Më 30 janar 1926 ka lindur kompozitori dhe muzikanti shqiptar Tish Daija.
Lindi në Shkodër nga një familje artizanësh. Ende pa hyrë në shkollë bëhet pjesëtar i korit françeskan. Në moshën 10-vjeçare merr pjesë në bandën muzikore “Antoniane” të drejtuar nga Prenkë Jakova dhe filloi t’i bjerë klarinetës, saksofonit e disa veglave të tjera.
Në moshën 13 vjeçare ai krijoi këngët e tij të para si “Çik, o mori çik”, “Ndal bre vashë”, “Me lule të bukura”, ‘’Sylarushe”, këngë të cilat ende sot janë mjaft popullore dhe këndohen nga këngëtarë të ndryshëm.
Në vitin 1946 pasi mbaron studimet, emërohet mësues muzike në Vlorë. Në vitin 1956 diplomohet si kompozitor. Tish Daija dha një kontribut të madh dhe në Ministrinë e Arsimit dhe e Kulturës ku punoi për 6 vjet.
Në vitin 1962 emërohet në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore ku organizoi një sërë koncertesh brenda dhe jashtë trojve shqiptare.
Për gjithë veprimtarinë, kontributin dhe punën e palodhur që dha për muzikën shqiptare, u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit” si dhe me titullin “Profesor”. / KultPlus.com
Mezosopranoja Flaka Goranci ka njoftuar se së shpejti në Vjenë do të mbaj koncertin e titulluar “La Femme”, shkruan KultPlus.
Ky koncert vjen si bashkëpunim me dirigjenten ukrainaseAleksandra Korobka dhe orkestrën e grave “World Chamber Orchestra” do të sjellin histori dhe muzikë të veçantë nga kompozitore femra nga e gjithë bota, që vijnë si mesazh dhe thirrje për paqe në botë.
Lajmin e ka bërë të ditur mezosopranoja Goranci në facebook./ KultPlus.com
Stafi i sigurisë së aeroporteve në aeroportet kryesore gjermane do të hyjë në grevë të enjten më 1 shkurt, njoftoi të martën sindikata Verdi, sipas disa mediave gjermane, përcjell KultPlus.
Përafërsisht 25,000 punonjës në sektorin e sigurisë së aviacionit janë thirrur të ndalojnë punën që herët në mëngjes, raportoi transmetuesi gjerman Hessischer Rundfunk, i cili është i vendosur në shtetin federal të Hesse, shtëpia e Aeroportit të Frankfurtit.
Personeli i sigurisë së aeroportit është përgjegjës për kontrollet e bagazheve, stafit dhe pasagjerëve, që do të thotë se aeroportet nuk mund të funksionojnë pa to.
Veprime të ngjashme industriale u zhvilluan në mars të vitit të kaluar, duke mbyllur aeroportet në të gjithë Gjermaninë dhe duke ndërprerë trafikun ajror.
Një deklaratë e plotë nga Verdi pritet të martën pasdite, por sindikata mësohet se kërkon rritje të pagave për anëtarët e saj.
Bisedimet e mëtejshme thuhet se janë planifikuar për javën e ardhshme. /KultPlus.com
Një nga presidentët më të pëlqyer nga amerikanët, Franklin Delano Roosevelt, njohur ndryshme edhe si FDR (shkronjat e pra të emrit të tij), drejtoi SHBA-në me sukses gjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore. Programi i tij qeverisës (New Deal) Marrëveshja e Re krijoi vende pune, lejoi hapësira për sindikatat, reformoi vendin me anë të rregullimit të Wall Street dhe sistemit bankar kombëtar, dhe siguroi një rritje ekonomike të qëndrueshme. Disa nga programet e realizuara prej tij si Siguria Sociale dhe Korporata e Sigurimit të Depozitave Federale, janë shumë të rëndësishme ende.
Edhe pse ai u përpoq të mbante Amerikën neutrale gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mbështetur gjithnjë aleatët, por pas sulmeve në Pearl Harbor, Roosevelt e çoi Amerikën në luftë të drejtpërdrejtë. Udhëheqja e tij rezultoi një strategji efikase në luftë pasi mundësoi shkatërrimin përfundimtar të nazistëve dhe fuqive të Boshtit. Shumë historianë mendojnë se hyrja e SHBA-së në luftë ishte një pikë kthese, e pikërisht kjo e bëri Rooseveltin një president të njohur. Franklin kujtohet si një politikan i madh, nga modeli qeverisës i të cilit mund të përfitohet mjaft. Franklin D. Roosevelt udhëhoqi popullin amerikan gjatë një momenti shumë të rëndësishëm të historisë së SHBA-së. Në prag të një lufte të madhe botërore, kur vendi ishte ekonomikisht i shkatërruar, u desh një njeri i fortë, si Franklin, që t’i trajtonte në mënyrë strategjike këto kriza. Presidenca e Roosevelt la një trashëgimi, që e bën atë një emër të madh të familjes së tij. Gjatë viteve ka ndodhur të harrohen disa prej presidentëve të SHBA-së, por me Franklin Roosevelt, që drejtoi dymbëdhjetë vjet, vështirë të ndodhë kjo. Reformat e ndërmarra nga Roosevelt e radhisin atë në krye të listës së presidentëve. Franklin Roosevelt ishte presidenti me moshë të re, që e solli Amerikën në epokën moderne të shekullit XX. Njeriu i fortë, i cili mposhti sëmundjen dhe paaftësinë për të udhëhequr një komb në luftë, mbetet një figurë historike që do të vlerësohet dhe respektohet edhe nga brezat e ardhshëm.
Si u formua personaliteti i Franklin Roosevelt
Franklin, edhe pse një president i lavdishëm, nuk ka qenë asnjëherë një nxënës dhe student i shkëlqyer. Ai deri në moshën 14-vjeçare mësoi në çifligun familjar Springwood. Më vonë u dërgua në shkollën përgatitore në Groton, ku shkonin fëmijët e familjeve të pasura, dhe më tej ndoqi studimet në Harvard. Ai mori nota mesatare në të gjithë shkollën dhe madje edhe gjatë shkollës së drejtësisë. Ai u diplomua në Harvard për histori, dhe më vonë ndoqi studimet për drejtësi në Universitetin e Columbias, por i ndërpreu ato pasi dha provimin e avokatisë. Edhe pse pa një diplomë në drejtësi, ai u përpoq të fillonte karrierën si avokat deri sa vendosi të hynte në shërbimin publik. Ashtu siç ndodh te shumë njerëz të suksesshëm, shkollimi i tij në fillim nuk ishte një tregues i vërtetë i asaj që Franklin Roosevelt do të ishte në gjendje të realizonte më vonë në jetë. Përkundër atij suksesi të madh që arriti si një udhëheqës i fuqishëm, Franklin nuk kishte një edukim shumë të fortë formal. Sot do të ishte shumë e vështirë që dikush të bëhet president pa një arsimim të fuqishëm, dhe sidomos pa një prapavijë të fortë ligjore. Edhe pse nuk shkëlqeu në shkollë, Franklin Delano Roosevelt mësoi shumë nga përvoja e jetës. Kjo e ndikoi atë në marrjen e vendimeve shumë të zgjuara gjatë karrierës së tij presidenciale. Franklin ishte kushëriri i pestë i Theodore Roosevelt, Presidentit të 26-të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai erdhi nga një familje shumë e privilegjuar, e cila kishte shumë të afërm me ndikim të madh në politikë dhe fusha të tjera. Krenar për prejardhjen e familjes së tij, Franklin pohonte se kishte lidhje me njëmbëdhjetë Presidentë të SHBA-së, si edhe njerëz të famshëm si Robert E. Lee, Jefferson Davis, Mbretëresha Elizabeth dhe Winston S. Churchill. Kjo tregon se aftësitë udhëheqëse të Franklin ishin në linjën e gjakut të tij.Franklin lidhi martesë me Eleanor Roosevelt, mbesën e Theodore Roosevelt. Eleanor ishte grua e zgjuar dhe e mirëarsimuar për kohën e saj. Ajo ndikoi shumë në “New Deal” (Marrëveshjen e Re), si dhe ndihmoi Franklinin në reformat e nevojshme gjatë Depresionit të Madh.
