Këngët që bënë epokë, hitet më të mëdha të viteve ‘60

Muzika e viteve ’60 mbetet një gur themeli i kulturës moderne një periudhë që solli revolucion në zhanre të ndryshme dhe ndikoi thellësisht në shoqëri.

Nga rock-u rebel i The Beatles dhe The Rolling Stones, te tingujt shpirtërorë të Aretha Franklin dhe Marvin Gaye, kjo dekadë mbushi botën me himne që sot janë pjesë e historisë.

Sot, më shumë se 60 vjet më vonë, këto këngë vazhdojnë të dëgjohen, të analizohen dhe të frymëzojnë brezat e rinj. Vitet ’60 nuk janë thjesht një dekadë e kaluar ato janë një epokë që jeton përmes tingullit të saj të pavdekshëm.

Marvin Gaye – ‘I Heard It Through the Grapevine’ – I publikuar fillimisht nga “Gladys Knight and the Pips” në vitin 1967, versioni i Marvin Gaye doli një vit më vonë dhe qëndroi në krye të listës së këngëve pop të Billboard për shtatë javë.

The Mamas & the Papas – ‘California Dreamin’ – E publikuar në vitin 1965, kënga u bë shenja kryesore për Kaliforninë dhe lëvizjen kundër kulturore të asaj kohe. U fut në Sallën e Famës së Grammy në vitin 2001.

James Brown & the Famous Flames – ‘It’s a Man’s Man’s Man’s World’ – Një klasik i muzikës soul, kjo melodi e fuqishme u shkrua nga James Brown dhe Betty Jean Newsome dhe u publikua në vitin 1966. Ajo arriti vendin e parë në listën R&B të Billboard dhe vendin e tetë në Billboard Hot 100.

Aretha Franklin – ‘Think’ – Aretha Franklin solli muzikën funk me këngën e vitit 1968. Kënga u bë hiti i saj i shtatë në 10 vendet e para në SHBA, duke arritur vendin e 7-të në Billboard Hot 100.

Louis Armstrong – ‘What a Wonderful World’ – E publikuar në vitin 1967 si këngë e vetme, ajo kryesoi listat në Mbretërinë e Bashkuar, por pati një performancë të dobët në SHBA, pasi presidentit të shtëpisë diskografike nuk i pëlqeu kënga dhe refuzoi ta promovonte atë.

Led Zeppelin – ‘Dazed and Confused’ – E shkruar fillimisht nga kantautori amerikan Jake Holmes në vitin 1967, Led Zeppelin i dha këngës një version të ri në albumin e tyre debutues të vitit 1969. Kënga u bë një nga hitet e tyre më të mëdha.

Ike & Tina Turner – ‘River Deep – Mountain High’ – Hiti i vitit 1966 ‘River Deep – Mountain High’ konsiderohet si një nga këngët më të mëdha të të gjitha kohërave. U fut në Sallën e Famës së Grammy në vitin 1999.

Elvis Presley – ‘Suspicious Minds’ – E përfshirë në albumin e tij “68 Comeback Special”, kënga “Suspicious Minds” ishte një nga këngët që ringjalli suksesin e Presley-t në top lista, duke e bërë atë një nga këngët e tij më të paharrueshme.

Creedence Clearwater Revival – ‘Fortunate Son’ – E publikuar në vitin 1969, kënga u bë shpejt një himn i lëvizjes kundër luftës dhe një simbol i kundër kulturës që kundërshtonte përfshirjen e SHBA-së në Luftën e Vietnamit.

Jimi Hendrix – ‘Manic Depression’ – E shkruar dhe e regjistruar nga Jimi Hendrix në vitin 1967, ‘Manic Depression’ shfaq në mënyrë të përkryer teknikat unike të kitarës dhe melodinë të Hendrix./rtsh/ KultPlus.com

‘Shpirti i lirë dhe i pavarur, i cili nuk beson në dogma, nuk mund të gjejë shtëpi në këtë botë’

Dhjetë fragmentet më të bukura nga librat e Stefan Zweig.

“Vetëm fatkeqësia e mërgimit mund të jua japë thellësisht kuptimin dhe pasqyrimin e realiteteve të kësaj bote.”

“Shpirti i lirë dhe i pavarur, i cili nuk beson në dogma dhe nuk vendos në favor të asnjë partie, nuk mund të gjejë shtëpi në këtë botë.”

“Vetëm personi që e ka provuar dritën dhe errësirën, luftën dhe paqen, ngritjen dhe rënien, vetëm ai e provuar vërtetë jetën.”

“Kisha mbërritur në një moshë në të cilën të tjerët tashmë veç ishin të martuar për kohë të gjatë, kishin bërë fëmijë dhe mbanin pozita të rëndësishme dhe që kishin qenë të obliguar ta prodhonin më të mirën që ka qenë brenda tyre, me energjinë e tyre të plotë.

Ndërsa unë ende e konsideroja veten të ri, një amator që e kishe kohën e pakufishme, dhe që hezitoja për çfardo vendimi përfundimtar.”

“Bota e djeshme”, Stefan Zweig

“I tronditur në thellësitë e shpirtit tuaj, e dini që dikush është duke pritur për ju ditë dhe netë, duke menduar për ju, duke u përgjëruar me psherëtim për ju – një grua, një e huaj.

Ajo të kërkon, ajo të dëshiron me secilën fije të qënies së saj, me trupin e saj, me gjakun e saj.

Ajo i dëshiron duart e tua, flokët e tu, buzët e tua, natën dhe ditën tënde, emocionet e tua, ndjenjat e tua dhe gjithë mendimet dhe ëndërrat e tua.

Ajo dëshiron të ndajë çdo gjë me ju, të marrë gjithçka nga ti, dhe ta tërheq atë brenda me frymën e saj.

Prandaj, që këtej e tutje, ditën dhe natën, pavarësisht nëse jeni mashkull i fjetur apo i zgjuar, ekziston diku në botë, një qënie që është zgjuar për ju, dhe ju jeni qendra e zgjimit dhe ëndrrës së saj.

Është i kotë tentimi i juaj si mashkull për të mos menduar për të, për atë që mendon gjithmonë për ju.

Më kotë ju tentoni të arratiseni, sepse ju nuk rroni më tek vetja e juaj, por tek ajo.”

