“How Do I See You?”, projekti i DokuFest që synon krijimin e mundësive për shkëmbime ndërkulturore mes të rinjve të Kosovës dhe Serbisë

Kanë përfunduar aktivitetet e takimit të dytë të gjeneratës së dytë të pjesëmarrësve në kampin ndërkulturor “HOW DO I SEE YOU” që është projekt i përbashkët i DokuFest dhe Free Zone.

Ky projekt i financuar nga zyra e Bashkimit Europian, ka për qëllim krijimin e mundësive për shkëmbime ndërkulturore mes të rinjve të Kosovës dhe Serbisë përmes një programi edukues dhe gjithëpërfshirës për ti pasqyruar mendimet e tyre përmes krijimit të portreteve audiovizuale në të cilat ata do të kenë mundësi t’i shprehin pikëpamjet për bashkëmoshatarët e tyre.

Aktivitetet e projektit, përveç tjerash nxisin krijimin e narracioneve që trajtojnë çështjet ndërkulturore me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Serbi dhe Kosovë përmes një hapësire ku shkëmbehen idetë dhe ku respektohet mendimi ndryshe, e që është i bazuar në respekt të ndërsjellë. Përmes aktiviteteve të projektit të rinjtë kanë mundësinë ta njohin njëri tjetrin përmes artit dhe kulturës në një hapësirë të lirë nga gjuha e urrejtjes dhe paragjykimeve të ndërsjella.

“Edhe pse transformimi digjital ka lehtësuar qasjen në të dhëna dhe informacione duke përshpejtuar komunikimin me audiencat e targetuara, njëkohësisht përmes teknologjive të reja, ajo sfidon gazetarinë profesionale në mënyrë të vazhdueshme përmes të ashtuquajturave fake-news duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe duke ndërtuar lajme të rreme përplot paragjykime e stereotipizime për njëri tjetrin, shpesh duke përdorur fakte të paketuara në narracion etnocentrik”, tha Eroll Bilibani udhëheqës i DokuLab, departamentit edukativ të DokuFest duke shtuar “ideja për këtë projekt ka qenë e konceptuar një kohë të gjatë, por ja që tani na u dha mundësia, përmes mbështetjes së BE-së për të krijuar mundësi për të rinjë nga të dy shtetet të krijojnë kundër narrativa vizavi etnocentrizmit dhe nacionalizmit në rritje që vazhdimisht promovohet dhe shpërndahet nga platformat joetike të mediave që pastaj gjejnë vend tek rrjetet sociale të individëve të papërgjegjshëm”.

Zbatimi i projektit nisi në mesin e muajit Mars 2020, por situata dhe rrethanat me pandeminë penguan disa nga aktivitetet e projektit. Megjithatë, bashkë me partnerët e projektit vazhduam me zbatimin e aktiviteteve të cilat ishin të mundshme të realizohen përmes hapësirës virtuale që na mundësoi t’i organizojmë aktivitetet. Pavarësisht situatës së krijuar, grupi i parë i pjesëmarrësve nga Kosova dhe Serbia, arritën që të krijojnë portretet e para audiovizuale për njeri-tjetrin.

Grupi i dytë i të rinjëve u konsolidua në muajin prill 2021, dhe deri në muajin maj krijuan portrete audiovizuale pas takimeve individuale që u fasilituan nga partnerët e projektit.

“Këtë të martë dhe të mërkurë ne organizuam takime virtuale ku të rinjëve iu dha hapësirë për ti shfaqur portretet e njeri tjetrit, duke u bazuar në eksperiencën e takimeve individuale me njeri tjetrin” tha Zana Arapi-Xheladini menaxhere e projektit dhe shtoi “respekti i ndërsjellë i pjesëmarrësve gjatë këtyre takimeve mund të jetë si model i komunikimit mes shteteve të rajonit, pa gjuhë të urrejtjes dhe me respekt për mendim ndryshe”.

Projekti parasheh edhe një tubim fizik të të dy grupeve të pjesëmarrësve për të krijuar punime artistike në formë portretesh audiovizuale që do të ekspozohen në edicionin jubilar të DokuFest në Prizren nga 6 deri më 14 gusht 2021, si dhe gjatë edicionit të 17’të të Free Zone në nëntor të këtij viti në Beograd. / KultPlus.com

‘She Asked Me Where I Was From’ nga Aulona Fetahaj, fitues në kategorinë e Garës Kombëtare të Filmit të Shkurtë

Në festivalin DokuFest, filmi i Aulona Fetahaj, “She asked me where i was from” ka arritur të shpallet fitues i në kategorinë e Garës Kombëtare të Filmit të Shkurtë.

Fotografitë që shpalosin kujtime, periudha të ndryshme kohore, nga njëri vend në tjetrin, vende sa të huaja, aq edhe të vogla, por mjaftueshëm sa për të krijuar një të kaluar që do mbetet vetëm suvenir në kohë. Kjo është përmbajtja e filmit “She asked me where I came from”, që sjell historinë personale të regjisores Aulona Fetahaj, që filloi të ndihej e huaj në vendin ku jetonte, sepse një nga pesë njerëz nuk pëlqenin refugjatët si ajo, shkruan KultPlus.

Filmi kishte filluar të realizohej si një ide për temën e bachellorit, si dëshirë e  regjisores që tash e sa kohë jetonte në Belgjikë, për të krijuar diçka për vendin e saj, Kosovën. Ajo në një intervistë për KultPlus tregon se nga pamundësia për të udhëtuar për në Kosovë asaj i lindi ideja që të krijoj një film të tillë nga prapa ekranit të saj.

