Ditët e Trashëgimisë Evropiane në Kosovë do të shënohen me shumë aktivitete

Kanë filluar tashmë aktivitetet për shënimin e Ditës së Trashëgimisë Evropiane me moton “Trashëgimia dhe Edukimi”.

KultPlus ju sjellë më poshtë listën e aktiviteteve që janë paraparë të mbahen në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane që do të zgjasin deri me 15 tetor 2020.

Disa nga aktivitetet janë:

1. Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet ministrisë dhe Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina“

Data: 15 shtator 2020, ora: 10:00, Vendi: Rektorat;

2. Publikimi i vendimit për shpallje nën mbrojtje të dy asteve të trashëgimisë shpirtërore:

Lojërat tradicionale të Rugovës dhe Opusi i Ansamblit Rugova

Data: 15 shtator 2020, ora 13:00, Vendi: Rugovë;

3. Kampi për restaurimin e mozaikut, bashkëpunim ndërmjet MKRS, Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore  dhe Institutit Arkeologjik i Kosovës

Data: 17 shtator 2020, ora 14:00, Vendi Dresnik-Komuna e Klinës;

4. Festivali Etno Fest, viti jubilar i themelimit të festivalit

Data: 20 shtator 2020, Ora 17:00, Vendi: Kukaj-Komuna e Prishtinës;

5. ABC e Muzeut-program edukativ që realizohet në bashkëpunim ndërmjet Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkollave fillore dhe Fondacionit Tradita nga Tirana

Data: 21 shtator 2020, Ora: 10:00, Vendi: Muzeu Kombëtar i Kosovës;

6. Ekspozitë me veshje tradicionale, aktivitet që organizohet në bashkëpunim ndërmjet ministrisë, Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Fondacionit Tradita

Data: 22 shtator 2020, Ora: 17:00, Vendi: Parku Arkeologjik “Ulpiana”;

7. Publikimi  dokumentit udhëzues për hartim të planeve të menaxhimit, aktivitet që organizohet në bashkëpunim ndërmjet ministrisë dhe misionit të OSBE-së në Kosovë

Data 24 shtator 2020, Ora: 16:00, Vendi: Lapidariumi i Muzeut- Prishtinë;

8. Festivali i ushqimit tradicional, ri-interpretim i ushqimeve tradicionale në kuzhinën bashkëkohore

Data 26 dhe 27 shtator 2020, Vendi: Kalaja e Vushtrrisë./ KultPlus.com

Artisti Erhan Bayladi sjellë gruan dhe natyrën në Muzeun e Kosovës

Arbër Selmani

Secila fotografi ka një grua në të. Ajo është e kthyer me shpinë kah aparati fotografik, duke festuar jetën, duke shikuar natyrën, duke përjetuar kënaqësinë e puhizës së detit. Është e njëjtë grua në 36 fotografitë e realizuara nga dora e artistit turk Erhan Bayladi.

Përtej fotografive, Bayladi është edhe një kitarist. Kur flet për vete, thotë se është një artist i botës dhe i paqes, me gruan si një inspirim të përhershëm në punët e tij artistike. Gruaja e jetës së tij i qëndron afër kur ai bën hapjen e ekspozitës së tij sonte në Prishtinë, në Muzeun e Kosovës.


Artisti sonte ka bërë edhe hapjen e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane të cilat vijnë në Prishtinë me aktivitete të ndryshme. Kati i dytë i Muzeut sonte pati muzikë e melodi shqipe krahas fotografive ku natyra dhe gruaja putheshin mrekullueshëm.

“Në fotografitë e mia kam shumë shpesh inspirim gratë. Këtu janë fotografi të cilat i kam realizuar në Turqi, në Holandë, në Maqedoni, në Gjermani dhe në shtete tjera. Gruaja është e bukura e fotografive të mia” tregon artisti turk i cili duket se i dha ngjyrim tjetër kësaj ekspozite në Muzeun e Kosovës.

Cikli i grave dhe natyrës zë kësisoj një hapësirë të konsiderueshme në këtë ekspozitë. Artisti thotë se ka kohë që ka dashur që një përthekim të tillë arti ta sjellë në Kosovë.


“Jemi takuar në Stamboll me zotëriun Refki dhe ai më pas na ftoi të vinim këtu dhe të ishim pjesë e kësaj ekspozite me të cilën nisin Ditët e Trashëgimisë Evropiane. Jam i lumtur që këtë anë të artit tim ta sjellë në Prishtinë. Sot ka edhe muzikë dhe shpresoj që publiku të marrë ndjesi edhe nga muzika edhe nga fotografitë e mia” tregon artisti për KultPlus.

Para se të bëhej hapja e ekspozitës, Ansambli “Mirdita” nga Resheni solli meloditë e ndryshme shqipe, për një atmosferë e cila ndërlidhi mirë muzikën dhe artin pamor që gjendej prapa krahëve të audiencës. Gjergj Marku nga ky Ansambël i dëshiroi publikut një emocion nga ekspozita por edhe nga muzika që sollën artistët e Ansamblit, me veshjet e tyre kombëtare që gjithmonë rrëqethin lëkurën e shqiptarit.

