Sjellja politike e turmave të “tredhura” sipas Teodor Adornos

Shkruan Artan Fuga

Si transformohet individi në turmë të bindur nën efektin e propagandës? – sipas Teodor Adornos

Propaganda e bind individin në turmë që ky i fundit të veprojë dhe sillet edhe kundër interesave të tij. E hipnotizon pra individin dhe e trajton pastaj si do në turmë.

Individi ka nevojë të identifikohet si vetja e vet.

Por, në një shoqëri në krizë, i vetmuar, i dobët, ai ndihet inferior.

Për t’i shpëtuar inferioritetit dhe shkatërrimit psikologjik identifikohet te propagandisti kryesor, pra e sheh atë sikur të ishte Babai i tij.

Në këtë mënyrë, individi në turmë, në masë, qoftë kjo masë mitingashësh, ose telespektatorë në shtëpia, ose thjesht zgjedhës, pëson një regresion psikologjik, bëhet fëmijë dhe e sheh propagandistin kryesor, si babain e vet.

Këtu i nis dashuria-bindja libidinale për udhëheqësin – propagandist, sikurse dashuria inkoshiente për Babain simbolik, nën autoritetin e të cilit në moshën e libidos orale nis të formohet si identitet.

Individi nuk sheh më interesat e tij në mënyrë të arsyeshme sepse nis t’i bllokohet arësyeja, dhe përjeton vetëm emocionalisht, psiqikisht, nisin simptomat psikopatologjike të hyjnizimit të liderit propagandistik.

Identifikimi me liderin prodhon narcizëm, narcizmin e individit në turmë që pëlqen vetëm veten e vet, dhe narcizmin e liderit që nis të identifikohet me Babain mitologjik të kohëve primitive që kastroi individin, i trodhi, dhe i bëri të binden bijtë e vet.

Instinkti i vëllezërve të tredhur që vrasin Babain, nis të kapi individn në turmë. Ai jeton nën efektin e mitit.

Idealizon objektin e dashurisë së tij që është lideri politik propagandues si Babën e vet.

Lideri bëhet edhe ai narcist sepse sheh që turma e vëllezërve të tredhur, para tij në miting, e adhuron. Këtu nis adhurimi i vetes dhe narcizmi sepse e sheh veten në pasqyrën e thirrjeve frenetike të masës të tredhur.

Lideri propagandistik, i narcizuar si baba i kombit, i turmave, e di që turmat nuk binden me argumenta, por vetëm me slogane dhe thirrje dashurie dhe ndëshkimi. Me slogane të thjeshta, budallalliqe pa kuptim. Dashuri-Ndëshkimi i të tredhurve bëhet mekanizmi i i hipnotizimit të tyre. Këta sillen si fëmijë, pësojnë regres psikologjik duke u kthyer në moshën e çilimillëkut të hershëm dhe shohin babën në sy, që është garanti i qendrimit të nënës në shtëpi. Bebja do nënën dhe turma do krodhen e bukës, do një strehë, një rrogë, një ndihmë sociale, një bursë, një shtesë rroge.

Babai u hedh diçka sa për t’i bindur se ata janë nën mbrojtjen e tij.

Turma e tredhur, e hipnotizuar, e narcizuar, e barazuar me babain lider, që idealizon objektin që ka përpara, nën mbrojtje iluzore, infantilizohet dhe në mënyrë krejt irracionale bën çfarë i kërkojnë.

Ky është thotë i madhi Teodor Adorno mekanizmi psikologjik që i bën masat të sillen si dele, si të tredhur, kastruar, para një propagande të gënjeshtër, dhe të mos arrijnë më të mendojnë më.

Ky është, thotë, ai mekanizmi i mbajtjes të pushtetit me ndihmën e masave të hipnotizuara nga propaganda! Masa e futur nën ndikimin e propagandës ka nevojë të tallet, fyhet, poshtërohet, shkruan Adorno, dhe me ndonjë krodhe të hedhur t’i simbolizohet mbrojtja nga babai i hordhisë arkaike.

Turma nis të jetë narciste dhe do cdokënd që është në anën e vet, dhe sulmon, përjashton, godet të gjithë të tjerët. Sjellje narciste violente.

