Zbulohet fortifikimi në fshatin Rreja e Velës në Rubik

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan një verifikim në terren në fshatin Rreja e Velës, pas një njoftimi për gjetje rastësore nga një banor i zonës.

Në majën e një kodre u identifikuan rrënojat e një fortifikimi, me pllaja të vogla të rrethuara nga shpate të thikta në lindje, jug dhe veri, ndërsa ana perëndimore ka një terren më të butë. Vendgjetja ndodhet në Kodra e Qytezës, 10 km larg Rubikut, në një lartësi prej 475 m.

Në veriperëndim të fortifikimit ndodhen rrënojat e një kulle rrethore, ndërsa në jugperëndim vërehet një linjë muri i rrënuar. Fortifikimi mendohet të ketë pasur funksion mbrojtës ose shërbente si pikë vëzhgimi për kontrollin e territorit.

IKTK do të vijojë proceset e dokumentimit, studimit dhe konservimit të këtij fortifikimi në fazat e ardhshme. Gjithashtu, do të realizohet një vëzhgim sipërfaqësor arkeologjik për të kuptuar lidhjet e fortifikimit me territorin përreth. / KultPlus.com

Njomza Emini në krye të Komitetit Paralimpik edhe për katër vjet

Në Kuvendin Zgjedhor i Komitetit Paralimpik të Kosovës (KPK), të mbajtur në Prishtinë, delegatët votuan unanimisht për presidente të KPK-së edhe një mandat katërvjeçar Njomza Eminin, e cila drejton KPK-në që nga viti 2011.

Gjatë udhëheqjes së saj, KPK-ja ka shënuar suksese të mëdha, duke kulmuar me anëtarësimin e KPK-së në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe në Komitetin Paralimpik Evropian. Po ashtu, falë angazhimit të saj dhe mbështetjes nga stafi dhe partnerët, Kosova viti që shkoi ka debutuar në Lojërat Paralimpike Paris 2024.

Me përkushtim të vazhdueshëm, Emini ka punuar për ngritjen e lëvizjes paralimpike në vend, duke siguruar mbështetje nga institucionet dhe partnerët privatë për zhvillimin dhe promovimin e sportit për personat me aftësi të kufizuara.

Gjatë këtij Kuvendi, delegatët votuan edhe për zgjedhjen e zëvëndspresidentit dhe anëtarëve të Bordit. Në postin e zëvëndëspresidentit të lëvizjes paralimpike në Kosovë u rikonfirmua Daut Tishuki, ndërkaq anëtarë të bordit u zgjodhën: Drilona Islami, Rinor Ymeri, Flutura Beka, Grevist Bytyqi, Murat Murati, Diana Hoti, Ganimete Morina, Avni Kelmendi, Adelina Emini dhe Driton Muharremi./ KultPlus.com

490 gra fillojnë procedurën e IVF në QKUK

490 gra kanë përfunduar procedurën e parë të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor, e njohur si IVF në Gjinekologjinë e QKUK-së. Kjo procedurë zgjat me disa faza, fillimisht, përpunohen analizat dhe bëhet një klasifikim se cilat janë ata pacientë që mund t’i nënshtrohen procedurave të IVF-it.

Për t’ia mundësuar çifteve kosovare që duan të bëhen prindër përmes kësaj metode. QKUK-ja është duke siguruar të gjitha preparatet e nevojshme, përfshirë këtu edhe hapjen e tenderimit për sigurimin e preparateve hormonale që shërbejnë për stimulimin e pacientëve.

Zef Ndrejaj, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për Ekonomia Online thotë se kanë përfunduar fazën e parë të këtij procesi që është diagnostikimi i pacientëve.

“IVF apo siç themi ne faza e fërtilizimit të asistuar mjekësor ka filluar me trajtimin apo diagnostikimin e pacientëve që nga mesi i dhjetorit. Shërbimi i IVF-it zgjat disa periudha, nuk është procedurë që kryhet me një intervenim, këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, pra jemi në fazën e parë të diagnostikimit dhe përpunimit të pacientëve. Në fazën e parë merren pacientët në ambulancat specialistike diagnostikohen, përpunohen, shikohen analizat dhe bëhet një klasifikim cilat janë ata pacientë që mund t’i nënshtrohen procedurave të IVF-it. Deri në këtë fazë i kemi dikund 490 pacientë të cilët janë diagnostikuar dhe kanë mundësi për ta bërë intervenimin me IVF. 250 të tjerë janë në pritje, pra është një numër i madh që kanë kërkesa për procedura të IVF-it”, thotë Ndrejaj, teksa tregon edhe për fazat tjera që e presin një paciente. Por për ta bërë këtë, nevojiten disa preparate për të cilat thotë se janë në proces të tenderimit. Këto preparate janë hermonale dhe nevojitet që pacientët të stimulohen”.

“Pas fazës së parë, fillojmë me fazën e dytë që është faza e intervenimit apo stimulimit të vezorëve për ta bërë procedurën intervenuese. Faza e dytë do të fillojë posa të sigurohen të gjitha preparatet që janë disa preparate hormonale që kanë nevojë pacientët për stimulim, jemi në proces të tenderimit të preparateve që pritet brenda javës të sigurohen dhe të fillohet me rastet e para të stimulimit, pastaj vjen faza intervenuese apo faza e transferit të qelizave të barrësimit. Pra është një procedurë e IVF-it që zgjat disa javë ose muaj, kështu që nuk ka asnjë vonesë në zhvillimin e IVF-it”, u shpreh Ndrejaj.

Krahas diagnostikimit të 490 pacientëve të parë edhe 250 gra tjera janë në pritje për diagnostikim. Ndrejaj thotë vonesat janë normale pasi vetë procesi kërkon kohë.

“250 gra janë në pritje për diagnostikim dhe përpunim, ndërsa 490 gra u është dhënë ‘drita e gjelbër’. Tash janë caktuar terminët dhe presim preparatet që kanë shkuar përmes listës esenciale. Në momentin që jemi të gatshëm, ne do të fillojmë edhe me stimulimin, por nuk ka ngecje në zhvillim të procedurave të IVF-it”.