Një Roosevelt ndryshe në politikë
Edhe pse Franklin erdhi nga një linjë e gjatë politikanësh, ai ishte i pari demokrat në familjen e tij. Të gjithë Rooseveltët përfshirë dhe Theodorin, ishin republikanë. Në fakt, vendimi i tij për të qenë një demokrat e ndihmoi të fillonte karrierën politike. Në zgjedhjet për Senatin e Shtetit të Nju Jorkut, në vitin 1910, edhe pse kandidonte me siglën e demokratëve, ai u votua kryesisht për shkak të emrit të familjes së tij. Vetëm një demokrat kishte mundur të fitonte në Kontenë e Dutchess, zona ku kandidonte Franklin, që nga viti 1856. Atë kohë, shumë njerëz ende kujtonin me respekt të madh Theodore Rooseveltin, ndaj dhe Partia Demokratike vendosi të kandidonte atje një Roosevelt demokrat. Franklin fitoi me diferencë votash dhe kjo shënoi nisjen e karrierës së tij politike. Roosevelt kishte një karrierë premtuese sepse më herët ai kishte shërbyer si senator i shtetit dhe Ndihmës Sekretar i Marinës. Në vitin 1920, ai konkurroi për një biletë në Shtëpinë e Bardhë, për zëvendëspresident, teksa guvernatori i Ohios, James Cox ishte kandidat për Presidentit. Ata humbën në betejën elektorale me Warren G. Harding dhe Calvin Coolidge. Kjo nuk e pengoi Franklin të vazhdojë shërbimin në poste publike.
Presidenti në karrigen me rrota
Franklin Roosevelt u paralizua pas një goditjeje nga poliomieliti në vitin 1921. Ai nuk e la paaftësinë fizike ta ndalonte për t’u marrë me politikë. Roosevelt u përpoq pareshtur të gjente një kurë për sëmundjen e tij. Për një kohë, ai u tërhoq për shkak të sëmundjes, por bashkëshortja Eleanor dhe Louis Howe e inkurajuan të vazhdonte më tej. Roosevelt punoi shumë në përmirësimin e imazhit fizik dhe politik. Ai mësoi të ecte vetë në distanca të shkurtra. Franklin kujdesej të mos shfaqej në publik duke përdorur karrigen me rrota. Asnjëherë nuk deshi të mësohej nga publiku aftësia e tij e kufizuar. Roosevelt i mbajti larg mediat nga ky problem, ndaj ekzistojnë vetëm tre foto që e tregojnë atë në karrigen me rrota. Paraliza e Franklin e solli poliomielitin në vëmendje publike. Mijëra jetë janë kursyer nga çrrënjosja e kësaj sëmundjeje. Për zbulimin e vaksinës kundër poliomielitit ka meritë edhe Roosevelt, pasi nxiti hulumtuesit. Pas disa mosmarrëveshjeve me persona me ndikim në Partinë Demokratike të Nju Jorkut, Roosevelt u shfaq në paqe me ta në Konventat Kombëtare të vitit 1924 dhe 1928 për të emëruar guvernatorin e Nju Jork, Al Smith si kandidat për president. Kjo e rriti ekspozimin e tij kombëtar, ndaj dhe Al Smith i kërkoi të kandidonte për guvernator i Nju Jorkut, në vitin 1928. Roosevelt fitoi me rezultat të ngushtë, por ky triumf i dha besimin të kuptonte se ylli i tij politik ishte në ngjitje. Si guvernator, ai besonte në një qeveri progresive që krijonte programe të reja sociale. Në vitin 1930, republikanët u fajësuan për Depresionin e Madh dhe Franklin Roosevelt ndjeu se kishte ardhur koha e triumfit. Ai filloi përgatitjen për një kandidim në zgjedhjet presidenciale. Shpesh bënte thirrje publike për ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi, që të siguronte lehtësi, shërim përmes reformave. Qasja e tij optimiste, pozitive dhe përvoja personale e ndihmuan të fitonte ndaj kandidatit republikan Herbert Hoover, për president, në nëntor të viti 1932. Kur Roosevelt mori detyrën, në mars të vitit 1933, Amerika numëronte 13 milionë të papunë dhe qindra banka ishin mbyllur. Roosevelt u përball me krizën më të madhe në historinë e SHBA-së që nga Lufta Civile. Në 100 ditët e para si presidenti Franklin Roosevelt propozoi reformë të thellë ekonomike materializuar në programin “Marrëveshja e Re”. Ai urdhëroi mbylljen e përkohshme të bankave për të ndaluar tërheqjen e depozitave. Ai formoi një “Task Forcë” me ekspertë ekonomikë, të cilët projektuan agjencitë për të mbështetur fermerët, punësuar të rinjtë, rregulluar pagat e çmimet, siguruar depozitat bankare, rregulluar tregun e aksioneve, subvencionimin e kolateralëve etj. Që nga viti 1936, ekonomia tregoi shenja përmirësimi. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 34 për qind, dhe papunësia ra nga 25 për qind në 14 për qind. Por, Franklin Roosevelt u përball me kritika për rritjen e shpenzimeve qeveritare, buxhet të çekuilibruar, dhe se e kishte çuar vendin drejt socializmit. Disa akte të Marrëveshjes së Re u deklaruan jo kushtetuese nga Gjykata e Lartë e SHBA-së. Në vitin 1938, opinioni jo pozitiv për qeverisjen, rritja e ngadaltë ekonomike dhe fitoret e republikanëve në zgjedhjet e ndërmjetme, nuk i dha mundësinë Rooseveltit të kalonte legjislacionin e reformës.
Lavdia e një udhëheqësi të madh
Që nga fundi i Luftës së Parë Botërore, Amerika kishte adoptuar një politikë izolacioniste në politikën e jashtme. Në fillim të viteve 30-të, Kongresi miratoi aktet e neutralitetit të SHBA-së, duke parandaluar ndërhyrjen e saj në konfliktet e huaja. Në vitin 1933, Franklin D. Roosevelt largoi vendin nga parimi i njëanshëm i Doktrinës Monroe dhe themeloi politika të fqinjësisë së mirë me Amerikën Latine. Megjithatë, me lindjen e konflikteve ushtarake në Azi dhe Evropë, Roosevelt ka kërkuar mënyra për të ndihmuar Kinën në luftën me Japoninë dhe deklaruar se Franca dhe Britania e Madhe ishin “Vija e parë e mbrojtjes” së Amerikës nga Gjermania naziste. Në vitin 1940, Roosevelt nuk ishte shprehur publikisht se do të kandidonte për një mandat të tretë presidencial. Por duke parë fitoret e Gjermanisë në Evropë dhe dominimin në rritje të Japonisë në Azi, ndjeu se vetëm ai kishte përvojën dhe aftësitë për të udhëhequr Amerikën në situata të tilla. Në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Çikago, Roosevelt i sfidoi të gjithë kundërshtarët dhe doli kandidat për president i demokratëve. Në nëntor 1940 ai fitoi zgjedhjet presidenciale kundër republikanit Wendell Willkie. Gjatë vitit 1941, Franklin Roosevelt inkurajoi fabrikat e SHBA-së të bëhen një “arsenali i demokracisë” për aleatët – Francën, Britaninë dhe Rusinë. Mizoritë e luftës i detyruan amerikanët të ishin më pak izolacionistë. Roosevelti shfrytëzoi qëndrimin e patundur kundër Fuqive të Boshtit si Gjermania, Italia dhe Japonia për të marrë mbështetjen dypartiake në Kongres për rritjen e numrit të ushtarëve që merrnin pjesë në furnizimin e Aleatëve. Shpresat për të mbajtur SHBA-në larg luftës përfunduan me sulmin japonez në Pearl Harbor, më 7 dhjetor të vitit 1941. Gjatë Luftës II Botërore, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Franklin Roosevelt, ndihmoi në realizimin e një strategjie efikase për të fituar mbi Gjermaninë në Evropë dhe Japoninë në Azi e Paqësorin Lindor. Gjatë kësaj kohe, Roosevelt promovoi formimin e Kombeve të Bashkuara. Në shkurt të vitit 1945, ai mori pjesë në Konferencën e Jaltës së bashku me kryeministrin britanik, Winston Churchill dhe sekretarin e përgjithshëm sovjetik, Josif Stalin, për të diskutuar riorganizimin e pasluftës. Pas Konferencës së Jaltës ai u kthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shëndeti jo i mirë e dha goditjen. Pasditen e 12 prillit të vitit 1945, Roosevelt pësoi hemorragji cerebrale dhe u shua. Vdekja e Franklin Roosevelt tronditi publikun amerikan.
