Koncerti Inaugurues i Operës së Kosovës mbrëmë solli magjinë operistike të nivelit botëror

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë nëpërmjet veprave operistike kombëtare dhe atyre botërore, duke përfshirë këtu ariet, koralet, uverturat dhe duetet e ndryshme, erdhi me inkuadrimin e sopranos Adelina Paloja, baritonit Armando Likaj, sopranos Arta Jasharit, sopranos Besa Llugiqit, mezzosopranos Flaka Gorancit, sopranos Kaltrina Miftarit, tenorit Liridon Sadriut dhe sopranos Zana Abazit, të cilët ndezën skenën si yje ndriçuese që po shpërthenin në secilën sekondë, prej momentit kur ora shënoi 19:10, shkruan KultPlus.

Koncerti inaugurues i Institucionit të Operës së Kosovës, i titulluar si “Opera Gala” portretizoi një literaturë operistike që fillimisht mbrëmë Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, shënoi nisjen e këtij koncerti të magjishëm me veprën e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, ‘Goca e Kaçanikut’, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, për të vazhduar me interpretimin e veprave të kompozitorëve botërorë si: Gaetano Donizetti, Giuseppe Verdi, Wolfgang A.Mozart, Charles Gounod, Giacomo Puccini dhe Georges Bizet, nën dirigjimin e Edon Ramadanit dhe Leonardo Quadrinit, ku krahas tyre nuk mungoi as edhe vepra e mirënjohur e kompozitorit Prenk Jakova “Mrika”, duke sjellë kështu vepra të cilat fuqishëm buronin nga zëri unik i performuesve të njëpasnjëshëm e hynin thellë brenda të pranishmëve për ti futur ata brenda fuqisë mbinatyrore të struktur në çdo melodi e tingull.

Para se koncerti të fillonte, të pranishmit ngadalë po mbushnin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës në Sallën e Sportit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, e që kësaj radhe kjo sallë kishte marrë një formë krejtësisht ndryshe. Perdet e zeza e të lëshuara përgjatë gjithë hapësirës, reflektorët që gjithmonë ndërronin ngjyrën sipas programit, karriget blu, imazhet e shfaqura në sfondin mbrapa Orkestrës, podiumet, dritat e ngrohta e të ndezura, lulet e vendosura përgjatë skenës që rrethonte vendin ku Baleti Kombëtar do të performonte, instrumentet diversive që ishin të shtrira në karriget e vendosura për performuesit e të cilat posedonin një hijeshi të paparë kur heshtja kaplonte kohën, si dhe instrumenti i bukur ‘Harpa’ që dallohej dukshëm, ishin këto specifika që krijuan një atmosferë ku perfeksionimi kishte gjetur shtëpinë e përhershme të tij.

Ndërlidhja e dy institucioneve si ajo e Operës së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, ishte diçka aq e përsosur dhe e mistershme, saqë ajo fuqi që arti operistik e i vallëzimit e posedon në një frymë të vetme, do të përshkruhej pothuajse si një ëndërr e pashpjegueshme, në të cilën njeriu përhumbet dhe rrezikon nga mos dalja e saj. Një ëndërr si kjo e jo nga ato të zakonshmet, erdhi posaçërisht nga kjo ndërlidhje që solli ngrohtësinë, paqen, krenarinë dhe lumturinë në një koncert të vetëm.

Në skenë, të veshur me të zeza ishin instrumentistët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës të cilët së bashku me instrumentet si: violina, viola, violonçeli, kontrabasi, flauti, obo, klarineta, fagoti, korno, trumbeta, tromboni, tuba, timpani e perkusionet, përgjatë gjithë koncertit, pa ndalur, sollën interpretime të vazhdueshme të cilat i përngjanin atyre të nivelit botëror. Krahas kësaj Orkestre, ishte zëri i Korit të Filharmonisë së Kosovës, ai që plotësoi pjesën e fundit të një mozaiku operistik. Një mozaik ky tejet magjepsës që shpalosi vokalin unik të Korit dhe muzikën e veçantë mes të instrumentistëve që po performonin me një dëshirë të zjarrtë që nuk po mbaronte dot.

Në ndërkohë, veprat si: “Luicia di Lammermoor”, “La Traviata”, “Dasma e Figaros”, “Romeo et Juliette”, “Madama Butterfly”, “Dasma Arbëreshe”, “Nabucco” dhe “Carmen”, nën interpretimin e sopranove si: Besa Llugiqi, Adelina Paloja, Kaltrina Miftari, Zana Abazi Ramadani, Arta Jashari, Elona Sadiku, mezzosopranove Flaka Gorancit dhe Teuta Kurtit, tenorit Liridon Sadriu si dhe baritonit Armando Likaj, dëshmuan se porsi veshjet e tyre plot elegancë, mbrëmë vokalet e tyre po aq elegant, shpërthyen furishëm përmes teknikave mjeshtërore e lëvizjeve skenike, duke rrëmbyer zemrën e të pranishmëve, duartrokitjet dhe brohoritjet e së cilëve dëgjoheshin ende pa mbaruar veprat.

