Lutja e dëshpërueme

Poezi nga Ernest Koliqi

Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni nder murrâna
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
deshmor‘, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna,
nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.

Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni
e as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli,
a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,

ju qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnín jetike e patët si mësuese,
ju qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,

sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim:
ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.

U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi;
ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku,
porzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por mâma e fatit, mâma qi befas mbi né krisi.

N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ njerit,
prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën
tue prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit.

Jo váj por gjâm e ahté prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona
q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.

O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale,
n’tê tash tridhet‘ qindavjeta na u end e ndershme jet,
jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujve larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.

Me mzi strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha,
n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat,
pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat,
pa njoft‘ doket e lmueta të kombeve fatbardha.

E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum,
sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht‘, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.

Nânat me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin
Me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.

O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi,
shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për fmín
e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín
na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.

Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lírin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër:
kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on‘ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?/ KultPlus.com

Festivali i Resë me performanca që bëjnë bashkë traditën dhe bashkëkohoren

Festivali i Resë shënon këtë vit edicionin e tij të 9-të, duke bërë një përzierje të traditës me bashkëkohoren.

Për 11 netë radhazi, sikurse çdo vit, edhe këtë radhë tek Reja do të udhëtojmë kulturalisht në vende shumë të afërta dhe po ashtu në ato shumë të largëta: nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit, në vende që kufizohen me Detin Kaspik dhe Malet e Kaukazit, Oqeanin Atlantik dhe Detin Mesdhe, Oqeanin Paqësor dhe Detin Karaibe, Skandinavinë dhe Kanadanë.

Mbi 100 artistë nga Azerbajxhani, Meksika, Maroku, Greqia, Turqia, Italia, Franca e te tjera, do të mblidhen në Tiranë për performanca intime dhe të zhurmshme të vallëzimit bashkëkohor, artit të performancës, muzikës, poezisë së performuar, bisedave, workshop-eve, prezantimeve, si dhe shfaqjeve festive me ansamble, orkestra, kore dhe DJ.

Performancat në bahçen e Resë, ashtu si çdo vit, do të jenë falas dhe do presin çdokënd, prej 21-31 majit./atsh/KultPlus.com

Festivali ndërkombëtar i teatrit në Oslo mirëpret “Negotiating Peace”

Shfaqja “Negotiating Peace” e Qendrës Multimedia do të jetë pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo. Shfaqja do të luhet më 20 mars nga ora 19:00 dhe më 21 mars nga ora 17:00 në Black Box Teater në Oslo.

Ky edicion i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo mbahet nën temën  “Rrënjët dhe Rikthimet: Teatri në Udhëkryqin e Perandorisë dhe Identitetit” dhe është i kuruar nga Mart Meos, Allan Kaldoja dhe Marius Ivaskevicius, ekipi që organizon Festivalin e Lirisë në Narva të Estonisë. 

Pyetjet që lidhen me identitetin, lirinë, demokracinë dhe traumat kolektive e individuale karakterizojnë shfaqjet në programin e sivjetëm të festivalit. Këtë vit, festivali do të jetë nikoçir i artistëve e shfaqjeve nga Ukraina, Estonia, Bjellorusia, Kirgistani, Taxhikistani dhe Kosova. Të gjitha këto vende vende që kanë qenë – dhe në disa raste ende janë – nën regjime autoritare. Paralelisht, festivali do të ketë një program tematik me ligjërata dhe diskutime. 

Një program i tërë që pikënisje ka shfaqjen tonë “Negotiating Peace” do të qendërzohet rreth Kosovës në këtë edicion të festivalit. Përpos shfaqjes, do të organizohet një bisedë ndërmjet Jeton Nezirajt dhe kritikes së teatrit Natasha Tripneyt, një lexim skenik i dramës “Citycide” të antropologes kosovare Eli Krasniqi, botuar nga Qendra Multimedia. Ky lexim do të përcillet me një bisedë me autoren si dhe një ndejë e quajtur “Mbrëmja e Kosovës”

Krahas këtyre ngjarjeve, në këtë edicion të festivalit do të prezantohet edhe produksioni norvegjez i dramës “The Handke Project” të Jeton Nezirajt, me regji të Blerta Nezirajt, një produksion i Akademisë Norvegjeze të Teatrit (NTA) në bashkëpunim me Qendrën Multimedia që u dha premierë më 15 mars në Fredrikstad./KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Alkimisti’ i shkrimtarit Paulo Coelho

Sot, KultPlus ua sjell një fragment nga libri ‘Alkimisti’, një prej kryeveprave të shkrimtarit Paulo Coelho.

Dita e re po agonte, prandaj bariu i ngau delet nga lindja. “Ato nuk e dinë ku do të kullosin”, mendoi, “prandaj s’më shqiten”. Delet kishin nevojë vetëm për ujë dhe për ushqim. Derisa djali t’i shpinte në tërë kullotat me famë të AndaIuzisë, ato do t’i qëndronin pranë si mikesha të vërteta. Edhe pse ditët nga mëngjesi e deri në mbrëmje ngjanin njëra tjetrës e orët mezi shtyheshin, edhe pse e kishin jetën të shkurtër, ato s’dinin të lexonin e as të flisnin gjuhën e njerëzve të cilët tregonin se ç’po ndodhte në fshatra. Prandaj delet s’kërkonin nga njerëzit veçse ujin dhe kullotën, e si shpërblim u dhuronin leshin dhe miqësinë, por nganjëherë edhe mishin.

“Të isha përbindësh e t’i përlaja një nga një, do të kuptonin që tufa po rrallohej pothuajse tërësisht,” mendoi djaloshi. “Sepse kanë besim tek unë dhe nuk mbështeten më në instinktin e tyre, ngase pikërisht unë i shpie të kullotin.”

Djaloshi po befasohej pas këtyre mendimeve të çuditshme. Ndoshta në kishë, mu aty ku hapte krahët fiku, duhej të kishte fantazma. A thua ishte ky shkaku që iu shfaq ajo ëndërr dhe kishte nisur tani t’i vagëllojë njëfarë përsëri ajo ëndërr dhe kishte nisur tani t’i vagëllojë njëfarë zemërimi ndaj deleve, mikeshave të tij përherë besnike?  Si rrëkëlleu pak verë të mbetur nga mbrëmja e shkuar, u mbështoll më fort me xhaketë. E dinte mirë se pas disa orësh, kur dielli të ngrihej lart do të bënte aq vapë sa që ai nuk do të mund t’i nxirrte delet në kullotë. Do të vinte pastaj ora kur Spanjën e kot gjumi i verës: mirëpo vapa e ditës vazhdonte deri aty nga mbrëmja. Si për dreq duhej ta mbante veshur xhaketën. Aty për aty ankohej nga barra e saj e bezdisshme, por qetësohej kur kujtonte se ishte ajo xhaketë që e mbronte kur afrohej agimi i ditës së re.

“S’i merret vesh motit”, thoshte me vete dhe ndjehej mirënjohës ndaj xhaketës që e mbante veshur. Edhe xhaketa bënte një punë, sikundër bënte edhe trimoshi ynë. Kish dy vjet që endej fushave të Andaluzisë, kështu që i njihte symbyllur qytetet e asaj krahine. E kishte ndarë mendjen se do të merrej vetëm me udhëtime.

Bluante me vete se kësaj here do t’ia shkoqiste vajzës se ai, ndonëse një palo bari, dinte të lexonte, sepse derisa mbushi gjashtëmbëdhjetat s’kishte munguar asnjë ditë në seminar. Në fakt prindërit e kishin synë për ta bërë prift. Fundja kjo do t’i vinte emër të mirë asaj familjeje modeste fshatare që deri atëherë ishte rropatur vetëm për ujë dhe për bukën e gojës, duke rrojtur tamam si delet e tij. Në seminar, kishte arritur të mësonte latinishten, spanjishten dhe teologjinë. Por që fëmijë dëshironte të njihte botën, ndaj kjo i dukej më e rëndësishme sesa të njihte vetë Perëndinë ose mëkatet e njerëzve. Një mbrëmje, kur ishte kthyer për të parë ç’bënin në shtëpi, pati guximin t’i thoshte t’et se arsyeja që e pengonte të vishej prift ishte vetëm dëshira për të udhëtuar.

“Ah more bir, nëpër këtë fshat kanë kaluar njerëz nga të katër anët e botës. Vijnë me mendimin se do të gjejnë diçka të re, por ata mbeten gjithmonë të njëjtët njerëz.

