Presidentja Osmani ka udhëtuar për Bruksel për samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor

Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Në kuadër të samitit, Presidentja Osmani poashtu do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator./KultPlus.com

Krifca: Prodhime tipike shqiptare në zemër të Brukselit

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca përcolli nga Brukseli, ku ishte për vizitë zyrtare, imazhet e një biznesi shqiptar, sa inovativ aq dhe me lidhje të forta të kulturës e traditës shqiptare në Grand Place.

“Pikërisht në zemër të Brukselit, pesë hapa nga bashkia, prej disa muajsh qëndron një shtëpi kulture shqiptare e hapur nga Ledia Canaj, një vajzë e fortë dhe e mençur e cila ëndrrën e saj diti me maturi dhe punë ta bëjë realitet duke përballur çdo sfidë, me kurajo.@maisonculturellebeal ishte befasues për përzgjedhjen e konceptit, për karakterin e ngrohtësinë”, shkroi Krifca në rrjetet sociale duke sjellë edhe fotografi.

Krifca u shpreh se bëhet fjalë për një sallon shijeje e mikpritjeje shqiptare, me të ftuar shqiptarë e të huaj, të cilët në podcast-in që organizohet në katin e dytë, ndajnë informacion mbi mobilizimin e komunitetit, mbi kulturën, traditën, ushqimin, ndajnë projekte e iniciativa, ndërgjegjësojnë mbi rezultatet e shqiptarëve të cilët rrezatojnë sukses në çdo fushë.

“Ata që takohen aty duke shijuar prodhimet rreptësisht shqiptare – duke pirë një gotë verë apo duke ngrënë një gliko arre, flasin për prodhimet, origjinën, karakteristikat, simbolet që në këtë hapësirë janë të shumta, duke shfletuar literaturë të autorëve tanë apo duke parë artin e artistëve tanë, flasin për Shqipërinë me mallin e diasporës, me gëzimin e gjetjes së përkatësisë, me zjarrin për t’i treguar botës kush jemi e sa shumë mundemi t’i ofrojmë Evropës, botës”, tha ministrja, teksa i shprehu përgëzime dhe falënderime Ledias, për vizionin e saj dhe shembullin e qytetarisë./atsh/KultPlus.com

‘Kodiku i Purpurt i Beratit’ prezantohet në Bruksel

Shoqata “Nënë Tereza” në Namur dhe Organizata Studentore Shqiptare “Vlera” në Bruksel të Belgjikës, në bashkëpunim me RTSH-në dhe ULB-në, organizuan mbrëmjen kulturore kushtuar “Kodikut të Purpurt të Beratit”.

Me një pjesëmarrje të madhe falë interesit të komunitetit shqiptar në Bruksel dhe pranisë së studiuesve, artistëve, historianëve, shkrimtarëve, pedagogëve e diplomatëve, u shfaq dokumentari “Kthim te Kodiku Beratinus”, realizuar me mbështetjen e Grupit Mediatik të Kinës.

Mbrëmja kulturore u drejtua nga organizatorët Jetnis Avdijaj dhe Arian Bajraktari, në formë bashkëbisedimi me historianë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë etj.

Ragip Zekolli, Eden Babani, Denajda Bajraktari, dr. Nikolla Shabani, Albert Nikolla, Leonora Canja, si dhe shumë të tjerë bashkëbiseduan mbi Kodikun e Beratit dhe historinë e restaurimit të tij nga Akademia e Shkencave të Kinës.

Gëzim Podgorica, nënkryetar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, tha se Kodiku, nëpërmjet këtij dokumentari, shkoi në Bruksel pas shfaqjes premierë në Paris dhe rrugëtimi do të vazhdojë në metropole të tjera europiane. Ai solli fakte e histori interesante nga restaurimi i Kodikut në Kinë gjysmë shekulli më parë, duke tërhequr vëmendjen e studiuesve të pranishëm. Dekani i Fakultetit të Letërsisë dhe Komunikimit në Universitetin e Lirë të Brukselit, Xavier Luffin, u shpreh se kjo histori e bashkëpunimit për restaurimin e Kodikut mes Shqipërisë dhe Kinës ishte e panjohur për të dhe mjaft interesante.

Konsullja e Republikës së Shqipërisë në Ambasadën e Shqipërisë në Bruksel, Vjola Kaloshi, theksoi rëndësinë kulturore të Kodikut, kësaj vlere unike të shqiptarëve, që është prej vitesh në mbrojtje të UNESCO-s, si dhe prezantimin e dokumentarit në kryeqytetin europian, Bruksel. /KultPlus.com

ReMusica Vocal Ensemble së shpejti me koncert në Bruksel, Belgjikë në kuadër të Festivalit “La Semaine du Son”


Koncerti i Ansamblit vokal ReMusica do të mbahet me datën 5 Shkurt 2023, në Bruksel, Belgjikë në një ndër sallat kryesore koncertale të Brukselit, në FLAGEY. Koncerti i Ansamblit Vokal ReMusica do t’jetë në natën përmbyllëse të Festivalit “La Semaine du Son” 2023.

