88 vjet nga lindja e simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi është ndarë nga jeta më 26 korrik të vitit 2018, ndërsa sot është përvjetori i lindjes së tij, shkruan KultPlus.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi, u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ai ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta./ KultPlus.com

Kurti: Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend

Gjatë ditës së sotme, Adem Demaçi edhe një herë tjetër u “rikthye” në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në qytetin e tij të lindjes, u zbulua shtatorja e Demaçit, ku morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Kurti tha se Demaçi ishte njeriu i popullit, me një personalitet unik.

“Sot jemi mbledhur për një homazh më shumë e për një imazh më të ngurtë të njeriut tonë të madh politik, Adem Demaçit, shkrimtarit, Adem Demës, njeriut të popullit, bacës Adem. Personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët dhe në shqipen tonë të dashur”, kështu e nis fjalën e tij, Kurti, në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Adem Demaçit, në Podujevë.

Më tej, i pari i ekzekutivitetit tha se për ne, si ndjekës të përpjekjeve të tij, do të jetë gjithnjë e vështirë të përkufizojmë personalitete të kësaj përmase, por na duhet t’i përkufizojmë në gjuhë e në gur, sepse këta janë dy binarët ku mbështetet treni ynë i historisë.

“Heroi mund të jetë i vetëm në jetë, por nuk është kurrë jetim në histori. Me këtë intuitë që përbashkon poetin dhe luftëtarin, vullneti i Adem Demaçit e mban lehtë një të tretën e jetës në burg”, tha kryeministri dhe shtoi se Adem Demaçi e ngre lirinë e vet mbi gjerësinë e trojeve, mbi gjeografinë e vullnetit.

“Gëzuar të gjithëve e secilit 28 Nëntori i Flamurit dhe i Pavarësisë! Përgëzime për këtë përmendore për të përvuajturin tonë më të fortë, për përvojën më të madhe të dashurisë për liri”, tha kryeministrit në fund të fjalës së tij.

Në fund të ceremonisë u bë edhe zbulimi i shtatores së veprimtarit Adem Demaçi. /KultPlus.com

Shtatorja e Adem Demaçit shumë shpejt do të vendoset në sheshin e Podujevës

Këtë vit është bërë e ditur se në Podujevë do të vendoset një shtatore e Adem Demaçit, pikërisht në vendin që ky i fundit edhe lindi, shkruan KultPlus.

Skulptori Agron Blakçori pothuajse ka përfunduar punën e tij të re, e cila ka të bëjë me një nga figurat kryesore të historisë së Kosovës, Adem Demaçin.

Demaçi, si person që gjithë jetën ia kushtoi historisë së Kosovës, do të nderohet nga Komuna e Podujevës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

Siç është paralajmëruar, shtatorja së shpejti do të jetë gati, ndërsa ajo do të vendoset diku në sheshin e Podujevës. /KultPlus.com

‘Në paçi urdhër me vra, më vrani mua të parin’, deklarata historike e Demaçit para forcave serbe

Historiani Shkëlzen Gashi, i cili kohë më parë ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, e ka sqaruar fotografinë historike të Demaçit ku ai shihet para policëve serbë në vitin 1992 në Prishtinë.

Gashi e ka treguar ngjarjen e asaj dite dhe asaj proteste përmes një statusi vitin e kaluar.

Nw ditëlindjen e 87-të të Adem Demaçit, KultPlus ua risjell postimin e Gashit:

Kjo fotografi është shkrepur përballë Hotelit Grand në Prishtinë në vitin 1992 nga fotografi Hazir Reka dhe për herë të parë është botuar në librin tim ‘Adem Demaçi – biografi e paautorizuar’ (2010).  Ngjarja është paraqitur në libër si vijon:

Qysh më 1990 regjimi sërb i kishte përzënë studentët shqiptarë nga objektet universitare. Më 1991 ata kishin organizuar disa protesta dhe greva për lirimin e këtyre objekteve, por ato qenë shuar dhunshëm nga policia sërbe.

Në fillim të janarit 1992, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, u kishte drejtuar letër autoriteteve jugosllave dhe liderëve botërorë lidhur me mbylljen e universitetit, për ç’arsye qe burgosë nga regjimi sërb për 60 ditë. Po në janar 1992, Ministria e Arsimit e Kosovës pati vendosë që mësimi të mbahej nëpër shpi private. Një protestë masive qe organizuar në Prishtinë në tetor të këtij viti për lirimin e hapësirave të universitetit, e cila po ashtu qe shuar me dhunë nga policia sërbe.

Demaçi merr pjesë në këtë protestë të studentëve. Policia ua zë rrugën protestuesve dhe i urdhëron të shpërndahen; përndryshe ka autorizimin t’i vrasë. Demaçi bën disa hapa para duke u shkëputë nga radha e parë e protestuesve. «Në paçi urdhër me vra, më vrani mua të parin», u bërtet Demaçi policëve ndërsa vazhdon të ecë. Policia e hap rrugën dhe protestuesit çajnë përpara në drejtim të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, kërkesat e protestuesve shpërfillen krejtësisht. / KultPlus.com

Foto: Hazir Reka

Poezia e Xhemajl Mustafës për Adem Demaçin

Në vitin 1972, Xhemajl Mustafa kishte shkruar një poezi për figurën e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin.

