Albert Kamy, babai im

E rrethuar nga qen dhe mace, e ulur në një dhomë të vogël të tejmbushur me libra dhe letra, Catherine Camus tregon për marrëdhënien me babain e saj, si zbuloi se Camus kishte një të dashur e megjithatë nuk u nda kurrë nga bashkëshortja, takimi me María Casarès dhe dyshimet për vrasjen e tij.

Vendi ku prehet Albert Camus, pranë bashkëshortes së tij Francine, ndodhet në fund të varrezës së vogël në Lourmarin. Është një masiv prej guri të ashpër, me një oleandër në qendër dhe disa mesazhe nga adhuruesit e tij, ku i fundit është shkruar nga këngëtarja Patti Smith e cila pak kohë më parë i bëri homazhe intelektualit francez.

“Na vizitoi edhe në shtëpi, ku u mbyll në studio duke shfletuar dorëshkrimin e “Njeriu i parë”. Kur doli, qante”, tregon Catherine Camus, e bija 74-vjeçare e Albert Camus. Prej 30 vitesh ajo kujdeset për veprën e të atit. E rrethuar nga qen dhe mace, e ulur në një dhomë të vogël të tejmbushur me libra dhe letra, Catherine tregon për marrëdhënien me babain e saj, si zbuloi se Camus kishte një të dashur e megjithatë nuk u nda kurrë nga bashkëshortja, takimi me María Casarès dhe dyshimet për vrasjen e tij.

Pas disa ditëve do të përkujtohet gjashtëdhjetë vjetori i vdekjes së babait tuaj. Ç’kuptim ka për ju?

Përkujtimoret më mërzisin. Deri në korrik, madje as që i mendoja. Më pas filluan telefonatat, ftesat, propozimet për intervista. Ju gazetarët i adhuroni përvjetorët. Çfarë doni t’ju them? Për mua, babai im ka vdekur çdo ditë.

Jetoni ende me këtë mendim të pandryshuar?

Duhet ta tregoj zinë? Çfarë shprehjeje qesharake. Unë jetoj me zinë çdo ditë, domosdoshmërisht.

Ju mungon shumë?

Nuk është një gjë e trishtë, madje përkundrazi, qeshim shumë së bashku. Disa ditë më parë takova një historian sartrian që dukej sikur kishte dalë nga një frigorifer i viteve ’60. Mendova, ose ndoshta ishte babai që ma solli ndër mend: shih çfarë lythi qelbëzues. Gjithsesi, nuk pres ndonjë ceremoni të madhe.

Pse?

Institucionet franceze më parë injoruan njëqind vjetorin e lindjes së babait tim. Mbaj mend që atëherë më telefonuan nga Gallimard dhe ishin të shqetësuar ngaqë po afronte data. I thashë se harxhonin kohë, se nuk do të bëhej asgjë. Dhe kisha të drejtë.

Si shpjegohet sipas jush?

Babai im nuk e dontë pushtetin, edhe sot asnjë nuk mund ta përvetësojë veprën e tij. Jam shumë krenare. Kjo tregon se edhe i vdekur, arrin t’u shkaktojë shqetësime disave.

“I huaji” është një ndër librat fracezë më të shitur në botë.

Mund ta kem gabim, por besoj se kjo i detyrohet faktit se Camus flet për lartësinë e njeriut. Nuk kishte paragjykime dhe as ideologji. Thoshte: Nëse do të mendoja se e djathta ka të drejtë, do të isha i majtë. Ishte një macronist i orëve të para.

Ju e mbështesni presidentin Macron?

Duke parë liderët e tjerë si Trump, Johnson apo Salvini, besoj se jemi me fat që kemi Macron. Është i kulturuar, ka cituar disa herë babain tim dhe ndryshe nga politikanët e tjerë, gjatë jetës ka bërë edhe gjëra të tjera.

Presidenti është shumë i kritikuar, fillimisht nga lëvizja e jelekverdhëve dhe tani nga protesta e sindikatave.

Faktikisht shtypi e ka prezantuar si president të të pasurve, ndaj mendoj se është i pashpresë. Francezët janë ziliqarë, kjo është e tmerrshme. Gjyshja ime nga babai ishte shumë e varfër dhe pastronte shtëpi. Nëse do të kishte lindur sot, me siguri që do të kishte një jetë akoma më të vështirë.

Dhjetë vite më parë, ish-presidenti Sarkozy kërkoi që t’i zhvendosje eshtrat e babait tuaj në Pantheon.

E pagoi shtrenjtë, edhe unë bashkë me të.

Në ç’kuptim?

Sarkozy është kritikuar shumë dhe unë humba shumë miq nga e majta. Nuk e duruan idenë që shkova në një drekë me Sarkozy për të biseduar.

Në fund pranuat.

Mora qindra letra nga francezë që kishin lindur të varfër, si babai im. Ata më bindën. Të kishin Albert Camus në Pantheon, për ta do të ishte një shenjë shprese. Edhe gjyshja ime do të thoshte të njëjtën gjë.

Transferimi i eshtrave në Pantheon nuk u bë sepse vëllai juaj ishte kundër?

Jean nuk donte. Duke bërë shaka më tha se “për një herë të vetme, të bëra nder”. Marrëdhëniet tona nuk janë të lehta. Ka momente që më urren dhe momente të tjera që bën paqe. Vëllai im ka vuajtur gjithmonë nga çrregullime. Pas shtatë vitesh, tani nisëm të flisnim përsëri.

Jeni binjakë. Camus ju thërriste me dashamirësi “Murtaja dhe Kolera”. Kush ishte Murtaja?

Unë isha Murtaja, Jean ishte Kolera. Për ne babai ishte “Le Rassurant”, siguruesi. E shihnim si dikë të drejtë dhe të fortë. Preferoja shuplakat e mamasë se sa qortimet e babait. Ishte e pamundur ta gënjeje atë. Na edukoi me ndjenjën e ndershmërisë, të respektit për të tjerët. Kjo më shpëtoi pas vdekjes së tij.

Si e morët vesh aksidentin?

Mamaja na dërgoi në shtëpinë e disa miqve pa na thënë asgjë. E zbuluam duke dëgjuar bisedat e të tjerëve. Na u shemb toka. Mbaj mend vetëm frikën e madhe që kisha.

E keni lexuar librin e Giovanni Catelli që ngre hipotezën se ka qenë një komplot nga KGB?

Nuk e kam lexuar. Nuk dua të bëj pyetje të tjera mbi aksidentin, mjaft e rëndë është edhe kështu. Shpjegimi më logjik është një problem mekanik me makinën Facel Vega, është një makinë që ka shkaktuar edhe aksidente të tjera. Gjithsesi ka edhe njerëz që janë të bindur se ishte një komplot i OAS (organizata klandestine ushtarake kundër pavarësisë së Algjerisë). Është folur edhe për CIA-n. Duhet thënë se në skedat e CIA-s dhe KGB-së, babai im kishte të njëjtin përkufizim: trockist. Të paktën arriti që t’i dakortësonte.

Përse pritët deri në vitin 1994 për të botuar dorëshkrimin e gjetur në makinën e Camus, “Njeriu i parë”?