Kjo është teza e Teodor Adornos!

Individualizim

Identifikim

Projektim

Regresion

Idealizim

Narcizëm

Hipnotizim

Përjashtim

Histeri/ KultPlus.com

Artan Fuga: Kombi ynë ka pësuar frakturë brezash

Artan Fuga, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24”, duke folur për protestën për vrasjen nga policia të Klodian Rashës, tha se demonstrata nuk ka vetëm një shkak, por disa arsye, transmeton KultPlus.

“Unë dua të shprehem profesionalisht për këtë protestë. Unë them se asnjëherë nuk ka vetëm një shkak. Edhe nëse ka shtysë politike, nëse qytetaria vendosë të mos e ndjekë politikën, nuk e ndjek atë. Prsh politika thërret qytetarët e pjesëmarrja nuk është as 50 për qind. Nëse qytetari nuk i përgjigjet politikës, atëherë njeriu nuk vjen në demonstratë. Secili ka legjitimitetin për t’u shprehur”, tha Fuga.

Artan Fuga theksoi se nuk ka asgjë të keqe që opozitës i intereson të përkrahë kauzën për vrasjen e të riut.

“Opozitës politike i intereson të përkrahë protestën, aq më tepër që kauza është vrasja e të riut nga polici. Opozita do donte që ta kishte lëvizje si tharmë për mobilizim të forcave opozitare si dhe të diskretitimit të maxhorancës. Nga ana tjetër, mendoj se qeveria do të lëshojë sa më pak.Përfundimi është që varet sa qytetarë dalin në protestë. Opozita normal që përfiton. Shumë thonë se në një tjetër protestë 3 persona janë vrarë, por ky është diskutim kot. Nuk diskutohet si ka qenë gjendja në të kaluarën, por ne si qytetarë na intereson e tashmja. Ligjërimi i tillë është ofendues për qytetarin”, u shpreh Fuga.Më tej, Fuga nënvizoi se aktet e dhunës janë të dënueshme, duke shtuar se sërish vrasja nuk mund të krahasohet me disa akte dhune.

“Nuk ka njeri pro dhunës, por kur dhuna është atje, duhet parë çështja. Çdo akt dhune është një gjuhë. Kur të rinjtë nuk artikulojnë pakënaqësinë, nuk kanë zë në institucione, kur nuk kanë punë, kur kanë shumë kritika e dëgjohen shumë pak, atëherë lind edhe kjo gjuhë. Rinia është përpjekje pqër të thënë jemi edhe ne.

Kësaj rinie i duhet përgjigjur me dhënien e shanseve të barabarta, me politika për rininë krejt të tjera me këta që janë. Problemi të mos politizohet. Jemi komb që ka pësuar frakturë brezash. Të rinjtë nuk e gjejnë veten në institucione dhe struken në rrjetet sociale”, deklaroi Fuga.

Po ashtu, Fuga tha se policia mbron jetën e qytetarëve, por duhet të shikojë brenda vetes, për reformim të saj.

“Kam vërejtje edhe për maxhorancën, por kam edhe kritikë për opozitën, që duhet që të thotë reformat më konkretisht. Nuk mund të mbyllet çështja, duke thënë se ka shkuar tek familja. Nuk mund të mbyllet çështja publike me gjëra private.  Po të isha unë, do të shpallje një ditë zie kombëtare. Policia e Shtetit mbron jetën e qytetarëve, por duhet që të shohë brenda vetes, për t’u reformuar”, përmbylli Fuga. / KultPlus.com

Artan Fuga kritikon mësimin online, e quan bashkim banaliteti pedagogjik e televiziv

Përderisa Covid-19 ka kapluar botën, mësimi është digjitalizuar në çdo cikël arsimor të vendeve. Sociologu Artan Fuga e ka kritikuar mënyrën e të ligjëruarit që transmetohet në televizionin publik, shkruan KultPlus.

Fuga ka kritikuar mënyrën e ligjërimit të mësimdhënësve, duke marrë shembull njërin që i ka rastisur ta shoh në transmetimin e televizionit publik. Madje ai ka thënë se kjo formë është bashkim midis banalitetit pedagogjik dhe atij televiziv.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Artan Fugës:

Nuk bëhet kështu shkolla në televizion!