“Krejt mandej varet prej pacientit, pra përpunohet me terapi hormonale, ndoshta zgjat 10-14 ditë faza e trajtimit me terapi hormonale, sepse të gjithë pacientët nuk munden me pas veprimin e njëjtë hormonal. Nëse është veprimi i kënaqshëm, merret qeliza, bëhet barrësimi jashtë dhe bëhet transferi te pacientja. Edhe kjo fazë merr disa javë, pra është procedurë që zgjat pak”, thotë Ndrejaj.

Ndrejaj thotë se mosha deri në 42 vjeçe për gratë që duan t’i nënshtrohen IVF-së, është caktuar në bazë të standardeve ndërkombëtare.

“Mosha do të jetë e përcaktuar mbi 42 vjeçare për shkak me u dhënë përparësi atyre grave që pritet suksesi më i madh tek to. Të gjithë do të provohen aty ku kemi mundësi por janë disa raste që mosha e përcakton që pa donatorë mbi moshën 42 vjeçare është problem të arrihet një shtatzëni pa ndonjë donator. Pra janë disa kritere që neve na detyrjnë që ta bëjmë këtë përpunim të pacientëve por jo me dëshirën tonë, por do të bazohemi në procedurat operative standarde”, thotë ai.

Në QKUK, ky shërbim do të ofrohet falas dy herët e para, ndërsa më pas çmimi për procedurë do të jetë rreth 670 euro./KultPlus.com

Referendumi i 1 dhe 2 Marsit 1992, vullneti i parë politik i Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën

Më 1 dhe 2 mars 1992 shënohet data kur u krijua Referendumi për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën. 

Para disa vitesh shqiptarët e Luginës së Preshevës në vigjilje të shkatërrimit të RSFJ –së me anë të Referendumit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 ishte dhe mbetet rezultati më i rëndësishëm i dy partive të para politike, PVD dhe PDSH, që dy vite më parë kishin filluar me organizimin e pavarur politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Në Kuvendin për organizimin e Referendumit, së bashku me përfaqësuesit PVD –së dhe PDSH –së, ishin ftuar dhe morën pjesë shumica e delegatëve shqiptarë të Kuvendeve Komunale të Preshevës dhe Bujanocit. Karakterin gjithëpërfshirës Referendumit ia siguroi edhe organizimi i tij jo vetëm në të gjitha vendbanimet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe në shumë qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe shtete tjera evropiane. 

Nga distanca disa vjeçare, sot mund të veçohet rëndësia e madhe e Referendumit jo vetëm se për herë të parë popullata shqiptare e deklaroi publikisht vullnetin e saj politik, por edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky vullnet politik i shprehur në rrethana të shkatërrimit të një sistemi shtetërorë, ofronte opsionet politike për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Gjatë vitit 1991- 1992 në tri komunat e Luginës se Preshevës: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u ngrit kjo iniciativë për formimin e partive politike dhe shoqatave qytetare me motiv për te mbrojtur dhe ngritur zërin e shqiptareve të këtij rajoni. Më 16 shkurt të vitit 1992 në Preshevë u mbajt Kuvendi i përberë prej 96 delegateve të cilët ishin përfaqësues të partive politike dhe të shoqatave të dala nga shqiptaret e tri komunave: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.Me shumicë votash u propozua për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Në këtë kuvend u propozuan tre opsione: Autonomi territoriale-politike, autonomi administrativo- kulturore dhe për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Më 1 dhe 2 mars të vitit 1992 u organizua Referendumi gjithëshqiptare nga Lugina e Preshevës për këto tri komunat të cekura më lartë. Me deklaratën për autonomi territoriale me të drejtë të bashkimit me Kosovën. Iniciativa ishte e popullit që shtypej përditë e më shumë dhe e vetmja mënyrë ishte zgjidhja e madhe e referendumit që pati jehonë i cili la gjurmë për të ardhmen si argument demokratik. Mos demokratizimi i Serbisë ishte pengesë e Referendumit .Pankartat për ftesë të popullatës u hoqën nga policia serbe, nuk lejoheshin reklamat dhe ftesa e qytetarëve ishte pengesë e madhe nga qeveria serbe.

U hapen 75 vendvotime në shtëpia private dhe lokale po ashtu private, dhe për dy ditë dolën në votime qytetarët, pasi ditën e parë u penguan nga policia serbe. Radhët e qytetarëve ishin të mëdha për votime. Dolën mbi 46.000 votues. 98% e popullatës iu përgjigjen versionit pozitiv dhe Referendumi u vlerësua i suksesshëm. Edhe pse më 12 mars 2001 u nënshkrua teksti i marrëveshjes për armëpushim, më 7 maj u morr vendimi për çmilitarizimin e UÇMBP dhe marrëveshja e paqes u nënshkrua më 21 maj 2001 ajo nuk u përmbushë në praktikë, nuk u respektua nga ana serbe./ KultPlus.com

1 marsi, dita ndërkombëtare kundër diskriminimit

Sot shënohet dita ndërkombëtare për zero diskriminim, ku bëhet thirrje për t’i dhënë fund diskriminimit dhe për të kremtuar diversitetin, tolerancën dhe gjithëpërfshirjen.

Diskriminimi është trajtimi i personave në situata analoge në mënyrë të ndryshme, ose trajnimi i njëjtë i personave në situata të ndryshme, pa justifikim objektiv dhe të arsyeshëm.

Që nga fillimi i njerëzimit, diskriminimi, qoftë në një formë, qoftë në tjetrën ka paraqitur problem. Diskriminim është bërë gjithkund ndaj njerëzve autoktonë dhe ndaj minoriteteve, diskriminimi ndodh ndaj fëmijëve, femrave të cilat trajtohen si qenie njerëzore më pak të vlefshme, njerëzve të infektuar me HIV/AIDS, kundër atyre që kanë të meta fizike dhe psikike, si dhe kundër atyre me orientime të tjera seksuale. Kjo shfaqet madje edhe në fjalorin tonë të përditshëm, përmes së cilit ndonjëherë, me qëllim ose pa qëllim e veçojmë veten nga të tjerët.