“Kujdes dhe Keqardhje”, Stefan Zweig

“Forca e një dashurie nuk mund të matet kurrë saktë, kur njeriu e vlerëson atë nga forca që e lind dhe jo nga tensioni që ndjehet më parë, nga ajo hapësirë e zgavërt dhe e errët zhgënjimi e vetmie, që u paraprin të gjitha ngjarjeve të mëdha të zemrës.

Edgarin e mundonte prej kohësh pesha e tejrëndë e ndjenjave të pakonsumuara dhe tani ai u derdh krahëhapur drejtë njeriut, të parë, që dukej se e meritonte dashurinë.”

– “E fshehta përvëluese”Stefan Zweig

“Unë nuk e di, në e më njeh me të vërtetë. Nuk besoj. Gjithmonë mendoj se ti më mbivlerëson. Unë nuk jam ndonjë njeri i madh dhe nuk bëj pjesë tek ata që… që e sundojnë jetën të kënaqur dhe të sigurtë në vetvete.

Do të desha të isha si ata, por nuk jam. Unë i përshtatem jetës, unë jam nga ata që lakmojnë atë që duan. Thjesht jam si të gjithë burrat; kur dua një grua, unë nuk kënaqem vetëm duke e adhuruar, por unë… unë edhe e dëshiroj atë…

Dhe… unë nuk dua të të gënjej me gjëra që janë të huaja për mua. Nuk dua që ti të më përbuzësh. Ti më je shumë e shtrenjtë. Nuk dua të të humbas.”

“Dashuria e Erikës”, Stefan Zweig

“Ajo ishte në atë momentin kritik, kur një grua fillon të pendohet që i ka qëndruar besnike një burri të cilin nuk e ka dashur vërtetë, atëherë kur ngjyrat shkëlqyese të bukurisë së saj i ofrojnë asaj një zgjedhje urgjente të fundit, mes dashurisë amënore dhe asaj femërore.

Në momente të tilla, vihet edhe një herë në pikëpyetje rruga e një jete, e cila ishte menduar se moti është përcaktuar.

Për herë të fundit gjilpëra e kompasit të vullnetit rri pezull mes dorëheqjes përfundimtare dhe shpresës për një përvojë erotike.”

“E fshehta përvëluese”, Stefan Zweig

“Njerëzit më braktisnin, gratë vinin dhe shkonin, nuk ndihesha aspak ndryshe, nga ai që rri në dhomë dhe e sheh shiun në xhama, mes meje dhe ngjarjeve të papritura gjendej diku një mur i qelqtë, të cilin nuk kisha forcë ta shembja me vullnet.

Megjithëse e ndjeva qartë këtë tani, kjo njohje nuk më solli asnjë shqetësim, meqenëse, e thashë pra, që unë dhe gjërat që më përkisnin i merrja me indiferencë.

As për të vuajtuar nuk më kishin mbetur më ndjenja.

Me mjaftonte që ky defekt shpirtëror ishte shumë pak i dukshëm jashtë, pak a shumë si impotenca fizike e një mashkulli që kuptohet vetëm në çastet intime, dhe unë qëndroja shpesh në shoqëri duke e demostruar admirimin përmes një pasioni artificial, përmes ekzagjerimeve spontane të mallëngjimit për të fshehur, se sa i thatë dhe sa mospjesmarrës isha përbrenda.

Ne dukje jetoja përsëri jetën time të vjetër, të këndshme, të shpenguar, pa e ndryshuar drejtimin e saj; javë, muaj, shkisnin lehtë dhe ktheheshin ngadalë në vite pa e kuptuar.”

“Natë fantastike”, Stefan Zweig

“Kur një grua i reziston një pasioni të paftuar, ajo është duke iu bindur plotësisht ligjit të gjinisë së saj; veprimi fillestar i refuzimit, në mënyrë që ato të flasin, është instikt i lashtë në çdo femër dhe nëse ajo e refuzon madje edhe pasionin më të zjarrtë, ajo nuk mund të quhet jo-njerëzore.

Por, sa shkatërruese është atëherë kur, fati e ç’rregullon balancën, kur një grua e mposht modestin e saj natyrale, duke ia zbuluar pasionin e saj një mashkulli, atëherë kur pa qenë e sigurt se pasioni do t’i kthehet, ajo e ofron dashurinë e saj, ndërsa ai, mbetet i ftohtë dhe në mbrojtje.

Një lëmsh i pazgjidhshëm ky, gjithmonë, sepse të mos ia kthesh dashurinë një gruaje, do të thotë të ia thesh krenarinë, ta dhunosh modestinë e saj.

Mashkulli, i cili nuk i pranon përparësitë e një gruaje, e plagos atë në ndjenjat e saj më fisnike. Rezistenca e tij, në mënyrë të padukshme, bëhet mizori.”

“Kujdes dhe Keqardhje”, Stefan Zweig

“Asgjë nuk e zgjon më shumë inteligjencën se sa dyshimi pasionant, asgjë nuk i zhvillon më shumë aftësitë e një mendjeje rinore, se sa gjurmët që ikin drejt errësirës.”

“E fshehta përvëluese”Stefan Zweig

“Duket pothuajse një hakmarrje e ligë e natyrës ndaj njeriut kur vë re se tërë arritjet e teknologjisë, falë të cilave ai ka mundësi të bëhet zot i forcave më misterioze të saj, çorodisin njëherazi shpirtin e tij.

Teknologjia s’na ka hedhur mallkim më të keq se sa duke mos na lënë, qoftë edhe për një çast të vetëm, të shkëputemi nga e tashmja.

Në kohë katastrofash, brezat e mëparshëm mund të iknin larg e të strukeshin sërish në vetmi, ndërsa ne jemi të detyruar të dimë e të ndiejmë brenda orës, madje brenda sekondës, çdo gjë të keqe që ndodh në planetin tonë.”

“Bota e djeshme”Stefan Zweig

“Duhej luftuar kundër luftës! E kisha njohur kundërshtarin që do ta luftoja – heroizmi i rremë, që preferon t’i dërgojë të tjerët drejt vuajtjes e vdekjes, optimizmi bajat i profetëve të pandërgjegjshëm, politikë dhe ushtarakë, të cilët, duke premtuar pa skrupuj fitoren, zgjatin kasaphanën dhe pas tyre kori i paguar i tërë atyre “fjalshumëve të luftës”, siç i damkoste me turp Verfeli në poezin e vet të bukur.

