thunder Revue”, që u mbajt në SHBA dhe në Kanada në vitin 1975 – turneu 57-ditësh ku trubaduri u shfaq me grim të bardhë në fytyrë e me një listë të jashtëzakonshme të akteve mbështetëse, ku përfshiheshin Joan Baez, Joni Mitchell, Roger McGuinn, Ronee Blakley, “Ramblin” Jack Elliott, Bob Neuwirth dhe violinistja Scarlet Rivera. Vendet ku luanin nuk ishin arena masive; ishin salla dhe hapësira të vogla, me publicitet ndonjëherë të kufizuar në fletushka të shpërndara gjatë ditës tek banorët e qyteteve të vogla, në të cilat autobusi i turneut i stilit të Ken Keseyt do të kalonte me Dylanin e buzëqeshur në timon. Mundohuni të paramendoni se po ndodh tani.

Çfarë nënkuptonte për Dylanin, që të udhëheq këtë ngjarje në një si thashetheme muzikore që gjarpëronte nëpër Amerikën që po e merrte veten nga turpi i skandalit Watergate dhe që po bëhej gati për festimin e 200-vjetorit të pavarësisë?

“Ishte aq moti sa që nuk kisha lindur”, thotë sot Dylani ironik, duke ngritur supet. Të gjitha paraqitjet e tij në intervista janë shumë qesharake, me zë të thatë si bari i prerisë.

Filmi nuk mëton të na tregojë qartazi se për çfarë bëhet fjalë. Ka diçka të çuditshme dhe djallëzore aty. Pamjet e koncerteve dhe të prapaskenave duket se janë marrë nga i njëjti arkiv i materialeve që formoi bazën e filmit të gjatë dhe të dështuar të vitit 1978 – për këtë turne, “Renaldo and Clara” – të cilin ai shkroi me të ndjerin Sam Shepard (i cili është intervistuar në dokumentar). Ashtu si ai film, “Rolling Thunder Revue” ka disa karaktere që nuk mund të jenë bash faktikë. Xhirimet i atribuohen filmbërësit dispeptik i cili në fakt është artisti i performancave dhe komediani Martin Von Haselberg, bashkëshorti i aktores dhe këngëtares Bette Midler. Një politikan i caktuar është intervistuar dhe ju mund të thoni: “Prit, ai djalë duket si aktori Michael Murphy”! Dhe është aktori Michael Murphy. Mund të jetë kjo një komedi moderne dell’arte në të cilën, me ndihmën diskrete të Scorseses, Dylan po tërhiqet prapa maskave që mund ta lejojnë të tregojë një të vërtetë më të madhe?

Mbase po. Scorsese hedh më shumë aludime me copëzat nga filmat që në një mënyrë kanë të bëjnë me performancat skenike: “The Vanishing Lady” (1893) nga Georges Melies, “Children of Paradise” (1945) nga Marcel Carnes dhe “Latcho Drom” (1993) nga Tony Gatlif. Ndonjëherë gjysmë-kujtimi kreativ është pak i errët dhe ka raste kur unë do ta kisha bërë më shumë si një realizëm të drejtpërdrejtë dokumentar. Por, nuk bën të ankohem kur gjithë kjo është aq e mahnitshme, si një kapsulë kohore dhe si një shfaqje unike me Dylanin dhe me paraqitje të lavdishme nga Baez, Mitchell dhe gjithashtu Patti Smith – e cila në fakt nuk ishte anëtare i turneut “Rolling Thunder”.

Allen Ginsberg, një tjetër figurë me rëndësi e viteve 1970, shfaqet në turne, sa egoist aq edhe i nënshtruar nga rëndësia e Dylanit. Është një intervistë e mirë me aktoren Sharon Stone, e cila si e re duket se ka qenë pak në turneun me “Rolling Thunder”. Ajo është intervistuar për përvojat e saj – përfshirë shpërthimin në lot kur zbuloi se kënga e Dylanit, “Just Like a Woman”, përkundër fjalëve që ai i kishte thënë, nuk i dedikohej asaj!? A mund të ndodhte kjo meqë ishte e vetmja femër e re, në udhëtim tek e cila Bob mund ta përdorte atë varg?

Pjesa më emocionale e filmit është kënga e Dylanit, “Hurricane”, për boksierin Rubin “Hurricane” Carter i cili u burgos gabimisht për një vrasje. Kjo këngë dhe turneu “Rolling Thunder” ishin pjesë e rëndësishme e momentumit që e përmbysi dënimin për Carterin – megjithëse nuk do të lirohej edhe për 10 vjet.

Për fund, kjo është një përvojë e mrekullueshme, që të zhyt përsëri në vitet 1970. Ka pasion aty. E, pa marrë parasysh se sa kaotike apo të zymta bëhen gjërat, askush nuk ka dyshime se muzika ka rëndësi. /KultPlus.com

Lamtumirë

Poezi nga Federik Rreshpja

Perënditë ilire skalitur në mjegulla
Vdesin në horizont.
Fati im prej duralumini
Nëpër vdekje perëndish.

Fluturon nëpër iliadën e shkrepave
Fati im tërë gjëmë.
Dhembja ime ulërin nëpër qiell
Sa tërë avionët e botës.

Lamtumirë! Fati im i rrëzuar diku
Do mos ngrihet kurrë më.
Jo, unë nuk desha të ik nëpër qiej,
Unë desha të ik nëpër këngë./KultPlus.com

Heidegger: Nuk ka gjëra atje ku mungon fjala…

Nga ky vend do të ndërmendim atë çka pyet Hëlderlini në elegjinë e tij “Bukë dhe verë” (VI strofa):

  Pse pra po heshtijnë dhe ata, teatrot e shenjta antike?

  Pse nuk po i lëvdojnë ata Zota që po kcejnë rrëmujën gaztare?

Vendit të lashtë të shfaqjes së zotave u është privuar e drejta të përmenden në fjalë, në atë fjalë siç ka qenë ajo dikur. Po si ka qenë pra, ajo? Në ligjërim, ajo ka qenë fqinjësi me zotat. Ligjërimi i ka lejuar vetes të thotë atë mbi të cilën është drejtuar vështrimi i folësit, sepse qysh më parë kësaj, ajo tashmë i ka përndriçuar ata. Të tillë përndritje e brendshme i ka kallur folësit dhe dëgjuesit në thellësinë e pafundme të barrës ndërmjet zotave dhe njerëzve. Përmes gjithë kësaj barre (rëndësire), ka prirë sundueshëm e, megjithatë pushtetshëm, ajo çka është edhe më e lartë se zotat dhe njerëzit, sikundërse flet për këtë Antigona:

Sepse jo Zeusi, që më shpalli kumtin,

(Porse një tjetër, që më dëfteu Nevojën)

Sepse jo ç’prej asaj dite dhe jo ç’prej asaj mbrëmjeje, po pa prâ, çdo herë

Shplohet ai që dëften Nevojën dhe askush ende nuk ka

Përbiruar vështrimin përmatanë, nga ai erdhi për t’u shfaqur.

