Sot, 19 vite nga zhdukja e Ukshin Hotit

Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta gati arriti një vit në Kosovë, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe. Por dhe pse u lirua ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

Me 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO. Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut.

Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë. Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre. Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre.

Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë. Hoti ishte veprimtar dhe intelektual i shquar politik në Kosovë.

Sot do të mbahet një tubim sensibilizues për fatin e Ukshin Hotit me rastin e Javës së Ukshin Hotit, që organizohet në Krushën e Madhe, vendlindjen e tij./ KultPlus.com

19 vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës

Sot bëhen 19 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.

Me këtë rast do të mbahet një tubim përkujtimor te pllaka përkujtimore në Vërboc dhe një akademi përkujtimore nën përkujdesjen e kryeministrit Ramush Haradinaj në Teatrin Kombëtar.

Ilaz Ismajl Kodra lindi më 3 maj të vitit 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.


Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit. Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndar jen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë./ KultPlus.com

19 vjet nga vrasja e Bajram Kelmendit

Sot bëhen 19 vjet që nga vrasje e avokatit të shquar shqiptar Bajram Kelmendi, si dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit.

Avokati Kelmendi, së bashku me dy djemtë e tij ishin marrë nga forcat serbe më 24 mars, ditën që NATO-ja kishte nisur bombardimet në Kosovë ndaj caqeve serbe.
Lajmin për vendndodhjen e kufomave të tyre, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, e kishte marrë më 26 mars.

Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

Kelmendi, si avokat, kishte proceduar një dosje për krimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Hagë.
Kelmendi ishte edhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut./ KultPlus.com

19 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë

Janë bërë 19 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshje së Rambujesë nga delegacioni i Kosovës.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Konferencën e Rambujesë nuk kishin arritur një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët, prandaj dy delegacionieve u ishte dhënë kohë shtesë që të pajtoheshim me një marrëveshje, të cilën do ta nënshkruanin në Paris.

Por, as koha shtesë që iu dha palëve nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, nuk u mjaftoi palëve që të arrijnë një kompromis të pranueshëm që do të çonte në nënshkrimin e një marrëveshjeje midis tyre.

Për këtë arsye, më 18 mars 1999, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan dy marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës e nënshkroi marrëveshjen e ofruar nga ndërmjetësit ndërkombëtarë në Rambuje, ndërsa delegacioni serb e nënshkroi vetëm projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

Konferenca e Rambujesë e kishte miratuar Marrëveshjen e sanksionimit rreth ndërprerjes së dhunës në Kosovës që ishte nën mbikëqyrjen e OSBE-së dhe misionit të posaçëm diplomatik në Kosovë. Ajo kishte parashikuar zgjidhjen e problemeve përmes dialogut, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës dhe vetëqeverisja substanciale e saj dhe mbrojtja e të drejtave të të gjitha bashkësive kombëtare në Kosovë, ku u paraparë që në një periudhë kohore trevjeçare të zgjidhjet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, shkruan Koha.net.

Pjesëmarrja ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara kishte parashikuar implementimin e kësaj Marrëveshje, mirëpo statusi politik i saj u zgjidh pas 8 vite e gjysmë më ndihmën e palës ndërkombëtare përsëri.

Pala serbe kishte përjashtuar kompromise të tilla që ishin parashikuar nga pala ndërkombëtare edhe pse ishte e paralajmëruar nga përfaqësuesi i palës ndërkombëtare, Richard Holbrook se çfarë do ta priste palën serbe me mos pranimin e nënshkrimit të palës serbe, ku me këmbëngulësinë e tyre politike i kishin refuzuar negociatat e raundit të dytë të bisedimeve dhe më çdo kusht e refuzuan zgjidhjen politike të Kosovës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje politike ndërkombëtare që ishte nënshkruar saktësisht me 18 mars të vitit 1999 nga pala përfaqësuesi shqiptare dhe nga tre ndërmjetësuesit ndërkombëtar.

Konferenca e Rambujesë i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christofer Hill nga SHBA-të, Boris Majosrsi ,Rusi dhe Volfgang Petric nga BE.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike- marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

Delegacioni i Kosovës, në atë kohë kryesohej nga Hashim Thaçi që ishte përfaqësues i UÇK-së, Ibrahim Rugova i LDK-së e Rexhep Qosja i LBD-së. Delegacioni përbëhej prej katërmbëdhjetë vetash duke qenë të përfaqësuar nga tri grupime: Lidhja Demokratike e Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, ndjekur nga kryeministri Bujar Bukoshi që jetonte në mërgim dhe tre funksionarë të tjerë të LDK-së. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dërgoi pesë përfaqësues me në krye Hashim Thaçi dhe katër pjesëtarë të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike.

Përfaqësuesi kryesor politik i UÇK-së, Adem Demaçi, i njohur si Nelson Mandela shqiptar, për shkak se plot 28 vjet burg i kaloi në burgjet jugosllave, bojkotoi Konferencën. Delegacionin e përbënin edhe publicistët Veton Surroi dhe Blerim Shala, trasnmeton kp.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrook nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë./ KultPlus.com