Denata Ndreca sot në Festivalin e Poezisë Qytetare dhe Bashkëkohore në Mesdhe

Poetja Denata Ndreca është e ftuara kryesore sot në mbrëmjen e festivalit të parë të Poezisë Qytetare dhe Bashkëkohore në Mesdhe i cili po mbahet në Pulia. Sot në mbrëmje në orën 19:30 ajo do të jetë përballë gazetarit puljez Nicola Sammali për të diskutuar mbi krijimtarinë dhe poezinë në tërësi.

“Taranto – Festivali i Parë Ndërkombëtar i Poezisë Qytetare Bashkëkohore në Mesdhe. Pulia – një tokë që mirëpret, një det që nuk ndan gjithmonë. E fortë është heshtja që noton në gjoks, fjalët që i kam mbajtur brenda prej vitesh. Për mua ky nuk është thjesht një festival. Po kthehet në kohë. Është duke mbajtur diçka që gjithmonë e kam mbajtur për dore dhe nuk e kam humbur kurrë – atdheun tim”, thotë për “Diaspora Shqiptare” poetja Ndreca.

Poete, shkrimtare, gazetare, përkthyese, pedagoge e shkëlqyer, e vlerësuar me çmime të shumta brenda dhe jashtë vendit, si dhe e përkthyer në gjuhë të ndryshme Denata Ndreca prej vitesh jeton dhe krijon në Itali. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

“Jeta ime ndryshoi në 6 minuta”, rrëfehet poetja e inaugurimit të presidentit Biden

“Jeta ime ka ndryshuar në gjashtë minuta, unë ende duhet të mësohem. Por nëna ime, motra ime binjake më bëjnë të mbaj këmbët në tokë, ato janë shkëmbinjtë e mi”.

Kështu u shpreh për BBC, poetja Amanda Gorman, e cila tregoi sesi ka ndryshuar jeta e saj që nga inaugurimi i presidentit Joe Biden, kur ajo recitoi poezinë “The hill we climb”, duke u bërë kështu poetja më e re në histori që ka marrë pjesë në këtë ngjarje.

 “Edhe qeni im Lulu më sjell përsëri në tokë, për të unë jam akoma i njëjti person”, bëri shaka Gorman. Poezia që recitoi në inaugurimin presidencial i ishte kushtuar dhunës brenda dhe jashtë Kapitolit disa javë më parë.

“Unë e zgjodha titullin vetëm kur e mbarova, për ditë me radhë në dokumentet në kompjuterin tim e quajta “Poezia Inauguruese””, tha poetja e veprës së saj, e cila gjithashtu flet për kurajon për të guxuar.

“I detyrohem nënës sime dhe grave të tjera me ngjyrë në jetën time, për dhuratën e të shprehurit atë që mendoj. Nëna ime gjithmonë më ka inkurajuar për zërin tim”, tha Gorman, duke kujtuar se kur ishte në shkollë ajo ishte në gjendje të mbrohej nga bulizmi dhe për të vlerësuar personalitetin e saj, nëna e saj do të organizonte një festë të vogël për të.

Poetja 23-vjeçare foli edhe për Meghan Markle. “Ajo ishte shumë e guximshme për të folur, unë e admiroj atë shumë”. / KultPlus.com

“Kuku, Atdhe, n’dor t’kujt ke mbet, me mbet Atdhe!”

Poeteshë, shkrimtare dhe botuese shqiptare, Flutura Açka në vitin 1998 u zgjodh ndër 13 poetët më të mirë evropianë të gjeneratës së re në konkurrimin për çmimin e madh Tivoli-Europa në Itali. Përfaqësohet me poezitë e saj në pjesën më të madhe të antologjive të poezisë shqipe në gjuhë të huaj dhe poezi dhe cikle të saj janë botuar në shumë gjuhë. Edhe proza e saj po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, edhe jashtë vendit.

