Europa Nostra letër Ministres së Kulturës së BE-së: Dënoni shembjen brutale të Teatrit

Organizata Europa Nostra i është drejtuar me një letër Ministes së Kulturës së BE-së, Nina Obuljen – Korzinek. Në të shkruhet se BE-ja duhet të reagojë sa më parë dhe të dënojë ashpër shembjen brutale të Teatrit Kombëtar.

Organizata shprehet se Ministrja e Kulturës duhet t’ua bëjë të ditur këtë gjë të gjithë anëtarëve të Këshillit Evropian përpara se të mbahet mbledhja e nesërme me Këshillin e Ministrave të BE-së. Europa Nostra risjell në vëmendje të gjithë luftën e gjatë të artistëve dhe se i ka bërë disa herë thirrje qeverisë shqiptare për të dialoguar përpara marrjes së ndonjë vendimi të pakthyeshëm, siç ishte shembja e Teatrit.

“Europa Nostra, Zëri Europian i Shoqërisë Civile i përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore, dëshiron të përcjellë te Ministrat e Kulturës të BE-së shprehjen e dënimit tonë të fortë për këtë akt brutal. Ne besojmë se 17 maji ishte një ditë e trishtuar për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe në Europë në tërësi. Dhe ishte gjithashtu një ditë e trishtuar për demokracinë dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në Europë në tërësi”, shkruhet në letër.

Ndër të tjera thuhet se qeveria shqiptare shfrytëzoi situatën e krijuar nga Covid-19 dhe masat e izolimit për t’ja arritur qëllimit për shembjen e Teatrit.

Letra e plotë

Hagë, 18 maj 2020

Në vëmendjen personale urgjente të

Zonja Nina Obuljen – Koržinek

Ministre i Kulturës

Ushtruese e Detyrës së Kryetarit të Këshillit të Ministrave të BE-së

Re: Dënim i fortë i shembjes brutale të Teatrit Kombëtar Shqiptar në Tiranë

E nderuar zonja Ministre,

E nderuar zonja Kryetare e Këshillit të Ministrave të BE-së,

Në prag të mbledhjes së nesërme (përmes video konferencës) të Këshillit të Ministrave të BE-së, në të cilën Ministrat e Kulturës të BE-së pritet të miratojnë konkluzionet e Këshillit mbi “Nxitjen e bashkëpunimit evropian në lidhje me trashëgiminë kulturore në rrezik”, ju bëjmë thirrje që të transmetoni tek të gjithë anëtarët e Këshillit të BE-së dënimin tonë më të fortë për shembjen brutale të Teatrit Kombëtar në Tiranë që u zhvillua dje.

Siç mund ta dini, një aleancë e madhe e përbërë nga artistë, intelektualë, ekspertë të trashëgimisë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë luftuar – për disa vjet tani – për ruajtjen (me rinovim të nevojshëm) të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Europa Nostra ka shprehur mbështetjen e tyre për këto përpjekje qysh në vitin 2018, gjatë Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore dhe ka përcjellë shqetësimet tona për prishjen e planifikuar të këtij Teatri tek autoritetet më të larta të Shqipërisë. Kohët e fundit, Teatri Kombëtar në Tiranë është përfshirë në listën e vitit 2020 të 7 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë. Kjo u bë publike në 24 Mars 2020 bashkërisht nga Europa Nostra dhe nga partneri ynë i paçmuar Instituti Europian i Bankës së Investimeve. Komisioni Europian – përmes Komisionerit të BE Mariya Gabriel, ka shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për mbrojtjen e të gjitha vendeve të përfshira në Listën tonë, përfshirë Teatrin Kombëtar në Tiranë.Sponsored by Revcontent.

Pas përshkallëzimit të rrezikshëm të situatës së javës së kaluar të shkaktuar nga transferimi i përgjegjësisë për Teatrin në Bashkinë e Tiranës dhe një vendim për prishjen e Teatrit – marrë pas dyerve të mbyllura – nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Europa Nostra bëri një deklaratë publike duke kundërshtuar çdo përpjekje për prishjen e një ndërtese emblematike të vendosur në ansamblin historik të mbrojtur në qendër të Tiranës, dhe të mbështetur nga ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile. Komisionerja e BE, Mariya Gabriel, të nesërmen u kërkoi autoriteteve shqiptare që të angazhohen në një dialog konstruktiv me shoqërinë civile dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore përpara se të marrin ndonjë vendim të pakthyeshëm. Për më tepër, Presidenti i Republikës kishte parashtruar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të Këshillit Bashkiak për prishjen e Teatrit.

