Konferencë shkencore për veprën e dramaturgut Ethem Haxhiademi

“Dramaturgu- poet Ethem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve letrare dhe gjuhësore” ishte konferenca shkencore, që bëri bashkë akademikë dhe studiues.

Me rastin e kësaj konference u ekspozuan edhe variantet e botimit të veprave e shqipërimeve të Haxhiademit (9 vëllime) nga më të hershmet në ato të ditëve tona, përgatitur nga botimet “Poeteka”. Konferenca shkencore u mbajt paralelisht në dy mjedise, në Akademinë e Shkencave në sallën “Aleks Buda” dhe tek Libri Akademik.

Konferenca u zhvillua në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Departamenti i Studimeve Letrare. Ethem Haxhiademi ishte një nga shkrimtarët që u dënua në mënyrë të dyfishtë nga regjimi komunist, jo vetëm me persekutim e burgosje, por edhe me shuarje të emrit dhe veprës së tij, ku siç thotë botuesi i veprave të tij Arian Leka, emri i Ethem Haxhiademit nuk u dëgjua as për t’u cilësuar si reaksionar, siç ndodhi me shkrimtarë të tjerë të viteve ‘30, si Koliqi, Fishta e të tjerë. Sipas një programi me tematika të pasura, figura e Ethem Haxhiademit u ndriçua për herë të parë e plotë si krijues, si personalitet dhe si themeltar i traditës së dramaturgjisë shqiptare, por edhe si një nga intelektualët më të përparuar të kohës në formimin e tij ideoestetik.

Seancën e parë të konferencës e përshëndeti prof. as. dr. Evalda Paci, si drejtuese e seancës me prof. dr. Valter Memishaj, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe prof. dr. Laura Smaqin. Akad. Shaban Sinani mbajti kumtesën me temë: “Faji” i të parilemit me sytë e Kainit në dy tragjedi të Haxhiademit”, përmes të cilës argumentoi thyerjen e klishesë që ka bërë Haxhiademi në zbulimin e së vërtetës në tragjedinë e Kainit dhe Abelit, duke përcaktuar fajet dhe padrejtësisë njerëzore që shpallen në emër të një trashëgimie zakonore.

Prof. dr. Laura Smaqi mbajti kumtesën “Haxhiademi dhe procesi letrar mes dy luftërave botërore”, për të vijuar dhe me të tjera kumtesa. /sot/ KultPlus.com

Drama shqipe nuk gjendet në krizë tani, ajo gjithmonë ka qenë në krizë

                  

                                    

“Një guidë e shkurtër e dramës shqipe”

Historia na mëson gabimet, parasegjithash na mëson se ku konkretisht gabuam. Ne si popull, si shtet, si shoqëri asnjëherë nuk marrim parasysh gabimet e historisë. Ne e dashurojmë historinë vetëm për lavdinë e saj, lavdinë të presupozuar tonë. Kjo mendësi është arsye pothuajse e secilit problem që kemi. E njejta vlen edhe për letërsinë, më saktë dramën shqipe. Që nga shkrimi i dramës së parë shqipe e deri tani rrugëtimi i saj vazhdon të jetë i njejtë, duke u zvarritur për mbijetesë.

Eh pra historia fillon kështu: Ne kemi hapësira teatrore gati të vjetra sa ato të Greqisë së lashtë: Apollonia, Butrinti, Bylisi, Sofratika, Durrësi  etj. ku ka dëshmi se janë zhvilluar aktivitete teatrore dhe letrare madje për një kohë të gjatë por nuk ka dëshmi të dokumentuar të një drame të shkruar në gjuhën shqipe në këtë kohë. Plauti ( 254-184 p.e.s), një nga dramaturgët e mëdhenj të Romës së lashtë shkruan komedinë “Menhemët” ku ngjarja ndodhë në vendin e quajtur “Epidamnus”, që më vonë merr emrin “Dyrrah” e sot quhet “Durrës”. Kjo komedi e konsideruar si puna ma e madhe e Plautit është dëshmi se aktivitetet teatrore kanë qenë prezente që nga koha e lashtë në trojet shqiptare.

