“Prishtina Jazz Orchestra” nesër me koncert për shënimin e 15-të vjetorit të Pavarësisë

Për shënimin e 15- vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Prishtina do të mirëpres një super koncert të mbushur me nota jazz dhe ritme të sjella nga artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë, shkruan KultPlus.

Jazz Big Band ansambël ka bërë bashkë muzikantët më të mirë të xhazit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Franca për të performuar për herë të parë në këtë formacion që padyshim do sjellin një koncerte ta paharruar që do të luajnë meloditë e përjetshme që kanë përcaktuar zhanrin.

Nën dirigjimin e Armend Xhaferit, në këtë koncert do të paraqiten: Kitarë – Armend Xhaferi; Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov; Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi; Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev, Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni; Ilir Bajri – Piano; Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri.

Koncerti për ditën e pavarësisë së Kosovës do të mbahet më datë 17 shkurt në ora 16:00 në Sallën e kuqe (Pallati i Rinisë) dhe hyrja do të jetë falas.

Ky koncert mbështetet nga Komuna e Prishtinës – drejtoria e Kulturës. / KultPlus.com

Richard Wagner, “djalli” që solli engjëlloren nga ferri në muzikë, gjeniu që u përpëlit gjatë në kryqin e anatemës

Richard Wagner ishte një kompozitor, regjisor teatri dhe dirigjent gjerman i cili ofroi prej shpirtit të tij të gjëmimshëm më së shumti vepra për operat dhe dramat e tij muzikore.

Gjatë gjithë karrierës së tij ai u ndesh me shumë polemika. Marrëdhëniet e tij të shthurura të dashurisë dhe kompozimet polemike, mblodhën admirim dhe antagonizëm. Ai kompozoi vargje kundër besimeve popullore dhe i bëri ato të interpretoheshin në teatrot popullore. Falë ideve të tij romane solli finesë krijuese në ‘dramat muzikore’ komplekse si ‘Ring Cicle’. Ndryshe nga disa kompozitorë apo regjisorë të tjerë teatrale të kohës së tij, Wagner jo vetëm shkroi libreton, por edhe kompozoi muzikë për shfaqjet e tij. Në pjesën e mëvonshme të karrierës krijuese ai përsosi më tej me veprat e tij duke drejtuar dhe kompozuar orkestrimin e vështirë.

Richard Wagner ishte një gjeni atipik. Shënjohet në artin gjermani si një i talentuar dhe virtuoz, por kjo as që ndikoi që ai të ishte ndryshe ngase donte ai shpirt rebel, i shumëdebatuar dhe jo pak herë i keqkuptuar?! Ishte ndoshta i vetmi ndër kolosët e muzikës klasike dhe asaj operistike, gjenialiteti i të cilit u përpëlit në kryqin e anatemës. As fama nuk mundi ta ulte më që andej, por e ngjiti në qiell si “djallin” që solli nga ferri engjëlloren e muzikës. Gjithnjë pararendësit, nismëtarët, filluesit e një etape ndryshimesh të mëdha, marrin si shpërblesë një mësymje shkatërruese. Ende vërtitet edhe sot e kësaj dite se ku e ngjynte gjithë kjo hakërri majën e gjuhës në helmin e antisemitizmit apo të kapërthimeve të thekshme psikologjike, me të cilat ai e ushqeu këtë uragan të krijimtarisë muzikore.

Kompozitorit gjerman, Richard Wagner, u lind më 22 maj 1813. Ai ishte dhe mbeti një fenomen artistik, një shkundullimë e kijametshme e asajkohje dhe përmendje e njeriut si shkëndi në barutin e shpërthimeve. Të admiruarin e “të krisurve”, shtjellat e kritikës, rrapëllimat e kohës, do ta vendosnin, në Olimpin e Perëndive të muzikës dhe kompozimit. Edhe pse lindi në një lagje hebraike të Leipzigut në shtetin e Saksonisë në Gjermani, ai u akuzua si antisemit. Kjo damkë me gjas i’u hodh përsipër këtij shpërthimi drite si një mantel i rëndë dhe i zi anateme, vetëm e vetëm se muzika që ai kompozoi kishte një admirues të gabuar, Adolf Hitler.

