Shqipëria njohu pasditen e sotme kundërshtarët e saj në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.
Në shortin e hedhur nga UEFA në Hamburg të Gjermanisë, goglat e pozicionuan Shqipërinë në të grupin B, përballë Spanjës, Italisë e Kroacisë.
Në përfundim të shortit të hedhur nga UEFA në Hamburg të Gjermanisë, trajneri i ekipit kombëtar, Silvinjo dha një një prononcim për fshf.org, ku komentoi grupin dhe rivalët e Shqipërisë në finalet e Europianit 2024, duke theksuar se kuqezinjtë do të provojë të gjithë mundësitë për të bërë sa më mirë në këtë rrugëtim.
“Ishte një mbrëmje e bukur. Është mrekulli të jesh këtu. Të gjithë ne kemi bërë mirë deri këtu. Njerëzit duhet të kujtojnë çdo ndeshje që kemi fituar e barazuar për të ardhur këtu. Tani ndryshon pak dhe jemi në një grup të vështirë. Kundërshtarët janë mësuar të luajnë në finalet e Europianit dhe të Botërorit. Flasim për skuadra të forta si Spanja, Italia, Kroacia.. Ne duhet të provojmë mundësitë tona. E kemi bërë deri tani kundër Republikës Çeke, Polonisë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. E dimë që kundërshtarët janë të fortë. Por në momentin që flitet për tre ndeshje finale të një Kampionati Europian, nuk mund të flasim për një favorit. Të gjithë janë favoritë. Ne do të shkojmë të luajmë futboll, do të bëjmë punën tonë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka”, tha ai.
Trajnieri Silvinjo u shpreh se “lojtarët janë të lumtur që do të shkojnë në finalet e një Europiani. Ishte një ëndërr dhe është një ëndërr për të gjithë ne. Tani do ta shfrytëzojmë këtë mundësi akoma edhe më shumë”. /KultPlus.com
KultPlus ju sjell disa nga shprehjet më frymëzuese të thënë nga gra të famshme.
“Sapo të heqim dorë nga kërkimi për miratim, e kemi më të lehtë të fitojmë respekt”
Kështu ka thënë Gloria Steinem. Ajo ishte një zë qëndror në valën e dytë të feminizmit, nga vitet 1960 deri në vitet 1980. Për të theksuar vlerën e grave në një shoqëri që tentonte t’i reduktonte ato në rolet e kujdestares dhe amvisës, ajo tha: “Një grua pa burrë është si një peshk pa biçikletë”. Sarkazma e kombinuar me rebelimin.
“Feminizmi është ideja radikale që gratë janë njerëz”
Duket ironike, por është në thelb të luftës së grave për barazi. Angela Davis ishte ajo që e shpiku atë. Ajo luftoi për çlirimin e grave dhe gjithashtu u bë një ikonë e betejës antiraciste që ka vazhduar në SHBA dhe në botë deri më sot.
“Feminizmi nuk ka të bëjë vetëm me gratë, ka të bëjë me lejimin e të gjithë njerëzve të bëjnë jetë më të plotë.”
Jane Fonda shpjegoi se si feminizmi nuk është vetëm një shkak për gratë: të gjithë përfitojnë nga thyerja e kodeve gjinore në shoqëri. Deri më sot, Fonda ka ndërthurur statusin e saj si yll filmi me punën e saj si aktiviste.
“Ne e kuptojmë rëndësinë e zërave tanë vetëm kur na mbyllet goja!”
Malala Yousafzai u bë një simbol i luftës globale të grave kur talebanët donin ta vrisnin për vendosmërinë e saj për të ndjekur shkollën. Që atëherë, jeta e saj ka qenë e gjitha rreth aktivizmit.
“Nëse nuk mund të kërcej, nuk është revolucioni im.”
Emma Goldman, një anarkiste që jetoi rreth fundit të shekujve 19 dhe fillimit të shekullit të 20, përmblodhi nevojën që çdo luftë të përfshijë gëzimin midis mekanizmave të saj.
“Nuk jam e shqetësuar për frikësimin e burrave…”
Kur u pyet për reagimet e burrave ndaj aktivizmit të saj feminist, romancierja dhe eseistja Chimamanda Ngozi Adichie tha: “Sigurisht që nuk shqetësohem për frikësimin e burrave. Lloji i mashkullit që mund të frikësohet nga mendimet e mia nuk më intereson.”
“Ti nuk lind grua, bëhesh!”
Simone de Beauvoir ishte një mendimtare franceze, shkrimet e së cilës në vitet 1960 ndërtuan një pjesë të madhe të teorisë së sotme feministe. Ajo argumentoi se të qenit grua ishte diçka e mësuar nga shoqëria, sesa thjesht caktimi i veçorive trupore në lindje.
“Për një burrë je disi injorant…”
Një burrë më tha se për një grua, unë isha shumë me opinion. Unë thashë, ‘për një burrë je disi injorant’.” Ishte një shuplakë e përsosur nga Anne Hathaway ndaj machismo-së që është ende e pranishme në shumë fusha.
“Ata që nuk lëvizin, nuk i vënë re zinxhirët e tyre.”
Socialistja Rosa Luxemburg (1871-1919) shpjegoi shkurtimisht se si pasiviteti na bën të paaftë të zbulojmë padrejtësinë ekzistuese.
“Pse dua këmbët nëse kam krahë për të fluturuar?”
Frida Kahlo shkroi shumë fraza frymëzuese dhe krijoi art të bukur pamor. Ajo ishte një grua me krahë që luftoi për të qenë e lirë.
“Duhen vite si grua për të hequr qafe atë për të cilën të kanë mësuar të vijë keq.”
Është vërtetuar se gratë kërkojnë falje më shpesh, me të drejtë ose pa nevojë, sesa burrat. Aktorja dhe komediania amerikane Amy Poehler na kujton sesi gratë duhet të deprogramojnë sjellje si kërkimi i vazhdueshëm i faljes. Ata janë socializuar në ato sjellje që në fëmijëri.
“Një grua ka nevojë për para dhe një dhomë të sajën!”
Ky citim nga autorja Virginia Woolf në kapërcyellin e shekujve 19 dhe 20 është histori feministe. Gruaja kishte nevojë të ishte e pavarur, tha ajo, në gjendje t’i përkushtohej krijimit, dhe përtej kësaj, e lirë.
“Nuk dua që të tjerët të vendosin se kush jam unë. Unë dua të vendos vetë!”
Feminizmi i ri në Hollywood-in e shekullit të 21-të ka një zë si Emma Watson. Ajo synon të ndalojë imponimet ndaj grave që shpesh përcillen përmes narrativave filmike apo serialeve.
“Nëse i bindeni të gjitha rregullave, do të humbisni të gjithë argëtimin!”
Aktorja Katharine Hepburn ishte përpara kohe! Një grua e lirë dhe joortodokse në një skenë të Hollivudit që ishte thellësisht heteropatriarkale në mesin e shekullit të 20-të.
“Feminizmi është një formë e humanizmit!”
Në një deklaratë të ngjashme me atë të Jane Fonda (‘duke i lënë të gjithë njerëzit të bëjnë jetë më të plotë’), autorja Siri Hustvedt pohon se feminizmi është një kategori e gjerë në mbrojtje të të gjitha qenieve njerëzore.
“Dil dhe bëj diçka. Burgu nuk është dhoma jote, je ti!”
Shkrimtarja Sylvia Plath jetoi një ekzistencë të munduar. Në vepra të tilla si ‘The Bell Jar’, ajo la dëshminë e dikujt që luftonte me të gjitha forcat për të qenë një grua e lirë.
“Je i lirë të rishpikësh veten!”
Margaret Atwood, autore e ‘The Handmaid’s Tale’, është një besimtare e fortë në fuqizimin e femrës. Në kundërshtim me besimet tradicionale, gratë nuk kufizohen vetëm në një rol, thotë ajo. Ata mund të jenë kushdo që duan të jenë.
“Dashuria ka qenë opiumi i grave!”
Kate Millett ishte një figurë qëndrore në feminizmin e valës së dytë. Citimet e saj kanë qenë stimuluese dhe provokuese. Si ky: “Dashuria ka qenë opiumi i grave… Ndërsa ne donim, burrat sundonin!”.
“Disa gra zgjedhin të ndjekin burrat, dhe disa gra zgjedhin të ndjekin ëndrrat e tyre”
Lady Gaga është një shembull se si të jesh grua në shekullin e 21-të, të kesh sukses dhe të mos humbasësh në përpjekje.
“Mos e hesht trupin…”
Lena Dunham është një zë interesant dhe nganjëherë kontrovers feminist. Ajo në punën e saj ka treguar trupa që nuk përputhen me stereotipet mbizotëruese. “Mos i heshtni”, thotë ajo. Në këtë mënyrë ajo lufton përjashtimin e disa llojeve të trupave, mbron diversitetin dhe shkon kundër imponimit të kanuneve seksiste. /KultPlus.com
Fotografi Ilaz Bylykbashoshi ka publikuar vitin e kaluar disa fotografi nga një takim i Presidentit Ibrahim Rugova me aktorin e njohur Bekim Fehmiu.
Ai ka shkruar pa censurë një pjesë të bisedës mes Rugovës e Fehmiut.
Të dy e kishin lavduar njëri-tjetrin, por aktori e kishte bërë në një mënyrë më të pazakontë.
“Ibrahim Rugova: “Bekim Fehmiu ju adhurojë për prezantimin e denjë që i keni bërë kombit nëpër botë”! Bekim Fehmiu: “President mendojë që ju i keni koqet deri tek gujt”!”, ka shkruar Ilaz Bylykbashi në përshkrimin e fotografive. / KultPlus.com
Vepra e Petrit Halilajt do të çelet në Muzeun Metropolitan të Artit në prill të vitit të ardhshëm. Sipas muzeut, artisti Halilaj, i cili jeton mes vendlindjes së tij Kosovës dhe Berlinit, është ftuar të transformojë tarracën e muzeut në një instalacion arti bashkëkohor.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, artisti Halilaj tha se ftesa nga Muzeu Metropolitan i Artit, që përmban njërin prej koleksioneve më të mëdha të artit në botë e që sipas tij ka shumë pak artefakte të ekspozuara nga Kosova dhe Ballkani, është një nder i veçantë, të cilin ai do ta shfrytëzojë për të reflektuar mbi lidhjet e Kosovës me rajonin në rrafshin kulturor dhe politik, si dhe ndërlidhjet e vendlindjes së tij me Shtetet e Bashkuara.