U konsultova gjatë përpara se ta bëja. Në fund vendimi u përshpejtua pasi mora vesh se ekzistonin kopje pirate të tij. Nuk doja që të botohej me gabime apo modifikime.

Është një vepër që flet për familjen tuaj. Nuk u ndjetë pjesë e kësaj gjëje?

Nëse do të mendoja kështu, nuk do të publikoja korrespondencën mes Camus dhe María Casarès.

Sa e rëndësishme ishte për ju që të botoheshin letrat e tyre?

Është botuar më parë një libër mbi marrëdhënien e babait tim me Marían. M’u duk më e drejtë që të ishin direkt ata të dy që ta tregonin historinë e tyre dhe kështu ndodhi.

Kur ishit e vogël, e dinit që babai juaj kishte një të dashur?

Për mua ishte diçka normale. Kur shkoja në shtëpitë e shoqeve dhe shihja që prindërit e tyre flinin në të njëjtin shtrat, më dukej e çuditshme. Nuk e di se si më erdhi, por një ditë shkova te mamaja ime dhe e pyeta: Si është María? M’u përgjigj: Është si ty. Nuk kuptova kurrë nëse për të ishte diçka e mirë, apo e keqe. Ose ndoshta të dyja bashkë. Vite më vonë binda veten që ishte një compliment.

E keni njohur Casarès?

Pas vdekjes së mamasë sime, në vitin 1980, i lashë një pusullë në një teatër në Nice ku ajo po jepte një shfaqje. Më telefonoi më vonë duke më ftuar në hotelin ku qëndronte. Shkova në kohën e drekës dhe kemi folur për rreth pesë orë të shtrira në shtrat duke ngrënë çokollata. Jemi takuar edhe herë të tjera më vonë, ishte një grua me shumë jetë.

A e vuante mamaja juaj këtë mungesë besnikërie?

Ishte e brishtë, shpesh herë nën depresion dhe me siguri që pabesitë nuk e ndihmonin. Babai im nuk e gënjeu kurrë, i kishte thënë se ishte i paaftë t’i qëndronte martesës. Në të njëjtën kohë nuk e la kurrë për shkak të betimit të bërë. Kam nisur të punoj duke sistemuar korrespondencën e tyre dhe më duhet të them se është një lloj psikanalize. Ndoshta një ditë do t’i botoj, që të kuptohet se sa kanë vuajtur të dy, sidomos gjatë periudhës së luftës.

Cili libër i Camus ju pëlqen më shumë?

“Rënia” dhe gjithashtu, edhe pse nuk është një vepër letrare, fjalimi i mbajtur në Stockholm me rastin e çmimit Nobel, kur thotë për shembull: “Jam i pasur me dyshimet e mia”. Sot të gjithë kanë opinione të prera, përfundimtare.

Mendoni ndonjëherë se ç’do të thoshte babai juaj sot, përpara gjithë kësaj rrëmuje botërore?

Mjafton të lexohet sërish vepra e tij. Thoshte se slogani do të zëvendësonte dialogun. Dhe ja ku ndodhi. Në shumë këndvështrime, ka qenë profetik.

*Albert Camus lindi në Algjeri nga prindër francezë, teksa u rrit në një lagje të varfër. Fitues i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1957, u nda nga jeta më 4 janar 1960 pas një aksidenti automobilistik. Në romanet dhe veprat e tij filozofike ai shkroi për absurdin dhe nuk pranoi të konsiderohej si ekzistencialist. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Lexime në karantinë: Nga Albert Kamy tek Ben Blushi

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka nisur një fushatë leximi në këto kohë karantine. Leximi është një ndër prioritetet kryesore të QKLL-së e cila në platformën e saj parashikon dhe hartimin e një ligji për leximin.

Por këtë herë janë të rinjtë që i janë bashkuar kësaj nisme duke i kthyer mbasditet e tyre në karantinë në orë leximi të librave që kanë shënjuar ngjarje në historinë e letërsisë.

“Murtaja” e Kamysë, librina çon në qytetin e pushtuar nga vdekja mund të dëgjohet tashmë në faqet online të QKLL-së nën leximin e një grupi të rinjsh pasionantë të librit.

Ndër librat e përzgjedhur nga të rinjtë janë “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit dhe “Kryeministri” i Ben Blushit. Një nga romanet më të mirë të prozës bashkëkohore shqipe. Blushi ka aftësinë të bëj parashikime dhe në këtë libër autori i zhvendos ngjarjet në vitin 2021. Në romanin “Kryeministri” të Ben Blushit, populli është thellësisht i pakënaqur me qeverinë, premtimet e saj të pa mbajtura dhe ekonominë në regres.

Për të mundësuar vazhdimësinë e qëndrimit në pushtet, kryeministri vendos të “luajë” me popullin e zhgënjyer prej tij, duke inskenuar një atentat dramatik ndaj vetvetes, me shpresën e ngjalljes së empatisë në radhët e elektoratit.

Realizimi i krimit i besohet një ushtari të ushtrisë shqiptare, i cili kish shërbyer më parë në Afganistan dhe ku ish trajnuar si qitës profesionist. Ai duhet ta plagosë kryeministrin gjatë një tubimi, por në asnjë mënyre ta vrasë atë.

Personazhi i “snajperit”, i cili shërben edhe si narrator i ngjarjes, përcjell idetë e autorit mbi gjendjen aktuale politike në vend dhe se si politika mund të ndryshojë jetën e individit, ta përdorë atë pamëshirë, në dobi të qëllimeve të një grushti njerëzish.

Gjatë periudhës së shërbimit në Afganistan, snajperi bie në kontakt me disa qarqe të dyshimta, me natyrë terroriste. Komunikimi i snajperit me këto qarqe, përdoret si mjet shantazhi nga persona të afërt me kryeministrin, të cilët i kërkojnë të kryejë atentatin, në të kundërt do e akuzojnë si bashkëpunëtor i terroristeve.

Në çastin e fundit, duke e pasur figurën mitomane të kryeministrit nën shënjestër, “snajperi” ose “alter ego” e njeriut të lodhur nga kasta sunduese dhe rregullat një sistemi shtypës e të padrejtë, vendos të tërheq këmbëzën, duke e lënë kryeministrin të vrarë në vend.

Romani është i shkruar me një gjuhë të thjeshtë e mjaft të absorbueshme. Rrëfimi në vetë të parë e bën atë intrigues dhe i dhuron një vërtetësi autentike, duke e tërhequr lexuesin faqe pas faqe, në pritje të asaj që do të vijë më pas. Dialogët janë të paket dhe mbizotëron përshkrimi i gjendjes psikologjike dhe personazheve të tjerë, si një formë analize meditative e autorit. /KultPlus.com

Alber Kamy: “Ky brez nuk mund ta ribëjë botën, por ta shpëtojë atë nga zhbërja”

Çdo brez, padyshim, mendon se i takon ta ribëjë botën. Mirëpo brezi im e di se nuk do ta ribëjë dot. Sidoqoftë, detyra e tij është ndoshta më e madhe. Kjo detyrë kërkon që ky brez të shmangë që bota të ç’bëhet.