Madhështor në dimensionin më të pakapshëm, dramatik dhe tragjik në zenit të aftësisë perceptuese dhe përjetuese, harmonik dhe i debatueshëm njëherësh, zot dhe djall. Ai guxoi të ishte krejt tjetërçka. Edhe sot Richard Wagner kompozitor, vazhdon të frymëzojë dhe të ngjallë debate të ashpra për kumtin artistik, për kumbimin brendandjesor, për kremtimin ideor dhe estetik. Asgjë nuk është rastësore në këtë përballje dhe kacafytje titanësh. Ai erdhi për të qenë një rrufe shigjetare në qiellin e marazur prej reve të absurdit dhe një nevoje të kohës për tu hedhur në zjarrin e transformimit. I’a lejoi vetes dhe mishëroi deri në grahmën e fundit të shtrëngatës muzikore, shpirtin e tij të stuhishëm, vullnesën trandjes nga themelet të njeriut opak, të kësaj krijese që zvarritej. Ai kushtronte me artin e tij. Nëpërmjet muzikës Wagner përpiu krejt kohën dhe vetë koha ishte ai, në intensitet jetësimi të së tashmes, në kurajo gladiatori për tu ndeshur me veten me realitetin, dhe për të fituar njeriun. Veprat e Wagnerit kanë një intensitet të jashtëzakonshëm dhe një besueshmëri të jashtëzakonshme psikologjike. Mënyra e tij e kompozimit depërton menjëherë në ndjenjat tona. Dhe meqë jemi mësuar tani me muzikën e filmave dhe televizionit, muzika e tij na prek edhe më drejtpërdrejt. Sepse kjo lloj muzike mbështetet shumë tek Wagneri.

 Jeta e gjeniut

Wagner lindi më 22 maj në një lagje hebraike të Leipzigut në shtetin e Saksonisë në Gjermani. Babai i tij, Carl Fredrich Wagner ishte nëpunës në polici por vdiq gjashtë muaj pas lindjes së të birit. Familja u zhvendos në Dresden ku Wagneri jetoi derisa u rikthye në Leipzig në moshën 14 vjeçare. Ai nuk shfaqi interes për shkollën, duke parapëlqyer të përqendrohej tek teatri dhe muzika. Pas disa përpjekjesh të pasuksesshme dhe veprash të lëna përgjysmë, opera e tij e parë e suksesshme, Rienzi u shfaq për herë të parë në Dresden në vitin 1842.

 Anatema politike

Për shkak të ideve të tij politike, ai kaloi një pjesë të mirë të jetës në mërgim. Pasi u përfshi në një kryengritje të dështuar në Dresden, ai shkoi në Paris dhe më pas në Zyrih. Wagner gjithashtu botoi artikuj antisemitistë, diçka që vazhdon ta errësojë imazhin e tij edhe sot. Por ajo që e dëmtoi më shumë reputacionin e tij ishte dashuria e Adolf Hitlerit për muzikën dhe përdorimi i kompozimeve të tij nga nazistët në fushatat e tyre propagandistike.

Eksperti Thomas Krakow këshillon që Wagneri të shihet në kontekstin e Gjermanisë së shekullit të 19-të dhe jo përmes prizmit të Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit. Krakow vë në dukje se Wagner vdiq gjashtë vjet para se të lindte Hitleri.