“Është emocion shumë i madh, sepse vetëm ta vizitosh Muzeun Metropolitan është emocion i madh, koleksionin që rrugëton në kohë deri në 5,000 vjet para nesh dhe ku tregohen fragmente nga e gjithë bota, qoftë përmes artefakteve, qoftë përmes arkitekturës. Në tarracën e Muzeut një herë në vit bëhen porosi me një artist të artit bashkëkohor. Në këtë rast, kur e pranova ftesën, nuk munda ta besoja. Jam tepër, tepër i lumtur.”
I lindur në fshatin Runik në Kosovë, artisti 37-vjeçar sjell në punimet e tij fragmente të përjetimeve personale të luftës në Kosovë, lidhjet me jetën e tij në fshat, që në tokën e tij ka ruajtur gjurmët e një civilizimi neolit, shpeshherë të vendosura përballë, ose në bashkëbisedim me përjetimet universale të përvojës njerëzore – një udhëtim në kufijtë realë dhe imagjinarë të identitetit të krijuar dhe të imponuar, lidhjet e njeriut me tokën dhe me të kaluarën, lirinë – ose mungesën e saj – për të qenë dhe për të lëvizur.
Vepra në muzeun e Nju Jorkut, thotë artisti Halilaj, meqë realizohet në tarracën e këtij institucioni, do të jetë në harmoni me realitetin urban të qytetit metropol, me qiellin dhe vet ndërtesën e muzeut.
“Është projekt në të cilin po punoj prej një viti e gjysmë intensivisht. Për dallim prej projekteve tjera, ndoshta është momenti kur pata nevojë dhe dëshirë të filloj një kërkim mes Nju Jorkut dhe Kosovës. Në dy vitet e fundit kam qenë në shtetet rreth nesh – Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, shtetet e ish-Jugosllavisë dhe isha shumë i interesuar të kuptoj relacionin mes nesh dhe rajonit dhe të filloj një bashkëbisedim. Ne e dimë që historikisht dhe në aspektin kulturor ka zbrazëtira të prezencës së zërit tonë, edhe si kulturë, edhe si realitet dhe jam i interesuar me pa se si mund të punojmë, qysh mund të rinjihemi në rajon, duke filluar me një shkëmbim të njohurive që kanë të bëjnë me kulturën.”
Veprat e Petrit Halilajt, që vijnë në forma të ndryshme, tashmë janë ekspozuar në galeritë më të njohura në Evropë. Në vitin 2013, Halilaj përfaqësoi Kosovën për herë të parë në debutimin e shtetit të ri në Bienalen prestigjioze të Venedikut. Në Tate St. Ives, në Britani të Madhe, ekspozita e tij personale në vitin 2021 bazohej në vizatimet e zogjve të larmishëm dhe pamjet e luftës dhe shkatërrimit që kishte sjellë ajo në Kosovë, që ai i kishte realizuar ndërsa qëndronte në kampin e refugjatëve në Kukës, në pranverën e vitit 1999. Në këtë fotografi, kur ai ishte 13 vjeç, shihet ndërsa priste për bukë në radhët e gjata së bashku me refugjatë të tjerë të dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Në ‘Muzeun e Izraelit’, në Jerusalem, ai ka rikrijuar varësen e nënës së tij me xhevahire, që ajo e kishte fshehur në një gropë në oborrin e shtëpisë për ta shpëtuar nga lufta. Varësja ishte i vetmi kujtim që mbijetoi nga shtëpia. Në veprën e rikrijuar, xhevahiret nuk ishin me shkëlqim; Halilaj i kishte mbushur ato me copëzat e shtëpisë së djegur në luftë.
Në Meksikë, në muzeun Tamayo, ku javën e kaluar Halilaj ka hapur ekspozitën e parë personale në Amerikën Latine, me titull “Runik”, ai rikrijon strukturën e shtëpisë së sotme të familjes së tij në Kosovë. Meksika, si shumica e shteteve të Amerikës Latine, nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe nuk i lejon shtetasit kosovarë të udhëtojnë në këtë vend.
“Këto barriera, kur folëm për lirinë personale, ato kolektive, janë pjesë dhe trajtohen në ekspozitë. Kjo ekspozitë sjell për herë të parë bashkë më shumë se 12 projekte në të cilat kam punuar në vitet e fundit. Në arkitekturën dhe në vet ndërtesën e muzeut Tamayo kam vendosur të sjellë një ndërtesë tjetër, që në këtë rast vjen nga Kosova, që është struktura e shtëpisë që kemi ndërtuar me familjen pas luftës, shtëpisë që kemi ndërtuar në Prishtinë, por që është strukturë dhe plan i njëjtë i shtëpisë në Runik. Meqë anëtarët e familjes nuk mund të vinë në Meksikë, sepse Meksika nuk e njeh Kosovën, kam vendosur që krijesa dhe skulpturat të të gjitha projekteve të tjera të vijnë në muze. Shumica e tyre e shohin njëra-tjetrën për herë të parë. Për mua ka qenë eksperiencë goxha interesante.”
Në mesin e tyre, sipas Halilajt, është një skulpturë në formën e fluturës, ngjyrat e së cilës janë realizuar nga shtëpia e fëmijërisë në Runik, e djegur gjatë luftës. Pluhuri i zi i instalacionit të fluturës është bërë nga pluhuri i drurit të djegur nga kulmi i shtëpisë, ndërkohë që pluhuri i bardhë është realizuar nga gurët e mureve.
Por, krahas këtyre gjurmëve të së kaluarës së dhimbshme, Halilaj ka krijuar një realiteti paralel që sfidon realitetin shpeshherë të ashpër të zhvillimeve politike dhe përçarjeve që karakterizojnë sot përvojën njerëzore. Në bashkëpunim me kompaninë kryesore ajrore të Meksikës, Aeromexico, ai ka shndërruar një Boeing të saj në një pulë, që me mbishkrimin “Nga Runiku me dashuri” po shëtit i lirë, pa barriera politike e kufij gjeografik, mbi qiejt e kontinentit amerikan.
Halilaj i vendos përballë njëra tjetrës përvojat e etapave të ndryshme të kërkimit të tij personal në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm të rimëkëmbjes së lindur nga një traumë personale dhe kolektive e thellë, shpeshherë duke i detyruar të tjerët dhe veten që në përpjekje për të shijuar artin e tij ta ngrejnë kokën lart, për të parë yjet, për të parë qiellin.
“Puna ime prej fillimit është ndërlidhur me eksperiencat personale dhe kur i shoh këto fotografi të vitit 1999, fotografi që na ndërlidhin të gjithëve, sepse është një memorie kolektive e luftës që kemi kaluar, vështirësive që kemi kaluar. Mendoj që vet lufta është pjesë e një ëndrre për një jetë më të mirë dhe prandaj emocionohem sa herë që e shoh, sa herë që i rikujtoj këto momente. Por janë edhe momente që na kanë krijuar dhe jemi ata që jemi duke iu falënderuar këtij udhëtimi të përbashkët. Si artist janë pjesë e rrëfimeve që kam dëshirë t’i tregoj. Ekspozita në MET është një tjetër rrugëtim, që po shpresoj dhe jam tepër i lumtur që ky projekt do të vijë në Amerikë sepse e di që edhe komuniteti shqiptar në Amerikë është shumë i madh, mirëpo edhe vet Shtetet e Bashkuara janë aktor shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë historik.”
Vepra e Petrit Halilajt do të çelet për publikun në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork më 29 prill të vitit 2024 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 27 tetor. /ZeriAmerikes /KultPlus.com
Macaulay Culkin shijoi një ribashkim të ëmbël me aktoren Catherine O’Hara, teksa e prezantoi atë në ceremoninë e yllit të tij në Hollywood Walk of Fame të premten.
Culkin, 43, portretizoi rolin kryesor të Kevin McCallister në ekskluzivitetin Home Alone, duke filluar me filmin ikonik në 1990 dhe vazhdimin e tij në 1992 – së bashku me O’Hara, 69, si nënën e tij të shumëvuajtur Kate.
O’Hara preku me butësi fytyrën e Culkin-it ndërsa ajo mbajti një fjalim të përzemërt për aktorin – 33 vjet pas takimit të tyre të parëm shkruan DailyMail.
Ajo tha: “Home Alone ishte, është dhe do të jetë gjithmonë një sensacion i dashur global, arsyeja që familjet në të gjithë botën nuk mund të lënë një vit të kalojë pa parë dhe dashuruar Home Alone së bashku, është për shkak të Macaulay Culkin”.
Duke e quajtur performancën e Culkin ‘perfekt’ ajo shtoi; “E di që keni punuar shumë, e di që keni punuar, por e keni bërë aktrimin të duket si gjëja më e natyrshme në botë për t’u bërë”. /KultPlus.com
Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ekspozita “Motrat tona” shpërfaq një vepër feministe, konceptuale video arti, në të cilën motërzohet kryevepra e pikturës shqiptare “Motra Tone” e piktorit Kolë Idromeno.
Ekspozita “Motrat tona” është një aktivizëm artistik, kundër dhunës ndaj gruas shqiptare, në të gjitha format e ushtrimit të saj. Ekspozita “Motra tona” paraqitet përmes pesë video-instalimesh dhe dy instalacionesh pasqyruese, të shoqëruara nga një performancë ekzekutuese në ditën e hapjes.
“Motrat tona” është një motërzim i “Motrës Tone”, sa në imazh dhe figurë, aq më shumë si një transfigurim i tragjizmit të vajzës dhe gruas shqiptare, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 dhe e dhunës mbi bazë gjinore në vitet pasuese.
“Motrat tona” rikonceptualizon ikonën e “Motrës Tone” dhe e rikontekstualizon në aktualitetin e përditshmërisë së “Motrave tona”, që janë viktima të dhunës mbi bazë gjinore. “Motrat tona” rikonceptualizon ikonën e “Motrës Tone” dhe e rikontekstualizon në aktualitetin e përditshmërisë së “Motrave tona”, vajzave dhe grave që janë viktima të dhunës mbi bazë gjinore.