Krijimtaria e saj si në prozë e poezi, konsiderohet dialog shumëdimensional e gjithëpërfshirës mbi tema të rëndësishme të kohës që jeton, në madhësinë e interesave të saj dhe të përfshirjes të vetë autores në  bashkëbisedimin letraro-artistik,  interpretuese e ndjenjave dhe mendimeve njerëzore, të cilat mbartin mjeshtërinë  artistike, lirike e filozofike që më shumë ndjehet sesa shprehet, duke e bërë prozën dhe poezinë e saj me një feminitet të këndshëm, metafora të goditura, plot dashuri e dhimbje.

“Kuku, Atdhe,/N’dor t’kujt ke mbet,/Me mbet Atdhe!”, Acka shfrytëzon  ndjeshëm mjeshtërinë e vet artistike me mendimet dhe idetë thellësisht filozofike, të rrënjosura këto në imazhe konkrete, vizuale dhe simbolike, me  stil mbresëlënës dhe kuptimplotë, që i mbart të dyja: të shprehurin e një shpirti të lirë dhe  kontrastet e dy aspekteve në virtuozitetin e poezisë, për vështrimin e ngulur e  të patundur  prekës, drithëronjës dhe mallëngjyes të poetes,  në kufijtë e të pamundurës. Gjetjet e goditura të fabulës së poezisë, episodike dhe estetike janë karakteristikë e personalitetit krijues të vetë autores, kontrasti midis realitetit dhe fantazisë, se si në  të vërtetë janë gjërat dhe  se si ne i perceptojmë ato të jenë. / KultPlus.com

Poetja shqiptare Irma Kurti shpallet “Akademike dhe Presidente nderi” e Enciklopedisë Poetike italiane

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti është nderuar me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Wikipoesia, krijuar në Itali në 2019 me rastin e Ditës Botërore të Poezisë. Në Presidencën e Nderit pranohen deri në dhjetë personalitete në fushën  e poezisë.

Wikipoesia përshkruhet nga media e shkruar si “Wikipedia e poezisë”.  Në kontekstin e poezisë bashkëkohore, ajo përfaqëson rrjetin më të madh ndërlidhës dhe të vetmen enciklopedi poetike semantike në botë.

Irma Kurti ka botuar njëzet libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh për të rritur e fëmijë dhe njihet si autore e këngëve të suksesshme në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shkruan tekste dhe në gjuhën angleze e italiane, të cilat janë hedhur në tregun ndërkombëtar të muzikës nga shtëpi diskografike italiane.

Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. / KultPlus.com

Më 21 mars të vitit 1931, lindi poetja e shquar italiane Alda Merini

Alda Merini, poeteshë milaneze, lindi në kryeqendrën lombarde më 21 mars 1931.

Më e vogla e tre fëmijëve, kushtet e familjes janë modeste. Alda ndjek shkollat ​​profesionale në Institutin “Laura Solera Mantegazza”; kërkon të pranohet në shkollën e mesme Manzoni, por – duket e pabesueshme – nuk e kalon testin e italishtes. Në këto vite ajo gjithashtu kaloi shumë kohë duke studiuar piano.

E nxitur nga Giacinto Spagnoletti, zbuluesi i saj i vërtetë, bëri debutimin e saj si autore në moshën 15 vjeçare. Spagnoletti do të jetë i pari që publikon krijimtarinë e saj në vitin 1950: në “Antologjia e poezisë italiane 1909-1949” shfaqen poezitë e saj “Katedralja” dhe “Drita”.

Në vitin 1947 do të ketë atë që ajo e quajti “hijet e para të mendjes”: ajo u shtrua një muaj në spitalin psikiatrik të Villa Turno.

Në vitin 1951, edhe me sugjerimin e Eugenio Montales, botuesi Scheiwiller përfshin dy poezi të pabotuara nga Alda Merini në “Poetesha të shekullit të njëzetë”.