Sot, KultPlus e sjell këtë poezi në 87-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit.

MES GRILASH – FENIKS

Akrostik
Agimin e zi po e ngjyros me lotë kujtimi
Derisa këngën po e thyej nëpër fytyrën tënde
E në heshtje po tretem e fikem si jetimi
Me ndezë dëshirat e fjetura si krande
Dhe prore po zbres në sytë e rrugëve kah ti
E ëmbël është vdekja në qëllim –
Me e puthë atë dritë në horizonte që rri
Akoma i etur jam në këtë varg, i humbur në trishtim
Qetësi e natës kridhet në grila e mbërthyer
I lodhur një zog diku me krahë të thyer
Tash këngës ia thotë me afsh në gji –
I amshuar balsam në varg qëndron
Këngë ngadhënjimi lyrë e poetit shënon
Rrugët ndrit qëllimi në këtë natë plot vetmi.

(Jeta e re, nr.2/1972, f.332)./ KultPlus.com

Busti i Adem Demaçit do të ndërtohet në qendër të Podujevës

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka njoftuar se vitin e ardhshëm do ta bëjnë ndërtimin e bustit të Adem Demaçit në qendër të qytetit në Podujevë.

Bulliqi lajmin e bëri të ditur në manifestimin letrar të organizuar nga shoqata “Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës”, dega në Podujevë e mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport për nder të ikonës dhe veprimtarit të madh kombëtar, Adem Demaçi.

“Me vendosjen e bustit të Adem Demaçit në Podujevë ne nderojmë veprimtarinë dhe sakrificën e tij, si dhe lartësojmë historinë e lavdishme të Kosovës drejt lirisë e pavarësisë”.

“Baca Adem është shembulli më i mirë i atdhedashurisë e sakrificës për popullin e tij, ai do të mbetet gjithmonë frymëzim për brezat e ri se si luftohet dhe sakrifikohet për atdheun.”

“Baca Adem përveçse veprimtar i paepur i çështjes kombëtare, ishte edhe gazetar, poet e letrar me stil të veçantë të të shkruarit. Ai ishte krejtësisht origjinal e autentik në mendimet e qëndrimet e tij.”, ka shkruar ai. /KultPlus.com

Mehaj: Demaçi, UÇK-ja, Kosova, liria dhe Shqipëria, do të mbeten përjetësisht të pandarë nga njëri-tjetri

Sot janë bërë 24 vjet, prej kur Adem Demaçi, mori detyrën e përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se përpjekjet e tij jetësore për liri, drejtësi e barazi, për të cilat vuajti tri dekada në burgjet e regjimit të pushtuesit, tani do të realizoheshin përmes luftës së armatosur çlirimtare.

“Ai shte prijësi ynë më i denjë, më i drejti, idealisti i pakompromis, më i guximshmi e më largpamësi ndër ne, i panënshtrueshëm, lirinë e deshi më shumë se çdo gjë tjetër:” Kam ecur lirshëm, sepse kam dashur të jem i lirë, unë nuk mund ta pranoja që të jetoja si një mi në një vrimë, për sa kohë që unë jetoj dua të jetoj si një luan. Kur më duhet të vdes, do të vdes”, ky ishte baca Adem. Në rrugën tonë drejt të ardhmes, në ndërtimin e Republikës, në forcimin e ushtrisë sonë, nuk kemi se si të ecim nëse bacën Adem nuk e kemi me vete. Sllogani “Rroftë Shqipëria, nëna jonë” i shkruar në secilin qytet të Kosovës më 12 prill 1964, është destinacioni që synonte baca Adem. Ai, UÇK-ja, Kosova, liria dhe Shqipëria, do të mbeten përjetësisht të pandarë nga njëri-tjetri”, thuhet në postimin e Mehaj.

Adem Demaçi njihet ndryshe edhe si Mandela i Kosovës, i cili kishte gjithnjë synim kombin e atdheun përpara gjithçkaje tjetër në jetë. /KultPlus.com

Poezia emocionuese e Çun Lajçit për Adem Demaçin

Aktori i mirënjohur shqiptar, Çun Lajçi i ka dedikuar një poezi emocionuese veprimtarit Adem Demaçi.