Këtij brezi, i cili trashëgoi historinë e korruptuar ku ngatërrohen revolucionet e dështuara, teknikat e çuara deri në çmenduri, zotat e vdekur dhe ideologjitë e rraskapitura, ku pushtete të dobëta kanë sot mundësi të shkatërrojnë gjithçka por që nuk dinë më të bindin, ku inteligjenca u përul deri ku u bë shërbëtore e urrejtjes dhe e shtypjes – iu desh që, si brenda ashtu edhe përreth vetes, e duke filluar vetëm me mohimet e tij, të vinte në vend sadopak nga ajo që përbën dinjitetin e jetës dhe vdekjes.

Përballë një bote të kërcënuar nga shpërbërja, ku hetuesit rrezikojnë të vendosin përgjithmonë mbretëritë e vdekjes, ky brez e di që, në një farë gare të marrë kundër kohës, duhet të vendosë në vend një paqe mes kombesh që të mos jetë ajo e nënshtrimit, të pajtojë përsëri punën dhe kulturën, dhe të bëjë me gjithë njerëzimin një arkë të re besëlidhjeje.

Nuk dihet në së ky brez do të mundë ta përmbushë këtë detyrë të pamasë, por dihet se kudo në botë ai vë tashmë bastin e tij të dyfishtë për të vërtetën dhe për lirinë, dhe se, kur ia kërkon rasti, di të vdesë pa urrejtje për të. Pikërisht ky brez meriton të përshëndetet dhe t’i jepet zemër kudo që ndodhet, dhe sidomos aty ku ai flijohet. I bindur se kam pëlqimin tuaj të thellë, dëshiroj t’ia përcjell pikërisht këtij brezi nderin që më keni bërë.

Pjesë nga fjalimi i mbajtur nga Alber Kamy (Albert Camus) në ceremoninë e dhënies së Çmimit Nobel për Letërsi në dhjetor 1957. Filozofia.al / KultPlus.com

1959 – Albert Camus Directs His Play ‘Les Possedes’. Les répétitions au théâtre Antoine de la pièce ‘Les possédés’ d’Albert Camus, mise en scène par l’auteur : attitude d’Albert CAMUS sur la scène du théâtre, un pied sur une chaise et une cigarette à la main, sous la lumière des projecteurs. (Photo by Jack Garofalo/Paris Match/Getty Images)

‘Të gjithë lexonin me radhë gazetat, sikur dëshironin të kapnin ndonjë fjalë e cila do t’i bënte të besonin se murtaja mori fund’

Prej kur Coronavirusi është shpërndarë nëpër botë, librat që trajtojnë tema të tilla si murtaja, kanë filluar të shiten me të madhe. Prej këtyre librave është edhe ‘Murtaja’ e Albert Kamysë, shkruan KultPlus.

Prandaj sot ju sjellim një fragment nga po ky libër.

”Në të gdhirë ata zhyteshin përsëri në botën e murtajës, pra, në rutinën e jetës së përditshme.

Ju do të pyesni: kujt i përngjanin këta të vetmuar, të mjerë? Përgjigjja është e thjeshtë: ata i përngjanin askujt! Ose, nëse doni të mësoni diçkamë shumë, ata i ngjanin të gjithë njerëzve, kishin një fizionomi fare të përgjithshme.

Njësoj si tërë qytetarët ata nuk e çanin për asgjë kokën dhe po njësoj si ata ndizeshin për pakogjë. Çdo ditë që shkonte i bënte ata më kritikë dhe më shumë gjakftohtë. Edhe më të mençurit prej tyre mund t’i shihje, për shembull, tek silleshin si gjithë të tjerët dhe lexonin me radhë gazetat, ose tek përgjonin me ankth radion, sikur dëshëronin të kapnin ndonjë fjalë, e cila do t’u jepte mundësinë të besonin se murtaja mori fund, ose tek pushtoheshin nga shpresat e rreme apo makthet e kota gjatë leximit të disa shkrimeve, ku gazetarët hidhnin shkel e shko hipotezat e tyre duke gogësirë me mërzi.

Kohën që u mbetej e shkonin me nga një krikëll birrë në dorë, shpesh u bënin edhe shërbim të sëmurëve, dembeloseshin apo, në të kundërt, dërrmoheshin në punë, rendisnin skeda, apo dëgjonin gramafonin, pa u dalluar fort nga shoshoqi. Me një fjalë, ata kishin humbur aftësinë për të zgjedhur.

Murtaja i kishte paralizuar mendjet e zgjuara. Kjo dukej krej qatë kur shihje se asnjëri nuk pyeste më për vlerat e veshjeve që mbain apo për ato të ushqimeve që blinin. Ata mund të pranonin fare qetë çdo gjë që u jepej… ” / KultPlus.com

Letra e Kamysë për mësuesin: Pa atë dorë të dashur që ju i ofruat një fëmije të varfër, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga gjithë këto

Albert Camus shkroi këtë letër falënderimi për mësuesin e shkollës fillore, Louis Germain, menjëherë pas marrjes së Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Një gjest i rëndësishëm ishte ai i shkrimtarit francez që tregon se si mësuesit e shkollave fillore mund të kenë një rëndësi të madhe për edukimin dhe formimin e individëve

Albert Camus

“I nderuar z. Germain,

Kam pritur të shuhet rrëmuja që më ka rrethuar këto ditë para se të vij t’ju flas me gjithë zemër. Më kanë bërë një nderim shumë të madh (dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi N.d.R.) të cilin as nuk e kërkova, as nuk e kujtova. Por, kur më erdhi lajmi, mendimi im i parë, pas mendimit për nënën time, ishte për ju. Pa juve, pa atë dorë të dashur që ju i ofruat një fëmijës së varfër, që ai isha unë, pa mësimin dhe shembullin tuaj, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga gjithë këto. Unë nuk e mbivlerësoj këtë lloj nderi, por kjo është, të paktën, një mundësi për t’ju treguar se çfarë ishit dhe vazhdoni të jeni për mua dhe për t’ju siguruar se përpjekjet e juaja, puna juaj dhe bujaria që ju keni mbjellë, janë gjithmonë të gjalla në një nga nxënësit tuaj i cili, pavarësisht prej moshës, nuk ka pushuar së qeni nxënësi juaj mirënjohës.

Ju përqafoj me gjithë forcën time./KultPlus.com

“S’ka rëndësi se sa ashpër më kundërvihet bota, ngase brenda vetes kam diç më të fortë”



Poezi nga Albert Kamy.

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara.

– Albert Camus



Sartri për Kamy-n: “Atë mund ta shmangësh ose ta luftosh”

Menjëherë pasi Albert Kamy gjeti vdekjen në aksident trafiku në vitin 1960, miku i tij i hershëm Zhan Pol Sartre ia drejtoi atij një letër emocionuese. Edhe pse kishin kohë që nuk flisnin me njëri tjetrin në këtë letër, që këtu po e sjellim shkurtimisht, Sartre shkruan për karakterin e heshtur dhe kontradiktor të Kamys.

