Presidentja Osmani takoi Ministren e Jashtme të Finlandës: E falënderova për mbështetjen e fuqishme të Finlandës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Helsinki, është takuar edhe me Ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.

“Në Helsinki, pata kënaqësinë ta takoj edhe Ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen – një mike e çmuar e Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo është shprehur se e ka falënderuar për mbështetjen e fuqishme të Finlandës në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, si dhe ka ritheksuar përkushtimin e thellë të Kosovës për forcimin e partneritetit tonë ndërshtetëror./KultPlus.com

Marrëveshja për bashkëpunim mes QKLL-së dhe Fakultetit Filozofik në UP: Librat si urë lidhëse mes kulturave

Në një ceremoni të zhvilluar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes këtij fakulteti dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit nga Shqipëria, në prani të ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj. Marrëveshja përfshin dhurimin e 67 titujve të librave bashkëkohorë shqiptarë, që u dhuruan si shenjë vlerësimi dhe si mbështetje me rastin e 65 – vjetorit të këtij fakulteti.

Ambasadori Petrit Malaj, në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm që i shërben forcimit të marrëdhënieve kulturore dhe arsimore.

“Shumë faleminderit për këtë finalizim të kësaj marrëveshje. Jam mirënjohës që kemi këtë bashkëpunim dhe komunikim mes nesh. Arsimi ka pasur ndërlidhjet e veta të hershme dhe do të vazhdojë të jetë në këtë cilësi”, u shpreh ai.

Dekani i Fakultetit Filozofik, prof. Bekim Baliqi, falënderoi ambasadorin dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit për përkrahjen dhe theksoi rolin që libri ka në jetën akademike.

“Faleminderit ambasador për ndihmën e vazhdueshme që na jep në këtë drejtim dhe dhuratë më të mirë se libri nuk mund të ketë për një fakultet dhe për studentët, ne jemi shumë mirënjohës ndaj jush”, u shpreh shkurtimisht dekani Baliqi.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për forcimin e urave ndërmjet institucioneve arsimore dhe kulturore në Shqipëri dhe Kosovë.

“Për ne si QKLL është shumë e rëndësishme që të jemi sot në Prishtinë, të dhurojmë këto libra dhe të nënshkruajmë këtë marrëveshje. Ky është një fakultet që ka lidhje me mendimin dhe shoqëritë tona kanë shumë nevojë për mendimin dhe çdo nismë që ka në thelbin e saj mendimin, ndërgjegjësimin dhe pranimin sa më shumë në diskursin publik të intelektualëve, të zërit të kulturës dhe librit, është besoj e bukur dhe e nevojshme. Uroj që të ketë sa më shumë lexues për këto libra dhe të pasurohet sa më shumë kjo bibliotekë”, u shpreh Bardhyli.

Tutje, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, shprehu mbështetjen e tij të plotë për këtë nismë dhe vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional që e bëri të mundur këtë moment.

“Sinqerisht, në fakt ne e kemi mirëpritur këtë ide që ka filluar këtu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Më pas, duke koordinuar punët tona të përbashkëta, është bërë komunikimi edhe me instancat përkatëse në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë, ku më pas është komunikuar me institucionet përgjegjëse, siç jeni dhe juve, dhe kemi gjetur mbështetjen për këtë ditë interesante,” u shpreh ambasadori Malaj, shkruan KultPlus.

Ai theksoi se ndonëse kjo nismë mund të duket e vogël në përmasa, ajo ka një peshë të madhe simbolike dhe praktike.

Në vijim të fjalës së tij, ambasadori vlerësoi punën dhe përkushtimin e të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë projekt, me një mirënjohje të veçantë për dekanin e Fakultetit Filozofik.

“I jam mirënjohës gjithë atyre që e ndoqën rrugëtimin e këtij projekti fillestar – dekanit të fakultetit këtu, juve, për gjithë këmbënguljen tuaj që erdhët në këtë moment apo për kujdesin e përzgjedhjen që keni bërë në fund të fundit për këto libra që bëhen pjesë edhe e atyre programeve të studimit të atyre që edukohen në Fakultetin Filozofik.”

Në përmbyllje, ai theksoi përkushtimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë për të mbështetur çdo projekt që fuqizon lidhjet mes Shqipërisë dhe Kosovës, në veçanti në fushën e arsimit dhe kulturës.

“Shpreh mirënjohjen time, respektin tim dhe ju siguroj që Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunimin vëllazëror të ngushtë me Republikën e Kosovës, ne do të jemi në hapat e duhur dhe do mbështesim çdo projekt që çon më tej këtë vëllazëri, sidomos në fushën e dijës, artit, arsimit dhe kulturës”, u shpreh ambasadori.

Në përfundim drejtoresha e QKLL-së, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për forcimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë, me theks të veçantë në fushën e librit dhe botimeve akademike.

“Marrëveshja ka të bëj në bashkëpunime të përbashkëta, sidomos në fushën e librit, në botimet që i shërbejnë jo vetëm universitetit por edhe kulturës shqiptare në tërësi. Ky është një fakultet që ka lidhje me mendimin dhe me kërkimin shkencor dhe çdo botim i kësaj natyre mendoj që është një botim i rëndësishëm që do gjejë mbështetje nga pala shqiptare megjithëse ne jemi e njëjta palë,” u shpreh Bardhyli.

Bardhyli theksoi se ky bashkëpunim synon të ndihmojë studentët dhe studiuesit të kuptojnë më mirë zhvillimet e ndërsjella kulturore dhe intelektuale në hapësirën shqiptare gjatë dy dekadave të fundit.

 “Kështu që prandaj edhe përzgjedhja jonë ishte e tillë për të sjellë libra që na bëjnë të njohim më mirë evolucionin e njëri-tjetrit, sidomos në këto dy dekadat e fundit”, u shpreh ajo./KultPlus.com

Shaqiri: “Jam shqiptar në fushën e futbollit, zviceran në jetën e përditshme”

“Të gjithë, përveç motrës sime, kemi lindur në Kosovë. Ne patëm një fëmijëri të vështirë dhe u rritëm në një fermë të vjetër – pa ngrohjen e duhur”, u shpreh Xherdan Shaqiri.

Xherdan Shaqiri po shkëlqen në futbollin zviceran. Së fundi shënoi një gol dhe bëri tri asistime, duke u notuar me 9.5, si dhe u zgjodh Futbollisti i Javës në Superligën Zvicerane.

Ai ka qenë i ftuar në “bluewin.ch”, ku foli për jetën e tij, brenda dhe jashtë fushës, transmeton albinfo.ch.

“Fëmijëria ime pati një ndikim të thellë tek unë. Të gjithë, përveç motrës sime, kemi lindur në Kosovë. Ne patëm një fëmijëri të vështirë dhe u rritëm në një fermë të vjetër – pa ngrohjen e duhur. Kjo pati një ndikim të thellë tek unë. Të kesh shumë gjëra këto ditë ju ndihmon të qëndroni në tokë”, u shpreh Shaqiri.

Çfarë do të thotë për ju luksi që nuk e kishit më parë? “Luksi është i këndshëm, por nuk është gjëja më e rëndësishme. Për mua shëndeti është gjëja më e rëndësishme. Unë jam një person me këmbë në tokë – si familja ime. Sigurisht që e trajtoj veten me gjëra të këndshme, por më pëlqen të jetoj një jetë realiste.

Çfarë mbizotëron në karakterin tuaj: zvicerani i rregullt apo shqiptari i pasionuar?

Në fushë, unë jam padyshim shqiptari i pasionuar – plot emocione. Por në jetën e përditshme, unë jetoj një jetë shumë zvicerane: e përpiktë, e besueshme. Mendoj se i kombinoj të dyja mentalitetet”, theksoi Shaqiri.

“Gjithë karrierën time rinore e kalova në FC Basel. Ne shisnim broshurat e programeve para ndeshjeve në atë kohë-më kujtohet mirë. Pastaj të luaja vetë në atë stadium ishte një ëndërr e realizuar. Unë kam parë çdo lojë që nga vitet 2000. Tani mund ta jetoj atë ëndërr.

Çfarë këshille për fëmijët?