U PRE E MUGULLOI N’THIKA
(Adem Demaçit)

E shtrydhi zemrën e rininë e lagu
Me gjakun e atdheut
Në tri thika u pre e mugulloi sërishë
U kafshue nga gjarpërinjtë e gjaku iu helmue
E prap mugulloi e prap u pre në thikën e Atdheut
Ai ishte plak
Në bulzën e re e pip i ri në trungun plak
Kurrë s’e shijoj e aç afër e pati
Kosovën e rrudhur n’lëkurën e tij
Shqipërinë e donte nga larg e burgun nga afër
Ne frigoheshim nga mendimi e liria e tij
Prononcoheshim e
distancoheshim
Përqafoheshim me robërinë,
Lëkurën shpetonim
Ai zihej për neve n’kalvarin e t’merrit
E prap gjarpërijtë e gjakut e kafshonin
Goli Otok ishte parajsa në këmbim të Lirisë
Ai u shtrydh gjithë jetën nga skjau
U pre dhe mugulloj n’thika
E gjithë jetën rrjedhi Shqipëri.

26.01.2016 / KultPlus.com

‘E ëmbël është vdekja në qëllim’

Në vitin 1972, Xhemajl Mustafa kishte shkruar një poezi për figurën e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin.

Sot, KultPlus e sjell këtë poezi në 4 vjetorin e vdekjes së Adem Demaçit.

MES GRILASH – FENIKS

Akrostik
Agimin e zi po e ngjyros me lotë kujtimi
Derisa këngën po e thyej nëpër fytyrën tënde
E në heshtje po tretem e fikem si jetimi
Me ndezë dëshirat e fjetura si krande
Dhe prore po zbres në sytë e rrugëve kah ti
E ëmbël është vdekja në qëllim –
Me e puthë atë dritë në horizonte që rri
Akoma i etur jam në këtë varg, i humbur në trishtim
Qetësi e natës kridhet në grila e mbërthyer
I lodhur një zog diku me krahë të thyer
Tash këngës ia thotë me afsh në gji –
I amshuar balsam në varg qëndron
Këngë ngadhënjimi lyrë e poetit shënon
Rrugët ndrit qëllimi në këtë natë plot vetmi.

(Jeta e re, nr.2/1972, f.332)./ KultPlus.com

Adem Demaçi: Profesor Zekeria Rexha guxoi të na i hapte sytë…

Nga Adem Demaçi

Në klasën e shtatë na u shtuan edhe disa lëndë të reja: latinishtja e psikologjia. Këto lëndë bashkë me frëngjishten na i jepte Zekeria Rexha. Ky ishte një burrë shtatmesëm, zeshkan, me syze prapa të cilave qëndronin sytë e mëdhenj e të zi. Ky ishte fort i përkushtuar që të na pajiste me dije. Para lufte kishte pas qenë nxënës i Liceut francez të Korçës dhe kishte pas studiuar në Francë. Kishte marrë pjesë në luftën antifashiste dhe pas luftës, për disa kohë, kishte qenë në post të lartë, mirëpo serbët e kishin pas shkarkuar nga detyra dhe i kishte ardhur radha që të na bëhej profesor. Djali i tij, Dukagjini, ishte në klasë me ne, por ai kurrë nuk pranonte që të fliste çfarëdoqoftë për babain e vet. Ne kishim dëgjuar nga fjalët në qytet se ai ishte shkarkuar për shkak se kishte kundërshtuar turqizimin me zor të shqiptarëve. Ishte tejmase tolerant me ne. Më në fund, ne, përsëri e gjetëm Kolën tonë të humbur, thoshim ne nxënësit e pakët që kishim kaluar nëpër duart e Kolë Nikajt. Ne e lusnim që të na i përsëriste leksionet e kaluara nga psikologjia dhe ai e bënte këtë pa përtesë. Ne filluam ta pyesnim edhe për shumë çështje jashtë programit mësimor dhe ai e bënte këtë me kënaqësi të madhe. Ne, me pyetjet tona, filluam të hynim edhe “lakrave”. Dhe ai, nuk hezitonte të hynte “lakrave” bashkë me ne. Ne e patëm pyetur për “Rezolutën e Bujanit” dhe ai na pati folur për atë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, një muaj rresht, duke marrë nga pesëmbëdhjetë minutat e para të orëve që mbante çdo ditë me ne. Ai kishte pas qenë edhe njëri nga hartuesit e kësaj rezolute. Ai na e citonte pothuaj në tërësi “Rezolutën e Bujanit” të nxjerrë nga Këshilli Nacional-Çlirimtar i Luftës Antifashiste të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Pasi pati përfunduar këto leksione, profesori ynë, pati nxjerrë shaminë dhe pati fshirë djersët. Vetëm shpirti i tij e dinte se si ndihej. Tani, ne nuk ishim krejt të vegjël që të mos dinim se nga sa po shkonte fasulja në Serbi. Të gjithë ishim mbi shtatëmbëdhjetë vjeç. Mirëpo, kureshtja jonë për të mësuar të vërtetën tonë ishte aq e madhe saqë nuk përmbaheshim dot. Edhe një çështje na kishte mbetur e pasqaruar. Të gjithë e dinim se pyetja ishte fort, fort e rrezikshme, mirëpo ne nuk kishim kë të pyesnim tjetër. Ajo pyetje na shqetësonte pamasë dhe nuk u duruam dot.