Një lider i sprovuar
Franklin D. Roosevelt ishte udhëheqësi më i rëndësishëm i shekullit të 20-të. Ai shpëtoi demokracinë amerikane nga Depresioni i Madh, udhëhoqi aleatët në fitoren mbi diktatorët, dhe triumfoi në katër palë zgjedhje të njëpasnjëshme. Fitorja e tij merr edhe më shumë vlera pasi dihet se vuante paaftësinë fizike, pas prekjes nga Poliomieliti në vitin 1921. Drejtimi që Franklin i bëri SHBA-së tregon efektivitetin e dukshëm të qeverisjes, një shembull i mirë për politikën e sotme. Roosevelt ishte një udhëheqës i ndërlikuar, i diskutueshëm, por çdo kombinim i ADN-së dhe përvojës e bëri atë të ishte jashtëzakonisht efektiv, sidomos në mandatin e tij të parë dhe të tretë, dhe pasardhësit e kanë parë vazhdimisht atë si një nga udhëheqësit më të fuqishme në historinë e SHBA. Një nga parimet e drejtimit të tij ishte; “Qëllimet mbaji të sigurta, mjetet për ti arritur ato fleksibël”. Fakt është se në vitet 1939-1941, Roosevelt e transformoi Amerikën nga një fuqi e mesme e ndarë dhe në mëdyshje në një udhëheqëse globale. Ai e shtyu izolimin në skajet e jetës kombëtare dhe e tërhoqi vendin në luftë, një veprim ky i kryer me kujdes dhe finesë. Franklin i ndryshonte vazhdimisht taktikat, por pas tyre gjithnjë dallohej synimi i qartë dhe i palëkundur. Për të realizuar synimet e tij, Roosevelt e ktheu qeverinë në një anije me vela, që ecte e fiksuar vetëm drejt progresit, edhe pse ndonjëherë lëkundej, por më në fund e ankoronte atë në portin e zgjedhur prej tij. Suksesi i udhëheqjes së Roosevelt ishte bashkëpunimi; “Ju jeni më të fortë kur punoni me të tjerët”, shprehej FDR. Për shkak të paralizës, pasojë e poliomielitit, Roosevelt u detyrua të mbështetet për arritjen suksesit politik dhe mbijetesën e tij, te familja, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Në rrethanat që paraprinë Pearl Harborin, ai caktoi pesë burra të jashtëzakonshëm – diplomatin e mirëshkolluar, Sumner Welles, aventurierin dhe drejtuesin e ardhshëm të aktiviteteve të fshehta të inteligjencës (OSS- Zyra e Shërbimeve Strategjike) Republikanin “Wild Bill” Donovan, punonjësin social dhe influent, Harry Hopkins, kandidatin presidencial të Partisë Republikane (GOP-Grand Old Party) Wendell Willkie, dhe biznesmenin e diplomatin Averell Harriman. Roosevelt i dërgoi ata në misione të veçanta në Europë, që ishin vendimtare për luftën dhe Amerikën e shekullit XX. Pesë të dërguarit ishin frymëzimi dhe instrumentet e politikës së jashtme të Franklin D. Roosevelt. Përvoja e Roosevelt na mëson se: “Të jesh në dijeni të veprimeve të kundërshtarit”, është domosdoshmëri për jetëgjatësinë politike të një lideri. Filozofi dhe diplomat i kohës së luftës Isaiah Berlin ka vërejtur se Franklin Roosevelt besonte në “fleksibilitet, improvizim, trajtimin e personave dhe shfrytëzimin e burimeve të shumëllojshme në mënyra të reja dhe të papritura”. I vendosur për ta neutralizuar krahun izolacionist të Partisë Republikane, ngriti në nivele ndërkombëtare republikanin, Wendell Willkie. Ndokush mendonte se nuk do të ishte e mundur që një ish-rival presidencial t’i shërbente qëllimeve të Rooseveltit, por gaboi. Në të vërtetë, ai zotëronte një shkallë të tillë të lartë të besimit në vete, se koncepti i tij i udhëheqjes së presidencës krejtësisht pa vështirësi apo shqetësim është në thelb shëmbëlltyrë e vetë personalitetit të tij. Besimi i Roosevelt mundësoi mospajtimin e presidentit me këshilltarët kur duhet të merreshin vendime të rëndësishme, mbështetja e tij e hershme për Britanisë në fillim të Luftës së Dytë Botërore shushati shumica e tyre. Zëvendëspresident, guvernator në Nju Jork, dhe më në fund president, ai pothuajse ia ka kushtuar të gjithë jetën e tij shërbimit publik. “Kurioziteti është një gjë e mirë”. Kjo zinte vend të rëndësishëm në metodat e qeverisjes së Roosevelt. Ai liroi zinxhirët komandues. La mënjanë protokollet dhe krijoi perandorinë ndërthurëse administrative. Shpesh ai ua ndante një detyrë të vetme shumë njerëzve. Kjo ishte metoda e duhur për këtë çmenduri administrative. Duke kërkuar inteligjencës kudo, ai shmangu kapjen pas një burimi të vetëm. Me vendosjen e këshilltarëve të tij kundër njëri-tjetrit, ai testoi fuqinë e argumenteve të tyre. Duke shkrirë autoritetin, ai mbante kontrollin mbi çdo gjë. Roosevelt shquhej për Guximin dhe karakteri i fortë. Ai nuk e lejoi asnjëherë paaftësinë të pushtonte shpirtin e tij. Kjo duket në mënyrën se si ai është marrë me poliomielitin që i shkaktoi paaftësinë fizike kur ishte vetëm 39 vjeç. Të gjithë të njohurit e tij ranë dakord: ai u përball me pafuqinë me kurajë, këmbëngulje, dhe shpresë. Këto tipare të karakterit u shfaqën kur, si udhëheqës dhe komandant i përgjithshëm, ai inkurajoi një komb duke luftuar kundër Depresionit të Madh dhe fuqive të Boshtit në Luftën II Botërore. Studiuesi David Kennedy e quan atë një burrë të provuar në jetën politike dhe madje edhe një pasuri kombëtare. Roosevelt ishte një udhëheqës i përgjegjshëm ndaj detyrës. Ndjenja e shërbimit ndaj vendit i ishte rrënjosur nga prindërit, familja e tij e zgjeruar dhe mësuesit në Groton. Ai kurrë nuk kishte parashikuar ndonjë karrierë tjetër veç asaj të shërbyesit publik. I mprehtë dhe mendjehollë, si kushëri i Theodore, Franklin u ngjit në hierarki nga senator i Shtetit të Nju Jorkut e ndihmës sekretar i Marinës, kandidat presidencial. Shumica e njerëzve pranojnë se ai ishte një lider efektiv. Shkrimtarë të shumtë janë përpjekur të gjejnë cilësitë që e bënë atë tërheqës për ndjekësit e tij. Më mirë se kushdo tjetër historiani David Kennedy ka përshkruar disa nga karakteristikat e Roosevelt. “Presidenti i 32 i SHBA-së, ishte njohës i mirë i situatave, karizmatik, vetëbesues, i angazhuar në shërbimin publik, me karakter të fortë, vizion të qartë për të ardhmen e kombit dhe rolin e SHBA-së në botë, zotëronte aftësi politike për të realizuar një fazë përgatitore perfekt përpara marrjes së një vendimi, etj. Ai zotëronte një kureshtje të madhe, një oreks të pakufi për dije që kombinoheshin me kapacitetin e tij për të absorbuar një gamë të habitshme të fakteve përmes bisedës. Bashkëbisedimi ishte mënyra e tij e preferuar e të mësuarit, ai donte t’i flisnin gjerësisht për çdo gjë”, shkruan David Kennedy.
