Në Argjentinë protestohet kundër mbylljes së shkollave dhe kalimit në mësimin online

Qindra njerëz në Argjentinë protestuan ndaj pezullimit të qeverisë të arsimit ballë për ballë për shkak të përkeqësimit të fundit të situatës së krijuar nga pandemia e Coronavirusit (COVID-19), transmeton KultPlus.

Qindra njerëz u mblodhën tek obelisku “Obelisco” në qendër të kryeqytetit Buenos Aires me thirrjen e opozitës, duke protestuar kundër qeverisë së presidentit të Argjentinës, Alberto Fernandez, dhe masave të marra pasi rritjes së shifrave të rasteve të Coronavirusit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Po arsimit ballë për ballë” dhe “Hapini shkollat” shkruante në disa nga pankartat e mbajtura nga protestuesit, të cilët po ashtu brohorisnin slogane kundër qeverisë.

Protesta u mbajtën gjithashtu përpara rezidencës presidenciale, Rezidencës Olivos, si dhe në vende të ndryshme në Buenos Aires. Demonstratat vazhduan deri vonë.

Presidenti argjentinas Fernandez më 15 prill njoftoi një seri masash të reja kundër pandemisë, pasi rastet me COVID-19 arritën nivelet më të larta në vend.

Në mesin e masave janë pezullimi i arsimit ballë për ballë, kufizimi i qarkullimit jashtë nga ora 20:00 deri në orën 06:00 dhe mbyllja e qendrave tregtare.

Fernandez njoftoi se masat e reja vlejnë për Rajonin Metropolitian Buenos Aires (AMBA), që përfshin kryeqytetin Buenos Aires, ku jetojnë rreth 15 milion njerëz, dhe 40 rrethe të tjera. Rajoni është më i populluari në vend dhe më i prekuri nga COVID-19. / KultPlus.com

Nagavci: Mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi, të ndihmohen nxënësit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është deklaruar për fillimin e procesit mësimor, pas pushimit pranveror, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë.

Ajo ka bërë thirrje që të ndihmohen nxënësit të mësojnë nga distanca.

“E di se përkundër përpjekjeve, mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme, por ajo mund e duhet të ketë edhe avantazhet e veta. Andaj bashkë me kujdesin për shëndetin fizik e mendor duhet të punojmë edhe për të arritur rezultate në mësim”, shkruan ajo ndër të tjera.

Postimi i saj i plotë:

Pandemia që na ndau fizikisht na jep dhe një mundësi të punojmë shumë bashkërisht.

Përballja me Covid -19 nuk ka qenë e lehtë, sfidat të shumta, e pasojat duket se do t’i shohim e ndjejmë edhe për një kohë të gjatë. Por, sot ju thërras që të jemi bashkë, ju lus të fokusohemi tek ajo që duhet të bëjmë të gjithë, të angazhohemi për të ndihmuar fëmijët e nxënësit tanë. Sepse për fëmijët duhet të gjejmë rrugën e mjetet për të fituar secilën betejë, edhe ato më të vështirat.

Pas pushimit pranveror, sot në bankat shkollore janë kthyer filloristët. Ata do të vazhdojnë mësimin e rregullt dhe jemi njoftuar se të gjitha objektet shkollore janë dezinfektuar e do të mirëmbahen vazhdimisht duke ofruar kushte të sigurta për mësimdhënie e mësimnxënie. Ndërkaq pjesa tjetër e nxënësve, pra ata të klasave VI-XII, këtë javë mësimin do ta zhvillojnë në distancë.

E di se përkundër përpjekjeve, mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme, por ajo mund e duhet të ketë edhe avantazhet e veta. Andaj bashkë me kujdesin për shëndetin fizik e mendor duhet të punojmë edhe për të arritur rezultate në mësim. Covid-19 na e ndryshoi jetën, andaj natyrshëm se po ndryshon dhe mësimdhënien e mësimnxënien. Nuk kemi analiza e studime të detajuara, por s’do mend se shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu si duhet e si dëshirojmë,  kjo duhet të na motivojë të punojmë më shumë e më mirë.

Kjo është një përvojë e re për shumicën e shkollave gjithandej në botë, por duke mësuar e duke u përballur me të rejat edhe zhvillohemi. Andaj ta shohim si mundësi e të shfrytëzojmë më të mirën e mundshme.

Për të gjithë puna do të jetë me intensitet të shtuar, menaxhmenti dhe gjithë stafi i shkollave, zyrtarët komunal e ata të ministrisë, duhet të jenë në nivelin më të lartë të detyrës. Megjithatë,  mësimdhënësit e prindërit e kanë barrën më të rëndë në këtë proces të mësimit në mënyrë virtuale, duhet shumë punë, duhet bashkëpunim e angazhim  nga të dyja palët e që shpresoj se nuk do të mungojë.