Një ditë, gjatë shëtitjes së gjatë mes orëve, më futën në mes Shefqet Popova, Ali Buçinca, Feti Badivuku, të gjithë nga Vushtrria dhe Avdi Sinani e Enver Tali. Shefqeti e hapi i pari muhabetin:

-Shiko Filan! Ty profesori të do më së shumti në klasën tonë…

-Edhe? – thashë unë.

-Edhe,-vazhdoi Shefqeti,- ne, shokët e klasës, e kemi një lutje për ty…

–Po, ta pyes profesorin, çka?

–Dëgjo,-ndërhyri Enveri-kjo është pyetje fort e vështirë dhe mund ta ngushtojmë fort profesorin

– Dëgjo Filan, – ndërhyri Avdiu. – Ta pyesësh profesorin se ku qëndron shkaku që ne kosovarët mbetëm në robëri? Vetëm kaq…

Unë u ndala dhe po i shikoja të gjithë me radhë. Më në fund thashë: -More, po ju a po doni që profesorin ta fusim në burg e ndoshta të bëhemi shkaktar që ai ta humbë edhe kokën?!…

Heshtje. Pas pak, foli Aliu: -Dëgjo! Profesori edhe me kaq sa na ka folur e ka fituar burgun e ndoshta edhe ta humbë kokën. Kur i pata treguar unë në shtëpi vllaut tim, Isakut, se çfarë po na thoshte ne profesori, ai lëkundej prej vendit dhe kapte kokën me duar. Më pati thënë: “Hej, more, juve djalli ju marrtë! Do ta merrni në qafë profesorin”!…

–Mirë po thotë Aliu! Ne, në qafë e morëm se e morëm dhe le të shkojë me një harxh!… Të paktën do ta marrim vesh të vërtetën e plotë. A s’është kështu?- na i hapi sytë prapa syzeve, Feti Badivuku.

-Ashtu është!- thanë të gjithë njëzëri dhe ndër ta vazhdoi Shefqeti:

-Paj, Filan, ty të intereson edhe më shumë se neve e vërteta e plotë…

Rrudha krahët. Ia qëlluan. Po i shikoja të gjithë me radhë dhe ula kokën. Ata buzëqeshnin dhe ia bënin njëri tjetrit me sy. N’ata ra zilja e shkollës për të hyrë brenda në klasa…

Ishte ora e frëngjishtes. Hyri profesori Zekeria dhe pyeti:

-Ku kemi mbetur?

Ata të pestët e oborrit m’i hapën sytë si në mënyrë kërcënuese. Unë

hezitoja. Enveri foli:

-Filani e ka një pyetje për juve, profesor…

– Mos e keni Filanin mësit, ju? – tha profesori duke mos i dhënë rëndësi kësaj pune dhe m’u drejtua mua: -Fol, Filan!

Unë u ngrita në këmbë dhe me zë që dridhej thashë:

– I dashur profesor, kush ka faj që Kosova, përkundër “Rezolutës së Bujanit”, mbeti nën Serbi?…

Profesori, për një çast u pre, pastaj i shkoi një qehre e zbehtë, por menjëherë pas kësaj, mori veten dhe fytyra iu skuq. Ai, me duar që ende i dridheshin, nxori pakon e cigareve, nxori shkrepsën, ndezi cigaren, iu afrua dritares, hapi njërin krah të saj dhe qëndroi ashtu me fytyrë kah rruga. Ai thithte tymin në qetësi të plotë. Ne u bëmë vetëm sy e veshë. Kur e kreu cigaren, profesori fiku duçin duke e shtypur mbi teneqen e jashtme të dritares dhe hodhi duçin në oborrin e shkollës kah rruga. Pastaj, iu afrua ngadalë djalit të vet në bankën e parë, pranë meje dhe i tha:

-Dukagjin, ti merr çantën dhe shko në shtëpi!- Pastaj ai, ua bëri me gisht dy anëtarëve të komitetit të rinisë të gjimnazit, Nazmi Kajtazit e Nazmi Junikut, duke u thënë butësisht:-Ju të dy, përcilleni Dukagjinin deri në shtëpi!

Ata të tre u larguan dhe profesori na u drejtua me zë shumë të sigurt:- Jeni shumë të ri, por edhe ne, në kohën tonë kemi qenë shumë të ri kur jemi marrë me punë shumë serioze, si ju sot. Janë kohëra fort të rrezikshme e fort të vështira, por më duhet t’ua them të vërtetën e kulluar, pa le të dalë, ku të dalë!… Fajin e kemi ne komunistët shqiptarë që komunistëve jugosllavë u besuam qorrazi. Fajin e kemi ne që kërkuam ndihmën e tyre. Fajin e kemi ne që fare i besuam idesë komuniste, e cila s’kishte pas qenë gjë tjetër përveçse një gënjeshtër e madhe me bisht të përgjakur. Krejt ato që ndodhën dhe që po ndodhin pas mbarimit të luftës e provuan dhe po e provojnë një të vërtetë të këtillë. Krimet që u bënë deri më sot dhe që po bëhen sot ndaj shqiptarëve në Goli Otok e në burgjet tjera, vrasja nën tortura çnjerëzore e Omer Çerkezit me shokë flet mjaft qartë se komunizmi kishte pas qenë një përrallë për fëmijët e vegjël…

Profesori u ndal për një çast, Na shikoi të gjithëve, një nga një e pyeti me zë të lartë:

-A dëgjuat? –

Ne të gjithë u përgjigjëm me një “po” të gjatë.