Programi i ansamblit vokal ReMusica paraqet një zhytje të madhe në thesarin historik të muzikës shqiptare (deri vonë të panjohura për historiografinë shqiptare ) të shekullit XIII dhe XIV me kompozitoret Gjergj Danush Lapaca , Jan Kukuzeli (i cili njihet si reformator i notacioni të kishës lindore) dhe duke vazhduar deri te krijimtaria e kompozitorëve kosovarë si Mendi Mengjiqi, Lorenc Antoni, Mark Kacinari, Memli Kelmendi dhe poashtu repertori modern botëror. Ky program i pasur, kryesisht  me vepra të autorëve tanë do të jepet para publikut belg me datën 5 Shkurt 2023 në Bruksel.

Ansambli vokal i Kosovës ReMusica është ansambël i formuar nga Festivali ReMusica dhe ai karakterizohet për repertorin e tij të gjerë stilistik, duke filluar që nga muzika e vjetër – renesansë &  barok,repertoari modern shqiptarë e deri tek repertoari botëror bashkëkohor. Nën udhëheqjen e dirigjentit Rafet Rudi, tetë profesionistë janë bashkuar për të shpalosur muzikën korale me një finesë, ndjeshmëri interpretative duke synuar një standard shumë kërkues.

Linku i koncertit të ReMusica Vocal Ensemble në FLAGEY
https://www.flagey.be/en/activity/9934-vitrail-albanese-remusica-vocal-ensemble

Ky koncert mbështet nga Presidenca e Republikës së Kosovës. 

Koncertit do ti paraprije një diskutim me kompozitorin, dirigjentin Rafet Rudi, bisedë të cilën kompozitori dhe dirigjenti Rudi do ta zhvillojë bashkë me pianisitin, kompozitorin, dirigjentin belg David Baltusch.

Biseda do të zhvillohet mbi  temën “ Muzika shqiptare në mes të traditës arkaike ballkanike dhe modernitetit Europian”. Diskutimi do të jetë pjesë e Festivalit “La Semaine du Son” dhe do të mbahet me datën 4 Shkurt 2023 ne FLAGEY.

Linku i diskutimit me kompozitorin dhe dirigjentin Rafet Rudi në FLAGEY:

https://www.flagey.be/en/activity/9930-albanian-music-between-the-tradition-of-balkan-archaism-and-european-modernity

________

Ansambli vokal i Kosovës ReMusica është ansambël i formuar nga Festivali ReMusica dhe ai karakterizohet për repertorin e tij të gjerë stilistik, duke filluar që nga muzika e vjetër – renesansë &  barok, repertori modern shqiptarë e deri tek repertoari botëror bashkëkohor. Nën udhëheqjen e dirigjentit Rafet Rudi, tetë profesionistë janë bashkuar për të shpalosur muzikën korale me një finesë, ndjeshmëri interpretative duke synuar një standard shumë kërkues.

Programi i ansamblit vokal ReMusica paraqet një zhytje të madhe në thesarin historik të muzikës shqiptare (deri vonë të panjohura për historiografinë shqiptare ) të shekullit XIII dhe XIV me kompozitoret Gjergj Danush Lapaca , Jan Kukuzeli (i cili njihet si reformator i notacioni të kishës lindore) dhe duke vazhduar deri te krijimtaria e kompozitorëve të gjeneratës së re nga Kosova dhe repertori modern botëror.

Rafet Rudi, në jetën muzikore të Kosovës, me veprimtarinë tij si kompozitor, si dirigjent, si mendimtar shprehur në fushën e publicistikës dhe filozofisë së muzikës, si anëtar i Akademisë Europiane të Shkencës dhe Arteve, paraqet personalitetin më të spikatur dhe më aktiv në 2-3 dekadat e fundit në botën muzikore të Kosovës.

Rudi ishte dirigjent i Korit Profesional të Radio – Televizionit të Prishtinës në periudhën 1980-1987 dhe me këtë ansambël, koncertoi në të gjitha vendet e ish Jugosllavise. Ai ishte prezent në Festivalet e rëndësishme të kohës si Festivali i Dubrovnikut, Ohrit, Beogradit,  Festivali i muzikës modern në Opati, Kroaci, etj.  Në vitet 2006 – 2020 , ai udhëheqë  Korin e Filharmonisë të Kosovës dhe realizon qindra paraqitje publike me programe a capella si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj si në Angli, Maqedoni, Kroaci, Shqipëri, Itali. Nën drejtimin e tij, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë realizojnë një mori veprash të rëndësishme vokalo-instrumentale si: Missa D-dur e Mozartit, ‘Vespro della Beata Virgine 1610’ e Monteverdit, Kantata Nr. 28 e Bahut, ‘Gloria’ e Vivaldit, Mesha C-dur e Beethovenit, Rekuiemi i Mocartit etj.