Në këtë periudhë ajo i përkushtohet punës, por edhe miqësisë me Salvatore Quasimodon.

Martohet me Ettore Carniti, pronar i disa furrave të bukës në Milano, në vitin 1953. Del vëllimi i parë i vargjeve me titull “La presenza di Orfeo” “Prania e Orfeut”. Dy vjet më vonë publikon”Nozze Romane” “Dasma Romane” dhe “Paura di Dio” “Frika nga Perëndia”. Gjithashtu në vitin 1955 lindi fëmija i parë Emanuela: mjekut të pediatrisë ia dedikoi përmbledhjen “Tu sei Pietro” “Ti je Pjetri” (botuar në vitin 1961).

Poetja pastaj fillon një periudhë të trishtuar të heshtjes dhe izolimit: mbyllet në “Paolo Pini” deri në vitin 1972, gjatë së cilës kohë nuk mungon ndonjë rast të kthehet në familje, dhe gjatë së cilës i lindën tri vajzat (Barbara, Flavia dhe Simonetta ).

Pas periudhave të ndryshme të shërimit dhe sëmundjes, e cila zgjati deri në vitin 1979, Merini i kthehet shkrimit; ajo e bën këtë me tekstet intensive dhe dramatike që tregojnë përvojat e saj tronditëse në izolim. Tekstet mblidhen në “La Terra Santa” “Tokën e Shenjtë”, botuar nga Vanni Scheiwiller në vitin 1984.

Në 1981 burri i saj vdes dhe, mbetur vetëm, Merini ia jep me qira një dhomë të shtëpisë së saj piktorit Charles; fillon të komunikojë me telefon me poetin Michele Pierri, i cili, gjatë asaj periudhe të vështirë të kthimit të saj në botën letrare, kishte treguar vlerësime të shumta për punën e saj.

Të dy u martuan në vitin 1983: Alda u zhvendos në Taranto ku mbeti tre vjet. Në këto vite shkruan njëzet “Poezi-portrete” të “La gazza ladra” (1985) si dhe disa tekste për burrin e saj. Në Taranto ajo gjithashtu përfundoi  “L’altra verità. Diario di una diversa” “E Vërteta tjetër: Ditari i një të Ndryshmeje”, libri i saj i parë në prozë.

Pasi ka përjetuar përsëri tmerret e izolimit, këtë herë në Taranto, ajo kthehet në Milano në vitin 1986: fillon një terapi me Dr Marcella Rizzo, të cilit do t’i kushtojë disa poezi.

Nga pikëpamja letrare këto janë vite shumë produktive: pasoja natyrore është edhe pushtimi i një qetësi të re.

Gjatë viteve, disa botime do të konsolidojnë kthimin në skenën letrare të shkrimtares.

Në vitin 1993 merr çmimin Librex-Guggenheim “Eugenio Montale” për poezinë, si shkrimtarët e tjerë të mëdhenj bashkëkohorë para saj, duke përfshirë Giorgio Caproni, Attilio Bertolucci, Mario Luzi, Andrea Zanzotto, Franco Fortini.

Në vitin 1996 u nderua me çmimin “Viareggio” për volumin “La vita facile”; vitin e ardhshëm mori “Çmimin Procida-Elsa Morante”.

Në vitin 2002 Salani ia publikoi një vëllim të vogël të titulluar “Folle, folle, folle d’amore per te” “E çmendur, e çmendur, e çmendur nga dashuria për ty”, me një mendim të Roberto Vecçionit i cili në vitin 1999 kishte shkruar  “Canzone per Alda Merini, “Këngën për Alda Merinin”.

Në vitin 2003 “Einaudi Stile Libero” boton një kuti me videokasetë dhe tekstin me titull “Più bella della poesia è stata la mia vita”, “Më e bukur se poezia ishte jeta ime”.