“Bëje ashtu siç bëra unë! Por në përgjithësi: fëmijët duhet të argëtohen—kjo është gjëja më e rëndësishme në futboll. Shkolla është gjithashtu e rëndësishme. Talenti është i mirë, por puna e vështirë është po aq e rëndësishme. Ndjekja e ëndrrave dhe qëllimeve – kjo është ajo që ju çon përpara”.

Çfarë ju ka munguar në karrierën tuaj dhe çfarë po prisni pas futbollit?

Hoqa dorë nga shumë gjëra—për shembull, duke dalë me shokët e shkollës sepse kisha një lojë të nesërmen. Këtu hyn disiplina. Zgjodha me vetëdije karrierën time. Por gjithashtu mezi pres që të jem në gjendje ta kompensoj atë më vonë.

Ju jeni kthyer në FC Basel, përsëri në Superligë. Çfarë prisnit – dhe çfarë morët në të vërtetë?

Unë kisha pritshmëri, natyrisht – por së pari, më duhej të kthehesha. Kontrata ime në Çikago duhej të ndërpritej. Superligën e kam ndjekur nga Afrika. Është një ligë atletike, me skuadra që mund të luajnë futboll. Është gjithashtu një ligë në zhvillim me shumë talente të rinj. Doja ta ndihmoja Baselin të bëhej sërish i suksesshëm—ky ishte qëllimi im.

Për shumë, ju jeni arsyeja kryesore për ngritjen e FCB. E ndjeni këtë si presion apo e merrni më shumë si kompliment?

Suksesi vjen nga i gjithë ekipi – jo vetëm unë. Ne punojmë si njësi. Unë sjell përvojë, dua t’i udhëheq lojtarët e rinj, t’u jap energji dhe ndonjëherë të bëj presion. Nëse doni të konkurroni në krye, duhet të performoni dhe të jeni në gjendje të përballoni presionin. Jam shumë krenar për zhvillimin e ekipit dhe të gjithë klubit. Shpresoj që të qëndrojmë në krye – qëndrueshmëria është çelësi”, përfundoi Shaqiri./albinfo.ch/ KultPlus.com

Kori “Siparantum” nga Kosova në skenat më prestigjioze të Berlinit

Me 26 prill, në ora 20:00, Kori “Siparantum” do të performon në koncertin “Around the World”, që do të mbahet në kishën e njohur Matthäuskirche, Berlin, në kuadër të festivalit prestigjioz ChoralSpace. Kori do të ngjitet në skenë së bashku me formacione korale nga Greqia, Spanja dhe Lituania; Polychromon (Greqi), B-Tenors (Spanjë), ARTyn (Lituani),

Kori Siparantum do të prezentohet me një repertor të përzgjedhur me vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë, përfshirë premierën botërore të veprës “Hear my prayer, O Lord”, kompozuar nga Christian Bährens, me të cilin kori ka ndërtuar një bashkëpunim artistik të suksesshëm ndër vite. Në kuadër të këtij koncerti, Kori Siparantum do të paraqitet së bashku me solistët Rizah Jahaj, Leon Shehu, Erijon Palucaj, Diar Meholli dhe Kaltrina Miftari, nën shoqërimin e pianistit të Agron Shujakut dhe Denita Dedushajt.

Më pas, më 27 prill, në ora 11:00, Kori Siparantum do të ngjitet për herë të pestë në skenën madhështore të Filharmonisë së Berlinit – një nga sallat më të njohura koncertale në botë – për të shënuar një moment tjetër historik në rrugëtimin e tij ndërkombëtar. Ky koncert përfaqëson kulmin e pjesëmarrjes në festivalin Choralspace – Walking in Beauty, dhe sjell një bashkëpunim të veçantë me kompozitorin dhe pianistin e njohur Ola Gjeilo.

Ngjarja do të nisë me një koncert nga të gjitha korët pjesëmarrëse, ku Kori Siparantum do të interpretojë premierën e veprës “Zanat e Malit”, të kompozitorit të mirënjohur kosovar, Kreshnik Aliçkaj, për kor vajzash, violinë, piano dhe përkusion. Kori Siparantum do të interpretojë këtë vepër në bashkëpunim me violinisten tonë të mirënjohur Sihana Badivuku, pianistin Agron Shujaku dhe përkusione Aurora Hyseni

Në pjesën e dytë të koncertit, kori do të bashkohet me 500 koristë ndërkombëtarë dhe orkestrën për të interpretuar disa nga veprat më të njohura të Ola Gjeilo: The Spheres, Tundra, Ecce Novum, Ave Generosa, Across the Vast Eternal Sky, The Rose, Ubi Caritas dhe The Ground. Të gjitha veprat do të shoqërohen nga vetë kompozitori në piano. Veçanërisht, dirigjenti Memli Kelmendi është ftuar të drejtojë veprën “The Rose” në këtë koncert të madh ndërkombëtar – një nder i rrallë për çdo dirigjent, që vjen si rezultat i kontributit të tij të vazhdueshëm dhe nivelit të lartë artistik që Kori Siparantum ka dëshmuar në arenën ndërkombëtare.

Kjo paraqitje në Filharmoninë e Berlinit shënon herën e pestë që Kori Siparantum performon në këtë skenë legjendare. Gjatë këtyre viteve, kori ka bashkëpunuar me disa nga personalitetet më të shquara të muzikës korale, përfshirë Simon Carrington, Mihály Zeke, Ēriks Ešenvalds etj.

Gjatë ditëve të festivalit, koristët do të kenë mundësinë të punojnë nga afër me Ola Gjeilon në punëtori intensive artistike dhe sesione bashkëpunimi, duke thelluar përvojën e tyre muzikore dhe ndërkombëtare.

Ky rrugëtim është dëshmi e rolit të Korit Siparantum si ambasador i kulturës muzikore shqiptare në botë, dhe një shembull i fuqishëm i asaj që quhet diplomaci kulturore në veprim.

Faleminderim i veçantë për të gjithë mbështetësit dhe partnerët që e kanë bërë të mundur këtë përfaqësim dinjitoz të artit dhe kulturës sonë në zemër të Evropës./ KultPlus.com

‘Unë i mposht armiqtë e mi kur i bëj miq të mi’

Citate të Dalai Lama

1. Feja ime është shumë e thjeshtë. Feja ime është mirësia.

2. Qëllimi ynë kryesor në këtë jetë është të ndihmojmë të tjerët. Dhe nëse nuk mund t’i ndihmoni, të paktën mos i lëndoni.

3. Sot, më shumë se kurrë më parë, jeta duhet të karakterizohet nga ndjenja e përgjegjësisë Universale, jo vetëm kombi ndaj kombit dhe njeriu ndaj njeriut, por edhe i njeriut ndaj formave të tjera të jetës.

4. Paqja botërore duhet të zhvillohet nga paqja e brendshme. Paqja nuk është thjesht mungesë e dhunës. Paqja është, mendoj unë, shfaqja e dhembshurisë njerëzore.

5. Mos lejoni që sjellja e të tjerëve të shkatërrojë qetësinë tuaj të brendshme.

6. Ne kurrë nuk mund të arrijmë paqen në botën e jashtme derisa të bëjmë paqe me veten.

7. Nëse dëshironi të përjetoni paqen, siguroni paqen për një tjetër.

8. Shkatërruesi i vërtetë i paqes së brendshme është frika dhe mosbesimi. Frika zhvillon zhgënjimin, zhgënjimi zhvillon zemërimin, zemërimi zhvillon dhunën.

9. Aty ku injoranca është zotëria jonë, nuk ka mundësi për paqe të vërtetë.

10. Duhet të pranojmë se vuajtja e një personi apo e një kombi është vuajtja e njerëzimit.

11. Të pushtosh veten është një fitore më e madhe sesa të pushtosh mijëra në një betejë.

12. Unë i mposht armiqtë e mi kur i bëj miq të mi.

13. Dashuria është mungesa e gjykimit.

14. Sa më shumë të jeni të motivuar nga dashuria, aq më i patrembur dhe i lirë do të jetë veprimi juaj.

15. Mos harroni se marrëdhënia më e mirë është ajo në të cilën dashuria juaj për njëri-tjetrin tejkalon nevojën tuaj për njëri-tjetrin.

