Haxhiu: Kodi Civil kalon këtë vit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu një deklaratë për gazetarët tha se kodi civil do të përsëritet në votim edhe këtë vit, derisa u shpreh e bindur se edhe do të kalojë.

Sipas saj, ky kod është shumë i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ajo u shpreh se këtë vit do të ketë edhe mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe nuk do të dështojë sikur herën kaluar.

“Siç jeni në dijeni Kodi civil është në agjendën legjislative, është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm që ka të bëjë me avancimin për të drejtat e njeriut nuk mendoj që ka qenë e drejtë që janë marrë vetëm më një nen sepse trajtohen shumë institute, është thjeshtë në interes të qytetarëve te Republikës së Kosovës. Prandaj të gjitha partitë politike mazhoranca, opozita e kanë për obligim që të mbështesë atë, megjithatë në gjithë këtë kohë kemi qenë në diskutim me grupin parlamentar ,e deputet të cilët kanë pasur mendime të ndryshëm apo ndryshe nga grupi parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, ndryshe nga atë që përfaqësuan lëvizja Vetëvendosje por unë jam optimiste që kësaj radhe brenda këtij viti në momentin kur do të procedojmë në qeveri dhe pastaj ne kuvend nuk do dështojë sikur herën e kaluar”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu tha se dështimi i ligjit, për kodin civil edhe këtë vit do të ishte i papranueshëm për Kosovën.

Tutje, Haxhiu ka paralajmëruar se në Kosovë do të vijnë edhe ekspertë nga Këshilli i Evropës, për të bërë vlerësimin për të drejtat e njeriut.

“Përndryshe për Republikën e Kosovës do të ishte e papranueshme sidomos në prag të anëtarësimit të Kosovës. Këshillin e Evropës , unë e kam përmendur edhe dje, presim ekspertët që të vijnë brenda këtij viti në Kosovë për të bërë vlerësimet e tyre në raport me të drejtat e njeriut. Prandaj do të ishte lajm shumë i mirë dhe shumë pozitiv që të kalojë kodi civil”, tha Haxhiu. 

Ministrja Haxhiu: Deputetët t’i mbështesin të drejtat e komunitetit LGBTI+, ta emancipojmë shoqërinë

Ministrja e Drejtësisë sot në konferencën “Nga kriza në veprim” në kuadër të Javës së Krenarisë, ka thënë se Kodi Civil do të dërgohet sërish në Kuvend.

Ajo tha se të drejtat e komunitetit LGBTI+ janë të drejta të njeriut dhe deputetët duhet ta mbështesin kodin civil.

“Kodi Civil sërish do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës, sepse unë e thashë më herët nuk ka kthim mbrapa. Të drejtat e komunitetit LGBTI+ janë të drejta të njeriut dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta mbështesin të njëjtin, duhet të punojmë për to dhe duhet të shërbejnë që të emancipojnë shoqërinë tonë”, tha Haxhiu. / KultPlus.com

Ministrja Haxhiu: I madh është kontributi i grave e vajzave para, gjatë dhe pasluftës

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka takuar gratë e burgosura dhe të persekutuara politike, gra të cilat qysh më moshë të hershme i janë bashkuar protestave e demonstratave kundër regjimit.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e ministres Haxhiu.

Bashkë me Arjetën u takuam me gratë e burgosura dhe të persekutuara politike.

Dashuria e madhe për vendin bëri që qysh në moshën e hershme t’i bashkoheshin protestave e demonstratave kundër regjimit. U rrahën, u burgosën por sërish qëndruan!

Gra të tilla mbesin motiv edhe në kohë paqe, sidomos për gjeneratat e reja që ta duam e të angazhohemi më shumë për vendin tonë.

I madh është kontributi i grave e vajzave para, gjatë dhe pasluftës.

Ne do të punojmë edhe më shumë që ta lartësojmë atë!/ KultPlus.com

Haxhiu për rastin e alpnistes Nikçi: E kam parë videon, ndjehem e shqetësuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për rastin e sulmit seksual ndaj alpinistes Mrika Nikçi.

Haxhiu për Klankosova.tv tha se e ka parë videon e publikuar nga Nikçi, teksa shtoi se ka biseduar edhe me vetë atë dhe se ndjehet mjaft e shqetësuar.

Tutje, Haxhiu tha se në bazë të informacioneve që ajo ka, personi i dyshuar për rastin është arrestuar.

“Duhet sensibilizim i opinionit publik dhe institucionet ta kryejnë punën. Në bazë të informatave që i kam, personi i dyshuar është arrestuar”, është shprehur Haxhiu.