Enigmë mbetet fjala poetike e llojit të këtillë, rrëfimi i së cilës çdo herë kthehet tashmë në heshtje. E mjaftueshme do jetë, nëse do të lëmë thjesht poezinë vetë të na e thotë enigmën e këtyre fjalëve dhe tani, hidhemi te poezinë me titull:

 Fjala

 Prej çudish larg dhe ëndrrash plim

Sillja sinoret e vendit tim

 Nornën e ngrysur ma priste zemra

N’ burim t’m’i gjente ato emra –

T’i ngërthej fort këtu ia dola

Tash përmes kufijsh lulojn’ ata…

 Sos udhëtimesh ktheja pas

Tue gjetë i’ thesar brishtan t’begatë

 Më foli prajshëm norna n’fund:

“Nuk fle asgjë aty përfund!”

Prej duarsh thesari më iku tej

Dhe s’munda n’visin tim ta kthej…

Kështu të zehërt njoha tabunë

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Poezia u shfaq për së pari në numrat 11 dhe 12 të “Buletinit të artit” gjatë vitit 1919.  Më vonë (1928) Shtefan George e përfshiu atë në përmbledhjen e fundit të poezive të fundit të botuar prej tij, me titull “Mbretëria e re”.

Poezia është ndërtuar prej shtatë strofash distike. Strofa e fundit jo vetëm që përmbyll poezinë, ajo njëkohësisht edhe e kyç atë. Kjo duket prej faktit që vargu përmbyllës për së pari, flet vetëm për atë se çfarë qëndron në titull: “Fjala”. Ky varg përmbyllës thotë:

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Të lind tundimi ta riformulosh vargun përmbyllës në një shprehje me përmbajtje të qartë: nuk ka gjëra atje ku mungon fjala. Aty ku diçka mungon, aty ka vend zbrazëtia, humnera. Të ndërpresësh diçka do të thotë: diçka t’i heqësh, diçka t’i privosh. Privimi i diçkaje don të thotë mungesë. Ku nuk mjafton fjala, aty nuk ka gjësende. Vetëm fjala që ka pushtet, u jep gjësendeve qenie.

Ç’domethënie ka fjala, në çfarë është e zonja ajo?

Çfarë është gjësendi, çfarë nevoje ka ai për fjalën për qenien e tij?

Ç’domethënie ka këtu qenia, në çfarë ajo na del këtu në rolin e huasë, e cila përcakton gjësendin prej fjalës?

Pyetje pas pyetjesh, të cilat nën dëgjimin e parë dhe leximin e poezisë nuk e zgjojnë arsyetimin tonë. Në fillim, ne ma s’pari jemi të mbërthyer thjesht me gjashtë strofat e para: ato na rrëfejnë për përvojën origjinale e të maskuar të përvojës së poetit.  Sigurisht, këmbëngulëse tingëllon strofa përmbyllëse. Ajo na shtrëngon të shqetësohemi në meditime. Prej saj, ne për së pari veçse dëgjojmë atë çka, n’akord me titullin, kuptimësohet poetikisht me gjithë këtë poezi: “Fjala”.

A ka vallë ndosend më alarmuese dhe më të rrezikshme për poetin, sesa marrëdhënia me fjalën? Si zor. A krijohet vallë kjo marrëdhënie për së pari vetëm prej poetit apo fjala vetë prej vetes dhe për veten kërkon poezinë, në atë farë feje që vetëm përmes këtij kërkimi poeti bëhet ai kush mundet të jetë? E gjitha kjo dhe ende një tjetërçka, na bën të mendojmë për çfarë dhe na lë të kredhur në mendime. Bashkë me këtë gjë ne arsyetojmë, para se të biem në mendime. Sepse gjëja mbështetet tani sall në një varg të vetëm të të gjithë poezisë. Këtë varg përmbyllës për më tepër, ne dhe e kemi shndërruar në thënie. Kuptohet, ndërhyrja jonë është e diktuar jo prej arbitraritetit lakuriq.  Përkundrazi, ne për pak sa nuk jemi të shtrënguar drejt riformulimit, pasi menjëherë vërejmë, që vargu i parë i strofës përmbyllëse mbaron me dy pika. Ai na bën të presim që në vargun pasardhës do të thuhet diçka. Ndër të tjera, një ngjashmëri të tillë e gjejmë dhe në strofën e pestë. Në fund të vargut të saj të parë, në mënyrë analoge, qëndrojnë dy pikat:

M’u përgjigj norna më n’fund:

“Asgjë nuk fle aty përfund”.

Me dy pikat diç nis të hapet. Ajo çka vijon pas tyre, kumbon, duke u shprehur gramatikisht, në indikativ: “Asgjë nuk fle aty…” Përveç kësaj, thënia e nornës së ngrysur është mbyllur në thonjëza.

Ndryshe është në vargun përmbyllës. Vërtet që në fund të vargjeve të saj të para, këtu qëndrojnë gjithashtu dy pikat. Ajo që vijon, sidoqoftë, nuk është thënë në indikativ dhe nuk qëndron mes thonjëzash. Ku qëndron ndryshimi ndërmjet strofës së pestë dhe të shtatë? Në strofën e pestë, norna e ngrysur diçka kumton. Kumtimi – është një lloj i thënies, njëfarë zbulimi. Në ndryshim nga kjo, toni përmbyllës i strofës është i koncentruar në fjalën “tabu”.

Tabu nuk është thënia, por, ndoshta, ka gjasë të jetë, sidoqoftë, ndofarë shprehjeje. Tabuja është e lidhur me mohimin. Të mohosh, të porositësh, (“porositësi”) – është nënprodukt nga folja pohoj (me pranue, me dëftue). Më thanë – është po ajo fjalë, sikundërse me (kall)zue, e ngjashme me foljen latine dicere, me diktue, kjo është po ajo  fjalë në greqishten e vjetër deiknumi – me kallzue. Me tregue, me dëftue do të thotë: me dhanë me pa, me e qitë në dukë, në dritë. Pikërisht, ky dëftim që po hapet e shpërfaqet, përbën kuptimin e fjalës tonë të vjetër kall-zoj, flas. Dëftoj, kallzoj dikë do të thotë: me e tradhtue dikënd, me e ekspozue në gjyq. Në tabunë si moh-im, qeveris vetë thania. Në çfarë mënyre? Me refuzue do të thotë: me e lanë pretendimin mbi diçka, me heqë dorë prej diçkaje. Përderisa tabuja e njohur është njëfarë lloji i shprehunisë (thanies), ai mund të ndërkallet në letër me anë të dy pikave. Ndërkaq që ajo çka pason pas tyre, jo detyrimisht duhet të jetë thanie. Dy pikat mbas fjalës “tabu” nuk hapin asgjë në kuptimin e thanies apo të pohimit, por këto dy pika na hapin tabunë – si diçka të thanë – për atë në të cilën ato përhapen. Mbi çfarë gjëje përhapen këto dy pika? Ndoshta mbi ato prej të cilave tabuja urdhëron të hiqet dorë.

