Në kuadër të projektit për njohjen më të mirë të pasurive arkeologjike në arealin e Shkodrës, DRTK Shkodër prezanton “Qytezën” e Gajtanit, një vendbanim i lashtë, pozicionuar në shpatet e dy kodrave të larta.
Në shek. VII pr.K periudhë e lulëzimit të këtij vendbanimi, u rrethua me mure të gjëra, të cilat edhe sot janë të ruajtura mirë, dhe arrijnë një trashësi deri 3,5 metra. Ata janë të ndërtuar me gurë të mëdhenj me punim të paktë, që duken si shkëmbinj të mëdhenj, të vendosur një mbi një, pa ndonjë lidhje llaçi.
Është ruajtur edhe një portë e “Qytezës”, e zbuluar nga gërmimet e kryera aty në vitet `60.
Fortifikimi i Gajtanit është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, në vitin 1971. Vendbanimi i fortifikuar ilir i epokës së hekurit gjendet mbi një kodër të veçuar në verilindje të fshatit Gajtan, 5 km në lindje të Shkodrës. Shtresa më e hershme kulturore i takon bronzit të vonë e fillimit të epokës së hekurit. Kjo ndiqet nga shtresa kulturore e periudhës së hekurit të zhvilluar, gjatë së cilës vendbanimi ka pasur jetë intensive. Kësaj kohe i takojnë disa furra dhe shumë enë me trajta tipike të qeramikës ilire. / KultPlus.com
Apple ka lëshuar një përditësim urgjent për shumicën e pajisjeve të saj.
Përdoruesve të iPhone, Mac dhe iPad u është kërkuar të instalojnë përditësimin e ri – ose të rrezikojnë që pajisjet e tyre të sulmohen nga hakerat.
Përditësimi rregullon një gabim sigurie që mund t’i lejojë sulmuesit kibernetikë të depërtojnë në pajisjet Apple përmes shfletuesit të tyre të internetit.
Shfrytëzimi i tij do të lejonte “ekzekutimin arbitrar të kodit”, termi teknik kur sulmuesit kanë akses të plotë për të ekzekutuar çdo kod që u pëlqen në një pajisje, shkruan The Independent.
Përditësimet e reja numërohen me iOS dhe iPadOS 17.1.2 dhe MacOS 14.1.2. Ekziston gjithashtu një përditësim për shfletuesin Safari që rregullon problemin.
Apple tha se ishte “në dijeni të një raporti që kjo çështje mund të ishte shfrytëzuar” me pajisjet që përdornin versionet e hershme të iOS. / KultPlus.com
Ish anëtarja e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Sandra Day O’Connor, një zë i palëkundur i konservatorizmit të moderuar dhe gruaja e parë që shërbeu në gjykatën më të lartë të vendit, vdiq të premten. Ajo ishte 93 vjeç.
Zonja O’Connor vdiq në Feniks, nga komplikimet që lidhen me demencian dhe një sëmundje të frymëmarrjes, tha Gjykata e Lartë në një njoftim për shtyp.
Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts tha përmes një deklarate se “Gruaja nga pjesa jugperëndimore e Amerikës, Sandra Day O’Connor la gjurmë historike si gjykatësja e parë femër e vendit tonë”. “Ajo punoi me vendosmëri, aftësi të padiskutueshme dhe angazhim të sinqertë”.
Në vitin 2018, ajo njoftoi se ishte diagnostikuar me “fazat fillestare të demencias, me gjasë e shkaktuar nga sëmundja e alcajmerit”. Burri i saj, John O’Connor, vdiq nga ëasojat e të njëjtës sëmundje në 2009.
Ajo ishte mbesa e një amerikani që udhëtoi në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara nga Vermonti dhe ndërtoi fermën familjare rreth tre dekada përpara se Arizona të bëhej shtet. Zonja O’Connor ishte këmbëngulëse dhe kishte një shpirt të pavarur. Si fëmijë, që u rrit në një rajon rural t vendit, ajo punoi me kuajt, bagëti dhe makineri bujqësore si traktorët dhe kamionët.
“Unë nuk i bëra të gjitha gjërat që i bënin djemtë”, tha ajo në një intervistë për revistën ‘Time’ në vitin 1981, “megjithëatë, kam riparuar mullinjë ere dhe gardhe”.
Në Gjykatën e Lartë, ndikimi i saj ishte i theksuar në vendimet e gjykatës për abortin, çështja më përçarëse me të cilat u përballën gjykatësit. Zonja O’Connor nuk pranoi t’i lejojë shtetet të shpallin të jashtëligjshëm shumicën e ligjeve të abortit, duke refuzuar në vitin 1989 të bashkohet me katër gjyqtarë të tjerë që ishin gati të anulonin vendimin historik të vitit 1973 Roe kundër Wade, që e bëri abortin të drejtë kushtetuese.
Më pas, në vitin 1992, ajo ishte pjesë e shumicës prej pesë anëtrëve të Gjykatës së Lartë, që riafirmuan vendimin e vitit 1973 për abortin. “Disa e konsiderojnë abortin një ofendim të parimeve të tyre, por kjo nuk mund të ndikojë mbi vendimin tonë”, tha zonja O’Connor në gjykatë, duke lexuar një përmbledhje të vendimit të vitit 1992. “Detyrimi ynë është të përcaktojmë lirinë e të gjithëve, jo të fusim në fuqi kodin tonë moral”.
Tridhjetë vjet më vonë, Gjykatë e Lartë, me një shumicë konservatore përmbysi vendimin e vitit 1973 për abortin. Vendimin e shumicës e shkruajti gjykatësi Samuel Alito. Ai zëvendësoi zonjën O’Connor më 2006, pasi ajo doli në pension. Presidenti George W. Bush e emëroi zotin Alito në postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe kandidatura e tij u miratua nga Senati.
Në vitin 2000, zonja O’Connor ishte pjesë e shumicës në një votim që i dha fund zgjedhjeve të debatueshme presidenciale të vitit 2000 në favor të kandidatit republikan George Bush, i cili ishte në garë me rivalin e tij demokrat Al Gore.
Zonja O’Connor u vlerësua me shumë dashuri nga shumë kolegë të saj. Kur ajo doli në pension, gjyqtari Clarence Thomas, një konservator i vijës së ashpër, e quajti atë “një kolege të shquar, që fliste me kujdes kur votonte kundër shumicës (në Gjykatën e Lartë) dhe nuk mburrej kur votonte me shumicën”.
Sidoqoftë, ajo me raste i shprehte pikëpamjet e saj edhe në mënyrë më thumbuese. Një nga veprimet e saj të fundit si gjyqtare ishte vota kundër kundër vendimit të Gjykatës së Lartë për të lejuar qeveritë vendore të sekuestrojnë pronat personale për të lejuar kompanitë private të ndërtojnë qendra tregtare, ndërtesa për zyra dhe objekte të tjera. Ajo paralajmëroi se shumica e gjyqtarëve vendosi në mënyrë të pamatur duke u dhënë akoma më shumë pushtet entiteteve të fuqishme. “Fantazma e këtij vendimi tani rrezikon të gjitha pronat”, shkroi ajo. “Asgjë nuk e pengon tani shtetin që të zëvendësojë çdo shtëpi me një qendër tregtare, apo çdo fermë me një fabrikë.”