Më tej, e para e Drejtësisë tha se si qeveri “planifikojmë që ata persona që janë të dënuar për vepra të tilla të mos kenë mundësi që të punësohen nëpër institucione publike”./ KultPlus.com

Dosja e Vettingut në Kuvend, shkas rasti i dhunimit të 11 vjeçares, Kurti e Haxhiu akuzojnë gjyqtarët e prokurorët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për media, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku tha se do ta dërgojnë në Kuvendin e Kosovës dosjen e Vettingut.

Kurti tha se bashkë me ministren Haxhiu do të japin informata lidhur me reformën në drejtësi dhe vettingun në sistemin gjyqësor.

“Gjatë kësaj jave na tronditi të gjithëve lajmi për krimin që për viktimë kishte vajzën 11-vjeçare. Në raste si këto i humb kuptimi zbatimit të respektimit të drejtave të njeriut, respektimit të ligjit, ndjekjes së krimit, ushtrimit të pozitave të larta shtetërore, që kanë obligim parandalimin, përkatësisht ndjekjen e atyre që kërcënojnë sigurinë, mirëqenien dhe integritetin fizik të yqtetarëve. Kur kuptojmë që kryerësi i veprës penale ka qenë i dënuar për vepra penale e gjendet i lirë, kur dështon zinxhiri institucional përgjegjës për ndjekjen penale – policia, prokuroria, gjykata – dështon drejtësia, kurse faturën e paguan qytetari. Fuqia e cila vie nga pozita e gjyqtarit ose prokurorit në vete ngërthen përgjegjësi të madhe ndaj qytetarit, për të garantuar të drejtat e secilit e për të fuqizuar sundimin e ligjit, gjyqtari vepron me urtësi dhe maturi, vepron me profesionalizëm, andaj vendimet e tij apo saj edhe mbrohen nga vetë shteti përmes pavarësisë së garantuar me kushtetutë dhe me ligj. Gjyqësori ynë, përkundër të gjitha garancive kushtetuese, ngjan sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar e i dënuar për shumë vepra penale, dhunuesi ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës, dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, dhunuesi nuk rehabilitohet, dhunuesi përsërit veprën e madje dhunuesi edhe vret. Nuk ka alternativë ndaj vettingut në sistemit gjyqësor e prokurorial, këtë e kuptojnë edhe vetë akterët e këtij sistemit e edhe ata më skeptikët për vettingun”, tha Kurti.

“Me qëllim të koordinimit me të gjithë akterët politik në vend, kam thirrë takime me liderë të opozitës, ashtu që puna e mëtutjeshme në procesin e vettingut të arrijë konsensus të plotë. Me përjashtim të LDK-së, të gjithë e kanë pranuar ftesën dhe kemi zhvilluar takimin. Tani kur punën tonë e kemi bërë me profesionalizëm dhe në koordinim me akterët politikë, duke kuptuar që vettingu është produkt i nevojave të shoqërisë, procesin e vendosim në duart e deputetëve të Kosovës”, deklaroi Kurti.

Akuzat ndaj gjyqtarëve e prokurorëve i vazhdoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Në vazhdimësi jemi dëshmitarë të neglizhencës, mosveprimit dhe pandëshkueshmërisë. Gjyqtarët dhe prokrurorët konsiderohet se  kanë pagat më të larta në rajon, por për shkak të mosveprimeve apo veprimeve të gabuara, po humbin jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, po dhunohen fizikisht, financiarisht vajzat dhe gratë dhe korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar”, tha Haxhiu. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Haxhiu reagon për rastin e dhunimit, premton ndryshime në infrastrukturën ligjore

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për rastin e 5 personave, të cilët dyshohet se morën pjesë në dhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë, ngjarje e cila ndodhi sot, shkruan KultPlus.

Haxhiu thotë se është tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurtë, sepse dhunuesit qëndrojnë në liri, sepse nuk shqiptohen dënimet meritore, sepse ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen, heshten e harrohen.

Postimi i plotë:

“Edhe një krim tjetër. Edhe një viktimë. Edhe shumë dhunues të lirë.

Është tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurtë, sepse dhunuesit qëndrojnë në liri, sepse nuk shqiptohen dënimet meritore, sepse ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen, heshten e harrohen.

Fatkeqësisht, ky është ende realiteti ynë i cili duhet të ndryshojë orë e çast, dhe për këtë duhet angazhim serioz i institucioneve bashkërisht por edhe i gjithë shoqërisë.