Pavarësisht nëse protestë apo entuziazëm, interesi për Wagneri, më shumë mufatet se sa shterron, duke kumtuar një nevoj të brezit për të depërtuar në ndjesitë e këtij jetësimi . Këtë vazhdon ta shpalosë rëndësia e operave të tij dhe galerisë shkëlqimtare që la në testamentin e muzikës gjermanbe dhe botërore. Vepra e tij vazhdon të përmbajë “muzikën e së ardhmes”. Duke nisur qysh nga dashuria e ndaluar e Rienzi-t, e deri tek Mjeshtrat e këngës apo Parsifali: Wagneri synon gjithmonë të nxjerrë në pah kritikën ndaj shoqërisë, utopinë e shoqërisë, ëndrrat dhe mallin, artin dhe politikën, problemet e njeriut si: seksi dhe krimi, dashuria dhe vdekja, përpjekja njerëzore për gjetjen e vetvetes, të gjitha tema këto që vazhdojnë të jenë aktuale. Vetëm më 13 shkurt 1883 kur Richard Wagner ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare, vetëm atëherë bota e muzikës dhe opera e mësoi, se me kë ishte ndarë, se çfarë kishte humbur. Përunjësisht përulemi para kësaj përmendoreje shtatlartë e këtij shkëlqimimi të thekshëm. Trandës e hakërrues për çdo plogështi që zvarret, çdo traditë që me shpirt nëpër dhëmbë kërkon të sundojë një kohë që i ka ra mohit. Përplaset pamëshirshëm me çdo barrier lirie. Flakë shtërzen prej turfullimës së nevojës përtëritëse. Lëshohet mbi muret e zëna myshk si më mraztat çjerrje e prej rrënjësh e shkul të shkuarën. Ai është zot i të tashmës së shpirtit të lindur për t’u hedhur në zjarr, vullnetit që gjallon për t’u përleshur. Cyt çdo gjëndje që rreket mëdyshjeve. Nuk ka prehje në paqe për gjeniun e luftës. Lëshoje veten në krahët e përjetimit që ai skaliti me zjarr pasioni e rufeje dhe jeto të tashmën duke u parë sy më sy me dritën.

Episode nga jeta dhe vepra

Wagner, fëmija ambicioz

Wagner ishte nëntë vjeç kur dëgjoi për herë të parë Freischut të Veberit. Kjo shfaqje i la mbresa aq të thella sa ai vendosi që të bëhej muzikant dhe të imitonte Veberin. E ëma, për të kënaqur dëshirën e tij, e çoi djalin te mjeshtri Human që të merrte mësime në piano. Kur e dëgjon Vagnerin që interpretoi plot me gabime mësuesi i inatosur tha:

– Kur të rritesh mund të bëhesh ç’të duash, po muzikant kurrë. Atëherë nëna e dërgoi te një mësues tjetër për të mësuar violinën. Por edhe ai i tha se ishte nxënësi më i keq që kishte.

– Si mund të bëhesh muzikant, – i tha e ëma, – kur nuk mund të mësosh dot asnjë instrument?

– Nuk ka rëndësi, – u përgjigj Vagneri, – unë po të them që do të bëhem muzikant dhe ke për të parë se do të bëhem.

 Kapriçot e moshës

Në rininë e tij Wagner nuk mendonte gjë tjetër veçse si të siguronte para për të luajtur me letra. Në darkë hynte në lokalin e lojës ku rrinte deri në mëngjes. Atje humbiste vazhdimisht. Nëna shqetësohej për qëndrimin e tij të padenjë dhe pikëllohej që i biri kthehej aq vonë në shtëpi. Një mbrëmje e ngarkoi të birin që t’i merrte pensionin. Me këto para ai luajti deri sa i humbi të gjitha, përveç një monedhe të vogël. E vuri edhe monedhën e fundit, por këtë herë fitoi. Fitoi edhe disa herë të tjera deri sa siguroi pensionin e nënës. Atëherë ai u betua se nuk do të luante më dhe e mbajti fjalën gjatë gjithë jetës.

Fillesat e vështira

Më 1839 një poet dhe muzikant i ri gjerman u largua nga vendi i vet dhe shkoi në Francë për të shfaqur veprat e tij me një letër rekomandimi për drejtorin e operës së Parisit.

Në këtë letër shkruheshin vetëm këto fjalë: “I dashur mik, ma hiq qafe këtë budalla”.

Dhe ky “budalla” ishte vetë Richard Wagner.