Diskriminimi shfaqet në aq shumë forma, sa që mund të supozojmë se secili në njëfarë forme dhe sasie ka qenë i prekur nga diskriminimi. Prandaj, vetëdijesimi për këtë çështje është esencial për ta përballuar atë në mënyrë efektive. /KultPlus.com

Së shpejti ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”

Ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”, është organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik – Prishtinë. Kjo ekspozitë e veçantë do të mbahet më 3 mars, ora 11:30, në hollin e Institutit Albanologjik.

Gjatë ekspozitës do të prezantohen fakte të panjohura më parë mbi persekutimin komunist të hartuesve të alfabetit shqip dhe familjeve të tyre. Do të shfaqen fotografi dhe dokumente të pazbuluara më parë mbi këtë tematikë.

Kjo ekspozitë është prezantuar më parë në disa vende brenda Shqipërisë, si dhe në Manastir me rastin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit. Po ashtu, më 28-30 janar, 2025, është shfaqur në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, nën kujdesin e Ambasadës Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Me këtë rast, do të bëhet edhe nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Institutit Albanologjik-Prishtinë dhe Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë./express/KultPlus.com

‘L’Albanese D’Italia’, gazeta e parë shqiptare

Më 23 shkurt të vitit 1848, njëri ndër shkrimtarët më të shquar shqiptar Jeronim de Rada, botoi në Napoli të Italisë gazetën e parë shqiptare, shkruan KultPlus.

Gazeta mbane emrin ‘L’Albanese D’Italia’ (Shqiptarët e Italisë)

Me këtë ai themeloi hapat e parë të shtypit kombëtar. Gjithashtu më 1883, ai botoi revistën e parë në gjuhën shqipe “Flamuri i Arbërit”. / KultPlus.com

De Rada mes fshatarëve të fshatit të tij arbëresh (FOTO)

Kjo është një foto e rrallë e Jeronim De Radës e cila besohet të jetë realizuar në vitet e fundit të jetës së poetit të njohur arbëresh.

De Rada këtu shihet mes fshatarëve (bujqxe,) me shkop në dorë, i pafaan, fukara i rrazbitur njësoj si ata…

Fotoja mendohet të jetë shkrepur në katundin Maqi ku De Rada ndërroi jetë më 28 shkurt 1903. /diasporashqiptare/ KulPlus.com

Kënga arbëreshe “Na martohet Jurendina” e lashtë sa gjuha shqipe (VIDEO)

Këngetari Pino Kakoca (1957), është një arbëresh nga katundi Shënd Dimitër Koroni në Kalabri, prej nga ishte edhe shkrimtari e poeti, Jeronim de Rada. Fakti se kjo pjesë e ka ruajtur më shumë fanatizëm traditën shqiptare dëshmohet edhe përmes kësaj këngë arbëreshe e cila është e lashtë po aq sa gjuha shqipe, shkruan KultPlus.

Kjo këngë flet për martesën e Jurendinës, ndërsa fton burra, gra e vasha të stolisura që të jenë pjesë e këtij ahengu për ta përcjellur martesën e saj me dhurata, valle, daulle, çifteli e dolli.
KultPlus po ju përcjellë këtë këngë arbëreshe të shoqëruar me pamje të jetës dhe kulturës arbëreshe në Itali, atje ku ata ruajtën traditën për 600 vite me radhë.

“Ngini (ngitni, ngani), oj gjindë të mira
Me dhurat’ e me dafina
Se martohet Jurendina
E ju, gra më të mëdha
Vjershëroni ju në dasmë
Lumturinë e Jurendinës
E ju, vashës të stolisur
Dridhni vallet të nisur
Me daull e çifteli
Ngrëni qelqet për dolli
Më fund e helqni këta raki
Për harenë e Jurendinës
Dehëni burra se na ndodhet
Një ditë çë s’mënd harrohet
Na martohet Jurendina
Qesh, oj më’, pa lot ndër sy
Nusja vete në Venetì
E Kostandini është besnik”.

Arbëreshët e Italisë Jugore (pjesa më e madhe) janë me prejardhje nga Shqipëria Jugore nga emigrimet e viteve 1400-1500-ës, si dhe nga viset arvanite të Greqisë jugore të po atyre viteve (pjesa më e madhe e tyre nga Labëria/Viset Çame nën Sarandë (Xarra, Butrinti, Markati apo Konispoli). / KultPlus.com

Kur poezia e Jeronim de Radës prezantohej me romantizmin europian

Nga Dorian Koçi

Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të elitës arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada, që ndryshe nga paraardhësit e vet, jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës.

Këngët e Milosaos, si tekst letrar, kanë si motiv kryesor dashurinë e Milosaos me Rinën, bijën e Kalogresë. Gjithandej ndihet atmosfera e dashurisë së tyre, si në takimet në vende të ndryshme në fshat, që mund të quhet një fejesë apo dhe më vonë në martesën e tyre. Kangjelet duket sikur janë ilustrim i ndjenjës së tyre. Motivi që vë De Rada në bazë të kësaj vepre ashtë dashuria fatkeqe e dy të rinjve, që i pengon mjedisi. Përzgjedhja e një të dashure dhe rrethanat që të jenë të lumtur, është shfrytëzuar dhe në letërsinë romantike sentimentale, por poeti i ka dhënë një freski e origjinalitet të jashtëzakonshëm. Poema nuk pati sukses vetëm mes kolonisë arbëreshe në Itali. Duke qenë se vetë De Rada dëshironte të njihej në qarqet letrare të kohës, shpesh herë ndërmerrte takime, u dërgonte librat e vet apo mbante korrespodenca me njerëz të shquar të letrave në Francë, Itali e Gjermani. Dhe kështu u njoh në disa qarqe europiane letrare. Një takim i paharruar për të ka qenë me shkrimtarin e madh romantik francez Alfonse De Lamartine, në shtator të vitit 1844. De Rada në kujtimet e veta shkruan se:

“Ai ishte në kulm të karrierës së vet të shkëlqyer e të brohoritur. I shtyrë nga padurimi për të ditur (për të kuptuar) se nëse ndjenja krenare që kisha për veten ngrihej mbi ndonjë bazë të shëndoshë, kur Ai (Lamartine) kaloi nga Iskia, i dërgova, me anë të një marinari, një kopje të “Milosaos” me “Këngët e Serafinës”.

