Tarantino dhe Burton do të nderohen për arritje jetësore nga Festivali i filmit në Romë

Quentin Tarantino do të nderohet me çmim special për arritje jetësore, në edicionin e sivjetmë të Festivalit të filmit në Romë.

Regjisori i njohur hollywoodian do të jetë i pranishëm në festivalin i cili mbahet nga 14-24 tetor, dhe pritet të marrë pjesë në një takim për së afërmi me publikun lokal, ku do të kenë mundësi t’i parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje nga Tarantino, transmeton KultPlus.

“Në një periudhë të jetës sime e shikoja secilin film Italian. Dhe një pjesë të madhe të karrierës sime e kam kaluar duke i realizuar versionet e mia të këtyre filmave. Prandaj, ta pranoj një shpërblim për arritje jetësore nga Festival i filmit në Romë, është një ndjenjë fantastike për mua”, ka deklaruar Tarantino përmes një komunikate për “The Hollywood Reporter”.

Edicioni i 16-të i Festivalit të Filmi në Romë po ashtu do ta nderojë regjisorin, Tim Burton, me shpërblim për arritje jetësore. Regjisori më së miri njihet për filma të tillë si “Edward Scissorhands” dhe “Batman”.

Në një deklaratë për media të lëshuar nga organizatorët e festivalit, Burton u vlerësua si një prej regjisorëve më origjinal në industrinë e filmit në Amerikë, puna e së cilit mund të identifikohet qysh në shikim të parë.

Burton po ashtu do të jetë i pranishëm në ceremoni për ta pranuar çmimin e tij, transmeton tutje KultPlus.

“Ta pranosh këtë nderim nga Festivali i filmit në Romë është diçka shumë e veçantë për mua. Fellini, Mario Bava, Dario Argento, që t gjithë këta kanë qenë inspirues të mëdhenj në jetën time, dhe të nderohem me çmim në Romë, vendi të cilin e dua shumë dhe një qytet ku ndihesh sikur je protagonist i filmit tënd personal, është mjaft emocionale për mua”, ka deklaruar regjisori.

Programi i plotë i Festivalit të filmit në Romë do të bëhet publik më 6 tetor. / KultPlus.com

Bekim Lumit i ndahet çmimi special në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë

Mbrëmë në Tetovë u ndanë çmimet për më të mirët e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë, shkruan KultPlus.

Ndër shfaqjet që ishin pjesë e festivalit, ishte edhe “Arturo Ui”, me regji të regjisorit tashmë të ndjerë Bekim Lumi të cilit iu nda çmimi special.

Çmimi për regjinë më të mirë shkoi për Dino Mustafiç, shfaqja më e mirë doli të jetë “Vdekja e Dantonit” ndërsa çmimi aktori më i mirë shkoi për Rafet Abazin.

Edicioni i gjashtë i këtij festivali nisi më 11 ndërsa përfundoi më 16 tetor. / KultPlus.com

Më 27 qershor mbahet audicioni për çmimin Special të Chopin Piano Fest

Audicioni për Çmimin Special për piano që ndahet në kuadër të ChopinFest-it për një të ri /të re të talentuar nga Kosova, do të mbahet me 27 qershor 2018. Ndarja e këtij çmimi ishte menduar që të bëhej gjatë edicionit të 9-të të festivalit mirëpo ndarja e tij ishte shtyrë për të iu mundësuar më shumë hapësirë aplikuesve, shkruan KultPlus.

Të drejtë pjesëmarrjeje në audicion kanë studentët e pianos së Fakultetit të Arteve të UP-së dhe nxënësit e pianos së shkollave të muzikës të Kosovës fitues të çmimeve në gara paraprake, të cilët në repertorin e tyre kanë të përgatitur një program në kohëzgjatje prej 60 minutash në rast se do të përzgjidheshin si fitues.

Në audicionin përzgjedhës, kandidatët duhet të performojnë një program prej 45 min. duke përfshirë një vepër obligative të Beethoven-it, përveç Sonatave, Variacioneve, Bagatellave mund të luhen edhe vepra tjera më të shkurtra nga ky kompozitor.
Pjesa tjetër e repertorit është e lirë. Inkurajohen kandidatët që në program të përfshijnë një pjesë nga kompozitorët shqiptarë. Programi në audicion luhet përmendësh.

Paraprakisht, deri me datën 20 qershor, të interesuarit duhet të aplikojnë duke dërguar organizatorëve në emailin [email protected], program-propozimin e recitalit (në formë të shkruar, komplet programin në kohëzgjatje prej 60 min dhe një pjesë për bis (encore)) te cilin kandidati fitues do ta luante në Bonn ne rast se shpallet fitues.
Kandidatët që nuk aplikojnë me programin e shkruar dhe me detajet përkatëse deri me 20 qershor, nuk do të mund të luajnë në audicion ndërsa kandidatët fitues të edicioneve paraprake të ChopinPianoFEST-Çmimit Special ) nuk do të kenë të drejtë garimi.

Në këtë edicion çmimi special i Chopin Fest-it përfshin: një koncert recital në Bonn (Gjermani) që do të mbahet në tetor 2018, kontakt me Universitetin për Muzikë dhe Vallëzim (Hochschule für Musik und Tanz HfMT) në Köln (Gjermani) dhe vizitë në vendet me rëndësi muzikore historike në Bonn (Shtëpinë e Beethoven-it dhe shtëpinë e Schumann-it). Të gjitha shpenzimet janë të mbuluara nga sponsori i çmimit. Kujtojmë se vitin e kaluar fituese ishte pianistja Fortesa Jusufi./ KultPlus.com