Në SHBA mbahet konferencë në 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

Shkolla e Shërbimit Publik e Universitetit të Arkansasit ‘Clinton’ në SHBA do të organizojë një konferencë në 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Kjo konferencë do të sjellë së bashku praktikues, politikëbërës dhe studiues për të reflektuar mbi mësimet e ndërhyrjes humanitare në Kosovë dhe zhvillimet në 25 vitet e fundit që ofrojnë sfida dhe mundësi për demokraci, paqe dhe siguri jo vetëm në Evropën Juglindore, por në mbarë globin.

Christina Standerfer nga Universiteti i Arkansasit tha për RTKlive se qëllimi i konferencës do të fokusohet në zhvillimet e 25 viteve të fundit që ofrojnë sfida dhe mundësi për demokracinë, paqen dhe sigurinë jo vetëm në Evropën Juglindore, por në mbarë globin.

“Qëllimi i konferencës është të bashkojë praktikuesit, politikëbërësit dhe studiuesit për t’u bashkuar në biseda dhe aktivitete që kanë mbi të gjitha natyrë praktike; ku paraqiten dhe diskutohen ide të guximshme dhe shfaqen strategji bashkëpunimi novatore për promovimin e të drejtave të njeriut, ndërtimin e paqes dhe përparimin e demokracisë. Ne planifikojmë gjithashtu një botim përmbledhës të ideve dhe planeve të veprimit të krijuara në konferencë, që të tjerët ta marrin parasysh ndërsa ndjekin demokracinë, sigurinë, paqen dhe punën humanitare”, tha ajo për RTKlive.

Standerfer bëri me dije se planifikohet të ftohen edhe përfaqësues nga Kosova si dhe aktorë të tjerë në konferencë.

“Deri më tani, lista përfundimtare e folësve nuk është përcaktuar”, tha ajo. Konferenca do të mbahet nga 26 mars deri më 28 mars 2024.

Ndryshe parashikohet edhe të ketë debate dhe aktivitete që kanë natyrë praktike, në të cilat praktikuesit, politikëbërësit dhe studiuesit e demokracisë prezantojnë, diskutojnë dhe debatojnë veprime të guximshme për promovimin e të drejtave të njeriut, ndërtimin e paqes dhe përparimin e demokracisë në botë, bazuar në mësimet e Kosovës, gjenocidit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut./rtk/KultPlus.com

Anibar po sjell konferencën “Apo/Ose: Rrjetet e Kulturës”

Anibar po sjell konferencën ”Apo/Ose: Rrjetet e Kulturës“ e cila do të mbahet më 3 dhe 4 Nëntor në hapësirat e Kinema “Jusuf Gërvalla”.

E organizuar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Hapësirat Kulturore të Kosovës”, kjo konferencë synon të elaborojë modelet pjesëmarrëse të qeverisjes së burimeve publike kulturore dhe infrastrukturës duke u fokusuar në platformat bashkëpunuese të skenës së pavarur kulturore dhe rrjetet si partnerë të partneritetit publik qytetar. Kjo është edhe konferenca përmbyllëse e projektit ku do të prezantohen të arriturat dhe gjetjet e projektit.

Pjesë e konferencës do të jenë edhe këto panele:

Paneli 1: Puna e një Rrjeti Kulturor 
Moderatore: Milica Pekic
Panelistët: Polona Torkar (Asociacija); Tihana Pupovac (Kooperativa); Tijana Spasova (Jadro); Nita Zeqiri (Rrjeti Kombëtar i Kosovës)

Paneli 2: Kultura dhe Rrjetet e tjera: Një bashkëpunim që duhet eksploruar?
Moderator: Davor Mišković (Drugo More)
Panelistët: Bruno António (DYPALL), Vjollca Cavolli (STIKK), Fairooz Tamimi (TEH), Domagoj Savor (Clubture)

Paneli 3: Hapësirat Kulturore: Një model për përdorimin (dhe abuzimin) e tyre demokratik 
Moderator: Matija Mrakovçiq (Kulturpunkt.hr)
Panelistët: Janja Sesar (Pogon), Artan Sadiku (Jadro), Natassa Dourida (Komunitizëm), Mihai Adrian Vilcea (FITT)