Një burrë i mbushur art, Erhan Bayladi në fillim të viteve 90-të nisi të merrej aktivisht me muzikë, si kitarist dhe pjesë e disa koreve muzikore në Turqi. Ai ka kompozuar rreth 70-të melodi ndërsa një pjesë të tyre i ka të lansuara si pjesë e albumit “Kırçiçeği”. Ai luan edhe në instrumentet Tambur, Kanun dhe Bağlama. Dhe si qershia mbi tortë, ai është edhe shkrimtar dhe botues i disa novelave e librave në Turqi, mes tyre “Kocamustafapaşa’lı Küçük Mustafa”.

Në ndërkohë Ditët e Trashëgimisë Evropiane do të vazhdojnë me aktivitete tjera. Të shtunën në kryeqytet vjen ekspozita me artistët Vlora Hajredini-Hajrullahu, Saba Berisha-Ismaili, Mire Canolli, Ilire Lepaja, Granita Grezda-Lila, Dafina Vitija dhe Ardita Begu. / KultPlus.com

Muzeu i Kosovës fillon sonte aktivitetet për ‘Ditët e Trashëgimisë Evropiane’

Në vitin 1991, Këshilli i Evropës zyrtarisht filloi ‘Ditët e Trashëgimisë Evropiane’ me mbështetjen e Komisionit Evropian. Në vitin 1999, kjo iniciativë u bë një veprim i përbashkët i Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, përcjellë KultPlus.

Në gjithë Evropës, gjatë fundjavave të shtatorit, Ditëve të Trashëgimisë Evropiane hapin dyert e monumenteve dhe vendeve të shumta, shumë prej të cilave zakonisht janë të mbyllura për publikun, duke u lejuar qytetarëve të Evropës të gëzojnë dhe të mësojnë për trashëgiminë e tyre të përbashkët kulturore dhe t’i inkurajojnë ata të përfshihen në mënyrë aktive në ruajtjen dhe përmirësimin e kësaj trashëgimie për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Sot, Ditët e Trashëgimisë Evropiane mund të konsiderohen si një instrument thelbësor për nxitjen e një përvoje të prekshme të kulturës dhe historisë evropiane, përveç rritjes së vetëdijes së publikut për vlerat e shumta të trashëgimisë sonë të përbashkët dhe nevojës së vazhdueshme për mbrojtjen e saj. Ditët e Trashëgimisë Evropiane kanë arritur të nxisin pjesëmarrjen e shoqërisë civile, përfshirjen specifike të rinisë, punën vullnetare dhe bashkëpunimin ndërkufitar, duke promovuar kështu parimet bazë të dialogut ndërkulturor, partneritetit dhe përgjegjësisë qytetare.

Muzeu i Kosovës, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane me moton Ditët e Hapura- Open Days, do të fillojë me aktivitetin ARTS&CRAFTS dhe “ABC për trashëgiminë kulturore” për katër ditë me radhë, si dhe do të bëhet hapja e ekspozitës me fotografi nga autori nga Turqia, Erhan Bayladi. Ditët do të përfundojnë me një ekspozite nga artistet pjesëmarrës dhe koncert nga grupi “Don’t listen to your neighbours”.

“ ARTS&CRAFTS “ – Punimet e artistëve të ndryshëm të inspiruar nga tradita, do të prezantohen duke u lejuar në ketë rast qasje gjithashtu vizitorëve në punën e tyre praktike.

“ABC për trashëgiminë kulturore” – program edukativ interaktiv që zhvillohet në Muzeun e Kosovës, dhe ka për qëllim të edukojë gjeneratat e reja me vlerat e trashëgimisë arkeologjike të Kosovës, ku përmes gërmimeve të improvizuara arkeologjike fëmijët mësojnë për arkeologjinë si shkencë. Njëkohësisht, praktikojnë bashkëpunimin dhe punën në grup gjatë procesit të konservimit, restaurimit dhe prezantimit të “materialit muzeor”.

Agjenda:

E Martë, 26 Shtator 2017
19:00h Ekspozitë me fotografi nga autori nga Turqia, Erhan Bayladi
E Mërkurë, 27 Shtator 2017
11:00h-15:00h ARTS&CRAFTS Prezantim i punës dhe performancë nga artistët
13:00h-14:00h Pauza
11:00h-15:00hABC për trashëgiminë kulturore
E Enjte, 28 Shator 2017
11:00h-15:00h ARTS&CRAFTS Prezantim i punës dhe përformancë nga artistët
13:00h-14:00h Pauza
11:00h-15:00hABC për trashëgiminë kulturore
E Premte, 29 Shtator 2017
11:00h-15:00h ARTS&CRAFTS Prezantim i punës dhe përformancë nga artistët
13:00h-14:00h Pauza
11:00h-15:00hABC për trashëgiminë kulturore
E Shtunë, 30 Shtator 2017
19:00h-20:00h Hapja e ekspozitës “ARTS&CRAFTS” nga artistët pjesëmarrës ne ditët evropiane
20:00h-22:00h Koncert nga grupi “Don’t listen to your neighbours”

Artistët pjesëmarës në ARTS&CRAFTS:
Vlora Hajredini-Hajrullahu
Saba Berisha-Ismaili
Mire Canolli
Ilire Lepaja
Granita Grezda-Lila
Dafina Vitija
Ardita Begu