Për të treguar më shumë rreth krijimit të vendit më të mirë të mundshëm për Operën e Kosovës, për KultPlus foli kryeministri Albin Kurti.

“Sonte u dëshmua se ne kemi përmbajtje, kemi substancë, i kemi talentët tonë që kanë bërë shumë punë, kemi organizim të jashtëzakonshëm që erdhi deri te kjo mbrëmje historike për kulturën dhe artin tonë, meqenëse opera është shumë e vështirë, e këta ia kanë dalë fort mirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky art i lartë e do edhe një infrastrukturë adekuate dhe se ata pa humbur kohë do të bëjnë hulumtimet për vendin me të mirë të mundshëm dhe gjithashtu për karakteristikat e nevojshme.

“Pra, meqë jemi në përfundim të këtij viti, pa dyshim që vitin e ardhshëm do të fillojmë përgatitjet ashtu që sa më parë të krijojmë kushtet për atë që dëshmuam sonte se nuk ngelim prapa vendeve të rajonit e mbase edhe më gjerë se kaq”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, për të treguar për përshtypjet e tij rreth koncertit dhe procesin e provave, për KultPlus foli ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Baletin Kombëtar të Kosovës, Niki Musolli.

“Jam shumë i lumtur që çdo ka shkuar sipas planit sepse ne e patëm premierën tonë para një jave e disa ditë e ka qenë goxha problematike, çështja e agjendës por për fat të mirë që është shtyrë në këtë datë dhe kemi pasur mundësi të përgatisim pjesën nga shfaqja ‘Karmen’ si dhe valësin në fund që është dashur të adaptohet nga shfaqja ‘Pushimi i Kalorësve’ me muzikë të Verdit nga Orkestra këtu”, thotë ai.

Sipas tij, provat janë mbajtur në sallën e tyre e të cilat kanë vazhduar deri në ditën e premte. Por, kjo punë e dy institucioneve, ishte tejet e madhe.

“Dy pjesët janë pjesë shumë shumë të bukura dhe janë bota komplet ndryshe nga njëra-tjetra dhe besoj se publikut i ka pëlqyer shumë”, përfundon Musolli.

Po ashtu, dirigjenti Edon Ramadani për KultPlus tregoi se si kapacitetet e të gjithë pjesëmarrësve u treguan sonte, por që të njëjtat janë treguar edhe shumë më herët.

“Ka qenë një organizim i madh duke pasur parasysh se vetëm në skenë kanë qenë rreth 120 muzicientë duke përfshirë Korin dhe Orkestrën, pastaj natyrisht dhe Baleti i Kosovës i cili e zbukuroi tërë këtë organizim e po ashtu edhe në prapaskenë ka qenë një ekip i madh i cili ka punuar për tërë këtë projekt. Kjo nuk është hera e parë që ne realisht po dëshmojmë se mundemi të fillojmë një Operë e punimin e shfaqjes operistike sepse ato janë bërë edhe më herët prandaj tani është momenti që të kemi objektet tona kur ne do të mund të ushtronim veprimtarinë tonë dhe të fillojmë me shfaqjet operistike”, thotë Ramadani.

Sipas tij, kapacitetet u treguan edhe sonte e janë treguar edhe shumë më herët.

“Pas disa vitesh, unë besoj shumë që do të kemi mundësinë që ti kemi dy Orkestra të plota, dy Kore të plota, të cilat do të mund të funksionin edhe në mënyrë të pavarur pa problem. Ishte një program operistik meqenëse ishte festimi i inaugurimit të Operës së Kosovës e veçoria e këtij programi ishte repertori tejet i larmishëm”, përfundon ai.

Kurse, mezzosporanoja Flaka Goranci për KultPlus ka thënë se për të ka qenë një ndjenjë e veçantë këndimi për inaugurimin e institucionit të Operës të Kosovës.

Sipas saj, kjo mbrëmje arrin të krahasohet me koncerte shumë me të mëdha që zhvillohen në vende të tjera dhe të tilla që marrin epitetin si gala-koncerte.

“Mendoj që tash na pret një punë mjaft e madhe. Ne kemi parë që kemi gjithë trupën për të krijuar një shtëpi të operës dhe mendoj se patjetër do të jetë punë e madhe e Qeverisë për të arritur të ndërtojë shtëpinë, një objekt si secili institucion që e ka shtëpinë e tij”, ka thënë ajo.

Opera e Kosovës e solli këtë koncert në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.