Në vitet e fundit, Rudi i përkushtohet pikërisht  zbulimit, restaurimit dhe adaptimit të literaturës korale të autorëve të vjetër shqiptarë Gjergj Danush Llapacaj (shek. XVI), Jan Kukuzelit (shek. XIII) dhe Niketa i Remisianës (shek. IV). / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Nëse Borrell nuk do të ishte neutral atëherë, do t’ia përmendte Serbisë të gjitha marrëveshjet që nuk i ka zbatuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi nuk është arritur marrëveshja për targat në Bruksel, përcjell KultPlus.

Presidentja Osmani ka kritikuar zyrtarin e lartë të BE-së, Josep Borrellin për qasjen ndaj dialogut.

Sipas aj, nëse Borrell do të ishte neutral atëherë do t’ia përmendte Serbisë të gjitha marrëveshjet që nuk i ka zbatuar.

“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, ka shkruar Osmani.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën:

1. Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit;

2. Moszbatimi i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, ku kërkohet që të dyja palët të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar;

3. Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e vitit 2013, që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve, ku Serbia vazhdimisht ka nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë. Kjo është konfirmuar disa herë nga raportet e ekipeve të vëzhguesve ndërkombëtare të zgjedhjeve;

4. Shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet që Serbia të mos e bllokojë rrugën evropiane të Kosovës;

5. Shkelja e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së;

6. Bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për energji për gati 10 vite;

7. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nëpërmjet ndalesave, të cilat Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi, mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj;

8. Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”;

9. Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët;

10. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore etj;

11. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia për t’i dorëzuar dokumentet origjinale të kadastrave;

12. Shkelja e marrëveshjes për diploma, në të cilën poashtu nuk ka asnjë përparim nga ana e Serbisë;

13. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve;

14. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit qeveritar, parlamentar apo të tjera;

15. Shkelja e obligimeve për funksionalizimin e pikave kufitare;

Lista është më e gjatë se kaq.

Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj. / KultPlus.com

Mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare, Rama: BE është ëndrra dhe sfida jonë

Në Bruksel u mbajt sot Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, që shënon hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në BE.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Konferencë u shpreh se, “është e vështirë të besohet se kjo po ndodh. Për mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare. Megjithatë të hiqnim dorë nuk na ka shkuar kurrë në mendje.

“Ju e dini të gjithë shumë mirë që në Shqipëri nuk jemi dakord pothuajse për gjithçka. Por ka një besim që i mbijeton të gjitha mosmarrëveshjeve tona. Nuk ka rrugë tjetër veç Bashkimit Evropian. Është ëndrra jonë, sfida jonë, misioni ynë. Është fati ynë”, tha Rama.

“Për shekuj na është dashur të jetojmë nën perandori dhe regji që nuk i kemi zgjedhur. Këtë herë është ndryshe. Evropa është e para herë që për ne të gjithë të kishim një zgjidhje të lirë dhe zgjodhëm t’i japim gjithçka Evropës. E bëmë, sepse besojmë në këtë hapësirë lirie, paqeje dhe sigurie, ku bëjnë pjesë fëmijët dhe nipërit tanë. Por edhe sepse frymëzon një mënyrë tjetër të të menduarit për përkatësinë në rajonin tonë. Një mënyrë që shkëputet njëherë e përgjithmonë me të kaluarën”, theksoi Rama.

“Evropa, me vlerat, parimet dhe standardet e saj, është ajo që bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i hapur i 4 lirive të BE-së, gjithashtu”, shtoi Rama.

“Duke filluar nga sot bisedimet e anëtarësimit nuk e bën ëndrrën tonë realitet, por e bën realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit. Të gjithë e dimë se rruga jonë për të qenë këtu sot nuk ka qenë e lehtë. Vitet e fundit kanë qenë një sagë e vërtetë, mes punës së palodhur, vlerësimeve, pritshmërive, premtimeve të pambajtura dhe rinisjeve të mundimshme. Një histori e rrokullisjes së gurit në një kodër dhe rënies. E përpjekjes për të arritur majën dhe kthyer poshtë herë pas here, si në “Mitin e Sizifit”. Por ne vazhduam të ecnim përsëri dhe përsëri, duke mos e humbur besimin tonë, edhe kur u përballëm me dhimbjen e fundit të shuplakës së padrejtë në fytyrë”, tha Rama./ atsh / KultPlus.com

Nis dita historike për Shqipërinë, Rama dhe Kovaçevski priten nga Von der Leyen

Ka nisur dita historike për Shqipërinë e cila do të mbajë sot Konferencën e Parë Ndërqeveritare që do shënojë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Pritja e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në Bruksel është bërë nga Presidente e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Më pas ka nisur dhe takimi mes tyre ku i pranishëm do të jetë edhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, vend që udhëheq Presidencën e BE-së. / KultPlus.com

Rama: Ajo që po ndodh me Kosovën është çmenduri, nën pushtim lëviznin pa viza, sot në liri nuk munden

Me tone të ashpra, gjatë konferencës për shtyp pas samitit në Bruksel, kryeministri Edi Rama u shpreh se ajo që po ndodh me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën është një çmenduri dhe një turp.