Presidenti i katër mandateve u shua në krye të detyrës
Para Frankin D. Roosevelt, disa presidentë u përpoqën të kërkonin më shumë se dy mandate, por të tjerë e kanë konsideruar të mjaftueshëm drejtimin e vendit në vetëm dy të tillë. Mund të përmendim këtu Ulysses S. Grant, i cili ka bërë përpjekje për një mandat të tretë, por nuk u pa si kandidat i mundshëm nga partia e tij. I ndryshëm ishte rasti i George Washington, i cili u bë i famshëm për mospranimin e një mandati të tretë, dhe shumë ia atribuojnë pikërisht atij amendamentin që u krijua më pas për të krijuar një qeverisje vetëm në dy presidenca. Franklin Roosevelt është i vetmi që u zgjodh të drejtonte vendin në katër mandate. Pasi këtij shërbimi presidencial të Franklin Roosevelt, u propozua dhe më pas u ratifikuara një amendament, ku përcaktohej një afat për presidencën deri në dy mandate. Njerëzit mendonin se të pasurit e një presidenti që shërbente në kaq shumë mandate mund të çonte në korrupsion politik, pushtet të pakufizuar, për shkak të kohës së gjatë të qeverisjes nga një person. Ka pasur disa tentativa për shfuqizimin e këtij amendamenti, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e suksesshme. Franklin Roosevelt do të mbetet i vetmi që ka shërbyer më shumë se dy mandate në krye të SHBA-së. Ai shërbeu si president për dymbëdhjetë vjet, dhe madje u shua pas vitit të parë të mandatit të tij të katërt, pak para shpalljes së fitores ndaj Japonisë, nga një hemorragji cerebrale më 12 prill, 1945. Nga 44 presidentë të Shteteve të Bashkuara, vetëm tetë prej tyre humbën jetën në mandatin e tyre presidencial. Franklin ishte një nga të paktët që u shua nga shkaqe natyrore. Presidentët; Lincoln, Kennedy, Garfield dhe McKinley, u vranë teksa udhëhiqnin SHBA-në. William Harrison, Presidenti i 9-të i SHBA-së, vdiq në vitin 1841 nga pneumonia, Zachary Taylor, Presidenti i 12-të i SHBA-së, vdiq në vitin 1850 pasi vuante nga disa sëmundje, ndërsa Warren G. Harding, presidenti i 29-të, vdiq nën dyshimin për helm, ndërsa mjekët e tij shkak përcaktuan komplikacionet në zemër. /KultPlus.com
Sot, 30 janar, shënohet 79 vjetori i vdekjes së Mahatma Gandhi, liderit të njohur indian të lirisë që luftoi për të drejtat e njerëzimit dhe pavarësinë e Indisë nga Mbretëria e Bashkuar. Ai u njoh si “Baba i Kombit” në Indi për rolin e tij kyç në lëvizjen paqësore të lirisë.
Gandi nisi një seri grevash dhe aksionesh paqësore që dëmtuan ekonominë britanike dhe ndihmuan në dështimin e pushtetit britanik në Indi. Ai gjithashtu ishte i njohur për filozofinë e tij të njohur të satyagraha, ose “fuqisë së vërtetës”, që mbështetej në idenë se nëse një njeri mbron të vërtetën, ai do të triumfojë në fund.
Veprimtaria e tij u njoh në të gjithë botën dhe ndikimi i tij mbetet i ndjeshëm sot, siç tregon përdorimi i lëvizjeve paqësore për të luftuar për liri dhe barazi në të gjithë botën.
Në kujtim të kontributit të tij në lëvizjen e lirisë, letërsinë dhe filozofinë e paqes, Mahatma Gandhi mbetet një simbol i përjetësisë së njeriut që lufton për të drejtën dhe pavarësinë. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni.
Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.
Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa poashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë.
Muzeu në Gjirokastër zgjidhet jo vetëm nga vizitorët vendas, por edhe nga turistët e huaj.
“Muzeu Kadare mbetet një ndër muzetë më të frekuentuar për vizitorët e shumtë që vijnë në qytetin e Gjirokastrës.”
Ata që zgjedhin qytetin e Gjirokastrës nuk ikin pa vizituar shtëpinë e Ismail Kadaresë. Interesi këtë fundjavë ishte më i lartë nisur edhe nga fakti se të dielën shkrimtari festoi ditëlindjen e tij të 88. Vizitorët nuk janë vetëm vendas, por ka edhe turistë të huaj.
“Ka pasur edhe vizitorë rastësorë që kanë qenë në Gjirokastër ato ditë dhe kanë pasur mundësi pranë muzeut që të shohin dhe të marrin informacion më tepër sa i takon Kadaresë. Kur them vizitorë edhe të huaj, jo vetëm shqiptarë.”
Por çfarë shikojnë më shumë turistët në shtëpinë muze?
“Shumica e vizitorëve që vizitojnë Muzeun Kadare janë njohës të Ismail Kadaresë. Kanë lexuar të paktën një vepër të tij. Më tepër bazohen në romanin ‘Kronikë në Gur’ sepse edhe shtëpia karakterizohet nga ai roman. Ata duan të prekin nga afër ato objekte që Ismail Kadare ka përmendur tek “Kronikë në Gur” qoftë sfera e ujit, qoftë qilari apo vendstrehimi për shkak të bombardimeve për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe ato pak objekte origjinale që ne kemi në muze.”
Javën që shkoi me rastin e ditëlindjes së Ismail Kadaresë bashkia e qytetit kishte përgatitur një sërë aktivitetesh ndërsa në ambientet e shtëpisë u shfaqën edhe dy dokumentarë. / Klan News / KultPlus.com
Mbrëmjen e djeshme në TKOB performoi pianisti Stefano Bollani, një nga pianistët më të njohur në skenën evropiane. Ky ishte koncerti i tij i parë, në Shqipëri.
Bollani, një personazh eklektik, me një formim solid klasik dhe veprimtari të gjatë në jazz, u duartrokit gjatë nga publiku i Teatrit të Operas e Baletit. Përveç repertorit të tij, Bollani interpretoi edhe pjesën shqiptare “Kallma cigaren”.
Gjithashtu Stefano Bollani është kompozitor, krijues si dhe pjesëmarrës në shfaqje televizive. Ai ka interpretuar me Orkestrën Filarmonike “Filarmonica della Scala”, Gewandhaus të Leipzig-ut, Concertgebouw të Amsterdamit, Orchester de Paris dhe në disa raste me Orkestrën e Santa Cecilia, të drejtuar ndër të tjerë, nga James Conlon, Daniel Harding dhe Antonio Pappano.
Interpretimi i tij edhe në skenën e Tiranës ishte një vlerë e shtuar për TKOB. Eventi u mbështet nga Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Akile Tasi(1891-30 janar 1961).
Tasi, lindi më 1891 në Leusë të Përmetit. Arsimin e mori në vendlindje dhe e përfundoi në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pranë diasporës shqiptare, ai bashkëpunoi me Fan Nolin dhe Faik Konicën në federatën “Vatra”. Emri i tij lidhet dhe me gazetën “Dielli”.
Kthehet në Shqipëri më 1929. Për disa vite organizon bibliotekën e Oborrit Mbretëror. Më 1932 caktohet drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe do t’a drejtonte këtë institucion deri në vitin 1941. Për një kohë të shkurtër do të kthehej në Përmet.