Zonja O’Connor, të cilën komentuesit dikur e quanin gruaja më e fuqishme e vendit, mbeti gruaja e vetme anëtare e Gjykatës së Lartë amerikane deri në vitin 1993, kur Presidenti Bill Clinton emëroi gjykatësen Ruth Bader Ginsburg, diçka që ajo e priti me kënaqësi dhe lehtësim. Gjykata aktualisht ka katër gjyqtare, numrin më të madh të grave anëtare në historinë e saj.
Reagimi i madh ndaj emërimit të zonjës O’Connor e kishte habitur atë. Ajo mori më shumë se 60,000 letra në vitin e saj të parë si gjyqtare, më shumë se çdo anëtar në historinë e gjykatës. “Nuk e kisha idenë kur u emërova se sa do të thoshte emërimi im për shumë njerëz në mbarë vendin”, tha ajo. “Emërimi im i preku njerëzit në një mënyrë shumë personale. Njerëzit e panë atë si një sinjal se ka mundësi të pakufizuara për gratë. Emërimi ishte i rëndësishëm për prindërit e vajzave dhe për vetë vajzat”.
Nganjëherë, publiciteti i vazhdueshëm ishte pothuajse i padurueshëm. “Unë kurrë nuk e kisha pritur këtë e as që kisha dëshirë të madhe të bëhesha anëtare e Gjykatës së Lartë”, tha ajo.
Pas daljes në pension, zonja O’Connor shprehu keqardhje që ajo nuk u zëvendësua me një grua. Ajo mbeti aktive në qeveri edhe pasi u tërhoq nga gjykata. Ajo punoj si gjyqtare në disa gjykata federale të apelit, mbrojti pavarësinë e gjyqësorit dhe shërbeu në Grupin Studimor të Irakut. Ajo gjithashtu u emërua në postin e nderit të kancelares në Kolegjin ‘William dhe Mary’ në Virxhinia.
Zonja O’Connor përmendi përballjen e të shoqit me sëmundjen e alcajmerit si arsyen për largimin nga gjykata.
Gjatë punës si anëtare e Gjykatës së Lartë, zonja O’Connor në përgjithësi favorizonte shtetet në mosmarrëveshjet që kishin me qeverinë federale. Ajo shpesh mbante anën e policisë kur ata përballeshin me pretendime për shkelje të të drejtave të njerëzve. Në vitin 1985, ajo e shkroi vendimin e gjykatës pasi u vendos që rrëfimi i një të dyshuari kriminal, të cilit i janë lexuar fillimisht të drejtat e tij, mund të përdoret si provë gjatë gjykimit edhe nëse policia ka shkelur të drejtat e të dyshuarit ndërsa ishte marrë në pyetje mëparë.
Zonja O’Connor ishte 51 vjeç kur ajo iu bashkua gjykatës duke zëvendësuar Potter Stewart që kishte dalur në pension. Një e panjohur në skenën kombëtare deri në emërimin e saj, ajo kishte shërbyer si gjykatëse e shtetit të Arizonës dhe para kësaj si anëtare e legjislaturës së shtetit të saj.
Ajo ishte diplomuar më rezultate të larta në fakulteti juridik të Universitetit të Stanfordit, në vitin 1952. Zonja O’Connor tha se shumica e firmave të mëdha ligjore atëkohë nuk punësonin gra, ndërsa ajo e filloi karrierën si sekretare.
Në fund të vitit 1988, zonja O’Connor u diagnostikua me kancer të gjirit dhe iu nënshtrua një operacioni për heqjen e gjirit. Gjatë kësaj kohe ajo nuk doli në punë vetëm për dy javë.
Zonja O’Connor u ndje e turpëruar në vitin 1989 pasi republikanët konservatorë në Arizona përdorën një letër që ajo kishte dërguar për të mbështetur pretendimin e tyre se Shtetet e Bashkuara janë një “vend i krishterë”. Letra e vitit 1988, e cila shkaktoi disa kritika të ashpra ndaj zonjës O’Connor nga studiues ligjorë, citonte tre vendime të Gjykatës së Lartë në të cilat diskutohej trashëgimia e krishterë e vendit.
Ajo tha se i vinte keq për përdorimin e letrës në një debat politik. “Nuk ishte qëllimi im të shpreh një pikëpamje personale mbi këtë temë”, tha në atë kohë zonja O’Connor./VOA/ KultPlus.com
Të enjten më 30 nëntor janë bërë 1 vit prej kur OpenAI lansoi chatbotin me Inteligjencë Artificiale, ChatGPT, një platformë që fitoi popullaritet të menjëhershëm në mesin e shumë përdoruesve.
Popullariteti i ChatGPT bëri që shumë gjigantë të teknologjisë sikurse Meta dhe Google të punonin në mjete të ngjashme me AI.
“Një vit më parë, këtë natë kemi qenë në zyrë me gjasë duke realizuar detajet e fundit në ChatGPT, përpara lansimit të nesërmen në mëngjes. Çfarë viti!”, ka shkruar CEO i kompanisë OpenAI, Sam Altman në rrjetin social X, për përvjetorin e parë të platformës.
Por pse ChatGPT fitoi kaq shumë popullaritet dhe si arriti që të transformojë botën përgjatë 1 viti? Euronews ka përmbledhur së paku tre ndryshimet që solli ChatGPT në botën e teknologjisë gjatë kësaj periudhe.
1 – ChatGPT përshpejtoi revolucionin e Inteligjencë Artificiale
OpenAl lansoi platformën për gjenerimin e imazheve nga teksti “DALL-E” dhe GPT-3.5, përpara se të lansonte ChatGPT-n më 30 nëntor të vitit 2022.
Chatboti u bë mjeti ‘online’ më i shpejtë i adoptuar në botë, me mbi 1 milion përdorues në 5 ditë. (Rekordi u thye nga Threads i Meta-s, i lansuar në korrik).
2 – ChatGPT sfidoi dominimin e Google
ChatGPT sfidoi dominimin e gjigantit teknologjik Google, në fushën e përkthimit dhe marrjes së informacionit. Microsoft investoi miliarda në OpenAl, duke integruar teknologjinë e ChatGPT në shërbimet e tyre si një pjesë e përpjekjeve për të rivalizuar Google.
3 – ChatGPT shpërfaqi aftësi të reja
Nga kodimi deri te përmbajtja krijuese, ChatGPT ka bërë teknologjinë e Inteligjencës Artificiale më të qasshme për publikun e gjerë. Përdorimi i këtyre mjeteve në fusha si puna dhe shkolla ka bërë që këto aftësi të sjellin një ndryshim të madh në mënyrën se si e përdorim teknologjinë në jetën tonë të përditshme.
