Milena Selimi: Kambanat e alarmit për letërsinë e Ballkanit kanë shumë kohë që bien, por nuk i sheh dhe dëgjon askush

Era Berisha

“Me u ba përkthyes lypset të kesh shumë kulturë, ja pse përkthyesit e mirë janë të pakët” – një nga thëniet më të njohura të përkthyesit të klasikëve helenë, latinë dhe francezë, Gjon Shllaku. Të kundërtën e saj duket se e simbolizon figura e përkthyeses shqiptare Milena Selimi, e cila në gjuhën shqipe ka pruar përkthime të shumta të autorëve të Ballkanit. Edhe pse të përkthesh është një fushë e vështirë, esenca mbetet tek fjalët që bëhen miqtë më të ngushtë të përkthyesve. Vetëm fjalët kanë fuqinë të të dërgojnë në dimensione të larmishme ku secila godet me brishtësinë, kuptimin dhe nuancat që përmban. Dhe, gjuha shqipe në veçanti ka një hije pas së cilës luhet një melodi e bukur tingëllimash, shkruan KultPlus.

Ka kultura, mendime e kohëra të ndryshme që ekzistojnë në botë, mirëpo për të njohur më mirë secilën pjesë të tyren, përkthimi e luan rolin kryesor. Këtë detyrë mbi supe po e marrin shumë përkthyes sot të cilët po bëhen urë lidhësit më të mirë të shoqërive në botë, e sidomos në një kohë kur pikërisht ato po shkatërrohen dita-ditës. Përkthyesja Selimi ka kapërcyer majat e rimave, ka lëkundur dukshëm fjalët, ka ndriçuar universin e gjuhës shqipe, duke i bërë jehonë shpirtit të secilit autor që ka përkthyer.

Në artin e përkthimit, njëri mund të mbetet i shtangur, mirëpo përkthyesja Selimi e ka bërë të kundërtën. Ajo ka reflektuar shpirtin e saj artistik tek përkthimet që i ka bërë. Iu është përulur artit të përkthimit me gjithë qenien e saj, deri në një pikë të atillë ku ka dirigjuar rrëfimin në shqip akoma më mirë se në origjinal.

Selimi ka lindur në Tiranë, në një familje me baba koreograf dhe nënë bibliografe. E ëma e saj është bullgare dhe babai i saj kosovar. Ajo i përket gjeneratës X, brezit të padukshëm, që jetoi Luftën e Ftohtë, Murin e Berlinit, por edhe rënien e tij. Ajo lindi në vitin 1968 pak muaj pas pushtimit të Çekosllovakisë, në një vend komunist që kishte nisur të ndërtonte socializmin “me forcat e veta”. Në fëmijërinë e saj, arti i baletit ishte i kufizuar vetëm në vepra kombëtare shqiptare, heronj që ndërtonin vendin me kazma e lopata dhe mbronin kufijtë me pushkë në dorë. Në ato vite baleti klasik ishte i ndaluar, autorët e huaj të ndaluar, kufijtë e Shqipërisë ishin të mbyllur. Asisoj, ajo është rritur mes librash dhe artit dhe nuk kishte sesi të ndahej prej tyre.

“Në pamje të parë duket shumë e bukur…të rritesh mes fjalësh dhe baletit…”

Pasionin për përkthimin e ka gjetur brenda ekzistencës së rrënjëve të saja bullgare. Në mbarim të studimeve të larta në Histori-Filologji, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe, ajo mbrojti diplomën me temën “Poezia bullgare e papërkthyer”, ku u përpoq për herë të parë të përkthente autorë si: Blaga Dimitrova, Dora Gabe, Vapzarov, Javorov dhe Elizaveta Bagrjana. Ishte e vetmja studente në kërkim të rrugës. Më pas u mor me gazetari dhe vetëm në vitin 2010 u takua sërish me përkthimin.

Përkthyesja Selimi përkthen nga gjuha bullgare, serbe, kroate dhe maqedonase. Në çdo udhëtim të sajin në Bullgari, ajo e kupton se po shkon në mëmëdhe. Në çdo autor bullgar të përkthyer në shqip ajo thellë beson se atdheu i saj i do autorët e mëmëdheut.

“Unë ndihem edhe shqiptare, edhe bullgare. Është bukur t’u përkasësh dy kulturave, është pasuri që të begaton mendjen, shpirtin, gjykimin. Unë ndjehem shumë mirë në të dyja gjuhët, por përkthej vetëm nga bullgarisht në shqip. Kjo tregon se gjuha ime më e fortë mbetet gjuha shqipe.”

Ekziston një libër në veçanti që mban një domethënie unike për përkthyesen Selimi. Bëhet fjalë për romanin “Kohëstrehim” të autorit Georgi Gospodinov, pjesë nga i cili u lexuan në Strasburg (2024) në Konferencën Europiane të Përkthimit, (Ceatl), ku përkthyeset, Angela Rodel, Maria Vutova, Magdalena Pytlak, Milena Selimi, Marie Vrinat-Nikolov dhe autori Gospodinov diskutuan dhe lexuan në gjuhët: bullgarisht, shqip, anglisht, polonisht, spanjisht dhe frëngjisht.

“Ka qenë një nga çastet më të rëndësishme në karrierën time si përkthyese, sepse romani “Kohëstrehim”, botuar nga shtëpia botuese Toena dhe mbështetur nga Traduki pati një premierë europiane në këtë konferencë. E rrallë kjo për një përkthim. Jam e lumtur sepse së bashku me autorin lexuam, diskutuam, u dëgjuam nga më shumë se 200 pjesëmarrës në gjuhën bullgare, në një skenë europiane në zemër të Strasburgut, UNESCO 2024 World Book Capital City (WBÇ), qytetit me temën e vitit “Read our World/ Lexo Botën Tonë”, për të treguar se përkthyesi mbetet po aq i rëndësishëm si autori, ai që transporton kulturën përtej brigjeve. Krenare për atë që Gospodinov e thekson gjithmonë: Чудото на Изика/ Mrekullia e Gjuhës”, thotë Selimi për KultPlus.

Procesi i zbërthimit të një përkthimi konsiderohet si pjesa më sfiduese për një përkthyes. Përkthyesja Selimi fillimisht vendos një urë komunikimi me autorin dhe pas disa konsultash me të, nis të përkthej kapitull pas kapitulli. Ajo ka patur fatin të përkthej autorët bashkëkohorë si: Gospodinov, Popov, Terzijski, Ruskov, Zlatimir Kolarev, apo të tjerë nga Ballkani si: Madzirov, Basara, Dimkovska, Edo Popoviç, Dejan Dukovski. Komunikimi dhe njohja me autorët është një ndihmesë e vyer në punën e saj.

Përkthimi për të është një punë që s’mbaron. Ajo beson se duhet të jesh gjithë kohës në dije dhe të dish informacione të përhershme për autorin, veprën dhe vendin nga përkthen. Si njohëse e mirë e gjuhëve të tjera të Ballkanit, ajo hulumton edhe përkthimet në ato gjuhë.

