Galeria në Finlandë flet shqip, hapet me këngën ‘Oj Hanë’ dhe ekspozohen pikturat e artistes kosovare

Xhemile Hysenaj

Një vend i vogël si Kosova ka prodhuar e vazhdon të prodhojë shumë artistë. Artistët tanë tashmë po thyejnë kufijtë me sukseset e tyre, duke u bërë pjesë e galerive të ndryshme ndërkombëtare. Ku përmes artit të tyre shpalosin edhe një pjesë të Kosovës, i shpalosin botës se ky vend i vogël është shumë më shumë se thjesht një copë tokë në mes të Evropës.

Albulena Jashari është ndër këta artistë. Ajo, një artiste që hapat e parë i mori në Kosovë, tashmë është bërë pjesë e ekspozitës grupore të Artit në galerinë ‘Karisma’ në Lahti të Finlandës, njëherit edhe e vetmja pjesëmarrëse kosovare. Albulena ishte ajo që edhe e bëri hapjen e ekspozitës në një mënyrë tejet kreative. Ajo interpretoi këngën e njohur ‘Oj Hanë’, duke i dhënë kështu ekspozitës një frymë kosovare shkruan KultPlus.

Albulena Jashari interpreton këngën e njohur 'Oj Hanë' në hapjen e ekspozitës grupore të artit në Galerine 'Karisma' në Lahti të Finlandës

Albulena Jashari interpreton këngën e njohur 'Oj Hanë' në hapjen e ekspozitës grupore të artit në Galerine 'Karisma' në Lahti të Finlandës. Albulena ka qenë e vetmja pjesëmarrëse kosovare në këtë ekspozitë. / KultPlus.com

Gepostet von KultPlus.com am Freitag, 18. September 2020

Arti i Albulenës fokusohet në dy elemente që janë edhe pjesa më e rëndësishme e jetës së saj, bëhet fjalë për figurën e gruas dhe natyrës.

Portreti i gruas e natyra me ngjyrat e këndshme që ishin realizuar nga brusha e Albulenës, nuk kishin si të mos merrnin edhe vëmendjen e medieve finlandeze, të cilët vlerësuan shumë lart lidhjen e Albulenës me natyrën. Ndër të tjera në mediet finlandeze është përmendur edhe fakti se Albulena kohë më parë ka qenë edhe pjesë e ‘The Voice of Finland’.

Albulena ka përfunduar studimet master në degën e Grafikës në Universitetin e Arteve në Prishtinë, ndërkaq me pikturë është marrë qysh si fëmijë. Ka qenë pjesë e ekspozitave të ndryshme kolektive dhe ka pasur edhe dy ekspozita personale në vitin 2018, njërën në Prishtinë dhe tjetrën në Tiranë.

Pjesëmarrja në galerinë ‘Karisma’ në Finlandë, për Albulenën është përvojë e re. Ajo ka treguar për KultPlus se në pikturat e ekspozuara në galeri ka punuar gjatë periudhës së karantinës në Finlandë. ‘Kam tetë muaj që jetoj në Finlandë, në periudhën e pandemisë kam realizuar gjithsej 12-të piktura. Pas realizimit të këtyre pikturave kontaktova shumë galeri të ndryshme dhe ishte galeria Karisma ajo që e para më dha përgjigje pozitive edhe pse pranimi në këtë galeri nuk ka qenë aspak i lehtë’, tregoi tutje Albulena për KultPlus.

Pikturat e Albulenës frymojnë jetë, të krijojnë një ambient të përshtatshëm dhe të dëshirueshëm për të qenë. Në secilën lëvizje të brushës së saj, vërehet fuqia artistike e saj. Në pyetjen se pse pikërisht elementet që trajton arti i saj është ai i gruas dhe i natyrës, Albulena është përgjigjur se është rritur në mesin e dy grave shumë të forta, ndërsa për natyrën tregon se ka një lidhje të ngushtë me bimët.

”Unë jam rritë me nënën dhe motrën time. Të dyja këto kanë qenë një model shumë inspirues për mua. Të dyja janë punëtore e të pavarura dhe gjithmonë kanë arritur qëllimin e tyre, pastaj kjo gjë sigurisht se ka reflektuar në mua dhe në artin tim’, shprehet Albulena për KultPlus.

