Përtej çdo sfide dhe traume, Mrika Nikçi dhe shkëlqimi i saj që nuk pushon së rrezatuari

Uranik Emini

“Malet janë problem vetëm kur janë më të mëdhenj se ju. Duhet të zhvillohesh aq shumë sa të bëhesh më i madh se malet me të cilat përballesh.”

Një vajzë me ëndrra të mëdha dhe një baba që e mbështet në gjithçka që kjo e fundit bën, deri edhe në thyerjen e rekordeve botërore. Në shikim të parë kjo mund të duket sikurse një hyrje në një përrallë me fund të lumtur. Por, përpos fundit të lumtur, edhe pjesa e një babai që mbështet vajzën e saj në ngjitjen e majave më të larta të botës, është e vërtetë, shkruan KultPlus.

Mrika Nikçi dhe babai i saj, Arianit Nikçi, kishin filluar një mision më 29 janar të vitit 2018, të ngjiten në majat më të larta të shtatë kontinenteve të tokës. E gjithë kjo filloi kur edhe ishin ngjitur në majën Kilimanjaro të Afrikës, një lartësi detare mbi 5800 metra.

Kur bëhet fjalë për rekordet botërore, është sikurse ato janë të projektuara për t’u thyer, sikurse ekziston një shirit i pafund i vendosur në një vend, që sfidon njerëzimin të jetë gjithmonë në krye. Mrika e kaloi shiritin dhe hyri në histori, duke u bërë vajza më e re në botë që ngjitë shtatë majat më të larta apo të njohur ndryshe edhe sikurse “7 summits”.

Në një periudhë prej 17 muajve, Mrika së bashku me babain e saj, ngjitën majat sikurse Vinson, Aconcagua, Mount Everest, Denali, Mali Elbrus dhe Piramida Carstensz, këtë të fundit më 15 gusht të viti 2019, për të hyrë në histori, si vajza më e re në botë që ngjit shtatë majat më të larta në shtatë kontinente.

Jeta e Mrikës si një vajzë e vogël. Ëndrrat e saj të fëmijërisë dhe kalimi në një botë ndryshe, atë të natyrës. Përballjet e përditshme me vdekjen, shoqëria e prania e përhershme e babait në krahët dhe shpatullat e saj, ngjitja e majave më të larta në botë dhe Mrika përtej maleve e realitetin e saj të përditshëm mund ta lexoni më poshtë në intervistën e vajzës së rekordeve.

KultPlus: Kryesisht, si fëmijë ëndërrojmë për gjëra të mëdha, planifikojmë gjëra sikurse jeta është shumë e lehtë përpara dhe arrijmë që të krijojmë një pasqyrë të jetës sonë. Megjithatë, shumë njerëz edhe sikurse fëmijë nuk mendojnë që të futen në librat e historisë dhe emri i tyre të jetë i njohur anë e mbanë botës. Një gjë të tillë, ju e keni arritur në moshën 17 vjeçare, pra ke hyrë në histori duke i ngjitur 7 majat më të larta të botës në shtatë kontinentet. Tani kanë kaluar disa vite por, si kanë qenë ëndrrat e tua të fëmijërisë dhe sa përkojnë ato me realitetin tani

Mrika Nikçi: Kam ëndërruar të garoj për Kosovën në sportin e karatesë si dhe të kem një karrierë të fortë në profesionin e avokates. Si fëmijë asnjëherë nuk kam ëndërruar që një dite do të ngjitem në majën më të lartë të botës, por jetës asnjëherë nuk i dihet, dhe jo rrallëherë ajo ndërron drejtim. Kur ndalova së praktikuari sportin e karatesë, atëherë nisa hapat drejtë ëndrrës së madhe – ngjitja në 7 Majat e botës para se ti mbushja 18 vjet, me ç ’rast thyeja rekord dhe bëhesha vajza më e re në botë të kaloja këtë rekord. Ndërsa sa i përket ëndrrës e së bërit avokate ende jam duke punuar me pasion çdo dite në atë drejtim, pasi edhe po vijoj studimet në fakultetin e Juridikut.

KultPlus: E ke përmendur pjesën që ke qenë e lidhur me natyrën që nga fëmijëria, a ndodhi kjo natyrshëm apo ishte nga imponimi i prindërve tuaj?