Në vend që të merrnin kohë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të tyre, dhe të hapnin dialogun me shoqërinë civile dhe ekspertët, autoritetet shqiptare vendosën të shfrytëzojnë ditën e fundit të masave të veçanta të urgjencës shëndetësore të ndërmarra si përgjigje për pandeminë COVID19, për të shkatërruar Teatri. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, 17 maj, ata dërguan një numër të madh policësh për të rrethuar Teatrin dhe për të arrestuar rreth 30 artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile që kanë mbrojtur teatrin 24/24 orë në ditë për dy vitet e fundit. Ata gjithashtu kanë dërguar buldozerë për të prishur brutalisht teatrin: jo vetëm që ata fshinë dhe shndërruan në rrënoja një bazë të rëndësishme të historisë së hershme të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë, por edhe të gjitha objektet dhe arkivat që formonin një pjesë të kujtesës së këtij institucion i rëndësishëm kulturor.

Europa Nostra, Zëri Europian i Shoqërisë Civile i përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore, dëshiron të përcjellë te Ministrat e Kulturës të BE-së shprehjen e dënimit tonë të fortë për këtë akt brutal. Ne besojmë se 17 maji ishte një ditë e trishtuar për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe në Europë në tërësi. Dhe ishte gjithashtu një ditë e trishtuar për demokracinë dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në Europë në tërësi.

Ne i kërkojmë Ministrat e BE-së të ritheksojnë që mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe e kujtesës sonë kulturore dhe historike përfaqëson një nga vlerat themelore të BE-së dhe të shprehë solidaritetin e tyre me të gjithë qytetarët në Shqipëri, të cilët janë të përkushtuar për ruajtjen e identitetit kulturor të vendit të tyre, i cili bën pjesë në historinë dhe kulturën e përbashkët dhe të larmishme të Evropës.

Ne gjithashtu kërkojmë nga Ministrat e Kulturës të BE të insistojnë në rëndësinë e kulturës dhe trashëgimisë kulturore brenda procesit të vazhdueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Europa Nostra qëndron në dispozicion të Këshillit të Ministrave të BE-së, dhe të të gjitha institucioneve të BE-së për të nxitur bashkëpunimin europian për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, si një katalizator i fuqishëm për të ardhmen e Evropës, për të cituar Manifestin tonë të Ditës së Evropës të miratuar më 9 maj 2020.

Me respekt dhe përzemërsi i juaji,

Presidenti Ekzekutiv Dr Hermann Parzinger

Kopje për:

Zonja Mariya Gabriel, Komisioneri e BE-së për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Edukimin, Rininë dhe Sportin

  1. Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin
  2. Josep Borrell, Zëvendës President i KE & Përfaqësues i Lartë për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë. / KultPlus.com

Jonila Godole mbi shembjen e teatrit: Politika e la kastile për ta shkatërruar

Drejtorja ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, theksoi në “Ilva Now” se protesta e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit nuk është politizuar.

Ajo nënvizoi se kauza e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar jetoi gjatë dhe kjo sipas saj është për t’u admiruar. 

“Unë nuk e shoh të politizuar, por  mendoj se funksioni i Partisë Demokratike është aty ku ka kauza. Kjo ishte një kauzë e saktë, e drejtë dhe që do të mbetet gjatë në histori. Me të vërtetë kishin një lloj shprese dhe qyetarët e mbështetën këtë lëvizje për teatrin për një kohë të gjatë. Kjo ishte një rezistencë, që u çuditën se si rezistoi kaq gjatë”, tha ajo.

Ajo shtoi më tej se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka dy rrugë; ose të bashkohet me opozitën, ose të shndërrohet në parti politike. Pedagogia, Jonila Godole, u shpreh se godina mbante shumë simbolikë, ndërsa shtoi se mospërkujdesja 30-vjeçare për atë, tregoi dhe faktoi se qëllimi parësor ka qenë rrënimi dhe jo restaurimi i saj.

