BE-ja do ta ndërtojë një bunker me vlerë 8 mln euro për bisedimet sekrete

BE-ja po ndërton një bunker të sigurt prej 8 milionë eurosh në Bruksel, në mënyrë që udhëheqësit të mund të diskutojnë sekretet pa përgjues rusë apo të tjerë, shkruan “EUobserver”.

Bunkeri ka kapacitet të presë rreth 100 njerëz, deri në 34 drejtues dhe pjesën tjetër të stafit.

BE ka 27 anëtarë, por mund të zgjerohet në të ardhmen, dhe “dhoma” e sigurt do të përdoret gjithashtu për takime të nivelit më të ulët nga ambasadorët dhe zyrtarët e lartë të BE-së.

Bunker do të jetë jashtë linje, por e pajisur me teknologji të brendshme të konferencave me ekran të madh dhe mikrofona të lidhur me kabllo për të siguruar kabina për 30 përkthyes.

Dhe salla e takimit dhe kabinat do të mbyllen në një “kafaz” izolimi të certifikuar nga NATO për të “zbutur rrezikun e shfrytëzimit të emaneteve komprometuese”,  valë elektromagnetike dhe radio të krijuara nga ekranet dhe telat e IT, të cilat mund të përgjohen nga distanca.

Kushdo që hyn, edhe nëse është pastrues, duhet të ketë certifikatë sigurie dhe një arsye “të nevojshme për të ditur” për të qenë atje.

Liderët dhe stafi i BE-së do të duhet të lënë telefonat e tyre, laptopët, orët inteligjente, çelësat elektronikë dhe madje edhe aparatet e dëgjimit jashtë bunkerit.

Objekti do të ndërtohet deri në vitin 2024 në kompleksin e Këshillit të BE-së në Bruksel, i cili tashmë pret samite. Vendndodhja e saktë nuk është vendosur ende, por zyrtarët po kërkojnë diku afër sallës normale të samitit të BE-së.

Ndërtimi i këtij objketi vjen pasi Rusia riktheu luftën në Evropë duke pushtuar Ukrainën dhe në mes të planeve të BE-së për të krijuar një forca të armatosur të përbashkët përkrah NATO-s.

Dy spiunë rusë të dëbuar së fundmi nga Belgjika ishin specialistë të përgjimit të sinjaleve. Por Kina dhe Izraeli kanë qenë gjithashtu të implikuar në skandalet e përgjimeve të BE-së në Bruksel në vitet e kaluara./ Gazeta express / KultPlus.com

Gazeta gjermane: Mosmarrëveshja Kosovë – Serbi alarmon NATO-n

Kosova së fundmi e ka ndaluar hytjen e automjeteve me targa serbe në vend – anasjelltas, Serbia e ka bërë të njëjtën gjë me vite. BE-ja bën thirrje për shtensionim, raporton gazeta e njohur gjermane, Süddeutsche Zeitung duke përshkruar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Së voni, kur lidershipi i NATO-s ndërhyu, bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me më shumë sesa thjesht targa. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Mbrojtjes, nuk iu drejtua protestuesve që i kanë bllokuar dy pikëkalimet kufitare midis Serbisë dhe Kosovës për më shumë se një javë, por qeverive në kryeqytete: “Beogradi dhe Prishtina”, kërkoi ai , do të duhej të “përmbahen dhe ta rifillonte dialogun”.

Shkaktari për përshkallëzimin e fundit ishte një vendim nga qeveria në Prishtinë, sipas së cilit shoferët kur kalojnë në anën e Kosovës duhet ta vendosin një targë lokale të vlefshme përkohësisht. Natyrisht, kjo një kundërpërgjigje për praktikën e gjatë të qeverisë në Beograd për t’i detyruar shoferët kosovarë në anën e tyre të kufirit t’i përdorin targat serbe.

Përshkallëzimi është katastrofë për BE-në

Pasi anëtarët e pakicës serbe në Kosovën veriore filluan ta bllokojnë kufirin me kamionë në shenjë proteste kundër vendimit të ri pët targat, Kosova dërgoi njësi speciale të policisë në atë rajon. Beogradi pastaj shtoi trupat e ushtarëve pranë kufirit dhe bëri që avionët ushtarakë të fluturonin mbi atë zonë.

Përshkallëzimi është një katastrofë për Bashkimin Evropian. Pas fundit të administratës së Donald Trump në SHBA, e cila kishte nxitur trazira me simpati të hapur për planet e shkëmbimit të zonave përgjatë kufirit kosovaro-serb, shpresat në fakt u rritën në Bruksel se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit mund të ringjallej. Përfaqësuesi i BE-së për çështjet e jashtme, Josep Borrell u bëri thirrje të dyja palëve që ta “shtensionojnë pa kushte” situatën, shkruan Süddeutsche Zeitung.

Të hënën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i priti në takim ambasadorët nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe SHBA-ja, të cilët thuhet se i kërkuan atij që ta shtensionojnë situatën në kufi. Ai pastaj tha në një intervistë televizive se në bisedë me “ambasadorin e një prej vendeve më të fuqishme në botë” (emrin e të cilit ai nuk e tha), ishte bërë “emocional” herë pas here: “Ju doni të më tregoni se ku njësitë tona lejohet të lëvizë brenda territorit tonë? A je normal, njeri?”. Në një deklaratë zyrtare, Vuçiq kishte deklaruar se është akoma i përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, por tha se në asnjë mënyrë nuk do ta pranonte “poshtërimin e Serbisë dhe qytetarëve të saj”.