-Atëherë, – foli profesori duke na e luajtur gishtin,- prej këtij momenti e tutje, nëse ju pyet dikush, ju do të thoni se nuk keni dëgjuar asgjë!…

Të gjithë ne, prapë, u përgjigjëm me një “asgjë”.

Ora vazhdoi me frëngjishte, por në kokat tona u thadrua thellë e vërteta e hidhur për komunizmin dhe na u ndriçua fort dashuria për kombin tonë. / KultPlus.com

“Katrori magjik”, poezia që Ali Podrimja ia kushtoi Adem Demaçit

Poezi nga Ali Podrimja

Katrori magjik
(Adem Demaçit)

Tani gjendesh
brenda katrorit magjik
dhe kërkon Kosovën në hartën e vezullimeve
Jugu e Lindja Veriu e Perëndimi
katër kapakë të mbyllur
të një ëndrre
Tej grilave përcjell fluturimin e dallëndysheve se besimi
drejtpeshimi i lirisë
Ciatje gjarpërinjsh rreth gishtit të ngritur nga Zoti
Dhe pika e gjakut vizaton Diellin
Katrori magjik
është fatal
po qe se bie brenda tij
Në cilën anë do të zgjohet Kosova. / KultPlus.com

“Burgu Politik” shfaqje në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit

Shfaqje teatrore në kujtim të shkrimtarit e politikanit, Adem Demaçi dhe filozofit e aktivistit, Ukshin Hoti, përkatësisht përndjekjes politike të tyre si rrjedhojë e jetës dhe veprës intelektuale.

Me regji të Kaltrim Balaj dhe Kushtrim Mehmeti, parapremiera e kësaj shfaqje do të jetë më 17 korrik, për të ndjekur më pas premierën më 18 korrik dhe repriza një ditë më pas.

Shfaqja “Burgu Politik – Në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit” u zhvillua nga regjisorët, Kushtrim Mehmeti dhe Kaltërim Balaj, dramaturgët Pashtrik Brahaj dhe Florent Kurtalani, ndërsa luajnë aktorët/et, Fitore Jashari, Mikel Markaj, Shaban Behramaj, Art Pasha, Blendon Ahmeti dhe Lorent Pacolli, muzika e kompozuar nga Lulzim Lushtaku, ndriçimi, Skender Latifi.

Shfaqja teatrore “Burgu Politik – Në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit” u mundësua nga organizata ETEA me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /KultPlus.com

Simbol i frymëzimit e rezistencës kombëtare, 32 vite më parë u lirua nga burgu Adem Demaçi

Sot bëhen 32 vjet që kur Adem Demaçi, simbol i frymëzimit, qëndresës dhe rezistencës kombëtare, u lirua nga burgu.

Ai në atë kohë është pritur në mënyrë madhështore nga mijëra qytetarë, derisa është arrestuar dhe dënuar tri herë, duke vuajtur kështu 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.

Më 21 prill 1990, Adem Demaçi me shumë shokë nga burgjet e Kroacisë u liruan.

Në intervistën e parë një ditë a dy pas lirimit nga burgu, që ai e dha për televizionin slloven, pa shprehur kurrëfarë urrejtje ose mllef hakmarrës, Demaçi u mundua të hapte rrugë e shtigje për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme dhe të favorshme për të gjithë ata që jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra ishin për liri dhe barazi në hapësirat e Ballkanit.

Të gjithë gazetarëve me të cilët pati rastin të takohej, Adem Demaçi u pati thënë se z. Millosheviq, me politikën e vet punon për shpartallimin e Jugosllavisë. Jugosllavinë tashmë e kishin përfshirë ethet e dekompozimit.

Demaçi mundohej që ky dekompozim të bëhej dalëngadalë, në mënyrë paqësore dhe pa gjakderdhje. Nga perspektiva dhe rrethanat e asaj kohe kjo dukej e mundshme.

Në një takim në Ljubjanë, para një auditori të madh, Demaçi, nuk nguroi që të shprehej kundër variantit me luftë për zgjidhjen e mosmarrëveshjve me Serbinë.

Gjatë vitit 1975, kur u burgos Demaçi, në Kosovë, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Vojvodinë, ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, u bënë shumë burgosje arbitrare dhe u montuan shumë procese gjyqësore kundër njerëzve të cilët policia sekrete serbe i konsideronte të rrezikshëm dhe bartës të forcave disintegruese të Jugosllavisë.