Inxhinierët e Al-s, janë disa nga ekspertët më të kërkuar, me paga që pritet të arrijnë deri në 300 mijë euro në vit.
Megjithatë, ndonëse ka sjellë inovacion dhe mundësi të reja, ChatGPT nuk ka qenë pa polemika.
Shqetësimet për shkeljen e të drejtave të autorit dhe impaktin e saj në kulturë dhe art janë ende të diskutueshme.
Sidoqoftë ky vit i parë ka treguar një histori të ndryshimit dhe ndikimit të madh në fushën e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale./alsatm/KultPlus.com
Hajdutët kanë vjedhur pjesë të një skulpture plumbi të artistit bashkëkohor gjerman, Anselm Kiefer nga një magazinë në Francë, që përfaqëson një humbje prej më shumë se 1 milion dollarë, tha një prokuror të premten.
Kiefer, 78 vjeç, është i njohur për skulpturat dhe instalimet e tij të zymta që përballen me të kaluarën naziste të vendit të tij, të cilat shiten për miliona.
Disa nga veprat e tij kanë paraqitur libra të mëdhenj të plumbit, shkruan Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Hajdutët hynë në mjediset e magazinës së artistit në qytetin Croissy-Beaubourg, në lindje të Parisit, të enjten para agimit, sipas prokurorit në qytetin e afërt të Meaux, Jean-Baptiste Bladier.
Vjedhja është e fundit që synon Kiefer-in, me vjedhjet e mëparshme që mendohet se kanë pasur për qëllim fitimin e parave të vlerës së plumbit që ai përdor, në vend të vetë pjesëve të artit.
Artisti humbi artin me vlerë 1.5 milion dollarë në një grabitje në të njëjtin vend në vitin 2016.
Kiefer luajti në një dokumentar 3D të regjisorit gjerman Wim Wenders të titulluar Anselm, i cili u shfaq jashtë konkurrencës në festivalin e fundit të filmit në Kanë./KlanKosova/KultPlus.com
Nuk ishte ditëlindja ime ose ndonjë rast special. Patëm zënkën e pare mbrëmë. Ai tha shumë gjëra të këqija që më lënduan. E di që i vjen keq dhe që nuk i mendon ato që tha. Sepse ai më solli lule sot.
Mora lule sot. Nuk ishte përvjetori ynë apo ndonjë rast special. Mbrëmë, ai më përplasi pas murit dhe më goditi. Dukej si makth. Nuk mund ta besoja se ishte reale. U zgjova e lënduar në mëngjes dhe me të nxira. E di që atij duhet t’i ketë ardhur keq. Sepse ai më solli lule sot.
Mora lule sot. Nuk ishte Festa e Gruas ose ndonjë rast special. Mbrëmë, ai më rrahu sërish. Dhe ishte më keq se herën e kaluar. Po e lashë atë, çfarë do të bëj? Si do të kujdesem për fëmijët e mi? Po për para’ si do ja bëj? Por e di që atij duhet t’i ketë ardhur keq. Sepse ai më solli lule sot.
Mora lule sot. Sot ishte një rast special. Ishte dita e funeralit tim. Mbrëmë, më në fund ai më vrau. Më rrahu për vdekje. Sikur të kisha patur aq kurajë dhe forcë për ta lënë, Nuk do të kisha marrë lule… sot.
Një pikturë e mjeshtrit të shekullit të 15-të, Sandro Botticelli, e regjistruar si e zhdukur që nga vitet 1980, është gjetur në një shtëpi në Italinë jugore.
Përshkrimi i Virgjëreshës Mari dhe Krishtit të mitur u zbulua në një shtëpi në qytetin e Gragnano, pranë Napolit, sipas Njësisë së Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Karabiniere të Napolit, transmeton Klan Kosova.
Piktura e artistit të famshëm vlerësohet nga autoritetet italiane të jetë me vlerë të paktën 100 milionë euro (109 milionë dollarë). Ajo u porosit për Kishën Katolike Romake më 1470.
Vepra 58 x 80 centimetra e pikturuar me tempera në dru, ishte varur në një kishë në periferi napolitane të Santa Maria la Carità që nga fillimi i viteve 1900.
Kur një tërmet dëmtoi kishën në vitin 1982, piktura iu dha nga famullia një familjeje vendase të quajtur Somma për ruajtje, sipas një zëdhënësi të ministrisë italiane të kulturës, i cili i tha CNN-it se ekziston një dekret zyrtar në dosje që ua beson pikturën atyre, dhe ata nuk po përballen me asnjë hetim penal.
Për vitet e para pasi familjes iu besua piktura, autoritetet lokale kontrolluan gjendjen e saj, duke i këshilluar se ku ta mbanin dhe duke ndihmuar në lëvizjen dhe pastrimin e saj.
Por, për disa arsye kontrollet ndaluan në vitet 1990 dhe piktura u rendit në inventarin e punimeve të munguara të ministrisë së kulturës.
Lista përditësohet shpesh dhe këtë verë piktura u gjurmua te familja Somma, e cila e kishte ekspozuar në shtëpinë e tyre gjatë viteve, tha komandanti Massimiliano Croce gjatë prezantimit të gjetjes.
Pas gjurmimit të degës së familjes që mbante aktualisht pikturën, policia punoi me kryebashkiakun lokal, i cili tashmë ishte në dijeni të pranisë së Botticelli-t në shtëpinë e Somma-s dhe ndihmoi për të ndërmjetësuar marrjen e saj, tha Croce.
“Kjo është një vepër krejtësisht e panjohur për publikun, e cila tashmë do të ekspozohet sërish falë ndërhyrjes së shtetit. Ne vepruam në mënyrë administrative, pa iu drejtuar Prokurorisë apo sekuestrimit, falë edhe ndërmjetësimit të kryetarit të bashkisë”, tha Croce.
“Familja vazhdon të mbajë titullin e veprës, e cila megjithatë do të ruhet në një muze”, shtoi Croce.
Piktura, e cila do të ketë nevojë për restaurim të gjerë, tregon Virgjëreshën Mari, me flokë bionde të mbuluara nga një vello, duke mbajtur një foshnjë topolak Jezus në prehrin e saj – ngjashëm me përshkrimet e tjera nga Botticelli, sipas ministrisë së kulturës.
I mungon pak bojë dhe është gërvishtur, ndoshta gjatë tërmetit në vitet 1980 dhe në lëvizjet e mëpasshme të shtëpive.
Mendohet të jetë një nga pikturat e fundit të mjeshtrit, i cili vdiq më 1510.
Piktura përfundimisht do të ekspozohet në një nga muzetë kombëtarë në Napoli, por restaurimi do të zgjasë të paktën një vit, sipas ministrisë./KlanKosova/KultPlus.com
Sot është 1 dhjetor, por, për shkak të të shumëpriturit liberalizim vizash, sot ka filluar numërimi mbrapsht: 31, 30, 29, 28, 27,..1. Boom!