Virusi ka goditur më së shumti grupet e cënueshme të margjinalizuara që hasin në sfida të shumta që duhet adresuar. Shkollimi është së pari edukim prandaj duhet ta shfrytëzojmë masat e rekomanduara për të ndërgjegjësim për shëndetin, për kujdesin për njëri-tjetrin, për respektin e detyrimet që kemi si individ e komunitet.

Jam e vetëdijshme se s’do të jetë gjithnjë e lehtë, por duhet të jetë e mundshme. Mbështetja jonë do të jetë e plotë, ashtu sikurse dhe kërkesa për të qenë në nivelin më të lartë të detyrës.

Të mbështesim fëmijët/nxënësit tanë të jenë sa më të suksesshëm në këtë mësimnxënie e rutinë të re, të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të mos lëmë asnjë prapa me mësime.

Shëndet e suksese në gjysmëvjetorin e dytë! / KultPlus.com

Artan Fuga kritikon mësimin online, e quan bashkim banaliteti pedagogjik e televiziv

Përderisa Covid-19 ka kapluar botën, mësimi është digjitalizuar në çdo cikël arsimor të vendeve. Sociologu Artan Fuga e ka kritikuar mënyrën e të ligjëruarit që transmetohet në televizionin publik, shkruan KultPlus.

Fuga ka kritikuar mënyrën e ligjërimit të mësimdhënësve, duke marrë shembull njërin që i ka rastisur ta shoh në transmetimin e televizionit publik. Madje ai ka thënë se kjo formë është bashkim midis banalitetit pedagogjik dhe atij televiziv.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Artan Fugës:

Nuk bëhet kështu shkolla në televizion!

Ka disa ditë që më ka tërhequr vëmendjen emisioni për shkollën në televizionin publik shqiptar. Gjoja si zëvendësues ose ndihmës për mësimin në klasë në kohë pandemie.

Dje pata pak kohë ta ndiqja me kujdes disa minuta, sepse një i afërt më tha : Ore, shih se çfarë bëhet! Ka gallatë!

Pëllcet qeliza – thotë mësuesja!

Ishte një lemeri, një banalitet, një mediokritet i paparë! Më mirë pa mësim fare sesa me ato paçavure!

Ishte tema e mësimit në histori: Monarkia franceze!

Nuk kuptohej nëse atë mësim e kishte çertifikuar Ministria e arsimit apo ishte një show e televizionit publik, një koncert variete komike për të na bërë të qeshim.

Uroj që nxënësit të mos e kenë marrë seriozisht dhe t’i kenë kthyer kurrizin! Më mirë pa shkollë sesa me atë lloj mësimi të turpshëm, ku me taksat e qytetarëve disa institucione tallen.

Nuk e ka fajin prezantuesja, së cilës i kërkoj falje, por nuk kuptohej se për cilin cikël ishte mësimi.

Ishte mësim historie, por nuk kishte asgjë historie, më shumë një sociologji banale e feudalizmit, trajtuar si mos më keq. O Zot!

Jepej një citim, por pa pikë reference. Nuk tregohej se në cilat tekste mbështetej mësimi. Asnjë datë veç një gjë që kishte ndodhur si Traktat i Verdunit andej nga shekulli i nëntë. Asnjë shpjegim për këtë.

Asnjë datë tjetër, asnjë ngjarje madhore e përmendur, asnjë personazh veç legjendës të Zhanë d’Arkës që nuk kuptohej se çfarë ishte. Lufta 100 vjecare me Anglinë nuk kuptohej se përse u bë dhe çfarë lidhje kishte me Monarkinë.

Ngatërrohej koncepti mbret i frankëve me atë të mbretit dhe monarkisë të Francës. Veç Hygë Kapetit, sikur nuk kishte as Luigj të 14, as të 15, as të 16.

Nga monarkia hidhej në arsyetime banale për feudalizmin ku feudalët konsideroheshin rivalë të mbretit, i cili gjithë kohën paskësh qenë solidar me byrgerët e qyteteve.

Histori pa histori, monarkia paraqitej e njejtë në të gjitha kohët. A thua se Sharlëmanja nuk kishte ekzistuar fare dhe zëvendësohej me një personazh gjysmë mitologjik si Zhana.

U premtua se do të flitej për asamblenë kushtetuese, por asgjë nga historia e saj. Dukej si aneks i mbretit, siç ka qeveria jonë Kuvendin. Asnjë fjalë për Kishën Katolike dhe pushtetin e saj.

A thua se nuk kishte pasur iluministë! Nuk kishte pasur As Volter, as Danton, as Marat, asgjë prej gjëje!