 Verdi për kryeveprën “Tristani dhe Izota” 

Giuseppe Verdi e admironte shumë operën “Tristani dhe Izota” të Richard Wagner. Ai thoshte për të:

– Përpara kësaj ndërtese gjigande rri gjithnjë me tmerr dhe me habi, dhe nuk e kuptoj sesi mund të jetë e një njeriu kjo vepër. Akti i dytë është një prej veprave më madhështore të shpirtit njerëzor.

Muzikanti dhe nëpunësi i doganës

Roshi ishte një nëpunës i varfër i doganës që e donte shumë poezinë dhe të dielën, të vetmen ditë të lirë që kishte e kalonte duke bërë vjersha kur hyri në zyrën e tij, dëgjoi një të huaj gjerman që ankohej për vonesën në doganë. Roshi ndërhyri:

– Si ju quajnë? – e pyeti të huajin.

– Richard Wagner!

– Jam i lumtur, – u përgjigj Roshi, – që i shërbej një muzikanti të madh.

– Po si më njohët?

Si përgjigje ai nisi të këndojë disa pjesë nga “Tanhojzeri”.

– Ah, – ia bëri Wagner, – kjo është një shenjë e mirë. Nesër jeni i ftuar të hamë mëngjesin së bashku.

Muzikanti i madh dhe poeti i vogël u morën vesh kaq mirë sa ditën tjetër Wagner  i dha Roshit detyrën që të përkthente frëngjisht “Tanhojzerin”. /Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Veçantia e fëmijëve gjilanas dhe zëri emocionues i sopranove Lekaj dhe Avdyli përmbyllin natën e dytë të “PriVocalFest”

Uranik Emini

Nata e dytë e Festivalit “Prishtina International Vocal Fest” u karakterizua nga veçantia e fëmijëve të korit nga Shkolla e Muzikës së Gjilanit, të udhëhequr nga Artan Jerliu, derisa për të përcjellur edhe më shumë emocione te publiku u përkujdesën sopranot Martina Lekaj dhe Ylberinë Avdyli, shkruan KultPlus.

Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës së Kosovës u bënë bashkë një numër i konsiderueshëm njerëzish që të përcillnin nga afër edhe natën e dytë të festivalit “PriVocalFest”.

Martina Lekaj si soprano, u përcoll nga Melos Buza si pianist për ta hapur siç duhet natën e dytë të këtij festivali. Gjatë gjithë kësaj nate, publiku u shpreh shumë i kënaqur me performuesit, duke dhënë duartrokitje të panumërta për të gjithë ata që u ngjitën në skenë. 

Njësoj sikurse morën mbështetje të madhe edhe Ylberinë Avdyli, e përcjellur në piano nga Leonita Emini. Ndërkaq, për t’ia dhënë hijeshinë e duhur dhe realisht gjithë kuptimin e emërtimit të natës së dytë, pikërisht “Skena e Re”, u ngjitën fëmijët e korit të Shkollës së Muzikës, që po udhëhiqeshin nga dirigjenti Artan Jerlia, me Hajrije Bislimin si pianiste.

Në një prononcim për KultPlus, Jerliu u shpreh shumë i lumtur për këtë performancën, derisa ndau eksperienca edhe nga përgatitjet e deri te finalizimi i punës. 

“Me të vërtetë është një ndjenjë shumë e veçantë kur puna të cilën e bën dirigjenti për një kohë finalizohet në fund në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk është e lehtë që ta bëjmë këtë punë, por sigurisht që është kënaqësi e madhe. Procesi i provave shkon shumë mirë dhe gjithçka shkon në mënyrë natyrale. Unë jam shumë falënderuese për profesoreshën që ka arritur të lexojë veprat për një kohë të shkurtër dhe në fund të arrijmë të bëjmë këtë performancë”.

Në anën tjetër, profesoresha Hajrije Bislimi tha për KultPlus se puna me fëmijët është një ndjenjë shumë e veçantë.