U fol në rrethin e miqve të mi për këtë guxim (thuhej se kishte pritur letrarët e Napolit me mirësjelljen e një njeriu që nuk i njeh) dhe shumë nga familjarët e mi prisnin që mendjemadhësia ime të merrte dënimin e merituar. Unë kisha zënë shtratin nga dhimbjet e shpirtit, kur pas pesë ditësh, marinari u kthye me këtë letër:

“Zotni,
Jam i lumtur për këtë shenjë vëllazërie politike mes jush dhe meje. Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe aty duhet të kthehet. Unë nuk kam pasur asnjë meritë tjetër veçse e kam parandjerë dhe që kam shprehur dëshirat e para për rilindjen dhe ringjalljen e Shqipërisë. Ju më shpërblyet së tepërmi. Më vjen keq për shkakun që më pengon t’ju shoh, dhe ju lutem të pranoni falënderimet dhe përgëzimet e mia.”
Lamartine
Iskia, 8 shtator 1844

Më andej, De Rada vazhdon me kujtimet kur u kthye nga Iskia: “I bëra një vizitë në Hotelin e të Huajve në bregdetin e Kiarias. Më tha fjalë që do të ngjallnin një farë krenarie në zemrën e cilitdo. Pastaj, disa ditë më vonë, ndërsa po largohesha nga vila bashkë me dy miq të mi, na kaloi pranë me familjen e Kontit Le Fevre, në karrocë. Hoqa kapelën dhe e përshëndeta. Ndërsa karroca ngjitej në të përpjetën e rrugës, vura re se zonjushat Le Fevre u ngritën në karrocë, kthyen kokat nga unë e më panë, duke m’i ngulur sytë. Gëzimi i madh ma dehte shpirtin.”

Korrespodenca, takimi dhe vlerësimi i poezisë së De Radës nga Lamartine, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, nuk mund të shënohen në analet e kohës si rastësi të bukura mes dy njerëzve të letrave, por si një afinitet poetik i bekuar, që bënte të mundur prezantimin e vlerave të një vendi të panjohur në momentet më vendimtare të tij, kur po përpiqej të ringjallej. De Rada, ashtu si pothuajse gjithë shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj shqiptarë, ka pasur fatin e mirë (apo të keq) që të mos përfaqësojë vetëm veten, por edhe fatin e trishtë të vendit të tij. Bota mesjetare arbëreshe kish trokitur kështu në kujtesën e vjetër të kontinentit, kur trekëndëshi Greqi-Itali-Shqipëri me qytetërimet e tyre të vjetra kishin shërbyer si mëndesha të qytetërimit europian.

Shënim: Kjo ese është botuar fillimisht me disa ndryshime në titull dhe text në blogun e autorit. / KultPlus.com

Aktorët e TKK-së pezullojnë grevën, marrin sinjale se çështja e tyre do të zgjidhet brenda tre javëve

Sindikata e Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar se pas një greve tre mujore, kanë vendosur që me shumicë votash të pezullojnë grevën dhe të rikthehen në skenë, pas zotimit të ministrit Hajrullah Çeku që do të plotësohen kërkesat e tyre.

“Pas një greve tre mujore dhe insistimit tonë të vazhdueshëm për një konfirmim zyrtar nga Ministria e Kulturës lidhur me afatin e zgjidhjes së çështjes së ekuivalentimit të pagave të aktorëve, na është komunikuar verbalisht nga një anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar se ministri Hajrullah Çeku është zotuar që kjo çështje do të zgjidhet brenda tre javësh”, thuhet në komunikatën e sindikatës.

Tutje, në njoftim thuhet se në momentin që Sindikata e Aktorëve merr një njoftim zyrtar nga ministria, do të ndërpritet greva.

“Në momentin që Sindikata e Aktorëve merr një konfirmim zyrtar nga MKRS-ja se ky zotim do të realizohet brenda afatit të deklaruar nga vetë Ministri Hajrullah Çeku, ne do ta ndërpresim përfundimisht grevën. Deri atëherë, me shumicë votash (9 pro, 5 kundër, 2 abstenim), sindikata vendos ta pezullojë grevën dhe t’i rikthehet skenës”, thuhet në komunikatë.

Poashtu, nga sindikata kanë njoftuar se nëse brenda afatit të përcaktuar njo çështje nuk zgjidhet, duke pasur mirëkuptim për pengesat eventuale, do të presin edhe për tre javë të tjera.

“Nëse edhe pas kësaj periudhe nuk kemi një konfirmim zyrtar nga MKRS-ja për aprovimin e kërkesës sonë për ekuivalentimin e pagave, ne rezervojmë të drejtën për të rifilluar grevën dhe veprimet e tjera sindikale, në përputhje me të drejtat tona ligjore”, kanë njoftuar nga sindikata.

“Njëkohësisht, njoftojmë publikun se po kthehemi në skenë dhe i mirëpresim me kënaqësi në shfaqjet tona”, thuhet tutje në njoftim./KultPlus.com

‘Jam pasioni i heshtur, në vatër pa oxhak, në luftë pa shpatë’

Poezi nga Hermann Hesse (Nobel, 1946)

Jam një yll

Jam një yll në universin qiellor,
Që vëzhgon dhe përçmon botën,
Dhe tretet brenda dritës së vet.

Jam deti që tërbohet natën,
Deti që ankohet, rënduar nga viktimat,
Bashkë me mëkatet e vjetra, mbledh edhe të reja.

Kam mërguar nga bota juaj,
I rritur në krenari dhe i tradhtuar prej saj,
Jam mbret pa atdhe.

Jam pasioni i heshtur,
Në vatër pa oxhak,
Në luftë pa shpatë,
I sëmurur nga vetë forca ime. / KultPlus.com

Chaplin: Që të qeshësh me të vërtetë, duhet ta marrësh dhimbjen tënde, dhe të luash me të

Përveçse me role që e kanë skalitur në kinematografi, siç është ai i endacakut, Charlie Chaplin ka lënë edhe shumë aforizma brilantë, shkruan KultPlus.com

KultPlus jua sjell 11 thëniet me mesazh shumë të qartë :

Jam në paqe me Zotin. Konflikti im është me Njeriun.

Ne mendojmë shumë dhe ndjejmë pak.

Një prej ironive të jetës është që të bësh gjënë e gabuar, në momentin e duhur.