Figura e “Motres Tone” është marrë si imazh ikonik i vajzës dhe gruas shqiptare, e ngjallur në dukjen e artistes feministe Ms. Indefinite e cila duke u trupëzuar nën petkun e “Motrës Tone” ka përmbledhur në instalacionet dhe performancën e saj, imazhe, gjeste dhe lojë me ngarkesa kuptimore denoncuese ndaj dhunës mbi bazë gjinore.
Gërsheti i ekspozitës, gërshetohet në një performancë kriticizmi dhe aktivizmi në trajtat e dhunës mbi bazë gjinore, nga varrët që kullojnë gjak deri te kufoma që kthehet në skelet. /KultPlus.com
Para se të jetë vrasje është dhunë fizike… para se të jetë dhunë fizike është presion psikologjik, para se të jetë presion psikologjik është dhunë verbale… e para dhunës verbale është cenim i lirisë, kufizim, kontrollim… e dikur janë të gjitha bashkë në një rend që duket kaotik (por nuk është i tillë). Ne reagojmë kundër vrasjeve dhe këtë e bëjmë vetëm pasi vriten brutalisht gratë, por heshtim kur është dhunë psikologjike që ushtrohet çdo ditë ndaj tyre. Prandaj, gjithëherë jemi shumë vonë.
Ne heshtim përballë dhunës, Ne shohim dhe njohim dhunën, jemi dëshmitarë të dhunës në familje; çdo ditë lexojme për dhunën në shkolla; shohim pamjet e rrahjeve, përplasjeve dhe konflikteve fizike në hapësirat publike (ndonjëherë edhe bëjmë tifo); por në të shumtën e rasteve jemi vëzhgues pasiv dhe të heshtur të saj. Meqë nuk na ndodh neve, kujt i bën për të! E në fakt, dhuna modelohet. Kush dhunohet sot, mund të kthehet në një dhunues nesër… Kush e vëzhgon dhunën sot, mund të jetë demonstures i dhunës nesër. Por, ne heshtim përballë dhunës dhe kështu e kemi kthyer në një kulturë të pranueshme, pa e kuptuar që kështu po bëhemi një me të! Duke heshtur, inkurajojmë gabimisht gratë që të durojnë edhe dhunën fizike… I njohim dhe i shohim teksa ato dhunohen fizikisht, por prap heshtim, derisa ato të kthehen në viktima.
Ne heshtim përballë presionit dhe traumës psikologjike, Na rrëfejnë, i shohim dhe i dëgjojmë, jemi prap vëzhgues pasiv të përvojave që iu ndodhin nënave, motrave, vajzave tona… njohim dhe shohim dhunën, përmbajtja e të cilës nuk është fizike, por mund të jetë edhe më e rëndë se kaq – dhunë psikologjike e me pasoja afatgjate. Hulumtimet tregojnë që çdo e dyta grua e ka përjetuar provokimin e ndjenjës së frikës, rrezikut personal, apo kërcënimit të dinjitetit. Ju ftoj që për pak të mendoni se si është ndjenja e të qenurit në lëkurën e atyre që zgjohen me frikën e përjetimit të dhunës, si është të ballafaqosh për çdo mbrëmje kërcënimin që mund të mos jesh nesër?! Dhe, ne prap heshtim. Sepse kërcënimi nuk është aq i rrezikshëm sa vrasja, derisa nuk bëhet vrasje – për të qenë shumë vonë.
Ne heshtim kur cenohet liria, Harrojmë që ndonjëherë plagët e trupit, sado të rënda, peshojnë më pak se disa plagë shpirti. Harrojmë ndonjëherë, që çdo mjet që përdoret për të shkaktuar lëndime trupore, mund të jetë më pak i dëmshëm se sa gjuha, fjala, komunikimi denigrues që thyen ëndrrat e godet shëndetin e mirëqenien psikologjike… dhe përcjell gjithë jetën. Harrojmë, që kur cenohet liria, është dhunuar qenia, është zvetnuar humaniteti i saj, dhe ka vdekur pa e kuptuar. Prandaj, kufizimi, kontrollimi, imponimi janë shenjat e para të asaj që nesër mund të jetë vrasje. Dhe, nëse heshtim sot, nesër mund të jetë vonë.
Por, ne heshtim, e duke heshtur bëhemi një me dhunën dhe krimin. Pandehim pafajësinë, teksa sodisim me sy hapur se si shoqëria përjeton një kolaps vlerash dhe si lakmia merr tipare çmendurie. Teksa, vrasja e njeriut është një akt i vetëm, një shoqëri vritet në proces – gradualisht dhe me gjakftohtësi, kështu duke heshtur e duke e refuzuar fajin. Ne, jemi të parët për t’i gjetur arsyen një vrasjeje, por harrojmë që arsyet janë të shumëfishta e të ndërvarura. Harrojmë dhe injorojmë faktorë të panumërt, që na kanë kthyer në një shoqëri të dhunshme, në vrasës, në kanibal. Harrojmë që ne jemi bashkëfajtorë!
Ne heshtim, atëherë kur edukimi i fëmijëve është larg standarteve dhe renditemi të fundit në PISA, atëherë kur fëmijët tanë ekspozohen lirshëm në përmbajtje të tmerrshme agresive në platforma të ndryshme audio-vizuale, atëherë kur dëgjojnë dhe shijojnë me zë të lartë fjalor urrejtjeje dhe internalizojnë atë, atëherë kur superheronjtë e fëmijëve tanë janë tufa rrugaqërish, që nuk prezantojnë asnjë vlerë, atëherë kur përdhunohet intelekti ynë me atë që prezantohet dhe miratohet si vlerë dhe ku thashethemja është prioritet (që të mos përmend emra), atëherë kur fëmijët tanë përballojnë kriza të ndryshme identiteti, përjetojnë stres a antkh, e fshehim dhe nuk e diskutojmë me askënd. Ne heshtim dhe bashkë me heshtjen rrisim një brez fëmijësh që dhunën e kanë parë, e kanë dëgjuar, e kanë modeluar dhe presin për ta vënë në pah si “potencial”. Pastaj, kur ndodh vrasja jemi të zëshëm… protestojmë kur vriten gratë, dhe ky reagim zgjat disa ditë… dhe ne prap heshtim. Heshtim, dhe me heshtjen, vrasim qetas jo vetëm gratë, por gjithçka që na bën njerëzor.
Prandaj, është vonë të reagohet sot, e edhe më vonë do të jetë nesër, teksa dje kemi soditur rrënimin e secilës vlerë njerëzore (sot po bëjmë po kështu). Parandalimi është rruga e vetme, por mund të jetë edhe larg edhe vonë… por domosdoshmërisht duhet veprim. E parandalimi kultivohet në familje, në shkollë, në rrugë, në medie dhe është produkt i multisistemeve. Nuk është pronë e deklaratave të mira e kampanjave pa takt (të fragmentuara dhe të pakoordinuara), dënimeve verbale, por pronë e punës dhe e përkushtimit të mirëfilltë njerëzor. Është model – shembull. Le ta nisim nga vetja, nga familja jonë, në lagjen tonë, në shkollën e fëmijëve tanë, në vendin tonë të punës, për të krijuar një normë të re, që dhunën e sheh si të papranueshme dhe e lufton para se të nxjerrë krye! /KultPlus.com
“Fati i marrë” një libër homazh për historinë e Gjakovës
Shkruan : Blerim Valla
Në Gjakovë, organizuar nga klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” dhe Komuna e Gjakovës, është promovuar romani “Fati i marrë” i autorit Besnik Mustafaj.
Padyshim është kjo vepra më e mirë e shkrimtarit, politikanit dhe diplomatit të njohur. Është një roman i shkruar me plot mjeshtri dhe dashuri për Skënderbeun por edhe për shqiptarët. Brendia e tij është një shkrirje e historisë së mirëfilltë, ngjarjeve dhe personave të vërtetë me trillimin tipik që vetëm shkrimtarët si Mustafaj, dinë ta ndërtojnë, duke na bërë të pyesim mes asaj që ka ndodhur e asaj që mund të kishte ndodhur, pra : A është fati për shqiptarët paraprakisht i shkruar? A janë shqiptarët ata që nuk kanë mundur apo nuk kanë ditur t’i marrin në dorë frerët e fatit? Dhe a është i marrë fati që na ka ndjekur dhe që përherë na ka prirë si komb dhe si vend? “Fati i marrë” është një roman i përzier mes personazhesh të njohur e panjohur, real e imagjinar, një triller artistik i ndërthurur mes imagjinatës dhe të dhënave historike! Ky është roman distopik (roman distopik është një vepër letrare në të cilën shtjellohet një histori, e cila nga fillimi e deri në fund të tij është e sajuar nga shkrimtari) që ndjek fatin e marrë të Shqipërisë në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atë të viteve 1878 dhe më pas ngjarja zhvendoset në Shqipërinë e vitit 2022 e cila themelon institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Kurse dy personazhet e romanit “Fati i marrë” që e kanë frymëzuar autorin e tij janë diplomati Mal Berisha që në vepër është përkthyesi MB dhe publicisti Daut Dauti, që në roman është historiani DD. Kurse personazhi kryesor i romanit, ish- kryeministri i asaj kohe i Britanisë së Madhe, Benjamin Disrael, hyn si personazh i librit të Mustafajt, përmes trillit artistik të ndërtuar aq bukur nga autori.
Për librin “Fati i marrë”, para publikut të shumtë, në këtë promovim kanë folur shkrimtari e historiani Jusuf Buxhovi, studiuesja dr.Migena Arllati, Prof. Muharrem Kurti, dhe botuesi i librit Bujar Hudhri, pronari i shtëpisë botuese Onufri nga Tirana.
