‘Art Without Limit International Film Festival’ vjen me edicionin e katërt në Kino Armata

Art Without Limit International Film Festival “ vjen me edicionin e katërt,  i cili do të zhvillohet nga 01-03 Dhjetor 2023, në Kino Armata në Prishtinë.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve përkon me Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Festivali i këtij viti premton të jetë një festë e paharrueshme e fuqisë së kinemasë për të rritur dhe për
fëmijë “Art Without Limit Kids” për të nxitur të kuptuarit e çështjeve të aftësisë së kufizuara në shoqëri.

Si çdo vit tjetër “Art Without Limit International Film Festival” është i përkushtuar për të shfaqur një
gamë të larmishme filmash, nga rreth 1000 aplikime nga regjisorë dhe producentë nga e gjithë bota
duke përfshirë dokumentarë të shkurtër, dramë-fiction dhe animacion, kemi përzgjedhur me kujdes 50
filma të mrekullueshëm që do të konkurrojnë në këtë edicion të 4-të,dhe do të shfaqen përgjatë tre
ditëve të festivalit!

Me fokus të veçantë për njerëzit me nevoja të veçanta, festivali synon të transformojë narrativën rreth
aftësisë së kufizuar dhe të krijojë një platformë për mirëkuptim dhe pranim të ndërsjellë.

Pika e veçantë e këtij edicioni të festivalit është anëtari i jurisë kryesore James Martin – aktori
protagonist i filmit “An Irish Goodbye” fitues i çmimit Best Live Action Short Film,95 th Academy
Awards – OSCAR 2023.

Festivali i sivjetshëm do të ndriçojë gjithashtu artistët me nevoja të veçanta, duke u ofruar atyre një
mundësi unike për të ndarë talentet dhe historitë e tyre në skenën e festivalit tonë, duke shprehur
talented e tyre në muzikë, poashtu do të shfaqim talentet në fusha të ndryshme përmes disa
reportazheve të realizuara nga “Art Without Limit” të cilat do të transmetohen në ceremoninë e hapjes
dhe të mbylljes së Festivalit.

Detajet kryesore :

Hapja e Festivalit do të mbahet me 01 dhjetor, 2023 në ora 19:00.Kino Armata në Prishtinë
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, njëherësh mbyllja e Festivalit, do të mbahet në ditën Ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara më 03 dhjetor 2023 në ora 19: 00 në Kino Armata në Prishtinë

Ndërsa programi për fëmijë “Art Without Limit Kids” do të mbahet me datën 01.dhjetor.2023 në ora
12:00 në Kino Armata në Prishtinë, ku do të shfaqen filma të zgjedhur të animuar, si dhe do të performojnë në skenë disa nxënës me aftësi të kufizuara nga Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” Prishtinë./KultPlus.com

“Vrapo Babadimër” duke vazhduar kauzën e madhe, mbush kryeqytetin me babadimra për të shënuar një tjetër edicion të suksesshëm

Uranik Emini

Festat e fundvitit ndryshe njihen edhe si sezona ku jepen dhurata, dashuri, lumturi e shumë gjëra të tjera. Përtej mbështjelles së dhuratave në letër, në Prishtinë gjatë ditës së sotme ka ndodhur edhe një aktivitet tjetër, i cili tanimë është bërë i përvjetshëm, minimaratona “Vrapo Babadimër”.

Edicioni i shtatë i eventit “Vrapo Babadimër” u mbajt sot në Prishtinë, ku i gjithë kryeqyteti u mbush me babadimra, për të dhuruar për familjët në nevojë duke vrapuar në një shteg dhe duke dhuruar për të tjerët, shkruan KultPlus.

Organizatori i këtij manifestimi, Jusuf Islami, në një intervistë për KultPlus ka thënë se ky edicion ishte shumë i veçantë.

“Vrapo Babadimër edicioni i shtatë ka qenë një ndër edicionet më të bukura që ka qenë ndër vite, ku edhe na ka nderuar me prezencën e tij edhe kryetari i Komunës së Prishtinës. Rreth 1500 babadimra kanë qenë prezentë që e kanë zbukuruar qytetin”, tha ai.