Kushdo që shprehte ndonjë dyshim, i bezdiste në allishverishin e tyre patriotik; këdo që paralajmëronte për ndonjë rrezik, e quanin pesimist dhe talleshin me të; këdo që dilte kundër luftës, nga e cila ata nuk vuanin fare, e stigmatizonin si tradhëtar.

Ishte gjithnjë e njëjta klikë, ajo klika e përjetshme përmes epokave, klika e atyre që quajnë frikacakë të kujdesshmit dhe të dobët humanët, për të mbetur pastaj edhe vetë të hutuar në çastin e katastrofës që e kanë shkaktuar me mendjelehtësin e tyre.”

– “Ai brez të cilit morali i’a ndalonte çdo shpjegim ose çdo afrim të padjallëzuar me seksin tjetër, qe njëmijë herë më i dhënë pas erotizmit se sa rinia e sotme, që ka liri më të madhe në dashuri.

Kjo ndodhte sepse, vetëm gjëja e refuzuar e nxiste dëshirën, vetëm e ndaluar e shtonte lakminë, dhe, sa më pak të shihte syri, sa më pak të dëgjonte veshi, aq më shumë ushqehej mendimi me ëndërrime.

Me një fjalë, ajo trysni mbi rininë tonë bëri që të ngjizej tek ne jo një moral më i lartë, por vetëm mosbesim e zemërim kundër tërë atyre instancave të shoqërisë.” / KultPlus.com

Anton Pashku dhe absurdi në letërsisë shqipe

“Njeriu absurd është ai që pa e mohuar, nuk bën asgjë për përjetësinë.”

                                                                                                                -Albert Kamy

Diellza Gashi

Vepra letrare e Anton Pashkut, sidomos në kohën e shfaqjes së vet të parë ishte e re për letërsinë  shqipe në të gjitha aspektet.

Pashku, fillim e fund e shkruan letërsinë si figurë, si kërkim të kuptimeve të thella jetësore e njerëzore, si strukturë të situatave simbolike dhe simbolizuese. Me refuzimin e formave klasike të të krijuarit letërsi, Pashku krijimtarisë së vet ia falë tiparet e formave post-moderniste, sidomos me krijimet e dramave absurde apo tragjedive moderne “Gof” dhe “Sinkopa”. Në fillimet e veta, absurdi, shihet si filozofi, që përçon një ide: mungesën e kuptimit. Pikërisht me këtë mungesë përballen personazhet e Pashkut.

Këto dy drama na vënë para një kërkimi, një pavetëdijeje, një dobësie duke shpërfaqur personazhe të rrënuara, të humbura, në kërkim të vetes dhe arsyes. Personazhet e Pashkut ndërtohen fund e krye si absurde: heronj me frikën për jetën. Personazhe të tjetërsuara e të shumëfishuara në alter-ego. Personazhe që në botë nuk krijojnë relacione me të tjerët, krijojnë relacione me veten. Vihemi para një Unë dhe një Uni si një Tjetër.

Nëse në tragjedinë klasike heroi paraqitet përherë në një rënie, në një disfatë, si një fajtor pa faj, një vetësakrificë për të tjerët, në tragjedinë moderne, në anën tjetër, nuk krijohen personazhe të ngritura me synim të vlerave morale. Karakter i kësaj tragjedie është përherë një karakter i thjeshtë që para konflikteve me kohën dhe botën, dalin konfliktet me veten. Po këto karaktere i hasim në dramat e Pashkut. Drama këto, të krijuara në variantin e absurdit tragjik duke në vënë para deformimeve shoqërore, melankolisë, demotivimit.

Pashku me veprat e tij arrin të krijoj një sfond më ndryshe të letërsisë shqipe, duke na vënë para filozofisë së absurdit si një kërkim i pandalshëm, një vend në të cilën personazhi nuk përket, një luftë mes vetes me veten, një ide në të cilën personazhi ka një qëndrim ekzistencial apo ndjenjë konfuzioni, orientimi a frike përballë një bote dukshëm të pakuptimtë. 

Në të dy dramat e Pashkut, theksi bie mbi krizën ekzistenciale, që prek më së tepërmi shfaqjen e dyfishtë të identitetit të personazhve. Kjo krizë shënjon edhe thelbin e krijimit absurdist, përballja e vetes së rëndomtë me veten absurde. Kështu të dy dramat paraqesin konfliktin midis prirjes njerëzore për kërkimin e vlerave dhe kuptimit në jetë dhe paaftësinë njerëzore për t’i gjetur ato në një univers të pakuptimtë, irracional dhe kaotik, paraqesin botën si të egër, të hidhur, boshe. Botë në të cilën pohohet se ekzistenca njerëzore është në thelb një çështje e kuptimit dhe e gjetjes së kuptimit të jetës./ KultPlus.com

‘Kush ta fali bukurinë’

Poezi nga Lasgush Poradeci

Kush ta fali bukurinë
Qe t’ë më trerosh te zinë!

Kur të pashë për të vluar,
Pëllumbeshë pendë-shkruar,
Bubu! Plumb në kraharuar,
Plumb që vret dyke gjemuar!

Mbledhur shoqet me një qoshe,
Dic, m’ju flisje, dic m’ju thoshe,
Gushë-e-llerë-e-gji-bardhoshe.

Pa me syckëzat e tua,
Sy-larme! C’më fole mua.

Leshrave t’ju binte hija,
Yll i ndezur me shkëndija,
Ndezur mun në mes ne ballë,
Të më vesh në dhe të gjallë. /KultPlus.com

Studio Dizajn Grafik, Dizajn Mode, Dizajn Interier në UNI-Universum – me program amerikan nga Arizona State University!  

UNI – Universum International College është i vetmi institucion në Kosovë me partneritet direkt me Arizona State University (ASU) – universiteti Nr.1 për inovacion në SHBA!

✅ Diploma amerikane me vlerë globale
✅ Përmbajtje dhe platforma të ASU
✅ Praktika dhe punësim gjatë studimeve
✅ Mundësi për të vazhduar studimet apo punuar jashtë vendit

Zgjidh programin që të përshtatet më shumë:

🎨 Dizajn Grafik – zhvillo kreativitetin tënd, mëso softuerët më të kërkuar dhe ndërto portofol profesional për tregun global.

👗 Dizajn Mode – krijo koleksione unike, mëso teknika bashkëkohore dhe përgatitu për industrinë ndërkombëtare të modës.