Por drama e parë në gjuhën shqipe shkruhet shumë vonë. Drama e parë shqipe “Emira” u shkrua më  1885 nga Anton Santori. Kjo dramë fitoi titullin e dramës së parë të shkruar në gjuhën  shqipe sepse Sami Frashëri shkroi “Besën” (1874) në gjuhën turke kurse Jeronim De Rada shkroi “Sofonisbën” në  vitin 1846 kurse u botua më 1891 në gjuhën italiane  dhe pastaj u përkthyen në gjuhën shqipe. Edhe pse mund  të duken si teknikalitete, kjo luan rol të madh ndonëse në atë kohë asnjëri nga dramaturgët nuk mund t’a ketë menduar kështu.

Më 1885 e tutje drama dhe teatri botëror fillojnë një epokë të rëndësishme, atë të modernizmit, formacion stilistik ky I cili hedh poshtë mitizimet, folkloret, hyjnitë dhe në qendër vendos njeriun e thjeshtë, të përditshëm e të pa “titull” kurse në këtë kohë dramat shqipe ishin të mbushura me ekzagjerime, patriotizma, lartësime..më the e të thash. Edhe patriotizmi e ndjenjat patriotike tek ne vijnë vonë, arsyeja është e jashtme, si gjithmonë.

                                                            1900 – 1920

Pas lavdisë të së “parave”prej 1900 e deri tek 1920 drama shqipe kalon një periudhë tejet të  frytshme. Fan Noli edhe pse 20 vjeç në vitin 1902 shkruan dramën “Izrailitë e Filistinë” të cilën e boton në  vitin 1907.Në këtë periudhë shkruhen komeditë e njohura nga Anton Z. Çajupi si “14 vjeç dhëndërr”(1902) dhe “Pas  Vdekjes”(shkruar më 1910, botuar më 1937) gjithashtu edhe tragjedia”Burri i dheut” (shkruar më 1908, botuar më 1937).

Pastaj Mihail Grameno shkruan komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe”(1905) dhe  tragjedinë historike  “Vdekja e Pirros”(1906). Në vitin 1915 Foqion Postoli shkruan dramën “Mallkimi i nënës”(1915).

Gjergj Fishta, një nga dramaturgët më lirik që ka dramaturgjia shqiptare boton dramat “Juda e makab” (1914), “Shqyptari i  gjytetnuem”(1911),”Gomari i Babatasit”(1923) dhe vepra të tjera të rëndësishme. Fishta paraqet dramë tipike të asaj kohe: e shkruar në vargje, tone patriotike me tepricë, glorifikim, lirikë e kësi gjëra.

Pas Çajupit, kontribut të madh  në zhvillimin e komedisë në gjuhën shqipe dha edhe Kristo Floqi me komeditë “Fe e Kombësi”(1909), “Karllo  Topia”(1916),”Pirro Neoptolemi”(1923) dhe komedi të tjera të  cilat ende vazhdojnë të inskenohen nga ata që kuptojnë komedinë e mirëfilltë. Kristo Floqi bashkë me Çajupin zhvilluan komedinë përtej pritjeve reale të asaj kohe madje Kristo Floqi arriti në një nivel edhe më të lartë duke e paralelizuar veten edhe me Molierin, mjeshtrin e komedisë.

                                                              1930 – 1955

Vitet e 30-ta sollën një dramaturg të veçantë, Et’hem Haxhiademin me dramat Ulisi(1931), Akili(1931), Aleksandri(1931),Pirrua(1931),Skendërbeu(1935), Diomedi(1936), Abeli(1936) etj. Kontributi I tij në dramaturgjinë shqipe ishte tejet I madh por nuk u shpërblye asnjëherë madje në moshën 63 vjeçare vdes në burgun e burrelit pak muaj para se ta përfundonte dënimin me burg pasi i iku dënimit me vdekje dhe u fal.