Nga mjetet apo burimet që ajo përdor për përkthimet e saja, më e rëndësishmja mbetet komunikimi me autorin, fjalorin dhe mentoren e saj të jetës, nënën e saj, Janka Selimi, përkthyesja që ka 60 vite eksperiencë. Përkthyesja Selimi beson se qëndrimi besnik ndaj tekstit origjinal bëhet vetëm atëherë kur vlerësohet autori, vepra dhe origjinaliteti. Këtu përfshihen edhe fjalët e atyre autorëve që shkruajnë fjalë të huaja apo qëllimshëm shpërbëjnë rregullat e drejtshkrimit, apo të sintaksës, ose dhe atëherë kur krijojnë fjalë të reja, etj. Pa tejkaluar nivelin kuptimor në gjuhën shqipe, përkthyesja Selimi nuk i heq asnjë presje stilit të tyre.

“Gospodinov mbetet një autor i vështirë, ai ka lënë shumë gracka në roman, referenca, citate, aludime. Si një autor për të cilin vetë gjuha është parësore, librat e tij nuk janë aspak të lehtë për t’u përkthyer.  Shpesh herë në romanin “Kohëstrehim” më duhej të përktheja jo vetëm tekstin, por edhe kontekstin e të gjitha tregimeve brenda romanit, duke vendosur footnota. Romani luan me rishfaqjen e dhjetëvjeçarëve të ndryshëm të shekullit të njëzetë dhe ka shumë faqe delikate ku zhargoni i një epoke të caktuar duhet gjithashtu të tingëllojë i vërtetë. Në këtë ndërtim të ri të së shkuarës aktivizohen shtresa të ndryshme gjuhësore dhe kujtese. Si mund të përkthehet fare e kaluara, personalisht dhe kolektivisht? Dhe si mund të përkthehet kiçi nacionalist për vendet e ndryshme në roman? Në këtë roman pata detyrën e vështirë për të përkthyer dy zëra – atë të Gaustinit dhe të narratorit, të cilët ecin paralelisht, si dy fije, duke u ndërthurur e ndarë. Kjo përzierje dhe divergjenca zërash është logjikisht e rëndësishme për romanin, ndaj më vjen mirë që mbajta qasjen origjinale të romanit”, ka thënë Selimi.

Sipas saj, bazuar në hipotezën e Sapir-Whorf, çdo gjuhë lind mënyra të ndryshme mendimi dhe prej andej – frymë shpirtërore të ndryshme. Kështu, ajo beson se i mbetet mendimit për ruajtjen dhe pasurimin e vazhdueshëm të gjuhëve të ndryshme në letërsi.

“Në diplomaci mund të ketë një gjuhë universale, por në letërsi s’është e nevojshme. Këtu del roli i përkthyesit të mirë. Ai merr një krijim dhe e rishkruan në gjuhën tjetër, duke e transportuar në gjuhën dhe frymën e kombit- marrës. Ai krijon një vepër të re, por kjo vepër e re, natyrisht mban frymën e origjinalit, ashtu siç mund të pasqyrohej kjo frymë në botën gjuhësore të kombit tjetër. Shkrimtari duhet të shkruajë në gjuhën e vet. Dhe të përpiqet që kjo gjuhë të pasurohet sa më shumë. Ndërsa përkthyesi të bëjë të mundur që vepra e përkthyer të pasurojë edhe gjuhën e vendit ku përkthehet, sepse idetë, të mëkuara nga shpirti i një populli (falë gjuhës dhe kulturës së saj të veçantë), nëse përkthehen saktë, do të jenë një risi e mrekullueshme për kulturën dhe gjuhën ku hyjnë pas përkthimit”, tregon ajo.

Gospodinovn ajo e konsideron si një nga autorët europianë që trazon kohën, një nga shkrimtarët më të veçantë në stil e mjeshtëri shkrimi. Në fakt, ajo nuk i është “ndarë” këtij autori në çdo botim të ri, për arsye se e gjithë kritika bullgare dhe europiane vazhdon të jetë kureshtare për atë vepër që Gospodinov nuk e ka prodhuar akoma.

“Në romanin “Kohëstrehim” sfida nisi që në titullin e librit, -Времеубежище- është një neologjizëm në bullgarisht e krijuar nga Gospodinov, kështu që duhej të krijoja edhe unë një fjalë kuptimplotë për gjuhën shqipe. Gjendet mirë në paqartësinë e tij: strehimi nga koha dhe strehimi brenda kohës. Të dyja janë tërheqëse, por të pamundura. Nostalgjia dikur ndihej si një burim ikjeje e padëmshme dhe ushqim i rastësishëm. Ajo ka filluar të duket si një lëndë djegëse fosile, duke e shkurtuar të ardhmen tonë ndërsa digjet. Jam konsultuar me autorin gjatë gjithë kohës, ai është një autor që e vlerëson dhe e dëgjon përkthyesin e tij. Gjuha shqipe e ka fjalën vendstrehim, (убежище) që nuk mundet të ‘strehojë’ edhe kohën në një farë mënyre. Koha është abstrakte. E pata menduar “Strehimi i kohës” por nuk më çon tek ideja e autorit, por duhet lexuar. Është një gjetje brilante e një autori si Georgi Gospodinov që rrëfen për gjëra të pamatshme”, thotë Selimi për KultPlus.

Sipas saj, nuk ekziston ndonjë përkthim që e ka më afër po më larg vetes. Ajo beson se ka përkthime që duan më shumë kohë dhe studim. Këtu ajo ka kujtuar romanin “Zemra e Tokës/Kthimi i Niçes në Qipro”, me vështirësi të mëdha në citime filozofie, autorësh të shkencave sociale, historike, pikëpamje dhe rryma të ndryshme politike, etj.

“Zemra e Tokës” është një roman që ajo ia ka vendosur me shumë kënaqësi fjalën ‘fund’ dhe i është kthyer pas më shumë se tri muajsh për ta riparë. Duke e konsideruar veten si një njeri i kulturës, ajo ka përdorur njohjet dhe kontaktet me autorë, shtëpi botuese, kolegë të Ballkanit për të marrë dhe shkëmbyer informacione. Tashmë në këtë fazë të punës si përkthyese, shtëpitë botuese janë gjithmonë të interesuara për propozime që vijnë nga përkthyesja Selimi.

“Le të themi se përkthej ata autorë që mendoj se i duhen lexuesit shqiptar.”

Së fundi, në Tiranë në Panairin e Librit për vitin 2024, përkthyesja Selimi ka fituar çmimin për përkthimin më të mirë të librit “Kohëstrehim”, të autorit Georgi Gospodinov. Në çastin e parë, ajo e konsideroi këtë çmim si një vlerësim nga atdheu i saj për kontributin e saj nga mëmëdheu.

“Unë përpiqem modestisht t’i sjell lexuesit shqiptar autorët më të mirë nga Bullgaria dhe Ballkani. Ky çmim e rikthen edhe autorin Georgi Gospodinov (fitues i çmimit ndërkombëtar Booker 2023) në tregun shqiptar, e bën të jetë i rëndësishëm edhe për lexuesin shqiptar, edhe pse ne e kemi patur në shqip që në vitin 2010, me veprën “Roman Natyral”, përkthyer nga nëna ime, Janka Selimi. Çmimin e fitova në një garë me emra të njohur kolegësh të përkthimit, Sokol Çunga, Romeo Çollaku, Edon Qezari, Lindita Gjetani, që garonin me emra të njohur autorësh, kështu që çmimi merr edhe më shumë shije fitoreje. Po aq i rëndësishëm ishte dhe ‘dorëzimi i kurorës’ nga Günter Grass tek Georgi Gospodinov, nga përkthimi magjik i Anna Koves me romanin “Daullja prej llamarine” tek “Kohëstrehim””, ka thënë Selimi.