🏠 Dizajn Interier – koncepto hapësira funksionale dhe estetike, përdor teknologji moderne dhe ndërtokarrierë si profesionist i dizajnit të brendshëm.

UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.

Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu!

📞 Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, 📧 [email protected] ose ndiq UNI – n në Facebook & Instagram.

Studio me standarde amerikane, në Kosovë. E ardhmja jote në dizajn nis sot!/ KultPlus.com

Ndërhyrje konservuese në muralin e Manastirit të Shën Mërisë në Apolloni 

Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëra vjeçare të Parkut Arkeologjik të Apollonisë, fushën e myzeqesë dhe detin Adriatik, Manastiri i Shën Mërisë përbën një nga komplekset fetare më mbresëlënëse. Ndërtuar qindra vjet më parë, ai mban nën vete, si në “një djep të përmbysur”, qytetin antik të Apolonisë, nga i cili ato pak rrënoja te mbetura duken sikur tretin vështrim tej në detin Adriatik. 

Në këtë kryevepër të artit bizantin, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka nisur punimet konservuese. Sektori i Veprave të Artit në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, po zhvillon punime konservimi në pikturën murale të trapezërisë së Manastirit.  

Kjo murale, e krijuar në gjysmën e dytë të shekullit XIII përfaqëson një nga veprat më të rralla dhe më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, duke zënë një vend të veçantë në historinë e artit bizantin në Shqipëri.  

IKTK bëri të ditur se, aktualisht po kryhet konsolidimi i shtresave përgatitore të pikturës me suportin në murin jugor dhe verior të objektit. 

Mozaikët pranë trapezërisë (mencës së murgjëve), portiku i kishës me kolonadën elegante prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale së bashku krijojnë një kompleks të jashtëzakonshëm dhe tejet tërheqës. 

Ndërthurja unike e këtij ndërtimi, mes pasurisë së Antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik, pozicionuar brenda Manastirit, e kthejnë kompleksin në një pikë të rrallë referimi për vlerat historike, arkitekturore, artistike dhe shpirtërore që bart. 

Andaj, edhe kjo ndërhyrje konservuese synon ruajtjen e kësaj pasurie kulturore, duke e mbrojtur nga dëmtimet e kohës dhe duke e rikthyer në vëmendjen e publikut e studiuesve. / KultPlus.com

Rama ndan pamje nga plazhet publike në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil

Në zonat bregdetare të vendit këtë vit ka më shumë plazhe publike në dispozicion të pushuesve, në dallim nga vitet e kaluara.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhet publike në Vlorë, Sarandë, Ksamil, të mbushura me pushues vendas e të huaj, të cilët shijojnë ditët me diell.

Këtë vit përveçse ka hapësira më të shtuara të plazheve publike, bashkitë bregdetare kanë siguruar edhe çadra falas për qytetarët dhe turistët e huaj që mbushin plazhet çdo ditë e çdo orë deri në perëndimin e diellit.

Gjithashtu bashkitë kanë vendosur edhe tabela identifikuese, në mënyrë që turistët të kenë informacion përpara se t’i frekuentojnë këto plazhe. Kjo është një ofertë më e mirë për të gjithë ata që duan të kalojnë pushimet në stacione publike plazhi.

Në qarkun e Vlorës këtë vit janë 973 stacione plazhi publike, ndërsa sipas rregullores së vendosur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është vendosur që në 1 km vijë bregdetare 300 metra të jenë plazh publik.

Këto ditë në të gjithë vendin ka nisur aksioni për lirimin e plazheve dhe hapësirat publike,  pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama./atsh/KultPlus.com

“Pushka e parë e lirisë”, festivali homazh për figurën madhështore të luftëtarit e dëshmorit Zahir Pajaziti

Lufta në Kosovë qëndron si plaga më e madhe kombëtare, duke qenë një ndër ngjarjet më tragjike të historisë së popullit shqiptar në Kosovë.

Kujtesa kolektive në anën tjetër është ajo që i mban gjallë ngjarjet, sakrificat dhe historinë e përgjakshme drejt pavarësisë dhe çlirimit. 

Historia na rrëfen se krisma e parë e pushkës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shkrep nga Zahir Pajaziti, luftëtari dhe dëshmori i paharrueshëm, si nisma e parë për liri.

Për nder të kësaj nisme, për nder të figurës madhështore të Zahir Pajazitit dhe sakrificës sakramentale të tij, Shoqëria Kulturore Artistike “Zahir Pajaziti”, në Podujevë organizon edicionin e dytë të festivalit “Pushka e parë e lirisë”.

Kjo festë dyditore premton promovimin e vlerave kulturore, këngëve e valleve më 1 dhe 2 gusht 2025, në ora 20:00, në sheshin “Bulevardi i dëshmorëve”, në Podujevë.

Pjesëmarrës të festivalit do të jenë ansamblet e rajoneve të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, si: Ansambli “Dardanët” Düsseldorf, “Qendra Kulturore e Fëmijëve” Kurbin, SHKA “Tingujt e Vendlindjes” Stagovë, “Qendra Kulturore Kaqaniku”, SHKA “Bilbilat e Pashtrikut” Nashec, Ansambli “Zëri i Kosovës” Fushë-Kosovë, AKV “Deçani”, Ansambli “Librazhdi” Librazhd, si dhe performanca e veçantë e ansamblit të Podujevës, përkatësisht shtëpisë kulturore që realizon organizimin, “Zahir Pajaziti”.

Kjo festë, ky homazh, bart në vete jo vetëm rikujtimin për dëshmorët e rënë, por edhe vlerat kulturore që mbijetuan falë sakrificës së tyre. Është një përkujtim që shkon përtej dhimbjes, duke shndërruar kujtimin në frymëzim. 