16. Ndërsa merrni frymë, vlerësoni veten. Ndërsa merrni frymë, vlerësoni të gjitha qeniet.

17. Gjykojeni suksesin tuaj nga ajo që duhet të hiqnit dorë për ta arritur atë.

18. Heroi i vërtetë është ai që mposht zemërimin dhe urrejtjen e tij.

Përgatitur nga Taunita Xhukolli. / KultPlus.com

Ernesto Sabato: Shumë i vështirë zanati i të jetuarit

Është e çuditshme, por të jetosh do të thotë të krijosh kujtime të së ardhmes; pikërisht tani , këtu përballë detit, di që jam duke përgatitur kujtime të vogla, që ndonjëherë do më sjellin melankolinë dhe zhgënjimin. Jeta është kaq e shkurtër dhe zanati i të jetuarit kaq i vështirë saqë sapo njeriu fillon ta mësojë, i duhet të vdesë.

Në jetë janë më të rëndësishme iluzioni, imagjinata, dëshira dhe shpresa. Tek mirësia fshihen të gjitha llojet dijes. Me masën që i afrohemi vdekjes, njëkohësisht i afrohemi tokës… copëzës së tokës në të cilën rrodhi fëmijëria jonë, në të cilën kemi luajtur… magjia e parikuperueshme e të parikuperueshmes fëmijëri.

Çfarë maske vendosim, apo çfarë maske ka për të na mbetur kur të jemi vetëm, kur të besojmë që askush, askush nuk na sheh, nuk na kontrollon, nuk na dëgjon, nuk na kërkon, nuk na lutet, nuk na detyron, nuk na sulmon? Zoti im, Zoti im. Vdekja as nuk është tipi im, megjithëse shpesh herë më tërheq.

E kam thënë edhe më parë dhe e rikonfirmoj: kërkimi i një jete humane, duhet të fillojë nga edukimi. Atëherë, të privuar nga afërsia e një përqafimi, apo e një tavoline të përbashkët, do na mbeten “mjetet e komunikimit”./KultPlus.com

Presidentja Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës

Në një ceremoni zyrtare të mbajtur në Pallatin Presidencial në Helsinki, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës. Kjo dekoratë u dha në shenjë mirënjohjeje për kontributin e palodhur dhe angazhimin e vazhdueshëm të ushtarëve finlandezë në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, që nga viti 1999.

“Dje, në Pallatin Presidencial në Helsinki, kisha nderin ta ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin tyre e palodhur në mbështetje të Kosovës, që nga viti 1999, si pjesë e misionit të KFOR-it”, ka shkruar Osmani.

Duke folur gjatë ceremonisë, Presidentja Osmani vlerësoi lart rolin e Finlandës dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së saj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Paqeruajtësit janë heronjtë që bëjnë të mundur paqen, edhe kur është e vështirë. Faleminderit Finlandës dhe çdo ushtari finlandez për rolin e tyre të pazëvendësueshëm,” u shpreh ajo./KultPlus.com

65 vite nga fillimi i transmetimit të Televizionit Shqiptar

Më 24 prill 1960 filloi transmetimi i Televizionit Shqiptar.

Themeluesit e saj ishin Petro Kito, ish-drejtori i Radio Tiranës dhe Fuat Bozgo, kreu i editorialit kulturor në Radio.

Në foto spikerja e parë e televizionit shqiptar, Stoli Beli.

Përveçse ishte spikerja e parë e ekranit të RTSH-së, ajo më pas u bë edhe gazetarja e parë, redaktorja dhe regjisorja e parë në Shqipëri. Vdiq në janar 2020. /KultPlus.com

Koncerti “Eyes to the Future” çel Javën Kulturore të Maqedonisë së Veriut

Në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare (JKN) ka nisur Java Kulturore e Maqedonisë së Veriut. Ajo u çel me koncertin “Eyes to the Future”, një koncert novator që solli një bashkim të veçantë mes pianos klasike, pianos elektrike dhe energjinë unike të një DJ.

Titulli i koncertit mban një simbolikë domethënëse, duke reflektuar optimizmin dhe shpresën e popullit të Maqedonisë së Veriut për një të ardhme të ndritur.

Pianistja maqedonase Ema Popivoda dhe DJ-ja shqiptare Rea Lemnusha sollën, në Katedralen Ortodokse në Tiranë, një bashkëpunim të rrallë artistik që mishëron shpresën, optimizmin dhe vizionin për një të ardhme kulturore europiane dhe globale.

Java Kulturore e Maqedonisë së Veriut synoi sjelljen e një përvoje që nuk ka të ngjashme, ku tradita takon inovacionin, dhe muzika bëhet urë mes dy vendeve, dy kulturave dhe shumë zemrave.

Të tjera aktivitete priten në kuadër të JKN gjatë këtyre ditëve. Java e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë deri më 30 prill, ku mes të tjerash do të ketë ekspozita, promovim të verës maqedonase si dhe shfaqje teatrale./atsh/KultPlus.com

EBC Cosmetics vjen me zbritjen më të madhe vjetore në të gjithë artikujt

EBC Cosmetics, kompania lidere në industrinë e kozmetikës në Kosovë, e njohur për cilësinë, origjinalitetin dhe ekskluzivitetin e brendeve ndërkombëtare që ofron, rikthen edhe këtë vit zbritjen e saj tradicionale.

Nga data 24 deri më 27 Prill, klientët e EBC-së do të kenë mundësi të përfitojnë nga zbritje të veçanta në të gjitha produktet, në të gjitha pikat fizike të shitjes si dhe në platformën online www.ebc.shop.

Zbritja vlen në këto lokacione të EBC Cosmetics:

Bregu i Diellit, Rr. Eqrem Qabej
Rr. Nëna Terezë
Rr. Garibaldi (përballë hotelit Grand)
Royal Mall, Rruga B
Galeria Mall, Prizren
Albi Mall, Veternik, kati 0
Prishtina Mall, kati 1
The Village Shopping & Fun, Ferizaj

Përveç Kosovës, blerjet online përmes platformës EBC SHOP janë të mundshme edhe për klientët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Si shpërblim shtesë, të gjithë ata që realizojnë porositë online përmes EBC SHOP do të marrin dhurata të ndryshme promocionale.

Kjo zbritje është një mundësi ideale për të përfituar nga produktet më të kërkuara kozmetike ndërkombëtare me çmime të volitshme, vetëm tek EBC Cosmetics – emri që garanton cilësi dhe besueshmëri në treg./KultPlus.com

294 vjet nga vdekja e shkrimtarit anglez, Daniel Defoe

Daniel Defo lindi në Londër më 1660. Ai ishte djali i një kasapi të quajtur Xhejms Fo (Danieli më vonë e ndryshoi mbiemrin e tij në Defo sepse tingëllonte më bukur). Danieli i ri mëson në një shkollë fetare dhe më pas filloi tregtinë duke shitur dhe blerë mallra të ndryshëm. Kështu, ai udhëtoi në të gjithë Europën.

Daniel Defo luftoi kundër mbretit Xhejms ll dhe më vonë u bashkua me ushtrinë e mbretit Uilliam lll. Ai u burgos dy herë, sepse shkroi disa tekste kundër kishës dhe qeverisë. Daniel Defo punoi shumë edhe me gazetën e tij, në të cilën shkroi më shumë se 500 shkrime me emrin e vet, më shumë se çdo shkrimtar tjetër në gjuhën angleze.

Ai pati një jetë shumë aktive. Vdiq në 1731 në Londër. Kur ishte pothuajse 16 vjeç, Daniel Defo filloi të shkruante novela. Të kësaj periudhe janë veprat: “Kapiten Singëlltoni”, “Moll Flanders” dhe “Roksana”, por libri që e bëri të famshëm në të gjithë botën është “Robinson Kruzo”. Kjo ishte novela e tij e parë, e shkruar më 1719 dhe pati sukses të menjëhershëm. Defoja u mbështet në historinë e vërtetë të një detari të quajtur Aleksandër Selkirk, i cili u braktis nga piratët në ishullin Juan Fernandes, një ishull i vogël në Oqeanin Paqësor.