Me këtë qëllim, me 6 tetor 1975, Adem Demaçi u burgos në Prishtinë për të tretën herë.

Në procesin e kurdisur, pas hetimeve mizore, u dënuan, me dëshmitarë të rremë dhe në mënyrë të pamëshirshme, Adem Demaçi, Rexhep Mala (i ndjeri), Skënder Kastrati dhe 16 vetë të tjerë. Dënimet u prenë prej 15 deri në 5 vjet.

Adem Demaçi nuk hoqi dorë nga ideja e tij se shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lirë dhe të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe shqiptimin e dënimit ndaj tij prej 15 vjetësh ai e priti me buzëqeshje.

Tani ai e kishte krejtësisht të qartë se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e shpartallimit të vet të sigurt.

Në mars të vitit 1990, në kazamatin famëkeq të Stara Gradishkës, ku qendronin Adem Demaçi dhe tridhjetë shqiptarë të tjerë, për herë të parë autoritetet policore lejuan të hynin brenda nëpunësit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Ndryshe, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.

Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). /KultPlus.com

‘Edhe pak orë kanë mbetur’, telefonata rrënqethëse e Albright me Demaçin më 1999

Në vitin 1999 gjatë negociatave të delegacionit kosovar në Rambuje, Ish-Sekretarja e SHBA-së Madeleine Albright kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Adem Demaçin.

Në disa nga detajet që janë shkëputur nga libri i Albright “Madam Secretary: a memoir”, ndër të tjera thuhet se po në atë kohë Albright i kishte telefonuar Adem Demaçit, i cili ishte udhëheqës i zyrës së UÇK-së në Prishtinë, që ta nxiste Hashim Thaçin, për ta mbështetur qëndrimin e SHBA-së, pasi që Thaçi ishte udhëheqës i delegacionit kosovar për bisedime.

“Gjatë gjithë pasdites vrava mendjen si ta bindja Thaçin. Kisha marrë në telefon të gjithë ata që mendoja se mund të ndikonin mbi udhëheqësin e UÇK-së, ndaj më në fund vendosa ta provoja edhe Adem Demaçin. Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar, njëri prej atyre që i bënin presion Thaçit ta ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm. I telefonova në Slloveni ku ndodhej dhe i kërkova ta nxiste Thaçin që ta mbështeste qëndrimin tonë”.

Demaçi u përgjigj se nuk mund të pajtohej me gjithçka dhe se donte të takohej personalisht me Albright, derisa i kërkoi që të vinte në Slloveni.

“Më sugjeroi që të shkoja në Slloveni dhe të bisedoja me të. I thashë: “Ka dy javë që palët po bisedojnë. Edhe fare pak orë kanë mbetur që të skadojë afati i fundit.”

“Mund të takohem me ju në të ardhmen, por tani ju duhet t’i jepni Thaçit miratimin tuaj. Në rast se nuk e bëni këtë, dështimi do t’ju ndjekë si hije gjatë gjithë kohës që shqiptarët e thjeshtë do të vriten”.

Demaçi tha: “Ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Nëse është e nevojshme të vdesin edhe tridhjetë mijë shqiptarë, le të vdesin, por ne nuk do t’i dorëzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë.

Iu përgjigja: “Propozimi im nuk do të thotë që ju të hiqni dorë nga ëndrra juaj. Mos e lini t’ju ikë nga dora ky shans për paqe. I thoni Thaçit se e mbështetni atë”.

Demaçi ma priti: “Është e pamundshme”.

Në fund të bisedës, Albright tregon se e kishte mbyllur telefonin me një ndjenjë pështirosjeje, derisa tregon se kjo ishte biseda më rrëqethëse që e kishte pasur në jetën e saj.

“E mbylla telefonin me një ndjenjë pështirosjeje. Kjo bisedë telefonike kishte qenë për mua një nga bisedat më rrëqethëse që kisha pasur ndonjëherë në jetën time. Pavarësisht nga Demaçi, presioni ynë më në fund pati sukses”.

Albright ka vizituar tri herë Kosovën, më 1999 sa ishte ende Sekretare, si dhe më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës./ KultPlus.com

Kur Demaçi i takoi fëmijët e tij: I shikoja në një mënyrë të ftohtë dhe nuk isha baba normal

Përparim Kryeziu

Në vitin 1974, pak kohë para se të dalë nga burgu, Demaçi kërkon që në vizitë t’i vijnë edhe fëmijët.

Ata vijnë të shoqëruar nga halla, Ajshja. Për herë të parë në jetën e të dyve, takohen e flasin babë e bir, Adem e Shqiptar Demaçi. Shqiptari është 9 vjeçar.

Po për herë të parë ndërrojnë fjalë me njëri-tjetrin Adem dhe Abetare Demaci, vajza e tij tashmë 10 vjeçare, të cilën Demaçi e kishte lënë shtatëmuajshe.