Pastaj marrin andej nga kodra, i hedhin një sy kështjellës dhe thonë se në të kaluarën ishte ku e ku më mirë se sot. Ka nga ata qe janë flokëverdhë apo të zeshkët, por për çudi nuk ndryshojnë nga fshatarët tanë.”

“Unë s’e di nga ç’kështjella vijnë”, u përgjigj djaloshi.

“Këta njerëz, pasi shohin tokën tonë dhe më vonë gratë thonë se nuk do të ishte keq ta ngrysnin jetën këtu”, vazhdoi i ati.

“Po unë kam vetë dëshirë të nioh gratë dhe vendet e tyre”, ngulmoi djaloshi. “Ç’kanë që nuk qëndrojnë në fshat?”

 “Sepse ata biro, e kanë qesen plot” shtoi gjatë bisedës i ati. “Ta dish mirë se tek ne vetëm barinjtë kanë fatin të udhëtojnë.”

«Atëherë, mirë, do të bëhem bari.”

I ati nuk foli. Të nesërmën i dha një çantë ku kishte vendosur tri monedha të vjetra spanjolIe prej ari.

“I gjeta në një livadh: i ruajta që t’ia dhuroje Kishës, me rastin e shugurimit tënd. Por tani me këto do të blesh dele për vete, do t’i biesh kryq e tërthor botës, derisa do të kuptosh që si kjo kështjellë dhe si gratë e fshatit tonë s’ka për të të zënë syri gjëkundi.”

Si i tha këto, i dha bekimin të birit. Djaloshi në syrin e t’et kishte vënë re se edhe ai kishte dëshirë të udhëtonte: kjo dëshirë kishte mbetur ende e zjarrtë, ndonëse atij burri i qe dashur ta ndrydhte për vite me radhë, duke i rrokullisur me zor vitet aty në fshat për një pikë ujë dhe për një kothere bukë sa për të mbajtur frymën./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: “World Forum” mblodhi në Berlin kampionë global të demokracisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale është shprehur se “World Forum” mblodhi në Berlin kampionë global të demokracisë, pikërisht aty ku para 35 viteve rënia e Murit të Berlinit shënoi një moment përcaktues për demokracinë në mbarë botën.

“Demokracia është një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, por nuk është e vetëqëndrueshme, ajo është vepër e çdo brezi, e ndërtuar dhe e forcuar ditë pas dite”, u shpreh Osmani.

Osmani shtoi se demokracia për ne nuk është vetëm njëra nga opsionet, por është opsioni i vetëm, sepse dihet se çfarë sjell mungesa e saj.

“Në Kosovë, këtë e kuptojmë më së miri. Demokracia për ne nuk është vetëm njëra nga opcionet- është opcioni i vetëm, sepse e dijmë se çfarë sjell mungesa e saj – shkatërrim, vuajtje dhe humbje jete. Prandaj, populli ynë, mbetet i palëkundur në përkushtimin ndaj vlerave demokratike”, ka shtuar Osmani./KultPlus.com

“Enciklopedia shqiptare” mbledh anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës

Anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare” zhvilluan dy takime për ecurinë e punës.

Mbledhja e parë u drejtua nga kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe drejtori i Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike dr. Arian Leka.

Akad. Gjinushi, falënderoi redaktorët përgjegjës dhe vlerësoi punën e bërë nga anëtarët e redaksisë vendore për koordinimin me redaksitë, duke theksuar se me fjalësin e njësuar të të gjitha fushave, kemi një panoramë më të plotë mbi lëndën enciklopedike. Ai tha se fjalësi është njësuar dhe pas përfundimit të punës, raportet e përfaqësimit midis trashëgimisë në Shqipëri, Kosovë e në pjesë të tjera të hapësirës historike-kulturore shqiptare janë respektuar. Në vëmendje për këto redaksi duhet mbajttur edhe çështja e karakterit formal e teknik, që disa nga njësitë themelore të shkruhen në rend të drejtë dhe të shmangen përfundimisht mbivendosjet.

Tashmë puna në vijim mbetet tek mënyra e kategorizimit dhe e paraqitjes së artikujve në “Enciklopedinë shqiptare”.

Qëllimi i këtij takimi ishte parapërgatitja për mbledhjen mes redaksive vendore Shqipëri-Kosovë, që do të mbahet më 25-26 mars 2025, në Vërmicë (Prizren).

Më pas u zhvillua takimi me anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës të fushave: energjitë dhe energjetika; industritë dhe teknologjitë, ku ishin të pranishëm redaktorët përgjegjës, përkatësisht prof. dr. Aleksandër Xhuvani, akad. Rajmonda Buhaljoti dhe prof.dr. Andrea Maliqari.

Akad. Buhaljoti raportoi se është koordinuar me redaksitë e Kosovës e Maqedonisë për veçimin e zërave, harmonizimin e fjalësit të bashkuar. Ajo tha se puna me zërat ka përfunduar dhe është plotësuar lista e personaliteteve sipas kritereve të dakordësuara./atsh/KultPlus.com

Dhjetë misteret e fshehura në pikturat e famshme (FOTO)

Arti nuk është vetëm një burim frymëzimi, por gjithashtu një mister i madh. Artistët shpesh shtojnë detaje të vogla të çuditshme në pikturat e tyre, ose lënë mesazhe që janë të pamundura të vërehen në shikim të parë.

Bota.al sjell më poshtë një listë të kryeveprave të pikturës, me sekrete të papritshme. Në fund të artikullit, edhe një bonus: një nga hipotezat më të çuditshme në lidhje me Mona Lizën.


10. Veshi i gabuar

Auto-portreti i Vincent Van Gogh me veshin e fashuar paraqet artistin me një vesh të djathtë të plagosur. Në realitet, ai kish prerë veshin e majtë. Mospërputhja shpjegohet me faktin se Van Goghu përdori një pasqyrë për të krijuar portretin e tij.


9. Piktura nën pikturë

Nëse shikoni nga afër Kitaristin e Vjetër nga Pablo Picasso, mund të shihni një siluetë femre të zbehtë prapa kokës së njeriut. Pas marrjes së imazheve me rreze infra të kuqe dhe X të pikturës, studiuesit nga Instituti i Arteve të Çikagos zbuluan disa forma të tjera të fshehura nën të. Me shumë gjasa, artisti nuk kishte para të mjaftueshme për të blerë pëlhura të reja, dhe duhej të pikturonte.


8. Ora e natës është e vendosur gjatë ditës

Gjatë restaurimit të pikturës së Rembrandt The Shooting Company of Frans Banning Cocq and ëillem van Ruytenburch (e njohur më mirë si “Ora e Natës”) në vitin 1947, ajo u pastrua nga një shtresë e trashë bloze. Pas kësaj, u bë e qartë se skena e portretizuar në pikturë nuk ndodh gjatë natës, por gjatë ditës.


7. Kodi anatomik i Kapelës Sistine

Një imazh i trurit njerëzor është i dallueshëm jo vetëm në Krijimin e Adamit nga Michelangelo, por edhe në një tjetër afresk të Kapelës Sistine: Ndarja e Dritës dhe e Errësirës. Shikoni qafën e Perëndisë: nëse e mbivendosni atë në një foto të trurit njerëzor, siç shihet nga poshtë, do të merrni një mbivendosje të përsosur të vijave.


6. Simboli i forcës

Figurat e Davidit dhe Goliathit në një tjetër afresk të Kapelës Sistine, të krijuara nga Michelangelo, formojnë gërmën hebraike gimelin, e cila simbolizon forcën në traditën mistike të Kabalas.


5. Vështrimi i vëngërt i Rembrandit

Margaret Livingstone dhe Bevil Conuay studiuan auto-portrete të Rembrandt dhe provuan se piktori vuante nga stereoverbimi. Kjo veçori bënte që piktori të perceptonte botën pak ndryshe: ai e shihte realitetin në 2D dhe jo në 3D. Megjithatë, është e mundur që stereoverbëria e ndihmoi Rembrandin të krijonte kryeveprat e tij të pavdekshme.


4. Hakmarrja për të dashuruarit

Një nga pikturat më të famshme të Gustav Klimt portretizon Adele Bloch-Bauer. Ajo u pagua nga burri i saj, baroni i sheqerit Ferdinand Bloch-Bauer. Ai zbuloi se Adele dhe Klimt kishin një lidhje dhe besonte se pas qindra skicave, piktori në fund do ta urrente dashnoren e tij. Puna rutinore me të vërtetë bëri që ndjenjat midis gruas dhe artistit të ftoheshin.