Mrika Nikçi: Ju falënderohem gjithmonë prindërve të mi që më mishnuan me bjeshkët tona, ku unë pata mundësinë të bie në dashuri me to.

KultPlus: Eksperiencat e juaja gjatë ngjitjeve të majave më të larta në botë, përfshijnë histori të shumta. Cila është njëra prej historive që ju e veçoni më së shumti dhe nuk do të harroni asnjëherë?

Mrika Nikçi:  Asnjëherë nuk do ta harroj momentin kur së bashku me babain e ngjitem majën e fundit nga të shtatat me të cilën përfunduam sfidën “Seven Summits”. Asnjëherë nuk kam përjetuar emocione më të forta dhe asnjëherë nuk jam ndjerë më shumë krenare me veten time. E nga historitë e shumta që mbaj në bagazhin e këtij rrugëtimi, do e veçoja momentin kur në kontinentin e akulltë të Antarktikut, nga stuhitë e mëdha kishte filluar të më ngrihej hunda sepse kisha harruar ta mbuloja për disa sekonda…

KultPlus: Gjithë ato ecje, gjithë ato ngjitje, gjithë ato rekorde të thyera dhe gjithnjë pas vetes keni mbajtur dy flamurë që i keni ngritur kudo që keni qenë prezent. Si është ndjenja e të bërit krenar një popull të tërë, duke refuzuar në anën tjetër oferta nga shtete të tjera?

Mrika Nikçi: Vetë fakti që kam qenë dhe kurrë nuk do të ndaloj së qenuri krenare për vendin dhe popullin tim, tregon që edhe pse kam pasur ofertë nga vendet tjera, me kënaqësinë dhe mburrjen më të madhe kam valuar dy flamujt tonë, të Republikës së Kosovës dhe flamurin kombëtar të Shqipërisë.

KultPlus: Përpos bisedave të ndryshme që keni pasur me babin e juaj, ju keni planifikuar gjithnjë edhe pjesën më të keqe. Sa është e vështirë që përpara një nisje të ngjitjes së ndonjë maje, të bisedoni për vdekjen?

Mrika Nikçi: Nuk është aspak e lehtë të bisedosh për vdekjen, e sidomos kur ngjitesh me njeriun më të dashur në njërën anë, e pas vetes lë të dashurit tu në anën tjetër, por është mënyra më e mirë për të menaxhuar me veten gjatë ngjitjes edhe nëse do të ndodh një gjë e tillë. Ka momente të shumta që kemi qenë në pozitë shumë të rrezikshme për jetën, dhe gjithmonë kemi qenë te përgatitur se si të veprojmë në situata të tilla, edhe pse malet e larta shpesh kanë plane tjera e të paparashikueshme nga ato që planifikon mendja e njeriut.

KultPlus: Përpos sportit të alpinizmit, ju më herët jeni marrë edhe me sporte të tjera. Cilat ishin këto eksperienca dhe cili është sporti ku “shpirti” i juaj fle më së shumti rehat?

Mrika Nikçi: Kam qenë garuese në sportin e karatesë të cilin e kam praktikuar përafërsisht 9 vite, dhe kam qenë disa herë kampione e Kosovës, si dhe garuese në sportin e skijimit. Por, shpirti më fle më së shumti rehat në ngjitjen e majave të larta, sepse aty kam gjetur 100 për qind të potencialit tim.

KultPlus: Gjatë jetës, njerëzit përballen me marrjen e vendimeve të ndryshme, qoftë ato të hidhura, të dëshpëruara apo edhe të gëzuara. A mund të ndani me lexuesit e KultPlus njërin prej momenteve më të lumtura që ju keni marrë në jetën tuaj dhe a ekziston një i tillë, që ju ka bërë të pendoheni më vonë ose një vendim që pendoheni se nuk e keni marrë?

Mrika Nikçi: Vendimi më i frikshëm të cilin e kam ndërmarr ka qenë ngjitja e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve në moshën 17 vjeçare. Dhe sot me plot bindje them se është vendimi më i mirë të cilin e kam ndërmarrë ndonjëherë, sepse ky vendim më ka sjellë edhe momente të hidhura, edhe të dëshpëruara por që në fund më ka ofruar gëzimin dhe lumturinë e papërshkrueshme.