Shteti që s’po kthehet mbarë, do ta kuptojë që këto fishekzjarre nuk janë për Vitin e Ri, por për liberalizim vizash. Një kaçik në gojë nga darka e fundit, një kofer në dorë dhe… Evropë, pritmë se erdha! Do të nisemi me vargun e Fishtës në mend: Ah, Evropë, ti kurva e motit! Dhe kështu të frustruar e të eksituar do t’ia mësyjmë asaj. Nëse ajo nuk na jep çfarë kërkojmë, do t’ia marrim me zor. Do të punojmë dhe do t’ia punojmë.
Nga frika e të frustruarve, Evropa, po të kishte këmbë, para një janarit do të ikte të fshihej dikund mbrapa Azisë, apo mbrapa diellit. Por, s’ka këmbë. Italia duket si njëfarë këmbe, po s’mund t’i ikësh me një këmbë, atij që ta ka mësyrë me dy këmbë dhe me urrejtje ndër dhëmbë. Do ta zëmë Evropën dhe do t’ia bëjmë atë që ia bëri Zeusi Evropës. Na erdhi dita.
Sigurisht që e dramatizova pak, se pritja e gjatë dhe ardhja e ditës, më në fund, meritojnë pak dramë.
Tingëllon pak e çuditshme, por, për shumicën kosovare, vetëm një çerek shekulli pas çlirimit, vjen liria, ajo e madhja, liria e lëvizjes nëpër Evropë. Pra, ka një vijë suksesi: çlirimi (1999), pavarësia (2008) dhe liria (2024). Kjo e fundit është një sukses i shtetit, një sukses që do t’i nxjerrë në shesh dështimet e shtetit. S’ka punë këtu, shkon atje! S’ka shkollë këtu, shkon atje! S’ka pare këtu, shkon atje! S’të vlerësojnë këtu, shkon atje!
Kjo liri, më shumë se Evropën, duhet ta trembë Kosovën. Faktet thonë që Kosova është vendi më i vogël, më i varfër dhe më i shëmtuar në Ballkan. Patriotizmi thotë: sidoqoftë, është e jona. Pra, mendja e di, por zemra s’e pranon.
Megjithatë, gjatë 25 vjetëve (saktësisht: 24 e gjysmë), përveç atyre që edhe pse kanë marrë frymë në Kosovë, kanë pasur luksin të jetojnë jashtë realitetit kosovar, të gjithë të tjerëve në vazhdimësi u ka plasë zemra. Janë miliona arsye pse sot janë zemërplasur dhe me ditë të numëruara (duke pritur 1 janarin). Fajtorë për këtë janë të gjitha partitë politike, të gjitha qeveritë tona, të gjithë ATA dhe të gjithë NE.
Edhe pse nuk besoj që më 1 janar do të ndodhë mrekullia përrallore, që do të ikim dhe do të jetojmë të lumtur, prapëseprapë mendoj se një mrekulli e vogël do të ndodhë: mrekullia e të pasurit alternativë. S’të rrihet këtu, shko ku të duash! Deri tash, t’u nejtë, a s’t’u nejtë, është dashtë me trusë qaty, se s’ke mujtë me ikë.
Tash që po vjen liria e lëvizjes, secili mund t’i thotë vetes dhe tjetrit: lëviz, se nuk je lis!
Prandaj, 1 janari është njëfarë mrekullie.
Kulmi i patriotizmit ka qenë lufta. E mira e patriotizmit: çlirimi. Nga 1999 e këndej, patriotizmit veç sherrin ia kemi pa. Fëmijët e vitit 1999 (dhe ata të lindurit pak para luftës, ose kurdo pas luftës), nuk kanë pse të jenë viktima të nacionalizmit, as të patriotizmit; ata do të shohin se ku mund të jetojnë më mirë, dhe aty do të ndalen, do të shkollohen ku të duan, do të dashurohen e, po deshën, edhe mund të martohen, me kë të duan. Këta që shkojnë atje nuk janë si ata që vijnë këtu. Ata, fëmijët e diasporës sonë, janë viktima të nacionalizmit të prindërve të tyre. Ata jetojnë atje, por detyrohen ta gjejnë fatin (a taksiratin) këtu, punojnë atje, por duhet të investojnë këtu. Prandaj vetëm këta që kanë jetuar këtu pas lufte, e dinë (ose e marrin me mend, dhe shpejt do ta shohin me sy) se kudo tjetër është më mirë se këtu. Këtë e dinë edhe patriotët zemërplasur, e di çdo qytetar, i varfër e i pasur.
Unë edhe pse s’do ta shijoj epokën Post-2023 si shumë kosovarë (për shkak të shtetësisë shqiptare që kam, kjo epokë tek unë ka ardhë më parë), vazhdoj prej vitesh t’ia bëj vetes pyetjen, të cilën nga viti tjetër do ta bëjnë të gjithë kosovarët, nëse do të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë: pse rri këtu, kur mund të shkoj kudo tjetër?
Janë dy arsye potenciale: patriotizmi dhe shprehia.
Por unë s’jam ndonjëfarë patrioti. Kam lidhje emocionale me vendlindjen, me njerëzit, sigurisht. Kam kujtime, por edhe ëndrra. Ëndrrat nuk i vras për kujtimet.
Duke lexuar dhe shetitur, e kam vrarë nacionalizmin dhe patriotizmin. Pra, për mua patriotizmi s’është arsye. E, megjithatë kam qëndruar (qëndruar, sepse të jetosh këtu, domethënë të qëndrosh, të rezistosh, t’i kesh zemrën dhe nervat e forta).
Atëherë, arsye mbetet shprehia.
Meqenëse shprehia në vetvete nuk është arsye, nuk lidhet me arsyen, s’kam përgjigje pse kam qëndruar këtu. Pra, kam qëndruar për shprehi, domethënë, pa arsye, ashtu kot. E, duke qenë se viteve të fundit më është bërë shprehi të udhëtoj, qysh po shkojnë punët këtu, nëse shteti nuk kthehet kah e mbara (domethënë, nëse nuk instalohet një meritokraci), një ditë, krejt papritur, mund të më bëhet shprehi të mos kthehem, ashtu siç mund të ndodhë nesër me të gjithë ata që do të dalin jashtë kësaj republike kaotike.
Shkrimtari im i dashur, Nikos Kazanxakis, që përveç shkrimtar, ishte edhe udhëtar i madh, thotë: “Zoti edhe duron, ç’i kushton koha atij? Është i pavdekshëm. Po njeriu?”
Ne, kosovarët, nuk jemi zota. Jemi njerëz. Durimi merr fund, sepse koha jonë është e kufizuar. 25 vjet shpresë kolektive. Edhe sa duhet të presim? Ne jemi një popull i burgosur, që na lirojnë më 1 janar 2024. Askush s’ka pse i duron rrahagjokset e politikanëve për trimëri e drejtësi, nëse ato s’i sjellin mirëqenie në shtëpi. Politikanët e tillë i lëmë në shekullin 19, kurse ne shkojmë atje ku jetohet shekulli 21.