Dhe t’zehërt unë njoha tabunë

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Por si mund të bëjë vaki kjo? Mos vallë poeti heq dorë prej asaj që gjësende s’ka ku fjala s’bun? Në asnjë mënyrë. Prej kësaj, poeti e ka aq të pamundur të shkëputet, saqë ai madje, bie dakord drejtazi me të shprehurën. Pra, ajo mbi të cilën tabuja e njohur u përhap me anë të dy pikave, nuk mundet kurrësesi të jetë shprehje e asaj prej së cilës poeti hoqi dorë. Në të, përkundrazi, duhet të jetë shprehur ajo, të cilën poeti e anashkalon. Por të njohësh tabunë do të thotë pa diskutim: të heqësh dorë prej diçkaje. Gjegjësisht, vargu përmbyllës duhet të thotë prapëseprapë atë prej së cilës poeti hoqi dorë. Po dhe jo.

Si mund t’ia gjejmë anën kësaj? Ajo që na bën të vrasim mendjen më së shumti, është vargu përmbyllës, i cili kërkon që ta dëgjojmë atë në tërësi dhe më qartë, – gjithë strofën, sikundër, veçanërisht, atë që duke e mbyllur poezinë, njëkohësisht edhe e hap.

Dhe t’zehërt unë njoha tabunë

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Poeti njohu tabunë. Njohu këtu do të thotë: provoi. Provoi atë, nëse e themi në latinisht, qui vidit, ai që sheh diçka, e vëren dhe kurrë më nuk i shqitet sysh ajo çka pa. Të njohësh do të thotë: të mbërrish atë çka ke parë. Këndej hyn ajo për të cilën ne gjakojmë, e pikërisht lëvizja drejt një drejtimi të caktuar, drejt një udhe. T’i vihesh një kupti-mësimi të tillë do të thotë: të provosh, të mësohesh.

Nëpër cilën udhë ka rrugëtuar poeti që mbërrin kuptimin e tabusë së vet? Përmes cilit vis e shpie udha që ka sosur? Si e mbërriti kuptimin e tabusë poeti? Strofa përmbyllëse na jep kallzimin. Po si kështu? Ashtu sikundërse na e thonë gjashtë strofat e mëparshme. Këtu poeti na flet për vendin e tij. Këtu ai na flet për udhëtimet e tij. Strofa e katër nis:

Sos udhëtimesh ktheja pas

“Sos” është përdorur këtu në kuptimin e vjetër, i cili thotë: të vetmen herë. Ajo na jep të kuptojmë ashiqare pikëmbërritjen e jashtëzakonshme e të veçantë. Prandaj rrëfimi për të  jo vetëm fillon prerazi me këtë “sos”, por njëkohësisht veçohet shkoqur nga udhëtimet e mëparshme; në fakt, vargu i fundit i që i paraprin drejtpërsëdrejti strofës së tretë, përmbyllet me retiçencë. E njëjta gjë ka vend në vargun e fundit të strofës së shtatë. Kësisoj, gjashtë strofa, duke u përqendruar përreth të shtatës, janë të zbërthyer me shenja përmbyllëse, të qarta dy herë me nga tre strofa, në dy triada.

Udhëtimet e poetit, për të cilat flet triada e parë, – janë të një lloji tjetër, nga sa është ai i vetmi, të cilit i kushtohet e gjithë triada e dytë. Që të mund të dimë t’i kuptimësojmë udhëtimet e poetit, veçanërisht atë të jashtëzakonshmin, i cili e solli në njohjen e tabusë, ne duhet të mendojmë paraprakisht mbi vendndodhjen e këtij vendi, përmes të cilit kalon udha e poetit.

Dy herë, në vargun e dytë të strofës së parë dhe në vargun e dytë të strofës së gjashtë, poeti thotë: “vendi im”, “viset e mia”. Ky vend i Tij, është si sfera e sigurt e poezisë së tij. Ajo çka ka nevojë kjo sferë e tij, janë emrat. Për çfarë?

Në vargun e parë jep përgjigjen:

Prej çudish larg dhe ëndrrash plim

Emra për ato çka poeti ka parë e ndeshur në viset e largëta, për mrekullitë ose për ato që i shtiren poetit në ëndrra. Edhe të parat, edhe të dytat, me sigurinë e tij, poeti i merr për të vërteta që kanë të bëjnë me të, për atë çka janë, por në atë mënyrë që ai nuk do ta mbajë për vete këtë thelbësi, por ta paraqesë atë. Për këtë, ajo ka nevojë për emërtime. Këto fjalë, përmes të cilave ajo çka tashmë ekziston dhe konsiderohet ekzistuese bëhet aq e prekshme dhe konkrete, sa lulon para kohe duke kaltëruar, dhe mbretëron kështu në kufijtë e visores poetike si e bukura. Thelbi i emrave që paraqesin fjalën. Ata shpërfaqin atë që tashmë ekziston, paraqitjen. Në masën e asaj që shpërfaqin paraqitjen, emrat na dëshmojnë pushtetin që ata përcaktojnë mbi gjësendet. Poeti krijon vetë duke u nisur nga nevoja e vet për emra. Që të mundë t’i përftojë ato, ai duhet t’i gjejë me anë të udhëtimeve atje ku kërkimi i tij gjen kënaqësinë e dëshiruar. Kjo ngjet në sinoret e vendit të tij. Sinori ndan duke ngërthyer, duke përcaktuar dhe kufizuar vendndodhjen e sigurtë të poetit. Ndanë sinorit të visit të tij poetik – në mos po ky është vetë ai kufi? – është gurra, prej së cilës norna e zymtë, hyjnesha e lashtë e fatit, nxjerr emrat. Me këto emra ajo i jep poetit ato fjalë, të cilat ai me besim e siguri në vetvete i pret si paraqitje që ravijëzojnë atë çka ai konsideron si ekzistuese, të qenë-sishme. Pretendimi i poetit për mbretërimin e fjalës së tij, përmbushet. Lulëzimi dhe shkëlqimi i poezisë së tij bëhet i vërtetë. Strofa e fundit e triadës së parë nis me një “ngërthej”:

T’i ngërthej fort këtu ia dola

Tash përmes kufijsh lulojn’ ata…

Përqendrojmë vëmendjen tonë mirë në këmbimin e karakteristikës kohore të foljes në vargun e dytë të kësaj strofe krahasuar me të parën. Ai flet tashmë në prezencë. Pushteti i poetit u realizua plotësisht. Ai mbërriti qëllimin dhe plotmërinë. Asnjë lloj mosrrokjeje, asnjë lloj dyshimi nuk e lëkund më sigurinë e poetit në vetvete.