Për aq kohë sa do të ekzistojnë pagesat e ulëta për përkthyesin, redaktorin, korrektorin, dizajnin, po aq kohë do të gjejmë në treg edhe përkthime të rëndomta. Këtë e beson thellë përkthyesja Selimi e cila mendon se përkthimi i mirë mbetet një nga ato fuqitë e mëdha që i heqin kufijtë. Pra, ka plot vepra të përkthyera që ti nuk e sheh kufirin, nuk e kupton bregun tjetër nga po vjen. Ky fakt e gëzon atë sepse është i njëjtë si në Shqipëri dhe Kosovë.

Ndërsa, ajo që i dhemb qëndron tek pjesa se përkthyesi në Shqipëri, (me disa cent më shumë ndoshta në Kosovë) është në një përpjekje të vazhdueshme mbijetese.

“Në Shqipëri rriten çmimet e kastravecit dhe letrës higjienike, por jo tarifat për përkthyesin letrar. Politikat e librit dhe institucionet përkatëse të kulturës kanë investuar shumë pak sa i përket fuqizimit dhe vlerësimit financiar të përkthyesit, aq më shumë kur flasim për gjuhë ballkanike”, shpalos Selimi.

Kur kalojmë bisedën tek pjesa e angazhimit të përkthimit letrar në universitetet shqiptare, atëherë alarmi bëhet akoma më i zhurmshëm. Përkthyesja Selimi është e angazhuar në përkthimet e letërsisë së Ballkanit, dhe si e tillë ajo vlerëson se kambanat e alarmit për letërsinë e Ballkanit kanë shumë kohë që bien, por që nuk i sheh dhe dëgjon askush.

“Jemi vonë. Jemi shumë vonë. Kemi humbur kaq shumë nga kultura e rajonit. Problematikat nisin me mungesën e përkthyesit profesionist nga këto gjuhë, mungesën e vëmendjes nga institucionet e kulturës, mungesën e programeve të përbashkëta ballkanike. Investimi i parë, i munguar dhe i rëndësishëm mbetet investimi në gjuhët ballkanike, duhet të ketë nxitje dhe ndërgjegjësim të katedrave të gjuhëve në Fakultetin Filologjik në Tiranë, Beograd, Sofje, ku mungon lënda e përkthimit. Nuk kemi përkthyes”, shpalos Selimi.

Selimi thotë se në Sofje, në universitetin “St. Kliment Ohridski” së fundmi është krijuar një platformë e përkthimit nga studentët, që sjellin ekstrakte nga veprat e autorëve shqiptarë në gjuhën bullgare. Pra, ka programe ballkanike që kanë bërë bashkë institucione të kulturës, shtëpi botuese dhe qendra kulturore, duke krijuar rrjete komunikimi mes Ballkanit dhe Europës, falë projekteve të ndryshme. Por ajo beson se gjithçka mbetet individuale dhe fragmentare në zinxhirin e investimit.

“Institucionet e kulturës duhet të krijojnë programe të përbashkëta ballkanike në fushën e përkthimit dhe të gjejnë instrumentet e duhura për të lëvizur të gjithë ngrehinën e komunikimit ndërletrar që lëviz vetëm në mënyrë fragmentare dhe me paterica. Si përkthyese, i kam pritur këto programe, kemi humbur kaq shumë vite dhe emra autorësh në periudha të rëndësishme të kulturës së fqinjëve. Të mos humbim trenin e fundit: Autorët bashkëkohorë të këtij shekulli”, tregon Selimi.

Sipas saj, vendet e rajonit janë më të favorizuara në gjuhë. Serbë, kroatë, maqedonas, malazez, bullgarë janë të ngjashëm për sa i përket gjuhës që flasin dhe njohin, kështu që investimi i tyre në përkthimin e njëri-tjetrit është më pak i vështirë, andaj konsiderohet se janë të rrallë përkthyesit e interesuar për autorët shqiptarë.

“Kemi fatin të kemi përkthyesit me origjinë shqiptare, që jetojnë në shoqëri dygjuhëshe. Shqipja është një gjuhë e veçantë në familjen indo-evropiane dhe investimi në nxënien e gjuhëve ballkanike në Shqipëri duhet të jetë dyfish më i lartë. Nuk flas këtu vetëm për letërsinë, por edhe për studiuesit, hulumtuesit, antropologët, etnografët e muzikologët. Arkivat ballkanike janë të pasura me dokumente që duhen zbuluar, që i vlejnë historisë dhe kulturës shqiptare. Për këtë duhen ata, përkthyesit, që i kemi në pakicë”, thotë ajo.

Teksa arrijmë tek fundi i kësaj interviste për KultPlus, përkthyesja Selimi ka treguar që për momentin është duke punuar për romanin “Hagabula” të autorit bullgar Todor P. Todorov, fitues i Çmimit Special EUPL (2024), një histori utopike alternative e Perëndimit, shkruar në një realizëm magjik, me rrëfime utopike, mistike.

Përkthyesja Selimi ka thënë se ka plot punë kërkimore për këtë roman. Gjithashtu këtë vit, ajo pritet të punoj gjithashtu për romanin e fundit të Georgi Gospodinovit, “Kopshtari dhe vdekja”, i saponderuar në Bullgari me çmimin Helikon, çmimi kombëtar i letërsisë bullgare.

Përkthyesja Selimi në fund të kësaj interviste për KultPlus, për adhuruesit e përkthimit thotë se së pari duhet mësuar kultura, historia, antropologjia, etnografia, psikologjia dhe shtresëzimet filozofike të mendimit të vendit nga po transportohet libri dhe autori në gjuhën shqipe, e tek pastaj të niset përkthimi./ KultPlus.com

Huawei prezanton smartfonin e parë që paloset në tresh

Kompania kineze i është “përgjigjur” Apple – e cila sapo prezantoi iPhone 16 të ri – me një smartphone që duket sikur ka dalë direkt nga seria televizive fantastiko-shkencore Westworld, në të cilën protagonistët përdorin një pajisje celulare, ekrani i së cilës paloset në tre pjesë, shkruan ‘la Repubblica”.

Telefoni i ri quhet Mate XT dhe u prezantua në Kinë pak orë pas Apple Event në Cupertino. Edhe pse ka prototipe të telefonave inteligjentë me ekrane që palosen në pjesë të shumta, Huawei është i pari që tregtohet zyrtarisht.

Kur mbyllet përmes palosjeve, Mate XT ka përmasat e një smartphone tradicional – përveç trashësisë, e cila duket pak më e madhe – por kur hapet bëhet një tabletë e vogël dhe madhësia e ekranit rritet ndjeshëm.