“Ka qenë një punë shumë e gjatë dhe njëkohësisht edhe e lodhshme por edhe e suksesshme. Këta fëmijë janë të mrekullueshëm dhe ndjehem e nderuar që kam marrë pjesë në këtë performancë. Këtë koncert e kemi përgatitur për një kohë shumë të shkurtër, por me bashkëpunimin e prindërve kemi arritur që të finalizojmë punën tonë. Artani është thjesht i mrekullueshëm”.

Dea Xhemajli, koordinatorja e Festivalit “PriVocalFest”, deklaroi për KultPlus se të gjitha festivalet e muzikës duhet t’i kushtojnë një hapësirë të veçantë të rinjve, dhe gjithashtu ndau detaje për netët e radhës.

“Si çdo vit tjetër, është viti i 5-të me radhë që ne gjithmonë ju japim hapësirë të rinjëve dhe për këtë arsye ne e kemi quajtur këtë natë sikurse “Skena e Re”. Pra, përveç tjerash, Marina Lekaj dhe Ylberina Avdyli ishin dy sopranot që na mrekulluan të gjithëve pa masë. Më 10 tetor do të jenë “The Sëingles”, natë e cila do të jetë shumë e veçantë për komunitetin tonë artistikë, përfshirë faktin që këta të fundit kanë arritur që të fitojnë 5 çmime Grammy, derisa dy netët e tjera do të jenë fillimisht Arta Jashari si soprano e përcjellur nga Pranvera Hoxha Bryma më 11 tetor me titull “Skena e Re”, derisa do të jetë në fund edhe Eriks Esenvalds, kompozitori i njohur për të bërë përmbylljen e madhe me veprën e tij”.

Sopranoja Ylberinë Avdyli, pohoi se nata shkoi me shumë sukses dhe ato, pra, së bashku me pianisten Leonita Emini; me të cilën njihen për një kohë të gjatë, arritën të bënin një punë shumë të mirë.

“Jam shumë e lumtur që gjithçka shkoj mirë dhe ndjehem e nderuar që publiku ishte i lumtur me paraqitjet tona, edhe pse muzika klasike nuk është diçka të cilën publiku ynë e vlerëson sa duhet. Përkundër faktit që ftesa ishte e vonshme, ne arritëm që të bëjmë një punë të madhe dhe jemi mobilizuar së bashku edhe me Leonita Eminin, e cila më shoqëroi në piano gjatë performancës sime dhe kemi arritur gjithë këtë sukses.

PriVocalFest do të vazhdojë edhe me eventet e tjera, ku më 10 tetor me fillim nga ora 20:00 do të mbahet nata me ansamblin “The Swingles”, në qendrën “Bogdanipolis”. /KultPlus.com

*Fotografitë janë realizuar nga Adi Beqiri*

Kori i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë kaloi pragun e perfeksionit, inkuadroi mënyra të veçanta të interpretimit

Era Berisha

Veprimtaria kultivuese dhe e vazhdueshme e këndimit koral apo vokal nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, mbrëmë erdhi përmes një sërë veprash të kompozitorëve të ndryshëm, duke filluar nga repertori botëror e deri tek repertori shqiptar, ku me inkuadrimin e vokalit nga secili anëtar dhe elementeve koreografike atraktive, ata thyen çdo barrierë të mundshme e cila pasoi në një tërheqje të duartrokitjeve dhe brohoritjeve të cilat përgjatë natës shkatërruan definimin e limiteve, shkruan KultPlus.

Ky koncert portretizoi literaturën muzikore korale duke filluar nga periudha e renesancës e deri tek periudha bashkëkohore që mbrëmë Kori i Filharmonisë interpretoi në një mënyrë të mahnitshme që nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Bennett, Rheinberger, Gorecki, Rabe, Gueavara, Van der Roost, whitacare, Spevacek-Avery, Gjeilo, Lawry, Gerlitz dhe Hernandez, për të vazhduar me kompozitorët shqiptar si: Hajrullah Syla që solli veprën premierë të titulluar ‘Dimër’, Kreshnik Aliçkaj që solli një version ndryshe të veprës ‘Siparantum’ si dhe natyrisht vetë dirigjenti Memli Kelmendi me veprën ‘Sa bukur na ka dal nusja’.