Pjesët e shkëputura nga kjo letër mund t’i lexoni më poshtë:

“Gjashtë muaj më parë, madje edhe së fundi, njerëzit pyesnin: Çka do të bëjë ai tani? Për një kohë, ai kishte zgjedhur heshtjen, i shtyrë prej kontradiktave që duheshin respektuar. Por ai ishte prej atyre njerëzve të rrallë që edhe pritja i’a vlente. Bëhet fjalë për njerëz që i bëjnë zgjedhjet me maturi dhe që mbesin fanatik të asaj që zgjedhin. Një ditë ai edhe do të flasë, por ne nuk guxojmë ta themi se çfarë mund të jetë ajo. Ne vetëm mund të mendojmë se ai ka ndryshuar me botën, sikurse të gjithë ne; kaq na mjafton që ta ndiejmë praninë e tij. Heshtja e tij ishte njerëzore, pavarësisht se shpesh e kam konsideruar kaotike dhe të bezdisshme.

Atë mund ta shmangësh ose ta luftosh. Ai ishte i pashmangshëm në këtë tension që e bën jetën intelektuale të jetë ajo që është. Heshtja e tij e madhe këto vitet e fundit, kishte diçka pozitive: Ky ‘Dekart i Absurdit’ refuzoi të largohej nga ‘rruga e sigurtë’ e moralitetit dhe rrezikut, për disa shtigje të pasigurta të prakticitetit”./KultPlus.com

“Unë nuk besoj në Zot dhe unë nuk jam ateist”

Pjesë nga ditarët sekret të Albert Camus (Albert Camus: Tagebücher 1935-1951, Tagebücher 1951-1959)

“Vështirësitë e vetmisë janë rraskapitëse për t’u trajtuar.”

“Liria është e drejta për të mos gënjyer.”

“Është fatkeqësia ime dhe ndëshkimi im që të mos e shijoj atë që kam.”

“Përse unë jam artist e jo filozof? Sepse unë mendoj për fjalët dhe jo për idetë.”

“Kalipso ia ofron Odiseut mundësinë të zgjedhë mes pavdekësisë dhe atdheut. Ai e refuzon pavdekësinë. Aty, ndoshta, është gjithë kuptimi i Odisesë.”

“Nëse bota do të ishte e kuptueshme, nuk do të kishte Art. Nëse bota do të ishte e kuptueshme, unë nuk do të shkruaja.”

“Marksizmi është një filozofi e procesit gjyqësor, por pa jurisprudencë.”

“Në kohëra të revolucioneve vdesin më të mirët.”

“Bota absurde mund të justifikohet vetëm estetikisht.”

“Ai që nuk jep asgjë, nuk ka asgjë. Fatkeqësia nuk është të mos dashurohesh nga ndokush, por të mos dashurosh.”

“Së pari, njeriu s’e do askënd. Pastaj ai i do të gjithë në përgjithësi. Më vonë i do vetëm disa, e pastaj vetëm një.”

“Përse pi njeriu? Sepse aty gjithçka merr një kuptim. Gjithçka është e rregulluar sipas një linje më të lartë.”

“Unë nuk besoj në Zot dhe unë nuk jam ateist.”

“Ka rastësi që zgjasin gjatë tërë jetës.”

“Gjithmonë ka një filozofi për mungesën e guximit.”

“Çdo doktrinë artistike është një alibi dhe, falë artistit, kufijtë e saj justifikohen.”

“Parisi, ku dielli është një luks, ku vdekja është tmerrësisht e shtrenjtë, ku, pa një konto bankare, nuk ka asnjë pemë. Parisi, që dëshiron ta mësojë botën.”

“Zanati im është të shkruaj libra dhe të luftoj, kur liria e familjes sime dhe popullit tim kërcënohet. Asgjë tjetër.”

“Unë nuk mund të jetoj gjatë së bashku me njerëzit. Mua më nevojitet vetmia, një pjesë e përjetësisë.” Virtual Sophists / KultPlus.com

Kamy: “Liria pa kufi është e kundërta e lirisë”

“Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij.

Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve.

Dua të shtoj që ajo ekziston dhe ka një kuptim vetëm nëse limitohet nga liritë e të tjerëve. Një liri që sjell vetëm të drejta, nuk do të ishte liri, por vetëm tirani. Por, nëse sjell të drejta dhe detyrime, është një liri që ka përmbajtje dhe mund të jetohet.

Pjesa tjetër, liria pa limite nuk jetohet dhe ka si çmim vdekjen e të tjerëve. Liria me limite është e vetmja gjë që bën të bashkëjetojnë atë që e ushtrojnë dhe ata në favor të të cilëve ushtrohet.” /KultPlus.com

Albert Kamy: Revoltohem, prandaj jemi!

Albert Kamy (1913-1960), laureat i çmimit Nobel në vitin 1957, nuk arriti ta çojë deri në fund veprën e tij të cilën, pas aksidentit tragjik që ia ndërpreu papritur, siç thotë Sartri, edhe pse “të gjymtuar, lipset ta shohim si një vepër të plotë”.

Vetë Kamyja ka shpjeguar mënyrën si e kishte konceptuar tërësinë e krijimtarisë së tij : “Fillimisht doja të shprehja mohimin. Nëpërmjet tri formave. Romaneske : I huaji. Dramatike : Kaligula, Keqkuptimi. Ideologjike : Miti i Sizifit. Pozitiven e parashikoja edhe atë nëpërmjet tri formave. Romaneske : Murtaja. Dramatike : Shtetrrethimi dhe Të drejtët. Ideologjike : Njeriu i revoltuar. Dhe përfytyroja tashmë një shtresë të tretë rreth temës së dashurisë.”

Ndaj mendimi dhe krijimtaria e Kamysë janë dhe duhen parë në zhvillim të pandërprerë dhe në ripërtëritje të vazhdueshme. “E vërteta është më tepër një kërkim sesa një zotërim”, mendonte ai që, në fjalën e tij para jurisë prestigjioze të Stokholmit, u shpreh se, si shkrimtar dhe mendimtar, ndihej “i pasur vetëm për dyshimet e veta”.

Pikërisht, për thellësinë e mendimit intelektual, që shmang çdo lloj dogmatizmi, “sistemi” apo ideologjie, si dhe për pasurinë dhe larminë e talentit të tij krijues, Albert Kamyja zuri vend dhe “vazhdon të jetë i pranishëm në ndjeshmërinë dhe vetëdijen bashkëkohore”, thuhet për të në Enciklopedinë Universale, botim autoritar që vendos çdo personalitet në vendin që i takon.

Pikënisja e mendimit të Kamysë është vetëdijesimi i njeriut për absurditetin e botës ku jeton dhe jetës njerëzore në vetvete. Ai vëren një divorc të pakapërcyeshëm mes “aktorit dhe dekorit të tij”. Bota ku jeton i duket e huaj, irracionale dhe “absurdja lind nga ballafaqimi midis thirrjes njerëzore dhe heshtjes së paarsyeshme të botës”.

Miti grek i Sizifit i shërben Kamysë për të ilustruar idetë e tij mbi marrëdhëniet e njeriut me botën ku jeton, si dhe për të dhënë një përfytyrim të gjendjes njerëzore në një plan më të përgjithshëm metafizik. Ai vendos një paralelizëm midis Sizifit të lashtësisë, i dënuar për të kryer pafundësisht “një punë të panevojshme dhe të pashpresë” dhe njeriut modern që ndeshet përditë me një botë irracionale, të huaj dhe ku ai nuk gjen arsye të qenësishme për t’i dhënë kuptim jetës së tij.