Derisa herëdokur të mos i ndodhë të provojë diç krejt tjetër. Për këtë flitet në triadën e dytë, e cila është ndërtuar me një gjegjësi të përpiktë me të parën. Simptomat e saj janë si vijojnë: vargjet e fundit të dy triadave përmbajnë fjalën “këtu”. Të parës “këtu” në fund të strofës së dytë, i paraprin një vizë shumëkuptimëshe. Para të dytës, “këtu” gjithaq i paraprin një shenjë: thonjëzat në strofën e pestë.

Prej të vetmit udhëtim të veçantë, poeti sjell në sinoret e vendit të vet tashmë jo “prej çudish t’largta, ëndrrash plym”. Pas udhëtimit të bukur, ai i avitet gurrës së nornës me një thesar. Prejardhja e thesarit mbetet e errët. Poeti thjesht e mban në duar këtë thesar. Prehur ndër pëllëmbët e tij thesari, as nuk i është shtirur në ëndërr dhe as nuk është sjellë prej së largu. Por në të njëjtën kohë, thesari i çuditshëm është “i shtrenjtë” dhe “delikat”. Prandaj, hyjneshës së fatit i del punë ta kërkojë gjatë emrin e thesarit dhe në fund të fundit, e kthen poetin duarthatë, duke i bërë me dije:

 “Nuk fle asgjë aty përfund”.

Emrat që prehen në gurrë, konsiderohen si diçka të fjetura, të cilët duhen zgjuar që të mund të gjejnë zbatim në cilësinë e paraqitjes së gjësendeve. Emrat dhe fjalët janë të ngjashme me rezervat e përhershme, të cilat janë në korrelacione gjegjëse me gjësendet dhe se qëllimisht nxirren nga gurra për të paraqitur këto gjësende. Por kjo gurrë, prej së cilës shprehja poetike e ka shteruar gjer më tash fjalën, të cilën e paraqet në cilësinë e emrit të gjithçkaje ekzistuese, tashmë asgjë nuk dhuron.

Çfarë kumti i jepet më këtë poetit? Veçse faktit që, në duart e tij margaritarit nuk i gjendet emër? Veç faktit që, edhe pse margaritari mbeti pa emër, ai prapëseprapë mund të mbetet në duart e poetit? Jo. Ngjet diç tjetër, tronditëse. Të trondit jo fakti se thesarit nuk i gjendet emri, dhe as përvjedhja e emrit. Të trondit fakti që, me mosshfaqjen e emrit zhduket thesari. Kështu pra, është pikërisht fjala ajo që e mban thesarin në praninë e tij; ajo e nxjerr për së pari, e bart atë në prani dhe në prani e ruan. Fjala papritmas zbulon pushtetin e saj tjetër, të epërm. Dhe nuk është një ngërthim i emërtuar në praninë, tashmë të paraqitur, nuk është më mjet për paraqitjen e të dhënës së blatuar. Përkundrazi, vetë fjala – është dhuruesi i pranisë, d.m.th., qenies, në të cilën diçka rezulton si ekzistuese.

Këtë pushtet tjetër të fjalës poeti e sheh/ndesh papritmas. Tok me të, fjala që ka një pushtet të tillë, mungon. Thesari prandaj rrëshqet e përvidhet. Por megjithë këtë, ai prapë nuk shkërmoqet, nuk shndërrohet në hiç. Ai mbetet thesar, të cilin poeti, ndofta, nuk do të mundë ta ruajë kurrë më në vendin e tij.

Prej duarsh thesari më iku tej

Dhe s’munda n’visin tim ta kthej. . .

A kemi vallë të drejtë të shtyhemi në interpretimet tona aq larg, saqë t’i japim fund udhëtimit të poetit në gurrën e nornës? Me sa duket, po. Sepse përmes një përvoje të re poeti, qoftë dhe tërthorazi, sheh një pushtet të ri të fjalës. Ku e shpie poetin dhe krijimtarinë e tij të mëparshme kjo arritje? Poeti është i shtrënguar të ndahet me pretendimin e tij, që sipas kërkimit vetjak, me gjithë sigurinë e tij se do të gjendet emri për emërtimin e asaj çka ai quante si ekzistuese të njëmendët. Dhe në këtë hamendje, dhe në këtë pretendim, ai është i shtrënguar që tash e paskëtaj, të heqë dorë. Poeti duhet të shkëputet nga pretendimi për ta patur fjalën nën pushtetin e tij si mishërim të emrit që me anë të tij, fikson të gjitha gjësendet. Shkë-putja si dorë-heqje nga ky pushtet është njëfarë rrëfimi që shpreh vetveten:

Gjësende s’ka ku fjalë s’ka.

Derisa gjatë interpretimit të gjashtë vargjeve të para të poezisë ne ndoqëm se si udhëtimi i dha poetit zotërimin e tabusë, për ne njëkohësisht u qartësua disi dhe vetë tabuja. Vetëm disi; sepse e shumta mbetet ende e errët në këtë poezi, dhe para së gjithash – ai thesar, emri i të cilit u refuzua. Prandaj poeti nuk mund të thotë se çfarë thesari është ai. Përpos kësaj, a e kemi guximin t’ia qëllojmë se për çfarë aludimesh bën fjalë vetë poezia. Poezia bën aludime. Ne i ridëgjojmë ato, duke ndërdëgjuar të kredhur në mendime. Këtë kërkesë ne do ta kënaqim, nëse meditojmë mbi diçka që tash për tash duhet të na motivojë në mënyrën më të thelluar.

Hulumtimi në përvojën e poetit me fjalën, d.m.th., kundrimi në përgjërimin e provuar të poetit na cyt tek pyetja: përse kur poeti e njohu tabunë, nuk mund të ndahej nga ligjërimi? Përse shpreh me këtë rast përgjërimin? Përse shkruan madje një poezi me titullin “Fjala”? Përgjigje: sepse kjo tabu e njohur – është përgjërimi i vërtetë dhe jo një ndarje e thjeshtë nga ligjërimi; së këndejmi, nuk është një memecëri e thjeshtë. Si dorëheqje tabuja mbetet ligjërim. Kështu ajo e ruan marrëdhënien me fjalën. Përderisa fjala e tregoi veten në një pushtet tjetër, të epërm, marrëdhëniet me fjalën gjithashtu duhet të pësojnë ndryshime. Ligjërimi mbërrin një tjetër harmoni, një “melos” tjetër, një tjetër ton. Fakti që përgjërimi merret nga poeti pikërisht në këtë kuptim, këtë na e dëshmon vetë poezia, ku për përgjërimin është thënë që fjala filloi të këndojë. Sepse kjo poezi është një këngë. Ajo është përfshirë në pjesën përmbyllëse të botimit të fundit të poezive Shtefan Georges. Kjo pjesë e fundit të librit të tij të fundit mban emërtimin “Kënga” dhe nis me prologun:

Çfarë është ende mendim dhe çfarë ndërtoj ende

Çfarë dashuroj ende të ravijëzuar me një kontur.