Arti gjithmonë shpalos e përcjellë një mesazh. Herë i qaset botës në mënyrë të hapur e herë fshihet disi në skutat e veprës së realizuar, mirëpo ajo çfarë është e sigurt është fakti se gjithmonë përçon mesazhe e shpalos brendësinë e artistit.

‘Mesazhi im është që të ruajmë natyrën, e të përkrahim gruan”, potencon Albulena. / KultPlus.com

Albulena Jashari reflekton në ekspozitën ‘Akordet e çikave’ (FOTO)

Gili Hoxhaj

Piktura, kitara e CD të stolisura shpërfaqnin multidimensionalitetin e artistes Albulena Jashari. Ajo sonte solli ekspozitën e dytë personale duke e dëshmuar stilin e veçantë edhe në pikturë derisa shpalosi punimet në ambientin e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Albulena është artiste e grafikës, e muzikës dhe e kitarës, por janë këto vitet e fundit ato që e kanë tërhequr vëmendjen më të madhe të kësaj artisteje drejt pikturës. Janë tetë punime të pikturave, tri kitare të stolisura dhe pesëmbëdhjetë CD të cilat vijnë të modifikuara me stolitë personale të artistes, e të cilat ajo i ka parë si mënyrë riciklimi. Në disa nga pikturat e saj kishin zënë vend dy e më shumë portrete femrash, e në disa të tjera figura e tyre ishte e shtrirë e vetme në një pikturë. Sytë e tyre diku janë të hapur, e diku rrinë të mbyllur, kjo për artisten nënkuptonte kërkimin e ëndrrave të tyre, apo meditimin si pjesë edhe e vetë artistes. Albulena, e dëshmuar tashmë edhe si këngëtare sonte solli kitarat me të cilat ishte rritur, mirëpo duke i dhënë një qasje tejet estetike në dukje.

“Talenti i saj më ka intriguar shumë duke qenë se ne gjatë gjithë ciklit jetësor, e kemi shumë të rëndësishme që të gjejmë akordet tona dhe të kemi një harmoni me veten në mënyrë që të jemi pjesë e një sistemi më të madh, duke qenë në harmoni edhe me ato çfarë ndodhin përreth nesh’’, tha artistja Eliza Hoxha në hapjen e kësaj ekspozite, ndërsa shtoi se përshtypje i ka lënë edhe ideja e riciklimit të CD-ve duke i sjellë kështu përmes kreativitetit të saj artin vizual me atë muzikor, ku ajo edhe bën pjesë.

Albulena ekspozitën e parë personale e kishte ndarë me publikun tiranas, mirëpo ndjenja e të qenit pranë të afërmve të saj, e shoqërisë këtu në Prishtinë, po dhuronte sonte emocione të veçanta. Madje ajo thotë se me shumë emocion i ka numëruar momentet drejt ekspozitës. Çdo punim i saj sonte këtu shpërfaqte një reflektim të artistes mbi veten.

“Secila femër e vendosur në këto piktura ka diçka të Albulenës, e kam paraqitur vetveten. Janë femra të lira, të cilat vazhdojnë ta ndjekin ëndrrën e tyre, janë femra paqësore dhe të pavarura. Është një frymë se si unë jam rritur në familjen time’’, tregoi artistja Jashari për KultPlus.

Pikturat në mur përmbajnë brenda kornizave të tyre personalitetin e fuqishëm të femrës. Disa prej tyre mbajnë flokë ngjyrë blu, disa ngjyrë kafe, të kuqe, disa të bardha, disa ngjyrë të verdhë e një prej tyre nuk ka fare flokë. Veshjet, pozita, e ngjyra e trupit të tyre prekin përtej realitetit të femrës shqiptare. Përmes këtyre elementeve artistja ka prekur femrën e kulturave të ndryshme të botës.

Artiste të disa disiplinave, e konsideron Albulenën, profesori i saj Hajrush Fazliu.

Ai tha për KultPlus se artistja duke bashkuar stilizimet e veta edhe në pëlhurë e kitarë arrin të sjellë një ekspozitë shumë të veçantë.