U premtua se do të trajtoheshin dallimet mes monarkisë franceze dhe angleze, por asgjë nuk u tha. A thua se kanë qenë dy copa guri të palëvizshëm në mal që krahasohen me dy fjalë.

Nuk bëhej fjalë të lexohej ndonjë dokument historik, të jepeshin pjesë të ndonjë dokumentari, të sugjeroheshin romane a lexime, të jepej me skemë historia dhe gjenealogjia e ngjarjeve historike, të tregohej shtrirja gjeografike në kohëra të ndryshme, të tregoheshin mekanizmat e oborrit, të taksave, të ushtrisë, të kështjellave të mëdha.

o Zot, thashë, këta nuk heqin dorë nga Turi, këta nuk kanë dinjitet, nuk dinë se bëjnë krime.

Cfarë bën televizioni publik shqiptar? Pse pranon të tilla surrogato, pse bëhet palë me këto emisione ku banaliteti dhe mediokriteti të bëjnë të vjellësh! Kush vazhdon të tallet me arsimin e rinisë shqiptare edhe pasi dikush që u tall disa vjet më në fund u zbyth.

Në televizion ne po shohim aktin e parë të dramës që prodhon Turin në maturë.

Turi maturi!

Turi imaturi!

Turi aguridhja!

Pasi bëhen këto lloj mësimesh sigurisht në fund pyetjet do të jenë:

A e ke parë filmin me D’Artanjanin?

Kush aktor e ka luajtur rolin e tij në filmin Tre Moskjeterët?

Lutem jepini fund këtij banaliteti!

Këtij maskaralliku televiziv!

Këtij bashkimi midis banalitetit pedagogjik me banalitetin televiziv! /KultPlus.com

‘Cili shtet u kushtëzon studentëve mësimin online dhe nuk i ofron themeloren, energjinë elektrike?’

Institucionet arsimore të vendit si shkak i Covid-it po vazhdojnë me ligjëratat online. Mirëpo, kjo formë e të mësuarit ka edhe vështirësi të shumta, e një ndër to është shkëputja e energjisë elektrike në vend, shkruan KultPlus.

Si rezultat i kësaj, studentëve po iu pamundësohet pjesëmarrja në ligjërata. E një nga ta, është edhe Shpresa Hasimi, studentja e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, e cila ka reaguar nëpërmjet një statusi në profilin e saj.

Sipas saj mësimi online nuk po mund të zhvillohet në mënyrë të duhur si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, andaj ajo kërkon zgjidhje e jo ankesa që rinia po largohet nga vendi.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin:

Mësim online?!

Cili shtet u kushtëzon studentëve mësimin online dhe nuk i ofron themeloren, energjinë elektrike?

Kush është përgjegjës/e për dy ligjëratat që nuk mund t’i mbaja sot, si shkak i ndaljes së rrymës?

Apo, me të vërtetë nuk iu intereson fare se si po zhvillohet ky mësim, e ia bëni qejfin vetes gjoja se çdo gjë po shkon “perfekt”?!

Mos u mundoni të mashtroni veten me gjëra të tilla, por bëni zgjidhje!

Bëni zgjidhje, nëse dëshironi që të mos iu kthehet “boomerang” fëmijëve tuaj në të ardhmen.

E krejt në fund, mos u ankoni që rinia po largohet, ju nuk po lejoni as të shkollohemi./KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës do të vazhdoj me mësim të kombinuar, fizikisht dhe online

Universiteti i Prishtinës ka marrë vendim që të vazhdoj mësimin e kombinuar, fizikisht dhe online varësisht sipas gjendjes në vazhdimësi, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Universitetit të Prishtinës.

“Njoftoheni se në mbledhjen e mbajtur më 7 tetor, Senati i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim që për shkak të pandemisë COVID-19, procesi mësimor (ligjëratat, mësimi klinik, ushtrimet laboratorike dhe numerike apo mësimi nga fusha e arteve) të mbahet në formë të kombinuar (fizike ose online)”, thuhet në njoftim.

Çdo Fakultet në kuadër të Universitetit të Prishtinës do të shqyrtoj mundësitë se cila formë e mësimit do të jetë ajo adekuatja, varësisht sipas gjendjes me Covid 19. Deri më tani ligjëratat në këtë Universitet janë zhvilluar online, ndërkaq provimet kanë qenë të kombinuara disa fizikisht e disa nëpërmjet komunikimit virtual./KultPlus.com

Likaj për fillimin e mësimit online në veri: Vendimet e autoriteteve të Kosovës vlejnë për të gjithë qytetarët njëjtë

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se shteti i Kosovës tashmë e di që komunat veriore ka nisur mësimin edhe pse autoritetet kanë vendosur që një gjë e tillë të mos bëhet deri më 14 shtator, shkruan KultPlus.