KultPlus: Merreni me sporte të ndryshme që një kohë të gjatë, por a ka pasur momente kur keni vendosur që të largohesh dhe të mos mendosh për asgjë tjetër? Ose thjesht ka qenë një moment reflektimi dhe më pas gjithçka është rikthyer në normalitet?

Mrika Nikçi: Gjatë ngjitjes së majave ka pasur momente ku kam menduar të dorëzohem, por gjithmonë e kam shtyrë vetën që të mos ndalem. Njëri nga momentet ku seriozisht e kam konsideruar dorëzimin është kur isha duke u ngjitur për kampin 4 të majës Denali, Alaskë dhe trupi im ndaloi së funksionari, por pas disa minutave vendosa të vazhdoj, dhe aty mund të them se i kam shtyrë të gjitha limitet e mija.

KultPlus: Sfida “7 summits” ka pjesën e tretë më të vështirë në botën e alpinizmit, a keni planifikuar që në të ardhmen t’i realizoni edhe dy pjesë të tjera dhe në një lloj mënyre të kompletoni sfidat që ekzistojnë deri tani?

Mrika Nikçi: Kam dëshirë të përfundoj sfidën e quajtur Grand Slam, që nënkupton ngjitja e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve dhe ecja e Polit të jugut dhe Polit të veriut.

KultPlus: Fakti që ti je një grua, e bën karrierën tënde edhe më të jashtëzakonshme. Kjo pasi gruaja në Kosovë është në diskriminim e sipër dhe arritjet “vihen në hije”, cili është mesazhi i juaj për të gjithë gratë?

Mrika Nikçi: Mesazhi im për të gjitha gratë është që, asnjëherë të mos ndalen, ti ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë fort për realizimin e tyre, të kenë besim në vetvete dhe mbi të gjitha ta mbështesin njëra tjetrën. Së bashku jemi me të forta.

KultPlus: Ne e njohim Mrikën e majave, Mrikën e rekordeve, Mrikën që bëri krenarë gjithë Shqipërinë e Kosovën, por nuk dimë shumë për jetën e Mrikës jashtë alpinizmit. Ju po studioni juridikun, duke ndjekur edhe një herë tjetër hapat e babit juaj, i cili është një avokat, por a ka diçka konkrete me të cilën po merreni tani, e cilat janë gjithashtu edhe planet e së ardhmes në profesionin tuaj?

Mrika Nikçi: Mrika jashtë rekordeve dhe alpinizmit është si çdo vajzë tjetër 21 vjeçare me plot ëndrra dhe pasion për të ardhmen. Krahas studimeve të cilat i kam prioritet për profesionin e së ardhmes, ushtrimeve në vazhdimësi, daljet në natyrë dhe ecja në malet tona, merrem edhe me kompaninë ‘Mrika Seven Summits’, të cilën së fundmi e kemi hapur me babin dhe ofrojmë shërbime të ecjes dhe ngjitjes për turistët.

Në ndërkohë, bëj fushata dhe mundohem të sensibilizoj çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, si dhe jap fjalime motivuese.

KultPlus: Kohët e fundit, pas ngjarjeve që keni përjetuar, jeni bërë edhe zë i viktimave të ngacmimeve seksuale. Sa e vështirë ishte kjo gjë?

Mrika Nikçi: Kohët e fundit u bëra cak i ngacmimit seksual – ngjarje kjo e cila më ka goditur mjaft. Por, duke qenë krenare me vetveten dhe çdoherë e vendosur, e ngrita zërin në opinion duke i dalë në mbrojtje vëtës dhe të drejtave të mia, sepse e dija qe me këtë sensibilizim pa marrë parasysh pasojat për vetveten, unë qëndroj dhe bëhem zë për të gjitha gratë tjera.

KultPlus: Mesazhi për fund por edhe për vitin 2023. Çfarë pret Mrika në vitin që po vjen dhe cili është mesazhi për vitin që po lëmë pas?