MateXT kushton 2800 dollarë dhe tani për tani mund të blihet vetëm në Kinë. Huawei tha se pajisja tashmë është porositur nga më shumë se katër milionë njerëz. /atsh/ KutlPlus.com

‘Sa shumë djelmët i paska pasë ky Stalini në këtë dhenë tonë’

Dhuna bahet pushtet

Dhuna tiranike e quajtun “proletare”, e ushtrume ditë e natë gjithkund e papushim, pa dallue fshat, as qytet, e shoqnume me britmat e sloganet papagal dhe torturat çnjerëzore, me rrenat e kaçarrenat e njerëzve servilë o t’paguem: mbas gjithë atyre pushkatimeve të përgjakshme, burgimeve e shpërnguljeve të dhunshme masive, ia dulen me e përkulë popullin e lirë të Shqipnisë dhe kështu dhuna partizane iu duel me u ba Qeveri.

Më 9 Maj 1945 ra Gjermania. Erdhi urdhni për më u ra të gjithë kumbonëve. Për botën duhej t’ishe gëzim i madh. Por nuk kje për ne. Fitues kishte dalë Stalini. Atij i këndohej ndër të gjitha rrugat nga gupet e repareve partizane.

“Bijt e Stalinit jemi ne,
që çlirojmë botën anë e m’anë,
e do t’valojë përmbi dhe
flamuri i kuq, flamuri parizant.”

Mbas darke , sic mblidheshim, tue folë për ngjarjet e ditës njani tha: ndigjoni fjalët e kangës; aman, sa shumë djelmët i paska pasë ky Stalini në këtë dhenë tonë!
– Lene ma,- iu përgjigj nji plak,- se këtu baba Sulltani e kushdo që të na sundojë na e thrrasim babë o xhajë.
– Pse po interesohesh ti? Sikur t’ishin këta të rijt hajde de, por ti… Para njizet vjetësh sigurisht që jo.
– – Un, – tha, – mendoj që Çurçilli nuk se si e duron Stalinin që ka zabtue gjysën e Europës, prandaj së shpejti angalzët e rusët do të jenë në luitë.
– Anglia ka paktin njëzetvjeçar të miqsisë me Bashkimin Sovjetik dhe ajo i mban paktet se e zen lepurin me qerre.
– Nuk ashtu punë paktesh,- tha një tjetër, – por Çurçilli vetë për më shkatërrue Gjermaninë ja u ka shitë Europën me gjithë kolonitë biznesmenëve të Amerikës e gjysen tjetër rusve. Gjatë historisë shofim se shumë ngjarje të mëdha të politikës i cakton vetëm trilli personal i udhëheqsave. Me këtë rasë ky i gëzohet vetëm titullit të naltë: “Strategu politik e luftës së dytë botnore” pamvarësisht se gjysën e Europës e ka hjedhë në skllavni e gjysën tjetër copë e zhel në rrugë të madhe me lypë nji copë bukë prej jankive.
– Ai qe ban, din shka ban,- tha plaku.- Un mendoj që ai bashkë me Ameriken nuk kanë me e lanë gjatë komunizmin në Europë.
– Po ti, Pater Gjon,- pveti nji tjetër,- shka mendon.
– Un ndryshoj,- tha At Gjon Shllaku.- Kjo luftë asht ba për më i sjellë botës nji ekpokë të re, atë të “Kombeve të Bashkueme”. Karta e Kasablankës na çontë nji bashkëpunim i të gjitha kombeve.
– Ajo nuk asht gja tjetër, por nji version i ri i Lidhjes së Kombeve të presidentit Uilson: ajo ma shumë e nxit luftën se e kundërshton.
– Kjo lufta e dytë, – tha At Gjoni, – u ba luftë ideologjike. Në njanen anë demokracitë kapitaliste bashkë me komunizmin dhe me tjetrën fashizmi e nazizmi që fliteshin për nji rend të ri. Kështu ky bashkëpunim ka më i përpunue njerëzit që hem kapitalistat të përqafojnë idetë e socializmit, edhe komunizmit ka me u ba demokratik e dikur e do të jetojnë bashkë.
– Kurgja nuk po na thue Pater Gjon, – tha persëri plaku. Komunizmi e demokracia janë krejt dy shjetana të kundërt dhe nuk mund aviten kurr bashkë. Hori e pasaniku jeton veç me fitue, ndërsa komunizmi asht si ai djali që kur rrin pa punë çohet e rrahë e mbyet fëmijën e vet. Mjerisht ne na ka përfshi ky e na do vuejmë deri të na lshojë. Ky nuk na lshon, por deri të vijë një tjetër me e hjekë qafet…

Ndërkaq ndër të gjitha qytetet administrata erdh tue u forcue pak a shum filloi me i sistemue edhe forcat deri atëherë partizane. Disa i veshi me uniformë policie e disa tjerë me ngjyrë tjetër. Filluen me u dukë bile edhe oficera të veshun me uniforma të bukura, por që nuk dihej se të cfarë ushtrije mund të ishin.
Edhe nëpër zyre filloi me marrë punën në dorë ndonji njeri që ishte me mjaft shkollë, megjithëse pak kush të kryente punë, por të dërgojshin herë te ai o te nji tjetër deri që të shumtën e herës të përcjellshin pa gja. – U shpallën ligjë financiare e monetare me udhnesa drakoniane: Vulosën karmonedhat dhe vunë tatime luftet, superfitimit e fitimit dhe e mblodhën gjithë florinin e ruejtun me shekujndër qypa. Ndër komisjonet e tatimit emnuen edhe shumë tregtarë, për me u dukë se janë të ndershëm, por ata të shkretët as nuk i pveste kush e ma vonë ranë edhe në burg, Së fundmi banë edhe shumë reforma e filluen diskutimet për ligjin elektoral, i cili vazhdoi gjatë. Në këtë kohë u zhvilluen edhe veprimtari të rëndësishme kulturore. Shumë njerëz edhe filluen të mendojnë se këta e kishin mbarë e përnjimend me vullnet të mirë se ishin djelm të mirë që dojshin me i dhanë nji zhvillim të vërtetë gjendjes sociale të popullit shqiptar aq të mbrapambetun. Por shumë prej njerëzve të ditun e kishin kuptue gjendjen. N’at kohë në Kishën Franceskane kishim nji kujdestar. Kishte që ishte shumë i ndershëm e besnik, por edhe jepte shejet e nji te mbete mendore dhe kushdo që e shifte tallej me të me dashuni. Ashtu vepronte edhe At Gjon Shllaku. Sa herë që e shiftë n’oborr të Kuvendit apo në kjoster e merrte mrapa tue qeshë e i thonte “O more Mark sa i lumtun je ti sot! Të gjithë duhet të kishin kokën tande se shka ndodh. Hajde t’i ndrojmë krenat bashkë”! Maarku ikte si fëmija se ndoshta mendonte se koka mund ndrrohen më të vërtetë.

Deri aty kish vojtë puna: më i pas lakmi nji të marri.

(Pjesë e shkëputur nga libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për më tregue”)/ KultPlus.com

Detaje të rënda nga dita e fundit e jetës së John Belushit

Këto janë disa detaje rreth vdekjes së John Belushi dhe orëve të tij të fundit, falë një libri që zbuloi detaje që ishin mbajtur të fshehura për publikun. Në “In The Castle on Sunset”, nga Shawn Levy, janë rindërtuar ditët e fundit të aktorit të famshëm:

“Më 28 shkurt 1982, John arriti në Chateau Marmont në kushte shumë komplekse, i djersitur dhe i zbehtë.

