‘Carmina burana’ opera e balet në një shfaqje, marrëdhënia burrë-grua nga dorëshkrimi benediktin te muzika e fuqishme

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ngjit në skenë një opera- balet me koreografi e skenografi të Youri Vamos. “Carmina Burana”, shfaqja me muzikë të kompozitorit gjerman Carl Off, sjell një dialog mes një burri dhe një gruaje, të tërhequr nga njëri-tjetri dhe në kërkim të vazhdueshëm. Erotizmi, dhuna, gënjeshtra do të ndiqen nga dashuria.

“Koncepti i koreografisë ndërtohet mbi poezitë, sensualitetin, dhe mistikën. Kompozitori i ka kthyer poezitë në muzikë. Kjo pjesë i bën lëvizjet e stilit modern e kontemporan pjesë të një baleti klasik, për të krijuar një narrativë në skenë dhe për të sjellë edhe marrëdhënien e një burri me një grua. Shoh që ka energji të re te balerinët ndërsa koreografia bashkon muzikën, jetën dhe kërcimin në skenë edhe përmes një loje dritash”, – tha Carlos Montalvan, Baletmaester

Solistët, Orkestra Simfonike, Trupa e Baletit, Kori i TKOB-së, Kori i Zërave të Bardhë dhe Formacioni Vokal i Forcave të Armatosura janë pjesë e shfaqjes që bën bashkë në skenë njëkohësisht mbi 200 artistë në dytë ditë.

“Një vepër e bukur se ka balet, kor, orkestër dhe vepër e madhe dhe angazhimin i gjithë artistëve dhe ka emocion të jashtëzakonshëm. risia më e bukur janë solistët e rinj dhe perfomanca do të jetë e jashtëzakonshme”, tha Adela Muccollari.

Vepra zuri fill kur kompozitori gjerman Off, nxitur nga dorëshkrim i rëndësishëm të shekullit të trembëdhjetë, të gjetur në një manastir benediktin në Bavari shkroi muzikën e njohur të “Carmina Buranës”. Në një anë thirrja “O fortuna”, ndaj perëndeshës së fatit përmes potencës muzikore e në tjetrën, elementët e koreografisë, pantomimës dhe oratorios e bëjnë veprën ndër më të veçantat./balkanweb/KultPlus.com

13 janar 1963, premiera historike e baletit ‘Halili dhe Hajria’

Data 13 janar e vitit 1963 ishte historike.

Po këtë ditë u dha premiera e Baletit të njohur “Halili dhe Hajria, baleti i parë shqiptar që hapi siparin e baleteve tjera kombëtare që do të pasonin më vonë.

Baleti u vu në skenë nga kompozitori Tish Daija dhe baletmaestër Panajot Kanaçi. Dirigjent: Mustafa Krantja. Solistët e baletit ishin: Ganimet Vendresha, Xhemil Simixhiu, Miltiadh Papa, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Estref Shaqiri, Albert Janku dhe Engjell Tershana.

Halili dhe Hajria është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar.

Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj.

Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi.

Drama “Halili dhe Hajria” është shkruar në vitin 1949 nga Kolë Jakova. Ajo pasqyron trimërinë e luftëtarëve të Malësisë së Madhe në ndeshje me pushtuesit turq, në shekullin XVIII. / KultPlus.com

58 vjet nga vënia në skenë e baletit të parë shqiptar, ​’Halili dhe Hajria’

“Halili dhe Hajria” është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar.

Ishte 13 janari i vitit 1963, kur kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja e një grup i madh artistësh, vunë në skenë baletin “Halili dhe Hajria”.

Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi) Zoica Haxho, ndërsa në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, Skënder Jazexhiut, etj.

Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj.

Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të 150-n herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë.

Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë, ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. / KultPlus.com

Shfaqja franceze “Tordre” solli një vallëzim bashkëkohor për publikun kosovar (FOTO)

Një skenografi e thjeshtë, e përqendronte të gjithë vëmendjen tek dy valltarët. Me një ritëm të ngadaltë fillojnë lëvizjet e tyre duke bredhur rreth skenës, e ndonjëherë duke u ndeshur në sy, për t’i lenë më pas skenën njëra-tjetrës.

Gili Hoxhaj

Loja e shfaqjes “Tordre”e cila u shfaq mbrëmë në kuadër të programit France Danse Orient Express bëri që publiku kosovar të shijoi një shfaqje të dytë të vallëzimit bashkëkohor francez, shkruan KultPlus.

Skena e Teatrit Oda dukej sikur të dërgonte në një udhëtimi marramendës, përmes lojës mahnitëse që ngërthente në vete kjo shfaqje me koreografi të Rachid Ouramdane dhe nën interpretimin e balerinëve Annie Hanauer dhe Lora Juodkaiten.