Komunat në veri të Kosovës tashmë kanë filluar mësimin nga distanca duke u bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, kurse Likaj gjatë vizitës në shkollën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë ka potencuar se vendimet e qeverisë vlejnë njëlloj për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ministria e Arsimit, Qeveria e Kosovës është qeveri e të gjithë qytetarëve të saj. Ne kemi marrë informacione se ata kanë filluar mësimin online. Kjo është politikë 20 vjeçare, e cila nuk është zgjidhur. Ne nuk e kemi shkopin magjik. Jemi duke e bërë më të mirën edhe për ta”, u shpreh ai.

Së bashku me Likajn, në vizitë ishte i pranishëm edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj.

Ministria e Arsimit në fund të këtij muaji kishte marrë vendimin që mësimi në të gjitha shkollat e vendit të filloj me datën 14 shtator. / KultPlus.com

Ministria e Arsimit kërkon 1000 mësimdhënës shtesë për fillimin e vitit shkollor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të mundësojë angazhimin e 1000 mësimdhënëseve me pagesë për vitin e ri shkollor, që pritet të fillojë më 1 shtator.

Angazhimi i këtyre mësimdhënësve, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, duhet të vlejë vetëm gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.

Enver Osdautaj, këshilltar i lartë politik në kabinetin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky numër i mësimdhënësve duhet të jenë si staf rezervë në rast të infektimit me koronavirus apo izolimit të mësimdhënëseve të rregullt.

“Ne kemi kërkuar angazhim të rregullt të mësimdhënësve më gjysmë pagesë, vetëm për periudhën e pandemisë. Kemi kërkuar nga Qeveria që të mbështes me 1000 mësimdhënës si staf rezervë dhe staf teknik, varësisht nga nevojat. Këta mësimdhënës do të punojnë vetëm në rrethana pandemie. Këta janë mësues plotësues për të plotësuar nevojat varësisht prej situatave që vijnë dhe shpërndarja e tyre në nivel shteti bëhet në bazë të numrit të nxënësve nëpër drejtori komunale të arsimit”, tha Osdautaj.

Rritjen e stafit të personelit arsimor, për fillimin e procesit mësimor e ka kërkuar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Ymret Reshiti, kryetar i këtij Këshilli, në një bisedë për Radio Evropa e Lirë, tha se përveç infektimit të mundshëm me sëmundjen COVID-19 të mësimdhënëseve, stafi i ri duhet të ndihmojë edhe në rast të marrjes së vendimit për ndarjen e nxënëseve në dy ose tri klasa.

“Do të thotë mos të jetë barrë e një mësimdhënësi që të punojë në një klasë në tri grupe, sidomos e kemi fjalën për ato klasa që kanë numër të madh të nxënësve”, tha Reshiti.

Përveç kërkesës për 1000 mësimdhënës shtesë më pagesë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar edhe nga Universiteti i Prishtinës, konkretisht nga Fakulteti i Edukimit, që studentët të ndihmojnë në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Këtyre studentëve do u njihet praktika, proces ky që është obligim për përfundimin e fakultetit. Ndërsa, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, para 10 ditësh, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar gatishmërinë e këtij fakulteti, për të ndihmuar Ministrinë e Arsimit në procesin e mësimit.

Skenarët për fillimin e vitit të ri shkollor

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme.

Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin, vendimi për këtë varet nga situata epidemiologjike në vend, thotë Osdautaj duke shtuar se te shumica e drejtorive komunale të arsimit, janë të gatshme të fillojnë me kthimin e nxënëseve në shkolla.

Opsionet mund të zbatohen nga komunat varësisht hapësirës nëpër objektet shkollore dhe gjendjes epidemiologjike në vend.

“Jemi takuar me shumicën e drejtorive komunale dhe të gjitha përgatitjet janë bërë që të fillohet procesi mësimor. Dhe më inkurajon besimi që kanë dhe vullneti që të provohet skenari A.

”Ne jemi duke shqyrtuar edhe një opsion që më 1 shtator të fillohet me klasat nga 1 deri në 5. Edhe ashtu ky është rekomandim i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike pastaj të fillohet më grupet tjera, me 14 shtator është opsioni tjetër. Por, ta shohim të fillojmë me të gjitha klasat. Mirëpo, skenarët do të përshtaten me kushtet e pandemisë”, tha Osdautaj.

KB: Gati gjysma e shkollave në botë kanë mungesë të ujit dhe sapunit për duar

Edhe Këshilli i Prindërve në Kosovë, preferon kthimin e nxënëseve në shkolla, por gjithmonë duke respektuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për masat mbrojtëse ndaj COVID-19, thotë Reshiti.