Ka disa ditë që më ka tërhequr vëmendjen emisioni për shkollën në televizionin publik shqiptar. Gjoja si zëvendësues ose ndihmës për mësimin në klasë në kohë pandemie.

Dje pata pak kohë ta ndiqja me kujdes disa minuta, sepse një i afërt më tha : Ore, shih se çfarë bëhet! Ka gallatë!

Pëllcet qeliza – thotë mësuesja!

Ishte një lemeri, një banalitet, një mediokritet i paparë! Më mirë pa mësim fare sesa me ato paçavure!

Ishte tema e mësimit në histori: Monarkia franceze!

Nuk kuptohej nëse atë mësim e kishte çertifikuar Ministria e arsimit apo ishte një show e televizionit publik, një koncert variete komike për të na bërë të qeshim.

Uroj që nxënësit të mos e kenë marrë seriozisht dhe t’i kenë kthyer kurrizin! Më mirë pa shkollë sesa me atë lloj mësimi të turpshëm, ku me taksat e qytetarëve disa institucione tallen.

Nuk e ka fajin prezantuesja, së cilës i kërkoj falje, por nuk kuptohej se për cilin cikël ishte mësimi.

Ishte mësim historie, por nuk kishte asgjë historie, më shumë një sociologji banale e feudalizmit, trajtuar si mos më keq. O Zot!

Jepej një citim, por pa pikë reference. Nuk tregohej se në cilat tekste mbështetej mësimi. Asnjë datë veç një gjë që kishte ndodhur si Traktat i Verdunit andej nga shekulli i nëntë. Asnjë shpjegim për këtë.

Asnjë datë tjetër, asnjë ngjarje madhore e përmendur, asnjë personazh veç legjendës të Zhanë d’Arkës që nuk kuptohej se çfarë ishte. Lufta 100 vjecare me Anglinë nuk kuptohej se përse u bë dhe çfarë lidhje kishte me Monarkinë.

Ngatërrohej koncepti mbret i frankëve me atë të mbretit dhe monarkisë të Francës. Veç Hygë Kapetit, sikur nuk kishte as Luigj të 14, as të 15, as të 16.

Nga monarkia hidhej në arsyetime banale për feudalizmin ku feudalët konsideroheshin rivalë të mbretit, i cili gjithë kohën paskësh qenë solidar me byrgerët e qyteteve.

Histori pa histori, monarkia paraqitej e njejtë në të gjitha kohët. A thua se Sharlëmanja nuk kishte ekzistuar fare dhe zëvendësohej me një personazh gjysmë mitologjik si Zhana.

U premtua se do të flitej për asamblenë kushtetuese, por asgjë nga historia e saj. Dukej si aneks i mbretit, siç ka qeveria jonë Kuvendin. Asnjë fjalë për Kishën Katolike dhe pushtetin e saj.

A thua se nuk kishte pasur iluministë! Nuk kishte pasur As Volter, as Danton, as Marat, asgjë prej gjëje!

U premtua se do të trajtoheshin dallimet mes monarkisë franceze dhe angleze, por asgjë nuk u tha. A thua se kanë qenë dy copa guri të palëvizshëm në mal që krahasohen me dy fjalë.

Nuk bëhej fjalë të lexohej ndonjë dokument historik, të jepeshin pjesë të ndonjë dokumentari, të sugjeroheshin romane a lexime, të jepej me skemë historia dhe gjenealogjia e ngjarjeve historike, të tregohej shtrirja gjeografike në kohëra të ndryshme, të tregoheshin mekanizmat e oborrit, të taksave, të ushtrisë, të kështjellave të mëdha.

o Zot, thashë, këta nuk heqin dorë nga Turi, këta nuk kanë dinjitet, nuk dinë se bëjnë krime.

Cfarë bën televizioni publik shqiptar? Pse pranon të tilla surrogato, pse bëhet palë me këto emisione ku banaliteti dhe mediokriteti të bëjnë të vjellësh! Kush vazhdon të tallet me arsimin e rinisë shqiptare edhe pasi dikush që u tall disa vjet më në fund u zbyth.