Paneli 4: Shpërndarja përmes institucionit 
Moderator: Ares Shporta (Lumbardhi)
Panelistët: Hajrullah Çeku (MKRS), Ann-Carin Platon (BE), Emina Visnic (Komuna e Zagrebit), Dea Vidovic (Kultura Nova)

Konferenca është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit Partneriteti Publiko-Civil për Reformën në Qeverisjen Kulturore në Kosovë implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7 Arte, dhe Pogon. Përmbajtja e kësaj konference është përgjegjësia e Anibar dhe jodomosdoshmërisht reflektojnë pikëpamjet e Bashkimit Europian. / KultPlus.com

Përparim Rama: Arsyeja e zhvendosjes së ‘Sunny Hill’ në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së Qeverisë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me zhvendosjen e festivalit ‘Sunny Hill’ i cili së fundi është zhvendosur në Tiranë, shkruan KultPlus.

Sipas kryetarit Rama, arsyeja pse ky festival sivjet është zhvendosur në Tiranë është për shkak të zvarritjes nga ana e qeverisë në dhënien e pronës së kërkuar.

“Sunny Hill” i takon Kosovës, i takon Prishtinës, të rinjve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur edicionin e sivjetmë të këtij festivali. Arsyeja pse ky festival sot është zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së qeverisë e cila pavarësisht se gjithë procesi i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për festivalin është bërë në pajtim të plotë me ligjin, institucionet qendrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e kuvendit komunal dhe në kompetencat e kryetarit të Komunës ashtu si e konfirmoi edhe dje Asociacioni i Komunave”, tha Rama, duke e cilësuar zhvendosjen e këtij festivali si një lajm dëshpërues për Kosovën dhe Prishtinën.

Ndërkaq, mosbajtja e festivalit në Prishtinë, pritet t’i sjellë Kosovës edhe humbje të hyrash deri në 15 milionë euro.

“Në bazë të kalkulimeve të mëparshme, përfitimi i qytetit ka qenë 7-8 milionë euro, është paraparë që do të jetë 12-15 milionë euro, këto janë humbje”, u shpreh kryetari Rama, i cili më pas deklaroi se beson që nga viti i ardhshëm ky festival do të kthehet në Prishtinë.

Kurse Doruntinë Maloku, e cila udhëheq drejtorinë e Pronave në Komunën e Prishtinës, shpjegoi gjithë procesin e dhënies në shfrytëzim të pronës nga Komuna e Prishtinës.

“Si qeverisje e re e kemi gjetë si një proces të hapur çështjen e festivalit ‘Sunny Hill’ nga viti 2021. Më 14 qershor 2021, Kuvendi Komunal i Prishtinës, unanimisht, ka vendosur pro dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për këtë festival për 99 vjet.”, tha Maloku.

Maloku thotë se në momentin që ‘Sunny Hill’ ka kërkuar nga Komuna që t’i vazhdojnë procedurat në mënyrë që mos të ketë vonesa, për shkak që rrezikohet mosmbajtja e festivalit, komuna e ka plotësuar dokumentacionin dhe është dorëzuar në Kuvendin Komunal.

“Meqë asnjëherë nuk është kundërshtu asnjëherë nga Ministira e Administrimit dhe Pushtetit Lokal 99-vjetëshi, në Kuvendin Komunal shumica e asambleistët e kanë votuar vendimi”, u shpreh më tutje Maloku duke vazhduar më pas se MAPL pas dorëzimit të dokumentacionit, e ka zvarritur procesin./ KultPlus.com

Konferencë shkencore për veprën e dramaturgut Ethem Haxhiademi

“Dramaturgu- poet Ethem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve letrare dhe gjuhësore” ishte konferenca shkencore, që bëri bashkë akademikë dhe studiues.

Me rastin e kësaj konference u ekspozuan edhe variantet e botimit të veprave e shqipërimeve të Haxhiademit (9 vëllime) nga më të hershmet në ato të ditëve tona, përgatitur nga botimet “Poeteka”. Konferenca shkencore u mbajt paralelisht në dy mjedise, në Akademinë e Shkencave në sallën “Aleks Buda” dhe tek Libri Akademik.