Kështu Jusuf Buxhovi duke marrë fjalën i pari, ka shpjeguar kontekstik historik që trajton tema e romanit, me personazh figurativ që po ashtu sjellin kohën e lavdisë nga figurat kombëtare. “Shkrimtari Besnik Mustafaj, në romanin e tij më të ri “Fati i marrë”, sikur ngreh çështjen e një enigme te një dashurie, e cila kohësisht ka dy pamje (njëra në mesjetë dhe tjetra në shekullin e kaluar), siç ka edhe dy personazhe historike të ndërthurura në përjetimin e saj imagjinativ (Gjergj Kastriotin-Iskander beun me të bijën e Hunijadit hungarez, Idunës dhe të Benjamin Disraelit, kryeministër britanik me Hanën, një malësore nga Veriu shqiptar). Kërkimi i “enigmës” së dashurisë paralele: asaj mesjetare (Gjergj Kastrioti-Iskander beut me Idunën hungareze) dhe të Benjamin Disraelit me Hanën malësore, nëpër rrugë historike (lufta e Skënderbeut kundër osmanëve e vetmja asokohe ndër popujt e pushtuar, dhe më vonë nëpër ato politike, nga koha e Kongresit të Berlinit e deri te pavarësia e Shqipërisë), që për referencë kanë pikëtakimin e shqiptarëve me britanikët në planin kulturor, diplomatik dhe shtetëror. Në këtë vorbull të dashurive paralele, shkrimtari ndërthur personazhet historike jashtë fakteve historike, kështu në dashurinë mesjetare shohim Gjergj Kastriotin-Iskander beun, pas takimit me Huniadin, para se të largohet nga beteja e njohur e Nishit, fillimisht të dashurohet me të bijën e mbretit hungarez, Idunën dhe mandej edhe të martohet (pas një konflikti me shumë intriga me princin grek Niketa). Ndërsa në dashurinë e vonshme, shohim kryeministrin britanik Benjamin Disraeli, me Hanën, gjatë qëndrimit në kullën e Resulajve, në veriun e Shqipërisë. Në këtë histori tragjike, që për Disraelin e kohës së rinisë, duket fare e pabesueshme por reale në një ambient të tillë jetësor të veriut të Shqipërisë , Hana sikur të zbriste nga bota e magjisë së përrallave, shfaqet “urë” që lidh dashuritë. Leja që Hana të shkojë me të huajin me arsyetimin thuajse mazohist të bashkëshortit “që ajo të jetë e lumtur”, dashuria e tyre rrugës si dhe martesa para se të shkojnë në Londër, në dukje të pakuptueshme për sjelljen e një familjeje fisnore patriarkale, ndërtojnë rrëfimin e një romance ndër më të parëndomtat, që është në gjendje t’i krijojë vetëm imagjinata krijuese e Mustafajt, gjë që arsyetojnë dashurinë e pakufishme për shqiptarët të kryeministrit britanik Benjamin Disraeli dhe të mbretëreshës Viktoria, mbi të cilën bazë ndërtohet edhe i gjithë koncepti i romanit” veçoi J. Buxhovi .
Kurse Migena Arllati, duke folur për veqorit e këtij libri, ka thnëë se libri bënë fjalë për vonesën e Shqipërisë për më se 3 dekada, për marrjën e pavarësisë, nisur nga fakti se Mustafaj në librin e tij parafytyron Shqipërinë e pavarur që nga viti 1878. Sipas saj, pjesë e librit “Fati I Marrë” , të shkruar në formë të trilerit që e bënë ate më joshës për lexuesit, është edhe pyetja “ ku do të ishim ne nëse nuk do të ndodhte ngjarja e përshkruar në këte libër. Ajo theksoi se titulli i romanit është marrë nga vargjet e veprës “Histori e Skënderbeut”:
“U ngrit fat’ i Shqipërisë/ si i vdekuri nga varri/ mori udhët e Azisë/ duke rendur si i marri”.
Romani që vjen i konceptuar si një vepër distopike na sjell parafytyrimin e një Shqipërie e cila e gëzon procesin e pavarësisë që në vitin 1878. Prozë distopike quhet proza në të cilën shtjellohet një histori, e cila që në themelin e saj, e detyrimisht gjithkund në trajtesën e mëtejshme, është e sajuar nga shkrimtari. Lexuesi vihet vetvetiu para një diskutimi qoftë edhe me vetveten, rreth kësaj që ne jemi sot, dhe asaj që do mund të ishim, sikur… Pra, ky trill autorial, na detyron të reflektojmë rreth shumëçkaje të ndodhur në arealin shqiptar, dhe sigurisht se veprimet gjeopolitike kanë ndikim direkt në historinë e zonës dhe popujve në të… Dhe mes shumë e shumë pyetjeve, nën pyetjeve, shtrohet ajo A jemi të pafat a jemi të paaftë? A është i marrë fati që kemi pasur?”, përfundoi dr. Arllati.
Ndërkaq, Muharrem Kurti, në fjalën e tij mes tjerash tha se “Besnik Mustafaj nuk është shkrimtar si Ben Blushi, Veton Surroi, Namik Dokle, etj të cilët edhe kur shkruajnë letërsi nuk mund ti ndahen politikës. Ndërsa Besniku (Mustafaj) e lë politikën dhe i kthehet letërsisë dhe atë me shumë sukses, si me këtë roman që po promovojmë sot”. Kurti poashtu potencoi se në pjesën e dytë të romanit “Fati i marrë”, autori i tij përmend edhe Gjakovën.
E Bujar Hudhri, nga shtëpia botuese Onufri, e cila ka botuar këtë roman, e ka cilësuar librin “Fati i marrë ” si veprën më të mirë të B. Mustafajt. “Që nga fillimi i krijimtarisë së tij, sidomos pasi i botuam librin “Boshi”, kam parë se z. Mustafaj, është një Ismail Kadare i ri! Pata bekimin dhe fatin të kem një shkrimtar si Besniku, një shkrimtar të madh që më kishte munguar në shtëpinë botuese Onufri! ” , theksoi z. Hudhri.
Përpos tre referuesve të paraparë, në këtë promovim për romanin në fjalë dhe për autorin kanë folur edhe dr.Kamber Kamberi dhe shkrimtari Lulzim Logu.
Dhe krejt në fund, autori i romanit Besnik Mustafaj, i emocionuar evokoi shumë kujtime për Gjakovën, duke e patur si epiqendër të romanit Malësinë e Gjakovës. Ndër të tjera, autori tha se “Kjo imagjinatë me personazh e me ngjarje të zhvendosura aty ku kam dashur unë, të jep shijen e në rrëfimi për ti kujtuar edhe figurat edhe ngjarjet që janë zhvilluar dikur dhe kanë mbetur me peshë për fatin tonë, por edhe për ti bërë nderim qytetit të Gjakovës dhe gjakovarëve. Me një fjalë ky roman është një libër homazh qe i bëj historisë së lavdishme të Gjakovës! Ne Malësia e Gjakovës, si Tropoja, Bajram Curri etj, i kemi borgj moral Gjakovës! Për gjithë këtë Gjakova është epiqendër e ngjarjeve të këtij romanit tim më të ri!
Ideja për këtë roman më lindi kur lexova romanin e Benjamin Disraelit “Naltësimi i Iskanderit”, me përkthim të Mal Berishës dhe menjëherë më erdhi pyetja: Ҫfarë do të kishte ndodhur me fatin tonë sikur Benjamin Disraeli ta kishte shprehur këtë dashuri ndaj pasardhësve të Skënderbeut nëpërmjet vendimeve politike që do të merrte kur u bë Kryeministër i Anglisë, 46 vjet pas udhëtimit të tij në viset shqiptare? Romani im është distopik. Unë përfytyroj që në vitin 1878, kur e morën pavarësinë, Bullgaria, Serbia e disa vende të tjera, e mori dhe Shqipëria. Në vazhdim, më vonë, Shqipëria është vend anëtar themelues i BE dhe NATO-s, një nga demokracitë më funksionale në Evropë, me mirëqenie të lartë, etj. E gjithë kjo është si ta tregosh një ëndërr apo një përrallë të bukur, por duhet ta bësh të besueshme për lexuesin”, përfundoi z. Mustafaj.
Duhet cekur se botimi i romanit “Fati i marrë” përkon edhe me 65-vjetorin e lindjes së Besnik Mustafajt, njërit prej shkrimtarëve më të shquar bashkëkohorë shqiptarë, i përkthyer në shumë vende të botes dhe fitues i shumë çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare. Ai është lindur në Bajram Curr, më 23 shtator 1958 dhe është shkrimtar i mirënjohur shqiptar, por edhe një politikan, diplomat, dhe përkthyes. Veprat e tij janë të botuara në shumë gjuhë si shqip, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, greqisht, arabisht, turqisht etj. Ka fituar çmimin Mesdhetar për letërsi me librin e tij “Daullja prej letre” më 1997, si dhe shumë çmime të tjera. Veprat tjera të tij më të njohura janë: Motive të gëzuara, Pragu i verës, Fytyrë burri , Bregu i lumit të kthjellët, Vera pa kthim, Shqipëria, midis krimeve dhe mirazheve, Një sagë e vogël, Daullja prej letre, Ditari i një ambasadori në Paris, Boshi, Autoportret me teleskop, Bishti i kometës, Ëndrra e doktorit, Prishur gjate rrugës, Fati etj. /KultPlus.com
Rilindje më 8 tetor 1963 dhe e dyta, “Kush e din…”, botuar katërmbëdhjetë ditë më pas, më 22 tetor 1963.
Më poshtë po ua sjellim këto dy poezi të mrekullueshme të shkruara nga Rugova.
Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës./ KultPlus.com
Njihet si shkrimtari me potencial profeti i romanit distopik “1984”, apo alegorinë te “Ferma e kafshëve”. Përveçse autor i këtyre romaneve dhe disa librave tjerë të rëndësishëm, ishte para së gjithash një eseist. Me qindra ese të tij të shkruara përgjatë dekadave prekin një larmishmëri të madhe temash, nga letërsia te politika dhe filozofia. Në njërën prej këtyre eseve, “Pse shkruaj”, jep katër arsye të mundshme.
EGOIZËM I PASTËR: Një nga arsyet pse dikush fillon të shkruajë mund të jetë dëshira për t’u dukur i mençur, për të qenë temë diskutimi mes të tjerëve, për t’u kujtuar pas vdekjes, për të sfiduar ata fëmijët popullorë që të injoronin kur ti ishe fëmijë. Është mashtrim të pretendosh se ky nuk është një motivim për të shkruar, e madje është një motivim i fortë. Shkrimtarët e kanë këtë karakteristikë të përbashkët me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarët, biznesmenët e suksesshëm – me pak fjalë, me bërthamën e njerëzimit. Pjesa dërmuese e qenieve njerëzore nuk janë shumë egoistë. Pasi arrijnë në moshën tridhjetë vjeç, shumica braktisin ndjenjën e të qenit individualë – dhe jetojnë kryesisht për të tjerët. Por ka një pakicë të vogël me dhunti, njerëz që me paramendim janë të vendosur të jetojnë jetën e vet si qëllim në vetvete dhe shkrimtarët janë në këtë kategori. Shkrimtarët seriozë, më duhet të them, janë në tërësi më vanitozë dhe e shohin veten si qendra e botës më shumë se sa gazetarët, megjithëse janë më pak të interesuar për para.