Ky rrëfim kutimëson, ndërton, dashuron: admirimi i qetë ngazëllues, veneracioni i hareshëm, ditirambet, lavdet: laudare. Emërtimi latin i poezisë këndonjëse, Lieder – në gjermanisht – laudes, lëvdata. Të flasësh me të tilla lëvdata do të thotë: të këndosh. Këngëtimi – është përfshirja e rrëfimit në këngë. Mjafton të harrojmë kuptimin e lartë të këngës si ligjërim, dhe ajo bëhet një tingëllim i vonuar i atij që e artikulon apo e shkruan.

Me “Këngët”, të fundit të mbledhura nën një titull të tillë të librit me poezi, poeti del përfundimisht jashtë sinoreve që e karakterizonin me parë rrethin e tij. Ku? Në tabu, përgjërim, të njohura prej tij. Një dije e këtillë ka qenë sprovë e papritur në atë moment kur një pushtet krejt tjetër i fjalës depërtoi tek ai dhe ia tronditi sigurinë e ligjërimit të mëparshëm në vetvete. Enigmatikja, e frikshmja pikasi tek poeti pikërisht atë që, vetëm fjala i lejon gjësendet të jenë gjësende.

Që nga ky moment poeti është i grishur t’i përgjigjet këtij misteri, mezi të deshifrueshëm, vetëm me kuptimësimin deshifrues të fjalëve. Një gjë e tillë bëhet e mundur vetëm kur fjala krijuese kumbon në tonin e këngës. Ne mund ta dëgjojmë këtë ton veçanërisht mprehtë në njërën nga këngët, e cila pa titull për herë të parë botohet në pjesën e fundit të librit të fundit të poezive (“Mbretëria e e Re”, fq. 137):

Në qetësinë dhe paqen

E të bardhës ditë

Tek bef përshfaqet

Frika e papritur

Frymën e sigurt rebelon

Kështu mbi shkëmb

Kryeneçin trung 

Krenar e të drejtë

Sërish urragani

E kalb përtokë:

Kështu dallg’ e detit

Nën kujë e rrënkim

Me forcë të egër

Sërish hyn përdhunë

Në moluskun harruar qëkur.

Ritmi i kësaj kënge është po aq madhështor, sikundërse i qartë. Mjafton ta cekim me një shënim. Ritmi, ndër të tjera, nuk është rrymë dhe as rrjedhë, por harmonizim. Ritmi ëshë ai shtrat prehjeje, i cili bart harmoninë në lëvizjet e kërcimit dhe këngëtimit dhe me këtë i jep këtij shtrati të prehet në vetvete. Ritmi përcakton prehjen. Në një këngë të sapodëgjuar harmonizimi rrëfen vetveten, nëse ne nuk jemi të vëmendshëm në akordin e përgjithshëm, i cili në tre imazhe na këndon në këto tre strofa: fryma e sigurtë dhe shpërfaqja e papritur e frikës, një trung dhe uragani, deti dhe molusku.

Megjithatë është i çuditshëm në këtë këngë shenja e vënë nga autori si e vetmja, përveç pikës në fund. Këto janë dy pikat në fund të vargut të fundit. Një shenjë e tillë, në një vend të tillë është akoma më i çuditshëm, ngase të dyja strofat, e mesmja dhe e fundit, dallojnë nga e para në të dy rastet sepse nisin që në fillim me fjalën “kështu”

Kështu mbi shkëmb

Kryeneçin trung

Dhe:

Kështu dallg’ e detit

Nën kujë e rrënkim

Duket se të dyja këto strofa, duke pasuar të parën, i janë nënshtruar asaj në mënyrë të njëllojtë. Por nuk është ashtu. Dy pikat në fund të strofës së dytë na shtrëngojnë ta shpiem strofën pasardhëse përmbyllëse direkt tek e para, duke e tërhequr në po ato marrëdhënie edhe strofën e dytë. Strofa e parë ka parasysh sigurinë e poetit të zgjuar nga
shpresa e tij e mëparshme. “Frika e papritur” sidoqoftë, nuk e shkatërron atë. Frika megjithatë e rrapos atë përtokë, ashtu si urragani – trungun, me qëllim që poeti të hapet ndaj asaj çfarë këndon strofa e tretë, e cila pason menjëherë dy pikat e hapura. Edhe njëherë tjerë tjetër me zhaurimën e panjohur deti e shkatërron veshin e poetit, të quajtur “një molusk të harruar qëkur”; sepse poeti ka mbetur deri më tash pa dhuntinë e kulluar të fjalës së pushtetshme. Në vend të kësaj vetëbesimi i tij në dispozicion të njohjes është ushqyer me emrat që nxirrte norna.

Tabuja e njohur (provuar) – nuk është një largim cullak nga pretendimi, porse një shndërrim i ligjërimit në thuajse zhaurimën e mistertë të joneve këngëtuese të një rrëfimi të parrëfyeshëm. Tanimë ne mund të jemi në gjendje ta mendojmë mirë strofën e fundit, që ajo vetë të mundë të flasë asisoj që në të, të mund të përmblidhet gjithë poezia. Nëse kjo na jepet, së paku në një masë të vogël, ne do të mund ta dëgjonim mirë në momentet më të qarta titullin e poezisë “Fjala”, duke kuptuar se si strofa përmbyllëse jo vetëm e mbyll poezinë, jo vetëm e rihap, por tok me të deshifron dhe misterin e fjalës.

Dh t’ zehërt unë njoha tabunë

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Strofa përmbyllëse flet për fjalën në formën e përgjërimit. Vargu i fundit vetë në vetvete është njëfarë ligjërimi: vetë-dorëheqje… e pikërisht nga pretendimi për diçka. E kuptuar kësodore, tabuja ruan karakterin e mohimit: “Gjësende s’ka”, d.m.th., gjësendet mungojnë; “fjalë s’ka”, d.m.th., nuk ka fjalë në përdorim. Sipas rregullave nga një mohim i dyfishtë përftohet pohimi. Tabuja thotë: gjësendi është vetëm atje, ku është mundësuar fjala. Tabuja flet pohueshëm. Refuzimi i thjeshtë jo vetëm nuk e shterron ekzistencën e tabusë, por në tërësi as nuk e përmban atë. Tabuja, sigurisht, ka anët negative, por njëkohësisht edhe pozitive. Vërtet, të flasësh për anët këtu është punë me mjaft rrezik. Ngase do të barabiteshin njëri me tjetrin mohimi me pohimin dhe do të hapej kësisoj rrëfimi udhëheqës në tabu. Por të para së gjithash, duhet të mendohemi thellë. Dhe prapë është pakë. Duhet medoemos të kuptimësojmë se çfarë tabuje ka parasysh strofa përmbyllëse. Është një tabu e një lloji unikal; sepse ajo bën pjesë jo tek zotërimi i ndofarë gjëje. Tabuja e njohur/provuar si refuzim i vetvetes ndaj diçkaje, si përgjërim, ka të bëjë sërish me fjalën. Tabuja e njohur/provuar e shpie marrëdhënien e poetit ndaj fjalës në rrugën drejt asaj se çfarë pikërisht e prek ligjërimin si çdo ligjërim. Ne e ndjejmë që në këtë vetë-refuzim marrëdhënia ndaj fjalës mbërrin pothuajsë “një intimitet të pamatshëm”. Enigmatika e strofës përmbyllëse na rrit dhe na transformon. Ne as nuk marrrin mundin ta dëshifrojmë, por vetëm lexojmë, duke përqendruar në të gjithë mendimin tonë.