Konferenca u zhvillua në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Departamenti i Studimeve Letrare. Ethem Haxhiademi ishte një nga shkrimtarët që u dënua në mënyrë të dyfishtë nga regjimi komunist, jo vetëm me persekutim e burgosje, por edhe me shuarje të emrit dhe veprës së tij, ku siç thotë botuesi i veprave të tij Arian Leka, emri i Ethem Haxhiademit nuk u dëgjua as për t’u cilësuar si reaksionar, siç ndodhi me shkrimtarë të tjerë të viteve ‘30, si Koliqi, Fishta e të tjerë. Sipas një programi me tematika të pasura, figura e Ethem Haxhiademit u ndriçua për herë të parë e plotë si krijues, si personalitet dhe si themeltar i traditës së dramaturgjisë shqiptare, por edhe si një nga intelektualët më të përparuar të kohës në formimin e tij ideoestetik.

Seancën e parë të konferencës e përshëndeti prof. as. dr. Evalda Paci, si drejtuese e seancës me prof. dr. Valter Memishaj, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe prof. dr. Laura Smaqin. Akad. Shaban Sinani mbajti kumtesën me temë: “Faji” i të parilemit me sytë e Kainit në dy tragjedi të Haxhiademit”, përmes të cilës argumentoi thyerjen e klishesë që ka bërë Haxhiademi në zbulimin e së vërtetës në tragjedinë e Kainit dhe Abelit, duke përcaktuar fajet dhe padrejtësisë njerëzore që shpallen në emër të një trashëgimie zakonore.

Prof. dr. Laura Smaqi mbajti kumtesën “Haxhiademi dhe procesi letrar mes dy luftërave botërore”, për të vijuar dhe me të tjera kumtesa. /sot/ KultPlus.com

Zëvendësministrja Daulina Osmani, pjesëmarrëse në konferencën e katërt ndërkombëtare për fëmijë

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve u mbajt konferenca e përvitshme për shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve, organizuar nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore.

Aty ishte e pranishme zëvendësministrja Daulina Osmani e cila ndër të tjera u shpreh që është shumë e rëndësishme që të gjithë të bëjmë përpjekje që të krijojmë një të ardhme të sigurt për secilin, sepse e ardhmja e fëmijëve është në duart e të rriturve dhe na takon ne të punojmë për zhvillimin e tyre maksimal.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë që ka promovimi dhe zhvillimi i sportit në edukimin, mirëqenien dhe shëndetin e fëmijëve.

Në këtë konferencë gjithashtu ishin të pranishëm z.Habit Hajredini Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, znj.Dafina Gexha Bunjaku-Zëvendësministre e Shëndetësisë, znj.Rrezearta Zhinipotoku Behluli nga GIZ: Basic Education Sector in Kosovo dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore z.Arian Musliu. / KultPlus.com

Mitrovica mes identiteteve

Në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” 7Arte organizoi diskutimin publik “Mitrovica në mes identiteteve të ndryshme” ku folës kryesor qe politologu Nexhmedin Spahiu.

Pas një retrospektive historike mbi rolin e Mitrovicës dhe zhvillimin e identiteteve nëpër dekada, Z.Spahiu konkludoi se është interes i Kosovës, në radhë të parë i Mitrovicës, që të krijojë lidhje dhe ura me Sanxhakun, sepse kjo do na mundësonte një diversitet shumë më të madh kulturor dhe do krijonte efekte shumë më pozitive edhe për botën e jashtme.

Në anën tjetër, Adem Zhitopotoku, drejtor i Teatrit të qytetit “Muharrem Qena” nxorri një paralele nga identiteti i dikurshëm i Mitrovicës, si qytet i zhvillimeve të mëdha kulturore dhe shprehu shqetësimin e komunitetit të kulturës me çrast theksoi se gjendja e tanishme me hapësirat kulturore në këtë qytet nuk qëndron mirë.dhe se pikërisht tash kur pritet të hartohet Plani Zhvillimor Komunal do duhej të shtrohet kërkesa për krijimin e hapësirave më adekuate për sektorin e artit dhe kulturës.