Ai vend ishte tani si një shtëpi e dytë, pasi aktori kishte qëndruar atje për më shumë se një muaj, duke u endur në disa suita. Në atë kohë ai po planifikonte filmin e tij të ri, me titull “Noble Rot”.

Megjithatë, puna nuk po shkonte mirë, as menaxherja e as “Paramount Pictures” nuk ishin të kënaqur me rezultatin dhe situata po degjeneronte ngadalë, me Belushi që mungonte në takime, ndërsa dhoma e tij ishte bërë si një stallë derrash dhe kishte humbur vazhdimësinë e higjienës personale.

Shumë mendonin se ishte nën efektin e vazhdueshëm të drogës dhe, sipas Shawn Levy, ata kishin të drejtë, pasi i kalonte ditët duke pirë alkool, tymosur marijuanë dhe duke gllabëruar kokainë, deri edhe heroinë.

Shumë personazhe shkuan për ta parë atë ditë, përfshirë Robin Williams dhe Robert De Niro, të cilët me sa duket kishin marrë kokainë me John Belushi pak para vdekjes së tij.

Në “The Castle On Sunset”, De Niro e ka gjetur dhomën e John një katastrofë të vërtetë, sikur dikush të kishte një sulm të zemërimit.

Më vonë, Robin Williams hyri gjithashtu në apartament, ku u ndal për disa “teke kokainë” dhe disa biseda, dhe më pas u largua nga dhoma, duke u ndier i shqetësuar”, thuhet në librin “In The Castle on Sunset”./ KultPlus.com

ITB Berlin 2025, Saranda fiton çmimin “Bronze Green Destinations”

 Bashkia e Sarandës ka fituar çmimin  “Bronze Green Destinations” në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin 2025.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila ndodhet në Berlin, Gjermani së bashku me kryetarin e bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi në një postim në rrjetet sociale tha se “Saranda e plazheve që u shndërrua edhe në Sarandën e tregjeve të Krishtlindjes, tani në Berlin vlerësohet si model i një destinacioni të gjelbër”.

“Bashkia Sarandë ka fituar çmimin “Bronze Green Destinations” në ITB Berlin, duke kaluar mbi 100 filtra të qëndrueshmërisë si shpërblim i përkushtimit për të krijuar një model të qëndrueshëm dhe ofertës gjithëvjetore të mikpritjes”, tha Kumbaro.

Saranda mori pjesë në një nga konkurset më të rëndësishme që organizon ITB Berlin për destinacionin e gjelbër dhe të qëndrueshëm dhe është një nga tre fituesit e këtyre çmimeve.

Kryebashkiaku Çaçi tha se “ne plotësuam më shumë se 100 kritere kur ishte përzgjedhja që Saranda të vendosej si një nga destinacionet për këtë çmim. Morëm çmimin të tretë, por vitin tjetër na bën të konkurrojmë për çmimin e parë”.

“Ky çmim konfirmon përkushtimin e qytetit tonë ndaj një turizmi të përgjegjshëm, menaxhimit të mbetjeve, mbrojtjes së natyrës dhe klimës. Një arritje që na motivon të vazhdojmë drejt një të ardhmeje më të gjelbër”, tha Çuçi.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në ITB Berlin synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e tur-operatorëve në stendën e Shqipërisë.

“Portret i një plaku” e Boccaccino, një sprovë e fuqishme e karaktereve medituese

Kjo pikturë e vogël është një sprovë portreti i kokës së një plaku, i përshkruar sipas standardeve ikonografike të shenjtorëve dhe filozofëve. Koka tullace dhe mjekra e gjatë dhe e bardhë janë, në të vërtetë, atribute tipike të këtyre personazheve. Shpatullat e tij gjithashtu të lakuara dhe sytë “rrëzuar” poshtë, janë një dëshmues i një efekti mbi shkakun.

Këto tipare tregojnë një qëndrim të meditimit, pendimit dhe reflektimit shpirtëror ose intelektual. Shfaqja natyraliste e figurës është e tillë që, vetëm duke e shikuar atë, shikuesi pothuajse mund të ndiejë ndjesi prekëse dhe një lloj afrie me këtë moment meditues.

Duket se dikush percepton qetësinë e kokës pa flokë, rrëshqitjen e lehtë të rrudhave në ballë dhe rreth syve, butësinë e një mjekre që duket se ka konsistencën e leshit të pambukut, dhe vrazhdësinë e pëlhurës modeste që ai vesh.

Veçanërisht domethënës është përdorimi i ngjyrës dhe dritës: figura del nga një sfond i zi për shkak të një kontrasti të zgjuar të kiaroskuros, të krijuar me një shkëlqim delikate, gati të ndezur, i cili i jep të gjithë figurës një lloj paqëndrueshmërie atmosferike.

Cituar në inventarin e Uffizi të 1890 si një vepër e Pordenone, ajo më pas iu atribua Jacopo Bassano, dhe më në fund Camillo Boccaccino (1501-1546). Kjo hipotezë duket se konfirmohet nga ngjashmëritë stilistike të pikturës në Uffizi me dy vepra të tjera të ekzekutuara nga Boccaccino në kthesën e tremujorit të parë dhe të dytë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë.

Djali i piktorit Emilian Boccaccio, Camillo Boccaccino filloi rrugëtimin e tij artistik duke ndjekur shembullin e mjeshtrave si Raphael, Correggio dhe Pordenone. Ai më vonë adoptoi eksperimentet e reja të Maninerizmit të rafinuara të Parmigianino dhe Giulio Romano, pa braktisur vlerën e ngjyrosjes veneciane të Titianit, të cilën ai mësoi gjatë rinisë së tij.

Vdekja e tij e parakohshme për fat të keq e pengoi Camillo të zhvillonte plotësisht aftësitë e tij artistike, të cilat me siguri do ta kishin çuar atë në famë shumë më të madhe nga sa gëzon ai sot. /Albert Vataj /KultPlus.com

Frederick Banting, dhe Charles Best, shpikësit e insulinës, zbulimi që u shpërblye me Nobel dhe me shpëtimin e miliona jetëve

Nga Albert Vataj

Në fillim të viteve 1920, zbulimi i insulinës u shfaq si një nga përparimet më novatore në historinë e mjekësisë, duke ndryshuar rrënjësisht fatin e pacientëve me diabet. Para këtij zbulimi epokal, diagnoza e diabetit – veçanërisht për fëmijët me diabet të tipit 1 – ishte pothuajse e barasvlershme me një dënim me vdekje. Mjekët mundoheshin ta ngadalësonin përparimin e sëmundjes përmes dietave jashtëzakonisht të kufizuara në kalori, të cilat shpesh shkaktonin kequshqyerje dhe dobësim ekstrem. Megjithatë, shumica e pacientëve nuk mund t’i shpëtonin komplikacioneve fatale, si ketoacidoza diabetike.