Nëpërmjet këngës, valleve dhe artit, festivali shpërfaq jo vetëm nderimin e atyre që dhanë jetën për liri, por gjithashtu edhe afirmimin e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare

Promovimi i artit kombëtar, në këtë rast, synon jo vetëm të ruajë kujtesën historike, por edhe tv frymëzoj brezat e rinj të lidhen me rrënjët e tyre, të krijojnë mbi ato rrënjë dhe të jenë pjesë aktive e një kulture që jeton, zhvillohet dhe ndriçon përmes brezave./ KultPlus.com 

Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar…

Jorge Luis Borges

A i ke parë ndonjëherë fëmijët duke luajtur?
Vallë a e ke dëgjuar tiktakun e shiut?
A e ke ndjekur ndonjëherë fluturimin e një fluture?
Vallë a e ke vështruar perëndimin e diellit?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Çdo ditë e jeton gjithmonë duke rendur?
Kur pyet veten kush je, a e dëgjon përgjigjen tënde?
Kur dita mbaron shtrihesh në shtrat apo zhytesh në mijëra mendime?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Ditët e tua rrjedhin shfrenueshëm?
A i ke thënë ndonjëherë fëmijës tënd “e bëjmë nesër”
Dhe në kotësinë tënde nuk e ke parë trishtimin?
Nganjëherë për mungesë mirësjelljeje a e ke lënë një mik të dashur
Të ketë vdekur pa e thirrur dhe pa i thënë lamtumirë?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Kur ti rend tepër me ngutje për të arritur çfarëdo vendi,
Ti humb gjysmën e zbavitjes për të arritur atje.
Nëse je i shqetësuar, nëse rend gjithë ditën e lume
Është njëlloj si të hedhësh jetën tënde në koshin e plehrave.
Jeta është një rendje, por do jetuar dhe përjetuar me qetësi.
Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar. / KultPlus.com

Tapiceria e Bayeux rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar pas më shumë se 900 vitesh

Tapiceria e Bayeux do të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar pas më shumë se 900 vitesh nga krijimi i tij, konfirmon Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport (DCMS).

Kjo kryevepër 70 metra e gjatë, tregon historinë e pushtimit norman të Anglisë në vitin 1066, që do të huazohet në një marrëveshje historike me nënshkrimin mes qeverisë franceze dhe asaj britanike.

Kjo qëndismë gjigante, që besohet se është krijuar në Kent, do të ekspozohet në Muzeun Britanik në Londër vitin e ardhshëm. Kjo tapiceri do të qëndrojë e ekspozuar nga vjeshta e ardhshme deri në korrik të 2027, ndërkohë që shtëpia e tij aktualr, Muzeu i Bayeux, po rinovohet. Viti i 2027 është gjithashtu 1000-vjetori i lindjes së William Pushuesit.

Kryetari i bordit të Muzeut Britanik, George Osborne, është shprehur se ekspozita “do të jetë shfaqja më e madhe e brezit tonë”, duke e krahasuar me Tutankhamun-in dhe Ushtrinë e Luftëtarëve Terrakota.

Tapiceria e Bayeux, që daton që nga shekulli 11, dokumenton periudhën më të diskutueshme në marrëdhëniet Anglo-Franceze, kur dominimi anglo-sakson u zëvendësua nga sundimi norman. Edhe pse pjesa e fundit e qëndismës mungon, ajo përfundon me ikjen e anglosaksonëve në fund të Betejes së Hastingsit, në vitin 1066.

58 skenat e saj, me 626 personazhe dhe 202 kuaj, japin një pasqyrë të periudhës mesjetare në Normandi dhe Angli si asnjë vepër tjetër, duke ofruar jo vetëm informacion mbi traditat ushtarake, por edhe detaje të çmuara të jetës së përditshme. Kjo vepër ka frymëzuar shumë krjime dhe artistë gjatë shekujve, dukë përfshirë artistin David Hockney.

Për ekspozimin e kësaj vepre arti, Nicholas Cullinan, Drejtor i Muzeut Britanik u shpreh: “Ky është pikërisht lloji i partneritetit ndërkombëtar që dua ta mbështesim dhe të marrim pjesë: të ndajmë të mirën e koleksionit tonë sa më gjerë që të jetë e mundur dhe në këmbim të ekspozojmë thesare botërore që nuk janë parë kurrë më parë këtu.”

Fokusi i kësaj ekspozite qëndron te pjesa që Muzeu Britanik pret të jetë një nga muzetë më të vizituar ndonjëherë, një shfaqje që ndodh vetëm një herë në një gjeneratë.

Periudha që i parapriu Betejës së Hastingsit është një nga më të njohurat në historinë britanike.

Siç e tha Osborne: “Nuk ka asnjë objekt tjetër të vetëm në histrinë britanike që të jetë kaq i njohur, kaq i studiuar në shkolla, kaq i kopjuar në art, sa Tapiceri i Bayeux. Megjithatë, për gati 1000 vjet nuk është kthyer kurrë në këto brigje. Vitin tjetër do të kthehet dhe mijëra vizitorë, veçanërisht nxënës të shkollave, do ta shohin me sytë e tyre.”/ KultPlus.com 

Nisi tek “Reja” edicioni IV i Festivalit “Gjoni Mili” Jazz&Blues

Tek instalacioni “Reja”, në Tiranë, nisi edicioni i 4-të i Festivalit “Gjoni Mili” Jazz&Blues.

Mbrëmjen e parë të këtij festivali performuan dy grupe: “Bluebird Band” dhe “Hard Maces Trio”. Në grupin e parë performuan Einar Nelku (vokal, kitarë dhe harmonikë), Bledar Sejko (kitarë), Sokol Shehu (kitarë), Emiljan Dhimo (bateri) dhe Ilir Duri (bas).

Më pas, publiku i shumtë në numër, dëgjoi “Hard Maces Trio” me artistët Vince Abbracciante në fizarmonikë, Giovanni Angelini në bateri dhe Claudio Chiarelli në saksofon.

Edicioni i katërt i Gjon Mili Jazz & Blues Festival do të vijojë edhe dy ditët në vazhdim. Për tri net, publiku do të shijojë falas performanca jazz e blues nga gjashtë formacione shqiptare dhe të huaja, me rreth 40 muzikantë profesionistë dhe të rinj.

Festivali nderon figurën e Gjon Milit, fotografit shqiptar që dokumentoi muzikën jazz në SHBA, duke e rikthyer këtë trashëgimi në kujtesën kulturore shqiptare.

Festivali është gjithashtu, edhe një mundësi unike për të përjetuar nga magjinë e muzikës jazz dhe blues në natyrë, si dhe për të promovuar talentet e reja.