Ftoj institucionet relevante që të trajtojnë këtë krim të rëndë, duke dëshmuar sa më parë përkushtim dhe rezultat në përndjekje dhe ndëshkim ndaj dhunuesve të të gjitha formave.

Si Ministri e Drejtësisë, jemi të përkushtuar që të ndërtojmë infrastrukturën më të duhur ligjore, që për aq sa na jep kompetencë ligji, të kryejmë të gjitha detyrat që i kontribuojnë drejtësisë.

Policia duhet të sigurojë lirinë e qytetarëve dhe gjykatat duhet të veprojnë, ato nuk duhet ta vështirësojnë tutje jetën qytetare me lirim të kriminelëve”, shkruan ajo. /KultPlus.com

Ministrja Haxhiu reagon për dhunën ndaj grave, rastin e vajzës së rrahur në Prizren e paraqet në polici (VIDEO)

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e saj për rastet e dhunës ndaj grave, përcjell KultPlus.

Ky reagim vjen pasi Haxhiu pa një video të publikuar në media ku shihet duke u rrahur një vajzë në Prizren.

Përveç këtij rasti, çdo ditë në Polici po raportohen raste të dhunës së burrave ndaj grave.

“Jam jashtëzakonisht e shqetësuar me dhunën fizike dhe emocionale të ushtruar ndaj grave, vajzave e fëmijëve. Fatkeqësisht është rrënjosur aq thellë në shoqërinë tonë, sa dhunuesit mund ta ushtrojnë atë publikisht, pa asnjë pikë problemi. Nëse dhunuesit dhunën fizike e ushtrojnë edhe publikisht, e marrim me mend se çka ndodhë prapa dyerve të mbyllura!”, ka shkruar Haxhiu duke u shprehur tutje se çdo formë e dhunës ndaj vajzave, grave dhe fëmijëve, duhet trajtuar seriozisht dhe menjëherë.

“Për rastin e dhunës fizike në Prizren, kam raportuar policinë dhe prokurorinë dhe pres që institucionet ta trajtojnë me prioritet këtë rast, dhe viktimat e qytetarët të sigurohen se dhunuesit do të ndëshkohen.” / KultPlus.com

Haxhiu: Do të ndërmarrin masa për adresimin e dhunës në familje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka takuar mbrojtësit e viktimave të dhunës në familje, me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit, me ç’rast tha se është shqetësuese rritja e rasteve të dhunës në familje, për që do të ndërmarrin masa për adresimin e këtyre rasteve.

Pas takimit me mbrojtësit e viktimave, Haxhiu tha se Qeveria Kurti e ka prioritet adresimin e dhunës në familje.

“Do të angazhohemi për ndërmarrjen e masave për adresimin e dhunës në familje, në mënyrë që të ndëshkohen e jo të neglizhohen siç ka ndodhur në të kaluarën. Për neve mbetet shqetësuese rritja e rasteve të dhunës në familje. Ne sot planifikojmë të aprovojmë programin qeverisës dhe në këtë drejtim, shumë prej çështjeve që adresohen edhe sa i përket dhunës në familje adresohen në prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, që rastet e dhunës në familje të jenë sa më të vogla”, tha ajo.

Menaxheri i Zyrës për ndihmë dhe mbrojtje viktimave, Basri Kastrati, tha se vizita e sotme tregon seriozitetin dhe përkushtimin për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

“Sfidat që i adresuam bashkërisht, do të jenë prioritet i MD, dhe sigurisht që rastet e dhunës në familje do të trajtohen me shumë seriozitet nga organet e drejtësisë. Prioritet i joni është që zëri i viktimës të dëgjohet gjatë procedurës”, tha ai. / KultPlus.com

Esat Shala i mblodhi 2000 video të masakrave serbe mbi shqiptaret, ministrja Haxhiu: Do të bëjmë adresimin e këtyre krimeve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është takuar me të riun nga Krajkova e Drenasit, Esat Shalën i cili që nga paslufta në mënyrë vullnetare ka koleksionuar mbi 2000 video incizime të masakrave të kryera nga regjimi serb në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në një postim të bërë në Facebook, Haxhiu ka thënë se tashmë janë dakorduar për të adresuar e krimeve që janë në këto video incizime.

“Në emër të Ministrisë, falenderova Esatin për punën e bërë deri më tani në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë si dhe u dakorduam për bashkëpunim në arritjen e synimeve për adresimin e këtyre krimeve”, ka shkruar Haxhiu.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Sot, së bashku me Valzën, pritëm në takim z.Esat Shala, të riun nga Krajkova e Drenasit, i cili që nga paslufta në mënyrë vullnetare ka koleksionuar mbi 2000 video incizime të masakrave të kryera nga regjimi serb në Kosovë.