Kamyja e përtërin dhe e pasuron kuptimin e mitit dhe figurën e Sizifit, të cilin, sipas tij, “duhet ta përfytyrojmë të lumtur”. Duke u vetëdijesuar për fatin e tij tragjik dhe duke e përbuzur atë dhe perënditë pas tij, Sizifi lartësohet mendërisht dhe shpirtërisht. “Nuk ka fat që të mos mposhtet nëpërmjet përbuzjes”, shprehet Kamyja.

Kësisoj, vetëdijesimi për absurditetin e botës dhe jetës, edhe pse e bën tragjike gjendjen njerëzore, është mënyra më dinjitoze për t’u përballur me të. Më pas, mendimi dinamik i Kamysë do të njohë zhvillime të reja, si solidaritetin veprues mbarënjerëzor përballë së keqes (Murtaja), revoltën e përhershme në mbrojtje të dinjitetit vetjak (Njeriu i revoltuar) dhe ndjenjën e fajësisë, brerjen e ndërgjegjes për shmangien nga përgjegjësitë qytetare dhe njerëzore në jetën e përditshme (Rënia).

​​​Eseja “Njeriu i revoltuar” u botua në vitin 1951 dhe ngjalli shumë polemika, madje krijoi një hendek të thellë mes Kamysë dhe Sartrit për mjaft kohë. Në këtë ese, Kamyja tregohet sidoqoftë më syçelët se Sartri në raport me ideologjinë marksiste dhe zbatimin e saj në Rusinë sovjetike, si dhe më i drejtpërdrejtë e objektiv për zhvillimet e botës moderne.

Kamyja vendos vetë një lidhje mes “Mitit tê Sizifit” dhe “Njeriut tê revoltuar” dhe shpalos pikëpamjet e veta mbi mënyrën më dinjitoze, por dhe më të arsyeshme për njeriun e sotëm, për t’u përballur me një botë sa absurde aq dhe armiqësore, madje dhe të paparashikueshme.

“Në përvojën absurde, vuajtja është individuale. Duke filluar nga fryma e revoltës, ajo vetëdijesohet se është kolektive, ajo është aventurë e të gjithëve… Brenga që mundonte një njerí të vetëm bëhet murtajë kolektive. Në mundin tonë të përditshëm, revolta luan të njëjtin rol si “cogito”-ja në rendin e mendimit: ajo është qartësia e parë. Mirëpo, kjo qartësi e nxjerr individin nga vetmia. Ajo është një referencë e përbashkët që themelon vlerën e parë për të gjithë njerëzit. Revoltohem, prandaj jemi. ”, shprehet Kamyja.

Për Kamynë, që nuk e pranon vetëvrasjen si zgjidhje, revolta është një nga përgjigjet filozofike më koherente ndaj absurditetit të botës dhe të jetës njerëzore. Mendimi i Kamysë është thellësisht humanist dhe ai e lartëson figurën e njeriut, duke treguar se madhështia e tij qëndron në faktin se ai është e vetmja krijesë që refuzon të jetë çka është dhe që nuk i resht asnjëherë përpjekjet për t’i dhënë kuptim dhe më shumë dinjitet jetës së vet dhe jetës njerëzore në përgjithësi.

Kamyja analizon frymën apo lëvizjen e revoltës nga Lashtësia në ditët tona dhe vëren se ajo ka qenë kurdoherë një shtysë e rëndësishme në historinë njerëzore. Ai shqyrton përjetimet dhe shfaqjet e revoltës në të gjitha format e saj individuale ose kolektive dhe dallon tek ajo “pohimin e një natyre të përbashkët për të gjithë njerëzit, që i shpëton botës së fuqisë”.

Ai shpalos të vërtetat e hidhura se, krahas arritjeve madhështore dhe të pakundërshtueshme të njerëzimit në rrugëtimin e tij të vështirë, shoqëria e sotme gjendet në udhëkryq. Si transhendenca hyjnore dhe ajo historike janë zhvlerësuar ose kanë dështuar dhe nuk ofrojnë më zgjidhje të kënaqshme për arsyen njerëzore. As nihilizmi që ka përmbytur botën moderne dhe duhet kapërcyer. As revolucionet që kryhen në emër të vlerave të epërme dhe përfundojnë në terrorizëm shtetëror të ngritur mbi terrorin racional ose irracional.

Në këto kushte, revolta mbetet e vetmja vlerë e patjetërsueshme dhe i vetmi qëndrim. “Arti dhe revolta nuk do të vdesin veçse bashkë me njeriun e fundit”, thotë Kamyja por, nga ana tjetër, tregohet i matur dhe gjykon se revolta nuk mund të jetë e pakufizuar dhe të shpaloset kundër gjithçkaje dhe gjithkujt.

Dhe as me të gjitha mjetet, sigurisht. Lidhur me këtë, ai jep ndofta një nga përgjigjet më të thella: “A i justifikon qëllimi mjetet? Kjo është e mundur. Por çfarë do ta justifikojë qëllimin? Kësaj pyetjeje, që mendimi historik e lë të pazgjidhur, revolta i përgjigjet: mjetet.”

Mendimi i Kamysë është sa i thellë aq dhe i drejtpeshuar jo vetëm për kohën kur u shkrua libri por dhe në ditët tona. Në kreun e fundit të librit, Kamyja shtjellon konceptin e quajtur “mendimi i mesditës”, që e hasim dhe te Niçja.

Qytetërimi mesdhetar greko-latin, i shenjuar nga drita mesditore (“ajo që ka hijen më të shkurtër”, sipas shprehjes së Niçes) i afrohet më mirë deri më sot vizionit të Kamysë për botën dhe njeriun si krijesa më e lartë dhe më e arsyeshme që ekziston.

Shekulli XX, me teprimet e tij në të gjitha fushat e jetës, shkaktoi tragjedi njerëzore dhe rrënime të papërfytyrueshme më parë. E ardhmja nuk mund të parashikohet, mendon Kamyja, por është e domosdoshme që të gjendet drejtpeshimi i munguar në zhvillimet e botës moderne.

Mes masës dhe teprisë, nuk duhet ngurruar për të zgjedhur të parën. Urtësia greke shihet nga Kamyja si një referencë e vyer dhe tejet e dobishme për kohën tonë.

“Mendimi i mesditës”, që ka në themel të tij masën dhe moskapërcimin e kufijve, përtej të cilëve gjithçka tjetërsohet dhe del jashtë kontrollit, është tejet aktual në një botë që rrezikon të shkojë drejt zhvlerësimit të të gjitha vlerave mbi të cilat është ngritur dhe ka përparuar. /konica.al/KultPlus.com

“Dua të më shpjegohet gjithçka ose asgjë”

Albert Kamy është njëri ndër filozofët më të njohur që i takon filozofisë franceze. Kamy është i njohur ndryshe edhe si filozofi i absurdit, teksa një pjesë të madhe të angazhimit të tij intelektual ia ka kushtuar edhe vetëvrasjes, të cilën e konsideronte si problemin më të madh filozofik, shkruan KultPlus.com


Këtu kemi zgjdhur disa nga thëniet më të njohura të autorit francez, Albert Kamy.