Një skenografi e thjeshtë, e përqendronte të gjithë vëmendjen tek dy valltarët. Me një ritëm të ngadaltë fillojnë lëvizjet e tyre duke bredhur rreth skenës, e ndonjëherë duke u ndeshur në sy, për t’i lenë më pas skenën njëra-tjetrës.

Annie Hanauer, vjen e zbathur dhe me flokët e saj që sillen gjatë lëvizjeve të trupit të saj. Vallëzimi i saj vjen më i frenuar, me një siguri dhe saktësi të plotë, herë duke u ngjitur për toke e herë duke u ngritur për ta drejtuar trupin e saj me çdo tingull të muzikës që dëgjohej në sfond. Ajo vije për herë të parë në Ballkan dhe mbrëmë solli interpretimin e parë për publikun e Prishtinës.

“Është shumë e veçantë të jesh këtu dhe ta takosh audiencën e Kosovës, është shumë kënaqësi që të vish dhe të ndash punën tënde me njerëzit këtu dhe të pritesh me kaq shumë ngrohtësi. Kjo që sollëm sonte është një punë shumë personale, kemi punuar shumë për se afërmi me koreografin Rachid, ishte diçka që vinte nga sytë e tij që lidhej me atë se çfarë ai e shihte në sytë tanë, pra ajo çfarë patë ishte nga brendësia e neve të dyjave. Kemi pasur shumë bashkëpunim me njëra-tjetrën për ta arritur këtë”, tha Hanauer për KultPlus.

Lora Juodkaite, valltarja lituaneze mbrëmë dhuroi shumë magji përmes vallëzimit të saj, të ndërthurur me rrëfimin e saj personal. Ajo sillej derisa zëri i saj tregonte për lirinë që ajo ndiente rreth rrotullimit, dhe kujtonte se si në fëmijëri brenda qilimit të dhomës së saj e kishte shndërruar të sillurit në zakon. Rrotullimi i saj dukej se tretej me shpejtësi në hapësirë, e shpesh dukej se duart e saj tejkalonin brenda trupit të saj, e shumëfishoheshin në skenë. “Edhe kur jam e lodhur, edhe kur jam e sëmurë, unë sillem”, ishin fjalët që pëshpëriste me zë derisa sillej.

“Unë sillem që kur isha fëmijë, kam ardhur në këtë botë e tillë dhe vazhdoj edhe sot të sillem. Thjeshtësia dhe origjinaliteti është ajo që po i mungon kësaj bote. Esenca e kësaj performance është të jetë e thjeshtë, e pastër dhe të mos ketë asgjë false, asgjë shtesë… jemi vetëm ne me ju. Ne ndamë me publikun atë çfarë ne jemi. Rrotullimi im në skenë është diçka përtej asaj që mund të shpjegohet”, tregoi ajo për KultPlus.

Një performancë e tillë nga balerina lituaneze po vinte për herë të parë në Kosovë, për të marr një energji të mahnitshme nga publiku.

“Nuk kam udhëtuar ndonjëherë më parë rreth Kosovës, energjia e publikut ishte e mahnitshme. Është një gjë shumë e mirë të ndash kohën me publikun dhe po ashtu të shohësh mënyrën e jetesës këtu, ne gjithashtu ishim në studion e Baletit Kombëtar dhe e pamë se kushtet në të cilat punohet këtu janë shumë të vështira dhe në një far mënyrë jemi të lumtura që vijmë këtu për të sjellë përkrahjen tonë dhe shpresoj që kemi sjellë për të sjellë pak pozitivitet dhe energji”, shpjegoi tutje Lora Juodkaite për KultPlus.

Kësaj mbrëmje Ambasada e Republikës së Francës në Kosovë i kishte paraprirë me organizimin e një spektakli më 7 tetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës me baletin e Angjelin Preljocaj.

“Ky program ka për qëllim të promovoi vallëzimin, baletin dhe teatrin duke punuar me partnerë vendor. Jemi shumë të lumtur që kemi arritur një bashkëpunim me botën e baletit, të vallëzimit këtu në Kosovë”, ishin fjalët hyrëse të ambasadorit francez Didier Chabert.

Florent Mehmeti, drejtor i Teatrit Oda tha se ky teatër po bën përpjekje që për shikuesit e vet të ofroj diçka që nuk është shumë e madhe si produksion në Kosovë.

“Kjo është për me tregu që edhe ma herët edhe tash po ndërthurim plane për zhvillimin e vallëzimit bashkëkohor në Kosovë por edhe të disiplinave të tjera që nuk janë shumë prezente në Kosovë”, u shpreh Mehmeti. /KultPlus.com

Angjelin Preljocaj mahnit publikun shqiptar me “Un trait d’Union”

Mes emocionesh dhe duartrokitjesh pafund, Pallati i Koncerteve priti mbrëmjen e kaluar premierën botërore të koreografit të famshëm, Angjelin Preljocaj, me idenë e jetës së njeriut brenda universit.