Por diçka e çuditshme ishte duke ndodhur deri këtu, Drama zhvillohej si gjini letrare për botim dhe jo për inskenim. Deri më tani këto vepra ishin “hamendësime” dhe ende nuk kishin kaluar “testin” në teatër: me prova, ushtrime, premiera, repriza, përballjen me publikun etj.

Teatri Popullor në Shqipëri u themelua më 1945, i cili më pas u emërua Teatri Kombëtarë. Më 1946 u themelua edhe Teatri Popullor Krahinor i Kosovës ku në vitet e para punuan kryesisht lëvizjet dhe inciativat amatore të asaj kohe.

Gjithçka në rregull deri këtu;  kemi dramaturgë, drama të shkruara, teatro ku të inskenohen dhe potencial artistik e intelektual derisa komunizmi shpërthen si murtaja dhe artistët, shkrimtarët, veprimtarët partiotik fillojnë të përndjeken dhe vriten.

Teatri dhe drama bëhet mjet i fuqishëm propagandues i Komunizmit dhe krijohen konventat e rregullat e  veçanta të shkrimit sipas kërkesave të Realizmit Socialist. Në këtë kohë shkruhet drama “Halili dhe Hajria”(1950) nga Kolë Jakova i cili pastaj shkroi edhe dramën “Toka jonë”(1955). Sulejman Pitarka boton dramën “Familja e Peshkatarit”(1955).        

                                                1955 – 1985 në Shqipëri

Sulejman Pitarka boton dramën shumë të njohur “Trimi i mirë me shokë shumë”(1958).  Në vitin 1961 Spiro Çomora boton komedinë  “Karnevalet e Korcës”. Fillojnë punën edhe shumë dramaturgë tjerë si Loni Papa, Fatos Arapi, Naum Prifti, Dritëro Agolli, Dionis Bubani e të tjerë.

Drama dhe Teatri në shqipëri në vitet 60’të dhe 70’të pësoi goditje të mëdha kur pas zhdukjes së lëvizjeve amatore u ndalua repertori i huaj.Kultura përendimore konsiderohej borgjeze e dekadente dhe ajo çka mbeti ishin lavdet dhe propagandat e Enver Hoxhës dhe sërvilëve të tij.

Çdo vepër, punë apo arritje artistike e perëndimit apo të cilit do vend në botë konsiderohej   e gabueshme madje u mohua fuqishëm. Vlerat e vërteta ishin tek veprat e krijuara duke u përshtatur konventave të realizimit socialit të cilat me tekst apo nëntekst, formë apo përmbajtje, mesazh të drejtëpërdrejt apo tërthorazi  që  shpërfaqeshin ideologjinë e komunizmit. Pjesa më e madhe e dramaturgëve e shkrimtarëve ishin të përndjekur, internuar e torturar edhe pse shumica ishin me prejardhje nga familje intelektuale e patriotike. Kishte nga ata që ishin të përkdhelur e të pa shqetësuar por me rrëzimin e komunizmit nuk kishin zgjidhje tjetër pos ikjes.

Një gjendje e tillë vazhdoi gjatë deri në rrëzimin e komunizmit ku shkrimtarët fituan lirinë e tyre që iu mohua aq shumë.

                                                1955 – 1985 në Kosovë

Përderisa gjendja në Shqipëri u keqësua madje në nivele të tmerrshme e morbide, gjendja në Kosovë ishte stabile. Vitet e 60’ta e 70’ta shënuan një epokë të artë të teatrit dhe dramës me emra si Anton Pashku, Azem Shkreli, Ekrem Kryeziu, Beqir Musliu, Rexhep Qosja etj.

Teatri Popullor Krahinor I Kosovës I themeluar në vitin 1946 deri në vitet e 60’ta vazhdoi punët me lëvizjet dhe grupet amatore. Në vitet e 60’ta u krijuan kuadro të reja të cilët e shëndrruan këtë teatër në një gjigand të prodhimit të shfaqjeve dhe vlerave të vërteta aristike.