3. Parashikimi i fundit të botës

Studiuesja italiane Sabrina Sforza Galitzia propozoi një interpretim të pazakontë të Darkës së Fundit të Leonardo da Vinçit. Ajo është e sigurtë se në pikturën e tij, artisti la një parashikim për fundin e botës, i cili do të ndodhë më 21 mars 4006. Për të arritur në këtë përfundim, studiuesja deshifroi kodin matematikor dhe astrologjik të pikturës. Ky nuk është mister vetëm i Darkës së Fundit. Duart e Krishtit dhe apostujt, së bashku me bukët në tryezë, formojnë diçka që mund të lexohet si disa nota muzikore. Pas testimit, kjo tingëllon si një melodi e shkurtër.


2. Bota në të verdhë

Pothuajse të gjitha pikturat e Vincent van Goghut shfaqin një të verdhë dominante. Profesor Paul Uolf shpjegon se është një efekt anësor i një ilaçi epilepsie që ndryshon perceptimin e ngjyrës. Bota e artistit mund të dukej vërtetë ashtu si e shohim ne, në pikturat e tij.


1. Mozarti dhe masonët

Ka dëshmi të forta se Volfgang Amadeus Mozart ishte një Mason. Edhe në portretin e tij të fëmijës nga Pietro Antonio Lorenzoni, mund të shohim një simbol masonik: një dorë e fshehur që tregon një gradë hierarkike në shoqërinë sekrete.


Bonus: Mona Liza

Stomatologu dhe eksperti i artit Joseph Borkovski studioi me kujdes pikturën e Leonardo da Vinçit dhe pretendon se ka zbuluar sekretin pas buzëqeshjes së La Giocondas. Ai beson se ajo kishte humbur dhëmbët e saj të parë dhe kjo ndikoi në shprehjen e saj të fytyrës. / KultPlus.com

Çaste

Poezi nga Nadine Stair
Përktheu: Elona Caslli

Po ta jetoja edhe një herë jetën time, në jetën tjetër do të bëja më shumë gabime.
Nuk do të përpiqesha të isha e përsosur dhe do të shplodhesha më shumë.
Do të isha më budallaqe se ç’kam qenë
dhe të them të vërtetën shumë pak gjëra do t’i merrja seriozisht.
Do të isha më pak higjienike.
Do të rrezikoja më shumë
dhe do të udhëtoja më shumë.
Do t’i sodisja më shumë perëndimet e diellit,
do të ngjisja më shumë male,
dhe do të notoja në shumë lumenj.
Do të vizitoja më shumë vende
që nuk njihja.
Do të haja më shumë akullore dhe më pak jeshillëqe.
Do të kisha më shumë probleme reale
dhe më pak probleme imagjinare.

Unë kam qenë një nga ata njerëz
që e ka jetuar me vetëdije çdo çast të jetës
dhe e ka bërë të dobishëm çdo çast të saj.
Ndonjë çast gëzimi e kam patur edhe unë.

Por, nëse do të kthehesha prapa në kohë,
do të përpiqesha të jetoja vetëm çaste të mira.
Pasi, po nuk e ditët, jeta nuk është gjë tjetër
veçse një çast. Ndaj – Mos e humb të tashmen.

Unë kam qenë një nga ata njerëz
që nuk shkonin kurrkund pa një termometër,
pa borsën me ujë të ngrohtë,
pa një çadër apo pa një parashutë.

Po të rikthehesha në jetë
do ta merrja më lehtë jetën.
Po të rikthehesha në jetë
do të filloja të ecja këmbëzbathur që nga fillimi i pranverës
deri në fund të vjeshtës.

Do të bëja më shumë xhiro tek rrotullamja në këndin e lojrave,
do të shikoja më shumë agime,
dhe do të luaja më shumë me fëmijët
po ta kisha jetën përpara.

Por, jam 85 vjeçe
dhe po vdes…/ KultPlus.com

“Ai është tmerrësisht i frikësuar se po vdes, sepse ende nuk ka jetuar”

Franc Kafka ishte një autor gjerman që arriti famë botërore vetëm pas vdekjes së tij.

Ja ku janë 8 thënie nga Franz Kafka për të ndryshuar mënyrën e të menduarit.

1.“Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Nuk ekziston vetëm ajo që nuk e kemi dëshiruar sa duhet.”

2. “Ai është tmerrësisht i frikësuar se po vdes, sepse ende nuk ka jetuar.”

3. “Unë zakonisht zgjidh problemet duke i lënë ato të më gllabërojnë mua.”

4. “Unë mund të dua vetëm atë që e vendos në mënyrë të lartë mbi mua dhe që nuk mund ta arrij.”

5.  “Rinia është e lumtur sepse ka aftësinë për të parë bukurinë. Kushdo që mban aftësinë për të parë bukurinë, nuk rritet kurrë.”

6. “Mos e humbisni kohën tuaj duke kërkuar një pengesë – ndoshta nuk ka asnjë.”

7.”Ka një sasi të pafund shpresash në Univers… por jo për ne.”

8. “Është më mirë të kemi dhe të mos keni nevojë, sesa të keni nevojë dhe të mos keni.”/KultPlus.com

Bill Clinton nderohet me çmimin “Paqebërësi i Shekullit”, presidentja Osmani: Mbështetja e tij ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave amerikane të lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se mbrëmë ka lexuar një ‘Laudatio’ për Presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”.

“Teksa qëndroja para tij, kujtova marsin e vitit 1999, kur dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim tmerret e regjimit të Millosheviqit. Sot, falë luftës çlirimtare dhe falë lidershipit të botës demokratike dhe mbështetjes bipartizane amerikane, si nga demokratët ashtu edhe republikanët, Kosova frymon e lirë dhe e pavarur”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se mbështetja e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave amerikane të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.

“Faleminderit, President Clinton, jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha për jetët e shpëtuara. Dhe në veçanti, faleminderit në emër të fëmijëve të tashëm të Kosovës—brezi i parë që nuk po rritet në luftë e që njeh vetëm paqe”, ka shkruar Osmani në rrjete sociale, ku edhe ka publikuar fjalimin e plotë./KultPlus.com

76 vite nga vdekja e Vinçenc Prennushit, u shua në qelinë e burgut të Durrësit

Si sot, më 19 mars të vitit 1949, iu shua fryma në qelinë e burgut të Durrësit, kryeipeshkvit të këtij qyteti, imzot Vinçenc Prennushit.

Kushtimi ndaj besimit do t’i kushtonte lirinë dhe jetën. E thënë metaforikisht, Prennushi qe i prirë drejt jetës rregulltare qyshse foshnje, kur mori bekimin e pagëzorit.

U lind në Shkodër më 4 shtator 1885. Në moshën 5-vjeçare, në vitin 1900, hyri në kuvendin françeskan të vendlindjes. U shugurua meshtar në Tirol, ku kryente edhe studimet.

Do të merrej edhe me veprimtari përtej sferës kishtare. Në vjetët 1909-910 rroku penën dhe nisi të publikonte. Më 1911-n, botoi “Kangë popullore gegnisht”. Më pas, do të zhdërvjelltësonte shkrimtarinë e tij me dramat “E trathuemja”, “Prej robnie në liri”, si edhe me studimin “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922). Ndërsa, në vitin 1924, pasuroi krijmtarinë e tij me veprën poetike “Gjeth e Lule”.

Në sajë të zotërimit të disa gjuhëve të huaja, Imzot Prennushi do të merrej edhe me përkthimin e disa prej veprave më të lakuara të kohës, sikurse ishin: “Quo Vadis” e novelistit polak Henryk Sienkieëiz, “Burgjet e mia” e autorit italiani Silvio Pellico dhe poema “Dreizehnlinden” e gjermanit Friedrich Wilhelm Weber.

Në vitin 1947, në valën e përndjekjes së klerit, u arrestua në Tiranë e më pas u zhvendos drejt burgut të Durrësit. Qindra klerikë nga të gjitha besimet u ekzekutuan, dënuan dhe internuan, pas instalimit të regjimit komunist, i cili ndër të tjera synonte “të krijonte të ashtuquajturën parajsë tokësore në kundërshtim me besimet fetare”. / KultPlus.com

Parku Natyror i Porto Palermos, vlerë e çmuar natyrore dhe historike

Parku Natyror “Porto Palermo” përbën një vlerë të çmuar natyrore dhe historike.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale pamje të kësaj zone mbresëlënëse bimësia e së cilës karakterizohet nga prezenca e Euphorbia dendroides, i cili përbën dhe një nga habitatet më të mirëmbrojtura të kësaj specieje në Shqipëri.