Ai jetoi atje i vetmuar për katër vjet dhe mundi të largohej me ndihmën e një anijeje në vitin 1709. Shumë studiues letërsie e mbajnë Robinson Kruzonë si novelën e parë në krijimtarinë letrare angleze. Ajo është përkthyer në mjaft gjuhë të botës, madje konsiderohet nje ndër veprat më të përkthyera në të gjithë botën pas Biblës.

Ai është një nga katër shkrimtarët më popullor dhe themelues i romanit anglez. Defoe ka shkruar edhe shumë trakte politike të cilat i kanë shkaktuar shqetësime autoriteteve angleze, të cilat e kanë ndëshkuar duke e futur në burg për pak kohë. Njëherësh ai ishte pionier i gazetarisë ekonomike dhe të biznesit. /KultPlus.com

“Business Insider”: Turistët amerikanë zgjedhin Shqipërinë për të jetuar

“Bashkëshorti im dhe unë kemi udhëtuar në pjesën më të madhe të Amerikës Qendrore dhe Jugore, disa pjesë të Afrikës, një pjesë të mirë të Evropës dhe në pjesën më të madhe të Azisë Juglindore dhe Lindore, sipas të përditshmes amerikane “Business Insider. Ne kemi vizituar 47 vende, por vendi ynë i preferuar është Shqipëria, në Ballkan”, thanë Alicia dhe Nathan.

Shqipëria është absolutisht e mrekullueshme dhe ende e paprekur nga turizmi masiv, veçanërisht krahasuar me destinacionet e tjera evropiane si Barcelona, ​​Parisi, Londra, Roma, madje edhe Praga.

Ushqimi është një nga të preferuarit tanë dhe vendasit janë shumë mikpritës.

Vendi është ende në zhvillim pas përfundimit të epokës së tij komuniste në vitet 1990, kështu që do të shihni ende bunkerë të shpërndarë nëpër qytete.

Sa herë që kthehemi, ndihemi sikur po zbulojmë një vend të ri. Kjo e bën Shqipërinë një vend unik!

Shqipëria ka natyrë mahnitëse dhe mot të mirë

Shqipëria ndodhet përtej detit Adriatik në kufi me Greqinë dhe Malin e Zi.

Është një vend relativisht i vogël, ndoshta sa përmasat e Portugalisë.

Ju mund të udhëtoni lehtësisht në të gjithë vendin brenda një ose dy javëve.

Ka një klimë të butë, tipike mesdhetare.

Dimri është përgjithësisht i butë, dhe vera mund të jetë e nxehtë, por përgjatë bregdetit, moti është shumë më i përshtatshëm.

Riviera Shqiptare – një shtrirje bregdetare përgjatë detit Jon me ujëra blu të pastra kristal – është zona më mahnitëse në jug të vendit.

Parku Kombëtar i Thethit është gjithashtu magjepsës.

Shqipëria ka male, duke përfshirë Alpet Shqiptare, Malin e Korabit dhe Malin e Tomorrit. Malet me borë janë të shkëlqyera për shëtitje.

Është kaq bukur këtu. Sa herë që shkojmë drejt natyrës, larg qendrave të qytetit, ne mahnitemi nga peizazhi unik i vendit ballkanik.

Arkitektura e Shqipërisë është mjaft e larmishme.

Në qytete si Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, do të gjeni arkitekturë osmane të ruajtur mirë – ndërtesa prej guri të bardhë me çati me pllaka të errëta dhe dritare me grila druri – që datojnë rreth 2000 vjet më parë.

Ndërsa, arkitektura e Tiranës është një ndërthurje stilesh. Ka ende ndërtesa të kohës së komunizmit dhe ndërtesa të reja moderne me shumë hapësira të gjelbra.

Të jetosh në Shqipëri është e përballueshme

U transferuam në Tiranë në shkurt të vitit 2023. Pas tre vjetësh udhëtime, ne vendosëm të jetonim në Evropë.

Ne jemi akomoduat në një kompleks apartamentesh të ri – në një njësi të mobiluar rreth 740 metra katrorë, me një dhomë gjumi dhe një banjë.

Ne paguajmë 450 euro, rreth 520 dollarë, qira mujore. Shërbimet komunale – internet, ujë dhe energji elektrike – na kushtojnë rreth 100 euro, ose 115 dollarë, në muaj.

Strehimi në Shqipëri është shumë më i përballueshëm se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2019, përpara se të udhëtonim jashtë vendit, ne jetuam në San Diego dhe morëm me qira një banesë prej 630 metrash katrorë, me një dhomë gjumi dhe një banjë – rreth një orë larg nga qendra e qytetit – për 1,250 dollarë në muaj – qiraja më e lirë që mund të gjenim.

Vlera e parasë këtu është e pabesueshme

Ushqimi në qytet mund të jetë pak më i shtrenjtë, por ushqimet tradicionale shqiptare janë super të përballueshme.

Zakonisht, mund të porosisni pesë ose gjashtë pjata të përbashkëta, të servirura në stilin familjar, së bashku me një litër verë, ose disa birra, dhe rrallë mund të shpenzoni më shumë se 50 dollarë.

Transporti publik është gjithashtu i shkëlqyer dhe i përballueshëm në Tiranë.

Qyteti është shtuar së fundmi në Google Maps, gjë që e ka bërë edhe më të lehtë navigimin.

Udhëtimi me autobus brenda Tiranës kushton vetëm 40 cent.

Ka disa kompromise për jetën në Shqipëri, por të mirat që ofron vendi peshojnë më shumë se të këqijat.

Paratë që kursejmë për ushqimin dhe shpenzimet e jetesës në Shqipëri kanë ndikuar shumë në jetën tonë.

Na ka lejuar të udhëtojmë dhe të investojmë më shumë në udhëtime.

Një pjesë e arsyes që u larguam nga SHBA-ja për të ndjekur këtë ëndërr është se thjesht nuk mund ta përballonim jetesën atje.

Megjithatë, ka disa kompensime për të jetuar këtu.

Për shembull, duhet të shkojmë në vende të ndryshme për të marrë gjithçka që na nevojitet: një dyqan produktesh ushqimore; tregu i frutave dhe perimeve; një furrë buke dhe një dyqan për të marrë kafe. Komoditeti mund të jetë një sfidë.

Diçka e rëndësishme është politika e vizave e Shqipërisë. Qytetarët amerikanë marrin një vizë 365-ditore pas mbërritjes në vend.

Gjithashtu, ditët tona të vizave Shengen rinovohen sa herë që largohemi nga Shqipëria dhe udhëtojmë drejt BE-së.

Përtej kësaj, vendasit janë jashtëzakonisht mbështetës dhe vërtet të dobishëm për ne që të vendosim të jetojmë këtu.

Në fund të fundit, ëndrra jonë është të blejmë një shtëpi në Itali, por ka shumë hapa përpara se të arrijmë atje. Tani për tani, ne jemi shumë të lumtur këtu në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Pse uji i detit është i kripur?

Fillimisht, uji i detit ishte po aq i freskët sa uji i lumit, shkruan focus.it.

Përqendrimi aktual i kripës, rreth 35 gram për kilogram ujë, daton vetëm në një miliard vjet më pare, por si u formua ai?

Duhet të shkojmë shumë më tej në kohë.

Kjo do të thotë, kur, katër miliardë vjet më parë, Toka filloi të ftohet.

Shirrat ranë në të gjithë planetin për mijëra vjet dhe uji u vendos në gropa në koren e Tokës për të formuar detet e para.

Ujërat që ndërkohë vazhdonin të rrjedhin në sipërfaqen e kontinenteve, gradualisht u pasuruan me kripëra minerale të marra nga toka dhe i derdhën në oqeanet në formim.

Kripësia e deteve gjithashtu ndryshon sipas thellësisë së tyre dhe është dukshëm më e lartë drejt sipërfaqes dhe ku ndodh avullimi i fortë.