Në televizion ne po shohim aktin e parë të dramës që prodhon Turin në maturë.

Turi maturi!

Turi imaturi!

Turi aguridhja!

Pasi bëhen këto lloj mësimesh sigurisht në fund pyetjet do të jenë:

A e ke parë filmin me D’Artanjanin?

Kush aktor e ka luajtur rolin e tij në filmin Tre Moskjeterët?

Lutem jepini fund këtij banaliteti!

Këtij maskaralliku televiziv!

Këtij bashkimi midis banalitetit pedagogjik me banalitetin televiziv! /KultPlus.com

Artan Fuga: Hija e teatrit do ju ndjeki

Nga Artan Fuga

Sot, pas katastrofës, miq nuk ka cfarë them, ndaj mos më pyesni!
Teatri dukej i lëshuar qysh para disaditësh!
Mirupafshim!
Te na rrojë retorika hipokrite!

A thua se politika është tërheqje litari, kala dibrançe, a shtyrje me muskuj. Me vjen keq veç Tiranës sonë që i shkatërruan vlerat në mënyrë kriminale, pa ligj, edhe për ata njerëz të sinqertë të pamanipuluar dhe aspak hipokritë që e kaluara jonë arkitekturale ju dhemb!
Hija e teatrit do ju ndjeki

Unë pres nga opozita të deklarojë që ;
në momentin që do të ketë fuqi, do ta ringrejë ndërtesën po aty, siç ka qenë, moderne e ultramodern nga brenda! Duke e hequr çibanin që po i ze vendin!

Që do e përballi këtë çështje juridikisht sapo Shqipëria të jetë me sistem drejtësie, jo ta braktisi sikurse bëri me reformën e pushtetit lokal, me ligjin për arsimin e lartë, jo sikurse la fushatën zgjedhore në 2017 -ën, sikur la në baltë betejën për zgjedhje të drejta në universitete!

Vija e kuqe kundër arbitraritetit nuk mund të ishte ruajtja e ndërtesës të Teatrit! Janë diskutimet që po bëhen nja një kilometër më larg ku po braktisen zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta, reale me lista të hapura!
Kush na bërtet se shteti i sotëm është diktaturë!!! Që nuk duhet njohur?
Nga ana tjetër negocion si midis të barabartësh për kodin zgjedhor pa zgjedhje dhe pa zgjedhës???
Cfarë hipokrizie politike!!!

Aty është vija e kuqe! Mos i ngatërroni vijat ! Merrni njerën për tjetrën!
Po nuk bëri këto premtime, atëhere më mirë të heshti!
Qendrojmë në fatin tonë ! Secili në punë të vet! / KultPlus.com

Artan Fuga: Covid19 dhe filozofia

Shkruan: Artan Fuga

Covid19 dhe filozofia
————————-

Kjo dramë që ka pllakosur, pra covid19, tregoi dobësinë e të gjitha shkencave dhe teknologjive të njeriut, por edhe fuqinë e filozofisë!

Cfarë dije e urtë mijravjecare! Solide si shkëmb!

Atë filozofi që ne e kemi përdhosur, e kemi hequr nga formimi universitar i studentëve, atë filozofi që i çon drejt e në papunësi studentët që diplomohen atje.

Sepse e kam thënë. Në Shqipëri më kollaj gjen punë si hoxhë, prift, dervish sesa si filozof.

Filozofi jeton në dramë dhe tragjedi kur të tjerët jetojnë në qejf dhe moskokëçarje sepse ai jeton brenda universit të dijeve filozofike.

Kurse kur tragjedia vjen, filozofi qendron i qetë sepse i duket si diçka që pritej mos sot nesër!

Filozofia në një anë dhe tregu dhe puna në anë tjetër. Pa lidhje!

Shoqëri idiote!

Filozofia e vërtetë, jo ai delirimi halucinant i disave që kujtojnë se bëjne filozofi kur përdorin terma që as vetë nuk dinë se çfarë janë…, nuk delka nga moda, nuk vdiska, vdes dhe ringjallet!