Porto Palermo është gjithashtu një habitat mjaft i rëndësishëm për specie të tjera me vlerë, siç janë Lithophylum byssoides dhe livadhet me Posidonia oceanica.

Parku Natyror “Porto Palermo” është shpallur me VKM  në vitin 2022, kategoria IV e zonave të mbrojtura. “Parku Natyror” i Gjirit të Porto-Palermos ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 1 694.98 ha, nga e cila: 1 490.4 ha ose 87.93% janë sipërfaqe detare dhe 204.58 ha ose 12.07% janë sipërfaqe tokësore.

Zona e Porto Palermos – Llamanit, sidomos gjiret, janë një burim shumë i rëndësishëm për peshkimin dhe marinë-kulturën.

Livadhet me Posidonia formojnë lëndina nëndetare. Hapësira e pastër detare-bregdetare me vlera nënujore ende të paprishura, si prania e mbetjeve arkeologjike (amforat) të shekullit II para Krishtit, është fantastike për zhytësit. Në zonë janë edhe tri qendra të rritjes së peshkut (marinë-kulturë)./atsh/KultPlus.com

Gonxhja me operatorët turistikë: Promovim Shqipërisë si destinacion kulturor

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Iovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi sot një takim me përfaqësues të agjencive turistike në vend, për të bashkërenduar punën për promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik kulturor të klasit botëror.

Ministri theksoi se po punohet për të sjellë më shumë vizitorë, për të ruajtur pasuritë historike dhe për t’u ofruar turistëve një përvojë unike dhe të paharrueshme në vend.

“Një moment kyç në bashkëpunimin midis sektorit publik dhe privat, me synim përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e paketave turistike që nxjerrin në pah vlerat unike të trashëgimisë sonë kulturore”, e cilësoi ministri takimin.

Shqipëria u vizitua gjatë vitit 2024 nga 11,7 milionë vizitorë të huaj, një rritje prej 15,2% krahasuar me vitin 2023.

Përtej rritjeve të hyrjeve turistike nga vendet e rajonit, viti 2024 ka konfirmuar rritje dhe qëndrueshmëri të tregjeve nga Evropa Perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca apo Britania e Madhe dhe ka zgjeruar hartën e tregjeve të largëta e ka afruar më shumë vizitorë prej tyre. /atsh/ KultPlus.com

Adelina Paloja dhe Alba Muçolli me koncert recital në teatrin ‘Seminar’ të Horës së Arbëreshëve

Sopranoja e njohur, Adelina Paloja dhe pianistja Alba Muçolli Dehiri do të interpretojnë një koncert recital klasik në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert, dedikuar komunitetit Arbëresh, të cilët mbi 5 shekuj kanë ruajtur traditën dhe shpirtin shqiptar, do të interpretohen vepra për vokal dhe piano solo, nga kompozitorët më të shquar shqiptarë: Rafet Rudi – “Arbëresh Song” dhe “Këmbanat Arbëreshe”, Rauf Dhomi – Aria e Marlulës” nga opera “Dasma Arbëreshe”, Gjon Gjevelekaj, Avni Mula, Prenk Jakova dhe vepra të tjera me motive arbëreshe e kombëtare.

“Me një emocion të papërshkrueshëm, sjellim një histori “Divine Cadenze” – në tokën Arbëreshe Hora e Arbëreshevet 🇦🇱❤️🇮🇹, aty ku çdo gur flet me zërin e historisë mbi 500 vjeçare.

Do të sjellim një zë – një Koncert Recital Klasik në Teatrin Seminar, Ky nuk është thjesht një koncert, por një rit i artit, një shpërthim emocionesh ku e kaluara dhe e ardhmja që po shkruhen për herë të parë bashkohen në një simfoni të paharrueshme.

Së bashku me pianisten brilante dhe miken time Alba Muçolli Dehiri, më 21 mars do të sjellim një mbrëmje të jashtëzakonshme – një ngjarje unike që shënon një faqe të re në historinë e këtij vendi”, ka shkruar sopranoja Paloja në një postim në Facebook.

Koncerti mbahet në Teatrin Seminar – Sheshi Shën Nikolla 1, në Horën e Arbëreshëve, më 21 mars, në ora 18:30. / KultPlus.com

Adelina Paloja dhe Alba Muçolli me koncert recital në teatrin ‘Seminar’ të Horës së Arbëreshëve

Sopranoja e njohur, Adelina Paloja dhe pianistja Alba Muçolli Dehiri do të interpretojnë një koncert recital klasik në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert, dedikuar komunitetit Arbëresh, të cilët mbi 5 shekuj kanë ruajtur traditën dhe shpirtin shqiptar, do të interpretohen vepra për vokal dhe piano solo, nga kompozitorët më të shquar shqiptarë: Rafet Rudi – “Arbëresh Song” dhe “Këmbanat Arbëreshe”, Rauf Dhomi – Aria e Marlulës” nga opera “Dasma Arbëreshe”, Gjon Gjevelekaj, Avni Mula, Prenk Jakova dhe vepra të tjera me motive arbëreshe e kombëtare.

“Me një emocion të papërshkrueshëm, sjellim një histori “Divine Cadenze” – në tokën Arbëreshe Hora e Arbëreshevet 🇦🇱❤️🇮🇹, aty ku çdo gur flet me zërin e historisë mbi 500 vjeçare.

Do të sjellim një zë – një Koncert Recital Klasik në Teatrin Seminar, Ky nuk është thjesht një koncert, por një rit i artit, një shpërthim emocionesh ku e kaluara dhe e ardhmja që po shkruhen për herë të parë bashkohen në një simfoni të paharrueshme.

Së bashku me pianisten brilante dhe miken time Alba Muçolli Dehiri, më 21 mars do të sjellim një mbrëmje të jashtëzakonshme – një ngjarje unike që shënon një faqe të re në historinë e këtij vendi”, ka shkruar sopranoja Paloja në një postim në Facebook.

Koncerti mbahet në Teatrin Seminar – Sheshi Shën Nikolla 1, në Horën e Arbëreshëve, më 21 mars, në ora 18:30. / KultPlus.com

Prodhuesi i filmit The Matrix kërkon mbrojtje nga falimentimi

Grupi i prodhimit të filmit Village Roadshow Entertainment, i njohur për seritë e filmave si The Matrix, Joker dhe Ocean’s, ka kërkuar mbrojtje nga falimentimi në SHBA, sipas një kërkese në një gjykatë të Delaware.

Kompania ka fajësuar problemet e saj financiare për një betejë ligjore me partnerin e saj të dikurshëm Warner Bros (WB) dhe një “përpjekje të dështuar dhe të shtrenjtë” për prodhimin e filmave dhe serive të pavarura.

Për të zbutur disa nga problemet e saj financiare, Village Roadshow po propozon të shesë bibliotekën e saj të gjerë të filmave për 365 milionë dollarë, shkruan BBC.

Borxhet e kompanisë vlerësohen të jenë midis 500 milionë dhe 1 miliard dollarë, sipas dokumenteve të gjykatës. Village Roadshow dhe WB kanë prodhuar dhe bashkë-pronësuar dhjetëra filma gjatë viteve, por marrëdhënia mes tyre u prish në fillim të vitit 2022 pas lansimit të filmit të fundit të Matrix – The Matrix Resurrections – në platformën e transmetimit HBO Max.

Village Roadshow ka akuzuar WB se e ka përjashtuar nga të drejtat për vazhdimin e filmave që dy kompanitë kishin prodhuar së bashku më parë.

“Arbitrazhi me WB ka bërë që kompania të ngarkojë mbi 18 milionë dollarë tarifa ligjore, shumica e të cilave mbeten të papaguara”, tha Keith Maib, oficer i riorganizimit të kompanisë, në një kërkesë gjyqësore.

Sipas Maib, kjo betejë ligjore ka “shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme marrëdhënien e punës” mes dy kompanive, duke përfunduar në “nexusin më fitimprurës” për suksesin historik të Village Roadshow.

Problemi tjetër me të cilin u përball Village Roadshow ishte një biznes i shtrenjtë studiosh të nisur në vitin 2018. Asnjë nga filmat ose seritë e prodhuara në mënyrë të pavarur si pjesë e kësaj përpjekjeje nuk ka sjellë fitime.

Si shumë kompani të tjera filmi në SHBA, Village Roadshow gjithashtu u përball me një rënie të kërkesës për shkak të pandemisë dhe trazirave nga greva e aktorëve dhe shkrimtarëve të Hollivudit, që filloi në maj 2023.

