“Nëpër kohë” e Lebibe Topalli-Shabanit do të ekspozohet në Bern

Ekspozitë personale e artistes Lebibe Topalli-Shabani do të prezantohet në fund të këtij muaji në Bern të Zvicres, shkruan KultPlus.

Ekspozita e artistes nga Kosova, do ta hapet më datën 29 shtator (e shtunë) në orën 18h dhe do të qëndroj e hapur deri 7 tetor 2018.

Ekspozita mund të vizitohet ditëve të punës nga ora 09h deri në orën 17h.

Adresa: Ambasada e Republikës së Kosovës, Zähringerstr.25, 3012 Bern./ KultPlus.com

Një copë Ilirie e ekspozuar në Bernë

Në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Bernë, Ilir Xheladini ka hapur ekspozitën me artefakte ilire e shqiptare, “Museum Illyricum”.

Një muze shqiptar në Zvicër: Ky është caku që Ilir Xheladini e ka para syve kur grumbullon artefakte të ndryshme që e shënojnë historinë ilire e shqiptare, nga antikiteti e këndej. Dhe po këtë qëllim e ka edhe ekspozita që ai hapi të premten mbrëma në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës, në Bernë.

“Museum Illyricum” mban emrin ekspozita që u hap para një numri të konsiderueshëm të pranishmish, shqiptarë e zviceranë.

Në stendat e ekspozitës, Xheladini ka vendosur, të ndara sipas periudhave historike dhe sipas fushave që u përkasin: harta të vjetra, bankënota, monedha metalike, veshje të vjetra origjinale kombëtare, gravura, ballina revistash, stoli të lashta, enë balte dhe deri edhe një helmetë të moçme. “E gjithë kjo pasuri e shpalosur për vizitorët, nuk është as një e treta e thesarit që e kam grumbulluar me vite”, thotë Iliri për albinfo.ch. Mbrapa kësaj pasurie qëndron një punë pasionante, një idealizëm i rrallë për kohën tonë dhe pse jo, edhe një sakrificë materiale e autorit.

“Ekspozitën e kam ndarë në tri periudha: Antikiteti, koha e Ilirisë, Mesjeta dhe historia e re, nga pavarësia e Shqipërisë e deri në vitet dyzeta të shekullit të kaluar. Nga antikiteti, kemi artefakte nga koha e sundimit romak që njëkohësisht është edhe koha e ilirëve. Këtu vlejnë të përmenden monedhat dhe stolitë e ndryshme të asaj periudhe. Ndërsa më për zemër i kam stolitë prej guri dhe prej argjendi të kulturës arbërore të Komanit. Kemi gjithashtu edhe artefakte nga Bizanti, kryesisht stoli dhe monedha”, shprehet Xhelaidini. Po ashtu bie në sy një numër i madh hartash të punuara në shekullin 19 për hapësirat shqiptare dhe ilire ashtu si dhe librash me po këtë tematikë, gjithmonë nga autorë të huaj.

Ndërsa kohën e re, nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, në këtë ekspozitë e pasqyrojnë edhe pullat postare, të edituara që nga qeveria e parë shqiptare e Ismaiil Qemalit e deri te koha e Zogut, sqaron më tutje Ilir Xheladini.

Duke mos qenë historian as arkeolog me profesion Xheladinin e karakterizon një pasion i jashtëzakonshëm, pothuaj fanatizëm për t`u marrë me identifikimin dhe grumbullimin artefakteve historike. “Fillesa ka ndodhur në një mënyrë të thuash ankedotiale. Në vitet 1995-1996 derisa në Universitetin e Neuchatelit ndiqja leksionet për frëngjishten e vjetër, profesori na fliste gjithë kohën për Romën Antike dhe me asnjë fjalë nuk përmendte praninë ilire që ishte e po asaj periudhe. Unë e pyesja por kot. Pastaj në një antikuariat në qytet gjeta harta të ilirëve, të cilat ia tregova profesorit dhe nga ky moment filluam dialogun me të edhe për Ilirinë. Këtu ka qenë pika nga e cila kam filluar angazhimin për të gjetur e grumbulluar artefaktet, një pjesë të të cilave po i shihni këtu. Janë gjëra që të tjerët i kanë por ne nuk dimë për ekzistencën e tyre. Shumicën i kam gjetur në Francë, Kanada, SHBA etj. Këto i kam siguruar falë anëtarësisë sime në grupin e koleksionistëve. Sigurisht një pjesë të mirë i kam blerë”, pranon Xheladini, i cili për pasionin e tij ka mbështetje edhe bashkëshorten e tij, shkruan albinfo.ch.

Hapja e ekspozitës në Bernë për Ilirin, më shumë se thjesht ekspozim eksponatesh, është menduar si një cytje për të shtyrë të tjerët që të ndihmojnë në ngritjen e një muzeu shqiptar në Zvicër. “Krijimi i një fondacioni për këtë qëllim do të ishte hapi i parë në këtë drejtim. Në gjithë këtë përpjekje të tij, Iliri nuk harron të përmend se ka pasur mbështetjen e Ambasadës së Kosovës. Ndërsa rreth krijimit të fondacionit të përmendur, ai dhe Ministri Këshilltar i Ambasadës, Mustafë Xhemaili thonë për albinfo.ch se besojnë në gatishmërinë për ndihmë të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Zvicrës.

Ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca në cilësinë e mikpritëses, me një fjalë rasti ka prezantuar z. Xheladini, duke e përgëzuar atë për punën e frytshme si koleksionist por edhe si autor librash në gjuhën frënge. Ajo ka theksuar se mërgata krahas barrës që ka pasur për sigurimin e mbijetesës së Kosovës për vite të tëra, po jep kontribut të çmuar edhe në vendosjen e lidhjeve kulturore me vendet ku jeton. Një shembull i tillë është ai i Ilir Xheladinit, ekspozita e të cilit është hapur sonte. Ajo ka treguar me këtë rast gatishmërinë e ambasadës për të mbështetur aktivitetet artistike kulturore, pasi që, siç është shprehur ambasadorja: “arti prek zemrat dhe hap dyer drejt ndërgjegjeje. Arti e kultura heqin barriera duke ngritur ura takimi me të tjerët. Ato kanë rëndësi edhe për faktin se ndikojnë në rrëzimin e paragjykimeve dhe klisheve denigruese që herë herë ngrenë krye për vendin dhe popullin tonë”, ka përfunduar ambasadorja Breca.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 15 dhjetor 2017 dhe ajo mund të vizitohet gjatë orarit të punës të Ambasadës./ KultPlus.com