Tragjeditë e mëdha të njerëzimit janë monumente të filozofisë. Por, në ato caste njerëzit e papërgatitur nisin flasin budalliqe, kurse sapo tragjedia dhe halli kolektiv kalon, nuk kujtohen më për filozofinë, por e kanë mendjen te bëhen avoketër, bankierë, a nuk e di se çfarë, shumë mirë, por filozofinë nisin e përbuzin, e hedhin tej, e përcmojnë si Hirushen, si Sirenën, si Kësulkuqen në gojë të Ujkut.

Filozofia ngrihet nga nëntoka atje varrosur pikërisht kur toka kthehet përmbys!

Ndofta nuk jeton dot ndryshe!

Njeriu budalla nuk e mban dot mbi kurriz filozofinë!

Artan Fuga: Nga ditari i dytë i Ana Frankut

Shkruan Artan Fuga: Nga ditari i dytë i Ana Frankut
———————-
Nuk e mendoja se do të më duhej ta rihapja fletoren time të vjetër dhe ta vazhdoja atë ditar që e lashë të pambaruar atë vit të largët 42. Kujtova, sapo erdhën SS për të na marrë se askush nuk do ta gjente më atë. Por, ai u bë i njohur në të gjithë botën.

Përsëri e mbyllur. Thonë ka mësyrë një armik i egër që nuk gjurmon dhe vdes vetëm ne hebrenjtë, por të gjithë njerëzit.Të gjitha vajzat dhe djemtë e moshës sime janë mbyllur nëpër shtëpi. Prindërit nuk dalin më jashtë. As ne nuk na lejojnë të dalim.

Mbi të gjitha nuk na lejojnë t’u afrohemi, të na vijnë për vizitë ose të shkëmbehemi me njerëz të tjerë.

Të jenë ribërë të gjithë spiuna vallë si atëhere kur na kallzonin te Gestapo-ja?

Cfarë të keqe mund të na bëjnë ata që u fshihemi? Cfarë duan të na marrin?

Nuk e kuptoj dot sepse sapo jam zgjuar nga një gjumë disadekadash, por diçka ndodh me të gjithë. Mua më pengojnë të dal te luaj në oborr. Shkolla është mbyllur. Më mungojnë shokët dhe shoqet.

Dëgjova babanë që tha : “Mjafton njeri të kapet dhe rrezikohemi të gjithe!”. Kush të na kapi? Ku do të na çojnë? Cfarë torturash do të na bëjnë?

“Mos tako asnjeri, bëj sikur nuk i sheh! ” – i tha mamit kur ajo shkoi të blinte ujë!

Kanë ardhur ditë të këqia. Njerëzit janë bërë të ftohtë me njeri tjetrin. Bëjnë sikur nuk e njohin njeri tjetrin. As dorën nuk e japin, as puthen më në faqe kur shihen. Dikush i vrojton për të parë se kush lidhet me kë!

Habitem sepse dhe në shtëpinë tonë ka hyrë një ftohtësi e madhe mes nesh. Askush nuk më puth më, nuk më kreh flokët, nuk më afrohet. Secili ka pjatën e vet, gotën e vet, pirunin dhe lugën e vet!

Pse kanë frikë nga unë? E vetmja që më afrohet është macja ime Kula! Nuk e mendoja që një ditë ajo do të më mbetej e vetmja që do të më jepte pak ngrohtësi. Ah sikur të isha mace edhe unë!!!

Gjyshi ka mbetur vetëm në shtëpinë e tij disa lagje më tutje: “Mos ja zgjat shumë – dëgjova mamin që i tha babit – foli me skype, por të mos vijë këtu!”

Pse është bërë kaq mizore? Dikur ne fshiheshim bashkë nga nazistët, kurse tani secilli për vete!

Po e mbyll për sot, ora e shtetrrethimit po afron. Në rrugën që shoh nga dritarja e dhomës nuk qarkullojnë veçse autoblinda!

Komshija e katit të tretë kërkoi kripë në telefon. “Po ta le te parvazi i shkallës! ” i tha mami. “Jo, jo, nuk do të takohemi! Ti hajde merre pasi të iki unë!”

Diçka po ndodh, ta shoh në ditët në vazhdim si do të vazhdojë jeta ime