Në dhjetor, Writers Guild of America ndaloi anëtarët e saj të punonin me Village Roadshow për shkak të dështimit të kompanisë për të paguar kontribuesit e saj.

‘Të turpëruarit’, shfaqja dramë-komedi e Altin Bashës që sjellë në ‘tryezë’ diskutime mbi religjionet dhe vlerat e tyre

Vjollca Duraku

Shfaqja “Të turpëruarit” e Ayad Akhtar, fituese e çmimit Pulitzer 2013, mbrëmë u dha premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës me regji të Altin Bashës, përmes aktorëve: Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Kushtrim Sheremeti, Aurita Agushi dhe Endrit Ahmetaj. Islamofobia dhe vetë-identiteti i qytetarëve myslimano-amerikanë ishin temat që në dukje të thjeshta janë trajtuar në mënyrë filozofike mjeshtërisht në shfaqjen dramë-komedi, pjesa kryesore e së cilës zhvillohet në një bashkëbisedim mes katër personazhesh rreth tryezës.

Amir Kapoor (Adrian Morina), një avokat myslimano-amerikan me karrierë të sukseshme në Nju Jork dhe gruaja e tij, Emily (Blerta Syla Surroi), një artiste e re, e cila përmes pikturave të saj trajton traditën artistike islame organizojnë një darkë në apartamentin e tyre për Jory-n (Aurita Agushi), një kolege e Amirit dhe bashkëshortin e saj hebre, Isaac (Kushtrim Sheremeti), i cili është kurator i artit të Emily.

Një bisedë e cila nis me artin dhe kulturën shëndrrohet në një diskutim të ‘nxehtë’ për fenë, identitetin dhe paragjykimet. Gjatë bisedës shpërfaqet identiteti i fshehur mysliman i Amir, si shkak i tendencave për tu integruar në shoqërinë amerikane, pas paragjykimeve për muslimanët sidomos pas sulmit të Kullave Binjake, më 11 shtator 2000.

Gjatë bisedës diskutohet për traditën islame dhe judaike, Kuranin dhe Talmudin, profilizimin racor dhe 11 shtatorin. Amir është një musliman, i cili e mohon veten për të tillë, dhe përmes një doze cinizmi flet mbi Kuranin dhe për mënyrën se si besohet që ai iu soll njerëzimit. Tërhiqet një paralele edhe me kulturën dhe besimin e hebrenjëve, ku Amir e pranon se ndjen armiqësi të fshehtë ndaj Izraelit dhe se është ndier ‘krenar’ për sulmin e 11 shtatorit.

Pas tensioneve gjatë bisedës, Amiri dhe Jory dalin për të blerë një shishe shampanjë, në skenë mbesin piktorja Emily dhe kuratori i saj Isaku, të cilët në bisedë e sipër tregojnë për një marrëdhënie të tyre të msheftë që e kishin pasur gjatë një ekspozite. Kthimi i Jory-t dhe Amirit koincidon me një skenë të sikletshme ku Emily puthet nga Isak.

Në një situatë të tendosur Jori tregon se së fundmi është bërë ortake në zyrën ligjore të Amirit, për shkak të pjesëmarrjes në gjyqin e imamit. Pas disa të bërtiturave dhe sharjeve në drejtim të Jorit, ajo largohet nga skena së bashku me bashkëshortin e saj, i cili sapo e kishte tradhëtuar. Në shenjë hakmarrjeje për tradhëtinë Amiri përdorë dhunë fizike mbi bashkëshorten.

Darkës i kishte paraprirë një skenë ku Abe- nipi i Amirit (Endrit Ahmetaj) paraqet dyshime mbi arrestimin e një imami, kinse për përfshirje dhe mbështetje të grupeve të terrorizmit, gjë e cila ekishte vënë në pikëpyetje reputacionin e Amirit.

Skena e parafundit pasohet nga  Abe i cili e njofton xhaxhain e tij se është marrë në pyetje nga autoritetet për shkak të një shoku të tij, i cili kishte pasur prirje xhihadiste. Abe thotë se Amerika dhe Perëndimi e kanë “turpëruar” myslimanizmin dhe se shumë shpejt gjithçka do të kthehet mrapsht, duke dalë nga skena me furi. Në skenën e fundit Amiri tenton ta bind Emily-n për tu pajtuar, por ajo refuzon duke e lënë Amirin të vetëm, në vaj duke e shikuar portretin e tij të realizuar nga ajo.

Pas shfaqjes, në një prononcim për media regjisori Altin Basha ka thënë se “Të turpëruarit” ka një tekst shumë të veçantë që përmes multi- karaktereve trajton një diskutim historik mbi temat religjioze.

“Sigurisht, ky është një tekst shumë i veçantë. Përveç vlerave të jashtëzakonshme që ka në kuptimin e karaktereve të dialogut, të fjalorit të pasur, të temave që trajton, prek edhe një lloj diskursi të vazhdueshëm që është në shoqëritë perëndimore mbi religjionin, islamin, mbi vlerat e tij, mbi dyshimet që janë mbi të, mbi ndikimin që ai mund të ketë në shoqëri. Është një diskutim historik që nuk bëhet vetëm për islamin por edhe për fetë e tjera, e që normalisht në teatër nuk është trajtuar edhe aq shpesh. Teatri duke pasur detyrën e vet, që të provokojë, që të nxisi diskutim në mënyrë që ta ndihmojë shoqërinë të jetë e shëndetshme, me reflektimin mbi vetveten e ka për detyrë t’i trajtojë edhe këto tema”, ka thënë regjisori Basha.

Regjisori më tej ka thënë se shoqëria jonë është e vonuar për të hapur tema dhe diskutime filozofike mbi rëndësinë e relgjioneve dhe vlerave të tyre, pasi sipas tij asgjë e keqe nuk i vjen shoqërisë nga refleksione të kësaj natyre, por përkundrazi ato janë të shëndetshme për të.

“Pata kënaqësinë që të punoj me një grup aktorësh të cilët kanë punuar me shumë pasion dhe kanë realizuar role fantastike. Me aktorët njihem prej shumë kohësh, prej kohës kur Adriani dhe Kushtrimi kanë qenë studentë, por më parë nuk kemi pasur rastin të bëjmë një gjë kaq përmbajtjesore. Ishte vërtetë një kohë e bukur, e kaluar së bashku në një nivel artistik por edhe në nivel personal, sigurisht edhe me prezencën e Blertës e të Auritës, dhe të Endritit që është një aktor i ri nga Shqipëria, i cili në fakt e ka fituar rolin me audicion, por ka qenë surpriza më e bukur e shfaqjes, mendoj në kuptimin e tregut, sepse këta janë aktorë të konfirmuar dhe paraqesin para publikut edhe një aktor të ri i cili tregon se stafeta është e sigurt për të ardhmen”, ka thënë regjisori Basha.

Ndërsa, aktori Adrian Morina ka thënë se shfaqja “Të turpëruarit” ka një tekst të shkëlqyer, dhe se ndihet shumë i lumtur që kanë arritur të realizojnë dhe ta sjellin edhe para publikut të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Tekst është i shkëlqyeshëm, i jashtëzakonshëm. Kam dëgjuar dhe lexuar edhe më herët mbi këtë shfaqje pikërisht me idenë se provokon. Është një tekst shumë i fuqishëm, një tekst që ecën në teh të thikës. Në një moment paraqet një tekst i cili është kundër islamit ose vlerave të lindjes dhe pastaj në faqen tjetër të leximit paraqet një tekst shumë islamofobik. Ndeshja e dy civilizimeve, perëndimit dhe lindjes vjen në mënyrë mjeshtërore prej autorit, e aq më shumë duke e ditur kontekstin kohor në të cilin ne jetojmë, aq më tepër në vendin ku jetojmë, ku debatet e tilla janë në secilën tavolinë tonën, fatkeqësisht edhe të dehur, njejtë sikurse edhe këtu”, ka thënë aktori Morina.

Aktori Morina më tej ka thënë se një tekst i tillë, sipas tij me vlera të larta e pasuron skenën teatrale vendore dhe jovetëm.