Deri në vitin 1989 ky teatër dokumenton mbi 400 premiera, 10,000 repriza dhe me mbi 3,200,000 shikues. Me një repertor të gjerë me drama botërore, shqipe e jugosllave.

Shfaqjet e këtij teatri, tashmë Teatri Kombëtarë I Kosovës, janë shfaqur e prezantuar dinjitetshëm nëpër shumë festivale të ndryshme ku edhe kanë fituar. Një shfaqje e cila ende mbetet e paharrueshme është shfaqja “Erveheja”(1967) me tekst të Ahmet Qirezit bazuar në veprën e Muhamed Kyqyk- Çamit dhe nën regjinë e Muharrem Qenës. Vitet e 80-ta fillojnë të bëhen të vështira madje presioni politik rritet.

                                     Vitet e 90’ta dhe këndej në Shqipëri

Me rrëzimin e komunizmit shumë sfera filluan të punonin përsëri pa ndalesa, kërcnime e frikësime. Edhe pse shumë gjatë Shqipëria kaloi në një kohë të errët, pa shpresë, pa zgjidhje dukej se të gjithës i erdh fundi. Një shpresë e vullnet I madh u karakterizua që ndikoj në secilin sferë e ndikim të madh pati në art, posaçanërisht në dramë e teatër.

Në vitet e 90’ta filluan të aplikohen metoda, eksperimente e prurje që sollën një frymë të re. Në Teatër më në fund mund të inskenoheshin dramat që ishin të ndaluara e në veçanti hov të madh morrën dramat e teatrit absurd. Në këtë periudhë u vë në skenë kryevepra e Samuel Becket “Duke pritur godonë” dhe kryevepra e Eugene Jonesco-s “Këngtarja tullace” vepra këto tipike të dramës absurdiste.

Pavarësisht stileve të reja evropiane e botërore, teatri vazhdoi edhe me drama kombëtare e tradicionale pa e anashkaluar dramën shqipe.

                                     Vitet e 90’ta dhe këndej në Kosovë

Në ndërkohë në Kosovë në vitet e 90’ta krijohet një klimë e papërshtatshme pune e arti ku pas ca viteve fillon edhe lufta. Një ndikim të madh pati politika sa që edhe i dëboi shumë artistë nga teatri dhe vendosi ndalesë totale mbi çfarëdo lloj krijimi artistik.

Nga fund viteve të 90’ta në Kosovë e Shqipëri  e deri më tani filloi epoka e Dramës Bashkëkohore Shqipe me dramaturgë si Haqif Mulliqi, Fadil Hysaj, Mehmet Kraja, Besim Rexhaj, Jeton Neziraj e të tjerë.

Pas përfudimit të luftës e këndej janë shkruar shumë drama, janë realizuar shumë shfaqje dhe janë krijuar gjenerata të tëra kuadrosh profesionistë. Problemi i dramës shqipe mbetet ende I njejtë, duke luftuar për mbijetesë.

                                          Sot në Kosovë dhe Shqipëri

Drama Shqipe i ka mbijetuar dy luftërave botërore, kohës të tmerrshme të  komunizmit, cenzurës së ish-Jugosllavisë dhe shumë sfidave të tjera e të vështira.  Para saj ka edhe një grumbull problemesh siç janë: Problemet financiare dhe të menaxhimit, Problemet politike dhe ndërhyrjet e politikës, Mediokriteti dhe mbi të gjitha arsyeja e krijimit të krejt këtyre problemeve: emërimi I njerëzve jokompetent në pozitat e ministrave të kulturës, drejtorëve të kulturës dhe përgjegjësve për kulturë.

1412 drama janë të botuara në gjuhën shqipe që nga viti 1885 deri në vitin 2017 sipas studimit të Ernestina Gjergji-Halilit në librin “Bibliografia e dramës së shkruar shqipe”(2017). Sa prej këtyre dramave  kemi parë në Teatër?