“Njoh edhe një të vërtetë tjetër: ajo më thotë se njeriu është i vdekshëm”

“Një njeri i pashpresë dhe i ndërgjegjshëm për ketë gjë, nuk i përket më së ardhmes”

“Asgjë tjetër për çastin, përveç indiferencës për të ardhmen dhe pasionit për të shterruar gjithçka që ekziston”

“Ka vetëm një problem filozofik vërtet serioz: vetëvrasja”

“Dua të me shpjegohet gjithçka ose asgjë”

“Kam venë re se shumë njerëz i japin fund jetës, sepse mendojnë që nuk ia vlen të jetohet. Kam parë të tjerë, që paradoksalisht vriten për idetë ose iluzionet, të cilat i japin kuptim jetës se tyre”

“Të jetosh, natyrisht, nuk është kurrë e lehtë. Njerëzit vazhdojnë të bëjnë veprime që u’a imponon ekzistenca për shumë arsye, nga të cilat e para është zakoni. Të vdesësh me dashje parakupton që e ke zbuluar qoftë edhe instinktivisht, karakterin qesharak të këtij zakoni, mungesën e çdo arsye të thellë për të jetuar, karakterin absurd të veprimtarisë së përditshme dhe kotësinë e vuajtjes”

“Përkundrazi, ata që vrasin veten, ndodh shpesh që të kenë rrokur kuptimin e jetës”

“Të kërkosh të dish nëse njeriu është i lirë, të detyron të dish nëse ai mund të ketë një zotëri”

“E gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak që të më sigurojë se kjo botë është e imja”

Alber Kamy, pjesë nga Miti i Sizifit

Për cilin dhe çfarë mund të them: “E njoh!”? Këtë zemër brenda vetes, unë mund ta ndjej dhe të pohoj se ekziston. Këtë botë unë mund ta prekë dhe të them se ajo është. Këtu përfundon e gjithë shkenca ime, pjesa tjetër është spekulim. Po të përpiqesha të rrokja “Unin” time, për të cilin jam i sigurt se ekziston, po të përpiqesha ta përkufizoja, ta përmblidhja në thelbin e vet, do të shihja se është ujë që më rrëshqet nëpër gishta. Unë mund të vizatoj një e nga një të gjitha pamjet që ai di të marrë, të gjithë dukjet që i kanë dhënë të tjerët, edukatën, origjinën, vrullin apo heshtjen, madhështinë ose poshtërsinë e tij. Kjo zemër që është e imja do të mbesë përgjithmonë e panjohur. Midis sigurisë që kam për ekzistencën time dhe përmbajtjes që përpiqem që ti jap kësaj sigurie, hendeku nuk do të mbushet kurrë. Un do të jem përgjithmonë i huaj për vetveten. Në psikologji si në logjikë gjithmonë ka të vërteta, por kjo nuk është aspak e vërteta. Thënia e Sokratit “Njih vetveten” ka po kaq vlerë sa edhe “Ji i virtytshëm” i rrëfeve tanë. Ata dëshmojnë për nostalgjinë dhe në të njëjtën kohë për padijen tonë. Këto janë lojëra shterpë mbi problemet e mëdha. Ato janë të përligjura vetëm në atë masë që ato janë të përafërta. Shihni këto pemë, unë e njoh ashpërsinë e tyre, marrim ujin dhe unë e provoj shijen e tij. Aromën e barit, yjet, netët, disa mbrëmje kur zemra ç’tendoset. Si mund ta mohoj këtë botë, fuqinë dhe forcën e së cilës unë e provoj? Megjithatë e gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak që të më sigurojë se kjo botë është e imja. Ju ma përshkruani dhe më mësoni ta klasifikoj, Ju më numëroni logjet e saj dhe unë, i etur për dije i pranoj si të vërteta. Ju zbërtheni mekanizmin e saj dhe tek unë shpresa rritet. Në fund ju më mësoni se kjo gjithësi madhështore dhe e larmishme përbëhet nga atome dhe vetë atomi përbëhet nga elektrone. Të gjithë këto janë të drejta dhe unë pres që ju të vazhdoi më tej. Por ju më flisni për një sistem planetar të padukshëm ku elektronet vërtiten rreth një bërthame. Ju ma shpjegoni këtë botë me anë të një figure. Atëherë unë vërej se kemi hyrë në lëmin e poezisë që nuk do ta njoh kurrë. A kam kohë që të zemërohem? Ndërkohë ju keni ndërruar teori. Kështu shkenca, e cila duhet të më mësonte gjithçka, bëhet hipotetike, qartësia shndërrohet në metaforë dhe pasiguria kthehet në vepër arti. Dhe përse mu deshën aq shumë përpjekje? Konturet e buta të kodrave dhe dora e mbrëmjes mbi një zemër të plagosur më mëson shumë më tepër. Arrita atje ku u nisa. E kuptoj që nëse nëpërmjet shkencës mund të rrok dukuritë dhe t’i numëroj, nuk mundem, megjithatë, të kuptoj botën. Edhe sikur me gisht ta përshkoja gjithë relievin e saj, përsëri nuk do ta njohja më mirë. Dhe ju më vini të zgjedh midis një përshkrimi që është i sigurt, por që nuk më mëson asgjë, dhe hipotezave që pretendojnë të më mësojnë, por që nuk janë aspak të sigurta. I huaj për vetveten dhe për botën. I armatosur përballë rreziqeve vetëm me një mendim që mohon vetveten sapo ta pohojë atë. Cila është ajo gjendje ku unë mund të jetoj, i qetë duke mos pranuar të mësoj e të jetoj ku dëshira për fitore ndeshet me pengesa që përballojnë sulmet e saj. Të dëshirosh do të thotë të nxitësh paradokse. Gjithçka është rregulluar në mënyrë të tillë që të lind kjo paqe e helmatisur që sekretohet nga moskokëçarja, gjumi i zemrës ose vetëmohimet vdekjeprurëse. / KultPlus.com

“Në mes të urrejtjes zbulova se brenda meje ishte një dashuri e pamposhtur”

Albert Kamy

Në mes të urrejtjes zbulova se brenda meje ishte një dashuri e pamposhtur.
Në mes të lotëve zbulova se brenda meje ishte një buzëqeshje e pamposhtur.

Në mes të kaosit zbulova se brenda meje qëndron një qetësi e pamposhtur.
Përmes gjithë këtyre kuptova se…
Në mes të dimrit, brenda meje qëndron një verë e pamposhtur.

Dhe kjo më bën të lumtur, sepse pavarësisht se sa fuqishëm bota shtyn kundër meje, brenda meje ekziston diçka më e fortë – diçka më e mirë, që e shtyn mbrapa.

“Mosmarrëveshja” e Kamys fillon provat në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Drama “Mosmarrëveshja” e autorit të madh Albert Kamy, kësaj radhe do të jetësohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Fata Hysenit kjo shfaqje tashmë ka filluar provat dhe pritet që deri në muajin maj gjithçka të finalizohet.

Krahas temës së dashurisë dhe mos dashurisë, regjisorja i kushton rëndësi temës së izolimit brenda shtetit. Ngjarja ndodhë në një bujtinë që është e dy grave, nënë e bijë, të cilat pranojnë klientë në bujtinën e tyre që ti vrasin dhe të ja u marrin të hollat. Mbledhja e të hollave bëhet me qëllimin që të ikin nga vendi për një jetë më të mirë.