Në anën tjetër Nora Prekazi Hoti, (Antropologe urbane) u ndal tek zhvillimet e fundit në qytetin e Mitrovicës me theks të veçantë tek investimet kapitale që donator kryesor kanë Bashkësinë Evropiane dhe që ky trend zhvillimesh është duke lënë gjurmë në të dy anët e qytetit, gjë që Mitrovicën do e qonte drejt një identiteti të ri, qytet evropian e i hapur ndaj kulturave të ndryshme, e trendeve të globalizmit. Z.Spahiu, shtoi se Mitrovica për shumë dekada ishte gjenerator i proceseve, ndërsa sot mund të shihet si një qytet problematik, e që po të trajtohej si duhet, ky qytet ka potencialin e duhur për të qenë pikë fokale për gjithë botën.

Ky aktivitet është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit ‘Hapësirat Kulturore të Kosovës’ të implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e 7Arte dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Përfundon REDO, transformon Prishtinën në pikën kryesore të dizajnit në botë

Dita e diele shënon mbylljen e edicionit të 7-të të REDO. Gjatë 3 ditëve sa ishte konferenca, janë përfunduar me sukses shtatë ligjërata në Sallë të Kuqe, ish shtypshkronjën Rilindja dhe Bibliotekën Kombëtare, është realizuar ekspozita e kolektivit nga Prishtina “Angry Youth” në galerinë “Motrat” dhe lansimi i revistës nga Girls Like Us në galerinë LambdaLambdaLambda), shëtitja nëpër qytet me Bekim Ramkun nga KAF – Fondacioni i Kosovës për Arkitekturë, koncerti i Jabolex (Gjermani) në Klub M dhe koncerti i The Homesick (Holandë) dhe Pinkmetal (Kosovë) në teatrin Oda, përcjellë KultPlus.

“Ka shumë gjëra që e bëjnë REDO-në të veçantë, por po i përmendi vetëm dy: Ideja e lëvizjes nga një hapësirë në tjetrën dhe fakti që mund ti shoh dhe dëgjojë gjithë këta folës, që janë shtyllat kryesore të trendeve më të reja të dizajnit grafik, në një vend”, ka thënë një nga studentët pjesëmarrës në konferencë.

Ligjëruesit ishin: Zgjim Elshani (RKS), dizajner grafik i diplomuar në Gerrit Rietveld Academie, Amsterdam; Jonas Voegeli (CH), udhëheqës i departamentit te Arteve Vizuele në Universitetin e Arteve në Zyrih; Coline Sunier (BE) & Charles Mazé (FR) përfaqësues të Akademisë Franceze në Rome – Villa Medici në 2014–2015 si dhe anëtarë të “Atelier National de Recherche Typographique (ANRT)” në Nancy. Francë; Žiga Testen (AU/SLO) dizajner grafik i bazuar në Melburn; Girls Like Us (BE), magazinë e pavarur që bashkon komunitetin feminist nga fusha të ndryshme; Anna Haas (CH) është profesoreshë në Lucerne University of Applied Science and Arts (HSLU), në departamentin e Arteve Vizuele; dhe Metahaven (NL), disa prej bashkëpunëtorët e të cilëve janë WikiLeaks, Icelandic Modern Media Institute (IMMI), Independent Diplomat etj.

“Mendoj që REDO ka krijuar bazë të mirë dhe duhet të mendohet se si REDO, në të ardhmen, të bëhet shkollë e dizajnit”, ka thënë Olivier Lebrun, ligjërues në REDO 5 dhe përkrahës i vazhdueshëm i konferencës. Si ligjërues në shkollë dizajni në Lyon, Francë, ai dhe rreth 15 studentë të tij e vizitojnë REDO – që nga edicioni 5.

Edhe këtë vit, më shumë se 250 studentë nga shkolla të ndryshme dizajni nga e gjithë Evropa, erdhën në Prishtinë për të ndjekur këtë edicion. Numri i vizitorëve vazhdon të ketë rritje çdo vit dhe vitin tjetër pritet të ketë ende më shumë.

REDO në edicionin e shtatë mbështetet nga Fondacioni “Unë e Du Kosovën”, Ambasada e Holandës në Prishtinë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Ambasada e Francës në Prishtinë, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Swiss Arts Council Pro Helvetia. Partnerët e konferencës ishin LambdaLambdaLambda, Teatri Oda, Klubi M, Soma Book Station dhe Hamam Jazz Bar. Shtypi është mundësuar nga ViPrint.