“Një tjetër peng marrje është ajo e Kosovës. Është popullata e vetme në Evropë që nuk mund të lëvizë lirish. Imagjinojeni,. Ara ishin në diktaturën jugosllave dhe mund të lëviznin lirisht. Dhe që kur u liruan, çlirimtarët e tyre nuk i lejojnë të lëvizin lirisht. Kjo është e turpshme.  Unë u thashë dhe ndihem i keqardhur që u ndjeva si të nevojshme, që Serbia është në realitet krejtësisht tjetër. Flasim për një vend ku popullariteti i Putinit është 80% dhe opinioni nuk është i prirur të vrapojë drejt Brukselit por jashtë çdo pritshmërie, edhe times, se sinqerisht nuk e prisja. 3 herë janë harmonizuar me Bashkimin Evropian dhe perëndimin kundër Rusisë, duke votuar edhe për përjashtimin e Rusisë nga këshillit i të drejtave të njeriut. Unë nuk e kuptoj çuarjen e gjërave në kufi në raport me kërkesat për sanksionet. Serbia nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt dhe çuarja deri në kufi jep efektin e kundërt! Dhe koston do ta ketë agjenda evropiane e Serbisë dhe popullate e rajonit”, tha Rama./express / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Bruksel pyetet nga shefja e BE-së edhe për Dua Lipën (VIDEO)

Sot, në takimin me liderët e shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Republikës së Kosovës pyetet nga shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, edhe për Dua Lipën, shkruan KultPlus.

Ursula: Si është Dua Lipa?

Osmani: Ajo është mjaft mirë dhe fatmirësisht ne do të ju kemi juve prezentë në kohën kur Sunny Hill Festival do të mbahet në Kosovë ku dhe ajo po krijon një “line-up” të artistëve.

Tutje, presidentja Osmani ju kthehet edhe dy burrave anash edhe i fton edhe ata ne festival.

Osmani: Ju jeni të gjithë të ftuar.

Presidentja Osmani ne videon e publikuar ne rrjete sociale ka shkruar gjithashtu se përkrahja e miqve tanë është vendimtare për ecjen tonë përpara në rrugën evropiane. / KultPlus.com

Osmani tregon pritjet nga Samiti, gazetarët e pyesin “pse janë vizat kaq të rëndësishme për ju?”

Presidentja Vjosa Osmani i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para se të nisë samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Ajo është pyetur se pse liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe përgjigjja e Osmanit ishte se kjo është një padrejtësi e madhe që po iu bëhet atyre derisa njerëzit nga e gjithë Europa dhe përreth saj lëvizin lirshëm derisa një vend me më pak se 2 milionë banorë mbahet i izoluar.

“Ne shpresojmë, megjithatë nuk dua që të rris pritshmëritë në këtë pikë, sepse më ky proces nuk është në duart tona. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet vite më parë.  Është padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Osmani tha se për këtë çështje vendim pro ka dhënë Komisioni Europian dhe gjithashtu Parlamenti Europian, prandaj është koha që shtetet anëtare të dëgjojnë zërin e qytetarëve të tyre.

Cilat janë pritshmëritë e Osmanit para samiti?

“Jam këtu për të dhënë një mesazh të rëndësishëm në emër të njerëzve të Kosovës. Neve na duhet një zë i qartë nga Bashkimi Europian, na duhet një mesazh i bashkuar nga BE-ja ndaj Ballkanit Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë po mbetet për faktorët malinj ata do ta përdorin. Kështu që, shpresojmë për një perspektivë të qartë nga të gjithë shtetet anëtare”.

Presidentja e Kosovës foli edhe për synimet e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë.

“I mbështesim Ukrainën, Moldavinë, sepse e meritojnë.  Njëjtë sikurse Kosova, edhe këto dy vende kanë treguar se përnjëmend qëndrojnë krah vlerave europiane dhe janë në gjendje të japin edhe jetën për t’iu bashkuar BE-së. Unë nuk shoh ndonjë të keqe për Ballkanin Perëndimor, nëse Ukraina dhe Moldavia ecin përpara, përkundrazi”, tha Osmani për gazetarët.

Në përmendjen e faktit se krijimi i hapësirës në Ballkanin Perëndimor lejon që faktorë të tjerë malinj ta përdorin atë, Osmani thotë se BE-ja duhet të jetë ofrojë një perspektivë të qartë ndaj rajonit dhe sidomos ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë treguar se janë pro vlerave europiane. / Gazeta express/ KultPlus.com

Presidentja Osmani nga Brukseli: Mbështetja nga Parlamenti Evropian garancë për rrugën evropiane të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel ku po qëndron me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.  

Në takim me znj. Metsola, Presidentja Osmani ka theksuar se Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës evropiane. Për këtë si dhe për mbështetjen e vet Presidentes Metsola, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës. 