“Nuk kam mundur të shkoj në Kosovë për të filmuar, kështu që u detyrova me mendu se si mund të krijoja diçka për Kosovën nga Belgjika. Si një e huaj në Belgjikë, ishte një pozicion që automatikisht përcaktoi përmbajtjen e filmit. Duke qenë e tillë, mendoj se këtu është formuar edhe forma e narracioni i filmit, nga një distancë (nga prapa ekranit tim) duke parë botën e jashtme ishte në gjendje të reflektoja më mirë për të”, ka deklaruar ajo. /KultPlus.com

“The Metamorphosis of Birds” fitues në kategorinë e Dokumentarëve Ndërkombëtar

Për rindërtimin e saj elegant të një historie të përjetshme dhe universale dhe për ndjeshmërinë e saj ndaj mundësive krijuese të ofruara nga kinemaja jo fiction, juria vendosi të shpërblejë një film të parë mbresëlënës, duke konfirmuar gjallërinë e kinemasë bashkëkohore portugeze”, ishin këto komentet e jurisë së kategorisë për dokumentarin ndërkombëtar, fituese kryesore e të cilit ishte Catarina Vasconcelos me “The metamorphosis of birds”

Në film trajtohet ngjarja e Beatriz dhe Henrique të cilët u martuan në ditën kur ajo u mbush 21 vjeç. Henrique, një oficer detar, kaloi periudha të gjata në det. Në tokë, Beatriz, e cila mësoi gjithçka nga vertikaliteti i bimëve, u kujdes për rrënjët e gjashtë fëmijëve të saj. / KultPlus.com

Filmi i metrazhit të shkurtër “Salloni” do të shfaqet në edicionin e ri të DokuFestit

Filmi i metrazhit të shkurtër “Salloni” me regji të Zgjim Terziqit do të shfaqet në edicionin e sivjetmë të DokuFestit, që mbahet nga data 7 deri më 25 gusht, shkruan KultPlus.

Edicioni i 19-të i DokuFestit do të mbahet online për shkak të pandemisë covid-19.

Laji është bërë i ditur në faqen e festivalit.

“Salloni” pati premiera botërore nëpër vende të ndryshme, ndërsa kasta e tij përbëhet nga aktorët: Armond Morina, Irena Cahani, Xhejlane Terbunja, Anisa Ismajli, Njomëza Fetiu, Igballe Qena, Sheqerie Buqaj, Marigona Përvetica, Lurni Krasniqi dhe Jara Saqipi. /KultPlus.com

Programi “E ardhmja është këtu” i DokuFest këtë vit reflekton shpresën e të rinjve

Ky vit shënon gjeneratën e gjashtë të nxënësve të shkollave të mesme të cilët regjistrohen në kampet e trajnimit të organizuara nga programi edukativ “Shkolla dhe dokumentari”, i cili fokusohet në natyrën praktike të filmave, duke u ofruar nxënësve mjetet, njohuritë dhe asistencën profesionale të nevojshme për të bërë filmat e tyre, shkruan KultPlus.

“Kur filluam shkollën e filmit “E ardhmja është këtu” para 6 vjetësh, nuk na shkoi mëndja që do të arrijmë të frymëzojmë kaq shumë gjenerata të të rinjve të talentuar, që të kthejnë pasionin e tyre në projekte konkrete”, shkruhet në njoftimin e DokuFest.

Një grup tutorësh me përvojë janë aty për të ndërtuar një urë mes nxënësve. Në edicionin e gjashtë janë pranuar 15 të rinj entuziastë, nga 88 aplikime për t’iu bashkuar kampit të parë veror ku do të trajnohen përmes qendrës së produksionit të dokumentarëve në DokuFest, përmes procesit të udhëhequr nga profesionistët në terren, prej ideve deri në fazat përfundimtare. Kureshtja e tyre për botën që i rrethon është kyçe për aspektin transformues në punëtori.

Së fundmi, janë përzgjedhur shtatë projekte premtuese për t’u udhëhequr më tutje nga tutorët e programit Blerta Zeqiri, Gullermo Careras-Candi, Emilio Guerra, Gazmend Bajri, Hakan Karamuço dhe Samir Karahoda. Duke ju dhënë kamera për të treguar historitë e tyre dhe për të krijuar një ndërgjegjësim më të madh mbi çështjet sociale, u ngjall dashuria për procesin e realizimit të tregimeve mes këtyre shtatë studentëve të mahnitshëm.

Filmat e tyre janë personal, që përshkruajnë jetën e tyre përmes historive të rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse. Shtrirja e gjerë e temave trajtojnë çështje se si media sociale formon jetën e përditshme të adoleshentëve, ose se si paragjykimet dhe diskriminimi ndikojnë në jetën e një të riu në Kosovë. Një nxënës rom vendosi të filmonte një festë që simbolizon lumturinë e cila kremtohet me shumë krenari nga komuniteti rom, ndërsa një tjetër histori e një filmbërësi të ri ka të bëjë me krijesat magjike dhe mitike shqiptare që posedojnë fuqitë mbinatyrore dhe bukurinë e jashtëzakonshme.

Rrëfimet e këtyre të rinjve janë pasqyrim i shoqërisë dhe reflektojnë shpresë dhe optimizëm. Prandaj DokuFest i fton të gjithë që të bashkohen në shfaqjen e këtyre filmave në kinemanë e mbi lum të DokuFest, nën mbishkrimin “E ardhmja është këtu”./ KultPlus.com