Të hënën do të përkujtohen viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në sheshin Skënderbeu

Të hënën, përmes ndezjes së qirinjve do të kujtohen të gjitha viktimat e gjenocidit të Srebrenicës duke filluar nga ora 20:30, në sheshin Skënderbeu, përcjellë KultPlus.

Më poshtë sjellim postimin e Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS):

27 vjetori i gjenocidit të Srebrenicës!

Nëse zija meriton një moment heshtjeje, atëherë #Srebrenica meriton një heshtje të përjetshme!

Më 11 korrik, në orën 20:30, do përkujtojmë çdo viktimë të gjenocidit të Srebrenicës me ndezje të qirinjve në sheshin Skenderbeu. 📍

Jemi të përkushtuar për të sfiduar fenomenin e mohimit dhe harresës së ngjarjeve të së kaluarës dhe krimeve të luftës. Krimet e luftës të kryera gjatë viteve nëntëdhjetë në zonat e ish-Jugosllavisë duhet të njihen, të pranohen dhe të sillet drejtësi në vend për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit. Kolektivisht ne kemi të drejtën e së vërtetës si parakusht i një të ardhmeje bashkëjetese në paqe.

🕯 Bashkangjituni teksa bashkohemi për të kërkuar të vërtetën, kujtuar dhe solidarizuar me të mbijetuarit përmes këtij aksioni simbolik.

Të rinj me kujtu, të përkushtum mos me harru! / KultPlus.com

Ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.

Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat, akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet për një gjë të tillë. Inzko e mori këtë vendim, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnje.

Ky vendim parashikon burgim nga tre muaj deri në tre vjet, për të gjithë ata persona që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje ndaj një grupi personash ose ndaj një anëtari të një grupi racor, fetar apo që ka kombësi e origjinë tjetër etnike.

“Së pari, theksoj se pajtimi nuk mund të ndodhë pa njohjen e krimeve dhe pa përgjegjësi. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, parandalojnë shoqëritë nga përballja me të kaluarën e tyre kolektive, përfaqësojnë poshtërim të përsëritur të viktimave dhe të dashurve të tyre, dhe në të njëjtën kohë, zgjasin padrejtësinë dhe rrezikojnë marrëdhëniet paqësore shoqërore”, tha Inzko përmes një letre, ku ka arsyetuar vendimin e tij.

Ndërkaq, dënim deri në gjashtë muaj deri në pesë vjet, do t’iu shqiptohet të gjithë personave që publikisht mohojnë, minimizojnë apo përpiqen të justifikojnë një krim të gjenocidit, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës, thuhet në vendim.

“Nëse vepra është kryer në atë mënyrë që do të mund të prishë rendin publik ose është kërcënuese, abuzive dhe ofenduese, kryesi do të dënohet me burgim në një afat jo më pak se tre vjet”, thuhet më tej në vendim.

Vendimi, sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), përcakton që kushdo që jep mirënjohje, çmim ose ndonjë privilegj të ngjashëm për një person të dënuar për gjenocid apo për ndonjë krim lufte, ky akt do të dënohet të paktën me tri vjet burgim.

Kjo vlen edhe nëse emërtohet një objekt publik siç është rruga, sheshi, parku, ura, institucioni,komuna ose qyteti, vendbanimi, me një emër të një personi të dënuar për gjenocid, një krim kundër njerëzimit ose krim lufte ose në ndonjë mënyrë tjetër madhëron një person të dënuar me gjykim të formës së prerë për këto vepra penale.

“Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, Bosnja është ende një shoqëri e copëtuar që po lufton ende me trashëgiminë e së kaluarës. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, janë dukuri të shpeshta në ligjërimin politik, pavarësisht vendimeve të institucioneve gjyqësore ndërkombëtare “, deklaroi ndër të tjera Inzko.

Ky ligj do të hyjë në fuqi tetë ditë pas botimit në faqen zyrtare të internetit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë ose një ditë pas botimit në “Gazetën Zyrtare të Bosnjë dhe Hercegovinës”, cilado që ndodh më shpejt. Ndërkaq, vendimi i Inzkos hyn menjëherë në fuqi.

Dodik: Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes

Pas njoftimit të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë, Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, në një konferencë për media të premten tha se Valentin Inzko nuk ka të drejtë të imponojë një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit, duke shtuar se ky vendim është “i pabazuar”.

“Republika Srpska e hedh poshtë këtë vendim. Gjenocidi nuk ndodhi në Srebrenicë. Serbët nuk duhet ta pranojnë këtë vendim, kjo është një gozhdë në arkivolin e Bosnje e Hercegovinës. Pas kësaj, Bosnja e Hercegovina nuk mund të funksionojë. Ne do të thërrasim një seancë të Asamblesë së Republika Srpska këtë javë”, tha Dodik.

“Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje e Hercegovinë”, shtoi ai. / Express / KultPlus.com

Fotografi të rralla të cilat tregojnë gjurmët e pashlyeshme të masakrës së Srebrenicës (FOTO)

Më 11 korrik 1995, gati në përfundim të luftës, ushtarët serbo-boshnjakë sulmuan njërin nga vendet i cili ishte përcaktuar si “strehë e sigurt” nga OKB-ja. Ushtarët serbo-boshnjakë mblodhën burra të moshës ushtarake, ku përfshiheshin djem të ri dhe burra të moshuar.

Gjatë ditëve që pasuan, ata i ekzekutuan dhe i hodhën trupat e tyre në gropa të pyjeve përreth. Ekzekutimet ishin të mirë-planifikuara dhe ushtria serbe bëri përpjekje të vazhdueshme për të fshehur gjurmët e këtij aktiviteti e saj.

Ndërsa vrasjet e shumta ndodhën brenda pak ditësh, procesi i gjetjes së trupave mori vite, dhe procesi i identifikimit dhe e varrosjes siç duket vazhdon edhe sot, më shumë se 1,000 persona janë ende të listuar si të zhdukur. Gjykatat ndërkombëtare kanë dhënë një numër dënimesh për gjenocid lidhur me vrasjet e Srebrenicës ndërsa disa gjykime dhe apele janë ende në vazhdim.

KultPlus ju përcjellë përshkrimin dhe 15 fotografi të rralla që lidhen me gjurmët e pashlyeshme që ka lënë kjo masakër në historinë e luftërave.

1. Mejra Djogaz, 66 vjeçare mban në duar një foto të tre djemve dhe burrit të saj në Srebrenicë, Bosnje dhe Herzegovinë, më 4 korrik 2015. Tashmë e vetmuar, kujtimi i vetëm që i ka mbetur nga familja janë disa fotografi.

Kjo foto është shkrepur më 12 korrik të vitit 1995, ku shihen disa nga 20,000 gra muslimane nga enklava lindore boshnjake e Srebrenicës. Ato së bashku më fëmijët e tyre presin për transport, në fshatin Potocari, 5 kilometra në veri të Srebrenicës.

3. Në këtë foto është e paraqitur një grua me nënën e saj, të cilat ishin refugjate nga Srebrenica. Ato derdhin lot pranë njëra-tjetrës , sepse nuk e dinë asgjë lidhur me fatin e pjesës tjetër të familjes së tyre, të cilët ndodheshin një bazë të OKB-së, 12 kilometra në jug të Tuzllës, në Bosnje dhe Herzegovinë, më 13 korrik 1995. Në dorën e gruas më të re shihet një karton që përmban ujë mineral që dhurohej OKB-ja.

4. Në këtë fotografi shihet një grua boshnjake e cili i përkiste besimin islam ndërsa është shfaqur teksa kërkon ndihmë nga ndërkombëtaret në gjetjen e mijëra burrave të humbur nga qyteti i Srebrenicës, që ishin marrë nga forcat serbe të Bosnjës. Prapa saj gjendet një mbishkrim ku shkruan: “Srebrenica. Ku janë burrat, vëllezërit dhe bijtë tanë?”.

5. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore shikon eshtrat e një prej më shumë se 100 muslimanëve të vrarë në një kodër, thellë në territorin serb të Bosnjës më 2 korrik 1996.

6. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore vendos një numër tjetër pranë kafkës së një viktime të Srebrenicës që gjendet në kodrat mbi fshatin Kravica, 15 kilometra në veriperëndim të Srebrenicës më 5 korrik 1996.

7. Në këtë fotografi shihen gjurmët e kufomave të paidentifikuara që janë të vendosur afër mureve të një strehimoreje nëntokësore në një morg në Tuzla më 28 mars 1997. Aty janë mbështjellë viktima të cilat janë gjetur në varre masive dhe në zona të pyllëzuara pas masakrës së Srebrenicës më 1995.

8. Aida Civic është një grua boshnjake e refugjatëve myslimanë nga Srebrenica, ajo në këtë foto shihet teka bërtet pasi hyn në një vend ku gjenden rreth 3,500 muslimanëve boshnjakë të vrarë, shumica prej tyre nga ish zona e sigurt e Srebrenicës.

9. Hajra Catic në këtë fotografi shfaqet para imazheve të viktimave të gjenocidit në Tuzla më 11 qershor 2015. Catic është njëra nga mijëra gratë që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre edhe 20 vjet pas masakrës së Srebrenicës. Me ndihmën e Edmin Jakuboviç, i cili ishte personi i fundit që e ka parë djalin e saj të plagosur në terren, Hajra Catic ka qenë vazhdimisht në kërkim të djalit të saj në pyll. Ajo ndihet e frikësuar se nëse nuk arrin t’i gjej eshtrat e tij, do të jetë sikur ai të mos ketë ekzistuar kurrë. E gjitha që i ka mbetur nga djali i saj sot është fotografia e tij.