“Në një diskutim të hapur dhe përmbajtësor me presidenten e Parlamentit, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane, e kanë vendin në BE”, ka theksuar Presidentja Osmani pas takimit. 

Ndryshe, në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në takimin e Brukselit, ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. / KultPlus.com

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel ku po qëndron me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.  

Ledia Kostandini vendos një mural shqiptar në zemër të Brukselit (FOTO)

Në kuadër të festivalit “Balkan Trafik”, një mural i ri i artistes shqiptare Ledia Kostandini u zbulua ditën e premten në Brandhoutkaai në Vismarkt.

Vepra e artit tashmë pjesë e qytetit të Brukselit është e vendosur në Parcours Street Art.

Vepra mban emrin ‘Wink’ dhe i referohet bashkëpunimit të Bashkimit Evropian me vende jashtë unionit, si Shqipëria. Në të njëjtën kohë, është një pasqyrë e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, kryeqytetit evropian të të rinjve të këtij viti.

Muralja tregon sytë që notojnë në një qiell blu. Sytë vezullojnë dhe shikojnë kalimtarët e Brukselit me ndjenja dashurie dhe solidariteti. Artistja thotë se për të realizuar këtë vepër u frymëzua nga René Magritte.

“Është një nderim për Magritte. Ai ka qenë gjithmonë një referencë për mua”, thotë Kostandini. “Për mua është një referencë për pasqyrat e tij false ku ka një lidhje mes shikuesit dhe subjektit. Sytë shikojnë njerëzit, por njerëzit e shohin edhe frymëzimin tim nga Tirana në sy”, shpjegon artisti.

Ky mural, i pesti i Balkan Trafik është rezultat i një bashkëpunimi midis qytetit të Brukselit, Balkan Trafik dhe Komisionit Evropian. Në këtë mënyrë, edhe qyteti i Brukselit përpiqet të punojë në diversitetin dhe të rrisë dukshmërinë e grave në hapësirën publike.

Festivali Balkan Trafik do të zhvillohet javën e ardhshme nga 28 prilli deri më 1 maj në De Brouckèreplein./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Profili i një shqiptari, kampion bote në keç

Një histori vërtetë interesante, rrëqethëse dhe të duket disi e pabesueshme. Njihej si Akim Manuka, por realisht emri i tij është Hysni. Prejardhja i takon fshatit Luzni të Dibrës, ndërsa për shumë vite jetoi në Belgjikë.

Në vitin 1972, ai shpallet kampion bote në keç në peshën e rëndë dhe që asokohe fitoi shumë famë, duke u bërë një nga mjeshtrit e mbrëmjeve interesante në Bruksel.

Jeta e tij ishte e mbushur me suksese ne sportin qe ai kishte zgjedhur.

Një patriot që zemra i rrihte për atdheun e tij, ashtu si babai i tij Demir Manuka, i cili si një atdhetar i shquar në vite. Pas vitit 1950, familja Manuka arratiset sepse ishte në kundërshtim me regjimin komunist të asaj kohe. Për afro 15 vjet, jetojnë në Maqedoni, ose ish-Jugosllavi që quhej atëherë. Aty vërtet kalojnë një jetë plot peripeci, madje kampioni i ardhshëm i botës punonte në një fermë me panxhar. Pronari, një pasionant i mundjes, organizonte shpesh ndeshje mes djemsh të fortë dhe fituesi meritonte si shpërblim një kavanoz reçel, që ai ia dërgonte nënës për të kaluar një vakt bashkë me familjen e tij.

Ky sukses e shoqëronte atë të gjitha ditët e javës, sepse fitonte ndeshjen dhe bashkë me të, fitonte edhe kavanozin e reçelit. Më pas, familja ikën nga Maqedonia dhe sistemohet në Belgjikë. Falë cilësive të tij, ai nisi punën në një disko si ruajtës i qetësisë, falë edhe trupit që filloi t’i bëhej edhe më i bukur dhe muskuloz. Hysniu ishte trim dhe i vendosur. Ai guxonte të ndeshej me çdo lloj kundërshtari. Në një mbrëmje, në një nga lokalet që merreshin me organizime të lojës së keçit, kampioni i skenës kërkon një sfidant nga salla. Hysniu del dhe e fiton këtë duel, duke lënë shtangur të gjithë të pranishmit.

Që atë mbrëmje ai merr zemër, por tashmë fatin e tij e kishin në dorë menaxheret që iu vërsulën si shushunja, pasi panë një “peshk” të madh. Një nga shqetësimet e menaxhereve, që më së shumti ishin amerikanë dhe kroatë, ishte emri i tij. Për të rritur marketingun e tij në media, ata vendosën që të ndërrojnë emrin e tij. Por këmbëngulja e të atit ishte tejet e madhe. Demiri, babai i tij nuk pranonte edhe pse i afroheshin shuma të mëdha. Tashmë në Bruksel, ai ishte një lider në këtë sport dhe ethet për kampion bote kishin nisur.