Megjithatë, është më i rrallë në ato dete ku furnizimi me ujë të freskët është më i qëndrueshëm, për shembull pranë një grykëderdhjeje./ KultPlus.com

Koncerti i fundit për muajin prill nga Filharmonia e Kosovës mbahet të premten

Koncerti i fundit për muajin prill nga Filharmonia e Kosovës do të mbahet më 25 prill nga ora 19:30.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellë një program të veçantë nën drejtimin e dirigjentit të njohur francez Aurélien Azan Zielinski. Solist i mbrëmjes do të jetë Félicien Brut, i cili do të interpretojë koncertin për fizarmonikë nga Romain Dumas. Në pjesën e dytë të koncertit do të interpretohen:

Simfonia e kompozitorit Rafet Rudi dhe Vallet Polovecke Nr. 17 nga Alexander Borodin.

Aurélien Azan Zielinski, është dirigjent i njohur, ka shërbyer si drejtor artistik i Orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar gjatë sezoneve 2022-2023 dhe 2023-2024, pas një periudhe shtatëvjeçare me Orkestrën Kombëtare të Bretanjës si dirigjent i saj. Ai është gjithashtu profesor dhe drejtues i orkestrës në Haute École de Musique në Lozanë, ku ndan ekspertizën e tij me brezat e rinj të dirigjentëve.

Njohja e tij filloi në vitin 2012, kur fitoi konkursin “Talents Chefs d’Orchestre” fuqizuar nga Adami. Që nga ajo kohë, ai është ftuar të dirigjojë shumë ansamble prestigjioze në mbarë botën, përfshirë Orkestrën Kombëtare të Francës, Orkestrën Kombëtare të Île-de-France, Orkestrën Kamerale të Lozanës, Royal Philharmonic Orchestra, BBC National Orchestra of Wales, Orkestrën Simfonike të Manizales në Kolumbi dhe Metropolitan Festival Orchestra të Singaporit. Interpretimi i tij i ndjeshëm dhe i saktë i lejon atij të lëvizë në mes të repertorit klasik, atij bashkëkohor dhe muzikës së filmit.

Ai është një nga dirigjentët e pakët që udhëhoqën ndërkombëtarisht koncertet e sagës së filmave Harry Potter. Pasuria e karrierës së tij shfaqet gjithashtu në bashkëpunimet e tij me artistë të njohur si Xavier Philipps, Félicien Brut, Anne Gastinel, Célia Oneto-Bensaid, Lovro Pogorelich, Mélody Louledjian, Théo Fouchenneret, Pierre Génisson, Aurélien Pascal, Yoko Shimomura, dhe Pierre Fouchenneret. Ai është një mbështetës i pasionuar i muzikës bashkëkohore dhe punon ngushtë me kompozitorë si Gérard Pesson, Clara Iannotta, Rebecca Saunders, Baptiste Trotignon, Benoît Menut, Guillaume Saint-James, Olivier Calmel, Éric Tanguy, dhe Romain Dumas, duke interpretuar shumë premiera botërore dhe incizime.

Pasioni i tij për edukimin e ka bërë Aurélien Azan Zielinski gjithashtu një pedagog të njohur. Ai drejton disa ansamble për muzikantë të rinj, përfshirë Orkestrën DEMOS Europe të Filharmonisë së Parisit, Orkestrën Simfonike të të Rinjve në Île-de-France, Orkestrat e të Rinjve Alfred Loewenguth, dhe Koret dhe Orkestrat e Grandes Écoles./ KultPlus.com

Lumturia

Poezia ‘Lumturia’ nga Roberto Benigni.

Lumturia, po lumturia!

Me që ra fjala për lumturinë, kërkojeni çdo ditë, vazhdimisht.

 Çdokush që po më dëgjon në këtë moment të vihet në kërkim të lumturisë, tani, në këtë moment, sepse është aty!

Ju e keni, ne e kemi. Na është dhënë të gjithve,

na është dhënë  kur kemi qënë të vegjël,

na e kanë dhënë si  një dhuratë.

Ishte një dhuratë aq e bukur sa e fshehëm,

siç bëjnë qentë me kockën kur e fshehin.

Disa prej nesh e kanë fshehur aq mirë

sa nuk e mbajnë mend se ku e kanë fshehur.

Por e kemi, e keni, shikoni,

shikoni në çdo qoshe, në thellësinë e shpirtit tuaj.

Hidhni çdo gjë në ajër, sirtaret,

komodinat dhe çfarë keni brenda në to,

do ta shihni që ajo do të dalë në dritë.

Provoni të hidhni kutitë, veshjet, shtatin,

ajo ndodhet aty.

Duhet të mendojmë gjithmonë për lumturinë

edhe pse ajo ndonjeherë na harron ne.

Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë atë,

deri në ditën e fundit të jetës sonë. / KultPlus.com

Rama viziton teatrin e ri të qytetit të Çorovodës

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot teatrin e ri të qytetit të Çorovodës.

Rama gjatë vizitës së tij në teatrin e ri ishte i shoqëruar nga Kryetari e Bashkisë së qytetit, Adriatik Mema, i cili tregoi se disa mjedise të brendshme të këtij ish pallati kulture, në vitin ’97 ishin kthyer në magazina, duke e humbur krejtësisht funksionin artistik.

“Vendi që po inspektojmë tani është një nga sallat e Pallatit të Kulturës, i cili ka shërbyer për teatro, për koncerte fëmijësh, ku lëviznin këto estradat e rretheve që vinin jepnin shfaqje. Një nga sallat që nga ‘97 ishte kthyer në një magazinë të rëndomtë. Këtu kemi bërë një punë fantastike që ta shikoni vetë se çfarë pamje ka marrë kjo sallë, dhe aty në hyrje kam disa foto që do të tregojnë si ishte. Këto janë pamjet se si ka qenë sallë. Madje, kjo është shumë modeste për nga ato ça ka pasur brenda, se është marrë në momentin që ia hequr një pjesë. Kjo është ajo çka është sot, një punë shumë e mirë dhe e kompanisë që kontraktuam, janë 250 vende të ulura. Kryesisht do të shërbejë për evente paksa të zgjedhura”, u shpreh ai duke treguar përmes fotove të ekspozuara në hyrje, gjendjen e dikurshme të ndërtesës.

Teatri ka rilindur në godinën e vjetër të ish-Pallatit të Kulturës, si një hapësirë arti bashkëkohore, me një sallë moderne prej 250 vendesh, në funksion të artistëve dhe dashamirësve të artit që do të ndjekin shfaqjet dhe eventet e tjera kulturore./ KultPlus.com

Surpriza nga Shekspiri, gjeniu që u lind dhe vdiq në të njëjtën datë

Gjeniu i letërsisë britanike, Uilliam Shekspir (William Shakespeare), u lind dhe vdiq në të njëjtën datë, më 23 prill (1564-1616), sipas BBC.

Më poshtë janë disa fakte surprizë, të zbuluara nga historianët:

1. Babai i tij ishte një shijues birre dhe një prodhues dorezash

Shekspiri u lind më 23 prill 1564 në një qytet të quajtur Stratford-upon-Avon, në mes të Anglisë. Familja e tij ishte me të ardhura mesatare. Babai i tij bënte një sërë punësh, duke përfshirë shitjen e lëkurës dhe leshit, shijimin e birrës (në të vërtetë) dhe prodhimin e  dorezave.

2. Ai nuk mund të shkruante në mënyrë korrekte

Edhe pse Shekspiri mësoi latinisht në shkollë, drejtshkrimi nuk ishte pjesë e mësimeve dhe të gjithë i shkruanin fjalët si të donin. Imagjinojeni atë! Shekspiri e shkruante emrin e tij në mënyra të ndryshme, përfshirë: Willm Shakp, William Shaksper, Wm Shakspe, William Shakspere dhe Willm Shakspere!

3. U martua i ri

I martuar në moshën 18-vjeçare me Anne Hathaway, ai pati tre fëmijë.

4. Së pari u përpoq të bëhej aktor

Shekspiri shkoi në Londër për t’u bërë aktor. Vëllai i tij Edmundi e ndoqi atë në qytet për të bërë të njëjtën gjë. Megjithatë, Shekspiri kishte më shumë fat që të shkruante shfaqje sesa të aktronte. Ai mësoi shpejt dhe shkroi tragjedi dhe komedi.