Mrika Nikçi: Mesazhi për vitin 2023 është që të qëndrojmë të fortë përkundër sfidave që na dalin gjatë rrugëtimit jetësorë, ta duam njëri tjetrin, ta ruajmë njëri tjetrin, të ëndërrojmë shumë e të punojmë edhe më shumë e me vetëbesim për realizimin e atyre ëndrrave.

Mrika e sipërfaqi dhe e dëshmoi fjalinë e parë të shkruar në këtë artikull. Madhështia e saj, është më e madhe se një mal, dhe nuk ka maje ose traumë, çfarëdo qoftë ajo, që mund ta ndalë atë. /KultPlus.com

Haxhiu për rastin e alpnistes Nikçi: E kam parë videon, ndjehem e shqetësuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për rastin e sulmit seksual ndaj alpinistes Mrika Nikçi.

Haxhiu për Klankosova.tv tha se e ka parë videon e publikuar nga Nikçi, teksa shtoi se ka biseduar edhe me vetë atë dhe se ndjehet mjaft e shqetësuar.

Tutje, Haxhiu tha se në bazë të informacioneve që ajo ka, personi i dyshuar për rastin është arrestuar.

“Duhet sensibilizim i opinionit publik dhe institucionet ta kryejnë punën. Në bazë të informatave që i kam, personi i dyshuar është arrestuar”, është shprehur Haxhiu.

Më tej, e para e Drejtësisë tha se si qeveri “planifikojmë që ata persona që janë të dënuar për vepra të tilla të mos kenë mundësi që të punësohen nëpër institucione publike”./ KultPlus.com

18 vjeçarja nga Kosova Mrika Nikçi, vajza që ka mahnitur botën

Ajo është vetëm 18 vjeçare dhe është shembull për femrat e reja nëpër botë “Ndiqni qëllimet tuaja. Ndiqni ëndrrat tuaja. Mos hiqni dorë prej tyre, edhe nëse duket e vështirë dhe ndonjëherë e pamundur”. Këto janë fjalët e Mrikës nga Peja që tani është pjesë e rekordeve botërore.

Më 15 gusht 2019, si shtatëmbëdhjetë vjeçare, ajo u bë femra më e re në botë që ngjiti të gjitha Shtatë Majat, së bashku me babanë e saj Arianit Nikçi i cili është gjithashtu alpinist. Ata u bënë shqiptarët e parë që ngjitën të gjitha Shtatë Majat. Ata arritën në të Shtatë Majat për 17 muaj.

Mrika me mbështetjen e babait të saj, i cili e shoqëron atë në të gjitha aktivitetet e alpinizmit, ka filluar me alpinizëm kur ajo ishte 13 vjeç.

Babë e bijë janë ngjitur në të shtatë Majat më të larta në botë dhe gazeta metro sjell itinerarin e tyre:

Piramida Carstensz, Indonezi (4,884), u ngjit më 15 gusht 2019

Mali Elbrus, Rusi (5,642), u ngjit më 20 korrik 2019

Denali, Amerika e Veriut (6,194) u ngjit më 20 qershor 2019

Mount Everest, Asia (8,850), u ngjit më 27 maj 2019

Aconcagua, Amerika e Jugut (6,962), u ngjit më 16 shkurt 2019

Vinson, Antarctica (4,892), u ngjit më 16 dhjetor 2018

Kilimanjaro, Afrika (5.895 alt), u ngjit më 29 janar 2018

Mrika është ngjitur në majat më të larta kombëtare dhe rajonale si:

Gjeravica (2,656) ngjitje dimërore, maja më e lartë e Kosovës

Jezerca (2.694) ngjitje dimërore, maja më e lartë në Alpet Dinarike në Shqipëri

Korab (2.794) maja më e lartë në Shqipëri, ngjitja dimërore

Hajla (2,403) Ngjitje dimërore, Kosovë

Maja e Titos (2.747)  ngjitje dimërore, Maqedoni

Maja e Zezë (2,528) ngjitje dimërore, Kosovë

Mrika që kur ishte 7 vjeç, ajo filloi të stërvitej në karate, dhe ishte një konkurrente shumë e suksesshme, madje ajo ishte kampione e Kosovës në Kata dhe Kumite, gjithashtu ajo ka rripin e zi në Dan1. Mrika ishte gjithashtu një konkurrente shumë e suksesshme e skive, por tani ajo bën ski vetëm për argëtim me miqtë dhe familjen e saj./ KultPlus.com

Alpinistja kosovare që u ngjit në Everest: Kaluam nëpër kufoma

Të premten në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, Arianit dhe Mrika Nikçi ateruan në Kosovë.

