Donjeta Sadiku merr shpërblimin shtetëror, ministri Çeku: Sportistët tanë janë shndërruar në frymëzim për të gjithë ne

Në kabinetin e Ministrit Hajrulla Çeku është mbajtur sot ceremonia për dhënien e shpërblimit shtetëror për boksieren Donjeta Sadikun, fituese e medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror të boksit që u mbajt në Stamboll, shkruan KultPlus.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe trajnerja Marjola Sallauka, kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi, dhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.

Ministri Çeku është shprehur i nderuar që priti në takim kampionen Sadiku e cila na solli medaljen e bronztë nga Kampionati Botëror i Boksit për seniore.

“Jemi krenarë pa fund me punën, përkushtimin e saj dhe të të gjithë sportistëve tanë që janë shndërruar në frymëzim për të gjithë ne me sukseset që po arrijnë”, është shprehur Ceku.

Donjetës dhe trajneres Sallauka ju ndanë shpërblimet shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në gara ndërkombëtare.

Krejt për fund Ceku u zotua se bashkë do të punojnë që t’i plotësojnë të gjitha kushtet që sukseset e tyre të vazhdojnë. / KultPlus.com

Donjeta Sadiku merr nesër shpërblimin shtetëror nga MKRS

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se nesër do të organizohet ceremonia për dhënien e shpërblimit shtetëror për boksieren Donjeta Sadikun, shkruan KultPlus.

Donjeta Sadiku ka arritur që të fitojë medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të boksit që u mbajt në Stamboll.

Në këtë ceremoni të pranishëm do të jenë edhe Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës.

Ministri Çeku dhe të pranishmit do të mbajnë edhe konferencë për media. /KultPlus.com

Donjeta Sadiku, medaliste e bronztë e botës

Donjeta Sadiku është ndalur në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror të Boksit, që po mbahet në Stamboll të Turqisë.

Boksierja kosovare u mund nga amerikania, Rashida Ellis, kategoria -60 kg.

Sadiku ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në Botëror, pasi me tri fitore të shënuara, kishte siguruar medaljen e bronztë të botës, suksesi më i madh në histori të boksit kosovar./ KultPlus.com

Historike, Donjeta Sadiku i sjell Kosovës medalje botërore në boks

Historike, Donjeta Sadiku i siguron Kosovës medalje botërore në boks, përcjell KultPlus.

Arritje madhështore për Donjeta Sadikun e cila ka siguruar medaljen botërore në Kampionatin Botëror të Boksit, që po mbahet në Stamboll të Turqisë.

Boksierja mundi Wu Shih-yi të Taipeit, në çerekfinalen e kategorisë -60 kg.

Sadiku do t’i sjell medaljen e parë botërore Kosovës nga sporti i boksit për seniore. / KultPlus.com

Donjeta Sadiku i kthehet ringut, përfaqëson Kosovën në Kampionatin Botëror të boksit për gra

Boksierja nga Kosova, Donjeta Sadiku do të rikthehet të enjten në ring ku do të përfaqësojë vendin në Kampionatin Botëror të boksit për gra.

Ky event ka filluar garat më 6 maj, derisa do të zhvillohet deri më 21 maj në Stamboll të Turqisë.

Boksierja kosovare do të zhvillojë meçin e saj nesër, ku do të përballet me japonezen, Taguchi Ayaka.

Nëse kalon në xhiron e dytë, Donjeta do të pres fituesen e duelit në mes boksieres nga Kenia dhe asaj nga Republika Demoratike e Kongos./ arbresh.info/ KultPlus.com

Donjeta Sadiku ngel pa medalje olimpike në Tokio

Donjeta Sadiku është rrahur nga britanikja Caroline Dubois në debutimin e saj në Lojërat Olimpike në boks të martën në Tokio.

Sadiku nuk mundi t’i bëjë ballë kampiones olimpike për të rinj në kategorinë e lehtë.

Ajo ishte boksierja e parë nga Kosova, vajzë apo mashkull, që garon në Lojëra Olimpike në sportin e boksit.

22-vjeçarja ishte njëra prej gjashtë garueseve nga Kosova që morën pjesë në Olimpiadë përmes ftesës.

Boksieria nga Gollaku e humbi meçin ndaj Dubois me pikë. Lufta zgjati tri runde dhe britanikja i fitoi që të trija, duke e mbizotëruar kosovaren.

Sadiku iu bashkohet Majlinda Kelmendit, Akil Gjakovës, Eda Zeqirit dhe Drilon Ibrahimit në mesin e garuesve kosovarë që nuk ia dolën të fitojnë medalje në Tokio.

Por Kosova do të kthehet nga Japonia me të paktën dy medalje të arta, falë Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës që i fituan ato në kategoritë e tyre përkatëse në xhudo.

Ndërkohë, numri i medaljeve mund të rrihet për Kosovën, pasi ajo i ka edhe katër atletë në garë në Tokio.

Olti Kondirolli do të garojë sot në not, ndërsa Musa Hajdari, Loriana Kuka dhe Egzon Shala do të garojnë në ditët në vijim. /gazeta express/ KultPlus.com

Donjeta Sadiku nesër nga ora 6:24 fillon garën në Lojërat Olimpike

Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku nesër e nis rrugëtimin e saj në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Sadiku do të përballet me Caroline Dubois nga Britania e Madhe sonte pas mesnate, përcjell KultPlus.

Ky meç parashihet të fillojë në ora 6:24 me kohën tonë lokale dhe në 13:24 me kohën lokale të Japonisë.

Kosova në Tokio 2020 deri tash i ka fituar dy medalje të arta, të dyja në xhudo, kurse Donjeta Sadiku do të synojë ta dërgojë në tre numrin e medaljeve olimpike nga kjo Olimpiadë.  / KultPlus.com

Donjeta Sadiku, triumfon në Turneun Ndërkombëtar të Boksit në Bullgari

Donjeta Sadiku është shpallur fituese e medaljes së argjendtë në Turneun Ndërkombëtar të Boksit, ‘Balkan’ i cili është mbajtur në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.

Sadiku në finale u përballë me kampionen botërore, brazilianen Ferreira Beatriz, e cila ndodhet e para në renditjen botërore të AIBA-s, kategoria -60kg.

Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të Kosovo Olympic Committee. ‘Donjeta edhe në finale shfaqi luftë të barabartë, duke treguar se është në formë të mirë para garave që vlejnë për pikë Olimpike’, thuhej në njoftimin e Kosovo Olympiv Committee.

Ndërkaq, në finale, drejtësinë e ndau gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli. / KultPlus.com