Misioni paqësor ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO, KFOR ka rritur ndërkohë patrullimet rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë Kosovën veriore. / KultPlus.com

Hapet zyrtarisht edicioni i tretë i Festivalit të Filmit Evropian në Kosovë

Në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, në praninë e famëdashësve është hapur zyrtarisht edicioni i 3-të i Festivalit të Filmit Evropian në Kosovë, përcjellë KultPlus.

E veçanta e edicionit të sivjetmë është gara e filmit të shkurtër, me ç’rast autorët filmik kosovarë do të garojnë për tri çmime kryesore. Përgjatë dy javëve sa do të zgjasë festivali, do të shfaqen online dhe në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut, si dhe në kinemanë e hapur në Gjakovë, 5 filma ndërkombëtarë dhe 10 filma të garuesve vendorë.

Ky festival mbështetet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe nga CineEuropa. / KultPlus.com

BE-ja s’e njeh Kosovën, mungon flamuri në Bruksel

Bashkimi Evropian duket se nuk e konsideron tamam shtet Kosovën. Së paku këtë përshtypje ta lë qëndrimi që BE-ja e mban karshi saj.

Sot, në konferencën e përbashkët për shtyp që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e mbajtën pas takimit në Bruksel, nuk u pa askund flamuri i Kosovës. Ishin vetëm dy flamuj të BE-së, raporton Gazeta Express.

Albin Kurti dhe Josep Borrell, sot.

Vetëm një flamur i BE-së dhe afër tij ai serb ishin vendosur mes përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur këta dy u takuan para dy ditësh.

Aleksandar Vuçiq dhe Josep Borrell, të hënën.

Pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por BE-ja ndërmjetëson pothuajse çdo takim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në disa prej tyre, janë nënshkruar edhe marrëveshje të cilat janë ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Me këtë veprim, besohet se ato po e pengojnë seriozisht rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese.

Por Borrell i tha sot Kurtit se dialogu me Serbinë, në fakt, është rruga e Kosovës për në BE.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon nëpër këtë dialog. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka alternativë tjetër. Duke arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra për ta marrë perspektivën evropiane. Prandaj për këtë unë e inkurajova Z.Kurti që të përfshihet në këtë çështje”, tha Borrell.

“Një person kur e merr një mandat kaq të fortë nga qytetarët, do të thotë se ata po ta ofrojnë një mundësi për ta shtyrë Kosovën drejt Bashkimit Evropian, standardeve evropiane dhe ne shpresojmë që ju do ta shfrytëzoni këtë mundësi”, theksoi ndër tjerash kryediplomati evropian.

Por standardi evropian i Bashkimit Evropian duket se është për të mos e trajtuar Kosovën në mënyrë të barabartë me Serbinë. /Express/ KultPlus.com

BE-ja dënon relativizimin apo mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë, duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrim në BE duhet të jenë të gatshëm të respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Reagimi i BE-së është bërë pas një deklarate të ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të Zi, Vladimir Leposaviq, e cila është cilësuar si mohim apo relativizim i gjenocidit në Srebrenicë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një deputeti nëse, si ministër i Drejtësisë dhe të Drejtave të Pakicave, ai ishte i gatshëm të pranonte që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, ministri Leposaviq ka thënë se ai nuk mund të njihte ose të mos e njihte një ngjarje “për të cilën nuk ka njohuri” .

Leposaviq ka thënë se ai ishte i gatshëm të pranonte që krimi i gjenocidit ishte kryer në Srebrenicë “kur kjo të vërtetohet pa dyshime”.

“Bashkimi Evropian refuzon dhe dënon çfarëdo mohimi, relativizmi apo keqinterpretimi të gjenocidit në Srebrenicë. Vitin e kaluar shënuam 25 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, një prej kapitujve më të errët në historinë moderne të Evropës. Është koha e fundit që të gjithë liderët politikë në rajon të udhëheqin rrugën drejt respektimit të viktimave dhe promovojnë pajtimin”, thuhet në qëndrimin e BE-së.

Në të njëjtën deklaratë rikujtohet se BE-ja “është bashkim i vlerave” dhe se “mohimi i fakteve të dëshmuara dhe dokumentuara mirë për ngjarjet e luftës, përfshirë edhe krimet e luftës, apo revizionizmi, shkojnë kundër themeleve të këtyre vlerave”.

“Nga secili vend që aspiron të anëtarësohet në BE pritet që të respektoj dhe promovojë vlerat demokratike të BE-së, të drejtat e njeriut, tolerancën dhe drejtësinë. Kjo përfshinë edhe trajtimin e viktimave të gjenocidit me respektin dhe dinjitetin më të madh”, thuhet në deklaratën e BE-së, dërguar mediave.

Bashkimi Evropian zakonisht dënon mohimet e krimeve dhe gjenocidit e madje si nga shtetet anëtare ashtu edhe nga ato kandidate kërkon që mohimi i veprave të gjenocidit të bëhet i dënueshëm me ligj.

Në Mal të Zi, pas zgjedhjeve të fundit është krijuar qeveria në krye të së cilës janë partitë pro serbe. Ato, së paku në deklarimet publike janë shprehur të përkushtuara për të respektuar obligimet e Malit të Zi si shtet anëtar i NATO-s dhe aspiratat për anëtarësim në BE.

Më herët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë tha se ishte e shqetësuar me deklarimet që vinin në dyshim atë që ka ndodhur në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinë, gjatë luftës së vitit 1995.

“Shpresojmë që Qeveria e Malit të Zi do të dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë ashtu siç ishte – gjenocid”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Podgoricë./rel / KultPlus.com