Por kërkohej kjo marrëveshje e emrit. Me shumë vështirësi u gjet një emërues i përbashkët, që të ishte emri Akim, një hero i një filmi vizatimor në xhungël, që Hysniu e vendosi vetë, pasi menaxheret donin emër jugosllav. Me ndryshim e emrit, nis një histori e re. Falë stërvitjes dhe egos së tij, një mbrëmje e bukur e gjeti atë në SHBA, ku jetoi 3 vjet. Pas shumë garave dhe shfaqjeve brilante, vjen edhe dita e titullit kampion bote.

Ai kishte sfiduar më parë emra të mëdhenj të botës, si Manuel Soto, Kauzo, Rivera, Evans, etj. Shqiptari, që pakush e njihte si të tillë, bëri famë të madhe dhe pushtoi faqet e gazetave të asaj kohe. Ishte viti 1972. Por fakti qe ai kurrë nuk e mohonte origjinën e tij i prish shumë punë. Në një mbrëmje kur ai fitonte një tjetër finale të madhe, stafi i tij i bën një lojë të habitshme. Katër vajza jugosllave caktohen nga organizatorët që t’i dërgonin lulet në ring kampionit Manuka dhe këtë fitore t’ia faturonin Jugosllavisë. Madje njëra prej vajzave bie në dashuri me djaloshin shqiptar, i cili pa e ditur nga ishte ajo, pranon ftesën e saj të ndjenjës.

Që nga ajo ditë, ai u martua dhe jetoi për 25 vjet me vajzën kroate, të cilën e mori për grua dhe lindi 3 fëmijë. Komentatori në ring e quajti Manukën, kampionin e luleve, sepse ai kur mësoi se nga i vinin lulet dhe qëllimin e keq të menaxherëve dhe stafit nuk e pranoi këtë fitore për hir të ndjenjës patriotike që kishte, por pranoi vetëm lulet, sepse nuk e dinte adresën e tyre nga ishin. Një tjetër mbrëmje e jashtëzakonshme në karrierën e tij, ka qenë ndeshja në Montreal të Kanadasë, kur ndeshej dhe fitonte përballë luanit tjetër,

Eduardo Karpentier dhe fotot e kësaj ndeshje, do të hapnin faqet e gazetave të kohës. Akim Manuka ishte kthyer në një “përbindësh”, që dhuronte spektakël, garë dhe mjeshtëri. Ai ishte bërë personazhi i kohës në këtë sport, por prapaskenat e menaxherëve dhe drejtuesve të sportit, shkelën mbi djersën dhe historinë e tij, e cila u mbyll më shpejt sa meritonte ky kampion i madh. Më pas, ai rikthehet në Belgjikë ku vazhdon jetën e tij, duke u bërë vetë organizator i mbrëmjeve spektakël të keçit në lokalet më të mëdha të Brukselit.

Ai njihet nga të gjithë, si një prej specialistëve dhe njerëzve më të shquar, por edhe organizatorëve të rrallë, që zbulon talente të tilla në një sport, që në Belgjikë është kthyer në kult.

Akim Manuka u nda nga jeta më 1 prill 2016, në moshën 72 vjeçare./ Materiale marrë nga rrëfimi i Dëfrim Met’hasani / KultPlus.com

Brukseli merr vendim, certifikatat digjitale të COVID-19 të obligueshme nga korriku

Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së kanë arritur marrëveshje për krijimin e certifikatave digjitale për qytetarët e BE-së, që nga korriku do të duhej t’ua lehtësonte mënyrën e udhëtimit në vendet e BE-së.

Marrëveshja është arritur pas katër raundeve të bisedimeve të Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare, e bazuar në propozimin e Komisionit Evropian do të aplikohen certifikatat digjitale që do të “hapin kufijtë”, që do të pranojnë të gjitha vendet anëtare dhe që do të ofrojnë informacionet e nevojshme për vaksinim siç është posedimi i antitrupave apo testi negativ PCR, transmeton Telegrafi.

Në Bruksel kanë bërë të ditur se në marrëveshjen e mbrëmshme është hapur rruga “për certifikatën e përbashkët digjitale evropiane që do të jenë të gatshme deri në korrik”.

Komisioni Evropian është angazhuar që të ndajë 100 milionë euro në kuadër të mekanizmave për përkrahje emergjente për ta pasur qasje në testet ekzistuese anti-COVID.

Certifikata e gjelbër digjitale, nganjëherë jozyrtarisht e quajtur pasaporta COVID, do të mundësojë që kudo në BE përmes leximit të kodit QR, të kontrollohet certifikata që tregon nëse bartësi i saj nuk është i infektuar.

Janë paraparë tri mënyra që mund ta dëshmojnë këtë. E para, që personi është vaksinuar kundër COVID-19 apo që i sëmuri nga coronavirusit kohë më parë konsiderohet i mbrojtur nga antitrupat, e nëse nuk është vaksinuar dhe nuk ka antitrupa të mjaftueshme, duhet të ketë testin “e freskët” negativ PCR.