Në këtë takim u njoftuam për punën e tij vullnetare në mbledhjen e dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë e po ashtu folëm për bashkëpunimin në iniciativën për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në emër të Ministrisë, falenderova Esatin për punën e bërë deri më tani në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë si dhe u dakorduam për bashkëpunim në arritjen e synimeve për adresimin e këtyre krimeve./ KultPlus.com

Reagon Haxhiu: Gjuha e Kastratit është e nivelit të ulët, duhet të dënohet dhe kundërshtohet fuqishëm

Për statusin e Ardian Kastratit, i cili përmes satirës së Konicës ironizoi me peshën e tashmë Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar edhe Albulena Haxhiu përmes një statusi në rrjetin social Facebook, përcjell KultPlus.

Haxhiu ka theksuar se gjuha e Kastratit është e nivelit të ulët dhe se duhet dënuar fuqishëm, ndër të tjera ajo ka shtuar se Kastratit dhe askujt tjetër nuk duhet t’i lejohet të keqpërdorë hapësirën publikë për të ofenduar.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Haxhiut.

Gjuha e përdorur e një deputeti të Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe një profesori universitar, është gjuhë e nivelit të ulët e cila duhet të dënohet dhe kundërshtohet fuqishëm.

Kjo gjuhë flet shumë për mendësinë që ka ky person dhe në mënyrë të natyrshme rrjedh pyetja se çfarë roli mund të ketë ky person për qytetarët si përfaqësues dhe për studentët si profesor!

Në këtë Republikë që u la me gjak, për lirinë për të cilën edhe gratë e vajzat luftuan, ku ka edhe të tilla gra që dhanë jetën, nuk ka vend për seksistë e mizogjenë që fyejnë gra të fuqishme e të zonja vetëm pse ata vetë janë të pafuqishëm.

Kjo gjuhë e deputetit të Republikës sonë kërkon reagim e dënim. As këtij personi dhe askujt tjetër nuk do duhej t’ja lejonim ta keqpërdornin hapësirën publike për t’na fyer e sharë. / KultPlus.com

Gjuha e përdorur e një deputeti të Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe një profesori universitar, është gjuhë e nivelit…

Posted by Albulena Haxhiu on Sunday, April 4, 2021

Albulena Haxhiu, ministre e Ministrisë së Drejtësisë

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet, përcjell KultPlus.

Në këtë listë, Albulena Haxhiu është renditur si ministre e Miistrisë së Drejtësisë.

Në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, znj. Haxhiu është zgjedhur deputete e legjislaturës së VII-të. Me formimin e Qeverisë Kurti në shkurt të vitit 2020, Albulena Haxhiu është emëruar si Ministre në Ministrinë e Drejtësisë të cilën e ka udhëhequr deri në qershor të po atij viti. / KultPlus.com

Haxhiu viziton Strehimoren Shtetërore për Strehimin e Viktimave të Trafikimit

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, sot ka vizituar Strehimoren Shtetërore për Strehimin e Viktimave të Trafikimit, ku nga afër ka parë punën dhe zbatimin masave për parandalimin e virusit Covid-19 si dhe kushtet në të cilën po qëndrojnë rastet e trafikimit me nivel të mesëm dhe të lartë të rrezikshmërisë, si dhe viktima të trafikimit.

Gjatë kësaj vizite,  Haxhiu njoftoi për veprimet e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë përmes së cilave tashmë Strehimorja Shtetërore për Strehimin e Viktimave të Tafikimit është në kuadër të MD-së.

Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë do të përkujdeset edhe për ngritjen e kapaciteteve dhe programet e ri-integrimit dhe qëndrueshmërinë financiare të kësaj Stehimore.

Sipas njoftimi të MD-së thuhet se prioritet Haxhiut mbetet edhe forcimi i sundimit të ligjit dhe angazhimi me akterët tjerë relevant, që kësaj kategorie t’i sigurohet strehim dhe mbrojtje dhe që trafikuesit të marrin dënimet e merituara, transmeton Klan Kosova.

Si asnjëherë më parë, gratë më të fuqishme të Kosovës

Kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani ka shpërndarë në rrjetin social facebook një fotografi ku shihen gratë më të fuqishme të Qeverisë Kurti, shkruan KultPlus.

Në këtë fotografi shihet kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, nënkryetarja e këtij institucioni Arbërie Nagavci dhe ministret./KultPlus.com