Ky festival ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Institutit Italian të Kulturës, Universitetit të Arteve, Bashkisë Tiranë etj./atsh/KultPlus.com

Vetmia

Poezi nga Migjeni

Vetmia

Më plak mërzitja
që vetmia më sjell;
përbuzja, urrejtja
të gjith sendet m’i mbështjell

që kam shumë anmiq
të liq
në këto sende pa shpirt,
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Po mue më bahet
se aty janë
vetëm që të më plasin
zemrën.
Së paku, të më shajnë:
I mallkuem!
Së paku, të anë tallin:
I uruem!
Së paku, të më këndojnë:
-I yni zot!
Ose të më thonë:
– Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në kët vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë
e tyne, autobiografinë:
ndoshta ty do gjej gjasim
mejeten tcme pa tingllim
që në vetmi po e kaloj –
dhe s’po dij a rroj e s’rroj.
Sendet heshtin. – sa të pamëshirë!
Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më plasin
zemrën teme që po vuen
dhe në mërzi vetveten truen./KultPlus.com

Qeveria e Kosovës ndan 580 mijë euro për shkollën e muzikës dhe muzeun e Preshevës

Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbështetje të zhvillimit kulturor ka ndarë mbi gjysmë milioni euro në mbështetje financiare nëbashkëfinancimin e projektit të ndërtimit të shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës, komunë e banuar me shumicëshqiptare në Serbi.

Hajrullah Çeku, ministri i kulturës në detyrë, tha se vendimi erdhi pas kërkesës së Komunës së Preshevës. Çeku shtoi se ky bashkëfinancim përfaqëson “një ndër investimet më tërëndësishme në jetën kulturore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.”

Shteti i Kosovës deri tash ka përkrahur 28 projekte të kulturës përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, ndërsa drejtpërdrejt përmes Ministisë së Kulturës ka përkrahur 21 projekte në Luginën e Preshevës, duke përfshirë edhe Medvegjën dhe Bujanocin.

Në këto tri komuna ka pasur gjithashtu edhe mbështetje në arsim dhe lobim institucional, ku më 27 qershor janë ndarë 626.400 euro.

Vitin e kaluar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzoi Serbinë se po përpiqet të ndalojë mbështetjen financiare të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptar në Luginën e Preshevës. Ndërsa këtë vit kjo kërkesë e mbështetjes financiare është aprovuar me sukses duke kontribuar në zhvillimin kulturor të komunës së Preshevës, me ofrimin e mundësive të reja për tërinjtë në muzikë, si dhe pasurimin kulturoro-artistik me financimin e muzeut./KultPlus.com

Ed Sheeran vjen me ekspozitën e tij të artit me piktura të krijuara në parkingun e makinave

Një ekspozitë e re arti do të paraqesë vepra origjinale arti, përkatësisht piktura të krijuara nga kantautori Ed Sheeran, transmeton KultPlus.

Ylli i popit u inkuadrua në pikturë në vitin 2019, por duke u shprehur se gjithmonë i kishte pëlqyer të studionte artin në shkollë ndërsa rritej në Suffolk.

Ai krijoi disa piktura midis shfaqjeve vitin e kaluar në një parking makinash të braktisur në Londër dhe u inkurajua të mbante një ekspozitë të krijimeve të tij në Galerinë Heni në Soho, Londër, deri në gusht.

“Fillova të pikturoja në fund të turneut tim Divide në vitin 2019 dhe është diçka që e kam përdorur si një mënyrë krijuese që atëherë. Kur isha i vogël, të dy prindërit e mi punonin në art, kështu që natyrisht gjithmonë kam qenë i interesuar për të, dhe gjithmonë më ka pëlqyer të studioja artin në shkollë. Isha në turne vitin e kaluar, dhe e shfrytëzova shumë kohën time të lirë në Mbretërinë e Bashkuar për të pikturuar. Vrapoja në një parking makinash të braktisur në Soho çdo mëngjes, pikturoja, pastaj vrapoja për në shtëpi dhe e bëja këtë çdo ditë derisa të kthehesha përsëri në turne”, thotë Sheeran.

Ekspozita është quajtur “Cosmic Carpark Paintings”, emërtim i cili lidhet edhe me frymëzimin krijues, dhe hyrja për tëinteresuarit që duan të shohin ekspozitën është falas.

Veprat e reja të Sheeran janë frymëzuar nga modelet qiellore dhe janë në përputhje me stilin e pikturës së artistit.

Këto krijime do të ekspozohen në Galerinë Heni nga e enjtja deri më 1 gusht dhe gjithashtu mund të blihen, dhe të ardhurat do të dhurohen për Fondacionin Ed Sheeran, i cili punon për të ofruar edukim muzikor dhe mundësi zhvillimi për të rinjtë. 

Sheeran shpjegoi se i kishte treguar artistit Damien Hirst, si dhe Joe Hage, themeluesit të fondacionit Heni, për pikturat e tij, dhe ata e inkurajuan të bënte ekspozitën.

Gjithashtu Sheeran do të performojë tre koncerte kthimi në shtëpi me bileta të shitura në stadiumin Portman Road në Ipswich të premten, të shtunën dhe të dielën.

Sheraan me ekspozitën e tij, shpërfaq edhe gjithëpërfshirjen e tij artistike, duke shtrirë krijimin jo vetëm në muzikë, por kësaj radhe edhe në pikturë./KultPlus.com

Rama ndan pamje nga liqeni i zi në Radomirë: Freskia malore sfidon vapën e korrikut

Liqeni i zi në Radomirë është një prej perlave natyrore të Dibrës, i vendosur në zemër të Alpeve shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje nga ky liqen, një destinacion për të gjithë në këto ditë të nxehta korriku.

“Freskia e liqenit të zi në Radomirë, në zemër të Alpeve të Dibrës, ku ajri i pastër dhe qetësia malore sfidojnë vapën e korrikut”, shprehet kryeministri.

Liqeni i zi ndodhet në një lartësi mbi 1500 metra mbi nivelin e detit dhe është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara për ecje malore dhe turizëm natyror në veriun e Shqipërisë falë natyrës së paprekur dhe peizazheve të rralla./atsh/KultPlus.com

Jani Vreto, figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot Jani Vreton, rilindasin e shquar shqiptar, një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, i cili u nda nga jeta më 9 korrik të vitit 1900 në Athinë.

Si shkrimtar dhe botues, ai dha një kontribut të çmuar në gjallërimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përhapjen e kulturës shqiptare. Nga viti 1843 deri në vitin 1847 ndoqi gjimnazin e njohur “Zosimea” në Janinë. Në fillimin e viteve ‘70 ishte njohur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare si: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid Pashë Vlora. Gjithashtu, mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji, por edhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën në Itali. Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar e themelues i Komitetit qëndror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare.