Zgjidhet deputet në Kuvendin Kombëtar në vitin 1943 dhe caktohet drejtues i gazetës “Bashkimit i Kombit”. Më 1944 caktohet Ministër i Kulturës Popullore.
Nuk pranoi të largohej nga Shqipëria. Në dhjetor 1944 arrestohet nga partizanët. Do të dënohej me 20 vjet heqje lirie nga i famëkeqi Gjyqi Special. Dënimin e vuajti në kampin e Maliqit, Vloçishtit, Bedenit, si dhe në burgun e Burrelit.
Teksa vuante nga një gjendje e rëndë shëndetesore, atij iu refuzua çdo lutje me shkrim drejtuar autoriteteve. Ndërron jetë më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës./ atsh / KultPlus.com
“Poetika e dramës moderne” vjen si një ngjarje tërheqëse në Qendrën Libart, duke i bërë bashkë në një diskutim akademik Muhamedin Kullashin si dhe dramaturgun e regjisorin Fadil Hysaj, në mënyrë që të eksplorojnë dhe të thellohen në dimensionet artistike dhe letrare të dramaturgjisë bashkëkohore, përcjell KultPlus.
Kjo ngjarje na fton të mendojmë dhe të njihemi me botën dinamike të teatrit modern, duke hedhur dritë mbi aspektet e risive poetike që formësojnë rrëfimet e shfaqjeve të sotme.
Profesor Hysaj, i njohur për kontributet e tij në botën e dramës dhe teatrit, dhe profesor Kullashi, me këndvështrimin e tij unik, do të angazhohen në një bisedë që premton të zbulojë ndërlikimet e rrëfimit në kontekstin e shoqërisë bashkëkohore.
Ngjarja do të mbahet në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” më datë 2 shkurt në ora 18:00. / KultPlus.com
Një ngjarje e jashtëzakonshme po përgatitet në skenën kulturore të Kosovës. Pas 53 vitesh ekzistence si vepër kombëtare, opera “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi do të shfaqet për herë të parë e inskenuar në tërësi në Kosovë, shkruan KultPlus.
Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, provat e para regjisoriale kanë filluar sot, duke përfshirë solistët dhe korin në përgatitjet e shfaqjes. Puna ka filluar me shumë profesionalizëm dhe vullnet, ndërsa regjisori po drejton me pasion këtë projekt.
Dy artistët kryesorë në këtë shfaqje janë sopranoja Adelina Paloja në rolin e Pafikës dhe tenori Ismet Vejseli në rolin e Trimorit.
Adelina Paloja ka ndarë një pamje nga provat duke shkruar: “Për këtë muaj do të jem Goca e Kaçanikut – Pafika. Sot, në provat e regjisë së operës. Premierë absolute pas 53 vitesh”.
Ndërsa tenori Ismet Vejseli shprehet shumë i lumtur që po debuton në Operën e Kosovës me rolin e Trimorit.
“Te dashur miq, Jam shumë i lumtur që në fund të shkurtit do të debutoj në Operën e Kosovës me rolin e Trimorit të operës “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi. Kjo operë është premierë absolute në Kosove pas 53 viteve, të cilën do e vendosi në skenë regjisori Nikolin Gurakuqi, i cili ka punuar më shumë se 80 opera në jetën e tij… Falënderoj drejtorin Meriton Ferizi dhe dirigjentin Edon Ramadani për mundësinë! Të gjithë kolegëve për këtë muaj toi toi toi!”, shkruan tenori Vejseli.
“Goca e Kaçanikut”, opera e parë kosovare, bënë fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë.
Premiera e kësaj shfaqje ishte planifikuar të jepej më 28 nëntor të vitit që e lamë pas, por për shkaqe teknike ajo u shty për muajin shkurt dhe me këtë rast po vjen si aktivitet kryesor për nderë të pavarësisë së Kosovës.
Premiera pritet të vijë më 23 shkurt, ndërkaq repriza do të jepet me 25 shkurt, në Sallën e Sportit “1 Tetori” në Prishtinë. / KultPlus.com
Librat e babës në familjen tonë ishin një ceremoni në vete. Gjithçka sillej rreth librave të babës. Nuk mbaj mend të ketë qenë ndonjë temë më e shpeshtë se sa ajo për librat, rreth librave dhe me librat.
Edhe kërkimet brenda shtëpisë kanë pas pikë reference librat e babës. Ku janë syzet? – te librat e babës; Ku janë dokumentet? te librat e babës; ku, ku, ku- ka pas gjithmonë një përgjigje të njëjtë në shtëpinë tonë, te librat e babës.
Ky ishte komunikimi më i zakonshëm për familjen tonë. Librat e babës ishin bërë pjesë e jona, si të ishin qenie të gjalla.
Dhe ne asnjë nuk i referoheshim si bibliotekë, po krejt ato libra tashmë kishin marr epitetin “Librat e babës” se me të vërtetë ishin të babës.
Panairi i librit dhe blerja e një libri të ri ishte solemnitet për të. Kurrë se kam pa babën që një libër të ri ta merr me nguti. Vështrimi i tij mbi kopertinën zgjaste më shumë se sa duhej. E shikonte sikurse ta kishte dizajnuar vet, dhe se nëse Shtëpia Botuese ta ketë lëshuar ndonjë gabim. E krejt vonë, vonë pas një soditje të gjatë, ai fillonte ta shfletonte me një kujdes, që nuk e kam pa te një tjetër.
Baba lexoi shumë, deri në fund të jetës së tij. Disa prej librave i kanë mbete pa lexuar fare, ato nuk e patën fatin që të përzienin aromën e letrës me aromën e babës. Nuk do të mbeteshin në gjendje të tillë, sikur mos të kishte problemin me sy. Me një palë syze goxha të rënda, me ndihmën edhe të një llupe dhe me përshtatjen e rrezeve të diellit në rreshtat e librit, bukur sfidues, baba vazhdoi leximin e librave të tij deri në fund te jetës së tij.
Dhe tashti, sa herë që shoh një bibliotekë, e kam fjalën për bibliotekat personale, në shikim të parë më duket një bibliotekë e zakonshme, një bibliotekë e pluhurosur ose e pastër, por në fakt, këto biblioteka janë thesar të paçmuar, sepse, nëpërmjet kësaj biblioteke njoh shijen e personit që ka blerë përgjatë gjithë jetës së tij/saj, ndjej aromën e librit, diku-diku edhe aromën e personit koleksionues, shoh ndonjë shënim aty këtu: datë, vend, diku-diku ndonjë dedikim, dhe fletët e zverdhura të kohës, që dëshmojnë vjetërsinë.
Pata fatin të rritem në mes të librave, duke qenë vajza e një adhuruesi të madh të librit. Ku shumicën e shkrimtarëve, sidomos emrat, i mësova përtej moshës së vogël që kisha. E më pas të thellohesha edhe në krijimtarinë e tyre.
Të kesh fatin të rritesh mes librave është edhe një përparësi tjetër, se qysh herët e sofistikon shijen, jo se ti ke shije të hollë, por ke një gjeneratë para teje që të mëson të jesh një seleksionuese e thellë.
Sepse, në këtë kohë dinamike, ti falësh kohën një ‘libri’ apo ‘autori’ nuk është vetëm humbje kohe, është shtrembërim i shijes, e sidomos për ata që janë në ndërtim e sipër të përzgjedhjes së autorëve, zhanreve…
Po sikurse që ka përparësinë të rritesh mes një biblioteke, ka edhe defektin tjetër. Në raport me librat e babës kam një obsesion ta pashpjeguar. Librat e tij nuk dëshiroj që ti prek dikush tjetër. Mes tyre, përpos aromës së vjetërsisë së librit, më ngjason që nuhas edhe aromën e tij. Deri sa shpalosë fletët e librave, kam ndjesinë se më puqen prekjet me prekjen e tij. Dhe jo një gjësend tjetër ta jep këtë ndjesi, ku përpos tregimit që të sjell po ai libër, të sjell kujtimet e shtëpisë së vegjëlisë, hijen e rënd të babës dhe diskutimin për librin.