Po ta kërcënoja unë shtetin, do të ishte qesharake, por kur realiteti e kërcënon, pushtetarët duhet t’i hapin sytë dhe veshët: nga 1 janari, nëse këtu vazhdojnë të mungojnë ofertat, qytetarët do t’i kenë alternativat, sepse atdheu dhe kombi janë përkatësi aksidentale, kurse shteti ku vendosim të jetojmë duhet të jetë zgjedhje racionale.
Prandaj, gjatë dhjetorit them ta shohim filmin e animuar “Lambert, The Sheepish Lion”, dhe të mendojmë se ndoshta nuk jemi dele, dhe ndoshta lejleku ishte i dehur kur na lëshoi në Kosovë./KultPlus.com
Të bindur mbi fuqinë dhe karakterin e fortë të Diellza Sylejmanit, miqtë e saj të enjten mbrëma organizuan koncertin “Miqtë për Diellzën”, që erdh më shumë si simbolikë për diagnostifikimin e hershëm të kancerit, se sa si përkrahje ndaj përballjes së saj me kancerin e gjirit, shkruan KultPlus.
‘E njohim Diellzën’, ‘e fortë’, ‘pozitive’, ‘luftarake’, janë shprehje me të cilat iu referuan mexosopranos Diellza Sylejmani, kolegët e saj me të cilët kishte bashkëpunuar ndër vite.
Kjo njohje për së afërmi e mexosopranos Sylejmani, kishte bërë që miqtë e saj më shumë se për sëmundjen e cila e kishte sfiduar, ishin të vetëdijshëm për fuqinë e saj shpirtërore dhe për mesazhin që ajo këtë kohë po e përçonte në nivele më të thella, për diagnostifikimin sa më të hershëm të kancerit dhe për shtuar dashurinë e kujdesin e miqve ndaj njëri-tjetrit, i cili nga jeta dinamike disi është zbehur.
Mbrëmjen mes shumë të pranishmëve e hapi organizatori Dardan Noka, i cili pas fjalës përshëndetëse e ftoi aktoren Safete Rogova, e cila nën shoqërimin e pianistit Andi Duraku, recitoi fuqishëm vargjet “Dedikim për Diellzën”.
Më pas me veprat Vilja të Franz Lehar, Quando m’en vo të Giacomo Puccini, Ah Lieb… e Allerseelen të Richard Strauss, dhe Këngën e Hënës të Antonin Dvorak në skenë performuan sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaçamaku.
Pas interpretimit të tyre, i cili përveç profesionalizmit përçonte elegancë dhe paqe, në sallën me kushtet jo adekuate, dolën në skenë Kori i Grave të Filharmonisë së Kosovës.
“Moj e bukura More, Qenke veshur me të bardha, Trëndelinë të Thoma Simakut, The Rose të Ola Gjeilos, She Wepps Over Rahoon të Eric Whitacre u interpretuan nga Kori i Grave të Filharmonisë nën përcjelljen e klarinetistit Shkumbin Bajraktarit dhe pianistit Andi Durakut me dirigjimin e Hajrullah Sylës.
Interpretimit të Korit të Grave të Filhamonisë, krejt në fund iu bashkua edhe vetë Diellza Sylejmani, për të interpretuar një pikë së bashku me koleget e saj, e cila u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku, pasi qe një veprim i cili shpërfaqte ndërthurje energjish dhe zërash që përçonin forcë dhe optimizëm.
Pas koncertit në një prononcim për KultPlus, foli solistja Besa Llugiqi e cila Diellzën e konsideroi si pjesë të familjes së saj, pasi me njëra-tjetrën njiheshin prej fëmijërisë.
“Për mua ka qenë minimalja që kam mundur të bëj për Diellzën dhe mendoj për të gjithë ata që sot kanë interpretuar, sepse e njohim prej të vegjël. Kemi punuar bashkë në kor të Filhamonisë, kemi udhëtuar bashkë, kemi kënduar bashkë, kemi studiuar bashkë, ka shumë vite që Diellzën e njoh dhe gjendja e saj për ne është e papritur. Sigurisht edhe për mua ka qenë shumë e ndjeshme si situatë. Iniciativa e Dardanit ka qenë t’i ndihmojmë me aq sa kemi mundësi, mendoj që të gjithë artistët jemi të hapur dhe nuk kishte me thënë asnjë jo në këtë rast”, ka deklaruar Sopranoja Llugiqi duke thënë që me kënqësi e realizoi këtë koncert duke besuar fuqishëm që Diellza shumë shpejt do të marr veten dhe do të tejkalojë këtë sfidë, sepse e njihte si karakter shumë pozitiv, direkt, shumë luftarak.
Ndërsa oraganizatori Dardan Noka, deklaroi që Diellza e ka tejkaluar sfidën dhe që kjo mbrëmje është organizuar më shumë si mbështetje morale për të, deri në tejkalimin e plotë të sfidës.
“Sonte kemi dashur të mblidhemi, më shumë për ta mbështetur moralisht, në mënyrë që ajo të ndihet edhe më e fortë në këtë luftë, por në të njëjtën kohë edhe për të përçuar një mesazh për të gjithë që të kujdesen për diagnostifikimin sa më të hershëm. Diellza është një prej rasteve që e ka diagnostifikuar sëmundjen shumë herët, dhe unë e besoj që kjo ka për t’i ndihmuar shumë që ajo ta mundë sëmundjen”, ka thënë Noka.
Ai më tutje shtoi se artistët ftesës i ishin përgjigjur shumë pozitivisht, dhe se organizimi i një ngjarjeje të tillë ka qenë fare i lehtë, për shkak të gatishmërisë së artistëve.
“Për mua është e rëndësishme që ka ndodhur kështu për dy arsye. E para, në një kohë kur afrimiteti mes njerëzve mund të vihet në pikëpyetje për shkak të ritmit të jetës që e kemi, dhe janë këto momente kur ti e sheh që njerëzit prapë shpalosin shpirtin human. Janë këto momente që na bëjnë të reflektojmë për kujdesin për njëri-tjetrin në rrethana pa qenë vonë. Kështu që më vjen mirë që janë përgjigjur dhe kjo ka me qenë një ndihmesë për Diellzën në rrugën e saj, që është një rrugëtim shumë i gjatë derisa ajo ta mund plotësisht sëmundjen” ka thënë më tutje Noka.
Në fund të koncertit shumica e të pranishmeve iu bashkuan skenës për t’i dhuruar dashuri, mbështetje dhe respekt Diellza Sylejmanit, për të cilën edhe u organizua kjo mbrëmje artistike./KultPlus.com
Gjatë dekadës së fundit, regjisori veteran gjerman, Wim Wenders (Wings of Desire, Buena Vista Social Club) ka pasur një rezultat disi të çrregullt, me filmin e tij të fundit të mrekullueshëm që ishte dokumentari i vitit 2011 “Pina”. Tani, ai ka dhënë një nga karakteristikat e tij më të mira narrative në vite, një perlë magjepsëse në heshtje për të çmuar momentet kalimtare dhe për të përqafuar lidhje të rastësishme.