ENTUZIAZËM ESTETIK: Perceptimi i bukurisë në botën e jashtme, ose në anën tjetër, te fjalët dhe radhitja e duhur e fjalëve. Kënaqësia në impaktin e një tingulli mbi një tjetër, në fortësinë e prozës së mirë apo në ritmin e një tregimi të mirë. Dëshira për të ndarë një eksperiencë që dikush ndjen se është e çmuar dhe nuk duhet të humbet. Motivi estetik është shumë i dobët mes shumë shkrimtarëve, por dhe një pamfletist apo shkrimtar librash shkollor do të ketë fjalë apo fraza të parapëlqyera të cilat e joshin atë për arsye jo-utilitare; ose ai mund të ndjehet më mirë mbi tipografinë, mbi gjerësinë e anëve, etj. Çdo libër përtej nivelit të një udhërrëfyesi hekurudhash nuk mund të jetë pa të menduar estetik.
IMPULS HISTORIK: Dëshira për të parë gjërat siç janë dhe për të gjetur faktet e vërteta e për t’i ruajtur ato për përdorim nga brezat pasardhës.
QËLLIM POLITIK: Përdorimi i fjalës ‘politike’ në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Dëshira për ta shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idetë e njerëzve të tjerë mbi llojin e shoqërisë që ata duhet të kërkojnë të kenë. Edhe këtu, nuk mund të ekzistojë një libër i pastër i pandikuar apo i paanshëm politikisht. Mendimi se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën është në vetvete një mendim politik. /Hejza/ KultPlus.com
Në vitin e largët 1989, kur isha student në Universitetin e Prishtinës, duke u solidarizuar me minatorët e Trepçës që ishin hedhur në grevë për të mbrojtur autonominë e Kosovës, ne ishim mbledhur në palestrën e sporteve mbi mensën e studentëve. Bashkë me ne, ia behnin edhe shumë profesorë universitarë, studiues, shkrimtarë, intelektualë etj. Në mesin e tyre më pat rënë në sy edhe dr. Ibrahim Rugova, i cili u afrua pranë një grupi studentësh prej 11 vetash, në mesin e të cilëve kisha rastisur edhe unë. Ngaqë nuk kishte vend për të gjithë, ne ishim ulur në parket. Po ashtu, edhe ai u ul këmbëkryq në mes nesh.
Ajo që më bënte përshtypje, ishin cigaret që i ndizte njërën pas tjetrës, qetësia engjëllore e tij, biseda e ngrohtë, modestia e pakundshok. Fliste pa asnjë eufori, por me një urtësi të rrallë. Teksa qëndronte me ne, në një çast më ra në sy se dikush u shpërndante mollë studentëve. Mirëpo, kur u afrua te ne, fatkeqësisht i mbeti vetëm një kokërr. Duke shprehur keqardhje që s’kishte për të gjithë ne, mollën e vetme ia zgjati dr. Ibrahim Rugovës, mbase në shenjë respekti si më i vjetër që ishte. Dhe ai e mori me një qetësi të mistershme duke e ngushëlluar atë që të mos mërzitej fare se do ta ndante bashkë me ne. Të them të drejtën, në fillim e mora si një shaka të tij. Por, pasi e përfundoi bisedën që e kishte nisur, ktheu kokën mbrapa dhe i numëroi sa veta ishim gjithsej përreth tij. Dhe, me gishtat e tij të gjatë e të ashpër e çau mollën përgjysmë. Pastaj ato i ndau në 11 pjesë të vogla dhe të gjithëve na e zgjati nga një copë. Më të voglën e mbajti për vete.
Kështu 11 studentë, si dhe dr. Ibrahim Rugova arritëm ta hanim një kokërr molle. E pabesueshme, por e vërtetë.Kështu u ngulit në kujtesën time ky njeri i jashtëzakonshëm. Dhe më vonë, kur u bë prijës i shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë më binte ndër mend ndarja e mollës. Dhe thoja vetmevete: Ky njeri, një kokërr molle e ndan me gjithë Kosovën, e jo më me 11 veta sa ishim ne studentët afër tij. Këtë e dëshmoi deri në frymën e fundit, ai vetëm i dha Kosovës, nuk i mori asgjë./ KultPlus.com
Shqipëria, e quajtur shpesh “perla e pazbuluar e Evropës”, ofron peizazhe të mahnitshme, histori dhe kulturë të pasur dhe ngrohtësinë e banorëve të saj vendas, shkruan në një artikull Justyna Romańczyk të botuar në revistën polake “MojChorzow”.
Në Shqipëri mund të përjetoni gjithçka që është më e mira në këtë vend magjepsës.
Ja disa arsye pse ia vlen të zgjidhni Shqipërinë për pushimet tuaja:
Eksperiencë unike: Shqipëria është një destinacion turistik më pak i njohur, gjë që i bën pushimet një eksperiencë unike, larg plazheve të mbushura me njerëz dhe rrugëve tipike turistike.
Bukuria Natyrore: Nga majat e maleve te plazhet e pacenuara e deri te ujërat e kristalta të liqenit të Ohrit, Shqipëria ofron bukuri të jashtëzakonshme natyrore.
Kultura dhe historia e pasur: Shqipëria ka një histori të pasur, që nga koha ilire, përmes ndikimeve romake dhe osmane, deri në të kaluarën e saj komuniste. Ju mund të eksploroni këto aspekte shumështresore të kulturës së vendit.
Shije unike të kuzhinës shqiptare: Shqipëria ofron një kuzhinë të larmishme dhe plot shije mesdhetare. Ju mund të shijoni specialitetet lokale.
Përballueshmëria: Shqipëria është një nga destinacionet më të përballueshme në Evropë e cila ofron çmime të përballueshme për pushime.
Akomodim i sigurt: Shqipëria ofron akomodime në hotele dhe resorte të sigurta që plotësojnë standardet e larta të sigurisë dhe rehatisë.
Zbulimi i vendeve të reja: Shqipëria ofron shumë vende dhe atraksione më pak të njohura, por po aq magjepsëse, që ia vlen të zbulohen. Ju mund të eksploroni këto xhevahire të fshehura.
Udhëtimi në Shqipëri është një mundësi për të zbuluar një nga vendet më unike dhe magjepsëse në Evropë, duke garantuar rehati dhe përvojë të paharrueshme. / KultPlus.com
Shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Visar Zhiti feston sot 71-vjetorin e lindjes. Shkrimtari lindi në Durrës, 2 dhjetor 1952.
Në rininë e tij u përndoq nga regjimit komunist. Ai ka mbajtur detyrat më të larta në institucionet shqiptare si deputet, ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar.
Në vitin 1973, ai shkroi përmbledhje me poezi, Rapsodia e jetës së trëndafilave. Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës, në të cilin Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që tërhiqeshin nga kultura perëndimore.
Poeti i ri u bë një nga viktimat politike të diktaturës. Dorëshkrimi i përmbledhjes, dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist.
Ai u arrestua më datë 8 nëntor 1979. U dënua në një gjyq farsë në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg. Nga burgu i Tiranës transferohet në burgun e Qafë Barit dhe në vijim në burgun famëkeq të Spaçit, i njohur për kushtet e këqija, keqtrajtimet dhe torturat që pësonin të burgosurit.
Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe nisi punën në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste karriera e tij si shkrimtar, publicist, diplomat pati vetëm arritje.
Visar Zhiti përfaqëson figurën e njeriut të bukur dhe të qëndrestarit, që nuk e theu regjimi me trajtimin mizor në burg e jashtë tij./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vrasja e Liridona Ademajt është krim montruoz e që duhet të marrë dënimin e merituar.Reagimi i Presidentes vjen një ditë pasi u arrestuan tre të dyshuar për këtë rast, përfshirë edhe bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli.
Osmani ka thënë se ky “krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar” për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.
Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive.
Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.
Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale.
Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme. / KultPlus.com
Sot shënohet 79-vjetori i lindjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ibrahim Rugova lindi në Cerrcë më 2 dhjetor 1944 dhe ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar; u njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.
Duke pasur si pikëmbështetje Shoqatën e Shkrimtarëve, qe ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike mbarëpopullore, e cila u shndërrua në parti, u nis një fushatë paqësore kundër Serbisë. U zgjodh që në fillim kryetar i saj që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë.
Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.
Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.
Presidenti Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake./ KultPlus.com
Maria Kalas, fenomeni i jashtëzakonshëm i një shpërthimi të beftë, që mbushi me dritë skenat e errta të tragjedive operitike dhe lartësoi në famë kumbimin drithërues të një zëri. Shkëlqimi i fuqishëm i këtij ylli do të reflektonte në një qiell që nuk ishte gjithnjë i kthjellët. Megjithatë ajo u shua duke mbetur një vezullim në universin e lavdisë.
U tha se ishte një fëmijë i padëshiruar, sepse lindi vajzë. Prindërit e Maria Kalas, pas vdekjes së djalit të vetëm Vassilis, të dëshpëruar, shkuan aq larg me padurimin e tyre për të patur një djalë, sa të këshilloheshin me një astrolog. Kur Maria lindi, e ëma ishte aq e shqetësuar dhe e zhgënjyer sa refuzoi ta shihte vajzën e vogël për katër ditë më radhë. Ndoshta edhe për shkak të këtij fillimi të keq, marrëdhënia e Marias me të ëmën kaloi për një farë kohe nëpër një terren të thyer. Vetë ajo rreket ta dëshmojë, duke shtuar se: “Motra ime ishte elegante, e bukur dhe miqësore dhe nëna ime preferonte gjithmonë atë. Unë isha rosa e shëmtuar, e shëndoshë dhe e plogët dhe jopopullore. Është mizore të bësh një fëmijë të ndihet i shëmtuar dhe i padëshiruar… Nuk do ta fal kurrë që më largoi tutje fëmijërinë. Gjatë gjithë viteve mund të kisha luajtur dhe të isha rritur, unë isha duke kënduar ose duke bërë para”. E megjithatë nëna mbetet nënë, dhe nëna e Marias e dëshmoi këtë përmes një sakrifice ngadhënjyese për të ndjekur me insistim ëndrrën e madhe të së bijës. Me mundësitë kundër ajo u përpoq dhe arriti.
