Jusuf Buxhovit i dorëzohet çmimi “Guximi intelektual”

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ka ndarë mbrëmë titullin “Guximi intelektual” për vitin 2021 për shkrimtarin dhe historianin, Jusuf Buxhovin.

Me rastin e marrjes së këtij çmimi, Buxhovi është shprehur i nderuar duke konsideruar se ky çmim ka rëndësi pasi që është i vetmi i llojit të tillë në Kosovë, kur intelektualët kritik janë gjithnjë e më ta paktë, më të anatemuar deri në linçim publik.

“Çmimi vjetor “Guximi intelektual” është i vetmi i llojit të tillë në Kosovë në rrethanat kur intelektualët kritik janë gjithnjë e më të paktë, gjithnjë e më të anatemuar deri në linçim publik, ndërkohë që shtohet numri i atyre që përgjegjësinë intelektuale dhe intelektualitetin e zëvendësojnë me kthimin në shërbëtorë të politikës ditore për përfitime personale! Ndaj edhe dorëzimin e çmimit nga kryetari i shoqatës “Jakova”, Ruzhdi Sefa, e konsideroj jo vetëm një mirënjohje të çmueshme veprimtarisë sime letrare dhe shkencore, por edhe një nxitje që kjo rrugë të vazhdohet në planin e kauzitetit shoqëror në përputhje me maksimën e njohur të filozofit francez Morin, se intelektualët mbajnë përgjegjësi jo vetëm për atë që ka ndodhë e nuk është dashtë të ndodhë, por edhe për atë që është dashtë të ndodhë dhe nuk ka ndodhë”, shkruan Buxhovi. / KultPlus.com

Poetja shqiptare Irma Kurti shpallet “Akademike dhe Presidente nderi” e Enciklopedisë Poetike italiane

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti është nderuar me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Wikipoesia, krijuar në Itali në 2019 me rastin e Ditës Botërore të Poezisë. Në Presidencën e Nderit pranohen deri në dhjetë personalitete në fushën  e poezisë.

Wikipoesia përshkruhet nga media e shkruar si “Wikipedia e poezisë”.  Në kontekstin e poezisë bashkëkohore, ajo përfaqëson rrjetin më të madh ndërlidhës dhe të vetmen enciklopedi poetike semantike në botë.

Irma Kurti ka botuar njëzet libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh për të rritur e fëmijë dhe njihet si autore e këngëve të suksesshme në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shkruan tekste dhe në gjuhën angleze e italiane, të cilat janë hedhur në tregun ndërkombëtar të muzikës nga shtëpi diskografike italiane.

Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. / KultPlus.com

Shkrimtari shqiptar, Julian Zhara, fiton çmimin “Lermontov” në Itali

Është bërë e ditur se shkrimtari dhe përkthyesi nga shqipja në italisht, Julian Zhara, është vlerësuar me çmimin “Lermontov”, për aktivitetin e tij poetik në edicionin XVIII të Festivalit Kombëtar të Poezisë “Citta di Sant’ Anastasia”.

Duhet theksuar se çmimi “Lermontov” u jepet personaliteteve që në fushën poetike dallohen për ndjeshmëri të veçantë në përzierjen dhe sintezën e gjuhëve e kulturave të ndryshme, duke pararendur kritere artistike të reja, ende të pazbuluara. Poeti është zhvendosur në Itali në vitin 1999.

Poezia e Julian Zharës është kënga e vendeve që lëmë pas, e boshllëkut që mbush çdo tjetër vend që banojmë. “Shqipëria bëhet vendi që çdonjëri humb, Venezia qyteti që çdonjëri zgjedh duke humbur rrënjët, e vetmja mënyrë për të dialoguar me çdo kohë zë fill nga plaga e brendshme”.

Vlen të cekët se Julian Zhara është poet, performer, organizues eventesh kulturore, u lind në Durrës më 1986. Transferohet në Itali më 1999. Ai ka publikuar dy vëllime me poezi In apnea (Granviale, 2009), Vera deve morire (Botuar nga Interlinea për Lyra giovani 2018.

Po ashtu, më 2014 bashkëpunon në Generation Y, projekt i spoken music në MAXXI dhe organizon festivalin e poezisë orale dhe muzikës digjitale Andata e Ritorno./ Albinfo.ch / KultPlus.com

Muzeu kombëtar “Shtëpia e gjetheve” në Tiranë merr çmimin e parë në Paris

Mësohet se muzeu shqiptar ka marrë 11 vota pro në komisionin e vlerësimit, çfarë e ka shpallur fitimtar.

Tematika e këtij muzeu është përkujtimi i dhunës psikologjike të regjimit komunist e i kontrollit të qytetarëve përmes përgjimeve nga ish- Sigurimi.

Ndërtesa e njohur si ‘Shtëpia me gjethe’ (e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj), është kthyer tashmë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve. I hapur më 23 Maj 2017, ai është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit. Pozicionuar në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse: “Ringjallja e Krishtit” dhe pranë Bankës Kombëtare, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.

Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe Shtëpia me Gjethe për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe përbënte një të panjohur, një mister. Pëshpërimat e njerëzve dhe fëshfërimat e gjetheve, duke hapur dyert e kësaj shtëpie, duke paraqitur veprimtaritë që janë kryer brenda saj dhe shumëçka tjetër të bashkëlidhur, ky muze do të shpalosë njëherësh pamje të shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat, mendjet dhe shpirtrat e njerëzve.

Përgjime, kontrolle, spiunime… që kanë sjellë arrestime, internime, tortura, dënime të rënda për shumë e shumë njerëz të pafajshëm, atyre u kushtohet ky muze.

E konceptuar në 9 seksione, ‘Shtëpia me gjethe’ përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë. / KultPlus.com

Dua Lipa merr çmim për kontribut në muzikë (FOTO)

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, është nderuar me një çmim “Ascap Vanguard” për ndikimin e saj në muzikë.
Lipa shijoi sukses të madh dhe u bë sensacion i muzikës pop me këngën “New Rules” të lansuar së fundmi.

“Jam shumë mirënjohëse që fitoj këtë çmim mes artistëve që i admiroj kaq shumë”, ka thënë Dua Lipa me këtë rast.
Me çmim për kontributin në muzikë u nderua edhe grupi “The Amazons”.

Ceremonia e çmimeve “ASCAP” mbahet çdo vit dhe prezantohet nga Shoqëria amerikane e kompozitorëve, autorëve dhe publikuesve, për hir të “ndikimit në zhanret e reja muzikore dhe zhvillimin e tyre”.

Kjo ceremoni për herë të parë u mbajt më 1996./ KultPlus.com