“Perfect Days” ndjek Hirayama (Kōji Yakusho), një pastrues i moshuar dhe i zellshëm tualeti në Tokio. Ai është një njeri i qetë, i vetmuar, që gjen gëzim në kënaqësitë e thjeshta të jetës: zgjimi para lindjes së diellit, ujitja e bimëve, leximi para gjumit. Kur ai nuk po e zbaton veten me ndërgjegje në profesionin e tij dhe nuk po i duron veprimet e kolegut të tij shumë më të ri Takashi (Tokio Emoto), ai është i armatosur me kamerën e tij të vjetër Olympia dhe merr pamje nga natyra ose shton një kasetë tjetër në koleksionin e tij muzikor, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.
Ritmi i rutinës së tij të përditshme ndërpritet kur mbesa e tij adoleshente Niko (Arisa Nakano) shfaqet në banesën e tij të vogël për një vizitë të paparalajmëruar. Ajo ka ikur nga nëna e saj, motra e larguar dhe e pasur e Hirayama.
“Perfect Days” filloi jetën si një projekt i porositur nga autoritetet urbane japoneze, për të festuar sistemin më të avancuar të tualetit publik të Tokios. Wenders i ofron shikuesit perëndimor mundësinë për t’u habitur nga shumëllojshmëria dhe dizajnet e objekteve japoneze, por është larguar nga përmbledhja. Duke bërë këtë, ai ka krijuar një studim vëzhgues të personazheve që është xhiruar me syrin e një dokumentari nga Franz Lusting./ KultPlus.com
Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin Shqiptar të Shkupit sjellin sot dhe nesër veprën “Shtëpia e Zotit”.
Tragjikomedia, nga Ledian Gjeçi, i zhvillon ngjarjet në një “shtëpi bari”, në Shqipëri. Historia zhvillohet gjatë një feste të pazakontë, në shtëpinë ku prodhohet hashash, i cili grabitet pikërisht ndërsa personat e përfshirë në këtë biznes, ishin duke festuar. Kjo ngjarje pasohet me kaos dhe të gjithë i bren dyshimi për tradhëtinë e mundshme të njëri-tjetrit. Por ndërkohë që “shtëpia e barit” nuk është më sekret, lind nevoja urgjente për një tjetër vend të sigurt dhe dikush propozon një vend fantastik ku nuk hyn askush; një vend të përsosur për të jetuar, e për të vdekur, vend i cili do të jetë dëshmitar i ndodhive të jashtëzakonshme që do të pasojnë.
“Shtëpia e Zotit” do të shfaqet në sallën “Central 400” tek ArTurbina.
Regjisori i shfaqjes është Ilir Bokshi, koreograf Robert Nuha, skenograf Bekim Korça, kostumografe Njomza Luci, kompozitor Endri Sina, as/regjisore Dorina Çaushi. Vepra teatrore ishte përshëndetëse në festivalin “Moisiu” që pas Shkupit zhvilloi edicionin e dytë në Tiranë./atsh/KultPlus.com
Vendimi për hapjen e një institucioni që do të përgatiste kastën e mësuesve, të cilët do të përçonin gjuhën shqipe në mbarë trojet, u mor nga Kongresi i Elbasanit.
Drejtori i parë i Normales ishte nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë, Luigj Gurakuqi. Në katedrën e kësaj shkolle, komunikuan dijen figurat më të shquara të kulturës dhe shkencës në Shqipërinë e kohës, sikurse ishin Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Salih Ceka etj.
Normalja ishte kurorëzim i përpjekjeve të patriotëve, të klubeve shqiptare brenda e jashtë atdheut, të cilët bënë përgatitjet e nevojshme për të siguruar mjetet dhe kuadrin pedagogjik për fillimin e edukimit të brezave të mësuesve të rinj.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto ku paraqitet godina dhe nxënës të Normales./atsh/KultPlus.com
Bazament Art Space, Tirana Art Lab dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë kanë organizuar eventin “Vazhdë”, një ekspozitë e kuruar nga pjesëmarrësit e edicionit të parë të programit arsimor alternativ “Kurim me Përkujdesje”, mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë.
Artistët pjesëmarrës janë: I mirënjohuri Anastas Kostandini së bashku me vajzat e tij, Ledia e Mariana Kostandini, Theo Napoloni, Anxhela Pipero, Merita Selimi, Kairo Urovi dhe Agrina Vllasaliu.
Tetë artistë, reflektojnë mbi aktin e përcjelljes së njohurive ndër breza si një element themelor i njerëzimit. Ky transferim është më shumë sesa thjesht shkëmbim informacioni, ka të bëjë me përcjelljen e shpresave, ëndrrave, traumave dhe metodave të mbijetesës. Ai mishëron vetë thelbin e të qenit njerëzor, duke formësuar veprimet dhe reflektimet tona si individë dhe si hallka të rëndësishme në zinxhirin e historisë sonë kolektive.
Ekspozita “Vazhdë” reflekton mbi identitetin individual dhe vendin që secili zë brenda një narrative më të gjerë: ku çdo brez kontribuon në këtë histori të vazhdueshme, duke shtuar dhuntitë dhe perspektivat e veta unike. Kjo lidhje midis brezave nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e së kaluarës, por edhe me reflektimin dhe metabolizimin në të tashmen për të formësuar siç duhet të ardhmen.
Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri më 14 dhjetor, është kuruar nga Pediona Dautaj, Klaudia Fagu, Kleidia Gjata, Lulzim Hoti, Beskida Kraja, Resina Meçani, Grejsi Rudi, Enza Rripaj, Redina Qose, Vesa Shahini, Era Tula, Fabio Toska./atsh/KultPlus.com
Ish-gjyqtarja Sandra Day O’Connor, e cila hapi gjurmët si gruaja e parë që u ul në Gjykatën e Lartë, ka vdekur, njoftoi gjykata të premten në mëngjes.
O’Connor, 93 vjeçe, vdiq për shkak të “komplikimeve të lidhura me demencën e avancuar”, tha gjykata.
O’Connor frymëzoi gjenerata të avokatëve femra – duke përfshirë pesë gratë që shërbyen pas emërimit të saj në gjykatën e lartë. Ato e admiruan rrugën e saj duke shënuar sukses në një fushë që ishte dominuar nga burrat. Me kalimin e kohës, ajo u bë e njohur si një konservatore e moderuar dhe shpeshherë votuese për çështje të nxehta sociale, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Ajo vdiq pasi jetoi për të parë që një gjykatë e re me prirje konservatore përmbysi një vendim aborti që ajo ndihmoi të shkruante në 1992, uli shiritin midis kishës dhe shtetit dhe vendosi në një fushë tjetër me interes për të: veprimin afirmativ./KultPlus.com
Tom Holland thotë se ai do të xhirojë Spider-Man 4 vetëm nëse ia vlen.