Maria Kalas ishte dhe mbeti legjendë e shekullit që lamë pas. Çdo përpjekje e saj për të arritur majat do të kalonte nga një dritë e fuqishme si një shkrepëtime. Ajo diti se si të hidhte hapat për tu ngjitur në skenën e operës dhe atë të lavdisë. Kishte gjithnjë diçka ndryshe, një vezullim të hirshëm dhe një vokal të fuqishëm, melankolik, të mallshëm, pikëllues dhe shpërthyes. Zotëroi skenat e mëdha dhe pushtoi zemrat e një admiruesi të rafinuar mbarëbotërorë.
I ra të hidhej hovshëm në krahët e dashurisë dhe t’i blatonte një shpirt të pastër dhe të dritshëm këtij vullneti. U desh edhe të rrëzohej me plagë të rënda, të ringrihej dhe të luftonte, të dashuronte dhe të rrezatonte. Jetoi tragjikisht në skenë, në personazhe, por edhe në jetë.
Vallë po e ndiqte mallkimi i fëmijës së padëshiruar? Ndoshta shpesh shumë gjëra janë të parathëna, sepse përvojat e kaluara i ushqejmë hera-herës, siç bëri Maria, e cila megjithëse arriti të ngjitej ndoshta më lart se asnjëra e kohës së saj, zemra e çoi në delir, sikurse e degdisi në zemërthyerje. Faji i saj, i fatit, apo çfarë?!
Megjithatë ajo ishte dhe mbeti Maria Kalas, legjenda e një shekulli që u shua më 16 shtator 1977, nga një atak në zemër, kur ishte vetëm 53 vjeçe, kur kishte bërë të pavdekshëm kreshtat operistike, Violetta, Tosca dhe Norma,
“Shpërndani hirin tim në detin Egje. Do të përqafoj Ariston tim, nëpërmjet ujërave të detit?”.
Ky do të ishte amaneti i fundit i divës, këngëtares lirike Maria Kalas. Shkoi me paqe në shpirt dhe me plagë në zemër. Vdekja e saj ishte shuarja e një ylli. Ishte mbyllja e një sipari që magjepsi botën, fikja e një zëri që ende përshkon kujtesën e sublimes së artit. Ishte kapitulli mbyllës i një legjende, i një jete mbushur me lavdi dhe humbje, përshkruar nga lumturia e pamasë dhe hidhërimi i thellë; nga duartrokitjet e pambarimta, shprehje e suksesit në skenat botërore si dhe vuajtjet e shpirtit; një karakter dëshmues i një force të madhe dhe i një brishtësie delikate; një gërshetim cilësish dhe dobësish njerëzore, si rrallë herë të ndeshura tek një njeri, të mbizotëruara nga fama dhe dështimi, që përcaktojnë dritëhijet e jetës së artistes, por dhe të femrës së jashtëzakonshme.
Kalvari i gjatë i jetës artistike dhe i asaj private do të gërshetohej në mënyrë të tillë sa duket e pabesueshme për të qenë e vërtetë. Bota e artit do të kishte të pamundur të pikaste mes yjeve të shkëlqimta të skenës së një shekulli një personalitet të përmasave të tilla si Maria Kalas. Ajo jetoi duke rrokur një interesim të pagjasë të publikut, një ngulm të medies, një lavdi që ishte shkruar në skenë për të reflektuar në qiell. Edhe vdekja e saj e parakohshme rroku një pikëllim të të njëjtave përmasa sa dhe të gjallët, gjithçka e saj, nga hapi fillues në sfidat e skenës deri në pragun e beftë të ndalimit të zemrës. /albertvataj/ KultPlus.com
Britney Spears është këngëtare e huaj shumë e njohur. Britney Jean Spears ka aktruar dhe ka marrë pjesë në disa show televizivë që në moshë të vogël.
Albumi i parë i Spears, “…Baby One More Time”, u publikua në vitin 1999 dhe u bë sukses ndërkombëtar. Ai është albumi më i shitur nga një artiste adoleshente. më 12 Janar 1999 Britney Spears publikon albumin e parë të saj “…Baby One More Time” më 16 Maj 2000 nxjerr albumin e dytë “Oops!… I Did It Again” thyen rekordet e shitjeve. Më 31 Tetor 2001, Britney hodhi në treg albumin me titull “Britney” dhe në të njëjtën kohë mori pjesë në filmin “Crossroads”.
Më 12 Nêntor të vitit 2003 u publikua albumi i katërt, “In the Zone”, në të cilin përfshihet single-i hit “Toxic”. Në 2007-n, lufta personale e Spears me publicitetin e shumtë që kishte e çoi karrierën e saj drejt një boshllëku. Britney Spears u rikthye në treg me albumin e saj të pestë i cili u publikua më 25 Tetor 2007, “Blackout”, pjesë e të cilit janë hitet “Gimme More” dhe “Piece of Me”.
Problemet për këngëtaren vazhduan edhe në vitet pasuese. Rehabilitimet e shpeshta dhe çrregullimet nisën të ishin në qendër të vëmendjes. Në 28 Mêmtor 2008, Britney Spears publikoi albumin me titull “Circus” ku përfshihej kënga “Womanizer”. Për të promovuar albumin ajo zhvilloi tour-in “The Circus Starring Britney Spears”, i cili ishte një nga më të suksesshmit në vitin 2009. “3” është titulli i single-it të tretë i cili zuri vendin e parë në klasifikimet e “Billboard Hot 100″. “Femme Fatale” është albumi i shtatë i Britney-t, i cili u publikua në vitin 2011. Ai është albumi i parë i artistes ku tre nga single-at e tij, “Hold It Against Me”, “Till the World Ends” dhe “I Wanna Go”, u renditën në dhjetëshet më të mira në Shtetet e Bashkuara.
Britney Spears mori pjesë në jurinë e sezonit të dytë të talent show-t “The X Factor” në Amerikë. Albumi i tetë i artistes u publikua në vitin 2013, me titull “Britney Jean”, dhe ka shënuar numrin më të vogël të shitjeve në karrierën e saj. Britney Spears, ikona e pop-it të viteve ’90 dhe artistja adoleshente më e shitur e të gjitha kohërave konsiderohet si princesha e pop-it. RIAA e ka emëruar Spears-in si artisten e tetë më të shitur në Amerikë me 34 milionë albume të shitura. Në 2012-ën, në një klasifikim të Forbes për artistët më të paguar të vitit, Britney zuri vendin e parë me 58 milionë$.
Në vitin 2005, Britney Spears publikon albumin “B In The Mix: The Remixes”.
Në vitin 2007, Britney Spears publikon albumin “Blackout”.
Në vitin 2008, Britney Spears publikon albumin “Circus”.
Në vitin 2009, Britney Spears publikon albumin “The Singles Collection”.
Në vitin 2011, Britney Spears publikon albumin “B In The Mix: The Remixes Vol. 2”. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama në episodin e 12 të sezonit të dytë të Podkastit “Flasim” kishte të ftuar tenorin shqiptar me famë botërore Ramë Lahaj, të cilin e cilësoi një tjetër yll të Shqipërisë, Kosovës, shqiptarisë.
“Një zë i mahnitshëm, që si disa të tjerë zëra, por më pak i njohur si i tillë këtu në Shqipëri”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “ti ke një histori shumë interesante, në fakt si të gjithë ata shqiptarë të Kosovës që i përkasin këtij brezi, fëmijëria e të cilëve u përcaktua në njëfarë mënyrë brenda kornizës së një tragjedie dhe pastaj e kapërcyen atë kornizë dhe në fusha të ndryshme kanë arritur të bëjnë suksese të admirueshme. Dhe prandaj unë do ta filloja nga këtu. Ti në moshën 15 vjeçare, flas me ti, besoj nuk ke ndonjë problem, ne e kemi bërë këtë marrëveshje kur jemi takuar. Në moshën 15 vjeçare në mes të një situatë dramatike largohesh bashkë me familjen”.
Duke e falënderuar Kryeministrin Rama për ftesën, tenori Ramë Lahaj tha se “përsa i përket rrugëtimit për vite të tëra e kam provuar ta diskutoj mes miqsh kur kemi folur për rrugëtimet tona, kur fillimisht iu thosha që nuk kam shkuar as në kopsht sepse nuk kishte kopsht në fshatin ku isha rritur unë. Për shumë ishte periudha e viteve ’90 kur shkollat shqipe dhe po mbylleshin dhe gjithë shkollimi dhe i fillores, por dhe i shkollës së mesme ka qenë i improvizuar sepse mblidheshim nëpër shtëpi private siç e dini rrugëtimin e viteve ’90 të Kosovës. Pastaj në ’99 ngaqë lufta na kishte ardhur në shtëpi edhe sigurisht e ndihmonim luftën gjithsecili në formën e vet, por edhe unë si 15 vjeçar edhe pse isha kaq i gjatë sa jam sot, dashje padashje kam qenë pjesë e saj. Kam kaluar dhe e njoh dhimbjen në palcë të gjithë atij rrugëtimi edhe pse si fëmijë. Pastaj pas asaj kur u kthyem nga Shqipëria për në shtëpi, në Kosovë filloi lufta tjetër pas një kohe në Maqedoni dhe si mllef i kësaj të parës, ishim të vegjël, u bëmë disa shokë për ta ndihmuar atë luftën e dytë që ishte sot kur e mendoj, si duket mllefi, dhimbja ngarkesa ishte shumë e madhe dhe mendonim sikur po kontribuonim e po bënim diçka. Gjithsesi kam vazhduar pas luftës një shkollë që kisha nisur para luftës, një shkollë që ishte një drejtim i ri sepse ishte fundi i viteve ’99 edhe filloi atëherë një drejtim i ri që ishte për IT, që nuk kisha lidhje fare”.