Asgjë nuk është e përhershme në këtë botë të ligë – as edhe telashet.

Një ditë pa qeshur, është një ditë e çuar dëm.

Karakteri i vërtetë i një burri shfaqet kur ai është i dehur.

Që të qeshësh me të vërtetë, duhet ta marrësh dhimbjen tënde, dhe të luash me të!

Më pëlqen gjithmonë që të eci në shi, kështu askush nuk do të më shohë duke qarë.

E qeshura është zbutësi i dhimbjes.

Dëshpërimi është një narkotik. Ai e vë mendjen në gjumë dhe e shpie drejt indiferencës.

‘Unë s’kam shtëpi, as ti këngë, që të dy jemi të shkretë’

Poezi nga Mirko Gashi

Kënga

Unë kam këngë
ti shtëpi
dhe që të dy jemi poetë

unë s’kam shtëpi
as ti këngë
që të dy jemi të shkretë

mua fjalët më mungojnë
ty me duar të tregojnë

veshët myku m’i vërshoi
në erë një thirrje e preka

andaj
çdo gjë mirë u bë –
ti ke shtëpi
unë këngë

dhe kështu
që të dy jemi poetë
Un’ e Ti. / KultPlus.com

“Historia botërore do të shkruhet vetëm kur në të marrin pjesë edhe shqiptarët”

Maksimilian Lamberci ishte albanolog austriak. Maksimiliani ka lënë diku rreth 60 dorëshkrime në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë.

Publikimi i tij i parë në fushën e studimeve shqipe ishte një libër gjuhe dhe leximi shqip më 1913; pastaj shkoi Italinë e Jugut për të shqyrtuar të folmet shqip atje; në veçanti iu kushtua dialektit verior arbëresh në Abruzzo dhe Molise, sidomos dialektit në Badhesas (Villa Badessa).

Studiuesi, profesor universitar dhe albanologu i njohur austriak, prof. dr. Maksimilian Lamberc, që nga viti 1906 kur dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e deri më 1963, kur vdiq, nuk iu nda punës për t’i çuar përpara studimet albanologjike në fushë të folkloristikës, e sidomos të epikologjisë e të poetikës së përrallës, të mitologjisë, e në veçanti të demonologjisë, të së drejtës zakonore, sidomos të Kanunit të Lekë Dukagjinit, të morfologjisë, të sintaksës, të dialektologjisë, të leksikologjisë, të drejtshkrimit, të historisë së gjuhës, të letërsisë, të historisë së letërsisë, të dramës, të përkthimit, sidomos të Gjergj Fishtës etj.

Sot po e sjellim njërën nga thëniet më të bukura të tij pë shqiptarët:

“Historia e vërtetë botërore do të shkruhet vetëm atëherë kur në hartimin e saj do të marrin pjesë edhe shqiptarët”. /KultPlus.com

Magjia e kryeveprave kosovare, italiane e spanjolle në koncertin e Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e Antoine Marguier

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e djeshme, Atelieja e Pallatit të Rinisë në Prishtinë u mbush me tingujt magjepsës të kryeveprave të muzikës klasike evropiane në koncertin e Filharmonisë së Kosovës. Nën drejtimin e dirigjentit, Antoine Marguier, programi ofroi një udhëtim artistik përmes muzikës së kompozitorëve kosovarë, italianë dhe spanjollë, një përzgjedhje kjo që pavarësisht vështirësive teknike, krijoi për audiencën një atmosferë të paharrueshme, shkruan KultPlus.

 Koncerti nisi me ‘Simfoninë nr. 1’ të kompozitorit të kosovar Rexho Mulliqi. Kjo vepër madhështore, e mbushur me motive të pasura folklorike dhe emocion të thellë, tingujt të fuqishëm dhe dinamika dramatike, ofroi që në hapje një emocion të veçantë.

Më pas, në skenë u ngjit saksofonisti famë botërore, Vitaly Vatulya i cili u paraqit me veprën ‘AlBalcanica’ një krijim i kompozitorit kosovar Valton Beqiri. Me mjeshtërinë e tij, bashkëpunimin dhe orkestën dhe dirigjentin, Vatulya arriti të sjellë në jetë meloditë plot emocione dhe ritmet dinamike të kësaj vepre.

Ndërkaq, mbrëmja arriti kulmin me paraqitjen mbresëlënëse të sopranos, Besa Llugiqi. Llugiqi solli madhështinë e operës italiane në skenë me interpretimet e saj të fuqishme të arieve ‘Un bel dì vedremo’ nga ‘Madama Butterfly’ e Puccinit dhe ‘È strano… Sempre libera’ nga ‘La Traviata’ e Verdit. Me emocionin dhe virtuozitetin e saj, Llugiqi pasqyroi dramën dhe pasionin e këtyre veprave të pavdekshme operistike.

Pas emocioneve të pjesës së parë, koncerti vazhdoi me ‘Simfoninë nr. 2’ të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, një vepër që pasqyron frymën bashkëkohore dhe energjinë e muzikës moderne kosovare. Ndërkaq, mbrëmja u përmbyll me ‘The Three-Cornered Hat, Suita nr. 2’ nga kompozitori spanjoll Manuel de Falla, një vepër e gjallë dhe plot ngjyra që solli në skenë atmosferën vibrante të folklorit spanjoll.

Ky koncert i Filharmonisë së Kosovës, dëshmoi edhe një herë potencialin e këtij institucioni që pavarësisht kushteve dhe sallës jo adekuate, arritën të prezantojnë një program të përmasave botërore, e për këtë ata morën një mori duartrokitjesh nga publiku.

Pas koncerti, për KultPlus foli dirigjenti Antoine Marguier, i cili mbi të gjitha vlerësoi lart krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë, e sidomos të veprave që u performuan në këtë mbrëmje.

“Për mua është gjithmonë interesante që të zbuloj muzikë të re sepse kjo është diçka e re për mua, pra muzika nga Kosova, dhe mendoj që është shumë e bukur, shumë muzikë energjike dhe bashkëkohore. Ishte një program i vështirë për shkak të shumëllojshmërisë, kishim muzikë italiane, spanjolle, kosovare. Pra kishte shumë gjëra të vështira, shumë karaktere të ndryshme dhe kishte nevojë për një koncentrim shumë të madh si për mua ashtu edhe për orkestrën”, u shpreh Marguier.

