Prezantohet drejtori i ri i Cirkut Kombëtar në Shqipëri

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi takimin e parë me drejtorin e ri të Cirkut Kombëtar, Klajd Ymeri, si dhe me ekipin entuziast të këtij institucioni.

Ministrja e Kulturës ndau në rrjetet sociale se në takim u diskutua mbi problematikat dhe vizionin për të ardhmen e Cirkut.

“Shumë shpejt do të nisë puna për realizimin e projektit të shtëpisë së re, që mendojmë të jetë shumë pranë Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve, si dy institucione që japin e marrin me njëri-tjetrin”, është shprehur Margariti.

Ministrja ka falënderuar drejtorin e QKKF, Agim Bajko që e mbështeti Cirkun në ditë të vështira, duke i kaluar stafetën drejtorit të ri.

“Së bashku do ta kalojmë këtë periudhë tranzicioni, drejt ringritjes së artit të bukur dhe të dashur të cirkut”, përmbyll mesazhin ministrja e Kulturës/atsh/KultPlus.com

“Shota” në pritje të drejtorit, akuza për ndërhyrje politike

Katër kandidatë për drejtor të ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota” janë intervistuar të mërkurën. Shefqet Gjocaj, Mehmet Xhemajli, Arta Mulliqi dhe Sevdije Ajeti i janë përgjigjur Këshillit Drejtues. E dy prej atyre që ia kanë mësyrë kësaj pozite, Agim Gëguri e Dilaver Kryeziu, nuk janë ftuar fare.

Pikërisht ky i fundit ka akuzuar se në rastin e tij ka ndërhyrje politike. Këshilli Drejtues i këtij institucioni ka marrë vendim të mos e ftojë Kryeziun për intervistim, për shkak të vendimit të komisionit disiplinor të vitit 2012 që kishte të bënte me rastin e kamerave, për të cilën gjë ai u shkarkua nga pozita e drejtorit. Tash koreografi Kryeziu me ankesën për përjashtim nga gara, ka mbërritur deri në Inspektoratin e Punës të Regjionit të Prishtinës.

Konkursi për drejtor të “Shotës” qe mbyllur më 29 janar, për t’u vazhduar për shtatë ditë, për të arritur pranimin e balancuar të aplikacioneve nga aspekti gjinor dhe etnik. E prej datës 5 të muajit shkurt, e deri të mërkurën pasdite nuk është marrë vendimi se kush do të udhëheqë me “Shotën”, shkruan KohaDitore./ KultPlus.com

Yll Rugova: 19 vjet të pasluftës nuk kemi bërë punë të mirë me kulturën

Para pak ditësh Yll Rugova nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, mori detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinë, komunë kjo e cila do të udhëhiqet edhe për katër vite nga kryetari Shpend Ahmeti.

Kësisoj, mbrëmë drejtori i ri i kulturës në Komunën e Prishtinës, me një shkrim në rrjetin social Facebook, i është drejtuar qytetarëve të kësaj komune duke iu thënë atyre se me shumë përgjegjësi e ka pranuar këtë detyrë nga kryetari Ahmeti, dhe se do të punojë në atë drejtim që kultura të hyjë në binarët e duhur, shkruan KultPlus.

Po sjellim të plotë letrën e Yll Rugovës:

“Faleminderit krejtve për urimet. Sado që është për t’iu uruar kujtdo pozita e drejtorit në kryeqytet, kjo detyrë është ndër sfidat e rëndësishme për neve si shoqëri dhe për këdo që e pranon.

Kultura, si tërësi e gjurmëve që mbledhen nga historia, është njëra ndër pjesët kryesore të identitetit kolektiv të shoqërive.

Nëse e shohim në thelb, për shembull lufta mes Kosovës dhe Serbisë (dhe lufta e popullit shqiptar, e popujve tjerë gati gjithmonë) ka qenë edhe luftë për mbrojtje të kulturës. Nëse secili prej neve në Kosovë do të pranonim tjetërsimin tonë kulturor, e gjuhësor si shqiptar, atëherë regjimi serb nuk do të kishte problem me ne. Rrjedhimisht shtypja nuk do të ndodhte.

Tash që jemi liruar nga cenuesi më i madh i kulturës, na mbetet neve ta studiojmë e mbledhim, ruajmë dhe ekspozojmë atë me këmbëngulje.

T’ju them të drejtën, këto 19 vjet të pasluftës nuk mendoj se kemi bërë punë shumë të mirë në këtë drejtim. Por jam i bindur se tashmë janë krijuar rrethana për etapë të re kulturore.

Prandaj me shumë përgjegjësi e kam pranuar emërimin e kryetarit Ahmeti për të udhëhequr me drejtorinë e kulturës në Prishtinë. E megjithëse e di se me kulturën në kryeqytet nuk zgjidhen të gjitha problemet, por të paktën do të vendosen punët në binarë të duhur.

Dua të falënderoj Shpend Ahmetin dhe Dardan Sejdiun për besimin, dhe gjithsesi gjithë aktivistët e Vetëvendosjes për mbështetjen e pakusht gjatë këtyre gjashtë muajve rrugëtim së bashku”, ka shkruar Rugova./ KultPlus.com

Konkursi i brendshëm për drejtor të QKK-së nxit akuza për manipulim

Me konkurs të brendshëm, në të cilin të drejtë aplikimi kanë shërbyesit civilë të institucioneve të kulturës, trashëgimisë kulturore e të Ministrisë së Kulturës, kjo e fundit ia ka mësyrë ta bëjë me drejtor Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Por ende pa u mbyllur konkursi tetëditësh, në komunitetin e kienastëve kanë shpërthyer akuza se ai është i paligjshëm dhe se po bëhet për t’ia vazhduar mandatin drejtorit të deritashëm të QKK-së, Arben Zharku.

Një reagim i Shoqatës së Autorëve dhe Producentëve të Filmit dhe Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, të mërkurën, u është dërguar ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Aty kërkohet edhe anulimi i konkursit të brendshëm që ka shpallur MKRS-ja më 29 dhjetor të vitit të kaluar, sikurse edhe shkarkimi i këshillit drejtues të QKK-së, shkruan sot Koha Ditore./ KultPlus.com