Lahaj tha se “kam pasur privilegjin si fëmija më i vogël, i teti në radhë realisht t’i mbaroja studimet në Akademinë e Arteve dhe kjo ka qenë një lloj shtyse sepse vija pa background muzikor, gjithsesi talenti ishte sepse unë jam malësor në një farë forme. Ne jemi nga Rugova e Pejës. Jo, në familje përveç meje s’kemi pasur fare lidhje as me artin as me kulturën. Në vitet ’90, ne thjeshtë jetonim për të mbijetuar dhe fukarallëku që kishim, por dhe gjithë rrugëtimi tonë prandaj e lidha shumë shpejt me mbas luftën ku unë mbarova shkollën si IT që s’kishte fare lidhje se tipi im është shumë energjik, unë kam nevojë të dal, të jem aktiv, jo të mbyll ditën para një kompjuteri që bën zhurmë gjithë ditën. Pas mbarimit të shkollës së mesme, pas lufte kam pasur një vakum dy vjeçar ku nuk dija çfarë të bëja sepse nuk kisha bagazhin për të studiuar shkencën, por dhe e kisha emrin Ramë për t’ju bashkangjitur estradës, por e them kështu”.
Më tej Lahaj tregoi se si ka nisur studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë.
“Kam qenë diku në moshën 21 vjeçare kur kam filluar po them eksperimentimin se çfarë dua të studioj, çfarë dua të bëj. Dhe në atë periudhe pedagogët e parë që kam takuar, madje atëherë bëhej dasma Arbëreshe në Prishtinë. Ka qenë dhe profesor Kastriot Tusha dhe unë po i vrapoja mbrapa për t’i marrë një mendim nëqoftëse kam vërtete zë për të studiuar në muzikë sepse më dukej sikur muzika ishte më e kollajtë se shkon e bërtet dhe mbaron. Kështu që, gjithë takimet e para me pedagogë kanë qenë gjithmonë, ky ka qenë komenti që je shumë vonë”, theksoi Lahaj.
Në fakt, vijon Lahaj, mbase kam dështuar në audicionin e parë të Akademisë së Arteve për ato 3, 4, 5 muaj që kisha filluar të punoja me pedagogë, qoftë pak në solfezh, qoftë pak në kanto që unë jam dhe sot e kësaj dite shumë falënderues sepse vërtetë të më vijë mua sot një talent i ri me gjithë këto kualitete do ta kisha të vështirë të gjeja forcën ta suportoja me gjithë ato mungesa në një moshë të tillë, kështu që ka qenë pas dështimit të audicionit të parë të Akademisë së Arteve.
“Pastaj audicioni i dytë ka qenë pas 6-7 muajsh nëse nuk jam gabim dhe i jam futur studimit dhe në proces e sipër edhe ndihma po dhe vokali po zhvillohej dhe për mua ishte akoma interesante për të kuptuar dhe për të realizuar si një qenie humane mundej të nxirrte një vokal që ishte më shumë sesa normale që unë kisha dëgjuar edhe pse vija nga një zonë që komunikonim me dorë pas veshit”, tha Lahaj.
Tenori Lahaj vuri në dukje se pas Akademisë së Arteve ka pasur një moment pauze.
“Në fakt më kishte dalë një dirigjent gjerman që erdhi në Opera atëherë. Donte të më jepte një bursë për të bërë një master në Gjermani. Shkova, nuk më pëlqente shumë, nuk ishte ajo që kërkoja, ajo teknika italiane dhe e kisha lënë dhe isha kthyer në Prishtinë. Në Prishtinë si opsion i vetëm ishte televizioni, sepse në atë periudhë ndodhej vetëm filarmonia e Kosovës. Ajo kishte një kor, nuk e gjeja veten. Dhe kam filluar të punoja në televizion dy vjet për fatin tim shumë të mirë të, ku kam mësuar dhe shumë PR e televizioneve, nga prodhimi i emisioneve dhe shumë gjëra të tjera. Pas 1 vit e gjysmë afërsisht derisa prapë nga dora e shqiptarëve të tjerë, miq besoj shumë të përbashkët tanë, si Ermonela Jaho, Fadil Berisha, Sajmir Pirgu po ashtu, në takimet e tyre për punët e tyre ose “shooting” që i kam pasur për projekte të përbashkëta, Ermonela i thotë Fadilit që kam një djalë në Kosovë që ka kualitete shumë të mira, po s’kam asnjë kontakt. Dhe kështu ka filluar nga Ermonela tek Fadili, nga Fadili tek televizioni sepse kishte mik që unë punoja dhe shefen time të asaj kohe. Pastaj tek Inva Mula, pastaj tek Sajmiri që më jep dorën e artë për të vazhduar karrierën”.
Pyetjes së Kryeministrit Rama se cili ishte pastaj momenti i parë jashtë Kosovës ku u ngjit në skenë, Lahaj iu përgjigj se “edhe kjo ka qenë një rrugëtim që e ka pasur atë lloj sfide, ku vetëm forca dhe vetëbesimi i brendshëm që unë mund ta bëja, më ka mbajtur gjallë po themi, për ta vazhduar ëndrrën përpara. Në produksionin tim të parë që kisha bërë në një audicion në Gjermani, pas tre javëve, domethënë kisha bërë audicionin, më kishin dhënë rolin dhe kisha filluar provat. Pas 3 javësh unë s’isha akoma gati, pavarësisht kualiteteve, nuk isha gati as për skenën, as për aspektin muzikor dhe vjen drejtori e më thotë, me gjithë dëshirën për të të suportuar, për të ndihmuar nuk po funksionon, domethënë ke akoma shumë kohë. Edhe pse kisha studiuar për rolin 3 muaj, një pedagog që punoja atëherë në Itali, ishte edhe pedagogu i Sajmirit. Jam kthyer prapë, e kam rimarrë dhe njëherë edhe gjithë teknikën, gjithë gjërat në këtë rrugëtimin tim, gjërat që mungonin sepse nuk vija nga një feedback muzikor, edhe kam filluar në Gjermani prapë në një teatër më të vogël që është afër Hamburgut dhe pastaj për 3-4 vite pothuajse, kam bërë xhiro në teatrot më të rëndësishëm të asaj kohe”.
Rama tha se “çfarë ndodhi konkretisht me këta që thua se të dhanë dorën? Çfarë bëri Ermonela për ty? Çfarë bëri Sajmiri për ty? Çfarë bëri Inva për ty?”.
“Po fillimisht po të mos ishte Ermonela që kishte parë një koncert tek Radio- Televizioni i Kosovës, nuk do të shkonte muhabeti tek Fadili që është një mik i madh i shqiptarëve dhe unë kam privilegjin ta kem mik, i cili nuk ka lënë shqiptar të ekranit po them, pa ndihmuar kur ka pasur mundësinë dhe Fadili ishte në bashkëpunim shumë të afërt me Invën, i kishte bërë dhe asaj një llaf, pastaj njeriu i vetëm që e njihte shumë mirë dhe kualitetin tim vokal ishte Sajmiri dhe Sajmiri në atë periudhë po këndonte në teatrin më të rëndësishëm të Europës, domethënë ishte dora më e kollajtë sepse e dinte saktë çfarë më mungonte në natyrën e vokalit të një tenori dhe në atë periudhë më çon tek një pedagogu i tij dhe një menaxher që e kishte ndihmuar atë në fillim dhe kaq mjaftonte, sepse pjesën tjetër të punës pastaj e kisha vendosur shumë kohë më përpara që duhej të luftoja për të”, theksoi Lahaj.
“E mo mirë, flasim njëherë për “pushtimin” e skenave pastaj po deshe flasim edhe për “pushtimin” e zemrave se s’besoj të jesh me deficite edhe aty, por kjo është një pjesë që unë hyj vetëm me lejen tënde dhe pa lejen tënde, nuk futem aty. Dhe ke pasur edhe një moment, besoj unë, te bukur ndër shumë momente me Placido Domingon dhe me nderimin që të ka bërë ai ty, me një çmim, medalje”, tha Rama.
Tenori Lahaj theksoi se “në fakt, kjo ka ardhur pasi unë isha në sezonin tim të 4, 5, diçka të tillë. Unë doja ta bëja konkursin e Placidos, por atëherë kur unë kisha bërë aplikimin, nuk isha mjaftueshëm i mirë për të më selektuar për ta bërë konkursin. Pastaj, pas disa vitesh më merr ekipi, na kontakton ekipi i Domingos për edicionin që bëhej në Meksikë, Operalja, është pak a shumë – për njerëzit që nuk e njohin shumë botën e operas, – si të thuash Oskar i filmit është Operalja për botën operistike. Realisht unë isha në sezonin tim të 4, që kisha bërë xhiron e teatrove që më kishin dhënë mundësinë, pastaj privilegji ose eksperienca me Domingon ka qenë ajo që për 4 vite me radhë, pas Operales 2016 në Meksikë, ne kemi bërë xhiro në të gjithë botën duke bërë aktivitete bashkë. Domethënë në Ramën e ri, Domingo kishte gjetur temperament në këndim dhe në të gjitha ato që bënim bashkë, të një Placidos të ri dhe kjo ka qenë ajo kimia që na ka mbajtur për disa vite bashkë, domethënë për 4 vite me radhë, pas 2016, ai gjithmonë nëpër aktivitete të tij ka prezantuar Operalen me prezencën time me aktivitete nëpër botë, kudo”.
Tenori Lahaj foli edhe për “Ramë Lahaj International festival”.
“Tani ne jemi në vitin e 4, futemi në vitin e 4 të edicionit “Ramë Lahaj International festival”. Është emëruar kështu sepse ishte më kollaj të krijonim një pako ku dhe miqtë të na bashkëngjiteshin më kollaj sepse sigurisht nuk kishim fonde për të krijuar një platformë, për të mbështetur një platformë aq të madhe sa ç’e kisha unë me qejf. Unë jam i lumtur që, madje sot në rrjetet sociale para se të vija këtu, shoh disa studentë, madje njëri prej tyre po bënte një produksion në “La Scala”, i cili është edhe pjesë e Teatrit të Operas këtu dhe na është bashkëngjitur gjatë gjithë kohës në workshopet e verës ku ne e kemi mbështetur dhe me udhëtimin apo akomodimin e aplikacionet për gjithë këto audicionet, këto aktivitetet qe bëhen kështu që kjo më jep një lloj sodisfaksioni vërtetë shumë të madh. Më përmbush dhe ai 98% i përmbushjes sime ka ardhur më shpejt për të realizuar dhe projekte të tilla sepse e kam parë pas 10 vitesh, një dekadë që realisht nuk është shumë i rrugëtimit të karrierës sime, e kam parë që kam filluar të intrigohem për të bërë diçka në një vend ku ne nuk kemi pasur traditë operistike. Mua në shtëpi nuk më kanë kuptuar për muzikën dhe artin që kam bërë. E kemi filluar në 2019 diku me 700 ulëse ne sheshin e Prishtinës, ndërsa këtë vit ne kemi pasur afërsisht rreth 10 mijë spektatorë në shesh, që do të thotë edhe momenti që unë ua prezantoj miqve këtë lloj projekti, kur e shohin që sheshi i Prishtinës është i vogël për ta përmbledhur gjithë atë dashurinë e madhe po them edhe për Ramën, edhe për artin, edhe për shumë të tjera, më duket sikur i jam afruar atij 98% të imagjinatës sime për ëndrrat e mëdhaja që kam pasur”, nënvizoi Lahaj.