Masat mbrojtëse janë mbajtja e maskave, respektimi distancës dhe mbajtja e higjienës personale.

“Ne si këshill, është e natyrshme që mbështesim Skenarin A, fillimi i vitit shkollor nëpër banka, të gjithë nxënësit nga klasa e parë e deri tek shkollat e mesme, duhet ti nënshtrohen shkollimit në objektet e shkollës. Për ne kjo është mënyra më e mirë dhe më e dëshirueshme edhe për nxënës, por edhe në aspektin e përfitimit të njohurive në mënyrë të kompletuar. Por, nëse rritet numri i personave të infektuar më COVID-19, ne duhet të pranojmë edhe versionin B.” tha ai

Qytetarët: Numri i lartë i rasteve të të infektuarave, rrezik për nxënësit

Disa qytetarë në Prishtinë, ndërkaq vlerësojnë se kthimi i nxënëseve në hapësirat e shkollave, sidomos nxënësit e shkollave të mesme, mund të rris shkallën e infektimit më koronavirus.

Qamil Dili, i cili tregon se ka nipa dhe mbesa në shkollë, frikësohet se me hapjen e shkollave mund të rrezikohen nxënësit.

“Sikur të ishte zbutur situata me koronavirus, do të ishte shumë mirë të kthehen fëmijët në shkolla, sepse kemi mbetur shumë mbrapa më mësim. Por, në këtë gjendje, kur numri i rasteve është në rritje, unë frikësohem se do të rritet edhe më shumë numri, pasi tashmë po vërehet se të infektuar janë edhe më moshat e reja”, thotë Dili.

Ngjashëm mendon edhe Osman Metushi:

“Unë jam që mos të hapen shkollat, sepse mund të përhapet epidemia”, shprehet Metushi.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube.

Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor. / KultPlus.com

Lutfi Haziri: S’mund të ndërtojmë arsim online në Kosovë, s’kemi përvojë e kapacitete teknologjike

Përpos parandalimit të përhapjes së COVID-19, Komuna e Gjilanit e ka në prioritet të lartë sektorin e arsimit, këtë javë, e cila vije nga takimi online me kryeministrin Hoti dhe përfaqësuesit e komunave.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë të mërkurën se po shqyrtohen seriozisht tri opsionet e MASH’it, por ka shtuar se nuk është në përgjegjësinë e tyre se cili nga këto opsione do të duhej të implementohet, për normalizim të sistemit të arsimit.

“Unë mbetem i përkushtuar që arsimi duhet të normalizohet me vijueshmëri të rregullt në shkollë, por duhet të gjendet modaliteti që të parandalohet përhapja e infeksionit. Është e paqëndrueshme të pretendohet që mund të ndërtojmë arsim online në Republikën tonë, pa kurrfarë kapacitete, përvoje e mundësie teknologjike. Edhe ashtu, sistemi arsimor në Kosovë në rrafshin e vlerësimit të PISA’s, është shumë keq dhe pandemia mund ta përkeqësojë”, ka thënë
Haziri.

Ai ka theksuar se arsimtarët, prindërit, nxënësit dhe institucionet komunale, duhet të mobilizohen në gjetjen e rrugës më të mirë, në mënyrë që testi i arritshmërisë, regjistrimi i nxënësve dhe fillimi i shkollës të normalizohet në kushte pandemie. / KultPlus.com

Viti i Ri shkollor veç online, paralajmëron ministri


Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka deklaruar se mbase viti i ri shkollor do të duhet krejtësisht të zhvillohet online.

Likaj, derisa ka qëndruar në vendlindjen e tij në Deçan, ka deklaruar se ky plan po përgatitet, nëse situata me COVID-19 nuk ndryshon deri në shtator.
“Jemi duke u përgatitur për planin B që nënkupton që ndoshta në shtator do të detyrohemi ta fillojmë mësimin në distancë apo mësimin online dhe për këtë kemi bërë edhe plane konkrete… si ministri e Arsimit kemi ndarë një paketë rreth një milion euro për blerjen e teknologjisë informative”, deklaroi Likaj.

Ministri i Arsimit tha se prioritet kanë edhe gjithë-përfshirjen në arsimin parashkollor./Insajderi.com/ KultPlus.com

Afër 10 përqind e fëmijëve në Kosovë nuk i ndoqën mësimet online

Llogaritet se rreth 10 për qind e fëmijëve në Kosovë nuk kanë pasur qasje në mësimin në distancë. Kështu thotë eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci.