Më mësoi se si duhet të jemi të rreptë me përzgjedhjen e librit, përzgjedhjen e autorëve. Fatkeqësisht, jo të gjitha librat janë libra që vlen të shpenzohet për to, sikurse që ka libra që do të dëshiroje me çdo kusht ti kesh pjesë të bibliotekës.
Unë i përulem babës, se ai më ndërtoi një shije të mirë për librin, më ndërtoi një lidhje të mirë me librin, dhe ajo më e rëndësishmja, edhe përkundër faktit që nuk është më në mesin tonë, unë ende kam kontakt me të, po nëpërmjet librit. Dhe, sa herë që diskutohet për librin, unë humbem në mendime. Copëza të diskutimeve me të, gjithnjë dhe gjithmonë janë më dominuese se çdo diskutim në tavolinat e ditëve të sotme./ KultPlus.com
Serbia po tenton të dërgojë në Eurovision një këngë me mesazh politik dhe që përkrah gjenocidin serb mbi popullin e Kosovës, shkruan KultPlus.
Kënga “Gnezdo orlovo” (Foleja e Shqiponjës) e interpretuar nga Breskvica është duke garuar për të përfaqësuar Serbinë në Eurovision 2024.
Në tekstin e kësaj këngë bëhet thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, ndonëse jo drejtpërdrejtë por në tekst fshihet ky mesazh.
“Një re gri fsheh qiellin, përsëri zogjtë e zinj (Kuptimi: shqiptarët).
“Bie bubullima, bie shi, breshër dhe shkatërron folenë e shqiponjës” (Kuptimi: Kosova)
“Babi i thotë shqiponjës së vogël “do të kalojë birë”. Do të ikin zogjtë e zinj, qenia e ndritur vjen përsëri (Kuptimi: Kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë).
Nga faqja e Eurovison Kosova bëhet thirrje që të angazhohemi të gjithë për të mos lejuar që kjo këngë të shkoj në Eurovision.
Më poshtë teksti i këngës në gjuhën shqipe:
Foleja e shqiponjës
Pranvera solli diellin Mbi kodër, gjithçka lulëzoi Një mollë mbin në fushë E papjekura ra nga dega me një rënkim të fortë
Refreni Një re gri fsheh qiellin, përsëri zogjtë e zinj Bie bubullima, bie shi, breshër dhe shkatërron folenë e shqiponjës
Mëngjes zgjuar, nata është e lodhur Mollë në bar e trishtuar e zymtë Lulëzon përsëri, zë rrënjë Dhe sapo hodhi një sy diellit, u shfaq një hije e madhe
Refreni Një re gri fsheh qiellin, përsëri zogjtë e zinj Bie bubullima, bie shi, breshër dhe shkatërron folenë e shqiponjës Babi i thotë shqiponjës së vogël “do të kalojë birë” Do të ikin zogjtë e zinj, qenia e ndritur vjen përsëri
Dashuria ime, dashuria ime, do të jetë përsëri e ndritshme Dashuria ime, dashuria ime, gjithçka do të përfundojë. / KultPlus.com
Përkundër faktit që “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi është opera e parë kosovare, ajo vetëm tani, pas gjysmë shekulli, po inskenohet për herë të parë në vendlindje, shkruan KultPlus.
Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, sot kanë filluar provat e para regjisoriale për të sjellë premierën e planifikuar më 22 dhe 24 shkurt të 2024-ës, në Sallën e Sportit “1 Tetori” në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Premiera e kësaj shfaqje ishte planifikuar të jepej më 28 nëntor të vitit që e lamë pas, por për shkaqe teknike ajo u shty për muajin shkurt dhe me këtë rast po vjen si aktivitet kryesor për nderë të pavarësisë së Kosovës.
Meriton Ferizi, zëvendësdrejtor i Operës së Kosovës ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se puna për përgatitjet e shfaqjes ka filluar me shumë energji, vullnet, profesionalizëm dhe pozitivitet.
“Prova e parë regjisoriale filloi me shumë energji, vullnet, profesionalizëm dhe pozitivitet, e udhëhequr nga regjisori i mirënjohur shqiptar Nikolin Gurakuqi me solistët dhe korin, për realizimin dhe inskenimin e Operës së parë Kosovare “Goca e Kaçanikut” të kompozitorit Rauf Dhomi, e cila do shfaqet për herë të parë e inskenuar në tërësi apo e kompletuar si (premierë botërore) në Kosovë, pas plot 53 vitesh së ekzistuari si vepër kombëtare. E gjithë kjo në kuadër të Pavarësisë dhe 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Urime dhe suksese të gjithë pjesëmarrësve”, ka shkruar Ferizi.
Kujtojmë që në këtë shfaqje operistike, në dy rolet kryesore janë sopranoja Adelina Paloja (Pafika) dhe tenori Ismet Vejseli (Trimori).
“Goca e Kaçanikut”, opera e parë kosovare, bënë fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë. / KultPlus.com
Çdo hodofil ka dëshirë të shkojë në një udhëtim në Evropë. Një kontinent i mbushur me vende magjepsëse me peizazhe të gjelbra, pamje të ndryshme dhe për më tepër një ëndërr e shumë njerëzve.
Por, udhëtimi në Evropë është një nga më të shtrenjtët, prandaj shumica e njerëzve nuk mund të përmbushin ëndrrat e tyre.
Disa nga vendet në Evropë kanë pamje ekzotike dhe janë gjithashtu mjaft të lira për t’u vizituar.
Nëse po planifikoni udhëtimin tuaj në Evropë, ne ju rekomandojmë disa nga vendet që duhet të vizitoni.
Revista “Your Digital Wall” e ka renditur Shqipërinë mes nëntë vendeve evropiane më të lira për të kaluar pushimet.
Shqipëria
Më parë Shqipëria nuk ishte e hapur për turistët, por kohët e fundit ky vend është kthyer në një atraksion për të gjithë udhëtarët.
Është një vend ku mund të vizitoni plazhe të bukura dhe peizazhe të shkëlqyera.
Pamja e jashtëzakonshme e saj do të magjeps zemrat e udhëtarëve në çast.
Çdo cep i vendit ka një bukuri unike. Ajo është e mbushur me pamje tërheqëse që çdo turist dëshiron të dëshmojë gjatë jetës së tij. Është një vend që nuk kushton shumë.
Akomodimet në Shqipëri janë në dispozicion nga 28 euro deri në 45 euro. Pra, ju mund të gjeni lehtësisht vende për të qëndruar një natë në këtë vend.
Gjatë udhëtimit në Shqipëri, mund të vizitoni vende si Himara, Shkodra, Saranda, Dhërmiu dhe Durrësi./atsh / KultPlus.com
Një pasuri arkeologjike e zonës së Shkodrës është dhe Fortifikimi i Marshejt.
Fortifikimi prehistorik gjendet në fshatin me të njëjtin emër e ngrihet në një kodër shkëmbore, ku rrëzë së cilës gjarpëron dhe kanioni i Përroit të Thatë, i cili me shtratin e tij të thellë dhe brinjët vertikale, përbën një mbrojtje natyrore për vendbanimin.
Në majën e kodrës ruhen gjurmët e një muri prehistorik, që e rrethonte atë nga të gjitha anët, duke krijuar një planimetri eliptike. Pikërisht këtu ruhet ende një segment muri prej rreth 150 metrash, me trashësi prej 2,70 metrash dhe në një lartësi prej rreth 1 metri. Përbëhet nga dy faqe të ndërtuara me gurë të papunuar, të vendosur pa rregull. Brendësia është mbushur me gurë më të vegjël dhe çakull të trashë. DRTK Shkodër shprehet se për nga teknika e ndërtimit, Fortifikimi i Marshejt duket më primitive se muret e vendbanimit të Gajtanit./ atsh / KultPlus.com
Dje në Ferizaj, në Bibliotekën komunale “Sadik Tafarshiku”, PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit të saj “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, zhvilloi një takim me krijues dhe me dashamirë të fjalës së shkruar të këtij qyteti, përcjell KultPlus.