Premiera ndërkombëtare e krijimtarisë së tij të re që deri dje mbahej “sekret”, shoqërohet nga rimarrja e duo-s mashkullore të vitit 1989 “Un trait d’Union”, një kërcim trup me trup “poetik dhe pasionant” i shkruar mbi muzikën koncertore të J.S. Bach dhe i interpretuar nga Glenn Gloud.

Në shfaqjen e Preljocaj ishin të pranishëm perfaqësues të lartë të politikës shqiptare si, kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ambasadorja e Francës në Shqipëri etj

Pjesa e parë e programit solli në skenë dy kërcimtarë, një balet të krijuar në vitin 1989. Krejt e kundërta e ‘Dasmës’ e pranishme në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe duke ardhur në këtë mënyrë me një krijim të ri. Po ashtu, duke e shfaqur këtë të fundit jashtë pavionit të zi,
vendit të krijimit të Preljocaj, sikurse është shprehur ky i fundit.

Me një karrierë të çmuar ndërkombëtare, koreografi me origjinë shqiptare e nisi nga kryeqyteti shqiptar udhëtimin e premierës së veprës së tij më të fundit me titull “Still-life” (“Natyrë e qetë”).

Baleti i titulluar ‘Stil life’ zgjati 50 min dhe erdhi si një tablo e natyrës së vdekur, natyrës së qetë. Përmes lëvizjeve dhe jetës në skenë, koreografi foli për kohën që kalon, jetën, vdekjen dhe pasionin, por edhe për kotësinë, një nga karakteristikat e njeriut postmodern.

Mjeshtri i baletit bashkëkohor, franko-shqiptari Angjelin Preljocaj foli më herët për premierën e tij botërore, duke nisur turin nga Tirana: “Trait d’Union & Création”.

“Sa herë vij këtu jam si në shtëpi, por si Shqipëria si Franca më kanë dhuruar shumë. Për këtë ndjehem sikur të kisha dy burime brenda shpirtit, secili kërkon dhe gjen rrugën për t’u shprehur brenda meje. Kur kthehem këtu jam shumë i gëzuar, sepse është diçka e rrënjosur, edhe është shumë e vërtetë. Jo më kot e kam zgjedhur këtë pjesë. Baleti flet për kohën që kalon, për jetën vdekjen dhe pasionin”.

Koreografi i “Preljocaj Balet”, kompanisë së krijuar nga ai dhe e njohur ndërkombëtarisht, tashmë në trupën e tij ka edhe një shqiptar tjetër, Redi Shtyllën, që performoi mbrëmjen e kaluar. Shfaqja u realizua me ndihmën e ambasadës së Francës dhe ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Balerini i famshëm Angelin Preljocaj, nga Franca vjen në Prishtinë

Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, do të organizojë një mbrëmje të jashtëzakonshme të shfaqjes së baletit nga balerini Angelin Preljocaj në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Të dy pjesët “Un Trait d’Union & Création 2017” do të shfaqen të shtunën më 7 tetor në orën 20:00, shkruan KultPlus.

Angelin Preljocaj, koreograf francez me prejardhje shqiptare, është sot një nga artistët më të shquar të vallëzimit bashkëkohor ndërkombëtar. Baleti i tij do të performojë në Prishtinë si pjesë e një turneu ekskluziv në Shqipëri dhe në Kosovë për prezantimin e premierës botërore të shfaqjes së tij të re “Création 2017”, e prezantuar në Francë me 21 shtator 2017.

Angelin Prejlocaj ka lindur në Francë në vitin 1957, nga prindër shqiptarë. Ai filloi studimet në vallëzim klasik para se të vazhdoj me vallëzimin bashkëkohor. Themeloi kompaninë e tij në dhjetor 1984. Që nga ajo kohë ka bërë koreografinë e 50 shfaqjeve, nga solo deri në format e mëdha.

Krijimet e tij janë rimarr në repertorin e shumë kompanive, nga të cilat gjithashtu merr porosi, si për shembull nga La Scala e Milanit, nga Baleti i New York City dhe nga Baleti i Operës Kombëtare në Paris. Sot Baleti Prejlocaj përbëhet nga 24 valltarë dhe lokalizohet në Pavillon Noir në Aix-en-Provence prej tetorit 2006, një vend i dedikuar tërësisht për vallëzim, me Angelin Prejlocaj për drejtor artistik.

“Me mbështetjen e Teatroskopit në kuadër të FranceDanse Orient-Express. Teatroskopi është program i iniciuar nga Instituti Francez, ministria e Kulturës dhe ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme”

Një konferencë për medie do të mbahet të premten më 6 tetor në orën 13:00 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë./ KultPlus.com