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre duke mbushur komplet karriget në një numër specifik, pasoi qetësia e cila tanimë ishte pothuajse vepër artistike e bashkangjitur e Korit së Filharmonisë, që mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, solli një hijeshi të pakrahasueshme ndaj të pranishmëve duke i përqafuar dhe rrethuar komplet ata me vokalin e tyre hyjnor që jehonën dhe ushtimat e tyre kaluan pragun e perfeksionit.

Kësaj radhe, melodia dhe tingujt nuk po vinin nga instrumentet, ndonëse përfshirja e tyre ishte prezente me pianon nën manovrimin e Agron Shujakut, kontrabasi dhe violina  nën manovrimin e Visar Kuçit së bashku me interpretimin në violinë të  Festim Fanaj, pastaj tamburini nën manovrimin e Diellza Sylejmanit, kastanjeta nën manovrimin e Donjetë Krasniqi, viola nën manovrimin e Arianit Shehu, violonçela nën manovrimin e Antonio Gashi, si dhe fiz-harmonika e interpretuar nga Elton Balla.

Por ajo që mbizotëroi gjatë gjithë kohës ishin vokalet madhështore të sopranove si; Shkurtë Hykaj, Selvije Marteti, Arta Jashari, Kaltrinë Miftari si dhe tenori Safet Berisha, e po ashtu edhe elementet si lëvizjet koreografike, atraksionet e ndryshme të cilat i dhanë publikut një qasje tjetër duke i mbështjellë ata në hipnotizimin e bukur të tingujve që lirshmërinë e tyre e sollën në një frymë të vetme.

Kështu, krejt në fund ky koncert që frymonte nga kontrolli dhe ritmi diversiv i dirigjentit Memli Kelmendi, i cili inkuadroi mënyra të veçanta të interpretimit duke futur tërë Korin nën komandën dhe fuqinë e tij që herë ishte në një nivel skajshmërie të çmendurisë e herë të tjera në një qetësi pothuajse absolute.

Këto dy anë tërësisht të kundërta nga njëra-tjetra ishin dëshmi që Kori i Filharmonisë së Kosovës posedon një talent unik dhe mënyra se si ata këndojnë në një zë të vetëm dhe se si ata lëvizin jo vetëm vokalin por edhe duart, këmbët dhe komplet trupin e tyre në një harmoni të vetme, e fusin shikuesin dhe dëgjuesin në një shtangim shpirtëror duke fiksuar kështu thellësisht atmosferën dhe gjendjen emocionale të publikut dhe jo vetëm. Në një moment kulminacioni vokal afër përfundimi të një vepre edhe një fëmijë nga publiku që po këndonte së bashku me ta e i cili vazhdoi një notë më tepër, futi publikun dhe Korin në një emocion humoristik që solli buzëqeshjen e secilit.

Ndërsa për të na folur më shumë rreth realizimit të këtij koncerti i cili ka qenë i planifikuar për muajin mars, në një prononcim për KultPlus, ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Ky koncert ka qenë i planifikuar shumë më herët por për shkak të situatës pandemike, koncerti është detyruar që disa herë të shtyhet. Pavarësisht kësaj, programi veçse është përpunuar edhe më mirë dhe është arritur një nivel mjaft i lartë profesional i Korit”, tregon Jashari.

Sipas tij, ky program është posaçërisht i zgjedhur nga dirigjenti Memli Kelmendi, ku tutje ka treguar për përvojën interesante për Korin dhe për mënyrën e punës së veçantë të dirigjentit

“Ky program ishte në tërësi premierë që erdhi nga propozimi i vetë dirigjentit duke zgjedhur vepra mjaft komplekse për interpretimin e Korit të Filharmonisë së Kosovës duke e ditur që Kori ka mundësi më të mëdha se koret amatore për shkak të punës tonë të përditshme dhe besoj nga reagimet e publikut që vërtetë ishte një koncert i suksesshëm”, thotë Jashari.