“Po ashtu ngjall edhe debat, jo vetëm te ne, por edhe në Shqipëri e Maqedoni me një tekst i cili flet për identitetin në pjesën e parë, për atë që njerëzit e fshehin nganjëherë për t’u dukur më perëndimor ose për të fshehur prejardhjen e tyre, shpeshherë edhe të kushtëzuar prej rrethanave të ndryshme. Kemi shumë shqiptarë të Shqipërisë të cilët kanë ndërruar identitet në Greqi për shkak të mbijetesës. Kemi edhe shqiptarë nga Kosova që kur punojnë në bizneset e tyre jashtë vendit mohojnë identitetin shqiptar, gjithmonë duke dashur të reprezentojnë vlerën e një civilizimi tjetër, të cilit ne nuk i përkasim realisht. Teksti shpërfaq të gjitha anomalitë e shoqërive, besimeve dhe religjioneve si një vlerë fisnikërimi të shpirtit dhe njeriut, por fatkeqësisht në kohërat në të cilat jetojmë shpeshherë paragjykimet janë ato të cilat sjellin konflikte, telashe mes njerëzve e popujve”, ka thënë aktori Morina.

Kurse,  aktorja Aurita Agushi përvojën e realizimit të shfaqjes “Të turpëruarit” e ka cilësuar si të jashtëzakonshme.

“Po ndjehem jashtëzakonisht mirë. Është një tekst që e kemi punuar me shumë dashuri, përkundër faktit që është një tekst shumë kompleks. Çdo njëri mund ta interpretoj ndryshe. Por e rëndësishmja është që ne si ekipë kemi funksionuar shumë mirë së bashku. Shfaqjen e kemi punuar me shumë dashuri dhe kemi dashur që në fund të përçojmë mesazhe mbi reflektimin e njeriut lidhur me paragjykimet që iu bëhen njerëzve në baza të përkatësive etnike, fetare, klasore etj”, ka thënë Agushi.

Premiera e parë e shfaqjes “Të turpëruarit” është dhënë në Tiranë, në Teatrin “Astrit Sulo”. / KultPlus.com 

Gjon Karma, aktori që la një galeri të pasur rolesh në traditën e artit tonë skenik

Nga Albert Vataj

Në historinë e traditës shqiptare të artit skenik, disa emra mbeten të gdhendur si gurë të çmuar, dëshmi e pasionit, përkushtimit dhe talentit të jashtëzakonshëm. Një nga këta emra është Gjon Karma, një figurë e ndritur e artit skenik shqiptar, i cili me interpretimet e tij, la një gjurmë të pashlyeshme në skenën dhe kinemanë kombëtare. Me një karrierë që shtrihet për më shumë se gjysmë shekulli, ai mishëroi karaktere të shumta duke sjellë në jetë personazhe të pasura me nuanca psikologjike dhe një stil të veçantë interpretimi.
Të gjithë roleve që atij ju besuan, si ato të mëdhat edhe të vegjlit, ai i blatoi shpirtin e tij të paepur, zellin e pashoq, përkushtimin me mish e me shpirt për të sjellë në jetë jo vetëm një rol, por një karakter, një tipologji, tip, dimension krijues, aftësi depërtuese përmes lojës dhe impaktit.
Gjon Karma u lind në Shkodër në 18 mars 1915 në një familje me tradite në kulturën shkodrane. Me teatrin ishte i lidhur që i vogël, kur ndiqte shfaqjet e shoqërive amatore teatrore në Shkodër. Në vitin 1924 fillon shkollën në Kolegjin Franceskan, por që i ndërpret pas tre vjetësh më 1927.
Pas braktisjes së shkollës, pati mundësinë që të ndiqte më nga afër shfaqjet e shoqërisë kulturore “Bogdani” dhe që nga viti 1932, ai ishte pjesëtar i Bandës së Bashkisë në Shkodër. Në vitin 1934 në 1 prill, Gjon Karma u ngjit në skenë në një komedi, ku ai interpretoi me humor të këndshëm rolin e tij të parë, atë të një akshiu, Nush Lezeti. Ishte ky rol që i hapi atij dritën jeshile për t’u aktivizuar edhe në shoqëritë e tjera teatrore, krahas aktorëve veteranë si Luigj Mjeda, Kolë Mirashi, Zef Hilë Gega, etj.
I hyri aq me pasion teatrit saqë shpesh herë luante dy role. Ditën mundohej për të siguruar jetesën në dyqanin e tij dhe natën e gjeje në prova.

Pushtimi i vendit e rreshtoi Gjonin në radhën e lëvizjes për Çlirim. Veprimtaria e tij atdhetare ra në sy të pushtuesit dhe pasi arrestohet dërgohet në kampin e Prishtinës në internim, ku kthehet në fund të 1944-s.
Role që ai realizoi dhe që i kanë mbetur fondit të artë të traditës shqiptare të artit skenik nisin në vitin 1945 në “Gjido”, “Deputeti”, “Mbrëmja e madhe”, “Martesë me përdhuni”, 1956; “Lufta botërore”, “Qypi me flori”, “Tradhëtarët”, “Leonida”, “Heroi i punës”, “Lidhja e mrekullueshme”, 1947; “Cani hoxhë”, “Revizori”, “Skutarevski”, “Tartufi, “Epopeja ballit kombëtar”, “Invadimi, Çështja ruse, Dom Gjoni, 1948; “Gishti para hundës”, “Platon Kreçiot”, “Për ata që janë në det”, “Prefekti”, 1949; “Rrënjët e thella”, “Gubernatori i Provincës”, 1950; “Vreshta e Arsenit”, “Komploti i të dënuarave”, “Pas vdekjes”, “Halili dhe Hajria”, 1951; “Janë plagët që flasin”, “Zëri i Amerikës”, “Njerëz mem vullnet të mirë”. dhe vijon rrugëtimi i tij në skenë, duke luftuar me mish e me shpirt, në skenë dhe për skenën, për të bërë një vepër që do t’i mbetet historisë së artit të skenës si dëshmi dhe brezave si testament.
Gjon Karma është ndër të parët aktorë që u seleksionuan nga lëvizja amatore për të formuar bërthamën e Teatrit Popullor në maj të vitit 1945.
Roli i parë i tij në teatër është në pjesën ku luan Pjetrushin. Dhe më pas, po në vitin 1945 luan edhe në tre premiera të tjera Deputeti dhe Mbrëmja e madhe, Martesë me përdhuni. Krahës profesionit të aktorit në Teatrin Popullor Gjon Karma ndërmori edhe detyrën e dramaturgut, duke dhënë ndihmesën e tij modeste, duke plotësuar nevojat e teatrit me pjesë kombëtare me një akt. Kujtojmë këtu pjesën e tij më të suksesshme Qypi me florinj.
Por gjithsesi me pasionin dhe talentin e tij iu përkushtua tërësisht interpretimit.
Personazhet e interpretuara prej tij janë gjithmonë të kompletuar që mbanin të veçantën dhe tipiken kombëtare e frymën popullore, me detaje të gjetura dhe plot finesë e nuanca të larmishme psikologjike.
Në punën e tij gjatë skenike Gjon Karma asnjëherë nuk i bëri bisht rolit, të madh, apo të vogël. Gjon karma luajti role të një karakteri të caktuar, por e tregoi veten si aktor shumëpalësh. Ai është një nga aktorët më të plotë e më të shquar të roleve episodikë. Madje ai ishte i prerë për role të vegjël. Dhe është cilësuar si aktor i madh i roleve të vegjël. Ndër realizimet e tij të suksesshme përmendim Prefektin në “Karnavalet e Korçës”, Vurko te “Pas Vdekjes”, Asllan Beu te “Halili dhe Hajria”, Gjergj Bardhi te “Toka jonë”, Kola te “Cuca e maleve”, Vehipi te “Tri ditët e qametit”, Zeqo te “Fytyra e dytë”.
Pa harruar rolet e tij nga dramaturgjia vullnet të mirë, “Heronjtë”, 1952, “Revizori”, “Martesa me prikë”, “Motori”, 1953. Për të vijuar te “Otello”, “Përmbysja”, 1954; “Toka jonë”, 1955; “Dasma e madhe”, “Vajza e thinjur”, “Në kopshtin me jargavanë”, “Përleshja”, “Shërbëtori i dy zotnive”, “Proçesi i Laipcigut”, 1956; “Qingji i tërbuar”, “Armiqtë”, 1957’; “Intrigë dhe dashuri”, “Në Gjenevë”, “Orët e Kremlinit”, 1958; “Shtatë shaljanët”, “I çuditshmi”, “Syleshi”, “Të rinjtë”, 1959; “Gratë gazmore të Ëindsorit”, “Një letër e humbur”, “Në tufan” 1960. Për të vijuar kështu galeria e tij e larmishme e roleve, të cilave ai u dha jetë më “Hamleti”, “Dragoj i Dragobisë”, 1961; “Njeriu me pushkë”, “Shokë të një klase”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Ambicje” 1962; “Mbi gërmadha” 1963; “Borgjezi fisnik”, “Shtrëngata”, “Morali i zonjës Dulska”, 1964; “Karnavalet e Korçës”, “Tri ditët e kiametit”, “Xhaxha Vanja” 1965; “Roje nën llampat e neonit”, 1966; “Muri i madh dhe i pakapërcyeshëm”, “Pas vdekjes”, “Rrugë të tërthorta”, “Qielli i kuq”, “Tri të shtëna pushke”, “Perkolgjinajt” 1967; “Cuca e maleve”, “Shembja”, “Tokë e zjarrtë”, 1968; “Heronjtë në fabrikë”, “Fytyra e dytë”, 1969; “Drita”, “Mbas dy ditësh”, “20 ditë”, 1970: “I pazvëndësueshmi”, 1971; “Artur Ui”, “Një nuse për stasin, “Viti 61” 1972; “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1973; “Votra e huaj”, 1974; “Bashkë me agimin”, 1975; “Duke gdhirë viti 1945”, “Lumi i vdekur”, “Lezja”, 1976; “Lulet e shegës”, “Karavidhet”, “Shënomëni edhe mua”, 1977; “Gjermani i atij dimri”, “Përmbytja e madhe” 1978; “Besa e madhe”, “Doktori pacient” 1979; “Tragjedia e fundit e Deas”, “Gryka e nëmur”, “Furrnalta”, 1980; “Lenini dhe fëmijët”, “Nga errësira në dritë”, “Epoka para gjyqit”, 1981; “Komunistët”, 1982; “Pas provimit të fundit”, “Udha e flamurit”.
Për të dhënë gjithashtu një kontribut edhe në veprat e mëdha botërore, duke Apolloni të “Hamleti”, Falstafin te “Gratë gazmore të Windsorit), Bobçinskin te “Revizori”, Orgonin te “Tartufi” e shumë role të tjerë.
Por këtu duhet përmendur edhe ndihmesa që dha në Radio Tirana në përgatitjen e “Orës gazmore”, disa vjet rresht, ku edhe shkruante pjesë, edhe i interpretonte ato drejtpërsëdrejti. Në radio ai interpretoi dhjetëra role në radiodramatizimet e ndryshme për fëmijë e të rritur.
Krahës teatrit, ku ai interpretoi mbi 100 role, ai ka interpretuar edhe në disa filma artistikë, që nga filmi “Skënderbeu” (princi dibran), në filmin “Tana”; “Debatik”, “Toka jonë”, “Koncert në vitin 36”, “Vendimi”, etj. Janë rreth 15 role në filmin artistik.
Pas një jete të gjatë në skenë në 15 mars 1976 doli në pension, por që përsëri nuk u nda nga teatri. Interpretoi sërish deri në vitin 1982. Por ajo që mbahet mend e që vlerësohet nga të gjithë si një punë jashtëzakonisht e madhe është pasurimi dhe rregullimi që i bëri ai arshivës së Teatrit Kombëtar për më shumë se 15 vjet. Ai punoi me pasion e kujdes të veçantë për çdo shfaqje, çdo aktor, shkroi kujtime e portrete për kolegët e tij, bëri historikun e vetë teatrit, botoi me dhjetëra artikuj në shtypin e kohës.
Për gjithë jetën e tij të gjatë artistike prej një gjysmë shekulli në skenë, Gjon Karma është nderuar me çmime, medalje, urdhrin “Naim Frashëri” kl. II, si dhe me titullin e lartë “Artist i Merituar”.
U nda nga jeta në moshën 79 vjeçare në 13 janar 1994. Emri dhe arti i Gjon Karmës do të ngelen të skalitura në historinë e teatrit shqiptar dhe do të jenë një shembull edhe për brezat e rinj të aktorëve.
Gjon Karma nuk ishte thjesht një aktor, por një institucion më vete në skenën shqiptare. Ai mishëroi përkushtimin, disiplinën dhe pasionin për artin, duke na lënë një trashëgimi të pasur që mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi. Me rolet e tij, ai arriti të prekë zemrat e publikut dhe të krijojë një model që do të vazhdojë të ndriçojë rrugën e artistëve të rinj. Ndërsa koha kalon, emri i tij do të mbetet gjithmonë i gjallë në histori, si një prej figurave më të shquara të artit skenik shqiptar.