Ndërsa ishte ulur me Christina Radish të Collider gjatë një konference për shtyp, aktori zbuloi nëse do ta rishikonte ndonjëherë rolin që e bëri atë të njohur.
“Gjithçka që mund të them është se ne kemi qenë aktivisht të përfshirë në biseda rreth asaj se si mund të duket për një interpretim të katërt të karakterit tim. Nëse mund të gjejmë apo jo një mënyrë për t’i dhënë drejtësi personazhit është një gjë tjetër. Ndihem shumë mbrojtës ndaj Spider-Man”, filloi ai.
“Ndihem shumë, shumë me fat që mundëm të punojmë në një ekskluzivitet që u bë më i mirë me çdo film, që u bë më i suksesshëm me secilin film, që mendoj se është vërtet i rrallë dhe dua të mbroj trashëgiminë e tij.
“Pra, nuk do të bëj një tjetër për hir të krijimit të një tjetër. Do të duhet t’ia vlejë kohëzgjatja e personazhit.”
Pavarësisht se la të kuptohet se mund të duhet pak kohë për të zbuluar se si do të dukej kapitulli tjetër, Holland pohoi se do të ishte “budalla të mos e vishte përsëri kostumin”.
“Unë e dua personazhin dhe njerëzit me të cilët punoj. Pra, do të doja të tregoja një histori tjetër, por do ta tregoj vetëm nëse mund të gjejmë atë të duhurin,” vazhdoi ai.
Kanë kaluar pothuajse dy vjet që kur Spider-Man: No Way Home u shfaq në kinema dhe, duke pasur parasysh të gjitha fytyrat e vjetra që u rikthyen në ekskluzivitet, sigurisht që do të jetë e vështirë për të arritur në krye./ KultPlus.com
Sot në Durrës, në teatrin “Aleksandër Moisiu” do të shfaqet premiera e shfaqjes “Gjithçka rreth IV”.
Sipas filmit të Joseph L. Mankiewicz dhe me regjisor Hervin Culi, shfaqja vjen si bashkëpunim i artistëve teatror nga Prishtina dhe Tirana dhe trajton dramat dhe intrigat që thur njeriu me ego të sëmurë për të arritur qëllimet e veta pa pasur parasysh se çfarë shkatërron apo dëmeve që i shkakton njerëzve rrotull tyre.
Në këtë shfaqje luajnë: Ermira Hysaj Çerkozi, Alubulena Kryeziu Bokshi, Hervin Çuli, Adrian Morina, Kushtrim Sheremeti, Rovena Lule Kuka, Natasha Sela dhe Endriu Hysi.
Datat e shfaqjeve: 1,2,3 dhjetor 2023 – Durrës, ora 19:00, 16 dhjetor 2023 – Prishtinë dhe 19,20,21 dhjetor – Tiranë. / KultPlus.com
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka njoftuar se më datë 2 dhjetor, do të bëjë shpalljen e fituesit të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të bëhen pjesë e një procesi specifik që përfshinë vlerësimin e veprave dhe artistëve nga një juri kredibile ndërkombëtare, mundësi që të bashkëpunojnë me ekipin kuratorial të Stacion – Qendrën për Art Bashëkohor Prishtinë dhe të marrin pjesë në ekspozitën vjetore të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited. Pas kthimit nga SHBA artistët fitues bëhen pjesë e programit vjetor të Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë me ekspozitën personale që shfaqet në Klubin e Boksit në Prishtinë.
Anëtarë të jurisë së çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 janë: Julieta Aranda, artiste, bashkë-themeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Agrina Vllasaliu, artiste, fituese e çmimit çmimit Artistët e së nesërmes 2022, me angazhim në Berlin dhe Prishtinë, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me angazhim në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Driton Selmani, artist, Prishtinë, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023, artisët e rinj Renea Begolli, Shkamb Jaka, Arbesa Musa.
Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të shpallet me 2 dhjetor 2023 në Klubin e Boksit në Prishtinë, dhe mbyllja e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2023 do të jetë me 9 dhjetor 2023.
Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë në Residency Unlimited, gjatë periudhës qershor/korrik 2024, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2025. / KultPlus.com
Dua Lipa ka qenë gjithmonë një adhuruese e makinave sportive – dhe markës “Porsche” në veçanti. Kjo është arsyeja pse artistja dhe prodhuesi i famshëm i veturave sportive po bashkojnë forcat për një bashkëpunim, përcjell albinfo.ch.
Dua Lipa është e njohur për karrierën e saj të shquar si një yll i muzikës pop, me një arsenal hitesh të frymëzuara nga stilet retro dhe video me performanca verbuese.
Në anën tjetër, me historinë e saj 75-vjeçare, kompania e veturave Porsche ka një tërheqje të ngjashme, me makina të frymëzuara nga dizajni klasik, mjeshtëria dhe sharmi i parezistueshëm, të cilat kombinojnë gjithashtu inovacionin dhe përsosmërinë moderne.
Si dy emra të njohur në fushat e tyre përkatëse, “Porsche” dhe Dua Lipa, po njoftojnë një partneritet të ardhshëm dhe bota e automobilave dhe fansat e këngëtares po bëhen bashkë për një partneritet të ri.
Partneriteti i bërë publik tashmë në Instagram, e shfaq Dua Lipën pas timonit të “Porsche”-eve klasike dhe moderne, si legjenda ‘911’ dhe ‘Taycan futuristik’ tërësisht elektrik, duke u kërkuar fansave që “të mbajnë sytë hapur për atë që do të vijë në të ardhmen…”
Përveç kësaj, llogaria në Instagram për Qendrën e Eksperiencës “Porsche” në Los Angeles përmendet gjithashtu në mbishkrimin e postimit, të bërë nga artistja me origjinë shqiptare.
Sido që të jetë, ky partneritet i ri mes Dua Lipës dhe “Porsche”-s përfaqëson konvergjencën e dy emrave me fuqi të jashtëzakonshme yjesh, qoftë në industrinë e muzikës apo në industrinë e automobilave.
Fansat e Dua Lipës dhe markës “Porsche” duhet të jenë të emocionuar për potencialin e asaj që të dy mund të bëjnë së bashku. / KultPlus.com
Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin Shqiptar të Shkupit sjellin sot dhe nesër veprën “Shtëpia e Zotit”.
Tragjikomedia, nga Ledian Gjeçi, i zhvillon ngjarjet në një “shtëpi bari”, në Shqipëri. Historia zhvillohet gjatë një feste të pazakontë, në shtëpinë ku prodhohet hashash, i cili grabitet pikërisht ndërsa personat e përfshirë në këtë biznes, ishin duke festuar. Kjo ngjarje pasohet me kaos dhe të gjithë i bren dyshimi për tradhëtinë e mundshme të njëri-tjetrit. Por ndërkohë që “shtëpia e barit” nuk është më sekret, lind nevoja urgjente për një tjetër vend të sigurt dhe dikush propozon një vend fantastik ku nuk hyn askush; një vend të përsosur për të jetuar, e për të vdekur, vend i cili do të jetë dëshmitar i ndodhive të jashtëzakonshme që do të pasojnë.