Në debatin e zhvilluar me këtë rast, të cilin e moderoi shkrimtari, studiuesi e profesori Ibrahim Berisha, u trajtuan dy tema:
“Përse shkruaj” nga poetja dhe profesoresha Dije Demiri-Frangu dhe “Si shkruhet drama”, të paraqitur nga studiuesi dhe shkrimtari Milazim Krasniqi.
Në fillim të debatit, moderuesi Berisha foli rreth gjenezës së shkrimit në botë duke theksuar se shkrimi është një zbulim i hershëm që gjithmonë ka qenë në funksion të zhvillimit njerëzor dhe të kulturës shpirtërore të tij.
“Edhe pse shpesh thuhet se shkruhet shumë letërsi, krijimet artistike me të gjitha zhanret letrare e edhe ato shkencore, zënë vetëm 10 për qind të letrave të shkruara. Pjesa tjetër është shkrim administrativo – burokratik dhe gjëra të tjera si këto”, tha Berisha duke shtuar se PEN Qendra e Kosovës do të përpiqet ta shtojë rrjetëzimin letrar e krijues kudo nëpër Kosovë me aktivitetet e veta.
Duke folur për temën ”Përse shkruaj”, poetja Dije Demiri-Frangu ndër të tjera tha:
“Edhe pse mund të mos e di pse shkruaj, çdo poezi e ka motivin e vet. Gjithsesi shkruaj se di të gëzohem e të pikëllohem, dhe i shoh me sy të padukshëm gëzimin e pikëllimin. Shkruaj se jam njeri, mendoj, reflektoj, kujtoj, ndiej. Njeriu ka ngacmime nga jashtë dhe nga brendësia e tij dhe këto provokojnë intelektualizmin e krijuesit sepse jo më kot poezia-letërsia konsiderohet si përgjegjësi intelektuale dhe se ajo paraqet identitet kulturor”, tha Demiri-Frangu teksa theksoi se shkrimi e ndihmon të jetoj, të jetoj në mënyrën që ajo do.
“Dikur jam udhëhequr nga dëshira ta rrënoj mitin e paaftësisë femërore që të jetë poete. Qëllimet e shkrimit gjatë kohës ndërrojnë, tash kam edhe tjera arsye. Po gjithsesi shkruaj se poezia ka rol iluminist, estetik, informativ e argëtues. Shtëpia më e bukur, më e qetë është brenda krijimit, ndaj shkruaj që të ndihem aty komod. E keqja është se letërsia nuk është më elitare, është bërë si një hamburger për një konsum të shpejtë, dhe kjo letërsi po e rrezikon letërsinë e mirëfilltë, edhe postmodernizmi e teknologjia e kanë dëmtuar karakterin elitar të letërsisë, nuk është pronë e elitës, shkruhet shumë – dhe pa kritere”, përfundoi profesoresha Dije.
Ndërsa Milazim Krasniqi, profesor Universitar, poet, shkrimtar dhe dramaturg, foli për përvojën e tij rreth shkrimit të dramave, duke evokuar edhe kujtime nga fëmijëria, ku për herë të parë e kishte kuptuar rolin e aktorit dhe të dramaturgut. Ai tha se kureshtja për dramën i ishte ngulitur nga ajo kohë e fëmijërisë. Ndërsa në shkollën e mesme, në vitet 1970-1974, pasioni i tij kishte qenë kinemaja, që prapë është interesim i lidhur me dramaturgjinë. Si burim tjetër për të shkruar dramë përmendi dramaticitetin e këngës shqiptare. Kënga shqiptare ka shumë dramë brenda vetes, tha Krasniqi. Njërën prej tyre, këngën e Salih Sylës tha se e ka përdor si ide iniciale për dramën “Besëpremja.” Natyrisht, me modifikime të mëdha.
Lidhur me kornizën teorike ai solli në vëmendje idetë teorike të Platonit, mbi mimesisin, pastaj teoricienë si Nikola Boalo, Jorge Livraga, Bertold Brehti.
Krasniqi u rekomandoi pjesëmarrësve të rinj në këtë tribunë që të lexojnë autorë të njohur si Halid Hysejn, Palo Koelo , Orhan Pamuk etj., që nxisin pasionin për lexim.
Pjesëmarrës në aktivitetin e të hënës të PEN Qendrës së Kosovës ishin nxënës të gjimnazit “Shaban Hashani” të Ferizajt të cilët me pyetje dhe me shpjegimet e veta për letërsinë dhe për kulturën e artin në përgjithësi, dëshmuan njohuritë e tyre në këto fusha. Ata kështu e pasuruan debatin letrar, ndërsa interesimet e tyre kishin të bënin edhe me trendet krijuese në viset shqiptare por edhe përgjithësisht në botë që nga zanafilla e shkrimit për çfarë shpjegimet i morën nga ligjëruesit e temave.
Projektin “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Aktiviteti i radhës i PEN Qendrës së Kosovës do të zhvillohet në Gjakovë, më 31 janar në orën 12:00. / KultPlus.com
Refet Abazi mbrëmë u dekorua nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me “Urdhrin për Merita Shtetërore”, për sukseset e tij si aktor në teatër dhe film, profesor në Akademinë e Arteve, shkrimtar dhe dramaturg, përcjell KultPlus.
Ky është çmimi më i lartë që i jepet një artisti në Maqedoninë e Veriut.
Refet Abazi u lind më 17 janar 1964 në Tetovë të Maqedonisë. Ai është një aktor dhe shkrimtar. Njihet sidomos për rolet e tij në filmat si: Kanunin (2018), Dëshmitarin (2018) dhe Natën e Mjaltit (2015)./ KultPlus.com
Filmi “Krahët e punëtorëve” nga regjisori Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili është shprehur kjo arritje shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.
“E nisëm mbarë vitin në kinematografi. Filmi “Krahët e punëtorëve” i regjisorit tonë Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A. Edhe një arritje tjetër që shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare, potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.
Urime Ilirit dhe gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, shkruan ministri Çeku.
Me producent Arvan Berishën dhe Ilir Hasanaj, filmi sjell përvojat e punëtorëve Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit, të cilët janë viktima të aksidenteve në vendin e tyre të punës. Në këtë homazh poetik dhe eksperimental, regjisori u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të cilat janë pre e makinerisë dhe politikës primitive të Ballkanit.
Xhiruar nga Vigan Nimani, me montazhë të Enis Saraçit, filmi është prodhuar nga shtëpia filmike Unseen Films dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com
Ermonela Jaho është artistja e parë shqiptare që po nderohet me çmimet më prestigjioze në botën e muzikës klasike, shkruan KultPlus.
OPER! AWARDS 2024 mbrëmë mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Operën Kombëtare Holandeze të Amsterdamit dhe u transmetua drejtpërdrejt.
Në këtë garë tejet prestigjioze, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho mori çmimin kryesorë si këngëtarja më e mirë femër për vitin 2024.
Në ndarjen e këtij çmimi për sopranon shqiptare, juria është shprehur se rrallë një person është i gatshëm t’i zbulojë publikut qenien e tij më të brendshme përmes këndimit dhe performancës, dhe Ermonela Jaho e arrin mrekullisht këtë gjë.
“Këngëtarja më e mirë: Ermonela Jaho. Është e njohur që të kënduarit operistik kërkon më shumë se një zë të bukur, por rrallë një person është i gatshëm t’i zbulojë publikut qenien e tij më të brendshme përmes këndimit dhe performancës. Në Operën e Cyrihut në vitin 2023, Ermonela Jaho bëri një mbrëmje operistike emocionuese dhe me thellësi të jashtëzakonshme si Magda brilante nga “La rondine” e Puçinit: një dallëndyshe dhe një mjellmë që po vdes në një”, vlerëson juria Ermonelën.