Teatri kombëtarë në Shqipëri, për fat të keq tani shkrumb e hi, por edhe teatrot tjera në Shqipëri kanë pasur dhe kanë një konsideratë e përgjegjësi për dramën shqipe e cila inskenohet ende. Kurse Teatri Kombëtarë i Kosovës dhe Teatrot e qyteve vazhdojnë ta zgjedhin dramën e huaj para dramës shqipe madje në një raport të frikshëm 2:1, 3:1 ose madje 4:1 për dramën e huaj.

Drama shqipe do të kaloj edhe këtë krizë sikur historikisht që ka kaluar krizat…duke u zvarritur. / Shkruar nga Diellza Beqaj / KultPlus.com

Ndahen çmimet për dramë shqipe “Katarina Josipi”, fitues Osman Goranci

Osman Goranci fitoi çmimin e vendit të parë për Dramë Shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Gratë dhe Napoloni”. Ndërkaq, Ibush Arifi fitoi vendin e dytë në konkursin e ndarjes së çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Lufta e gruas”.

Këto dy çmime i ndau sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për të dy laureatët. Vendimet për çmime ministrja Dumoshi i ndau në bazë të vlerësimeve të Jurisë profesionale në përbërje të profesor Ekrem Kryeziu – kryesues, Getoarbë Mullqi, Vlorë Nikçi, Ardian Morina dhe Jehona Shyti – anëtarë.

Juria ka vlerësuar se drama “Gratë dhe Napoloni” është një komedi që i ka tiparet e ‘komedia del arte’, të shtrira në kohën tonë, me dialogje të shkurtra plot energji pozitive dhe pa ekuivokë e meriton çmimin e parë, ndërsa si çmim të dytë juria ka vendosur që të jetë drama “Lufta e gruas” me elemente mes komedisë dhe dramës së aksionit.

Ministrja Vlora Dumoshi, me këtë rast i uroi laureatët dhe i përgëzoi për punën e tyre krijuese. Ministrja tha se do ta përkrah dramën shqipe dhe inskenimin e saj. “Do të punojmë dhe do të angazhohemi që drama shqipe të jetë e pranishme dhe të vihet në skenë ashtu që të promovohen vlerat e mirëfillta”, tha ajo mes tjerash.

“Vendi ynë ka prodhuar shumë shkrimtarë të mirë dhe të suksesshëm dhe kjo traditë duhet të vazhdohet e të mbështetet fuqishëm ashtu që të jemi konkurrent me të tjerët dhe për t’u prezantuar sa më mirë edhe në Rajon si dhe në Evropë dhe Botë”, porositi ministrja.

Ndërkaq, laureati i çmimit të parë, Osman Goranci, e falënderoi ministren për vlerësimin dhe çmimin. Ai tha se komeditë e tij kanë bazë në realitetin e përditshëm, e që nuk ndodh vetëm tek ne por edhe në tërë botën.

Si shqetësim i përbashkët që u shpreh ishte mosinskenimi i dramës shqipe nëpër teatrot e Kosovës, porse ministrja Dumoshi u zotua se kjo gjë do të rregullohet dhe dramat e mrekullueshme që shkruajnë autorët në Kosovë do të jetësohen. / KultPlus.com

Nisë në Metropol Festivali i Dramës Shqipe

Festivali i dramës shqipe startoi mbrëmë edicionin e parë në skenën e teatrit të Metropolit. Në këtë edicion të parë të festivalit, i cili mbahet në datat 1- 4 nëntor janë përzgjedhur vepra si “Loja e Mbasdrekës” e Martin Camaj, “Armiqtë” e Shpëtim Ginës, “ I biri i Begut” e Milo Duçit.