Ai thotë se kjo shifër ka dalë sipas disa hulumtimeve dhe bëjnë pjesë kryesisht në grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Ai thotë se ndonëse për një kohë të gjatë fëmijët nuk kanë qenë fizikisht në shkollë, mësimi në distancë ka arritur të mos krijojë boshllëk, por jo në të gjitha mjediset.

“ Për fat të mirë nuk ka qenë boshllëk i plotë. Kemi pasur mësimin në distancë i cili një pjesë të mirë të këtij boshllëku e ka përmbushur, jo në të gjitha mjediset njësoj duhet ta kemi të qartë. Ka familje që i ka tre ose katër fëmijë dhe e ka vetëm një kompjuter dhe nuk munden ata të hyjnë të tretë në zoom në të njëjtën kohë. Te familjet e  tilla sigurisht që shkaktohen pasoja. Ka që nuk kanë fare qasje në teknologji. Vlerësohet se diku 10 % të nxënësve në Kosovë nga grupet e margjinalizuara nuk kanë marrë pjesë në mësimin në distancë sipas disa hulumtimeve që janë bërë”, tha ai.

Sipas tij në situata të tillë ka mundësi dhe kuptim që të kompensohet mësimi.

“Aty ka mundësi dhe ka kuptim të organizohet një formë e ta quaj mësimit kompensues qoftë në qershor apo korrik. Por nëse shihet mundësi e fillimit të vitit shkollor më herët as kjo nuk mund të bëhet sepse nuk ka hapësirë kohore. Atëherë duhet të ju njihet çfarë kanë mësuar deri më 11 mars është ndërprerë shkolla”, shtoi ai.

Pupovci vlerëson se me tu sqaruar rrjedha e pandemisë duhet të analizohet se si duhet të vazhdohet tutje.

“Unë mendoj se me tu sqaruar rrjedha e pandemisë duhet të ulen Ministria e Arsimit, me Institutin dhe të mundohen ta parashohin zhvillimin e ngjarjeve them ashtu për një periudhë të një vjeçare. Nëse dyshohet se mund të jetë një valë e re e pandemisë ndoshta më mirë është që të fillohet më herët me vitin shkollor, të fillohet në fillim të gushtit. Ende nuk është e qartë se a do të kenë njerëzit të shkojnë në pushime, a do të hapen kufijtë, pastaj një numër i madh i qytetarëve aq shumë është dëmtuar ekonomikisht saqë i vështirë do të jetë organizmi i shkuarjes në pushime. këto modalitete duhet të shqyrtohen”,shtoi ai.

Sipas tij kompensim i mësimit mund të bëhet te fëmijët që nuk kanë pasur mundësi ta ndjekin mësimin në distancë.“Kompensim mund të ketë nevojë për fëmijët që nuk kanë pasur mundësi ta ndjekin mësimin në distancë. Sepse ata që e kanë ndjekur mësimin në distancë dhe tu përsëriten gjërat të cilat pak ose shumë i kanë mësuar përmes mësimit në distancë nuk më duket shumë efektive”, është shprehur ai.

Pupovci vlerëson se nga kjo kohë kemi nxjerrë edhe mësime.

Sipas tij shumë njerëz kanë pasur dyshime rreth përdorimit të teknologjisë nga ana e mësimdhënësve.

Ai tha se kjo tregoi se mësimdhënësi munden mirë ta përdorin teknologjinë.

“Cilësia e arsimit në Kosovë është e brishtë edhe në situatën normale dhe kur e ke një cilësi të brishtë nuk do të thotë se një ndërprerje e shkurtër të dëmton aq shumë. Në rastin e Kosovës kjo duhet të shihet si një mundësi e mirë sepse njerëzit te ne kanë vënë shumë dyshime në përgatitjen e shkollave tona, të mësimdhënësve tonë rreth përdorimit të teknologjisë. U pa që në momentin nuk pati zgjidhje tjetër që mësimdhënësit tonë nuk po e përdorin teknologjinë. I gjetën të gjitha programet për një periudhë shumë të shkurtër dhe i përdorën. Unë mendoj se kjo është një përparësi. Nxënësit nëse kanë humbur nga mësimi i rregullt në shkolla kanë përfituar nga pavarësimi sepse në këto tre muaj ata janë mësuar t’i qasen problemit në mënyrë më të pavarur. Krahas këtyre dobësive kemi edhe disa elemente që mund t’i quajmë pika të forta dhe këto duhet të shfrytëzohen. Edhe nëse fillon mësimi në mënyrën më normale të mundshme në shtator të themi se nuk ka më pandemi unë mendoj se shkollat tona nuk kanë nevojë të heqin dorë nga shfrytëzimi i teknologjisë”, tha ai.

Sipas Pupovcit, pas pandemisë do të ishte mirë që të bëhej një kombinim mes mësimit virtual dhe atij kur nxënësi është i pranishëm në klasë.