BLACK COFFEE – DJ më i mirë në botë vjen në Unum Festival 2025


1.Unum Festival 2025 drejt një rekordi të ri! Organizatorët presin 80,000 vizitorë për 5 ditë
dhe 5 net magjike!
2.Një surprizë e madhe po vjen për Unum Festival. Një emër i fuqishëm i skenës globale!
3.Dj-i më i mirë botëror po vjen në Unum Festival 2025!
4.Kush është dj-i më i mirë botëror që po vjen në Unum Festival 2025?
5.Dj më i mirë në botë do të performojë për herë të parë në Unum Festival!
6.Unum Festival 2025: Po vjen dj-i më i shquar në botë për një performancë të
paharrueshme!


UNUM Festival 2025 është gati të sjellë një eksperiencë që do të thyejë çdo rekord dhe do të
jetë më i madhi dhe më i veçanti deri tani! Pritshmëritë janë të jashtëzakonshme, dhe festivali
po përgatitet të presë një emër të madh të muzikës globale, që po e ngrit festivalin në një nivel
krejtësisht të ri.

LEGJENDA vetë, BLACK COFFEE, DJ-i më i mirë në botë, i shpallur në vitin 2024 në Golden
Moon Awards për herë të parë po vjen në UNUM Festival duke na sjellë një performancë të
papërsëritshme në brigjet e Ranës së Hedhun. Ai do e hap Main Stage për herë të parë ditën
e Enjte me date 05.06.2025

Billie Eilish – CHIHIRO (Black Coffee Remix)
BLACK COFFEE ka revolucionarizuar muzikën elektronike, duke e çuar Afro-house në skenat
më të mëdha të botës nga Coachella te Ibiza dhe duke bashkëpunuar me superyje si Drake dhe
Beyoncé. Tani, për herë të parë, ritmet e tij të thella dhe shpirtërore do të tronditin rërën e
UNUM Festival.

Për organizatorin Kushtrim Sahiti, ky edicion do të jetë ndër më të mëdhenjtë që ka ndodhur
ndonjëherë. “Interesimi për këtë vit ka qenë dhe vazhdon të jetë jashtëzakonisht i lartë, dhe ne
kemi punuar pa u lodhur për të ofruar një lineup dhe një eksperiencë që do të kalojnë çdo
pritshmëri. Po presim deri në 80.000 vizitorë gjatë 5 ditëve dhe 5 netëve magjike”.

Këtë vit, Shëngjini do të përjetojë një fluks të jashtëzakonshëm vizitorësh, veçanërisht të enjten,
kur do të funksionojnë dy skena: Main Stage, performanca nga BLACK COFFEE dhe SETH
TROXLER, ndërsa në Pine Stage Sonja Moonear dhe shumë artistë të tjerë të njohur.
Mbi 30,000 vizitorë priten të jenë pjesë e këtij spektakli!

Për ata që planifikojnë akomodimin, për shkak të kërkesës së lartë në Shëngjin, rekomandojmë
të konsideroni Velipojën si një alternativë ideale. Me hapjen e rrugës së re, Velipoja është bërë
më e qasshme se kurrë, duke ofruar një opsion komod vetëm 20 minuta larg festivalit.
UNUM Festival 2025 këtë vit ka një lineup bombastik për të gjithë adhuruesit e muzikës
elektronike. Emra që kanë lënë një shenjë të pashlyeshme në industrinë globale të muzikës do
të performojnë për 5 ditë dhe 5 netë plot energji dhe pasion.

Main Stage do të shpërthejë me emra të mëdhenj si BEDOUIN, BLACK COFFEE, CARLITA,
DAMIAN LAZARUS, duke na dhëne një eksperiencë që veç UNUM di me bo!

Për adhuruesit e plazhit dhe muzikës, BEACH STAGE do t’ju ofrojë momente magjike dhe të
paharrueshme, me performanca electrizuese nga DIXON, NANDU, LEHAR, dhe shumë të tjerë
Minimalistët do të përjetojnë një hipnozë muzikore nga PRIKU, RARESH, RHADOO,
PRASLEA dhe CRISTI CONS, ndërsa RICARDO VILLALOBOS do të sigurojë që UNUM të
mbetet parajsa e underground-it dhe si çdo here tjeter mbi 90 DJ të tjerë.