Ky çmim, sopranos Jaho i erdhi menjëherë pas atij në Spanjë ku nga një juri prestigjioze ajo u vlerësua me çmimin për artisten më të mirë të huaj që ka kontribuar për operën e Spanjës përgjatë vitit 2022/23, çmim që për herë të parë ndanë Opera e Spanjës për një artist të huaj dhe padyshim që këto arritje e kanë bërë tejet të lumtur sopranon Jaho.
“Së pari Spanja, dhe tani Gjermania me këtë çmim të papritur!
Do të përpiqem të shpreh me fjalë mirënjohjen time dhe çfarë do të thotë kjo arritje për mua, por do të ishte e pamundur. Ndihem krenare që jam edhe unë në mesin e të nominuarve, e lëre më çmimin Fitues për këngëtaren femër 2024. Faleminderit OPER! AWARDS për këtë nder të madh. Një falënderim i madh për kolegët e mi të mrekullueshëm, për publikun e mrekullueshëm që më dha dashurinë dhe vlerësimin e tyre dhe për çdo person të dashur që ka mbështetur rrugëtimin tim. Muzika duhet të tregojë një histori duke frymëzuar audiencën dhe nuk ka arritje më të madhe sesa të lidhesh me çdo zemër që dëgjon!”, shkruan Ermonela. / KultPlus.com
Në moshën 76-vjeçare është ndarë nga jeta Fatmir Kumbaro.
Ndërsa po trajtohej në spital për shkak të një problemi me frymëmarrjen, ka pësuar një arrest kardiak, ç’ka ka qenë fatale për jetën e gazetarit dhe diplomatit të njohur.
Fatmir Kumbaro u lindi në Tiranë me 5 dhjetor të vitit 1947.
I diplomuar në fakultetin drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ai ka kryer detyra të rëndësishme; gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, pedagog në fakultetin juridik në Universitetin e Tiranës dhe Drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar në vitin 1991.
Fatmir Kumbaro ka qenë ndër themeluesit e Partisë Socialiste dhe për disa vite anëtar i kryesisë së saj. Ka qenë në vitet e para të pluralizmit edhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kontribut të çmuar ka dhënë Fatmir Kumbaro edhe si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari.
I veçantë ka qenë kontributi i zotit Fatmir Kumbaro në momentet delikate para e gjatë luftës në Kosovë, kur në përgjegjësinë e Ambasadorit në Maqedoninë e Veriut iu desh të koordinonte veprimet e shtetit shqiptar me faktorin ndërkombëtar, ashtu sikundër me të njëjtën përgjegjësi dhe angazhim luajti u angazhuar pas zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut në kohën e luftës së UÇK-së deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe më pas në implementimin e saj.
Autoriteti intelektual dhe angazhimet qytetare, të qenit i drejtë dhe kurajoz, kultura e veçantë dhe zotërimi i tetë gjuhëve të huaja e bënin Fatmir Kumbaron një figurë të veçantë, imponuese dhe të admirueshëm njëherësh./ atsh / KultPlus.com
“Bredhi i Sotirës” u shpall dy vjet më parë si Park Natyror (kategoria IV e zonave të mbrojtura). Në vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2022, u miratua përveç ndryshimit të statusit edhe sipërfaqja e ekosistemit natyror, nga 1 740 ha në 4 927.67 ha.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamjet Bredhi i Sotirës në Dropull.
“Bredhi i Sotirës feston përvjetorin e shpalljes “Park Natyror” me një sipërfaqe të rritur ku mbrohen habitatet dhe speciet e veçanta, duke dhuruar edhe peizazhe të shumëllojshme në çdo stinë”, shprehet Rama.
Zona e Mbrojtur “Bredhi i Sotirës” është mahnitëse në çdo stinë të vitit. I ndodhur në njësinë Administrative “Dropull i Sipërm”, kjo zonë konsiderohet si një perlë të natyrës shqiptare, qoftë nga pikëpamja ekoturistike si dhe nga ajo shkencore.
“Bredhi i Sotirës” shtrihet në shpatet verilindore, të Malit të Stugarës, në pellgun ujëmbledhës të përroit të Sotirës, degë e majtë e lumit të Drinos; nga rreth 550-1,806 m mbi nivelin e detit si dhe në veriperëndim, të Malit të Murganës. I gjithë relievi ka formën e një hinke me fund në fshatin e Sotirës.
Pozicioni në jug të vendit, në reliev mjaft të thyer, në të cilin gërshetohet ndikimi i klimës mesdhetare me atë malore, dhe larg rrugës kombëtare e bën vend mjaft të qetë, me biodiversitet të lartë të habitateve dhe të llojeve.
Bredhi i Sotirës është shpallur ZM për shkak të bimësisë së veçantë që mbulon shpatet e maleve të Stugarës dhe Murganës. Mbulesa kryesore e zonës së mbrojtur janë pylli i Bredhit të Maqedonisë (Abies borisii-regis) dhe Gështenjës së butë (Castanea sativa). Pavarësisht këtyre, sipërfaqe të konsiderueshme në zonë mbulojnë pyjet shkurrore gjithmonë të gjelbër, të dominuar nga Prralli, Ilqja si dhe pyjet e përziera me Cërmëdell, Shkozë, Blin, Panjë etj.
Në zonën e bredhit gjenden edhe drurë të Pishës së zezë, duke përfunduar në vijën ndarëse me kullotat, ku gjenden edhe drurë të rrallë të Ahut, të cilët përbëjnë edhe skajin më jugor të përhapjes së tij në Shqipëri.
Ndër llojet e tjera me interes ruajtje në zonë përmenden Manushaqia e Epirit (Viola epirota), Kokoçeli i Epirit (Centaurea epirota) dhe rreth 10 lloje saleporesh./ atsh / KultPlus.com
Arti i humbjes s‘është vështirë për t’u zotëruar Kaq shumë gjëra janë të mbushura me qëllimin për t’u humbur Sa që humbja e tyre s’është fatkeqësi.
Humbni diçka çdo ditë. Pranoni acarimin e çelësave të humbur, ose të orës së shkuar kot arti i humbjes s’është vështirë për t’u zotëruar
pastaj praktikoni humbjen e largët, humbjen e shpejt shtigjet dhe emrat, edhe vendet që donit t’i vizitonit asnjë nga këto s’do të sjellë fatkeqësi.
Kam humbur orën e mamasë, dhe shih, E fundit apo thuajse e fundit tri shtëpi më shkuan Arti i humbjes s’është vështirë për t’u zotëruar.
Kam humbur dy qytete, të bukura, të mëdha Ca toka që zotëroja, dy lumenj, një kontinent Më mungojnë, por nuk ishte ndonjë fatkeqësi.
–Edhe humbja jote (zëri, gjestet që i dashuroja) Nuk do gënjej. Është e qartë! Arti i humbjes s’është aq i vështirë për t’u zotëruar Ndonëse duket i tillë (shkruaje) sikur të ishte ashtu./KultPlus.com
Së fundmi, SpaceX ka lëshuar dy grupe tjera të satelitëve Starlink nga brigjet e SHBA-së.
Raketa e parë Falcon 9 me 23 anije kozmike u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida, ndërsa raketa tjetër me 22 satelitë u nis nga Baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni.
Siç pritej, të dy fazat e para të Falcon 9 u rikthyen në Tokë rreth 8.5 minuta pas ngritjes.
Ndërkohë, pjesët e sipërme të raketës vazhduan të ngjiteshin në orbitën e ulët të Tokës, për të vendosur dy grupet e satelitëve në hapësirë.
Këto ishin lëshimet e teta dhe të nënta të vitit për SpaceX, e cila synon të kryejë 144 misione orbitale në vitin 2024.
Në përputhje me planin ambicioz të kompanisë, një tjetër mision është planifikuar të nisë më 30 janar për të dërguar anijen robotike të ngarkesave Cygnus të Northrop Grumman drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.
Ndryshe, ky mision thuhet se filloi në një përvjetor të zymtë, pasi në të njëjtën datë 38 vite më parë anija kozmike e NASA-s Challenger u shpërbë dy minuta pas ngritjes, duke vrarë shtatë astronautët në bord./GazetaEpress/ KultPlus.com