“Tashmë nxënësit janë mësuar që t’i dorëzojnë detyrat përmes e-mailit, ta vazhdojmë këtë praktikë. mos t’i themi asaj të vjetrës se duhet me doemos mësuesja gjatë orës. Ajo mund të bëhet në situata p.sh ndodhë shpesh dimrit ndërpritet mësimi për shkak të borës, ja më nuk kemi nevojë ta ndërpremë sepse u mësuam e organizojmë ato orë në distancë sepse është krijuar kultura e organizmit të mësimit në distancë, mësuesit tonë tani dinë të bëjnë video nëse ka nevojë. Tani më ka video sepse i ka prodhuar MASHTI. Edhe në Shqipëri është prodhuar nr i madh i videove dhe këto mund të shfrytëzohen në një situatë krize meteorologjike.  Pra thjeshtë unë mendoj se nga kjo periudhë ka përfitime që duhet të shfrytëzohen”, tha ai./EO / KultPlus.com

MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, përmes një statusi në Facebook ka treguar që falë punës ekipore dhe vullnetarëve të shumtë, MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi.

Ajo tutje ka bërë thirrje që të rrini në shtëpi dhe të mësoni nga shtëpia.

“Falë punës ekipore dhe vullnetarëve të shumtë, të cilët po punojnë pa kursyer asgjë, MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi.

Janë mbi 200 mësimdhënës, vullnetarë dhe zyrtarë të Ministrisë, të cilët po punojnë vikendeve e festave që kjo të bëhet e mundur.

Janë këta që po rrezikojnë jetët e tyre që ju të mësoni nga shtëpia.

Andaj ju bëjmë thirrje: #mësoningashtëpia #rrininështëpi.”  / KultPlus.com

Nga sot nis mësimi online në Kosovë

Nga sot do të nis mësimi online në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Hykmete Bajrami.

Bajrami tha se mësimi do të filloj nga ora 11:15, dhe do të transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës.

“Mësimi online do të fillojë të transmetohet nesër me dt.23.03.2020, ditë e hënë, nga ora 11:15, fillimisht me klasën I-rë, dy njësi mësimore (Gjuhë amtare dhe Matematikë), pastaj vazhdon me klasën II-të, dy njësi mësimore, pastaj me klasën III -të, e kështu me radhë edhe për klasët tjera ”

“Në RTK 1 shkon një herë në ditë me fillim nga ora 11:15, kurse në RTK 4 do të përsëriten videot për atë ditë, dy herë gjatë ditës.”

Kjo masë është ndërmarrë nga MASHTI për shkak të gjendjes me koronavirus në Kosovë, në më mënyrë që nxënësit të mos humbin nga procesi mësimor. / KultPlus.com

Zv.ministri i Arsimit tregon se çfarë po bëhet për mësimin online

Ministria e Arsimit është duke u përpjekur që të ofrojë mësim online për nxënësit. E gjithë kjo pas situatës së krijuar nga shfaqja e virusit COVID-19.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Jusuf Thaçi tha se janë të vetëdijshëm për situatën e jashtëzakonshme dhe se duhet vepruar shumë shpejtë.

“Por gjithashtu jemi të vetëdijshëm se çfarëdo që ofrojmë duhet të përmbushë disa standarde minimale, duhet të jetë e qasshme për të gjithë dhe duhet të jetë sa më e thjeshtë/lehtë për përdorim”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë:

ÇFARË PO BËHET PËR MËSIMIN ONLINE NË KOSOVË?