Ekipi i aktorëve që është angazhuar për këtë projekt përbëhet nga: Kumrije Hoxha, Shpetim Selmani, Florieta Bajraktari, Armend Ballazhi dhe Fatlume Bunjaku.

Shfaqja pritet të vij premierë në muajin maj në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Fjalimi i mrekullueshëm i Albert Kamy në ceremoninë e pranimit të Çmimit Nobel

Fjalimi i Albert Kamy gjatë pranimit të Çmimit Nobel në godinën e Bashkisë në Stokholm më 10 dhjetor 1957, ishte thjeshtë i mrekullueshëm.

Me këtë nderim me të cilin Akademia juaj më ka nderuar me aq bujari, mirënjohja ime ka qenë e thellë, veçanërisht kur marr parasysh shkallën me të cilën ky shpërblim ka tejkaluar meritat e mia personale.
Çdo njeri, dhe për arsyet më të forta, çdo artist, dëshiron që të njihet. Kështu edhe unë. Por nuk kam qenë në gjendje të mësoj vendimin tuaj pa e krahasuar me jehonën e asaj çfarë jam në të vërtetë.

Një burrë i ri, i pasur vetëm me dyshimet e tij dhe punën akoma në progres, i mësuar me të jetuarit në vetminë e punës apo në tërheqjet e miqësisë: si mund të mos e ndjejë ai një lloj paniku kur dëgjon dekretin që e transporton atë papritmas, vetëm dhe i reduktuar në vetvete, drejt qendrës së një drite të ndezur?

Dhe me çfarë ndjenjash do ta pranonte ai këtë nder në një kohë kur shkrimtarë të tjerë në Evropë, ndër ta më të mëdhenjtë, dënohen në heshtje, dhe madje në një kohë kur vendi i lindjes së tij po përjeton një mjerim të pafundmë?

E ndjeva shokim dhe tronditje të brendshme. Me qëllim që të rifitoja paqen që kam pasur, shkurt, për t’u marrë me një pasuri shumë bujare.

Dhe meqë nuk mund të jetoj në të thjesht duke qëndruar në peshën e arritjes sime, nuk kam gjetur asgjë që të më mbështesë, por atë që më ka mbështetur gjatë gjithë jetës sime, madje në rrethanat më të kundërta: ideja që kam unë për artin tim dhe rolin e shkrimtarit.

Me lini vetëm që t’ju them, me një frymë mirënjohjeje dhe miqësie, sa më thjeshtë të mundem, se cila është ideja e kësaj.

Për veten time, unë nuk mund të jetoj pa artin tim. Por nuk e kam vënë kurrë sipër gjithçkaje ,nëse, nga ana tjetër, kam nevojë për të, është sepse ai nuk mund të ndahet nga vetja ime, dhe më lejon të jetoj, kështu siç jam, në të njëjtin nivel.

Është një mjet që nxit numrin më të madh të njerëzve duke u ofruar atyre një foto të privilegjuar të kënaqësive dhe vuajtjeve të zakonshme.

E detyron artistin që ta mbledhë veten; e nënshtron atë me të vërtetën më të përulur dhe universale. Dhe shpesh ai që ka zgjedhur fatin e artistit sepse e ndjeu se ishte ndryshe shpejt kupton se ai nuk mundet të mbajë as artin dhe as diferencën e tij vetëm nëse e pranon se është si të tjerët.

Artisti e fton veten tek të tjerët, në mes të bukurisë të cilën nuk mundet që ta arrijë pa to, ai nuk mundet ta largojë veten prej tyre. Kjo është arsyeja pse artistët e vërtetë nuk gënjejnë asgjë: janë të detyruar të kuptojnë në vend që të gjykojnë.

Dhe nëse duhet të mbajnë anë në këtë botë, ata mbase mund të mbajnë anë vetëm nga shoqëria në të cilën, sipas fjalëve të mëdha të Nietzsches, jo gjykuesi por krijuesi do të udhëheqë, sido që të jetë, një punëtor apo intelektual.

Në të njëjtën mënyrë, roli i shkrimtarit nuk është i lirë nga detyrat e vështira. Me përkufizim ai nuk mundet ta vendose veten sot në shërbim të atyre që bëjnë histori; ai është në shërbim të atyre që e vuajnë atë. Përndryshe, ai do të jetë i vetëm dhe i veçuar nga arti i tij. Jo të gjitha ushtritë e tiranisë me milionat e ushtarëve do ta lirojnë atë nga izolimi, madje dhe veçanërisht nëse ai bie në hap me ta.

Por qetësia e një të burgosuri të panjohur, i braktisur për poshtërime nga ana tjetër e botës, mjafton për ta nxjerrë shkrimtarin nga burgu i tij, së paku kurdo, në mes të privilegjeve të lirisë, ai ia del jo që ajo qetësi të mos harrohet, dhe ta transmetojë atë me qëllim që t’i japë frymë nëpërmjet veprave të artit të tij.

Askush prej nesh nuk është aq i përsosur për një detyrë të tillë. Por në të gjitha rrethanat e jetës, në errësirë apo famë të përkohshme, i hedhur në pranga të tiranisë apo për një kohë i lirë për t’u shprehur, shkrimtari mundet të fitojë zemrat e komunitetit të gjallë të cilat do ta justifikojnë atë, me kushtin e vetëm që ai do të pranojë deri në skaje të aftësisë së tij dy detyrat që përbëjnë madhështinë e artizanatit të tij: shërbimi ndaj të vërtetës dhe shërbimi ndaj lirisë.

Sepse detyra e tij është të bashkojë numrin e madh të mundshëm të njerëzve, arti i tij nuk duhet të komprometojë me gënjeshtra dhe servilizëm të cilat, kurdo që të zotërojnë, edukojnë vetminë.
Sidoqë të jetë dobësia jonë personale, fisnikëria e punës sonë gjithmonë do të rrënjoset në dy angazhime, të vështira për t’u përballuar: refuzimi për të gënjyer për diçka që di dikush dhe rezistenca ndaj presioni.

Për më shumë se 20 vite të një historie të çmendur, i humbur pa shpresë sikur të gjithë njerëzit e brezit tim në grindjet e kohës, jam mbështetur nga një gjë: nga ndjenja e fshehur se të shkruash sot ishte një nder sepse ky aktivitet ishte një përkushtim – dhe një përkushtim jo vetëm për të shkruar.
Specifikisht, në pamje të fuqive të mia dhe gjendjes së qenies time, ishte një angazhim për t’u mbajtur, bashkë me të gjithë ata që po përjetonin të njëjtën histori, mizorinë dhe shpresën që ndanim.
Këta njerëz, që lindën në fillimin e viteve të Luftës së Parë Botërore, të cilët ishin njëzetë kur Hitleri erdhi në fuqi dhe gjyqet e para revolucionare po fillonin, të cilët atëherë u ballafaquan me përfundimin e arsimimit të tyre me Luftën Civile Spanjolle, Luftën e Dytë Botërore, botën e kampeve të përqendruara, një Evropë torturash dhe burgjesh – këta njerëz duhet të mbajnë sot djemtë e tyre dhe të krijonin veprat e tyre në një botë të kërcënuar nga shkatërrimet nukleare.