Në vitin 1921, mjeku kanadez Frederick Banting, me ndihmën e studentit të mjekësisë Charles Best, nën mbikëqyrjen e fiziologut të njohur John Macleod në Universitetin e Torontos, arriti të izolojë insulinën nga pankreasi i qenve. Ky ishte një hap i guximshëm, i cili do të hidhte themelet për revolucionin e ardhshëm në trajtimin e diabetit. Për të siguruar pastërtinë dhe sigurinë e ekstraktit, biokimisti James Collip u bashkua me ekipin, duke rafinuar formulën dhe duke e bërë atë të përshtatshme për përdorim njerëzor.

Një vit më vonë, në 1922, në Spitalin e Përgjithshëm të Torontos, erdhi prova e madhe. Në pavijonet e spitalit, fëmijët diabetikë qëndronin në koma, me pak ose aspak shpresë për mbijetesë. Me administrimin e parë të insulinës së pastruar, ndodhi një mrekulli e vërtetë: fëmijët nisën të zgjojnë njëri pas tjetrit, duke u rikthyer në jetë para syve të mjekëve dhe familjarëve të dëshpëruar. Ky moment shënoi një pikë kthese të jashtëzakonshme në historinë e mjekësisë, duke transformuar diabetin nga një sëmundje vdekjeprurëse në një gjendje të menaxhueshme.

Zbulimi i Banting dhe bashkëpunëtorëve të tij u njoh si një arritje madhore, dhe në vitin 1923, Banting dhe Macleod u nderuan me Çmimin Nobel në Mjekësi. Megjithatë, Banting, i bindur se Charles Best e meritonte po aq këtë vlerësim, ndau me të gjysmën e çmimit të tij Nobel. Ky akt i tij pasqyronte frymën bashkëpunuese dhe ndjenjën e lartë të drejtësisë shkencore.

Por historia e insulinës nuk ishte vetëm një fitore shkencore, por edhe një akt i madh humanizmi. Banting, Best dhe Collip vendosën t’ia shisnin patentën e insulinës Universitetit të Torontos për vetëm 1 dollar, duke u siguruar që ky ilaç jetëshpëtues të ishte i aksesueshëm për të gjithë. “Insulina nuk më përket mua, ajo i përket botës,” deklaroi Banting, një frazë që mbeti simbol i përkushtimit të tij ndaj njerëzimit. Ky gjest vetëmohues hapi rrugën për prodhimin masiv të insulinës, duke shpëtuar jetë të panumërta gjatë shekullit të kaluar.

Sot, insulina mbetet një shtyllë themelore e trajtimit të diabetit dhe trashëgimia e këtyre shkencëtarëve vazhdon të frymëzojë kërkime të reja dhe përparime në mjekësi. Historia e tyre nuk është thjesht një rrëfim mbi shkencën, por një testament i fuqisë së dhembshurisë, inovacionit dhe përgjegjësisë etike në kujdesin shëndetësor. Ky zbulim jo vetëm që transformoi jetën e miliona njerëzve, por gjithashtu mbeti një shembull i shkëlqyer se si shkenca, kur udhëhiqet nga pasioni dhe përkushtimi, mund të ndryshojë botën./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Marsi në Kosovë, kujtesë e përhershme e sakrificës së popullit tonë për liri

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka reaguar pas ceremonisë së Rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së.

Në një postim në Facebook, ajo ka kujtuar familjen Jashari, në përvjetorin e rënies së tyre.

“Marsi në Kosovë nuk është thjesht një muaj në kalendar – por një kujtesë e përhershme e sakrificës, e heroizmit dhe e vendosmërisë së popullit tonë për liri”.

“Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë heronjve të UÇK-së!”, ka thënë Osmani.

Me simbolikën e Ditës së Mësuesit, Elezi, Polena e Laçka me koncertin ‘Pranverë muzikore’ në Tiranë

Me simbolikën e Ditës së Mësuesit, pianistja Lule Elezi, tenori Bledi Polena dhe sopranoja Renisa Laçka, nën drejtimin e dirigjentit Oleg Arapi do të prezantojnë koncertin “Pranverë muzikore”, shkruan KultPlus.

Sipas pianistes Elezi ky koncert që bartë në vete edhe simbolikën e shënimit të Ditës së Mësuesit, do të shoqërohet edhe nga Orkestra & Band, Heiden Musaraj & Neptun Gjata, nën dirigjimin e Maestro Oleg Arapi.

“E lumtur që do të ndajë skenën me artistë të mrekullueshëm në koncertin “ Pranverë muzikore”, i cili mbahet këtë të premte në Tiranë.

Koncerti që bartë në vete edhe simbolikën e shënimit të Ditës së Mësuesit , shoqërohet nga Orkestra & Band, nën dirigjimin e Maestro Oleg Arapi.

Prandaj, priten emocione para publikut artdashës në Tiranë🎶

Jeni të mirëseardhur!”, thuhet në njoftimin e pianistes Elezi.

Koncerti mbahet më 7 mars, në ora 19:00, në sallën “Tonin Harapi”- Tiranë./ KultPlus.com

Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit, Rama: Nderim i përjetshëm për sakrificën që vulosi lirinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se komuna ka caktuar lokacionin për vendosjen e monumentit të Adem Jasharit në kryeqytet.

Kryetari Rama ka njoftuar se për këtë komuna ka pëlqimin edhe të vetë familjes Jashari.

“Me përkushtim të plotë për të ruajtur dhe nderuar këtë trashëgimi, Kryeqyteti, ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e Heroit Legjendar “Adem Jasharit”, lokacion për të cilin kemi pëlqimin edhe të vetë familjes Jashari”, thuhet në njoftim.

Postimi i plotë i Kryetarit Përparim Rama:

Kryeqyteti, ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e Heroit Legjendar “Adem Jasharit”

 Nderim i përjetshëm për sakrificën që vulosi lirinë tonë

Sot, në seancën solemne të Kuvendit të Kryeqytetit, përkujtuam dhe nderuam sakrificën e pavdekshme të familjes Jashari – një akt trimërie që shënoi pikë kthese në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë.

Mirënjohja e dorëzuar familjes Jashari nuk është thjesht një simbol, por një zotim i Kryeqytetit se sakrifica e tyre do të mbetet përherë në themelin e shtetit tonë, në ndërgjegjen kombëtare dhe, mbi të gjitha, në zemrat tona.

Me përkushtim të plotë për të ruajtur dhe nderuar këtë trashëgimi, Kryeqyteti, ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e Heroit Legjendar “Adem Jasharit”, lokacion për të cilin kemi pëlqimin edhe të vetë familjes Jashari.

Ky monument do të qëndrojë si dëshmi e përjetshme e lavdisë dhe heroizmit të tij.

Brikenda Rexhepi zgjedhet kryetare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës

Brikenda Rexhepi është zgjedhur kryetare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).

Rexhepi u zgjodh kryetare e KMShK-së pasi mori votat e shumicës së mediave anëtare, në votimin që u mbajt të martën.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar në faqen e KMSHK-së.

“Bazuar në statutin e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe me votat e shumicës së mediave anëtare, znj. Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e Kohës, është zgjedhur kryetare e KMShK-së. Mandati i znj. Rexhepi është njëvjeçar”, thuhet në njoftim.

Brikenda Rexhepi është kryeredaktore e KOHËS.

“Pisa – Teste për shkencën”, botimi i ri i profesorëve Et’hem Ruka dhe Maringlen Spiro

U promovua, në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, libri “Pisa – Teste për shkencën”.