5. Ishte shumë produktiv

Shekspiri shkroi të paktën 37 drama në jetën e tij, të cilat ne i njohim – mesatarisht dy në vit! Ai gjithashtu shkroi shumë poezi, kryesisht poezi të quajtura sonete. Vetëm në një vit, 1609, ai botoi 154 prej tyre!

6. Ai i mbijetoi një pandemie

Ju keni më shumë të përbashkëta me Shekspirin sesa mendoni. Shekspiri jetoi dhe i mbijetoi një pandemie, një nga një sërë valësh të murtajës bubonike. Megjithatë, për fat të keq, djali i tij Hamnet vdiq nga murtaja, në moshën vetëm 11-vjeçare. Kjo ndikoi në shkrimet e tij.

7. Na dha disa fraza të njohura

Shekspiri sigurisht kishte anën e tij më të lehtë, krahasuar me vdekjen e djalit. Atij i pëlqente të vinte shaka në shfaqjet e tij, madje edhe në tragjeditë e tij, si dhe sajonte fraza që i përdorim edhe sot, si “i shkrirë në ajër” apo ”kam fjetur me një sy”.

8. Fyerjet e vrazhda ishin specialiteti i tij

Shekspiri ishte shumë njohur edhe për ofendimet si ”fytyra jote nuk ia vlen të shihet nga dielli” apo “je i trashë si gjalpi” apo ”unë do ta gudulis katastrofën tënde!”.

9. Ai ishte një biznesmen i regjur

Përveçse ishte një shkrimtar krijues, William ishte një biznesmen i regjur. Ai ishte bashkëpronar i kompanisë së tij teatrore, ”Lord Chamberlain’s Men”, dhe ”Globe”, një teatër i ndërtuar në Londër në vitin 1599. Ai madje hapi një teatër të dytë, një teatër elegant të quajtur ”Blackfriars”./ KultPlus.com

“Sunny Hill Festival” fillon edhe 100 ditë  

Sunny Hill Festival nis zyrtarisht numërimin mbrapsht. Kanë mbetur edhe 100 ditë deri në fillimin e edicionit të ri të festivalit. Entuziazmi për edicionin e sivjetmë po rritet vazhdimisht. Organizatorët tashmë kanë filluar me shitjen e biletave, ndërsa së shpejti do dalin edhe me emrat e artistëve që do të pushtojnë dy skenat e Festivalit.  

I nominuar nga Shoqata Evropiane e Festivaleve si një nga Top 10 festivalet më të mira në Evropë, Sunny Hill po përgatitet për tre ditë argëtim të pandalshëm. Këtë vit, festivali do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht në Bërnicë të Epërme, aty ku tashmë Sunny Hill po vazhdon të rritet si një nga festivalet më të rëndësishme evropiane.   

“Këtë vit kemi bërë gati një program të jashtëzakonshëm të artistëve të huaj dhe vendor që do ta bëjnë Prishtinën destinacionin kryesor të kësaj vere. Numrimi tashmë ka filluar. Shihemi në Sunny Hill Festival më 1, 2 dhe 3 gusht” thuhet në njoftimin e festivalit për media.  

Nëse ende nuk e keni blerë biletën, tani është momenti i duhur. Biletat Believers – me çmimin më të lirë që do të kenë ndonjëherë,  janë ende në dispozicion për vetëm 95 euro.  

Biletat mund të blihen në këtë link: https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025

“Demë Dedë Boga” – Një udhëtim në rrënjët e harruara

Romani “Demë Dedë Boga” i Binak Kelmendit nuk është vetëm një rrëfim për një individ apo një familje, por një reflektim i thellë mbi identitetin, fenë dhe kujtesën historike të një kombi. Ky roman shpalos një narrativë të fuqishme e cila prek plagët e historisë shqiptare dhe sfidat që e kanë shoqëruar atë për shekuj. Nuk është thjesht një vepër letrare, por një manifest që fton lexuesin të reflektojë mbi trashëgiminë, përplasjet fetare dhe ndjeshmërinë e kujtesës historike.

Shkruan: Ardit Hasani

Kelmendi e ndërton romanin e tij mbi shtresa të shumta narrative, duke krijuar një botë ku realiteti dhe simbolika gershetohen në mënyrë të pashmangshme. Me një stil të pasur e të thellë, ai arrin të rikrijojë atmosferën e tensionuar të kohërave kur shqiptarët u përballën me sfida ekzistenciale. Romani eksploron se si ngjarjet historike ndikojnë në individin dhe shoqërimin e tij me të kaluarën, duke vënë në pah tensionin mes së kaluarës dhe së tashmes. Një nga aspektet që e bën këtë roman të veçantë është struktura e tij fragmentare. Kelmendi e paraqet tregimin nëpër copa të ndryshme rrëfimi, që së bashku formojnë një tablo të ndërlikuar të jetës shqiptare nëpër shekuj. Elementet lirike dhe antropologjike i japin veprës një dimension të thellë intelektual, duke e shndërruar atë në një studim të ndjeshëm mbi shpirtin e kombit shqiptar. Nëpërmjet një gjuhe poetike dhe një simbolike të thellë, Kelmendi arrin të japë një mesazh të fuqishëm mbi rezistencën dhe përballjen me të kaluarën. Pyetjet që ngrihen në roman nuk janë thjesht filozofike, por i drejtohen thellësisht qenies njerëzore, duke u kthyer në një reflektim universal mbi identitetin dhe fenë.

Struktura dhe Simbolet

Romani është ndërtuar mbi kapituj të shkurtër, të cilët funksionojnë si gurë varri të kujtesës kolektive. Me tituj të ngarkuar me domethënie si “Gjarpërinjtë e Kishës”, “Varri i vetmuar në Kodër” dhe “Djegia e Kishës”, Kelmendi krijon një narrativë ciklike ku e kaluara vazhdimisht ripërsëritet. Prologu dhe epilogu shërbejnë si një vajtim që e mban gjallë temën e rikujtimit dhe humbjes së pashmangshme. Dy protagonistët kryesorë, Antropologu dhe Etnologu, nuk janë vetëm studiues të historisë, por metafora e përplasjes mes faktit dhe mitit. Dialogjet e tyre janë të ndërtuara në formën e një ballafaqimi intelektual, ku pyetjet mbeten pa përgjigje të qarta:

“A nuk kanë të gjithë njerëzit të njëjtën origjinë?”

“Pse ke bërë Antropologjinë, pra?”

Këto pyetje e çojnë lexuesin drejt një reflektimi të thellë mbi origjinën e identitetit dhe rolin e fesë në formësimin e tij.

Feja si Plagë dhe Shpëtim

Një nga temat më të rëndësishme të romanit është përplasja mes fesë dhe identitetit kombëtar. Konvertimi i Dedë Bogës në islam gjatë shekullit XVII nuk është thjesht një zgjedhje personale, por një moment kyç historik që ndikon në ndarjen e familjes dhe të gjithë komunitetit. Kelmendi e trajton këtë konflikt pa e gjykuar atë, duke e lënë lexuesin të reflektojë mbi pasojat e tij:

“Njerëzit e zgjedhin fenë, dhe feja nuk i zgjedh njerëzit.”

Ndërsa gjarprinjtë që ruajnë rrënojat e kishës së djegur janë një metaforë e fuqishme për këtë realitet të dhimbshëm. Feja mund të përçajë, mund të sjellë shkatërrim, por kujtesa e saj nuk mund të zhduket plotësisht.

Kujtesa si Gur i Shkëputur

Romani ngre një pyetje të madhe: çfarë ndodh kur një komb humbet kujtesën e tij historike? Nëpërmjet simbolikës së “gurëve të Kishës”, të cilët janë shpërndarë në vende të panjohura, Kelmendi krijon një metaforë për identitetin e shpërndarë shqiptar. Antropologu dhe Etnologu kërkojnë këto gurë për të rindërtuar të kaluarën, por gjejnë vetëm barin që rritet mbi themelet e rrënuara, një shenjë se natyra nuk e harron atë që historia përpiqet të fshijë. Kjo temë është e lidhur ngushtë me konceptin e harresës kolektive dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të mbajtur gjallë kujtesën kombëtare. Në këtë kontekst, Kelmendi e shndërron romanin e tij në një akt rezistence ndaj harresës historike.

