DRTK Shkodër restauron “Grykën e Sterës”, objekt i shekullit XII në Kalanë e Rozafës

Pas një pune të palodhur dhe plot përkujdesje, nga ekipi i DRTK Shkodër, përfundoi restaurimi i Grykës së Sterës (saranxha), objekt i shekullit XVII, në oborrin e tretë të Kalasë së Rozafës.

Objekti, i cili u dëmtua gjatë trazirave të vitit 1997, në tentativë për t’u vjedhur, falë ndërhyrjes restauruese, sot ka një pamje tjetër.

Nën mentorimin e restauratorit, Petrit Bilali, janë riparuar dëmet e identifikuara duke restauruar elementet e brendshme sipas teknikave tradicionale, duke ruajtur vlerat dekorative dhe duke u siguruar që objekti të ketë një strukturë të qëndrueshme.

Restaurimi i objektit kaloi në disa etapa të tilla si; çmontimi i pusit në 3 pjesë, heqja e materialeve të mëparshme me të cilin është çimentuar, heqja e myshqeve të vdekura dhe të gjalla, rimontimi dhe ngjitja specifike sipas tipologjisë së gurit, stukimi i fugaturës dhe stukimi me pluhur guri dhe gëlqere.

Stera e pestë, e cila ndodhet në oborrin e tretë të kalasë së Shkodrës, është prodhim venecian dhe shërbente për furnizimin me ujë për pallatin e Bushatllinjve aty pranë, e që sot nuk egziston më. / atsh / KultPlus.com

Qendra muzeore ”Ndre Mjeda” në Kukël, vlerë për historinë

Qendra Muzeore ”Ndre Mjeda” në Kukël, mban statusin monument kulture të kategorisë së parë, që nga viti 2012.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka publikuar një material për këtë qendër muzeore. DRTK Shkodër shprehet se pas 30 minutash udhëtim nga Shkodra, arrin përballë portës së madhe të muzeut “Ndre Mjeda”.

“Natyra është e mrekullueshme në Kukël, fshatin midis Shkodrës dhe Lezhës, aty ku Mjeda i madh jetoi dhe krijoi për shumë vite”, thuhet nga DRTK.

Në të gjithë Shqipërinë, sikurse edhe nëpër trevat shqipfolëse, Ndre Mjeda njihet si poet, rilindas, filozof, klerik, studiues dhe pjesën më të madhe të kësaj veprimtarie ai e zhvilloi këtu.

DRTK Shkodër shprehet se kompleksi përbëhet nga kisha dhe nga qela (shtëpia ku ka banuar rreth 30 vite Ndre Mjeda) dhe është ideuar dhe projektuar nga vete Mjeda, sipas stilit neoklasik.

“Qela është e ndërtuar në vitin 1906 dhe kisha në vitin 1913. Në vitin 1962, banesa u kthye në shtëpi-muze, si dege e muzeut të Shkodrës, ku pati të ekspozuara objekte personale të Mjedës, si materiale fotografike, shkrime studimore, botime librash, etj. Në vitin 1991 shtëpia-muze “Ndre Mjeda” u mbyll dhe gjithë materialet e ekspozuara u dërguan në Muzeun Historik të Shkodrës. Në vitin 1993 në kishën e Kuklit shërbyen misionaret e Nënë Terezës, të cilët bënë një shtesë ngjitur me qelen nga ana e pasme e saj, si dhe në hapësirën ndërmjet kishës dhe qelës duke i lidhur këto dy objekte”, shprehet më tej DRTK.

Banesa është e ndërtuar me mur guri dhe e mbuluar me çati me konstruksion druri dhe tjegulla vendi. Gjithashtu edhe ndërkati i banesës është i ndërtuar me konstruksion druri, trarë druri mbi të cilët është vendosur dyshemeja e drurit e katit të sipërm si dhe është fiksuar tavani i katit përdhe.

DRTK Shkodër thotë se duhet vizituar patjetër për vlerat e jashtëzakonshme, që mbart dhe për historinë shekullore. /SOT/ KultPlus.com

Kalaja e Borshit i nënshtrohet mirëmbajtjes

Borshi është një nga zonat turistike më të bukura të Rivierës Shqiptare, me ullishte që shtrihen deri afër detit e me një panoramë mbresëlënëse.

Por kjo zonë nuk është vetëm për turizëm bregdetar por dhe historik e kulturor. Në majë të fshatit të Borshit ndodhet Kalaja e Borshit apo siç njihet në histori si kalaja e Sopotit, prej nga mund të shohësh bukurinë e peizazhit nga lart.

Së fundi, Kalaja së Borshit i është nënshtruar pastrimit e punëve të tjera të mirëmbajtjes nga punonjësit e DRTK Vlorë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, theksoi sot se, “punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë ( DRTK Vlorë ) kujdesen për çdo monument kudo që ato ndodhen”.

“Ishte radha e Kalasë së Borshit për t’iu nënshtruar pastrimit e punëve të tjera të mirëmbajtjes”, theksoi ajo.

Kalaja e Borshit ndodhet 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III p.k. Kodra e Sopotit, mbi të cilën ngrihet kalaja, ndodhet në veri të fshatit Borsh dhe në perëndim të Fterrës. Nga ana Perëndimore mali formon disa tarraca natyrale, ku duken një sërë tepricash të godinave mesjetare.

Borshi është një paketë e mrekullueshme turistike ku ndërthuret, natyra, plazhi, historia dhe legjenda. Borshi është vetëm 17 km larg Himarës dhe ka vijën bregdetare më të gjatë të Jonit. / KultPlus.com