Me konfirmime të tilla, personat do të mund të kalojnë kufijtë mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, pa iu nënshtruar masave të rrepta kufizuese që deri më tani kanë qenë në fuqi, siç ishte testimi apo vetëizolimi.

Kjo marrëveshje do të duhej të ishte në fuqi në një periudhë 12 mujore. E shtetet anëtare duhet t’i pranojnë certifikatat që i kanë lëshuar vendet e tjera anëtare dhe atë për vaksinat e miratuara në BE. Aktualisht vaksinat e miratuara në vendet e Bashkimit Evropian janë Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.

Personat që nuk kanë “ceritifikata” të tilla nuk do të mund të udhëtojnë. /Telegrafi/ KultPlus.com

BE-ja s’e njeh Kosovën, mungon flamuri në Bruksel

Bashkimi Evropian duket se nuk e konsideron tamam shtet Kosovën. Së paku këtë përshtypje ta lë qëndrimi që BE-ja e mban karshi saj.

Sot, në konferencën e përbashkët për shtyp që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e mbajtën pas takimit në Bruksel, nuk u pa askund flamuri i Kosovës. Ishin vetëm dy flamuj të BE-së, raporton Gazeta Express.

Albin Kurti dhe Josep Borrell, sot.

Vetëm një flamur i BE-së dhe afër tij ai serb ishin vendosur mes përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur këta dy u takuan para dy ditësh.

Aleksandar Vuçiq dhe Josep Borrell, të hënën.

Pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por BE-ja ndërmjetëson pothuajse çdo takim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në disa prej tyre, janë nënshkruar edhe marrëveshje të cilat janë ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Me këtë veprim, besohet se ato po e pengojnë seriozisht rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese.

Por Borrell i tha sot Kurtit se dialogu me Serbinë, në fakt, është rruga e Kosovës për në BE.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon nëpër këtë dialog. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka alternativë tjetër. Duke arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra për ta marrë perspektivën evropiane. Prandaj për këtë unë e inkurajova Z.Kurti që të përfshihet në këtë çështje”, tha Borrell.

“Një person kur e merr një mandat kaq të fortë nga qytetarët, do të thotë se ata po ta ofrojnë një mundësi për ta shtyrë Kosovën drejt Bashkimit Evropian, standardeve evropiane dhe ne shpresojmë që ju do ta shfrytëzoni këtë mundësi”, theksoi ndër tjerash kryediplomati evropian.

Por standardi evropian i Bashkimit Evropian duket se është për të mos e trajtuar Kosovën në mënyrë të barabartë me Serbinë. /Express/ KultPlus.com

Brukseli rrëfen përralla dhe legjenda shqiptare

Këto ditë legjenda dhe përralla shqiptare po qarkullojnë në rrjetet sociale. Një ide e mrekullueshme krijuar nga artistët belgë – shqiptarë për ta promovuar kulturën popullore kombëtare, bashkuar rreth shoqatës Vox Aquilae të Brukselit themeluar nga Fran Kukaj dhe Sonila Tuci.

Një ide origjinale në formë videoje e regjisorit Zenel Laçi, inspiruar nga veprat e autorit Safet Kryemadhi, “Legjenda, fabula dhe përralla shqiptare” si dhe “Përralla dhe legjenda nga vendi i shqiponjave” publikuar nga shtëpia botuese franceze “Ovadia”, shkruan albinfo.ch. Këtij projekti i është bashkuar edhe grupi i njohur muzikor shqiptar i Belgjikës “Albrapsodie Trio”, i cili hap ciklin e çdo videoje me një kaba të mrekullueshme.

Qëllimi i “Përrallave dhe legjendave shqiptare” për këta artistë është ta promovojnë dhe mbrojnë pasurinë kulturore shqiptare, që në botë vazhdon të jetë ende pak e njohur. Për ta arritur këtë qëllim, artistët kanë krijuar një seri videosh me këto legjenda rrëfyer në frëngjisht nga aktorja Anila Dervishi, nën tingujt muzikorë të Afrim Jahjes, shoqëruar me ikonografi të koleksionistit Fran Kukaj, realizim videoje të Angelique Ricci dhe përkthyer në anglisht nga Kate Hollman.

Ndër legjendat e realizuara janë: “Manisa”, “Zhdukja”, “Kostandini dhe Doruntina” etj, rrënjosur në kujtesë qysh nga fëmijëria kur nënat tona fillonin : « Na ishte njëherë… ». Botë fantastike, misterioze me personazhe mahnitëse, zana, oda, kuçedra,… përralla të urta, argëtuese, për të vegjël e për të rritur, ku takohen humori, dashuria, mrekullia dhe tragjedia, shkruan albinfo.ch. “Vox Aquilae” ju fton të udhëtoni dhe ta shijoni projektin e mrekullueshëm të artistëve belgë – shqiptarë.