Romani Demë Dedë Boga i Binak Kelmendit nuk është vetëm një rrëfim historik mbi një figurë të veçantë, por një meditim i thellë mbi identitetin, kohën dhe kujtesën kolektive. Fragmenti fundor i kronikës e mbyll rrëfimin në një mënyrë mistike dhe tragjike, duke përforcuar idenë se vdekja e protagonistit nuk është thjesht një fund personal, por një simbol i humbjes së një epoke të tërë. Përmes simbolikës së “Orës”, ndarjes së kohës dhe metaforës së resë në qiell, Kelmendi na vë përballë pyetjeve ekzistenciale rreth pushtetit, besimit dhe identitetit të lëkundur mes forcave historike.

Ajo që e bën këtë roman të paharrueshëm është gërshetimi i realizmit të ftohtë me një dimension filozofik dhe poetik, duke krijuar një atmosferë ku e kaluara nuk është kurrë thjesht histori, por një realitet që ripërsëritet në forma të ndryshme. Mbyllja e rrëfimit me vdekjen e Demës dhe zhdukjen e “Orës” së tij është një paralajmërim për zhdukjen e trashëgimisë kulturore dhe përpjekjen e vazhdueshme të një kombi për të ruajtur identitetin e vet përballë sfidave të jashtme dhe të brendshme.

 Demë Dedë Boga mbetet një vepër që sfidon lexuesin të reflektojë mbi rrënjët dhe fatin e një populli, duke e vendosur mes kufirit të reales dhe metafizikës. Ky roman është një kujtesë se historia nuk është vetëm një rrëfim i shkruar, por një përvojë që vazhdon të jetojë në mendjet dhe shpirtrat e njerëzve.

Romani “Demë Dedë Boga” është më shumë sesa një rrëfim historik; ai është një thirrje për të mos harruar rrënjët dhe të kaluarën e një kombi që ka përjetuar ndarje, dhimbje dhe sfida të mëdha. Nëpërmjet një strukture fragmentare, një gjuhe poetike dhe simbolikës së fuqishme, Kelmendi arrin të krijojë një vepër që e vendos lexuesin përballë pyetjeve të rëndësishme mbi identitetin dhe fenë. Në fund të romanit, nuk ka një përfundim të qartë apo një zgjidhje për dilemën e kujtesës dhe identitetit. Në vend të kësaj, Kelmendi e lë lexuesin të reflektojë, duke e bërë pjesë të këtij rrëfimi të pambaruar. Mesazhi i tij është i qartë: historia mund të harrohet nga dokumentet, por jo nga kujtesa kolektive e njerëzve që vazhdojnë ta mbajnë atë të gjallë në shpirtin e tyre. Ky roman nuk është vetëm një kronikë e së kaluarës, por edhe një reflektim mbi të tashmen dhe një paralajmërim për të ardhmen. Ai na kujton se kujtesa është një përgjegjësi dhe një barrë që duhet mbajtur me dinjitet. Përmes kësaj vepre, Binak Kelmendi jo vetëm që na tregon një histori, por na fton të bëhemi dëshmitarë dhe ruajtës të saj për brezat që do të vijnë./KultPlus.com

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, promovohet romani i Ndue Ukajt në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”

Drejtoresha e Dretorisë së Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi, ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Librit, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë u organizua promovimi i romanit më të ri të autorit Ndue Ukaj, me titull “Dritarja e Marin Shkrelit”. Ngjarja u zhvillua në një atmosferë reflektive dhe kulturore, me pjesëmarrjen e dashamirëve të letërsisë, studiuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve kulturore.

Halimi theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar romanin si një vepër që i fton lexuesit të ballafaqohen me pyetje themelore mbi identitetin, historinë dhe artin shqiptar.

“Në qendër të romanit është dritarja – një simbol shumëplanësh që lidh botën e brendshme me atë të jashtmen, mendimin me realitetin, dhe të kaluarën me të tashmen. Përmes saj, Ukaj sjell një vështrim meditativ që sfidon format tradicionale të tregimit dhe e ngre romanin në një dimension tjetër estetik. Vepra nuk ndjek domosdoshmërisht një strukturë lineare, por më shumë ndjek ritmet e mendimit, kujtesës dhe emocioneve, duke ofruar një përvojë leximi që kërkon përqendrim dhe ndjeshmëri”, u shpreh ajo.

Gjatë promovimit, u nënvizua se kjo vepër nuk përfaqëson vetëm një periudhë të caktuar historike apo një figurë individuale, por e trajton shkrimtarin si figurë kyçe në reflektimin shoqëror dhe kulturor, duke ngritur pyetje mbi rolin e letërsisë në raport me realitetin politik dhe shoqëror të shqiptarëve.

Ky aktivitet shënon edhe njëherë angazhimin e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për të kultivuar hapësira të mendimit dhe dialogut kulturor, duke afirmuar librin si mjet të fuqishëm për reflektim dhe ndërgjegjësim shoqëror.

Promovimi i romanit të Ukajt u përmbyll si një moment i rëndësishëm në kalendarin kulturor të Prishtinës, në një ditë simbolike për letërsinë dhe lexuesit anembanë botës./KultPlus.com

35 vite nga vdekja e aktivistes Nurije Zeka

Kosova dhe historia e shqiptarëve në përgjithësi numëron shumë gra e vajza që u bënë heroina të historisë shqiptare, e tillë ishte edhe Nurije Zekaj nga fshati Raushiq i komunës së Pejës e cila në moshë të re iu bashkua karvanit për Pajtimin e Gjaqeve.

Nurie Zekaj u lind më 11 mars 1967 në fshatin Raushiq.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa, të mesmen në Gjimnazin “11 Maji“ (drejtimin e pedagogjisë) në Pejë.

Nurija ishte sdudente e vitit të tretë në Degen e Pedagogjisë në Fakultetn Filozofik të Prishtinës ku humbi jetën tragjikisht me 23 prill 1990.

Më 23 prill të vitit 1990 në një komplot të përgatitur nga shërbimet sekrete të shtetit të atëhershëm Jugosllav, në një aksident të orkestruar nga UDB-ja jugosllave, humbi jetën veprimtarja e shquar e çështjes kombëtare, Nurije Zekaj.

Nurije Zekaj është femra e parë e cila u bie në mend shqiptarëve sapo të kujtohet Lëvzja për Pajtimin e Gjaqeve.

Në atë botë Nurija edhe pse ishte vetëm 23 vjeçare, ishte në ballë të këtij aksioni bashkë me Anton Çetën dhe këto dy figura të shquara, njihen si simbolet e lëvizjes për pajtimin shqiptar.

Kujtojmë se në vitin 2012 Presidentja, Atifeten Jahjaga, pati dekoruar 30 personalitete në mesin e tyre edhe Nurije Zekaj, e cila mori dekoratën MEDALJA E PAQES DHE PAJTIMIT “ANTON ÇETTA” për kontributin e dhënë për paqen dhe pajtimin midis njerëzve./KultPlus.com

‘Sa kohë njerëzit rrojnë e syri sheh, sa herë vargjet të thuhen, ti aty je’

Magjinë e penës së tij, Shekspiri, e derdh në vargjet e sonetit të 18, një nga sonetet më të njohura e më të dashura për dashamirët e poezisë, shkruan KultPlus.

Dashuria dhe bukuria e personit të zemrës së Shekspirit, krahasohet me ditët e bukura të verës, me kujtime e paharrueshme që të dhuron stina e bukur.

Soneti 18: A të të krahasoj me një ditë vere?

“Të të krahasoj me një ditë vere?

Por, ti je më e ëmbël, më e bukur.

Erërat shkundin gonxhet e majit

dhe vera ikën kaq e shkurtër.

Syri i parajsës shpesh nxehtë shkëlqen,

por nganjëherë ja sheh arin mbuluar

dhe vrenjtja botës bukurinë ja rrëmben,

rastësisht a nga natyr’ e lodhur, munduar.