Kryeministri Rama u shpreh se “besoj që do të ishte bukur, sepse patjetër që koncertet apo festivalet janë njëra anë, janë një gjë fantastike. I japin larmi jetës kulturore dhe sociale, se nuk është diçka që ndodh shpesh që njerëzit mund të mblidhen në sheshin e Prishtinës apo të Tiranës për të admiruar dikë prej tyre, që nuk është një i rënë nga qielli, po është një i dalë nga toka dhe kjo është gjë e bukur. Por një sistem pak më i strukturuar për të përfituar po themi nga kjo fuqi që ju keni marrë tani, qoftë e impaktit të shembullit, qoftë edhe e eksperiencës dhe aftësisë për t’ia kaluar të tjerëve, do të ishte diçka shumë e bukur. Se siç e the edhe vet, edhe për hir të vërtetës të gjithë e kanë një histori të ngjashme në këtë botë të artit, të muzikës, ku konkurrenca është e jashtëzakonshme dhe duket bile çudi që si ka mundësi, sepse imagjino se sa janë ata që duan të ngjiten në skenë dhe duan të marrin po atë rol. Dhe historia e secilit është historia e një takimi, e një dore që shtrihet në vendin e duhur në momentin e duhur”.
Tenori Lahaj tha se “absolutisht meqë përmendët teatrin kryeministër, unë e kam për detyrë të të falënderoj për gjithë atë punë të mrekullueshme që është bërë në Teatrin e Operas, projektin e parë që e kanë. Biles një nga stafi juaj këtu po më thonte që në kohën e pandemisë unë kisha bërë një ripërpunim të këngës “Për ty Atdhe” dhe sigurisht introja, hapja e këtij projekti, e kemi xhiruar tek salla e Teatrit të Operas që s’ishte akoma gati për ta shfrytëzuar, perdet dhe një moment që na duhej në backstage. Kështu që unë jam lumturuar shumë me punën që është bërë, sepse tetari duhet të bëhej. Shqipëria ka shumë yje në botën operistike, sikundër i ka në fusha të tjera, sidomos për artin operistik. Unë jam lumturuar sepse është shtëpia ime dhe e gjithë artistëve. Jam shumë dakord dhe e kam parë Ermonelën që vjen kohë pas kohe, po kjo ka qenë në fakt edhe një lloj shpagimi, sepse unë po të mos ishin këto emra që ne i përmendëm, unë nuk do të isha këtu, nuk do të kisha këtë eksperiencë jetësore dhe profesionale”.
Kryeministri Rama theksoi se “realisht mua më vinte shumë zor kur hyja në atë teatër. Ai teatër ka qenë prej shumë vitesh aty, por kur unë isha nxënës në Liceun Artistik ose student në akademinë e Arteve, atëherë në institutin e Arteve dhe që shkoja herë pas here ne koncerte, ne s’kishim pika referimi, s’kishim pika krahasimi dhe ai dukej një gjë shumë e veçantë e megjithatë ishte në një farë mënyre i mirëmbajtur në atë varfërinë e vetë, pastaj mbasi ndryshuan kohërat dhe mbasi ndryshoi sistemi, ai teatër filloi të degradojë në një mënyrë të frikshme dhe kur unë mora këtë detyrë e kisha një nga objektivat në kokë që duhet bërë patjetër, por ti the Prishtina s’e ka akoma. Nuk besoj se ka, se akoma nuk i ka mundësitë që ta ketë. Edhe ne na u desh kohë për të krijuar mundësitë për ta patur dhe sot e kemi, besoj dinjitoz. Është bërë një punë shumë e kujdesshme për ta kthyer në një teatër, se dëgjoja atëherë që thoshin ky s’ka akustikë, ky është tmerr. Tani janë të kënaqur me akustikën sepse është bërë një punë shumë specifike dhe me akustikën për të vendosur dhe panele siç duhet e të tjerë, që ti i di shumë më mirë”.
“Kur kam hyrë tek Teatri i Kukullave aty jam tmerruar fare dhe thashë nuk mundet, nuk mundet, nuk mundet, duhet patjetër. Edhe ky është një borxh tjetër që dhe besoj do ta shlyejmë së shpejti sepse ka filluar puna për Teatrin e Fëmijëve, ashtu dhe për Teatrin Kombëtar, por këto janë investime realisht të rënda dhe jo në thonjëza për vende si tonat, që duhen bërë patjetër”, tha Rama.
Lidhur me ndryshimet në Shqipëri tenori Lahaj tha se “ajo ç’ ka unë shoh në të vërtetë është shoh një Tiranë që është zhvilluar shumë. Shoh një Tiranë që ka marrë formatin e një metropoli dhe ky trend i zhvillimit, sidomos në Shqipëri ne na mbush zemrën plot. Gëzohem kur shoh gjithë këtë zhvillim që po ndodh, qoftë në infrastrukturë, qoftë në gjithçka tjetër që nuk sillet vetëm rreth Tiranës, por rreth gjithë Shqipërisë, edhe në pikën e fundit atje që dikur kur bënim studimet, 2004-2005 kur shkonim në Dhërmi duhet të llogarisnim që duhej të udhëtonim 2 ditë e gjysmë”.
Ndërsa për prishtinën Rama tha se ” Prishtina po merr një frymë të re kohët e fundit, me mundësitë që i ka, sigurisht, dihet. Më herët e preka pak që ndoshta Prishtina dhe Kosova akoma nuk i ka mundësitë, por po besoj që me ato mundësi që ka ndryshimet mund të bëhen, ndoshta sepse nuk janë të mëdha, por ndryshimet mund të bëhen. Unë besoj që edhe në Prishtinë edhe në Kosovë ndryshimet po bëhen dhe unë shpresoj shumë që, duke bërë të gjithë ne presion nga fushat që vijmë, si unë me atë që dalim më shesh dhe i them gjithë sheshit dhe thërras dhe kryetarin e kryeqytetit”./atsh/ KultPlus.com
Rita Ora është bashkuar me ekipin që qëndron pas dokumentarit më të fundit të Nirvanas për të prodhuar filmin e saj për kulturën rinore në Kosovë.
Në një intervistë për tabloidin britanik The Sun, Rita tha: “Jam në mes të xhirimeve të një dokumentari për kulturën e nëndheshme të fëmijëve”.
“Gjashtëdhjetë për qind e popullsisë sonë është nën moshën 35 vjeç, e cila është super e re. Kjo tregon se ka kaq shumë zemërim dhe zhgënjim që po ndodh nën të gjitha kufizimet që na është dashur të shohim në historinë e vendit tonë. Kam punuar me producentë që janë vërtet të apasionuar pas Kosovës dhe prej nga jam unë. Të bësh muzikë dhe të jesh e hapur është padyshim e diskutueshme”, tha Rita për The Sun. / KultPlus.com
Edicioni i gjashtë i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” këtë vit u shënua me sopranon Elbenita Kajtazi, mbrëmje kjo që dhuroi tejet emocion e që po vazhdon edhe më tej.
Tejet e emocionuar nga kjo mbrëmje e organizuar nga gazeta KultPlus, ka mbetur edhe sopranoja Elbenita Kajtazi e cila sot i ka dedikuar një shkrim në shenjë falënderimi, organizatorëve të këtij eventi, KultPlus-it dhe themelueses Ardianë Pajaziti.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Sot arrita të ulem dhe të reflektoj ngadalë se çfarë emocione të papërshkrueshme kam përjetuar në mbrëmjen e 27 nëntorit.
Faleminderit nga zemra Kosova ime, faleminderit shumë e dashur Ardianë Pajaziti për ftesën faleminderit KultPlus.com për punën e palodhshme, të gjithë ju të rinjë e të reja që ju takova atë mbrëmje, jeni inspirim për mua.
Uroj që projekti “Ta zbardhi ftyrën” të vazhdoj të sjell emra që janë inspirues për të rinjët. Qëllimi im ka qenë gjithmonë që një ditë edhe unë të frymëzoj fëmijët, e të gjithë ata që kanë ëndërra të mëdha, ashtu siç unë u frymëzova dhe gjeta forcën të ndjekë pasionin tim. Unë falemnderoj nga thellësia e shpirtit secilin nga ju që ishit prezent në sallë,dhe të gjithë ju që u kujdesët për mua në mbrapa skenë, Flutura Dedinja për fustanin e bukurë, Arbëresha për grimin.Një faleminderim i veçant shkon për pianisten time të dashtun Camille Lemonnier të cilës saherë ja përmendi Kosovën nuk heziton asnjëherë të më bashkangjitet.
Uroj të kthehem shpejtë në tokën time, e edhe unë të jap kontributin tim ashtu siç ëndërroj gjithmonë.
Ju përqafoj të gjithëve shumë e me mall. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar Presidentin Rugova në përvjetorin e lindjes së tij.
Kujtimi i plotë i Presidentes Osmani:
“Sot e kujtojmë ditëlindjen e ideatorit e arkitektit të Kosovës së pavarur, presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës. 2 dhjetori na e kujton rrugëtimin tonë drejt lirisë e pavarësisë dhe na e forcon bindjen për fuqizimin e përditshëm të saj, ngase ajo ndër të tjera, është e lidhur edhe me jetën e një njeriu, i cili i dha kuptim asaj, njëherë si shkrimtar e intelektual, e pastaj si prijës politik i popullit të vet, duke u bërë model për gjithë njerëzimin. I përjetshëm kujtimi për prijësin tonë historik!”