Kurse, për të folur më shumë rreth provave dhe se si kjo premierë la përshtypje tek ai, për KultPlus foli edhe dirigjenti Memli Kelmendi.

“Disa muaj më parë e morra ftesën nga drejtori i Filharmonisë së Kosovës për të ardhur me një program premierë me plan që koncerti të jetë në dy qytete, pra në Prishtinë dhe në Pejë. Unë i falënderohem shumë Drejtorit dhe institucionit dhe gjithë Korit të Filharmonisë së Kosovës për punën dhe përkushtimin maksimal për të ardhur deri në këtë realizim”, thotë Kelmendi.

Sipas tij, procesi i provave nuk ka qenë i lehtë sepse është dashur të punojnë në prova ndaras që nuk i përket punës së Korit, por ata kanë punuar në bazë të rregullave të pandemisë duke e ngadalësuar shumë procesin e punës.

Për Kelmendin, prezenca dhe interesimi i madh i publikut e bëri atë të ndjehet i kënaqur dhe i gëzuar që sheh një numër të audiencës në sallë sepse sipas tij vërehet që njerëzit i kishte marrë malli për të parë diçka të bukur.

Tutje ai ka treguar që në rolin e dirigjentit ai është munduar të nxjerrë diçka tjetër prej Korit, me ato lëvizje koreografike dhe lirshmërinë e tyre, prandaj kjo ka tingëlluar jashtëzakonisht bukur duke i dhënë një ngjyrë dhe frymë tjetër kësaj çasje pikërisht në këtë kohë kaq të vështirë.

“Unë e përjetova shumë bukur sepse është hera e parë që performoj me Korin e Filharmonisë së Kosovës, është një emocion krejtësisht ndryshe sepse jam shumë mirënjohës ndaj tyre, e po ashtu iu përulem dhe falënderohem ndaj secilit anëtar të Korit dhe shumë të tjerë që kanë dhënë kontribut në realizimin e këtij koncertit”, përfundon Kelmendi.

Ky koncert premierë i Korit të Filharmonisë së Kosovës është realizuar në kuadër të sezonit 2020/2021. Ndërsa, repriza e këtij koncerti do të shfaqet të enjten në Pejë në kishën katolike ‘Shën Katarina’. / KultPlus.com

Vepra “Dies Lunae” e kompozitorit Memli Kelmendit me premierë botërore në Londër

Një nga emrat më aktiv në muzikën korale në Kosovë, kompozitori dhe dirigjenti Memli Kelmendi ka një opus të pasur sa i përket kompozimeve të veprave, shumë prej tyre janë luajtur në vende të ndryshme të botës, e të tjera po presin që shumë shpejt të dëgjohen në skena të mëdha, shkruan KultPlus.

Vepra “Dies Lunae” për piano, e selektuar në konkursin “7 Notes in 7 Days at 7pm” do të interpretohet të hënën si premierë botërore nga pianistja e njohur Maria Marchant (Award-winning concert pianist). Vepra do të interpretohet në Blüthner Piano Centre, Londër më 17 Gusht në ora 19:00.

Maria Marchant është pianiste e vlerësuar lartë nga BBC, A BBC Music Magazine Rising Star, ‘In Tune’ and ‘Record Revieë’, WMNR Radio, Classic FM dhe kritikë të shumtë të muzikës si; Roderick Williams, OBE, Graham Rickson, Arts Desk, Nick Barnard, Music Web-International etj.

Maria Marchant ka interpretuar në vendet më të njohura të vendit dhe jasht saj  duke u bërë kështu fituese e shumë garave për piano. Ajo gjithashtu fitoi Medaljen e Artë dhe Prmimin e Parë në Konkurrencën Ndërkombëtare Hindemith, Berlin, dhe u zgjodh si artiste në skemat Concordia, Tillett Trust dhe Park Lane Group që rezultuan në paraqitjet Wigmore dhe Southbank.