Le të mendojmë pak për tabunë e njohur si për një refuzim të vetes ndaj diçkaje.

Interpretimi gramatikor – “vetes” – këtu qëndron në rasën dhanore dhe ka parasysh poetin. Ajo çka i refuzon ai vetes qëndron në rasën parafjalore. Pra është fjala për pretendimin mbi mbretërinë e fjalës. Ndërmjet atij dhe këtij refuzimi na përshfaqet një tipar tjetër. Dorëheqja ia lë veten në dorë pushtetit të lartë të fjalës, që për herë të parë u jep gjësendeve mundësinë të jenë gjësende. Fjala është kushtëzim i gjësendeve si gjësende. Ne do të deshnim që ta quanim këtë pushtet të fjalës dorëzani (Bedingnis). Kjo fjalë e vjetër është zhdukur nga përdorimi ynë. Gëte e njihte mirë. Por dorëzania në kontekstin tonë është tjetër gjë nga ligjërimi për kushtëzimet, në cilësinë e të cilit e kuptonte Gëte dorëzaninë. Kushti është arsye ekzistente për diçka që ekziston. Kushti argumenton dhe arsyeton. Ai kënaq gjendjen për arsyetim. Por fjala nuk i argumenton gjësendet. Fjala i lejon gjësendet të kenë praninë si gjësende. Dhe le të jetë ky lejim dorëzani. Poeti nuk na shpjegon se çfarë është dorëzania e fjalës. Por poeti e dënon veten, d.m.th., ligjërimin e tij me këtë mister të fjalës. Në këtë vetë-dënim të tillë që shkëput, poeti e refuzon në vetvete atë pretendim të cilin e kishte dëshiruar më parë. Vetë-refuzimi e ndryshoi kuptimin e tij. “Vetë” shpreh këtu – tashmë gramatikisht – jo subjektin, por objektin, dhe pretendimi tanimë qëndron jo në rasën parafjalore, por në dhanore. Në ndryshimin e kuptimit gramatikor të lokucionit “t’a refuzosh në vetvete pretendimin” me “t’ia refuzosh vetes pretendimin” – shprehet shndërrimi i vetë poetit. Ai ia lejoi vetes, d.m.th., vetes së tij në të ardhmen edhe ligjërimin e mundshëm në parapritën e misterit të fjalës, në dorëzaninë e gjësendeve tek fjala.

Vetëm tek vetërefuzimi që ndryshon karakterin negativ të refuzimit për-mbahet ende vendi i parë (mëparshëm). Ndërkaq bëhet gjithë e më e qartë që përgjërimi i poetit është aspak ndofarë “jo”-je, por “po”-ja. Vetërefuzimi – me sa duket vetëm i dorëheqjes dhe vetmënjanimit – është në të vërtetë jo-refuzim në vetvete: mister i fjalës. Ky jorefuzim në vetvete mund të flasë vetëm në një mënyrë të tillë, sikundër ai flet: “me qenë”. Nga kjo grimëkohë fjalës i mbetet veçse me qenëdorëzani për gjësendet. Kjo “me qenë” lejon të jetë ajo që është dhe – si – marrëdhënia mes fjalës dhe sendit tashmë është është: asnjë gjësend nuk është është pa fjalën. Kjo “është” i premton vetes përgjërimin në “me qenë”-ën e saj. Prandaj nuk lypet madje asnjë ribërje shtesë e vargut përmbyllës në shprehje, që me këtë mandej, të mund të zbulojë në të “është”-n. “Me qenë” sjell deri tek ne këtë “është” më kulluar, sepse është e maskuar.

Gjësende s’ka ku fjalë s’bun.

Në këtë jo-refuzim në vetvete përgjërimi e shpreh veten si një refuzim i tillë, i cili ia di për nder tërësisht misterit të fjalës, të cilit i detyrohet. Betimi me jo-refuzim në vetvete, falë asaj, me të cilën ajo është borxhlie me vetveten. Këtu banon tabuja. Tabuja e njohur/provuar është borxh i falenderuar dhe tok me të është vetë mirënjohje 4. Tabuja e provuar nuk është as dorëheqje e thjeshtë, dhe as humbje.

Mirëpo përse është kaq i pikëlluar poeti?

kështu të zehërt njoha tabunë

E bën vallë të pikëllohet poetin njohja/provimi i tabusë? Apo pikëllimtar qe vetëm mësimi i njohjes? Në rastin e fundit pikëllimi, që sapo ia ka rënduar shpirtin, mund t’i kishte kaluar sërish, përserisa aq shpejt ai pranoi tabunë si diçka, të cilës ai i detyrohej; sepse asaj, të cilës i detyrohesh diçka, i je mirënjohëse: ajo shërben si shkak gëzimi. Tonin e gëzimit ne e dëgjojmë në një këngë tjetër. Kjo poezi është gjithashtu pa titull. Porse kjo poezi përmban një shenjë të vetme të rrallë, saqë ne këtë këngë jemi të detyruar ta dëgjojmë për shkak të fqinjësisë së saj të brendshme me këngën “Fjala”. Ajo është (“Mbretëria e Re”, fq. 125):

I kujt hap guximtar

Zgjon shpeshtinën magjike

Në zemër të mbretërisë kreshnike?

Çfarë klithme kushtruese

me bririn e argjendtë trumbetar

lëshon korijes gjumashe të Skazit?

Çfarë pshërëtime e heshtur

mu përvodh shpirtit tim

me barrën e një pikëllimi të ri?

Shtefan George i shkruan rëndom të gjitha fjalët me shkronja të mëdha, me përjashtim të atyre në fillim të vargut të poezisë. Por në këtë poezi, pothuajse në mes të saj, në fund të strofës së mesme, është shkruar një fjalë me germë kapitale. Kjo fjalë është: Skaz. Poeti mund ta kishte marrë atë në cilësinë e titullit më atë kuptim të përligjur që, Skaz, si një e shkuar e një kopshti magjik, bart kumtin e prejardhjes së fjalës.

Strofa e parë këndon hapin  si udhëtim përmes visit të Skaz-it. Strofa e dytë këndon klithmën që zgjon Skaz-in. Strofa e tretë këndon psherëtimën, shfryrja e së cilës përvidhet në shpirt. Në hap (d.m.th., në udhëtim), kushtrim dhe psherëtimë dëgjohet vrulli i pushtetit të fjalës. Misteri i saj jo vetëm e alarmoi të shkuarën shpresëmirë të shpirtit; ajo njëkohësisht hoqi nga shpirti një barrë të rëndë pikëllimi që kanosej ta kërruste atë përtokë. Kësisoj, nga marrëdhëniet e poetit me fjalën u zhduk pikëllimi. Ajo përçiku veçse njohjen e tabusë. Gjithka do të kishte qenë kështu, nëse pikëllimi do të kishtë qenë e kundërta e thjeshtë polare e gëzimit, nëse barra e rëndë dhe pikëllimi do të kishin qenë e njëjta gjë.