Por vera jote kurrë nuk do venitet,

as do humbasë bukurinë që të përket,

s’do krenohet vdekja se ti rend mes hijesh,

në vargun tim përjetësia të pret.

Sa kohë njerëzit rrojnë e syri sheh

Sa herë vargjet të thuhen, ti aty je.” / KultPlus.com

Distria Krasniqi shpallet kampione e Evropës në xhudo, fiton medaljen e artë në Podgoricë

Distria Krasniqi ka shkëlqyer në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, duke siguruar medaljen e artë për Kosovën në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Në përballjen finale, ajo triumfoi ndaj italianes Odette Giuffrida, duke i sjellë vendit tonë suksesin më të madh në këtë kategori.

Garat për Distrinë nisën me një kalim automatik në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë (1/8 e finales) u përball me serben Milica Nikolić. Krasniqi dominoi këtë duel, duke e detyruar kundërshtaren të bëjë disa gabime që i sollën asaj penalitete të njëpasnjëshme, deri te kartoni i kuq.

Në çerekfinale, ajo përballej me xhudisten nga Holanda, Naomi van Krevel. Distria e filloi ndeshjen me një ‘waza-ari’ dhe më pas e përfundoi me ippon, duke kaluar bindshëm në gjysmëfinale.

Në këtë fazë, ajo u ndesh me spanjollen Ariane Toro Soler, të cilën gjithashtu e mposhti me ippon, duke siguruar një vend në finalen evropiane.

Finalja ndaj Giuffrida-s ishte një tjetër paraqitje dominuese nga Krasniqi, e cila tashmë kishte fituar ndaj saj edhe në dy përballjet e mëparshme. Edhe këtë herë, ajo nuk zhgënjeu, duke e mbyllur ndeshjen me ippon dhe duke i siguruar Kosovës medaljen e artë në këtë kampionat të rëndësishëm./KultPlus.com

“Galeria Kombëtare e Kosovës Qafa” nis programin për vitin 2025

Duke filluar nga ky vit, Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) do të zgjerojë programin e saj artistik duke marrë në administrim hapësirën e njohur si Galeria e Ministrisë së Kulturës (GMK), tani e titullar Galeria Kombëtare e Kosovës Qafa.

Si pjesë e përbërëse GKK-së, kjo galeri do të vazhdojë punën si një platformë eksperimentale dhe avangarde për artin bashkëkohor, me fokus në mbështetjen e artistëve të rinj, komisionimin e veprave të reja dhe organizimin e ekspozitave të para personale ndër të tjera – duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin dhe prezantimin e praktikave te ndryshme artistike.

GKK Qafa e nis programin e saj me ekspozitën personale të Valdrin Thaqit, me tekst nga Erka Shalari, e cilat hapet të mërkurën, më 30 prill. Kurse, gjatë vitit në programin e kësaj galeri do të prezentohen edhe ekspozitat personale të Blerim Rracaj dhe Kemil Bektes, një ekspozitë nga koleksioni i GKK-së dhe ekspozita Artistët e Rinj. Kurse në GKK vazhdon të jëtë e hapur ekspozita personale e artistit Jetmir Idrizi, e cila është ekspozita e fundit para se ky objekt të shkoj në renovim. GKK në ndërkohë fton vizitorët që programin e saj ta përcjellin tek Galeria Kombëtare e Kosovës Qafa.

Me rastin e fillimit të programit, GKK nderon historikun e ish-Galerisë së Ministrisë së Kulturës e cila ishte pjesë e Departamenti të Kulturës në MKRS. Departamenti i Kulturës e filloi punën në maj të vitit 2000, fillimisht në ndërtesën e qeverisë dhe më pas, nga shtatori i po atij viti, u zhvendos në ambientet e Kompleksit Qafa ku gjendet edhe sot. Iniciativa për krijimin e kësaj galerie u ndërmor nga Dr. Edi Shukriu dhe z. Gonzalo Retamal, të cilët bashkëkryesonin Departamentin e Kulturës në atë kohë.

Deri në vitin 2012, galeria u menaxhua nga piktorja dhe kritikja e artit Vesta Nura, e cila thekson:

“Si koordinatorë, me z.Ziolkovsky, e më pas me znj. Margaret Wood, kemi patur detyrë, sipas përshkrimit të vendit të punës,të merremi me mbarvajtjen e institucioneve të arteve vizuele: Galerinë e Arteve të Kosovës (Galeria Kombëtare e Kosovës), Kosovafilmin (Qendra Kinematografike e Kosovës) si dhe me projekte e çështje të nivelit qendror të arteve vizuele.PërGalerinë është punuar në mënyrë vullnetare e entuziaste,pa limite kohe e kursimi ngase kishte vullnet dhe interesim për të shfaqur artin e strukur të një periudhe të vështirë kohore.”

Në periudhën e pasluftës kjo galeri u shndërrua në pikë referimi për artin bashkëkohor në Kosovë. Nën drejtimin e Znj. Nura, u organizuan mbi 250 ekspozita që hapen rrugën për shumë artistë të rinj dhe ata njohur duke përfshirë artistë si Lumturi Blloshmi, Isa Alimusaj, Hyrije Hana, Arian Berisha, Shemsedin Kasapolli, Burim Canolli, Nehbi Muriqi, Mustafa Arapi, Avni Behluli, Nevruz Musa, Magbule Xhemaili, e shumë te tjerë. Galeria po ashtu organizonte ekspozita grupore të ndryshme e me rëndësi të veçantë ishte ajo Veprat e Dëmtuara nga Lufta e Fundit në Kosovë, e kuruar nga Isa Alimusaj. Nga viti 2012, nën menaxhimin e Dhurata Ramosaj, në GMK u organizuan mbi 70 ekspozita. Me rritjen e numrit të hapësirave ekspozuese dhe fondeve të dedikuara për kulturë në vend, numri i ekspozitave në këtë galeri u zvogëlua, duke reflektuar një decentralizim të mundësive për prezantim artistik.

Kjo periudhë u shënua me krijimin e Këshillit Artistik, strukturimin e programit të ekspozitave, rritjen e buxhetit dhe të stafit profesional, si dhe me bashkëpunime ndërinstitucionale. Në vitet e fundit në programin e galerisë janë përfshirë artistë si Valbona Zherka, Lala Meredith Vula, Edi Hila, Astrit Ismaili, Barbara Prenka, Nurhan Qehaja, e Lirije Buliqi, ndër të tjerë.

Në vitet e para të funksionimit, numri i lartë i ekspozitave erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së madhe të artistëve për të prezantuar punën e tyre, veçanërisht pas luftës dhe një dekade izolimi gjatë viteve ’90, kur mundësitë për ekspozim ishin të kufizuara kryesisht në kafe-galeri. Sidoqoftë, pavarësishtë vështirësive, në retrospektivë kjo galeri ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e artistëve të ri dhe ka shërbyer si platformë me rëndësi për promovimin dhe afirmimin e tyre në skenën e artit bashkëkohor në vend.

Historiku i ekspozitave shërben si një tregues qe kjo galeri ka ofruar mundësi për zhvillimin e një audience më të gjerë që vlerësonte artin dhe kulturën. GMK ka kontribuar në forcimin e lidhjeve ndërmjet artit dhe shoqërisë, si një vend ku artistët mund të angazhoheshin me komunitetin dhe të zhvillonin praktikën e tyre.

Tani, GKK Qafa e renovuar rishtaz, ofron kushte më të përshtatshme për ekspozim, duke përfshirë një sistem të përmirësuar ndriçimi dhe klimatizimi që mundëson prezantimin optimal të veprave të artit.

Përveç ndërhyrjeve teknike, janë bërë investime në infrastrukturën e përgjithshme të hapësirës duke e bërë atë më funksionale për artistët, kuratorët dhe vizitorët. Gjithashtu, administrata do të ketë kushte më të mira pune për menaxhimin dhe koordinimin e ekspozitave dhe aktiviteteve edukative, duke rritur kështu kapacitetin organizativ dhe mbështetjen institucionale për programet artistike./KultPlus.com