Në maj të vitit 1878, botoi veprën “Apologjia” në greqisht, në të cilën shtjellon dhe trajton prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara si dhe të drejtat e tyre. Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e “Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip”, e cila do t’ia kushtonte energjitë e veta botimit të librave shqip, sidomos të teksteve shkollore, si dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Pas kthimit në Stamboll, punoi për botimin e organit periodik “Drita”, e cila më pas mori emrin “Dituria”. Periodiku do të dilte në Kostandinopojë nga gushti 1884, deri në korrik të vitit 1885./atsh/KultPlus.com

‘Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra, t’i përqafoja flokët e dendura’

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske. / KultPlus.com

Ura e Vashës në Mat, monument kulture mes natyrës, qetësisë dhe freskisë

Ura e Vashës ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë, 200 metra linear nga rruga e Arbërit.

Ajo u ndërtua në fillim të shekullit të 18-të si vepër bamirësie nga familja Skura. Ura është ndërtuar me gurë e llaç gëlqeror dhe ka hark në krahun e djathtë dhe një dritare shkarkuese. Gjithashtu, ura ka qemer të dyfishtë. Këmbët e urës janë vendosur mbi dy brigje shkëmbore.

Gjatësia e urës është 11 metra, lartësia e saj nga sipërfaqja e ujit është 7 metra, gjerësia 2.8 metra dhe largësia mes dy këmbëve është 7 metra. Sipërfaqja e urës është shtruar me kalldrëm me gurë lumi, llaç gëlqereje dhe rasa guri.

Ura vizitohet nga shumë turistë shqiptarë e të huaj dhe është një nga pasuritë e trashëguara të kësaj treve. E ndodhur pranë Rrugës së Arbrit, kjo urë bart vlera të mëdha historike në një peizazh të mrekullueshëm natyror. Ura e Vashës është një ndër urat më të vjetra të këtij stili të ndërtuar në Shqipëri. Pikërisht në afërsi të Urës së Vashës, është ndërtuar ura më e madhe të Rrugës së Arbrit që lidh dy shpatet e malit.

Rruga e Arbrit ka gjithsej 6 ura, por ajo më e madhja e më e rëndësishmja është Ura e Vashës e cila kalon mbi lumin Mat dhe bashkon fshatin Fshat me Planin e Bardhë, në Bashkinë e Klosit, si për të thënë se historia përsëritet. Një urë që jeton ndër shekuj për të dëshmuar rëndësinë e lidhjes së kësaj treve me qytetërimin dhe sot një urë një ndër më të mëdhatë në vend që do nxit zhvillimin e zonës./atsh/KultPlus.com

E dashur…

Poezi nga Teodor Keko.

E dashur , erdha
E dashur erdha! Pse vrenjtesh kot?
Ti po më prisje përsëri,
mos u çudit, unë jam një zog.

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do, të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

Do bësh sikur më ke inat.
Ndodhi e vjetër, unë e di!
S’jam buzëqumësht, por esnaf,
për dashurinë di plot dredhi!
Unë do të puth, do të pushtoj në gji,
dhe po ma mbylle derën ti.

E dashur, erdha, në prag ke dalë,
ke hapur portën dhe qesh nën hundë.
Sa përbetohesh me qindra fjalë,
më mirë, eja, më puth!

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

E dashur, erdha, pse vrenjtesh kot,
ti po më prisje përsëri.
Mos u çudit! Unë jam një zog.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!/KultPlus.com

Tre vite nga vdekja e aktorit Tony Sirico

Aktori Tony Sirico, i njohur për rolin e tij si një grup mafioz në The Sopranos, ka vdekur më 9 korrik 2022, në moshën 79-vjeçare.

Aktori i Hollywood Michael Imperioli, i cili luajti Christopher Moltisanti, kishte drejtuar homazhet në nder të tij.

“Toni ishte si askush tjetër. Ai ishte po aq i ashpër, besnik dhe me zemër të madhe sa kushdo që kam njohur ndonjëherë. Jam krenar të them se kam bërë shumë punën time më të mirë dhe më argëtuese me shokun tim të dashur Tony. Do të më mungojë përgjithmonë. Ai është me të vërtetë i pazëvendësueshëm”, kishte shkruar ai.

Sirico ishte 55 vjeç dhe flinte në një krevat fëmijësh në shtëpinë e nënës së tij në Brooklyn, kur iu caktua roli ikonik që do t’i jepte atij dy çmime Screen Actors Guild, raporton BBC.

Ai luajti gangsterë në më shumë se një duzinë filma të tjerë të mafias, duke përfshirë Goodfellas të Martin Scorsese.

Sirico lindi në Brooklyn, Nju Jork, dhe u arrestua 28 herë, duke kaluar dy periudha në burg. /NOA /KultPlus.com

Gjiri i Gramës, një nga plazhet më spektakolare të jugut

Gjiri i Gramës, i ndodhur në Gadishullin e Karaburunit, është një nga plazhet më spektakolare të jugut të Shqipërisë, një perlë që tërheq çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj.

Gjiri Gramës, i fshehur në vijëzimin bregdetar të Karaburunit, është kthyer një ndër destinacionet e preferuara nga turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjete sociale pamje nga gjiri, i cili mund të rroket përmes hiking apo varka.

Gjiri i Gramës gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit në rrethin e Vlorës.

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore.

Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det.

Gjithashtu ai është përdorur gjatë në Antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si “shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave./atsh/KultPlus.com

Liam dhe Noel Gallagher sërish bashkë në skenë pas 16 vitesh

“Rock and roll-i” është magji dhe si me një magji, Liam dhe Noel Gallagher, dy vëllezërit legjendarë të grupit Oasis, u rikthyen bashkë në skenë, duke e bërë realitet një nga ribashkimet më të shumëpritura në historinë e muzikës moderne.

“Kjo nuk është një provë. Po ndodh vërtet, Cardiff,” shfaqej në ekranet gjigante të stadiumit Principality, ndërsa tituj gazetash dhe reagime nga rrjetet sociale pasonin njëri-tjetrin, duke rikujtuar lajmin që tronditi botën e muzikës, Oasis janë bashkuar pas 16 vitesh. Plot 5.795 ditë kishin kaluar që nga koncerti i tyre i fundit.