Në shkurt 2004 Alda Merini u pranua në Spitalin San Paolo në Milano për shkak të problemeve shëndetësore. Një mik i shkrimtares kërkon ndihmë financiare me një apel që do të bëjë që ajo të marrë nga e gjithë Italia e-maile për ta mbështetur atë. Shkrimtarja më vonë do të kthehet në shtëpinë e saj në Porta Ticinese.

Në vitin 2004 doli një album me njëmbëdhjetë këngë të kënduara nga Milva, të marra nga poezitë e Alda Merinit.

Vepra e saj e fundit është e vitit 2006: Alda Merini i afrohet zhanrit noir me “La nera novella” (Rizzoli).

Alda Merini vdiq në Milano më 1 nëntor 2009 në departamentin e onkologjisë të spitalit San Paolo për shkak të tumorit të eshtrave.

Në kujtim të personit së saj dhe veprës së saj, bijat Emanuela, Barbara, Flavia dhe Simonetta, krijuan faqen e internetit www.aldamerini.it, një antologji në kujtim të poetes, një lëvdatë për ”Bletën e tërbuar”, kushtuar figurës së saj si shkrimtare dhe nënë.

Në vitin 2016, me rastin e ditëlindjes së saj, Google ia dedikoi një logo. /Voal.ch /KultPlus.com

Arjola Zadrima dhe dashuria që buron nga poezitë e saj që vijnë si shkrepje çasti

Fituesja e çmimit KultStrofa për këtë vit, Arjola Zadrima, ka disa ditë që ka publikuar librin e saj të dytë me poezi të titulluar “Carpe Diem”. Prandaj KultPlus përmes intervistës së realizuar me poeten ju sjellë disa copëza nga ky libër dhe ajo që buron nga ai.

“Carpe Diem” është titulli më i ri i librit me poezi nga Arjola Zadrima. Një titull ky i cili ka lindur nga dashuria që ka poetja pikërisht për këtë shprehje latine të Horacit. Pasi që poezia për Artjolën është një shkrepje, një çast magjik dhe po arrite ta kapësh atë çast atëherë bëhesh drita në terrin e njerëzve, dhe siç shprehet ajo, je me fat. Ideja botimit të librit “Carpe Diem” ka lindur bashkë me dëshirën që poetja me dhanë diçka prej vetes.

“Kur e kupton që ajo çka shkruen prek zemrat e lexuesit, i thue vetes, pse jo , pse mos me dhanë ma të mirën tande , poezinë”, thekson ajo. Carpe Diem vjen si një shkrepje çasti për poeten, një lloj si poezi e saj një dashuri në lexim të parë.

Çast

Ka një çast në jetë
ku qiellin e ndien mes krahëve,
e zemra galop e kapërcen
botën e ktushme.
Asht ai çasti ku andrrat ngjajnë me pambuk engjëjsh
e fryma mbetë ndër kangjella parajse,
si sakrilegji i vetëm
i buzëve
që puthin dashninë.

Mue, shpirt, ky moment
më përngjet me Ty,
që krejt qenies time ia mësove fluturimin.


“Unë jam e dashurume me shprehjen latine të Horacit “grabite ditën , jetoje jetën ose kape çastin” mbi të gjitha jam e dashurume me poezinë e mrekullueshme të poetit dhe gazetarit të mirënjohur amerikan Walt whitman me të njëjtin titull, dhe me një mesazh mjaft domethënës, varg për varg… ku ndër të tjera thotë “Mos e braktis entuziazmin për me ba jetën tande të jashtëzakonshme”. Edhe përbërja e këtij libri është e mbushun me çaste që ikin e nuk kthehen”, shprehet ajo.

E veçanta e këtij botimi është se poezitë shoqërohen së bashku me fotografi, një ndër gjërat më të bukura që do hasni në të. Autorja për të sjellë këtë ka bashkëpunuar me mikën e saj, fotografen Iden Temali, e cila pasi i lexoi, i mbështolli me shpirtin e saj poezitë, krijoi e u dha jetë vargjeve me shkrepjet e saj të mrekullueshme.

