Kurti zgjedhë të jap mesazhe përmes tri grave shqiptare, Shotë Galicës, Tringë Smajlit e Nënë Terezës

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dha mesazhe për kabinetin e tij dhe qytetarët edhe përmes figurave të mëdha të vendit.

Ai zgjodhi tri gra shqiptare për t’i cituar: Shotë Galicën, Tringë Smajlin dhe Nënë Terezën.

 “Nuk dëshiroj ta zgjas shumë sot, sepse na pret një ditë e gjatë, plot ceremoni e festa, patjetër edhe fjalime. Dëshiroj ta përmbyll këtë fjalë timen me tre citime nga tre personalitete të historisë sonë:

Shotë Galica thoshte “Një jetë pa dije është si një luftë pa armë”. Detyra juaj është që Kosovën të mos e lini pa njërën e as pa tjetrën.

Tringë Smajli thoshte “Mos ia drejtoni armët njëri-tjetrit, por vetëm armikut të përbashkët”. Mbajeni parasysh këtë përditë, që të mos e ngatërrojmë debatin tonë të brendshëm e demokratik, me polarizimet e përçarjet armiqësore me njëri-tjetrin.

E së fundmi, mos e harroni që Nëna Terezë thoshte “Paqja fillon me një buzëqeshje”. Le të jemi ne ata që buzëqeshim, e që mbajmë të hapur derën e bashkëbisedimit. Kosova është projekt i paqes, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Në këtë kohë kur lufta e preku kontinentin tonë, Kosova e cila sot feston pesëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë, e ka treguar se pa asnjë interes vetjak, i mbështet vendet që dëshirojnë paqe e liri përkundër pushtuesve. Kjo gjithashtu duhet të na bëjë krenarë të gjithëve e secilit.

Edhe një herë të nderuar kolegë: Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës! I falënderohemi të gjithë atyre që kanë kontribuar për çlirimin e vendit e për shpalljen e pavarësisë”, tha Kurti në Qeveri. / KultPlus.com

“Prishtina Jazz Orchestra” nesër me koncert për shënimin e 15-të vjetorit të Pavarësisë

Për shënimin e 15- vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Prishtina do të mirëpres një super koncert të mbushur me nota jazz dhe ritme të sjella nga artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë, shkruan KultPlus.

Jazz Big Band ansambël ka bërë bashkë muzikantët më të mirë të xhazit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Franca për të performuar për herë të parë në këtë formacion që padyshim do sjellin një koncerte ta paharruar që do të luajnë meloditë e përjetshme që kanë përcaktuar zhanrin.

Nën dirigjimin e Armend Xhaferit, në këtë koncert do të paraqiten: Kitarë – Armend Xhaferi; Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov; Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi; Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev, Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni; Ilir Bajri – Piano; Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri.

Koncerti për ditën e pavarësisë së Kosovës do të mbahet më datë 17 shkurt në ora 16:00 në Sallën e kuqe (Pallati i Rinisë) dhe hyrja do të jetë falas.

Ky koncert mbështetet nga Komuna e Prishtinës – drejtoria e Kulturës. / KultPlus.com

RTK gati për Gala Koncertin e 15 vjetorit të pavarësisë

Për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe 25 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, RTK ka organizuar një Gala Koncert, të titulluar “Rrno për me tregue”, thënie kjo e njohur dhe e marrë nga libri i At Zef Pllumit.

Ky koncert do të mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, e ku përgatitjet për mbajtjen e tij ka kohë që kanë filluar.

Ideatori dhe udhëheqësi i këtij organizimi, Festim Kabashi nga RTK, deklaroi se kjo punë është përpjekje dhe angazhim i të gjithëve, pasi Transmetuesi Publik, siç tha ai, ka brenda vetës mjaftueshëm staf profesional e njerëz të shquar.

“Tash e sa ditë vetëm në këtë sallë, është duke u punuar vazhdimisht”, tha Kabashi, duke shtuar se koncerti “Rrno për me tregue” është ide e mbështetur menjëherë nga Komisioni Ndërshtetëror i Republikës së Kosovës.

“Pra është organizim i përbashkët i RTK-së dhe këtij Komisioni”, tha ai, duke shtuar se ideja bazohet në historinë e madhe dhe vuajtjet, dhimbjet e mëdha të vendit tonë, por edhe për faktin se vazhdimisht është kënduar.

“Të gjitha këto bashkë kemi menduar t’i sjellim në këtë koncert” tha Kabashi.

Duke treguar arsyen përse koncerti është titulluar “Rrno për me tregue” ai tha se kjo është e përbashkëta e të gjithëve, e ku ato janë vuajtjet e shqiptarëve, pavarësisht sistemeve e regjimeve të ndryshme në Shqipëri e në Kosovë.

Kabashi më tej theksoi se koncerti do të mbahet më 17 shkurt në orën 20:00, dhe do të jetë i hapur për publikun, duke shtuar se do të ketë edhe të ftuar specialë.

Ai deklaroi se emrat që do të këndojnë janë Elsa Lila, Gjon’s tears, Jericho, Rona Nishliu, Florent Abrashi, pastaj kori Siperantum e shumë të tjerë.

Kurse dirigjenti i këtij koncerti, Valton Beqiri, deklaroi se organizime të tilla të mëdha janë sfidë dhe përgjegjësi.

Megjithatë, ai tha se këtë herë është një ekip më i madh i artistëve që janë ftuar.

“Por kapacitetet tona janë duke u fuqizuar për të mbërritur në një nivel më të lartë”, tha ai.

Sipas tij, përveç festimit të 15 vjetorit të pavarësisë, ky koncert do të jetë edhe si një lloj prove gjenerale e kapaciteteve të Kosovës para organizimit të festivalit të Këngës, që për herë të parë pritet të mbahet këtë vit. / KultPlus.com