Profesorët Et’hem Ruka dhe Maringlen Spiro, bashkautorë të këtij botimi, vlerësuan këtë vepër me karakter didaktik, lidhur me testet dhe përpilimin e tyre, brenda programit të Pisa-s, një program ndërkombëtar vlerësimi për fëmijët 15-vjeçare në shkencë, matematikë dhe lexim.

Ky program ka startuar që në vitin 2000 dhe mbahet çdo tre vjet dhe vlen për unifikimin e vlerësimit të programeve tona mësimore me ato ndërkombëtare.

Profesor Ruka nënvizoi rëndësinë e këtij botimi, me teste të prodhuara nga vetë ne, ndërsa deri tani janë përdorur teste të përkthyera nga jashtë. Teste të tilla duhet të shërbejnë për vetëvlerësimin e nxënësve nga shkollat dhe mësuesit, madje duhet të nisin që në muajin prill të këtij viti.

Akademiku Spiro e quajti botimin një punë të vogël në shërbim të shkollës, që vendi ynë të renditet sa më mirë në rang ndërkombëtar. Sipas tij, përmbledhja e tre autorëve është e arrirë për mjedisin shkollor shqiptar dhe nivelin e nxënësve. Botimi përmbledh teste mësimore në biologji, fizikë, shkencat e tokës dhe kimi.

‘Sillu, sillu botë e vjetër’ nga Ismet Peja (VIDEO)

Ismet Peja është këngëtar shqiptar i këngëve të vjetra qytetare, dhe konsiderohet si kultivues i melosit shqiptar. Ai ka lindur në Gjakovë dhe me muzikë  ka filluar të merret prej moshës 13 vjeqare. Sukseset më të mëdha të tij i arriti me shoqërinë muzikore ‘Hajdar Dushi’, me të cilën pati prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

KultPlus ju sjell interpretimin e këngës ‘Sillu sillu botë e vjetër’:

Sillu, sillu botë e vjetër
Ty t’ka beku’ Perëndija.
I: Zoti asht nji, s’bohet tjetër
E beson gjithë njerëzia. :I
Ka motmot e disa muej
Kemi pasë dashni të randë
Tash do t’i kallxoj gjithkuej
Vet je ikë e më ke lanë!
Tridhet ditë të Ramazanit
As s’kam hongër, as s’kom pi
Kur t’vjen dita e Bajramit
Bashkë me lalën do t’shkojmë n’xhami.
Moj raki, raki e rrushit
Ti qi m’piqesh n’kazan t’prushit.
Moj raki moj bukuroshe,
E çon lalën qoshe m’qoshe.
Mora vesh se t’kanë fejue
Nji gjysëm ore larg shtëpisë.
Të lutem mos me i harrue
Kujtimet e beqarnisë./KultPlus.com

The Globe (1914) / Aleksandër Moisiu, aktori më i paguar i Gjermanisë. Ja sa fiton në vit !

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Mars 2025

“The Globe” ka botuar, të mërkurën e 4 marsit 1914, në ballinë, një shkrim asokohe rreth pagës vjetore të Aleksandër Moisiun, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Aktori më i paguar i Gjermanisë.

Të ardhura prej 10,000 £ në vit për Aleksandër Moisiun.

(Sipas një korrespondenti.)

Burimi : The Globe, e mërkurë, 4 mars 1914, ballinë
Burimi : The Globe, e mërkurë, 4 mars 1914, ballinë

Berlin, 2 mars.

Një sensacion të konsiderueshëm ka shkaktuar njoftimi se profesori Max Reinhardt ka lidhur një marrëveshje me aktorin e njohur Aleksandër Moisi, e cila i garanton këtij të fundit një pagë prej 5,000 £ në vit për disa vite.

Përveç kësaj shume, raportohet se Moisiu fiton nëpërmjet aktrimit për kompanitë e filmave të kinemasë, dhe nga recitale dramatike dhe shfaqje speciale jashtë Berlinit, të paktën 5,000 £ të tjera në vit, kështu që gëzon të ardhura aq të mëdha sa ato të Lordit të Lartë Kancelarit të Anglisë.

Objektivi kryesor i marrëveshjes së profesorit Reinhardt me Moisiun është që ta mbajë atë më gjatë në Berlin. Dikur aktori i shquar shfrytëzonte çdo mundësi për të dhënë shfaqje me çmime përrallore në një numër teatrosh kryesorë në pjesë të tjera të Gjermanisë, si dhe në Austri. Tani e tutje është zotuar të shfaqet në “Deutsches Theater” dhjetë muaj në vit, në vend të gjashtë deri më tani. Kjo marrëveshje do të vazhdojë deri më 1 shtator 1917.

Aleksandër Moisiu ia detyron famën e tij Reinhardt-it, sepse ishte ai që e zbuloi. Me origjinë italiane, ai bëri debutimin e tij në teatrin e Vjenës disa vite më parë për tetëmbëdhjetë centë në mbrëmje. Moisiu luan rolet kryesore në të gjitha dramat e Shekspirit dhe shfaqjet e tjera klasike./ KultPlus.com

Në Bibliotekën Kombëtare hapet ekspozita kushtuar veprës heroike të familjes Jashari

Për nder të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, heroizmit dhe flijimit të komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozitë kushtuar veprës heroike dhe rënies së tyre.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur materiale nga fondi i Bibliotekës, gazeta të periudhës dhjetor 1991-mars 1998. Epopeja e UÇK-së është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit tone, e cila simbolizon rezistencën, sakrificën dhe luftën për liri, transmeton Klankosova.tv.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 mars 2025.

Derisa

Poezi nga Pier Paolo Pasolini
Shqipëroi: Arjola Zadrima

Derisa
njeriu ta shfrytëzojnë njeriun,
derisa humanizmi të jetë i ndamë
në padronë e shërbëtorë,
nuk ka për të pasë
as normalitet as paqe.
Arsyeja e gjithë të keqes të kohës sonë, asht… këtu!/KultPlus.com

“Kujtesa Historike Frymëzon Turizmin”, projekti i EU4Culture në Krujë

Në qytetin e Krujës u zhvillua aktiviteti i hapjes së projektit “Kujtesa Historike Frymëzon Turizmin”.

Ky projekt zbatohet nga Qendra për Promovimin e Konkurrueshmërisë dhe mbështetet nga programi i granteve të EU4Culture.

Projekti ka si qëllim përmirësimin e promovimit të trashëgimisë kulturore në Krujë, duke rritur numrin e vizitorëve dhe të ardhurat për Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe atë Etnografik, duke siguruar kështu qëndrueshmërinë dhe mirëmbajtjen e tyre.

Projekti do të përqendrohet në krijimin e produkteve promocionale autentike të frymëzuara nga artefaktet etnografike, organizimin e punëtorive për të rinjtë dhe Ditës së Turizmit.

Nga ky projekt do të përfitojnë drejtpërdrejtë artizanët vendas, të rinjtë dhe komuniteti i Krujës, duke nxitur zhvillimin e aftësive dhe krijuar mundësi të reja për bizneset lokale dhe sektorin e turizmit./atsh/KultPlus.com

Dokumentimi i objekteve të trashëgimisë kulturore përmes teknologjisë së avancuar

Projekti “Fuqizimi i muzeve përmes teknologjisë – EXPA”, mbështetur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, po transformon dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, Njësia e Digjitalizimit EXPA po zbaton teknologjitë më të avancuara si RTI dhe 3D scanning, duke sjellë një analizë më të thelluar të artefakteve muzeale.