Mirëpo sa më i gëzuar të jetë gëzimi, aq më i kulluar është pikëllimi i përgjumur në të. Gëzimi dhe pikëllimi derdhen depërtueshëm në njëri-tjetrin. Kjo lojë e tyre e ndërsjelltë që i nguc ato kundër njëri-tjetrit dhe që e lejon largësinë të jetë afër dhe afërsinë të jetë larg, është dhimbja. Prandaj edhe njëra edhe tjetra, gëzimi i epërm dhe pikëllimi i thellë, secili në vetvete është i sëmurë. Por tek dhimbja aq burrëruese është burrëria e vdekëtarëve, sa prej saj – dhimbjes – ajo përfton qendrën e saj të rëndesës. Ajo i përmban vdekëtarët me gjithë luhatjet në prehjen e ekzistencave të tyre. Gjendja që i përgjigjet dhimbjes, përmes saj dhe me akordin e përcaktuar nga ajo, është mu njajo “Barrë e rëndë në shpirt”. Barra mund të të kërrusë shpirtin, por ajo mundet edhe të të humbasë atë që mblidhet me mundim dhe të të ndërkallë në shpirt një “pshërëtimë të heshtur”, ta zbukurojë me petk të bukur, i cili e josh atë në një grimëçast tek marrëdhënia me fjalën dhe me këtë rrobë meshe të mbrojë.

Duhet të mendojmë, e tillë është ideja e strofës së tretë të poezisë së fundit që dëgjuam. Me psherëtimën e heshtur të hidhërimit të rëndë që sapo kaloi, pikëllimi fryn mbi vetë tabunë; sepse ajo atij i përket, nëse e kuptimësojmë këtë tabu nga qendra e tij e rëndesës. Ky është jo-refuzim në vete i misterit të fjalës, e asaj fjale që është dorëzani e gjësendeve.

Si mister ajo mbetet largësi, si mister i rrokshëm ajo largësi është afër. T’ia pranëvesh këtë largësi një afërsie të tillë do të thotë të mos e refuzosh në vetvete misterin e fjalës. Për këtë mister nuk mjaftojnë fjalët, d.m.th., nuk mjafton ai ligjërim, i cili t’i ndihmonte ekzistencës së gjuhës – që të jepte fjalë (besë).

Thesari, të cilin nuk e përftoi vendi (atdheu) i poetit, bën fjalë për ekzistencën e gjuhës. Deshifrimi i papritur i pushtetit dhe madhështisë së fjalës, thelbit të saj, deshi të hyjë në fjalën vetjake. Por në fjalë, në emërtimin e krijesës së fjalës, kemi refuzim.

Po çfarë nëse fjala është e vetmja për krijesën e gjuhës, është pikërisht ai thesar, i cili është krejt afër poetit, sepse duke qenë në pëllëmbët e tij, pavarësisht si i pakapshëm dhe si i parrokshëm na del i përlargët në afërsinë e afërt? Për shkak të kësaj afërsie thesari është misteriozisht i njohur për poetin, ngase ndryshe ai nuk mund të këndonte për të: “një thesar brishtan t’begatë”.

I begatë do të thotë: i fuqishëm për të garantuar, i fuqishëm për pasuri, i fuqishëm për të arritur dhe për të realizuar. Por këtu qëndron dhe begatia jetësore e fjalës që në rrëfim, d.m.th., në kallzim ajo e sjell në shpërfaqje gjësendin si gjësend.

Brishtan (i brishtë) do të thotë, në akord me emrin e lashtë brydhtësi/brylltësi, të njëjtën gjë sikundërse: delikat, i mirëbesueshëm, i dhembshëm, i prekshëm, i hareshëm. Kujdesi, dhënia e ndihmës dhe çlirimi, por pa arbitraritet dhe dhunë, pa babëzi dhe dominim.

Thesar i brishtë e i begatë – është një krijesë e mistertë fjale (realizim), e cila, duke folur nga gjendja e saj e padukshme dhe tashmë e pashprehur, na jep gjësendin si gjësend.

Përderisa njohja e tabusë e ka ngarkuar veten me misterin e fjalës, poeti e mban thesarin përmes një tabuje të njohur tashmë prej tij, në kujtesën e tij kuptimësuese.Kësisoj thesari bëhet ajo që poeti si thënës e parapëlqen më shumë se çdo gjë tjetër, ia vë vlerën mbi gjithçka tjetër. Thesari shndërrohet kuptimësimi i denjë vetjak për poetin. Sepse çfarë mund të jetë më e denjë për mendimet e thënësit, se sa fshehja e vetë ekzistencës së fjalës, fjala që përvidhet për fjalët?

Duke e dëgjuar pezinë si këngë në kumbim me këngë të përafërta, në ia lejojmë vetes të themi përmes poetit dhe bashkë me të, atë çka është e denjë për t’u kuptimësuar në poezi.

T’i lejomë t’i themi vetes çka është e denjë për mendimin, pra – të mendojmë.

Duke e dëgjuar poezinë, ne kridhemi në mendime mbi poezinë.

Kësisoj – është: poezia dhe mendimi.

Ajo që me qasjen e parë duket si mbishkrim i njëfarë teme: “poezia dhe mendimi”, del se është ai para-shkrim, në të cilin që në lashtësi janë regjistruar fatet e qenies tonë historike. Në këtë parashkrim është konturuar përkatësia e ndërsjelltë e poezisë dhe mendimit. Ngjashmëria e tyre është më e hershme se sa prejardhja. Duke u kthyer me mendime kësaj ngjashmërie, në mbërrijmë atë që në lashtësi është e denjë për mendimin dhe për të cilën meditimi kurrë nuk është i mjaftueshëm. Është kjo një gjë e denjë për mendimin, ajo që e përndriti papritmas poetin dhe të cilën ai nuk e refuzoi në vetvete, duke thënë:

Gjësende s’ka ku fjala s’bun.

Pushteti i fjalës përndizet si dorëzani e materializimit të gjësendeve. Fjala nis të ndriçojë si ai koleksion, i cili për herë të parë ndërkall të pranishmin në praninë e tij.

Fjala tepër e lashtë për një kuptimësim të pushtetit të fjalës, për ligjërimin, quhet Logos: rrëfim, i cili, duke kallzuar, i jep thelbit të shfaqet në kushtin e tij kjo është.

Gjithashtu fjala Logos si fjalë për rrëfimin është njëkohësisht fjala për qenien, d.m.th., për praninë e të pranishmes. Rrëfimi dhe qenia, fjala dhe gjësendi me njëfarë strehe, mezi të rrokshme në mendje dhe në një mënyrë të paimagjinueshme i përkasin ndërsjelltësisht njëri-tjetrit.