Në fund Godole theksoi se me këtë akt kreu i bashkisë, Erion Veliaj do mbahet mend si personi përgjegjës që firmosi shkatërrimin e godinës.

“Ajo godinë u la qëllimisht pa i vënë dorë 30 vjet, ajo donte restaurim, por nuk mund të zhdukej si godinë. Ajo godinë më dhemb edhe për një gjë tjetër: ajo ishte një godinë simbolike. Ajo ka qenë që para luftës. Politika nuk e ka mbështetur dhe e ka lënë kastile për ta shkatërruar. Më vjen keq, pasi ai (Erion Veliaj) do të mbahet mend si një person jo vetëm që vendosi firmën, por edhe në mes të natës e shembi në mënyrë tinëzare”, theksoi ajo. /euronews/ KultPlus.com

Edmond Budina: Sot u ktheva në skenën e krimit, më vranë gjënë më të shtrenjtë, por nuk do ta lëmë me kaq

Regjisori Edmond Budina, një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar ndjehet si i kthyer në një skenë krimi, aty ku i kanë vrarë gjënë më të shtrenjtë.

“Ndjehem sot si një njeri që kthehet në skenën e krimit, ku i kanë vrarë mbase gjënë më të dashur që ka pasur në jetë. Është e dhimbshme të shikosh këto eskavatorë që gërryejnë dhe e fshehin atë që dy ditë më parë e thanë me gojën e tyre, që duhet të shpëtohet gardëroba, ekuizita… Të gjithë pasurinë e atij teatri u varrosën në ato rrënoja, revoltohesh nga ky xhest”,- tha ai.

Në një intervistë për gazetaren e News 24 Fatmira Nikolli, Budina thotë ndër të tjera se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk do ta lëjë me kaq këtë cështje.

“Këtu ka interesa të fshehta, interesa mafioze por nuk do i lëmë kështu. E di që vendin e kanë lënë pa Gjykatë Kushtetuese, por nuk e lëmë me kaq këtë cështje, do ta ndjekim cështjen ndërkombëtarisht. Do i drejtohemi Strasburgut, gjykatave ndërkombëtare, Komisionit Europian pasi duket tashëm që Shqipëria është bërë vend i pastrimit të parave të pista, dhe shqiptarët e ndershëm nuk e meritojnë këtë”. / BalkanWeb / KultPlus.com

Aktorja mes lotësh teksa shembej teatri: Çfarë do t’i themi studentëve, të rinjve që kanë një ëndërr?

Mes lotësh ka qenë dje aktorja Ermira Gjata, e fotografuar me një pamje dhimbjeje të madhe në fytyrë, dje, teksa u shemb Teatri Kombëtar.

Ka qenë e bija e saj, e njohur nga të gjithë si Zhaku, ajo që postoi foton duke treguar me një shënim në rrjetet sociale se mëngjesi i së dielës nisi me të qara.

E emocionuar dhe me një dridhje të zërit, Gjata u shpreh se me atë vendim ditën e djeshme janë shembur rrënjët e identitetit.

“Kur pashë që fadroma po shembte Teatrin edhe tani kur e kujtoj emocionohem. Çfarë do t’i themi studentëve, të rinjve që kanë një ëndërr? Atyre që duan të bëhen aktorë? Edhe pse ata e dinë që në këtë Shqipëri është e vështirë të bëhesh aktor dhe pavarësisht kësaj kanë zgjedhur të ndjekin këtë rrugë. Atyre që u kam thënë që është tempull më i shenjtë i aktorëve, ajo godinë mbart rrënjë të identitet shqiptar, një kulturë e trashëguar prej 70 –vjetësh. Arroganca e këtyre njerëzve dërrmon çdo lloj emocioni dhe nuk duan t’ia dinë fare. Akoma shpresoj se mund ta rikonstrukturojnë”, u shpreh Gjata, në një intervistë për “ABC e Mëngjesit”. / KultPlus.com

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, denon fuqishëm aktin e shëmbjes së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë

Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, denon fuqishëm aktin e shëmbjes të godinës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, nga pushteti sot në Tiranë (ende pa u gdhirë) dhe dhunën e përdorur kundër artistëve e aktivistëve, mbrojtës të këtij monumenti.