10. Në këtë fotografi është i mbijetuari i masakrës në Srebrenicë, Nedzad Avdiç, 37 vjeçar, i cili shihet teksa prek emrat e gdhendur të atyre që janë vrarë në një masakër dhe varrosur në Qendrën Përkujtimore në periferinë e Potocarit në Srebrenicë më 27 qershor 2015. Ai ishte 17 vjeç kur u bashkua me një grup njerëzish që u përpoqën të iknin nëpër pyje. Grupi i tij u gjuajtën nga ushtarët serbë dhe më pas u dërguan në një shkollë për ekzekutim.

11. Qendra përkujtimore në Potocari afër Srebrenicës, Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo fotografi është bërë më 20 qershor të vitit 2015.

12 Kjo foto paraqet 5 vjeçaren, Ema Hasanoviç e cila në atë kohë ishte një vajzë e vogël muslimane nga Bosnja. Në këtë fotografi ajo shihet teksa bën homazhe pranë arkivolit të xhaxhait të saj, në Qendrën Përkujtimore në Potocari më 9 korrik 2014.

13. Në këtë fotografi shihet një gërmues teksa fshin djersët e tij gjatë kohës sa ishte duke përgatitur varre në një qendër përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës në Potocari, më 5 korrik 2015.

14. Subjekti i kësaj fotografie është një burrë mysliman nga Bosnja i cili po kërkonte varrin e një të afërmit të tij në Srebrenicë më 11 korrik 2014.

15. Kjo fotografi është shkrepur më 4 korrik të vitit 2015. Në fotografi shihet 66 vjeçarja, Hanifa e cila po qëndron në pragun e shtëpisë së saj në Srebrenicë kurse në duart e saj mban një kuti duhani. Këtë kuti ia kishte lënë djali i saj Sabahudin. “Ruaje këtë kuti për mua, kështu që kur unë të kthehem mund të vendos cigaret e mija përsëri këtu”, i kishte thënë i biri. Pas këtij momenti ajo nuk e pa më kurrë të birin. / KultPlus.com

BE-ja dënon relativizimin apo mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë, duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrim në BE duhet të jenë të gatshëm të respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Reagimi i BE-së është bërë pas një deklarate të ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të Zi, Vladimir Leposaviq, e cila është cilësuar si mohim apo relativizim i gjenocidit në Srebrenicë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një deputeti nëse, si ministër i Drejtësisë dhe të Drejtave të Pakicave, ai ishte i gatshëm të pranonte që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, ministri Leposaviq ka thënë se ai nuk mund të njihte ose të mos e njihte një ngjarje “për të cilën nuk ka njohuri” .

Leposaviq ka thënë se ai ishte i gatshëm të pranonte që krimi i gjenocidit ishte kryer në Srebrenicë “kur kjo të vërtetohet pa dyshime”.

“Bashkimi Evropian refuzon dhe dënon çfarëdo mohimi, relativizmi apo keqinterpretimi të gjenocidit në Srebrenicë. Vitin e kaluar shënuam 25 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, një prej kapitujve më të errët në historinë moderne të Evropës. Është koha e fundit që të gjithë liderët politikë në rajon të udhëheqin rrugën drejt respektimit të viktimave dhe promovojnë pajtimin”, thuhet në qëndrimin e BE-së.

Në të njëjtën deklaratë rikujtohet se BE-ja “është bashkim i vlerave” dhe se “mohimi i fakteve të dëshmuara dhe dokumentuara mirë për ngjarjet e luftës, përfshirë edhe krimet e luftës, apo revizionizmi, shkojnë kundër themeleve të këtyre vlerave”.

“Nga secili vend që aspiron të anëtarësohet në BE pritet që të respektoj dhe promovojë vlerat demokratike të BE-së, të drejtat e njeriut, tolerancën dhe drejtësinë. Kjo përfshinë edhe trajtimin e viktimave të gjenocidit me respektin dhe dinjitetin më të madh”, thuhet në deklaratën e BE-së, dërguar mediave.

Bashkimi Evropian zakonisht dënon mohimet e krimeve dhe gjenocidit e madje si nga shtetet anëtare ashtu edhe nga ato kandidate kërkon që mohimi i veprave të gjenocidit të bëhet i dënueshëm me ligj.

Në Mal të Zi, pas zgjedhjeve të fundit është krijuar qeveria në krye të së cilës janë partitë pro serbe. Ato, së paku në deklarimet publike janë shprehur të përkushtuara për të respektuar obligimet e Malit të Zi si shtet anëtar i NATO-s dhe aspiratat për anëtarësim në BE.

Më herët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë tha se ishte e shqetësuar me deklarimet që vinin në dyshim atë që ka ndodhur në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinë, gjatë luftës së vitit 1995.

“Shpresojmë që Qeveria e Malit të Zi do të dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë ashtu siç ishte – gjenocid”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Podgoricë./rel / KultPlus.com