Çdo ligjërim thelbësor ndërdëgjohet në këtë përkatësi të ndërsjelltë të rrëfim/kallzimit dhe qenies, të fjalës dhe gjësendit. Të dyja, poezia dhe mendimi, janë i njëjti kallzim, sepse ato i besojnë misterit të fjalës si më të denjat e kuptimësimit të vet dhe në këtë mënyrë janë gjithmonë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Me qëllim që në mënyrë proporcionale të thellohemi në këtë denjësi për kuptimin, sikundër i flet ky mendim poezisë dhe t’i shkosh në fund këtij mendimi, le t’ia kalojmë harresës qysh këtë moment gjithçka që kemi folur. Ne dëgjojmë poezinë. Ne tani bëhemi edhe më të kredhur në mendime, në masën e asaj mundësie që, duke e dëgjuar, ne e kemi më të lehtë dëgjimin tonë, sa më thjeshtë që kjo poezi këndon në akordin e këngës së tij.

Përktheu: Agron Tufa /KultPlus.com

‘Më merr në krahët e tua, si merr femijën nëna’ (VIDEO)

Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.

Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.

KultPlus sonte ua risjell videon dhe tekstin e këngës “Rrisim jetë tonë” nga Vaçe Zela.

Rrjedhin o mëngjeset,
rrjedhin si ujëvara,
ja kështu mes njerëzve,
jeta jonë hedh hapat

Hyj dhe unë mes tyre,
shtoj një fjalë, një kënge,
është kjo këngë e jetës,
për ty Shqipëri,
për ty Shqiperi moj nanë

Më merr në krahët e tua,
si merr femijën nëna,
qe ballin të ma puthi,
edhe dielli edhe hëna.

Une marr nga drita jote,
ti merr nga zemra ime,
dhe dorë për dore rendim,
e shtrenjta jeta ime.

Rrjedhin o buzëmbrëmjet,
rrjedhin kaltërojnë,
në një kënd të globit,
rritim jetën tonë

Hyj dhe unë mes tyre,
shtoj një fjalë, një këngë,
është kjo këngë per jetën,
për ty Shqipëri,
për ty Shqipëri moj nanë.

Më merr në krahët e tua,
si merr femijën nëna,
qe ballin të ma puthi,
edhe dielli edhe hëna.

Une marr nga drita jote,
ti merr nga zemra ime,
dhe dorë për dore rendim,
e shtrenjta jeta ime/ KultPlus.com

“Kaleidoscope” dhe “Suitë në Re”, dy balete premierë për publikun shqiptar në TKOB

Baletet “Kaleidoscope” dhe “Suitë në Re” do të ngjiten premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për tre netë me radhë, më 26, 27 dhe 28 maj.

Publiku do të përjetojë dy botë të ndryshme të baletit që bashkëjetojnë mbi të njëjtën skenë, duke sjellë emocione, estetikë dhe reflektim përmes lëvizjes.

Koreografi kanadez Peter Quanz, i njohur ndërkombëtarisht për krijimtarinë e tij të sofistikuar, sjell për herë të parë në Shqipëri veprën “Kaleidoscope”, një koreografi që magjeps me shpërthimin e ngjyrave, formave dhe energjisë.

Kjo vepër, e krijuar fillimisht për American Ballet Theatre në vitin 2005, është një manifestim i shpirtit që transformohet në çdo sekuencë, duke sjellë një realitet të ri koreografik sa herë që skena merr frymë.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Baleti që do të sjellim në skenë është krijuar në vitin 2005 për Teatrin Amerikan të Baletit, dhe sot, pas kaq shumë vitesh, mbetet po aq aktual. Kjo është hera e parë që vihet në skenën shqiptare dhe jam shumë i lumtur që sjell një frymë të tillë. Vepra vjen si premierë me skenografi të përshtatur për teatrin tuaj dhe kostumografi tërësisht të re. Si një kaleidoskop i vërtetë, çdo lëvizje sjell një pamje të re; çdo sekuencë, një bukuri që zhduket e lind sërish”, thotë koreografi Peter Quanz:

Pas këtij udhëtimi vizionar me “Kaleidoscope”, publiku zhytet në një univers krejtësisht ndryshe me “Suitë në Re”, një krijim origjinal nga koreografi Alvaro Dule.

“Jam këtu për herë të parë për një krijim të ri në trupën e Teatrit të Baletit të Shqipërisë. Vepra koreografike ‘Suitë në Re’ është frymëzuar nga muzika, e cila është e harmonizuar në një tonalitet. Kjo kërkon një simetri dhe një dialog me muzikën. Vepra ndërtohet përmes solove, duke treguar një dialektikë mes akademizmit të kërcimtarëve dhe strukturës baroke, të sjellë sot me një frymë të re. Kemi në skenë muzikë live”, thotë koreografi Alvaro Dule.

Bazuar në muzikën baroke të Handel-it, ky balet ndërthur klasiken me bashkëkohoren, përmes një ndjeshmërie elegante dhe një ndërtimi koreografik që lëviz nga solo të thella në duete të ndjera, e deri te harmonia e një kuinteti.

Pesë balerinë të trupës së TKOB-së i japin jetë një vepre ku trupi flet, ndjen dhe rrëfen, duke lidhur epokat përmes bukurisë së baletit./KultPlus.com

BE i kërkon “Shein” të respektojë ligjin për konsumatorin

Komisioni Evropian i kërkoi sot kompanisë së veshjeve online “Shein” të respektonte ligjin e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e konsumatorit, pas një hetimi nga autoritetet kombëtare ku u gjetën disa shkelje.

Akuzat përfshijnë zbritje të rreme, përdorimi i afateve të rreme për të ushtruar presion mbi konsumatorët për të blerë, informacion të humbur ose të pasaktë, etiketa mashtruese të produkteve, si dhe detaje të fshehura të kontaktit.

“Të gjitha kompanitë që kontaktojnë konsumatorët e BE-së duhet të veprojnë sipas rregullave tona”, tha Michael McGrath, komisioneri i BE-së përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit.

“Ne nuk do të hezitojmë të vendosim platformat e tregtisë elektronike përpara përgjegjësisë, pavarësisht se ku ndodhen”, tha ai.

“Shein” u themelua në Kinë dhe tani ka selinë në Singapor.

“Ligjet e BE-së për mbrojtjen e konsumatorit nuk janë opsionale – ato duhet të zbatohen në të gjitha rastet”, shtoi McGrath.

Hetuesit kanë kërkuar informacione të mëtejshme nga “Shein” për të vlerësuar nëse përdorimi i renditjeve, rishikimeve dhe vlerësimeve në platformën e shitjeve me pakicë online është në përputhje me ligjin e BE-së.

Kompania e veshjeve ka një muaj kohë për t’iu përgjigjur akuzave dhe për të propozuar përmirësimet.

Nëse shkeljet nuk adresohen, autoritetet kombëtare kanë mundësinë të vendosin gjoba sipas ligjit kombëtar./KultPlus.com