“Zgjodha fotografinë sepse mendoj se asht një nga ato arte që ka poezi në shkrepje, ka poezi në çast dhe kur dy zhanre mjaft tërheqëse shkrihen me njëri-tjetrin lind një vepër e bukur”, shprehet Arjola Zadrima për KultPlus.

Carpe Diem përmban brenda vetës 33 poezi të cilat janë shkruar ndër vite duke përfshirë edhe poezi të shkruara së fundi dhe rreth 30 fotografi. Poezitë janë të thurura në gegënishte, e që për poeten është një melodi hyjnore që kur ndërthuret në vargje, të fal ndjesi të papërshkrueshme. “Lum kush mundet me e ndërthure”, potencon poetja Zadrima e cila nuk ka një rutinë të shkrimit thjesht fillon të thurë vargje atëherë kur i dridhen telat e shpirtit të saj pasi që pikërisht atëherë lind poezia për të.

Magdalena

S’jam grue sot.
ma shifni bluzën ,

format e saj,
nën të kam gjoksin,
çoj peshë stuhi,
thyej mendjet e verbueme.
Fshij jargët
ky gjoksi i shenjtë mëkon jetë,
a mundesh me iu gjunjëzue ?
Para ktyne syve që dinë me të dëftue botën,
je i vogël,
i pambrojtun,
unë s’i përdori duert,
shikimin.

Ai të përbuzë,
të don,
të rrokë,
të ngjesh edhe me tokën.
Krej forca jote asht ai çast që m’ke zgjue bishën.
Drueje,

jam përbindëshi që ti s’e njeh.
Ti, krijesë e ashpër, e pabesë,
je aq i vogël sa aty ku lindesh,
zhytesh
zhgrryhesh
shtyhesh
zgjahesh
aty qan,

kullon
pikon e zvoglohesh.
Të sundoj ,

edhe kur para syve të mi
zhburrnohesh,
njisoj sikur atë ditë që u linde i paburrë.
Unë s’jam grue sot,
por prej asaj dite kur nën kambë çilen lulëkuqe,
qeshë grue edhe pse e virgjën.
Sot jam Magdalena!


Poezia është një lum, me një rrjedhë të fortë, ku poetja Arjola Zadrima ka frikë që të zhytet se e merr me vete, por që gjendet shpesh brenda kësaj rrjedhe. Një rrjedhë prej të cilës buron çdo herë DASHNIA, kryefjala e poezisë së Arjolës. Por brenda saj lexuesi gjen më shumë se dashuri, gjen një forcë, një forcë e cila lind pikërisht nga dashnia, këtë më së miri e shfaq edhe poezia e saj fituese në KultStrofë, “Po të due unë”. Një poezi që ngjallë gjysmën tjetër të poetes e që jeton me poezinë. “Po të due Unë” asht edhe një thirrje , “ej miq, ba me dashtë të gjithë së bashku e bajmë botën një vend të mrekullueshëm me u jetu”.

“Ah , atë natë kam me e ruejtë gjatë në kujtesën time, sapo kisha rilindë për së dyti, dhe mu dha lajmi i fitores së çmimit “KultStrofa”, di që i kam thanë vetes, që duhet me u kapë edhe me thonj mbas jetës… Ishte shtysa drejt rrugëtimit jetë, drita në fund… shpresa që unë mundem, patjetër që po”, janë fjalët me të cilat poetja kujton momentin kur kishte kuptuar se ishte fituese e çmimit KultStrofa.

Bass

Kur dielli lindë,
qepallat shkundin akujt e natës.
Ende strukem nën velenxën e nji andrre.
E duert tueja përkundin gjumin
që imagjinoj të qetë.

Zani bass më flet për nji dritë,
dashninë
e një jete ku ende s’jam…
/KultPlus.com