Pjesë e festivalit është dhe shfaqja “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit me regji nga Milto Kutali, si dhe disa pjesë inskenim të “Njollat e murrme” e shkruar nga Minush Jero dhe regji nga Sonila Kapidani. Gjatë ditëve të festivalit do të ketë edhe dy lexime veprash, “Foleja Kombëtare” nga Lumo Skëndo si dhe “Prangat” nga Halil Laze dhe pas çdo shfaqjeje do të organizohen panele diskutimesh për çdo vepër përkatëse. Sipas drejtoreshës së teatrit Jonida Beqo, “Metrofest” do të jetë festival i përvitshëm i Teatrit Metropol, i cili do të ofrojë në çdo edicion të tij, eksplorimin e një aspekti të ndryshëm të teatrit.

“Jemi shumë të entuziazmuar që këtë edicion të parë vendosëm që të hulumtonim disa nga veprat shqiptare të arkivave, të cilat për një arsye ose një tjetër nuk e kanë prekur kurrë skenën. Fokusi ynë, është te krijimi i një marrëdhënie të shëndetshme me veprën shqiptare”, tha drejtoresha Jonida Beqo.

Veprat vihen për herë të parë në skenë nga regjisorët, platformat e të cilëve janë përzgjedhur gjatë audicionit në Teatrin Metropol. Përkatësisht “Loja e Mbasdrekës” nga Martin Camaj, e cila në skenë erdhi mbrëmë më regji nga Shkëlzen Berisha, vepra e dytë është “I biri i Begut” Milo Duçi dhe do të jetë në skenë në ditët e festivalit me regji nga Joana Omeraj si dhe vepra e ndaluar e Shpëtim Ginës me titull “Armiqtë”, që do të vihet në skenë nga Xhuljano Brisku.

Drejtoresha Jonida Beqo tha dje se regjisorët u përzgjodhën si rezultat i këndvështrimit që kishin mbi pjesët shqiptare. “Në fillim të pranverës ne shpërndamë këto tekstet për të na paraqitur më pas secili platformën e tij regjisoriale. Si pjesë integrale e punës me veprën shqiptare dhe teatrin shqiptar, pyetja e vazhdueshme është se kush do ta trashëgojë dramë shqipe, kush po vjen tani e kush do të vij më pas, kush do vazhdojë këtë punë e kush do ta çoj më tej? Tre regjisorët e veprave shqiptare u përzgjodhën si rezultat i këndvështrimit që kishin mbi këto vepra”, vijon drejtoresha e teatrit Jonida Beqo.

“Loja e Mbasdrekës”

“Loja e Mbasdrekës” me autor Martin Camaj dhe regji nga Shkëlzen Berisha u luajt në skenë nga emra aktorësh të njohur të teatrit si dhe të rinj. Rolet në vepër u interpretuan nga Mehmet Xhelili, Ema Vogli, Julinda Emiri, Ketjona Pecnikaj, Engjëll Hoxha, Shkëlzen Berisha, Besmir Bitraku, Ergys Bamçi. Kostumografia nga Ina Elezi dhe skenografi Hysni Loka. Drama “Loja e mbasdrekës” e autorit Martin Camaj ka në qendër të saj një fenomenin e gjakmarrjes. Është shkruar në vitin 1981, dhe është botuar në vitin 1995. Ngjarjet në veprën “Loja e Mbasdrekës” zhvillohen në një fshat të malësisë së Dukagjinit, duke nxitur ndjesinë e lartësisë që vjen prej klimës së alpeve. “Loja” përdoret me mjeshtri në këtë shfaqje si nocion që e vendos njeriun mes “sajimit” dhe “së vërtetës”. E konsideruar nga regjisori jo vetëm si proces krijues, por si proces kulturimi e zgjerimi të dijeve gjuhësore, historike e sociale, puna për realizimin e kësaj shfaqjeje ka qenë një rrugëtim mjaft i fuqishëm dhe nxitës që ngre pyetje që çojnë në një hapësirë të re thellimi e jo që gjen dhe jep përgjigje statike: Çfarë është drejtësia? Çfarë është padrejtësia? Cila vijë i ndan këto të dyja e si gjendet individi dhe subjektiviteti i tij mes këtyre rrjedhave kur hapësirat e ligjit të shkruar dhe ligjit zakonor thërrasin për interpretim?(Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com