Fotografitë: Majlinda Hoxha & Arben Llapashtica / KultPlus.com

MKRS prezanton posterin e Koncertit Inaugurues të Operës së Kosovës

Njëzet e pesë tetori shënon Ditën Botërore të Operës, respektivisht ditëlindjen e kompozitorëve Georges Bizet dhe Johann Strauss II, të cilët konsiderohen krijuesit e operës dhe operetës më të famshme në botë.

”Në këtë ditë kur shtëpitë operitistike, teatrot dhe adhuruesit e muzikës bashkohen për të njohur vlerat e artit operistik, kemi kënaqësinë t’ju prezantojmë posterin e Koncertit Inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës, i cili do të mbahet më 31.10.2021 në Sallën e Sporteve të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Operës së Kosovës u miratua më 3 gusht të këtij viti me 75 vota për dhe pa asnjë votë kundër apo abstenim. Opera e Kosovës do të hapë dyert për shfaqje operistike në vitin 2022. / KultPlus.com

MKRS vazhdon përgatitjet për koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po vazhdon përgatitjet për koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Përmes një njoftimi në Facebook, MKRS njofton se proces në vazhdim do të përmbyllet deri më 05.10.2021 ku përmes audicionit profesional dhe plotësisht anonim do të vlerësohen 127 kandidatë për profilet e orkestrës dhe korit.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të MKRS-së:

Sot nga mëngjesi, kanë filluar audicionet për koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës.

Ky proces në vazhdim do të përmbyllet deri më 05.10.2021 ku përmes audicionit profesional dhe plotësisht anonim do të vlerësohen 127 kandidatë për profilet e orkestrës dhe korit.

Procesi zhvillohet në Sh.F.M. “Prenk Jakova” në Prishtinë duke respektuar masat anti Covid-19.

Ekipit profesional dhe gjeneratës së re të skenës muzikore në Kosovë ju urojmë punë të mbarë dhe sukses./KultPlus.com

Meriton Ferizi emërohet Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës

Janë marrë dy vendime shumë të rëndësishme për Institucionin e Operës së Kosovës.

Meriton Ferizi është emëruar Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Operës ushtron të gjitha të drejtat dhe obligimet e përcaktuara për pozitën e Drejtorit të Operës së Kosovës, veçanërisht inicion, zhvillon dhe administron të gjitha procedurat për krijimin e kushteve të nevojshme të të punësuarve në institucionin e Operës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjithashtu është emëruar Këshilli përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës.

Këshilli ka këtë përbërje:

Merita Juniku,
Inva Mula,
Dardan Selimaj,
Rreze Kryeziu Breznica,
Besa Luzha,
Edon Ramadani,
Mehdi Uka.

Këshilli përgatitor është i mandatuar të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë për funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës, duke përfshirë organizmin e brendshëm, hartimin e akteve nënligjore të nevojshme, krijimin e kushteve adekuate infrastrukturore për punë, planin vjetor të punës etj.

Bashkangjitur gjeni dy vendimet e plota:

https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Vendimi-ud_drejtor-opere.pdf?fbclid=IwAR204icXlJ1V7HG2Jsa8d8n3lcPiNbPlXBqecdsNnvu601D19-shUSIJhbM

https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Vendim-Keshilli-operes.pdf?fbclid=IwAR2G6HmNLV3vedliK1sqTiMOIWOEYPkqwWvvWptPya790fgkRze1TgWgWQs / KultPlus.com

MKRS publikon thirrjen për instrumentistë dhe koristë për koncertin inagurues të Operës së Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin e Operës së Kosovës ka hapur thirrjen publike për instrumentistë dhe koristë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Për të gjithë të interesuarit, dokumentet të cilat kërkohen për të aplikuar janë:

Për profesionistë të fushës: CV, Diplomë e përfundimit të studimeve në fushën përkatëse (Bachelor/Master)

Për studentët e muzikës: CV, Dëshmi për ndjekjen e studimeve në fushën përkatëse, Dokumenti i identifikimi.

Përzgjedhja e instrumentistëve dhe koristëve në Operën e Kosovës, bëhet përmes audicionit, njofton Ministria e Kulturës.

Në linkun më poshtë do të gjeni formularin dhe partiturat për tu përgaditur për audicion. / KultPlus.com

Konkurse – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (mkrs-ks.org)

MKRS hap thirrje publike për instrumentistë dhe koristë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin e Operës së Kosovës hap thirrjen publike për instrumentistë dhe koristë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës.

Gjeni të bashkangjitur linkun për aplikim:https://www.mkrs-ks.org/?page=1,22 / KultPlus.com

Kosova bëhet me institucionin “Opera e Kosovës”, e miraton Kuvendi i Kosovës

Me 75 vota për  është miratuar Propozim-vendimin i Qeverisë së Kosovës për themelimin e institucionit te Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik.

Ky propozim dështoi të miratohej në votimin e parë.

Pas kësaj Kuvendi ka vazhduar debatin parlamentar në lidhje me punën 100 ditore të Qeverisë./ KultPlus.com