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) është duke punuar intensivisht për të ofruar mësimin online për nxënësit e Kosovës. Jemi të vetëdijshëm që jemi në situatë të jashtëzakonshme dhe duhet të veprojmë shumë shpejt, por gjithashtu jemi të vetëdijshëm se çfarëdo që ofrojmë duhet të përmbushë disa standarde minimale, duhet të jetë e qasshme për të gjithë dhe duhet të jetë sa më e thjeshtë/lehtë për përdorim. Nisur nga këto, MASHTI është duke punuar në këtë drejtim duke u bazuar në disa parime (ende të pa-zyrtarizuara):
1. Materialet mësimore/ mësimi online duhet të jenë në përputhje me kurrikulat dhe plan-programet (sa më shumë që është e mundur).
2. Materialet mësimore/ mësimi online që ofrohet duhet të përfshijë shumicën e përmbajtjeve mësimore që parashihen me procesin e rregullt arsimor (shumicën e fushave kurrikulare, lëndëve dhe njësive mësimore – sidomos ato më kryesoret).
3. Materialet mësimore/ mësimi online do të jetë i centralizuar, në mënyrë që të jetë i uniformuar për të gjithë nxënësit (së paku për këtë fazë derisa të mund të aktivizohen të gjitha instancat prej nivelit të ministrisë deri në nivel mësimdhënësi).
4. Do të jetë një adresë e vetme e krijuar nga ministria, në të cilën do të mund të hyjnë të gjithë nxënësit për mësimin online/ materialet mësimore, në mënyrë që nxënësit/prindërit të mos kenë konfuzitet.
5. Qasja në materialet mësimore/ mësimin online do të jetë shumë e thjeshtë (pa regjistrim, pa llogari në internet, pa user, pa password, etj.). Me tre klika nxënësi duhet të arrijë te njësia mësimore (prej momentin kur hyn në ueb: 1. Klasa – 2. Lënda – 3. Njësia mësimore).
6. Materialet mësimore/ mësimi online duhet të jetë i organizuar shumë thjesht, në mënyrë që nxënësi të mund ta gjej shumë lehtë atë që e kërkon, si dhe duhet të jetë i qasshëm nga nxënësi në çdo kohë.
7. Materialet mësimore/ mësimi online duhet të jetë i qasshëm nga të gjitha llojet e pajisjeve teknologjike të mençura që kanë qasje në internet (PC, laptop, tablet, smart phone, smart TV, etj.).
8. Duhet t’i ofrohet qasje në materialet mësimore/ mësimin online edhe atyre që kanë pajisje teknologjike, por që nuk kanë qasje në internet (WIFI) në shtëpi, duke ofruar 4G vetëm për adresën që dërgon te materialet mësimore/ mësimi online.
9. Materialet mësimore që ofrohen nuk mund të jenë një-dimensionale, por duhet të kenë së paku përmbajtjen kryesore (video-ligjëratë ose tekst të njësisë mësimore), si dhe së paku një aparaturë didaktike minimale (ushtrime, detyra, pyetje, etj. për njësinë mësimore).
BAZUAR NË PARIMET E SIPËR-PËRMENDURA DEL SE:
1. NA DUHEN mësimdhënës të mirë dhe përdorues të mirë të teknologjisë (klasët 1-12), me të cilët do të prodhojmë materiale mësimore. DKA e Komunës së Prishtinës është duke na ndihmuar në këtë drejtim dhe sipas nevojës do t’i kontaktojmë edhe DKA-të dhe shkollat tjera (për shkak të kufizimit të lëvizjes jemi fokusuar vetëm në Prishtinë njëherë).
2. NA DUHEN materiale mësimore (video-ligjërata, tekst-ligjërata, ilustrime, udhëzime, ushtrime, detyra, pyetje, etj.) për klasë dhe lëndë të ndryshme, nëse ndokush ka të gatshme, të cilat janë sa më shumë në përputhje me kurrikulat e plan-programet dhe të cilat mund të përdoren si materiale themelore (jo materiale plotësuese, anësore e aksesore – së paku jo për këtë fazë).
3. NUK NA DUHEN platforma vetëm për infrastrukturë nëse nuk kanë përmbajtje mësimore të gatshme, sepse (së paku për këtë fazë) kemi në dispozicion falas mënyra të thjeshta e të qëndrueshme për t’i plasuar përmbajtjet mësimore te nxënësit.
4. NUK NA DUHET presion nga publiku për të bërë diçka shpejt dhe shkel-e-shko, sepse na duhet të bëjmë diçka sa më mirë që mundemi për rrethanat ekzistuese dhe sa më shpejt që mundemi, por jo më shpejt se që mundemi (keni parasysh që për shkak të situatës edhe mundësitë e takimeve dhe koordinimeve të mëdha i kemi shumë të kufizuara).
SQARIME SHTESË:

Nuk jemi duke e injoruar askënd që po na ofron ndihmë (i falënderojmë sinqerisht të gjithë), por në këtë fazë jemi duke u fokusuar vetëm në ndihmën e atyre që mund të na ndihmojnë për të zbatuar planin dhe parimet e vendosura nga MASHTI. Veç kësaj, për shkak të situatës, jemi të detyruar të punojmë në grupe sa më të vogla, prandaj nuk po mund t’i thërrasim në takime të gjithë ata që na lajmërohen për ndihmë, për të cilën gjë ju kërkojmë ndjesë dhe mirëkuptim!
Gjithë t’mirat!

P.S.: Për aq kohë sa këto që sipër-thashë nuk zyrtarizohen me vendim të ministrisë, këto mund të merren thjesht si sqarim i imi për publikun, meqë shumë persona po më kontaktojnë në lidhje me këto çështje dhe nuk po kam kohë e mundësi t’ju përgjigjem secilit në detaje. / KultPlus.com