“I shikoja në një mënyrë të ftohtë dhe nuk isha baba normal. Nata e fundit, e burgut të dytë ishte pafundësisht e gjatë, pikë gjumi nuk shtina në sy. Pas dhjetë vjetësh në burg, kisha ndjesinë sikur kisha ndejtë dhjetë vjet në frigorifer”.

Marrë nga libri, “Adem Demaçi biografi e pa autorizuar”, Shkëlzen Gashi. /KultPlus.com

“Gjysmën e natës e kalova me këngën “Dal-ngadalë po vjen behari”

Fragment nga “Dashuria kuantike e filanit” e Adem Demaçit

Gjysmën e natës e kalova me ecejake, por jo tash duke kënduar këngën e mjerë “Moj hapsane”, por këngën “Dal- ngadalë po vjen behari”… Kur lodhesha sa nuk më mbanin dot këmbët, shtrihesha mbi dërrasat e trapazanit dhe bëja gjumë derisa më zgjonin dridhmat e pakontrolluara të zemrës e të trupit nga të ftohtët… Natën e kalova, copa-copa, një rend ecejake, një rend kllapa mbi trapazan, një rend dridhma të shfrenuara nga të ftohtët. Kështu, deri në mëngjes…  / KultPlus.com

Djali i Adem Demaçit, Shqiptari: Ja si e mora këtë emër me simbolikë të veçantë

Nuk e kishte fatin të lindte si shumica e fëmijëve të tjerë. Kur u lind e ndjeu vetëm përqafimin e ngrohtë të nënës së tij, por jo edhe të babait. Ani pse e kishte gjallë, mungonte prezenca e tij. Kjo për shkak që ishte në burg dhe ishte burgosur nga serbët për vendosjen e 99 flamujve shqiptarë nëpër rrugët kryesore të qyteteve të Kosovës.

Ishte pikërisht viti 1965 kur Adem Demaçi u bë baba i një djali. Lajmin arriti ta marrë vetëm prapa grilave.

Por, pavarësisht kësaj ai edhe pse ishte në burg gruas së tij ia kishte lënë një porosi.

Kishte vendosur që emri i fëmijës së tij të jetë i veçantë nga të tjerët. Krejt kjo për t’u lidhur me barazinë kombëtare, pasi që një gjë e tillë në atë kohë mungonte.

Djalë apo vajzë, ai do të lindte me emrin Shqiptar ose Shqiptare. Dhe, këtë tashmë Adem Demaçi e kishte ngulitur në kokë.

Pikërisht sot për festën e shqiptarëve, Festën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit në një rrëfim të veçantë djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi tregon gjithë ngjarjen e emrit të tij.

Thotë se emri i tij është gjakim për barazi kombëtare.

“Babai, atë kohë(viti 1965)  në vuajtje të dënimit me burg politik, e ka porositur nënën që ‘nëse len djalë t’i lihet emri ‘Shqiptar’, e nëse len vajzë : emrin ‘Shqiptare’. Emri ishte synim, gjakim për barazi  kombëtare , që në atë kohë qe tejet e mangët, sepse qe kohë që shqiptarët e Kosovës shpërnguleshin me dhunë në Turqi dhe diskriminoheshin kombëtarisht”, është shprehur Demaçi për FrontOnline.

Demaçi tregon se cili ishte pseudonimi i tij dhe kush ishin personat që nuk e thërrisnin në emër

Ani pse e ka emrin Shqiptar, jo të gjithë e thërrisnin kështu.

Shqiptar Demaçi, kishte pseudonime të ndryshme.

Familjarët dhe disa të afërm e thërrisnin në emra të tjerë, e disa të afërm të tjerë edhe më ndryshe.

Kishte gjithsej pesë pseudonime.

Demaçi tregon edhe emrat e tij të tjerë me të cilët njihej.

“Si fëmijë familja e të afërmit me thirrnin shkurt ‘Shipi’ , më vonë ‘Shqipi’, dikush ‘Shqype’, ca të afërm ‘Type’ , ca shokë ‘Demaç’ etj”, shprehet ai, derisa thotë se me kalimin e kohës është mësuar me emrin e tij dhe se më nuk i ka ardhur çudi.

Shqiptar Demaçi, djali i Adem Demaçit ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar që ta ndërrojë emrin, ani pse emri i tij kishte një simbolikë të veçantë.

Teksa e shpjegon domethënien e emrit të tij, Demaçi deklaron se emri është shenjë dhe nuk bën të ndërrohet.

“Natyrisht që jo. Është një fjalë latine: “Nomen est omen” (Emri yt është shenjë, fatum, se çdo të jeshë)”, ka thënë ai.

I, pyetur se me cilat vështirësi është përballur gjatë kohës së okupimit serb kur bëhet fjalë për nxjerrjen e dokumenteve dhe mohimin e të drejtave të tjera Demaçi, pa dashur të jep detaje thotë se ajo kohë ka qenë e vështirë për të gjithë shqiptarët.