Ndërkaq, pas paraqitjes së saj në dy prej karaktereve më të vështira të muzikës klasike, sopranoja Besa Llugiqi shprehet e lumtur për këtë performancë dhe për bashkëpunimin e saj me Filharmoninë e Kosovës.

“Të performoj me Filharmoninë e Kosovës është gjithmonë kënaqësi për mua. Për veprat që i kemi përzgjedhur, mund të them se janë jashtëzakonisht të vështira teknikisht, e sidomos në një koncert ku të dyja është goxha sfidë për ta përballuar, sepse janë natyra të ndryshme, karaktere të ndryshme dhe vështirësi të ndryshme teknike. Njëra është më dramatike, tjetra ka më shumë nota të larta por që mendoj që tek publiku shkuan shumë mirë dhe kjo është më e rëndësishmja”, theksoi Llugiqi duke shtuar më tutje se shpreson që edhe në koncertin e radhës me Filharmoninë e Kosovës në Bern të Zvicrës, do të prezantohen po ashtu denjësisht.

Po ashtu, për KultPlus foli edhe saksofonisti, Vitaly Vatulya, i cili shprehet i kënaqur që pati mundësinë që të prezantohet përpara audiencës së Kosovës me një vepër të një kompozitori vendas.

“Mendoj që shkoi shumë suksesshëm dhe është një nder dhe kënaqësi e madhe për mua që të luaj për këtë audiencë entuziaste dhe sidomos një pjesë nga kompozitor vendas, i cili shkroi këtë pjesë për saksofon duke përdor ritme dhe motive tradicionale ballkanike dhe mendoj që është një investim i madh për të ardhmen e muzikës në Kosovë”, tha Vatulya për KultPlus.

Ndërkaq, ju kujtojmë se ky ishte koncerti përmbyllës i Filharmonisë së Kosovës për muajin shkurt, kurse koncerti i radhës do të mbahet në Bern të Zvicrës, më 12 mars, 2025./KultPlus.com

Hapet sot ekspozita “Shkëmbimi i perspektivave” në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë

Ekspozita “Shkëmbim i perspektivave” do të hapet sot nga ora 18:00 në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.

Kjo ekspozitë retrospektive e artistëve serbë që jetojnë në Kosovë, prezanton punimet e paraqitura në Shtëpinë e Evropës, në Mitrovicë të Veriut gjatë vitit 2024, duke ofruar vështrim në shprehje dhe tema të ndryshme artistike.

Artistët pjesëmarrës janë: Aleksandra Negojeviq, Dejan Periq, Stefan Boshkoçeviq dhe Pavle Rapajiq.

Ekspozita në fjalë është një mundësi për të përjetuar dialogun artistik që lidh komunitetet dhe perspektivat përmes krijimtarisë./KultPlus.com

“Lonely Planet”: Gjithçka që duhet të dini përpara se të vizitoni Shqipërinë

Nga të gjitha vendet ku kam qenë (mbi 60), stereotipet që dëgjoj për Shqipërinë janë nga më të ndryshmet, shkruan Joel Balsam për revistën e udhëtimeve “Lonely Planet”.

Përveç se vendi është i mrekullueshëm – Shqipëria është një komb në zhvillim që vazhdon të dalë nga një diktaturë brutale 45-vjeçare që përfundoi në vitin 1991.

Shqipëria ka një shkallë krimi më të ulët se ajo e Kanadasë dhe popullohet me turistë çdo verë – duke pasur parasysh plazhet e saj të mrekullueshme, shëtitjet e mahnitshme dhe qytetet “muze” magjepsëse të listuara në UNESCO.

Filloni të planifikoni udhëtimin tuaj në Shqipëri pa asnjë shqetësim.

Ja çfarë duhet të dini përpara se të vizitoni Shqipërinë:

Shqipëria është e sigurt

Ndoshta ishte filmi “Taken” i vitit 2008, në të cilin Liam Neeson lufton kundër trafikantëve shqiptarë të qenieve njerëzore që rrëmbyen vajzën e tij. Ose lajmet e bujshme për mafian shqiptare nëpër Evropë. Apo ndarjet e lashta etnike në rajon. E gjithë kjo mund të ketë kontribuar në një reputacion të keq të pamerituar kur bëhet fjalë për sigurinë.

Thjesht nuk është e vërtetë. Vjedhjet këtu nuk janë të zakonshme, dhe shumë turiste të vetme nuk e shohin Shqipërinë më të rrezikshme se ndonjë vend tjetër në Evropë.

Gjithashtu, autostradat kryesore janë të mirëmbajtura.

Shmangni korrikun dhe gushtin nëse nuk ju pëlqejnë turmat

Ndërsa shumë video të mediave sociale kanë promovuar Shqipërinë, ato gjithashtu kanë kontribuar që Riviera Shqiptare të mbushet plot me vizitorë çdo verë.

Në shumicën e plazheve në dhe përreth fshatit të njohur të Ksamilit, nuk do të gjeni lehtësisht hapësirë ​​për të vënë një peshqir.

Në mënyrë të ngjashme, qytetet e Shqipërisë të mbrojtura nga UNESCO, Berati dhe Gjirokastra – mbushen me vizitorë në muajt e ngrohtë dhe shtigjet e ecjes në Bjeshkët e Nemuna midis Thethit dhe Valbonës – mund të jenë të mbushura me njerëz.

Në vend të kësaj, rezervoni udhëtimin tuaj në Shqipëri në pranverë (maj dhe qershor) ose vjeshtë (shtator dhe gusht) për të qenë në vendin e temperaturave të ngrohta dhe pa turma.

Hyrja është e lehtë dhe pa viza

Për shtetasit e më shumë se 80 vendeve, një vizë turistike 90-ditore nuk do t’ju kushtojë asgjë. Kur të mbërrini në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, do të skanoni pasaportën tuaj dhe do të hyni në Shqipëri pa pasur nevojë të flisni me një oficer të sigurisë kufitare.

Për shtetasit amerikanë bëhet edhe më mirë: një vizë turistike falas ju lejon të qëndroni deri në një vit.