“Përmes një stilizimi, dekoracioni e ndërlidh çdo kompozicion dhe hapësirë por si lajtmotiv kryesisht e ka femrën, e cila paraqitet gjithnjë me një zbukurim për të treguar atë që e bën gjininë e bukur vërtetë artistike”, tha profesori Fazliu në këtë ekspozitë, i cili duke qenë profesor i artistes e ka kuptuar potencialin e saj për pikturë.

Albulena Jashari përveç magjisë së pikturave, ajo nuk kishte si ta lë anash edhe muzikën të cilën e kishte shkrirë në punimet e saj. Me këngë, e vallëzime bëri që kjo mbrëmje të jetë e plotë në aspektin artistik. Ekspozita do të shoqërojë për njëzetë ditë të gjithë vizitorët e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë./ KultPlus.com

Albulena Jashari sjellë nesër ekspozitën “Akordet e çikave”

Artistja Albulena Jashari nesër do të hap ekspozitën personale të titulluar me emrin “Akordet e çikave”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të hapet në ora 17:00 në ambientin e ‘Hanit të 2 Robertëve’ në Prishtinë. Kjo është ekspozita e dytë personale e artistes Albulena Jashari pasi që ajo para rreth dy muajsh ka prezantuar rreth dhjetë piktura në ekspozitën e parë personale në Tiranë. / KultPlus.com

Një artiste nga Kosova dhe një nga Maqedonia, me ekspozita personale në Tiranë (FOTO)

E kanë zgjedhur Tiranën, pikërisht “Destil Co- working space Bar&Gallery”, që të prezantojnë punën e tyre artistike, dy artistë shqiptarë,që njëra vjen nga Kosova e tjetri nga Maqedonia,shkruan KultPlus.

E hapur më 28 nëntor, pikërisht në ditën e Pavarësisë, dy ekspozitat, por në një hapësirë të përbashkët, janë të hapura për publikun deri më 5 dhjetor.

Albulena Jashari nga Kosova, e cila njihet edhe si këngëtare dhe Verim Zendeli, janë prezantuar me veprat e tyre, të cilat janë realizuar në teknika të ndryshme.

Albulena Jashari në këtë ekspozitë është prezantuar me dhjetë piktura të realizuara në teknikën akril në pëlhurë, dhe si koncept kishte “Profile Lirike”, ku për motiv kishte femrën dhe portretin e saj.
Edhe Verim Zendeli është prezantuar me dhjetë piktura, të realizuara në teknikën akril në letër, ku nëpërmjet veprave të tij ka prezantuar “short stories”, ku në një pjesë të madhe të punimeve si motiv kishte Nudon dhe portretin .

Kjo është ekspozita e 10-të personale e Verimit, pas shumë prezantimeve nëpër qendrat botërore të artit në :Paris , New York ,Dijon ,Shkup , Prishtinë …, kurse Albulena Jashari ka prezantuar ekspozitën e saj personale për herë të parë./KultPlus.com

2po2 sjellë këngët e tij në versionin akustik (VIDEO)

Reperi 2po2 në bashkëpunim me këngëtaren Albulena Jashari, ka publikuar versionin akustik të disa prej këngëve të tij të mëparshme.

“Beso” dhe “A e din” janë disa prej këngëve të cilat reperi i ka publikuar të martën në mbrëmje./ KultPlus.com

Albulena Jashari synon majën e Festivalit “Kënga Magjike” (VIDEO)

Kjo këngë është me tekst të Dardan Islamit, e kompozuar nga Agron Peni e me orkestrim të Florent Boshnjakut, shkruan KultPlus.

Ajo është prezantuar së fundi në mesin e debutantëve për Festivalin e Muzikës “Kënga Magjike”, që mbahet tash e sa vite në Tiranë, dhe juria e këtij festivali tashmë i kanë dhënë sinjalin e parë për të vazhduar garën në këtë festival, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për këngëtaren kosovare Albulena Jashari e cila është prezantuar me këngën “Njerëzit”.
Kjo këngë është me tekst të Dardan Islamit, e kompozuar nga Agron Peni e me orkestrim të Florent Boshnjakut.

Juria e përzgjedhjes së këngëve të këtij edicioni kanë vlerësuar lartë performancën e Albulena Jasharit, por edhe për këngën kanë pas vlerësim tejet profesional./KultPlus.com