Pas udhëtimeve të shumta dhe ngjitjes në majën më të lartë të botës, malit Everest (8848), babë e bijë me prejardhje nga Peja kanë rrëfyer në një konferencë të hapur për media eksperiencën e tyre më të veçantë.

“Së pari faleminderit prej të gjithëve që më keni përkrahur prej fillimit dhe jeni ardhë me na prit, eksperienca ime në ngjitjen e këtyre majave, në secilën majë ka qenë e ndryshme dhe jam ballafaquar edhe me probleme, pro edhe me kënaqësi të ndryshme”, ka thënë fillimisht Mrika Nikçi.

Duke vazhduar tutje, 17-vjeçarja ka bërë të ditur se ishte njoftuar me rreziqet që mund të haste rrugës, por që dëshira për t’u ngjitur në majat e botës e bënte të mos dorëzohej.

“Sa i përket rreziqeve, po filloj me Everestin, për shkak që mund të them që ka qenë një ndër majat më të rrezikshme që unë deri më tani kam ngjit, pasi që në fillim para se të nisemi për në ekspeditë, unë me babanë tim jemi ulë dhe kemi studiuar majat shumë mirë, kemi studiuar rrugë, rreziqe që mund të ndodhin, dhe e kam ditur nëse do të shkoj në Everest do të më bie të kaloj edhe nëpër trupa të vdekur, era të ndryshme, lartësi dhe ajër në mungesë”, është shprehur tutje Mrika.

Gjatë këtij udhëtimi të gjatë, pejania nuk ka hezituar të flasë edhe për gjërat më interesante që i kanë krijuar përshtyoje që në fillim.

“Ajo çfarë më ka lënë më shume përshtypje ka qenë Kongo, sepse hera e parë kur jemi nisur për atje ka qenë ora 2 pas mesnate dhe ka qenë errësirë, dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur kur ishim duke ecë dhe një zhurmë e madhe është ndjerë edhe e kemi kthyer kokën nga njëri-tjetri, dhe vetëm kemi parë se një akullnajë është shembur, dhe në vendin ku është shembur ne ishim vetëm pesë minuta më herët aty”, ka potencuar tutje alpinistja.

Babë e bijë treguan para mediave se gjatë këtyre ekspeditave, ata janë ndeshur edhe në kufoma, gjë të cilën nuk e kanë përjetuar edhe aq mirë emocionalisht.

“Mund të them se nuk e di si i kam përjetuar kufoma, i kemi pa pesë kufoma rrugës, ne kemi qëndruar në kampin 2 sepse kishte mungesë të bombolave të gazit dhe ishte në pikëpyetje nëse ekspedita jonë mund të vazhdohej apo jo edhe kemi qenë të përgatitur, sepse njerëzit tanë na thonin: “Bëhuni gati se do shihni kufoma rrugës””, tha Mrika.

Një problem i vogël ishte shfaqur pak para arritje në majë të Everestit, por që për Nikçin tashmë ëndrra ishte shumë pranë realizimit, dhe ngrirja e maskës nuk përbënte ndonjë problem shumë të madh për të.

“20 minuta para majës, maska e oksigjenit më është ngrire dhe në atë moment sasia e oksigjenit ka shkuar duke më u zvogëluar dhe më është dashur kohë pas kohe ta heqë maskën për të marrë frymë në atë lartësi të madhe, po kam qenë shumë e lumtur sepse ishim shumë afër majës dhe nuk e kam ndjerë mungesën e madhe të oksigjenit dhe kam arritur të shkoj në majë dhe të kthehem shëndosh e mirë bashkë me babin”, ka treguar Mrika Nikçi.

Pas përfundimit të konferencës, babë e bijë janë shoqëruar për në shtëpinë e tyre në Pejë, ku janë mirëpritur ngrohtë nga familjarët dhe bashkëvendasit e tyre.