Askush, mendoj, nuk mund t’u kërkojë që të jenë optimistë. Dhe madje mendoj se duhet të kuptojmë – pa pushuar së luftuari- gabimin e atyre të cilët në një teprim të dëshpëruar kanë pohuar të drejtën e tyre për të çnderuar dhe kanë nxituar në një epokë nihiliste. Por fakti mbetet se shumica prej nesh, në vendin tim dhe në Evropë, e kanë refuzuar nihilizmin dhe kanë marrë pjesë në një kërkim për legjitimitet.

Ata duhej të krijonin për veten e tyre një art të të jetuarit në kohët e një katastrofe me qëllim që të lindin për herë të dytë dhe të luftojnë hapur kundër instinktit të vdekjes në punë dhe në historinë tonë.

Ndjenjat dyfishe të secilit brez kërkuan që të reformojnë botën. E imja e di që nuk do ta reformojë, por puna e saj mund të jetë edhe më e madhe. Ajo konsiston në parandalimin e shkatërrimit të botës nga vetë ajo.

Trashëgimtar i një historie të korruptuar, në të cilën janë përzier revolucionet e rëna, teknologjia e çmendur, perënditë e vdekura dhe teknologjitë e konsumuara, ku fuqitë mediokër që mund të shkatërrojnë të gjithën ende nuk dinë si ta bindin, ku inteligjenca është përulur të bëhet shërbëtor i urrejtjes dhe shtypjes, kësaj gjenerate duke filluar nga mohimet e veta, i është dashur të ristabilizojë, brenda dhe jashtë, pak nga ajo e cila përbën dinjitetin e jetës dhe vdekjes.

Në një botë të kërcënuar nga shpërbërja, në të cilën hetuesit tanë të mëdhenj rrezikojnë të krijojnë përgjithmonë mbretërinë e vdekjes, në një racë të çmendur kundër orës, sigurojnë ndër kombe një paqe e cila nuk është skllavëruese, ripajtohen ndaj punës dhe kulturës së re, dhe të ribëjnë me të gjithë njerëzimin Arkën e Besëlidhjes.

Nuk është e sigurt se ky brez do të jetë gjithmonë në gjendje të përmbushë këtë detyrë të pamasë, por tashmë ai po rritet në çdo vend të botës për të dyfishuar sfidën e të vërtetës, lirisë dhe, nëse është e nevojshme, e di se si të vdesë për të, pa urrejtje. Kurdo që të gjendet, meriton të përshëndetet dhe të inkurajohen, veçanërisht aty ku po sakrifikon vetveten.

Në çdo event, disa nga miratimi juaj i plotë, është ndaj këtij brezi të cilin duhet të dua ta pasoj me nderin të cilin ju sapo ma dhatë.

Në të njëjtën kohë, pasi të përvijohet fisnikëria dhe artizanati i shkrimtarit, duhet t’i jap vendin e duhur. Ai nuk ka pretendime të tjera përveç atyre të cilat ndan me shokët e tij në ushtri: të pambrojtur, por kokëfortë, të padrejtë, por të pasionuar për drejtësi, duke bërë punën e tij pa turp apo krenari për të gjithë, duke mos dashur për t’u ndarë ndërmjet dhimbjes dhe së bukurës, dhe së fundmi të përkushtuar për të nxjerrë nga ekzistenca e tij e dyfishtë krijimet që ai përpiqet tmerrësisht t’i ngrejë në lëvizjen shkatërruese të historisë. Kush mbi të gjitha këto mund të presë nga ai zgjidhje konkrete dhe morale të larta?

E vërteta është e mistershme, e pakapshme, gjithmonë për t’u pushtuar.

Liria është e rrezikshme, aq e vështirë për të jetuar me të ashtu siç është ajo e gëzuar. Ne duhet të marshojmë drejt këtyre qëllimeve, me dhimbje por me vendosmëri, e sigurt përpara dështimeve tona për një rrugë kaq të gjatë.

Çfarë shkrimtari do të dëshironte që tani e tutje, me ndërgjegje të mirë, të guxonte të ngrinte veten si një predikues i virtytit? Për veten time, duhet të theksoj edhe një herë se unë nuk jam nga ky lloj. Nuk kam qenë kurrë i aftë që të braktis dritën, kënaqësinë e qenies, dhe lirinë në të cilën jam rritur.
Por edhe pse kjo nostalgji shpreh shumë nga gabimet dhe fajet e mija, padyshim më ka ndihmuar në të kuptuarit më mirë të punës sime. Akoma po më ndihmon për të mbështetur pa e vënë në dyshim të gjithë ato njerëz të heshtur të cilët e durojnë jetën e krijuar për ta në botë vetëm nëpërmjet kujtesës se rikthimit dhe lumturisë falas.

Kështu i reduktuar në atë që unë jam vërtetë, ndaj kufizimeve dhe borxheve dhe po ashtu ndaj besimit tim, ndihem më i lirë, në përfundim, për të komentuar shkallën dhe bujarinë e nderit që më keni dhënë, më i lirë gjithashtu që t’ju them se do ta pranoj atë si një homazh për të gjithë ata të cilët, duke ndarë të njëjtën luftë, nuk kanë marrë asnjë privilegj, por në të kundërt e kanë njohur mjerimin dhe përndjekjen.

Më mbetet që t’ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime dhe ta bëj para jush publike, si një shenjë personale të mirënjohjes sime, premtimin e njëjtë dhe të lashtë të besnikërisë të cilin çdo artist i vërtetë ia përsërit vetes në heshtje çdo ditë.

Para fjalimit, B. Karlgren, anëtar i Akademisë Mbretërore të Shkencave, iu drejtua shkrimtarit francez:

Z. Kamy…

– Si student i historisë dhe i letërsisë, unë ju drejtohem juve fillimisht. Unë nuk kam ambicien dhe guximin për të shqiptuar gjykim mbi karakterin apo rëndësinë e punës suaj – kritikë më kompetent se unë kanë hedhur dritë të mjaftueshme mbi të. Por më lejoni t’ju siguroj që ne marrim kënaqësi të thellë nga faktin se po dëshmojmë dhënien e nëntë të një çmimi Nobel në Letërsi për një Francez.

Veçanërisht në kohën tonë, me tendencën e saj për të drejtuar vëmendje intelektuale, admirim dhe imitim ndaj atyre kombeve që kanë –nga virtyti i burimeve të tyre materiale të panumërta – të bëhet protagoniste, megjithatë, mbetet në Suedi dhe gjetkë, një elitë mjaft e madhe që nuk fal, por gjithnjë është e ndërgjegjshme për faktin se në kulturën perëndimore fryma franceze për shekuj ka luajtur një rol mbizotërues dhe kryesues dhe vazhdon ta bëjë këtë.

Në shkrimet tuaja ne gjejmë në një shkallë të lartë manifestimin e qartësisë dhe dritës, depërtimit dhe hollësisë, artit të paimitueshëm të pandarë në gjuhën tuaj letrare, të cilën secili prej nesh e admiron dhe dëshiron ngrohtësisht. Ne ju përshëndesim si një përfaqësues i vërtetë i atij frymëzimi të mrekullueshëm francez. »

Marrë nga Leksionet e Nobelit, Letërsi 1901-1967, redaktor Horst Frenz, Kombania Botuese Elsivier, Amsterdam, 1969. /KultPlus.com