Ju njoftojmë se ky projekt ka filluar më 28 nëntor 2020 me rastin e Festës sonë kombëtare. Tani në rrjetet sociale do të paraqitet çdo dy javë nga një përrallë ose një legjendë e re. Shikuesit mund t’i gjejnë ato në faqen e Inernetit: – Youtube Channel : Vox Aquilae Bruxelles – Instagram : @vox.aquilae – Facebook Page : facebook.com/voxaquilae.bruxelles/ KultPlus.com

Presidentja e KE-së në Bruksel akomodohet në një banesë 25 metrash katror

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, 60 vjeçe, ka vendosur të akomodohet në një banesë pranë zyrës së saj, në katin e 13-të të Berlaymont, selia e institucionit në Bruksel, konfirmuan sot shërbimet e saj.

“Ne mund të konfirmojmë se Von der Leyen ka kërkuar që të ketë një banesë me hapësirë prej rreth 25 metrash katrore pranë zyrës së saj për netët e kaluara në Bruksel”, theksuan bashkëpunëtorët e saj duke konfirmuar një informacion të së përditshmes gjermane “Die Welt”.

Ursula von der Leyen do të marrë funksionet më 1 nëntor.

”Rezidenca e saj do të mbetet në Hanover”, theksoi i njëjti burim.

“Ajo ka vendosur të akomodohet më mirë në këtë hapësirë të vogël në ndërtesën e Komisionit sesa të marrë një apartament apo të qëndrojë në një hotel. Përveç sigurisë, kjo zgjedhje ka një avantazh praktik, sepse shmang trafikun e bezdisshëm në Bruksel”, nënvizuan ata.

Paraardhësi i saj, luksemburgezi, Jean-Claude Juncker, 64 vjeç, kishte rezidencën e tij në Luksemburg dhe kishte zgjedhur që të merrte me qira një apartament 50 metra katrorë në një hotel për 3 250 euro në muaj.

“Presidenti i Komisionit Europian është një punonjës me kohë të plotë prej 18 orësh në ditë”, theksoi Jean-Claude Juncker.

Paga është e konsiderueshme, 27 903 euro në muaj.

Ursula von der Leyen është nënë e shtatë fëmijëve të lindur përgjatë viteve 1987-99. / KultPlus.com

Flamuri kombëtar valëvitet mbi “Atomium” në Bruksel (FOTO)

Veprimi është ndërmarrë nga autoritet belge, Flamuri Kombëtar, kuq e zi tashmë valëvitet mbi monumenti ikonë të Brukselit, “Atomium”.

Ky veprim është ndërmarrë nga autoritet belge në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në nderim të shqiptarëve, të cilët jetojnë në Belgjikë.

Më poshtë ju sjellim disa fotografi të dërguar nga shikuesit e emisionit “Prite të gjelbrën”, të RTV21./ KultPlus.com

Shqipëria e ftuar nderi në festimet e fundvitit në Bruksel (VIDEO)

Shqipëria do të jetë e ftuar nderi në eventin më të madh të fundvitit në Bruksel “Plaisirs d’hiver” (Kënaqësitë e dimrit), i cili tërheq mbi 2 milionë vizitorë nga e gjithë Evropa.

Verëra të kuqe, të bardha, birra, vaj ulliri, punime artizanale, por gjithashtu edhe shfaqje me kërcime tradicionale; ja çfarë qyteti i Tiranës do të propozojë gjatë Kënaqësive të Dimrit, që do të zhvillohen gjatë ditëve të fundit të vitit në sheshin qendror Sainte-Catherine të kryeqytetit belg.
Sipas gazetës belge, DH, që i kushton një faqe Shqipërisë, ky është një rast për prodhuesit lokalë, që të zbulojnë prodhimet e tyre në zemër të Evropës.

Edhe pse disa prej prodhuesve shqiptarë të verës apo vajit të ullirit tashmë shesin edhe në Zvicër, për gazetën belge shprehen se, shpresojnë që prodhimet e tyre t’i pëlqejnë tregut belg e të mund të futen edhe aty. Për qytetin e Brukselit ky bashkëpunim ka si objektiv që ta bëjë qytetin të shkëlqejë në nivel ndërkombëtar. Prania e vendeve apo qyteteve të tjera në këtë ngjarje do të vlejë edhe si promovim i Kënaqësive të Dimrit nëpër botë. Por nismëtarë për këtë pjesëmarrje të Shqipërisë janë bërë: deputeti i parlamentit të Belgjikës, Amet Gjanaj dhe Bashkia e Tiranës, përcjell RTSH.

“Ky event do t’i japë një ndriçim të jashtëzakonshëm Shqipërisë dhe Shqiptarëve dhe uroj, do të çojë në një përmirësim të ndejshëm të imazhit të Shqiptarëve dhe një promovim të madh për turizmin shqiptar”, shkruan Amet Gjanaj në faqen e tij në FB. Festimet e Kënaqësive të Dimrit pritet të çelen zyrtarisht në 24 nëntor e do të mbyllen në 31 dhjetor./ KultPlus.com