“Shtëpia e Zotit” do të shfaqet në sallën “Central 400” te ArTurbina.
Regjisori i shfaqjes është Ilir Bokshi, koreograf Robert Nuha, skenograf Bekim Korça, kostumografe Njomza Luci, kompozitor Endri Sina, as/regjisore Dorina Çaushi. Vepra teatrore ishte përshëndetëse në festivalin “Moisiu” që pas Shkupit zhvilloi edicionin e dytë në Tiranë./ atsh / KultPlus.com
Fotografi legjendar Elliott Erwitt, i njohur për imazhet e tij të sinqerta dhe shpesh qesharake bardh e zi, ka vdekur në moshën 95-vjeçare, sipas BBC.
”Ai vdiq i qetë në shtëpi, i rrethuar nga familja”, tha në një deklaratë ”Magnum”, kolektivi i fotografëve ku ai kishte qenë pjesë e tij që nga viti 1953.
I lindur në Paris nga prindër rusë, Erwitt u transferua në SHBA që fëmijë.
Ai kapi momente të rëndësishme, duke përfshirë një grindje famëkeqe në vitin 1959 midis zëvendëspresidentit të atëhershëm të SHBA, Richard Nixon dhe kryeministrit sovjetik Nikita Hrushov.
Në vitin 2017, në 100-vjetorin e Revolucionit të Tetorit të Rusisë, ai foli për BBC se si ishte të dëshmosh se dy liderë botërorë kishin një grindje gjatë Luftës së Ftohtë.
Erwitt u bë i njohur edhe për kapjen e pikëllimit (Jacqueline Kennedy në funeralin e burrit të saj), kafshëve (veçanërisht qenve) dhe momenteve të rëndësishme kulturore.
Në vitin 1960, në moshën 32-vjeçare, ai realizoi xhirime promocionale për filmin ”The Misfits”, ku luajtën Marilyn Monroe, Montgomery Clift dhe Clark Gable.
”Ishte bindja e fortë e Erwitt se fotografia duhet t’i flasë shqisave dhe emocioneve dhe jo intelektit”, tha ”Magnum”.
”Magnum” shtoi se do të “mbronte me krenari trashëgiminë frymëzuese që krijimi i imazhit të tij do të vazhdojë të luajë në historinë e artit dhe fotografisë”.
Ai u martua dhe u divorcua katër herë, dhe la pas gjashtë fëmijët e tij, 10 nipër e mbesa dhe tre stërnipër./ atsh / KultPlus.com
Ata që duan të shohin “rezultatin” e këtyre kërkimeve, mund të kënaqin kureshtjen duke parë filmin “Ku jeni ju”, që shfaqet këtë të diele, më 3 dhjetor, në Olten
Hans Peter Jost është një fotograf zviceran. Ai, në fillim të viteve `90 të shekullit të kaluar, menjëherë pas ndryshimeve demokratike që ndodhën në Shqipëri, kishte bërë shumë udhëtime nëpër vendin deri atëherë, të panjohur, për të zbuluar pamje nga realiteti i rëndë nëpër të cilin po kalonte Shqipëria.
Ai ka realizuar tashmë edhe disa libra në të cilët ka përmbledhur fotografi të zgjedhura nga kjo periudhë. Libri i tij “Albania in between” ka fituar disa çmime të rëndësishme në hapësirën gjermane, për kualitetin e faqosjes, si libër fotografish.
E porsa çliruar nga izolimi 45 vjeçar, vendi po vuante nga një tranzicion i rëndë, shoqëruar me varfëri dhe kaos politik e shoqëror, shkruan albinfo.ch. E gjithë kjo jepte një lëndë interesante për tu fotografuar, dhe për të përjetësuar kështu me objektivin e aparatit fotografik ndryshimet që po kalonte Shqipëria.
Një nga “kult fotografitë” e kësaj periudhe, ku shihet një grup fëmijësh në një gjendje të mjerueshme, diku në veriun shqiptar, është bërë shkas që rreth 30 vite më vonë Jost të realizojë një film dokumentar. Me titullin simptomatik “Ku jeni ju” (where are you), autori pasqyron, tani përmes gjuhës filmike, përpjekjet e tij për të gjetur ku janë dhe ç` bëjnë sot, këta ish fëmijë, ndërkohë që në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime të mëdha.
Ata që janë të interesuar të shohin “rezultatin” e këtyre kërkimeve, mund të kënaqin kureshtjen e tyre duke parë filmin, që shfaqet këtë të diele, më 3 dhjetor, në Olten.
Mbrëmjet e fotografimit dhe videove tashmë zhvillohen të dielave në mbrëmje nga ora 19:00.
Filmi shfaqet në kuadrin e aktivitetit PHOTOSTREAM OLTEN #52, që mbahet në Galicia Bar Olten, Unterführungsstrasse 20, 4600 Olten.
Mësohet se në jurinë e “Deutschland sucht den Superstar” vitin e ardhshëm, do të jetë edhe një artiste shqiptare, shkruan albinfo.ch.
Vlen të theksohet se Loredana është konfirmuar si anëtare e jurisë në edicionin e ri që do të vlejë për vitin 2024.
“Me Beatrice Eglin dhe Loredanën, ne mundëm të fitonim dy përfaqësues shumë të suksesshëm të zhanreve të tyre muzikore përkatëse për jurinë e DSDS. Ne kemi gjetur kastin tonë të dëshiruar për sezonin e 21-të”, tha Inga Leschek, menaxhere e programit. / KultPlus.com
Grupi Meta ka prezantuar shërbimin e mesazheve të shkurtra Threads në Bashkimin Evropian, raporton ”Wall Street Journal”.
”Do të ketë gjithashtu një opsion për të përdorur Threads vetëm për të lexuar postimet pa qenë në gjendje të shkruani postimet tuaja”, sipas raportit.
Shërbimi është një alternativë ndaj platformës në internet X të Elon Musk, e njohur më parë si Twitter.
Që kur Musk bleu Twitter dhe e riemëroi X, numri i përdoruesve në platformë ka ardhur në rënie, sipas studiuesve të tregut.
X akuzohet gjithashtu se nuk ka moderuar gjuhën e urrejtjes dhe lajmet e rreme.
Disa konkurrentë i shohin problemet e X si një mundësi për të ndërtuar platformat e tyre.
Threads konsiderohet një kandidat veçanërisht i fortë, sepse shërbimi bazohet në platformën e fotove dhe videove në Instagram të Metës, e cila ka qindra miliona përdorues të lidhur.
Threads ka afro 100 milionë përdorues që janë aktivë.
Zuckerberg mbetet i bindur se Threads mund të bëhet një shërbim me një miliard përdorues brenda pak vitesh./ atsh / KultPlus.com