Ky projekt që synon ngritjen e kapaciteteve për digjitalizimin e pasurive kulturore në sitet e trashëgimisë dhe muzetë kombëtarë, bën të mundur: Digjitalizim me standarde ndërkombëtare; Zbulim i detajeve të fshehura të objekteve; Trashëgimi e mbrojtur për brezat e ardhshëm.

Me pajisjet e fjalës së fundit të teknologjisë ekspertët e trashëgimisë kulturore do të mund të dokumentojnë dhe promovojnë fondet e muzeve si dhe pikat kyçe të siteve arkeologjike, duke ofruar për publikun dhe komunitetin shkencor qasje më të gjerë në thesaret tona historike./atsh/KultPlus.com

Veç muj me t’dashtë ashtu siç je

Poezi nga Jorge Luis Borges

Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës
s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua
veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…

Jo, unë s’mundem me e ndryshue
as t’shkuemen e as t’ardhmen tande
por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji

S’mundem me i shmangë teposhtat e tua,
veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue
Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt
vërtet s’janë të miat
po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra

S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande
po me të mbështetë e ndjej detyrë,
me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!

S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh,
veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë
që ti t’naltohesh

S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande,
kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon,
po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë
krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para

S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh,
veç mundem me të dashtë njashtu siç je
dhe me mbetë përjetë Miku yt…

(Perkthyer nga Jozef Radi) / KultPlus.com

8 Marsi me poezi

Qendra e Gjuhëve pranë Fakultetit të Filologjisë, festën ndërkombëtare të gruas do ta shënojë me lexim të poezive, shkruan KultPlus.

“8 Marsi me poezi” thirret eventi që do të shënojë 8 marsin, ngjarje kjo që do të mbahet më 6 mars prej orës 14:00 në Qendrën e Gjuhëve në Fakultetin e Filologjisë.

Bëhet e ditur se në këtë orë poetike do të lexohen poezi në gjuhë të ndryshme./ KultPlus.com

Rikonstruktohet Galeria e Artit Pamor të Durrësit

Ka përfunduar rikonstruksioni tërësor i Galerisë së Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës, një investim i cili ka përmirësuar cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike e funksionale, ashtu edhe nga ana estetike e vizuale.

Galeria e cila ndodhet në qendër të qytetit, ka pasur problematika të cilat përfshinin lagështinë, vizibilitetin, organizimin e brendshëm etj., për të cilat shpesh janë ngritur shqetësime nga komuniteti i artistëve durrsakë.

Rikonstruksioni përfshiu disa ndërhyrje si: suvatimi, hidroizolimi i tarracës, sistemi i ri elektrik, aspirimi, kondicionimi etj. Galeria bën me dije se, shumë shpejt do të bëhet edhe inaugurimi i galerisë, e cila do të rihapë dyert për eventet e shumta artistike që do të zhvillohen aty./atsh/KultPlus.com

Pasolini: Arbëreshët, një mrekulli antropologjike

Regjisori dhe shkrimtari italian Pier Paolo Pasolini, konsiderohet si një nga artistët më origjinal dhe më me ndikim në historinë kinematografisë.

Shumë i njohur për stilin e veçantë të filmbërjes dhe qëndrimet e tij politike, Pasolini mbahet si një gjeni i artit modern.

Studiuesi arbëresh Matteo Mandalà, ka treguar se si kur Paolo Pasolini kishte dëgjuar për arbëreshët e Italisë nga Giuseppe Faraco, ai kishte thënë se arbëreshët janë “një mrekulli antropologjike”.

Mandalà ka folur dhe për historinë e arbëreshëve si dhe për studimet mbi arbëreshët në Itali sot. /KultPlus.com

Ulqini do të bëhet me shtatore të Skenderbeut, thirrje ndërkombëtare për skulptorët

Ulqini do të jetë vendi nikoqir i shtatores së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, dhe kjo shtatore do të vendoset pikërisht në bulevardin që mban edhe emrin e figurës më të rëndësishme të kombit shqiptar, shkruan KultPlus.

Për krijimin e kësaj shtatoreje, Komuna e Ulqinit tashmë ka hapë thirrjen ndërkombëtare për skulptorët, thirrje nëpërmjet të cilës është bërë e ditur se po kërkojnë skulptorët me ide sa më kreative për realizimin e kësaj shtatoreje.

Konkursi tashmë është shpallë dhe do të rri i hapur deri më 29 prill të këtij viti, dhe organizatorët bëjnë të ditur se ky konkurs do të vlerësohet më pas nga pesë anëtarë profesionistë të jurisë, të cilët do të përzgjedhin tre punimet më të mira të konkursit, ku vendi i parë do të merr të drejtën e realizimit final të shtatores.

Ndërkohë bëhet e ditur se vendi i parë do të shpërblehet me 3 mijë euro, përderisa vendi i dytë me 2 mijë e 500 euro, kurse i treti me 2 mijë sosh.

“Pjesëmarrësit në Konkurs janë të obliguar që punimet e tyre t’i dorëzojnë brenda afatit të caktuar në Sekretariatin për kulturë dhe veprimtari shoqërore përmes Byrosë së qytetarëve të Komunës së Ulqinit, adresa Bulevardi Gj.K.Skenderbeu pn, Ulqin. Dokumentat e konkursit janë të publikuara në faqen zyrtare të Komunës së Ulqinit www.ul-gov.me ku mund të shkarkohen nga të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje në konkurs”, thuhet mes të tjerash në thirrjen për skulptorët./ KultPlus.com

Kur emri i shqiptarit John Belushi u shkrua në pllakat e Hollivudit

John Belushi lindi më 24 janar 1949 në Chicago, Illinois, derisa vdiq më 5 mars 1982 në West Hollywood, ishte aktor dhe këngëtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me prejardhje shqiptare.

Në datën e lindjes së tij, kujtojmë momentin kur emri i tij u shënua në pllakat e Hollivudit.

Më 9 shkurt 1960 tetë pllakat e para të yjeve prej bronzi vendosen në Bulevardin e Famës në Hollivud, ku sot ndodhen më shumë se 2,500 yje të ngulitur në trotuare përgjatë Bulevardit prej 3 kilometrash, që vizitohet çdo vit nga mbi 10 milionë njerëz.

Këta Yje janë monumente të përhershme publike për arritjet në industrinë argëtuese, duke mbajtur një përzierje emrash; aktorë, muzikantë, regjisorë producentë, grupe muzikore, teatrale, karaktere imagjinarë, dhe të tjerët.
Aktori John Belushi është i vetmi shqiptar në këtë Bulevard.

Belushi vdiq më 5 mars 1982 në Hollywood, pasi kishte marrë në sasi të mëdha një përzierje drogash kokainë dhe heroinë.

Ai ishte 33 vjeç, i ri, por la gjurmë si komedian; 22 vjet pas vdekjes, Ylli me emrin “John Belushi” u vendos në Bulevardin e Famës. /KultPlus.com