E çka e bën UNUM Festival edhe më të veçantë është lokacioni, një festival në natyrë që ofron
shumë mundësi për t’u shijuar: sportet ujore, pushimet në plazh, kinemën në natyrë, dhe
sesione joge, duke bashkuar më të mirën e relaksimit dhe muzikës.

Tashmë Unum është në fazën finale të shitjes së biletave, dhe numri i tyre është shumë i
kufizuar dhe pritet të shiten shumë shpejtë posaqërisht me lajmin që do lansohet neser.

🔗 Siguro biletën tënde tani në unumfestival.com!

Phase 2 full lineup:
ÂME LIVE • ARAPU • BEDOUIN • BLACK COFFEE • CARLITA DAMIAN LAZARUS •
DAN GHENACIA • DIXON • FRANCO CINELLI JOSH BAKER • LEHAR • MAHER
DANIEL • NANDU • PRASLEA • PRIKU QUEST • RARESH • RHADOO • RICARDO
VILLALOBOS SETH TROXLER • SONJA MOONEAR • tINI • BORIS WERNER •
CAMERON JACK • CAP • CEZAR • CRISTI CONS CHKLTE • FELL REIS •
FRANCESCO MADDALENA • GESCU HARDT ANTOINE • JNJS • JOHN DIMAS •
JONNY N TRAVIS • LA LA MAQOSSA • MARLIE • NICK CASTLE • PACH • RICH NXT •
TOBI NEUMANN • AAMIR • ALL SHADOWS • ALMARIN • ALTIN BOSHNJAKU •
ALWAYS LATE AND HAZEL • ANDREA FIORITO • ANITË • ANTARES • ARTSSASSIN •
AURIC BALZAR • BANI D • BESA M • BILA • CHRISS V • CUC • DAJKU TWINS DONA
K • DYMOS • ERAMAH • GEMZA • HAJDAR BERISHA • HARTLEY HOT OASIS • JAY
FASE • JOHN BOWTIE • JONN • JORDAN DISTONKRESHATECH • LEKË • LIBURN •
LIKATEK • LVPICA • MANFREDI MARLON BALECI • M.I.M • NEMAX • OHM HOURANI

  • PAUL SVENSON PUMIO • RRRRON • RT • RUPERT ELLIS • SAMMER • SAHAR •
    SCACCO SCOTT STREAK • SECRET 47 • SEKO • SHIZZO • STATE • TIMANTI •
    TYOMA URAN B • VITHZ • WILDEALER • WILL DAVISON

Brazili ndalon aksesin te statuja e Krishtit, pas vdekjes së një turisti

Autoritetet në Rio de Zhaneiro kanë mbyllur përkohësisht hyrjen në monumenti më të vizituar të Brazilit, atë të statujës së Krishtit për shkak të mungesës së kujdesit adekuat mjekësor pas vdekjes së një turisti të dielën.

Janë pezulluar gjithashtu edhe transportet përmes teleferikut, minibusëve, su dhe mjeteve tjera më të zakonshme të transportit për në statujë.

Ndalimi u vendos nga Sekretariati Shtetëror për Mbrojtjen e Konsumatorit pasi një brazilian 54-vjeçar vdiq në mëngjes teksa po ngjiste shkallët që të çojnë te Krishti.

Në momentin e aksidentit, objekti mjekësor në vendngjarje nuk ishte ende i hapur.

”Vendi nuk ka ambulancë, nuk ka pika hidratimi, nuk ka banja të përshtatshme për personat me probleme lëvizëse dhe ashensorët nuk janë plotësisht funksionalë”, kritikoi organizata ”Shenjtërorja e Krishtit Shëlbues”, e cila varet nga kryepeshkopata e Rio de Zhaneiros.

Bibla 570-vjeçare e Gutenberg, ekspozohet në Varshavë

Një nga librat më të rrallë dhe më të çmuar në botë, Bibla e Gutenbergut, është ekspozuar në Galerinë e Arteve Mesjetare në Varshavë. Ky vëllim unik, i shtypur më shumë se 570 vjet më parë nga shpikësi i shtypshkronjës, Gutenberg, është një nga kopjet e pakta që kanë mbijetuar deri sot dhe e vetmja e ruajtur në Poloni.

Bibla e famshme vjen nga Muzeu Dioqezan në Pelpin, ku është ruajtur për shekuj.

Vlera e tij e madhe qëndron jo vetëm tek fakti se është një nga veprat e para të shtypura me tip të lëvizshëm, por edhe tek ruajtja e tij në gjendje të plotë me të dy vëllimet origjinale dhe lidhjen autentike të shekullit të 15-të.

Megjithëse është një vepër shekullore, Bibla e Gutenbergut ka ndihmuar studiuesit modernë të kuptojnë më shumë rreth teknikës revolucionare të shtypshkronjës.

Bibla e Gutenbergut ka kaluar nëpër sfida të mëdha historike. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore në vitin 1939, autoritetet polake e larguan nga vendi për ta mbrojtur nga rreziku i pushtimit nazist. Ajo u dërgua përmes Varshavës, Parisit dhe Britanisë së Madhe, për të përfunduar në Kanada, ku u ruajt në një bankë deri në vitet 1950.

Në vitin 1959, pas më shumë se 20 vitesh në mërgim, Bibla u rikthye në Poloni. Para se të kthehej përfundimisht në Pelpin, ajo u ekspozua për disa ditë në Muzeun Kombëtar të Varshavës.

Ekzemplarët e Detyrueshëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’

Për çdo botim që del në treg, pesë ekzemplarë të detyrueshëm duhet të dorëzohen në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Çdo autor dhe botues që publikon një libër, revistë apo material tjetër, ka përgjegjësinë që të dërgojë pesë ekzemplarë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Ky detyrim është një praktikë e rëndësishme që ka për qëllim ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Kjo kontribuon në:

Ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Aksesin e lehtë në materiale.

Pasurimin e arkivave kombëtare për brezat që vijnë.

Hollywood kundërshton lehtësimin e rregulloreve të IA

Më shumë se 400 emra të famshëm, përfshirë aktorë, regjisorë dhe skenaristë të Hollywood-it, i kërkuan qeverisë të mos zbusë ligjet në fushën e inteligjencës artificiale (IA).

Sipas lajmit të “CBS News”, më shumë se 400 punonjës të industrisë së Hollywood-it kanë publikuar një letër të hapur duke i bërë thirrje qeverisë të mbrojë ligjet ekzistuese që zbatohen për IA-në.

Mes atyre që nënshkruan letrën, e cila gjithashtu kundërshton propozimin e OpenAI dhe Google për të përdorur materiale me të drejtë autori për të trajnuar inteligjencën artificiale, ishin emra të njohur si Ben Stiller, Ayo Edebiri, Cara Delevingne, Chloe Fineman, Cate Blanchett, Guillermo del Toro dhe Taika Waititi.

Në letër u paralajmërua se lirimi i ligjeve ekzistuese për trajnimin dhe zhvillimin e AI-së do të ndikonte negativisht në industrinë e Hollywood-it.

Hollywoodi ka luftuar prej kohësh kundër përdorimit të gjerë të AI-së, duke thënë se kjo do të minonte industrinë. Artistët janë kundër krijimit të kopjeve digjitale të tyre nga inteligjenca artificiale dhe përdorimit të këtyre kopjeve edhe pas vdekjes së tyre./  atsh/ KultPlus.com

Opereta “Karnavalet” sjell festë për tre netë në Teatrin Kombëtar të Operas

Në kryeqendrën e Shqipërisë, në datat 24, 25, dhe 26 mars shfaqet opereta “Karnavalet”, në skenën madhështore të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Me një skenografi mahnitëse, që rikrijon kalldrëmet karakteristike të qytetit, dhe një kostumografi autentike që të kthen pas në vitet ’30, kjo shfaqje premton të jetë një udhëtim në kohë plot të qeshura, ngjyra dhe emocione.

Nikollaq dhe Olimbi Jorganxhi, tregtarë të njohur në Korçë, janë në kërkim të një dhëndri për vajzën e tyre 30-vjeçare, Afrovitin. Por përzgjedhja nuk është e lehtë, sepse Olimbia ka një kërkesë të panegociueshme: përveç prikës, vajza duhet të ketë edhe një piano.

Nën regjinë e Inva Mulës, me dy kaste të mrekullueshme artistësh, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, dirigjuar nga Elda Laro dhe Dritan Lumshi, “Karnavalet e Korçës” për plot tre netë në Tiranë do të sjellin në skenë një festë të vërtetë muzikore dhe vizuale, ku tradita dhe arti bashkohen në një spektakël të paharrueshëm.