Konferenca REDO është një ngjarje treditore në lëvizje që bashkon dizajnerët nga e gjithë bota të kontribuojnë në krijimin e diskursit rreth çështjeve dhe praktikave aktuale të dizajnit grafik. Përmes një serie diskutimesh, punëtorive, librarisë dhe udhërrëfimeve në qytet, REDO ofron mundësi që dizajnerët të bëhen bashkë në dhe përreth qytetit të Prishtinës. / KultPlus.com

Fillon edicioni i shtatë i REDO konferencës së dizajnit grafik

Për edicionin e shtatë të konferencës REDO përveç maratonës së ligjëratave për dizajn grafik Prishtina do të ketë edhe shfaqje filmash, koncerte dhe udhërrëfime në qytet. Konferenca tashmë e etabluar si ndërkombëtare edhe këtë vit ligjëratat do t’i mbajë në disa hapësira të ndryshme të qytetit. Ligjëratat do të mbahen në Shtypshkronjën Rilindja, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Mbi 300 studentë dhe profesionistë nga e mbarë bota pritet të vizitojnë Prishtinën për REDO. Koferenca që sivjet mbahet nga data 6 deri më 8 tetor, sivjet organizon edicionin e shtatë duke bashkuar ligjëruesit më të njohur ndërkombëtarë të fushës.

Në edicionin e sivjetmë do të ligjërojnë Coline Sunnier & Charles Mazé (FR/BE), Girls Like Us (BE), Žiga Testen (AU/SLO), Metahaven (NL), Anna Haas (CH), Zgjim Elshani (KOS), Jonas Voegeli (CH).

Përveç ligjëratave si pjesë e konferencës do të jetë edhe shfaqja e filmave e organizuar nga Girls Like Us (BE) në bashkëpunim me galerinë LambdaLambdaLambda në Prishtinë. Filmat shfaqen çdo ditë nga data 22 shtator deri me 6 tetor në hapësirën e kësaj galerie dhe kanë për tematikë programin queer dhe feminist.

Ndërsa kolektivi “Angry Youth”, me 5 Tetor, në 19:00, organizojnë “Angry Youth Pop-up Shop”, ku do të shiten bluza te dizajnuara nga Zgjim Elshani dhe Lum Çeku dhe do të ketë sticker-a të cilat do të dhurohen falas. Në kuadër të konferencës do të mbahen edhe një seri e ndejave dhe koncerteve në mbrëmjet filluar nga data 5 tetor kur në Teatrin Oda do të performojnë The Homesick (NL) dhe Pinkmetal (KOS). Me datën 6 tetor DJ Alush do të lëshojë muzikë në Hamam Jazz Bar. Kurse me datën 7 tetor në Klubin M të Prishtinës do të performojnë Jabolex/The Breze Institute (DE).

Konferenca si gjithmonë organizohet në pika të ndryshme arkitektonike të qytetit, duke mundësuar për vizitorët e huaj përjetim të qytetit në mënyrë sa më të plotë. Sivjet për të theksuar edhe më tutje këtë komponentë të konferencës do të organizohet edhe një udhërrëfim në qytet, i cili organizohen nga Bekim Leka Ramku i KAF Kosovo Architecture Foundation. Udhërrëfimi nisë nga Hoteli Grand me datën 8 tetor në ora 14.00 deri në ora 16.00.

Me datën 7 tetor në ora 17:00 Girls Like Us e lancojnë revistën “Future issue” në hapësirën e galerisë LambdaLambdaLambda. Kurse me datën 5 tetor hapet një pop-up store në hapësirën ekspozuese Motrat nga Angry Youth (RKS).

REDO në edicionin e shtatë mbështetet nga Ambasada e Holandës në Prishtinë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada e Francës në Prishtinë, Swiss Arts Council Pro Helvetia, Fondacioni “Unë e Du Kosovën”. Shtypi nga ViPrint.

Konferenca REDO është një ngjarje treditore në lëvizje që bashkon dizajnerët nga e gjithë bota të kontribuojnë në krijimin e diskursit rreth çështjeve dhe praktikave aktuale të dizajnit grafik. Përmes një serie diskutimesh, punëtorive, librarisë dhe udhërrëfimeve në qytet, REDO ofron mundësi që dizajnerët të bëhen bashkë në dhe përreth qytetit të Prishtinës./ KultPlus.com