Koncerti nisi me këngën “Hello”, një përshëndetje simbolike ndaj publikut pas një mungese të gjatë. Më pas, “Acquiesce”, një këngë ku të dy vëllezërit ndajnë vokalin, solli një mesazh domethënës për publikun. Sidoqoftë, për 70 mijë fansat e mbledhur në stadium, ajo natë ishte më shumë se një koncert, ishte një udhëtim emocional në të kaluarën, në ëndrrat dhe iluzionet e një brezi të tërë.

Noel, me një këmishë xhinsi dhe një qëndrim të sigurt, dominonte skenën. Liam, si gjithmonë, i qëndrueshëm para mikrofonit, mbetej magnetik. Në një moment, para këngës “Cigarettes & Alcohol”, ai u kërkoi të gjithëve të kthenin shpinën dhe të përqafoheshin. Askush nuk e kuptoi pse, por të gjithë e bënë. Ky është ndikimi i një frontmeni të vërtetë.

Edhe pse kontaktet mes dy vëllezërve ishin të kufizuara, një përqafim i përmbajtur mjaftoi për të treguar se, të paktën për atë natë, tensionet ishin lënë mënjanë. Bashkë me ta në skenë ishin Andy Bell, Gem Archer, Paul “Bonehead” Arthurs dhe Joey Waronker. “Supersonic” ndezi atmosferën, përpara se Liam të largohej për një pushim, dhe Noel të merrte drejtimin me këngë më të qeta si “Talk Tonight”, “Half the World Away” dhe “Little By Little”.

Rikujtojmë se ndarja e grupit ndodhi në vitin 2009 në Paris, pas një sherri të ashpër, ku Liam, sipas raportimeve, thuhet se kishte goditur me kitarë në drejtim të vëllait të tij. Që atëherë, marrëdhënia mes tyre u karakterizua nga heshtja, thumbat dhe armiqësia publike, si dhe një boshllëk i thellë në skenën e rock-ut.

Kjo mungesë e gjatë shkaktoi një etje të jashtëzakonshme mes fansave: për koncertet e para në Britani dhe Irlandë u regjistruan mbi 10 milionë kërkesa nga 158 vende për vetëm 900 mijë bileta, çka solli një rritje të çmendur të çmimeve për shkak të sistemit të çmimeve dinamike.

Tani janë planifikuar 41 koncerte deri në fund të nëntorit, në Amerikën e Veriut dhe të Jugut, Azi dhe Oqeani. Europa pritet të përfshihet në turne gjatë verës 2026.

Cardiff u përfshi nga entuziazmi: 150 mijë persona në dy net, trenat nga Londra të tejmbushur, familje me fëmijë që nuk kishin lindur kur Oasis u ndanë, birra, fanella vintage dhe kapelat klasike nëpër çanta. Liam rikthehet për të kënduar “Stand By Me”, e kthyer në një kor masiv plot emocione. “Live Forever” iu dedikua futbollistit të ndjerë të Liverpool-it, Diego Jota. Pastaj erdhën bis-et e pandalshme: “Don’t Look Back in Anger”, “Wonderwall” dhe “Champagne Supernova” — himne të një brezi të tërë, që tingëllojnë po aq të fuqishme edhe pa “katalizatorët” e dekadës së kaluar.

Ky koncert ishte një udhëtim në vitet ‘90, kohët e “Cool Britannia”, kur Londra ishte epiqendra kulturore e botës. Epoka e përplasjes Blur-Oasis, Tony Blair dhe modelit të ri politik, shefëve si Gordon Ramsay që ktheheshin në yje televizivë, letërsisë pop të Nick Hornby dhe Irvine Welsh, dhe artit të Damien Hirst.

Në qendër të koncertit ishin dy albumet e parë dhe më të famshëm të Oasis, Definitely Maybe (1994) dhe (What’s the Story) Morning Glory? (1995), ky i fundit që pritet të ribotohet në një edicion festiv këtë vjeshtë.

Për një natë, përtej Brexit-it, politikës dhe zhgënjimeve të kohëve moderne, yjet e vërteta të rock and roll-it ishin sërish ata Liam dhe Noel Gallagher./KultPlus.com

‘U bënë njëqind vjet që kur një grua më pret në një qytet’

Poezi nga Nâzım Hikmet

Përmallim

U bënë njëqind vjet
pa ta parë fytyrën
pa çuar krahun tim
përreth belit tënd
pa vështruar fytyrën time në sytë e tu
u bënë njëqind vjet që s’i bëj më pyetje
dritës së shpirtit tënd
pa e prekur ngrohtësinë e barkut tënd.

U bënë njëqind vjet
që kur një grua më pret
në një qytet.
Bashkë vareshim mbi të njëjtën degë,
mbi të njëjtën degë
ramë, ne u ndamë,
mes nesh plot një qindvjeçar
në kohë dhe në hapësirë.
U bënë njëqind vjet që në gjysmëhije
rend mbas teje.

Je dehja ime
Nga ty s’u esëllova dot
S’mund të esëllohem
S’dua fare të esëllohem

Koka që më rëndon
Gjunjt’ e gërvishtur
Rrobat e ndotura
Shkoj drejt dritës që ndriçon dhe shuhet
tek lëkundem, bie, sërish në këmbë ngrihem.

*

Përktheu nga frëngjishtja: Edon Qesari /KultPlus.com

“Virtuozët”, dy net me muzikë klasike për publikun e Elbasanit

Elbasani mirëpriti një ngjarje të veçantë artistike këtë korrik, me koncertin “Virtuozët”, që solli në skenë disa prej instrumentistëve më të talentuar të skenës muzikore shqiptare.

“Virtuozët” po realizohet nën drejtimin artistik të Desart Shëmilit. Koncerti i parë u zhvillua mbrëmë në mjediset historike të Muzeut Etnografik, me pjesëmarrjen e violinistit të njohur Zeqir Sulkuqi dhe interpretimet e artistëve elbasanas. Mbrëmja e dytë vijon sonte te Kulla Hotel “Guri”, ku do të performojë Kuarteti i Harqeve “Mansius”, me një program të përzgjedhur nga repertori klasik ndërkombëtar.

Publiku do të ketë mundësinë të shijojë vepra të njohura nga kompozitorë të mëdhenj, të interpretuara me pasion, dhe frymëzim nga emra të spikatur të muzikës klasike shqiptare.

Koncerti “Virtuozët” vjen si një iniciativë për të afruar artin cilësor me publikun e Elbasanit dhe për të kthyer hapësirat muzeale dhe historike në skena të gjalla të kulturës./atsh/KultPlus.com