Merrni tragetin për në Shqipëri nga Korfuzi nëse plazhi është prioriteti juaj

Aeroporti ndërkombëtar i Shqipërisë është në Tiranë, i cili është të paktën disa orë me makinë nga plazhet më të mira të Rivierës Shqiptare.

Nëse prioriteti juaj është plazhi, fluturoni për në ishullin grek të Korfuzit dhe më pas merrni tragetin për në Sarandë.

Plazhet rreth Ksamilit janë të aksesueshëm lehtësisht – dhe ju mund të merrni me qira një makinë për të shkuar në veri për plazhe më të qeta.

Përdorni taksi elektrike në Tiranë

Nëse fluturoni në aeroportin e Tiranës, blini një kartë SIM nga një operator lokal dhe më pas kontaktoni një kompani taksish elektrike – për t’ju marrë.

Ose hipni në një autobus aeroporti për një udhëtim 30- minutësh deri në Sheshin Skënderbej në zemër të Tiranës. Autobusët vijnë çdo një orë dhe ju mund të paguani me para në dorë.

Shqipëria është miqësore me fëmijët

Prindërit shqiptarë janë ata që i nxjerrin fëmijët me vete kudo që shkojnë dhe i trajtojnë të vegjlit si mbretër.

Mos ngurroni të merrni me vete edhe femijët tuaj. Në shumicën e qyteteve shqiptare, strukturat e lojërave janë të shumta për të ndihmuar në djegien e energjisë.

Merrni me qira një makinë 

Planifikimi i një itinerari në Shqipëri do të varet nga koha që ju do të keni në dispozicion.

Nëse dëshironi të shfrytëzoni sa më shumë kohën tuaj, merrni parasysh marrjen me qira të një makine.

Mund të përdorni një agjenci ndërkombëtare në aeroportin e Tiranës, ose të paguani cash me një çmim më të mirë në një agjenci lokale.

Nëse vozitni, shmangni lundrimin nëpër Malet e Nemuna veriore, pasi moti është i paparashikueshëm. Në vend të kësaj, shkoni në një turne ecjeje që përfshin një shëtitje me varkë në Valbonë. Akomodimet në Shkodër mund të planifikojnë udhëtimin për ju.

Zbuloni ushqimin dhe verën shqiptare

Ashtu si fqinjët e tij të dikurshëm të pushtuar nga osmanët, shqiptarët ofrojnë mish të shijshëm të pjekur në skarë dhe raki të fortë (rrushi ose kumbulle).

Vendi po zhvillohet gjithashtu si një destinacion verërash, veçanërisht rreth qytetit qendror shqiptar të Beratit.

Sigurohuni që të vizitoni zgarën tradicionale në Pazarin e Ri të Tiranës dhe përgjatë Rrugës së Kavajës provoni qoftet, taratorin, byrekun (me mish, djathë ose spinaq).

Përgjatë Rivierës shqiptare, ushqimi është i ngjashëm me atë që do të gjeni në Itali apo Greqi, makarona me produkte deti dhe sallatë greke si artikuj të njohur të menusë.

Pjatat priren të jenë të shijshme dhe shumë më të lira se sa në restorante të ngjashme buzë detit në vendet fqinje.

Historia magjepsëse e Shqipërisë

Si në shekujt e kaluar ashtu edhe në ditët e sotme, historia shqiptare të magjeps. Ju mund të dini rreth Nënë Terezës, një shqiptare e lindur në Maqedoninë e Veriut – por merrni pak kohë për të mësuar rreth Skënderbeut, heroit kombëtar që mbrojti vendin kundër Perandorisë Osmane për disa dekada – gjatë një vizite në qytetin e Krujës, dhe rreth Enver Hoxhës, diktatorit të vendit./atsh/KultPlus.com

Gjinushi: Akademia e Shkencave, jo më institucion honorifik

Në mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kryetari akad. Skënder Gjinushi, paraqiti raportin përmbledhës të veprimtarisë vjetore të Akademisë së Shkencave për vitin 2024.

“Viti 2024 shënoi kthimin e Akademisë nga një institucion thjesht honorifik, në një institucion kryesor aktiv të kërkimit shkencor. Për herë të parë pas 17 vjetësh institutet e albanologjisë, Qendra e Studimit të Artit si dhe ajo e bioteknologjisë e gjenetikës e ushtruan aktivitetin e tyre si pjesë aktive e kërkim-studimit pranë Akademisë, si njësi të përhershme të saj”, u shpreh akad. Gjinushi.

Kreu i ASHSH theksoi se, investimi për shkencën është investimi më i drejtpërdrejtë për brezat e rinj dhe masa më efikase për frenimin e largimit të trurit, madje dhe për rithithjen e tij.

Me tej, Gjinushi trajtoi në fjalën e tij rikonfirmimin e tezave bazë të albanologjisë, vjetërsinë e gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, etj. duke theksuar se, Akademia nuk është mohuese, por vërtetuese e lashtësisë dhe origjinës së hershme të shqipes e qenies së saj një degë fillestare e trungut indoeuropian, degë-bijë.

Kryetari i ASHSH, cilësoi përgatitjen e Fjalorit të madh të shqipes si realizimin më të rëndësishëm të kësaj akademie. Prej 100 mijë lema që ishte parashikimi, fjalori do të përmbajë 120 mijë lema.

Një nga projektet e ASHSH për të ardhmen është të ketë dhe entin e saj botues. Në programin dhe synimet e ASH-së për vitin 2025 parashikohen që të kryen rreth 140 aktivitete, 84 projekte, botimi i 11 periodikëve dhe rreth 65 tituj veprash a aktesh konferencash a botime promovuese.