Skena të tilla, të rikthejnë në kujtesë ngjarjet e shekullit të kaluar, kur sistemet diktatoriale orvateshin të mbijetonin duke përdorur shfrenueshëm aparatin e dhunës mbi popujt liridashës, të cilat akte janë të papranueshme të ndodhin në shekullin e 21, në një vend që pretendon të aderoj në Bashkimin Evropian, union ky i përbër nga shtetet me demokracitë më të përparuara të botës.

Akti i goditjes dhe zvarritjes në ërresirë i artistëve: Edmond Budina, Neritan Liçaj, Robert Budina, Mehdi Malka etj, të krijon imazhin surreal të skenave të dhunshme në produksionet filmike, ku simulimi i dhunës përdoret për ta vetëdijesu publikun nga pasojat që ajo ka, por përdorimi i sajë si mjet sot mbi artistët dhe tempullin ku ata shpërfaqnin artin e tyre, është jasht ç’do realiteti të pranueshëm njerëzor dhe qytetrues.

Fatkeqësisht e ter kjo dhunë, u përdor për shëmbjen e një vepre shpirtërore dhe historike, një vepre të marrë nën mbrojtje nga organizatat më prestigjioze që merrën më ruajtjën e trashëgimisë kulturore në kontinent, si Europa Nostra.

Paradoksalisht para pak vitësh drejtuesit e pushtetit në Shqipëri, më arsyetimin e rikthimit të kujtesës historike, transferuan disa bunker nga kodrat për rreth në qënder të Tiranës, ndërkohë që në emer të ” ngritjes së modernës ” të njëjtit pushtetarë që sollën reliktet e diktaturës pranë sajë, shbën simbolin e frymimit kulturor dhe historik të artit skenik shqipëtar.

Shëmbja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë është sulm mbi trashëgimin, kulturën dhe historinë materiale të vendit e ku në mungesë edhe të sajë, shqipëtaret do të vazhdojnë ta pasqyrojnë historinë e tyre nëpermjet burimeve tjeta dytësore.

Sot më shëmbjen e kësaj godine u rrënua një simbol i papërseritshem historik, por u ringrit shpirti liridashës i një vendi, i cili u ushqy pa rreshtur për dy vjet më radhë, nga qëndrestarët e kësaj kauze. / KultPlus.com

Artan Fuga: Hija e teatrit do ju ndjeki

Nga Artan Fuga

Sot, pas katastrofës, miq nuk ka cfarë them, ndaj mos më pyesni!
Teatri dukej i lëshuar qysh para disaditësh!
Mirupafshim!
Te na rrojë retorika hipokrite!

A thua se politika është tërheqje litari, kala dibrançe, a shtyrje me muskuj. Me vjen keq veç Tiranës sonë që i shkatërruan vlerat në mënyrë kriminale, pa ligj, edhe për ata njerëz të sinqertë të pamanipuluar dhe aspak hipokritë që e kaluara jonë arkitekturale ju dhemb!
Hija e teatrit do ju ndjeki

Unë pres nga opozita të deklarojë që ;
në momentin që do të ketë fuqi, do ta ringrejë ndërtesën po aty, siç ka qenë, moderne e ultramodern nga brenda! Duke e hequr çibanin që po i ze vendin!

Që do e përballi këtë çështje juridikisht sapo Shqipëria të jetë me sistem drejtësie, jo ta braktisi sikurse bëri me reformën e pushtetit lokal, me ligjin për arsimin e lartë, jo sikurse la fushatën zgjedhore në 2017 -ën, sikur la në baltë betejën për zgjedhje të drejta në universitete!

Vija e kuqe kundër arbitraritetit nuk mund të ishte ruajtja e ndërtesës të Teatrit! Janë diskutimet që po bëhen nja një kilometër më larg ku po braktisen zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta, reale me lista të hapura!
Kush na bërtet se shteti i sotëm është diktaturë!!! Që nuk duhet njohur?
Nga ana tjetër negocion si midis të barabartësh për kodin zgjedhor pa zgjedhje dhe pa zgjedhës???
Cfarë hipokrizie politike!!!

Aty është vija e kuqe! Mos i ngatërroni vijat ! Merrni njerën për tjetrën!
Po nuk bëri këto premtime, atëhere më mirë të heshti!
Qendrojmë në fatin tonë ! Secili në punë të vet! / KultPlus.com