Pikërisht kjo pianiste, tashmë do të luaj një ndër veprat e kompozitorit shqiptar, i cili teksa ka ndarë lajmin me ndjekësit e tij në Facebook, është shprehur tejet i lumtur për këtë fakt.  / KultPlus.com

Memli Kelmendi bëhet anëtar i Këshillit Botëror të Koreve

Dirigjenti i njohur, Memli Kelmendi është zgjedhur anëtar i Këshillit Botëror të Koreve apo “World Choir Council”.

Anëtarësimi i Memli Kelmendit nënkupton që Kosova për herë të parë do të ketë një përfaqësues në rrjetin më të madh të koreve, në mesin e 80 shteteve nga mbarë bota.

Këshilli Botëror i Koreve është bordi më i lartë ndërkombëtar këshillimor i rrjetit “Interkultur” për çështje artistike. “Interkultur” është një rrjet i organizatave jofitimprurëse që ndjekin një interes të përbashkët për të mbështetur kulturën në nivel ndërkombëtar. Është themeluar në vitin 1990 nga gjermani Gunter Titsch, një këngëtar kori i pasionuar.

Aty tregohet se ideja për të krijuar një ngjarje si “Lojërat Botërore të Korit” bazohet në idealet e Lojërave Olimpike.

Dirigjenti dhe kompozitori Memli Kelmendi ka thënë se e konsideron këtë lajm shumë të rëndësishëm pasi që, sipas tij, kjo nënkupton që edhe Kosova është bërë pjesë e “Interkultur”-it për herë të parë.

Memli Kelmendi është i lindur në Pejë, ndërsa studimet universitare për dirigjim (vokale dhe instrumentale) i ka përfunduara në Universitetin e Prishtinës në klasën e dirigjentit të mirënjohur Bajar Berisha, ndërsa për kompozim në klasën e Darko Marinovskit.

Kelmendi është udhëheqës që në themelim i Korit ‘Siparantum’.

Ai aktualisht po bën studime të doktoratës për dirigjim të korit në klasë të Sasho Tatarchevskit në Universitetin e Shkupit./Njeshi/ KultPlus.com

Shqiptari nga Amerika, kryedirigjent në Teatrin Nacional të Gjermanisë

“Erste Kapellmeister” i ri, një titull muzikor që mund të përkthehet si drejtor muzikor ose “kryedirigjent” i Teatrit Nacional Gjerman në Weimar është Stefan Lano. Ai është shqiptar dhe është emëruar tash së voni në këtë post.

I lindur para 65 vitesh më parë në SHBA, Stefani ishte fëmija i një çifti shqiptarësh të ikur atje nga regjimi i Enver Hoxhës, shkruan concerti.de. në artikullin me titullin “Një kosmopolit në Weimar”. E Wimar-i njihet si qyteti i poetit të madh gjerman, Goethe.

Stefani thotë se për herë të parë ka pasur rastin të vizitonte atdheun e tij, Shqipërinë, në vitin 2014, falë ftesës së bërë nga ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë në Zagreb, transmeton albinfo.ch.
“Prindërit e mi nuk e kishin vizituar më kurrë Shqipërinë gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës.

Ndërsa unë e kam ndjerë veten atje menjëherë si në vend timin”, shprehet Lano. Këtë përgjigje e jep pasi është pyetur nga gazetari nëse në pasionin e tij për vepra komplekse muzikore rrah edhe shpirti i tij ballkanik. Por, sipas tij, zemra e tij rrah “për çdo muzikë”.

Ai, me përvojën e tij të pasur prej dirigjenti konsiderohet të ketë sjellë fat në Teatrin Gjerman. Lano ka qenë asistent i dirigjentit të madh Loreen Maazel në Orkestrën Simfonike të Pitsburgut, në Gjermani, dirigjent kryesor në orkestrat përkatëse nacionale të Argjentinës e të Uruguait etj. Thjesht, ai është njëri ndër ekspertët më të kërkuar për muzikë bashkëkohore teatrore në botë. / KultPlus.com