“Ajo kohë qe kohë e rëndë për popullatën në krejt ish Jugosllavinë e veçanërisht për boshnjakët e shqiptarët e Kosovës. Por, regjimi okupues serb nuk ka pas kohë me u marrë me detaje”, është shprehur Demaçi.

Por, tregon se çfarë kishte ndodhur kur nëna e tij kishte shkuar për ta regjistruar në zyrën e gjendjes civile.

“Natyrisht që e patën pyetur nënën se  ç’është ky emër kështu dhe emrin tim atëherë e patën regjistruar me germa cirilike( e kam certifikatën origjinale)”, ka thënë ai.

Shqiptar Demaçi, është djali i veprimtarit Adem Demaçi, ndërsa me profesion është kirurg torakal.

Përndryshe, prindi i tij, Adem Demaçi, ka vdekur në vitin 2018 dhe është simbol i rezistencës kombëtare. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta. / KultPlus.com

Poezia e Xhemajl Mustafës për Adem Demaçin

Në vitin 1972, Xhemajl Mustafa kishte shkruar një poezi për figurën e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin.

Sot, KultPlus e sjell këtë poezi në 21 vjetorin e vdekjes së Xhemail Mustafës.

Një gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, Mustafa u vra mizorisht në Prishtinë në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan. / KultPlus.com

Tri vjet nga vdekja e Adem Demaçit

Kanë kaluar tri vjet që kur u nda nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare.

I njohur si Mandela i Kosovës, Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik.

Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990-1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007), raporton KP.

Në kujtim të trevjetorit të vdekjes së tij, sot përurohet libri i Adem Demaçit “Burgjet e mia- fati im i madh”, në selinë e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, në orën 10:00./ KultPlus.com

Plotësohet amaneti i Adem Demaçit, veprat e tij shkojnë në organizatën ‘Vatra’

Kolana e veprave të Adem Demaçit, që ai i ka lënë vetë amanet përmes të birit, Shqiptarit, u vendosën në organizatën Vatra nga dr. Skënder Murtezani, kreu i defës në Queens, Nju Jork.

Pak para se të mbyllte sytë z.Demaçi la një amanet që e tërë krijimtaria e tij letrare, politike dhe filozofike të prehet në VATRËN shqiptare të Amerikës. Shqiptar Demaçi i biri Adem Demaçit i dorëzoi përmes mikut të tij, Doktor Skënder Myrtezanit tërë krijimtarinë e tij të çmuar, transmeton KultPlus.

Kjo është një pasuri e jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në SHBA, e cila do jetë e aksesueshme edhe për studjues, historianë e albanologë e kërkues shkencorë nga Universitetet perëndimore dhe e gjithë hapsira shqipfolëse. Kjo pasuri kulturore e letrare e bën të pavdekshëm kujtimin e veprës dhe idealeve të Adem Demaçit.

Ja lista e librave që këtu e tutje do të jenë në dispozicion jo vetëm të vatranëve:

1- FERKIME
2- Gjarpërinjtë e Gjakut
3- Libër për Vet Mohimin
4- Heli e Mimoza
5- Nëna Shegë e pesë gocat.
6- Shkrumbnajë e Dashuri
7- Dashuri Kuantike e Filanit
8- Alb Prometeu
9- Politika dhe Pushka
10- Tung vargu im. / KultPlus.com

Vdes gruaja e Adem Demaçit

Xhemajlije Hoxha- Demaçi, gruaja e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur gazetarja shqiptare në Zvicër, Hava Kurti Krasniqi, teksa ende nuk dihet shkaktari i vdekjes së saj.

Regjimi Jugosllav, përgjatë kohës sa Demaçi mbante burg, e kishte larguar nga puna gruan e tij, Havën, në Prilluzhë të Vushtrrisë ku punonte si mësuese, duke e kthyer më vonë si pastruese në të njëjtën shkollë.

Duke i ndjerë edhe vuajtjet e bashkëshortes, Demaçi i shkroi letër Xhemajlies. “I shkrova letër Xhemajlies ku kërkova të iniciojë kërkesën për shthurje të bashkëshortësisë. Xhemajlia fillimisht refuzoi prerazi. Më vonë u detyrua ta pranojë që ta sigurojë ekzistencën për vete dhe fëmijët. Menjëherë Xhemajlia u kthye në vendin e punës nga pastruese në mësuese. Unë u ndjeva shpirtërisht i lehtësuar”, kishte thënë Demaçi në librin e Fahrudin Radonqiq “10 mijë ditë në burg”.

Pas ndarjes dhe martesës me gruan e dytë, Demaçi ishte ri-bashkuar me Xhemajlien, me të cilën jetuan bashkë deri sa vdiq. /KultPlus.com

Sot është datëlindja e Adem Demaçit

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit të kaluar, ndërsa sot është përvjetori i lindjes së tij, shkruan KultPlus.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi, u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ai ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta./ KultPlus.com