Islami tregon se ata do të ndihmojnë rreth 200 familje në nevojë dhe gjithashtu edhe fëmijët në repartin e onkologjisë.

“Ne do t’i ndihmojë rreth 200 familjeve që janë në nevojë dhe fëmijëeve në repartin e onkologjisë. Ky është një aktivitet që po bëhet më i mirë vit pas viti. Gjithashtu, mund të shtojë se ky event është bërë edhe lajm nëpër media botërore, ka qenë një edicion që nuk do të harrohet lehtë. Me qytetin e dekoruar dhe gjithë babadimrat e pranishëm, shënuam një edicion tjetër të suksesshëm”, përfundon organizatori Islami.

“Vrapo Babadimër” shënoi edicionin e tij të shtatë, duke mbledhur njerëz nga e gjithë Kosova dhe duke i bërë bashkë për një kauzë të madhe, siç është ndihma për të tjerët. /KultPlus.com

Panairi i Librit hap dyert e edicionit të 25-të

Është hapur në Tiranë edicioni i 25-të i Panairit të Librit. Këtë vit ky panair do të ketë si objekt kryesor prezantimin e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitet e fundit.

Ceremonia e hapjes nisi në orën 11:00 në Hollin e Pallatit të Kongreseve, ku ishin të pranishëm botues, shkrimtarë, ministrja Kushi e Margariti, kryebashkiaku Veliaj si dhe një numër i madh vizitorësh.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.

Në këtë panair janë gjithsej 97 stenda ku marrin pjesë 100 shtëpi botuese. Ashtu si vitin e kaluar, do të ketë një kënd dedikuar intervistave, i njohur si “Sofaja e librit”. Programi i “Sofasë” do të presë çdo ditë njerëz të librit, shkrimtarë, përkthyes, botues, ilustrues, redaktorë etj. Intervistat e tyre do të transmetohen online.

Një hapësirë e veçantë u është rezervuar edhe trevave shqipfolëse. Kosova vjen e përfaqësuar me tre stenda kryesore: me stendën e Institutit Albanologjik të Kosovës, me Shoqatën e Botuesve të Kosovës, si stendë më vete, dhe me “Dukagjinin”. Secila ka marrëveshje me shtëpi të ndryshme botuese në Kosovë.

Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. “Logos” është shtëpi botuese e Shkupit, por sjell edhe botimet shqipe nga Tetova. Mali i Zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës, por vijnë edhe pak tituj të botuar në Tuz. Tuzi pritet të jetë i pranishëm me autobusë lexuesish që vijnë në mënyrë të organizuar dhe do të kenë edhe takime për librin shqip.

Në panair do të ketë edhe një shtëpi botuese italiane. Ajo është “Besa Muci”, e cila kryesisht ka në fokus botimin e letërsisë shqipe në italisht.

Që në hapje të panairit është vënë re një numër i madh vizitorësh të vegjël. Të tjera vizita të organizuara fëmijësh priten ditët në vazhdim, edhe nga trojet shqipfolëse përtej kufirit.

Panairi i Librit 2022 do të qëndrojë i hapur 4 ditët për vizitorët në Pallatin e Kongreseve. /atsh /KultPlus.com

Sot në Suharekë nis edicioni i 16-të i ‘Festarit’

Sot më 25 shtator në Suharekë nis edicioni i 16-të, i festës së të rinjve dhe vjeljes së rrushit ‘Festari’, shkruan KultPlus.

Ky festival është festë e rinisë ngase bartës të projektit janë të rinjtë e kësaj komune, ndërsa ‘Festari’ cilësohet edhe si festë e artë sepse gjatë kësaj feste krijohen vlera të reja shpirtërore, humane, artistike e sportive.

‘Festari’ sivjet ka një program shumë dimensional dhe gjithëpërfshirës. Ky festival tashmë është tradicional dhe realizohet në javën e fundit të muajit shtator. Rrushi dhe përpunimi i verës është karakteristikë mijëvjeçare e trevës së Suharekës, andaj edhe ‘Festari’ përkon me gëzimin e vjeljes së rrushit dhe përpunimin e verës.

‘Festari’ nis sot më 25 shtator ndërsa përfundon më 1 tetor./ KultPlus.com