Objektivi kryesor është rritja e investimeve për shkencën, me programim të qartë, për të arritur te niveli i financimit 1% të GDP-së para vitit 2030, objektiv ky i vënë në Samitin e Akademive e të universiteteve publike në kuadër të procesit te Berlinit, zhvilluar në Tiranë./atsh/KultPlus.com

Natën kur binte borë shtëllungë

Poezi nga Donjeta Mejtani

të prita jashtë teatrit
me gotën e venës së nxehtë n’dorë
dhe zemrën e shtrëngueme n’gjoks.
të prita me afshin e fshehun nën mangë,
e m’u duk sikur t’kam pritë ashtu
edhe nëpër jetë të tjera
jashtë portave të drunjta
diku nëpër qytete tashma t’shembuna t’botës.

por fjala jote e ashpër, e ftohtë
si tehu i nji brisku të mprehtë
m’u duk se e shqeu vellon e qiellit
e ma shembi me krejt çka kish në të mbi kokë
re të bardha zbarkuen si kuaj të tërbuem teposhtë
natën kur më the që na s’bahemi dot,
natën kur binte borë shtëllungë.

kerri yt endej e endej në rrugët e ngushta
në periferi të këtij qyteti t’dërrmuem
në atë ftohtësi rrëshqitëse
bora hidhej rreptë mbi xhamin e përparmë,
fshirëset edhe ma rreptë e heqnin tutje
e ti si statujë më dukeshe,
si statujë e krisun, si statujë e ngrirë
ulun pranë meje në trishtim,
me mendjen e ikun në dëlir./KultPlus.com

“Fiamuri Arbërit”, revista e parë shqiptare e themeluar nga De Rada

Më 20 korrik 1883, doli numri i parë i revistës së përmuajshme “Fiamuri Arbërit”.

Kjo reviste njihet si revista e parë shqiptare, në numrat e së cilës ngulmohej për autonominë e Shqipërisë. “Fiamuri Arbërit” ishte e natyrës politike, shoqërore, kulturore dhe letrare në gjuhën shqipe (arbëreshe) dhe në italisht.

Fillimisht u botua në Koriliano Kalabro dhe nga shtatori i vitit 1885 në Kozenca. Botimi i saj u ndërmor nga personaliteti i botës arbëreshe, Jeronim de Rada.

De Rada, i cili gëzon atributet e “babait” të gazetarisë shqiptare, kish konceptuar edhe “L’albanese d’Italia”, të përditshmen e parë në historinë e shtypit shqiptar./ KultPlus.com

Alphonse De Lamartine: Skënderbeu politikani e mbreti i shqiptarëve

Në faqen n°314 të librit me titull “Histoire de la Turquie II – Historia e Turqisë II”, të poetit, romancierit, dramaturgut dhe politikanit të njohur francez, Alphonse De Lamartine, botuar në Paris në 1862, gjejmë një përshkrim të veçantë për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

“Skënderbeu nuk ishte vetëm një konspirator gjakatar, një dezertor i pabesë, një vrasës nokturn; ai ishte gjithashtu një hero dhe një politikan. Ai e pa stuhinë që kishte tërhequr në vendin e tij, dhe u betua ndaj popullit të tij që të shlyejë krimin e tij deri në fund.

Disa mijëra shqiptarë, më të kaliturit, u vendosën prej tij, si më parë grekët në Termopilët (Termophyles), që t’i bllokonin ushtrisë osmane grykën e ngushtë dhe të thellë që ngrihet nga Maqedonia në Epir.

Ai thirri në Krujë pesë motrat e tij, të martuara me krerë të tjerë shqiptarë të krahinave fqinje, vëllezërit, nipat, prindërit e tij, miqtë dhe klientët e shtëpisë së tij, të gjithë krerët e qyteteve, fshatrave, fiseve malësore, të bashkuar nga shpirti i racës dhe britmës së gjakut.

Dymbëdhjetë mijë shqiptarë dhe shqiptare nga të gjitha radhët dhe moshat shkuan me armët në dorë, me fenë ose me lirinë në zemër, në këtë këshill të madh të kombit në Krujë.

Emri i Skënderbeut, rinia, figura, elokuenca, grada e tij në Shqipëri, suksesi i tij në ushtritë turke, ku vetëm ai kishte sekretin për t’i mundur, nga që vetë i pati habitur me guximin e tij, prestigjin e dëbimit, gjakun e vezirit të therur me dorën e tij, kufomat e dhjetë mijë otomanëve të Muratit të II, animuan këtë asamble popullore me një heroizëm, i cili u përcjell të nesërmen nga gratë, pleqtë, fëmijët, deri në shkëmbinjtë më të fundit të Shqipërisë.

Me një zë unanim, motori i kryengritjes u shpall lider. Shqipëria nuk njohu më asnjë princ tjetër kombëtar përveç atij që i solli kombësinë dhe fenë e saj; thesare, armë, krahë, zemra, jetë e vdekje, gjithçka ishte e tij. Skënderbeu u bë në një ditë jo vetëm mbreti, por edhe emri i shqiptarëve”, shkruan Darsiani.com./ KultPlus.com

Vepra “15 ditë prilli” nga Anisa Markarian, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit

“Një ngjarje që nuk duhet humbur”, e ka cilësuar teatri “Aleksandër Moisiu”, dramën e vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi.

“15 ditë prilli” është dramatizimi i romanit me të njëjtin titull të autores Anisa Markarian dhe vjen premierë absolute në teatrin “Aleksandër Moisiu” në datat 1, 2, 3, 4 mars. Ngjarjet tregojnë 15 ditët e festimit të ditëlindjes së udhëheqësit të lavdishëm, që zhvillohet gjatë një periudhe dyjavore, duke përshkruar ngjarje të ndryshme që ndodhin brenda kësaj periudhe.

Teksti është një gërshetim i situatave sa dramatike, aq groteske e me nota humori që e bëjnë shikuesin të buzëqeshë.

Autorja Anisa Markarian, e njohur nga publiku i gjerë si aktore protagoniste e kinematografisë, prej vitesh i është kushtuar shkrimit, duke botuar “Sënduku i kujtimeve’, “15 ditë prilli”, “Shtëpia tek Selvia”, “Më përfytyrohesh” etj.

Vetë autorja e veprës, e konsideron “15 ditë prilli” si një detyrim moral për të transmetuar kujtimet dhe përvojat e saj te brezat e ardhshëm, ndërsa regjisorja Driada Dervishi e cilëson si produksion të jashtëzakonshëm për shkak edhe të pjesëmarrjes së 12 aktorëve dhe njëkohësisht një sfidë të veçantë për të.

Në shfaqje interpretojnë: Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Adelina Muça, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj, Sanie Hoti, Jaho Guma.

“15 ditë prilli” vjen me muzikën e Rona Castrioti dhe me skenografi të Beqo Nanaj./ KultPlus.com