Kryeministri Kurti njofton familjen Rugova për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Historik: Ai bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në 18 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova ka vizituar familjen Rugova.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se ish- presidenti Rugova e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë.

Në këtë vizitë Kryeministri Kurti po ashtu ka njoftuar familjen Rugova se së shpejti do të fillojnë restaurimet në Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova, ndërtesë kjo e cila është shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore më 2016.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:

Sot, 18 vite më parë u nda nga jeta Presidenti Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Ai e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë, duke e bërë rezistencën humane dhe humanitetin rezistencë.

Në nderim të figurës së tij dhe kontributit të madh për kombin dhe shtetin tonë, bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla dhe ministrin Çeku vizituam familjen Rugova: bashkëshorten Fanë, vajzën Teuta, djemtë Mendimin dhe Ukën me bashkëshortet e tyre Blerinën dhe Blertën.

Na pritën në Rezidencën e Presidentit Rugova, aty ku ai kishte pritur personalitete të mëdha botërore dhe ku janë marr vendime të rëndësishme e përcaktuese për fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës. Në këtë shtëpi Dr. Rugova zhvilloi aktivitetin e tij nga viti 1993 e deri në ditën e fundit të jetës. Për shkak të vlerave që posedon, kjo ndërtesë është shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore më 2016.

Familjen Rugova e njoftuam se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova. Ky projekt dhe investim i qeverisë sonë është dëshmi e përkushtimit tonë për të nderuar personalitetet e larta dhe ngjarjet historike të rrugëtimit tonë shtet-formues, nga ilegalja, lëvizjet studentore, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare e deri te shteti i pavarur e sovran që e gëzojmë sot./KultPlus.com

Margariti: Restaurohet Ura e Kurçajt në Nikël, thesar i trashëgimisë kulturore

Ura e Kurçajt në Nikël, ka dalë në dritë pas restaurimit si pjesë e programit Eu4Culture.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau pamje nga ky thesar i trashëgimisë kulturore mes një peizazhi të mrekullueshëm.

E ndërtuar në shek. XVIII si pjesë e rrugës së karvaneve që lidhte Krujën me Tiranën, tashmë ajo është një pikë lidhjeje me të shkuarën, theksoi Margariti.

Kthimi në jetë i urës së Kurçajt është një nga punët e mira të Ministrisë së Kulturës për vitin 2023, u shpreh ministrja Margariti./atsh/KultPlus.com

Restaurohet shtëpia tradicionale e familjes Sokoli në Prizren

Ministri i Kulturës, Hajrualla Çeku ka bërë të ditur se është bërë restaurimi i shtëpisë tradicionale të familjes Sokoli në Prizren.

Shtëpia e familjes Sokoli që ndodhet në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, e që bën pjesë në trashëgiminë kulturore, i është ri-konstruktuar çatia, fasada dhe i është bërë trajtimi i strukturës së dyshemesë së meskateve./KultPlus.com

DRTK Shkodër restauron “Grykën e Sterës”, objekt i shekullit XII në Kalanë e Rozafës

Pas një pune të palodhur dhe plot përkujdesje, nga ekipi i DRTK Shkodër, përfundoi restaurimi i Grykës së Sterës (saranxha), objekt i shekullit XVII, në oborrin e tretë të Kalasë së Rozafës.

Objekti, i cili u dëmtua gjatë trazirave të vitit 1997, në tentativë për t’u vjedhur, falë ndërhyrjes restauruese, sot ka një pamje tjetër.

Nën mentorimin e restauratorit, Petrit Bilali, janë riparuar dëmet e identifikuara duke restauruar elementet e brendshme sipas teknikave tradicionale, duke ruajtur vlerat dekorative dhe duke u siguruar që objekti të ketë një strukturë të qëndrueshme.

Restaurimi i objektit kaloi në disa etapa të tilla si; çmontimi i pusit në 3 pjesë, heqja e materialeve të mëparshme me të cilin është çimentuar, heqja e myshqeve të vdekura dhe të gjalla, rimontimi dhe ngjitja specifike sipas tipologjisë së gurit, stukimi i fugaturës dhe stukimi me pluhur guri dhe gëlqere.

Stera e pestë, e cila ndodhet në oborrin e tretë të kalasë së Shkodrës, është prodhim venecian dhe shërbente për furnizimin me ujë për pallatin e Bushatllinjve aty pranë, e që sot nuk egziston më. / atsh / KultPlus.com

Gjirokastër, restaurohet çatia e banesës “Çiço” monument kulture kategoria l

Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës po i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje rehabilitimit të banesave monument kulture.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri të ditur se “ditët e fundit po kryhen ndërhyrje restauruese në një pjesë të çatisë në objektin “Çiço”, familja “Bineri” në lagjen “11 Janari”, monument kulture kategoria I”.

Sipas DRTK Gjirokastër është ndërhyrë për zëvendësimin e disa trarëve të kalbur dhe thyer me të rinj si dhe mbulimin e saj.

Banesat e Gjirokastrës janë një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.

Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm./atsh/KultPlus.com

Margariti: Restaurohet objekti i projektuar nga Idromeno në Shkodër, së shpejti qendër kulturore

E projektuar nga Kolë Idromeno, objekti historik i ish-konsullatës italiane në Shkodër, po kthehet në një qendër kulturore.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ndau sot momente nga prezantimi i këtij projekti në godinën e ish-konsullatës italiane në Shkodër.

“E ndërtuar në vitin 1861, pasi ka kryer një sërë funksionesh që nga ai diplomatik, fetar, ushtarak, kulturor, po restaurohet për t’iu dhënë përfundimisht Shkodrës e shkodranëve, por edhe kujtdo që bujt në këtë qytet mikpritës dhe djep kulture”, tha ajo.

Margariti shprehu bindjen se “shumë shpejt do të rikthehemi në përfundim të punimeve në këtë monument kulture të kategorisë I”. /atsh/KultPlus.com

Përurohet mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë

Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, i cili iu nënshtrua restaurimit, u përurua sot në një ceremoni të veçantë në sheshin “Skënderbej”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë e përurimit tha se, “është emocionuese që ia dolëm kësaj dite, që përtej vështirësive të orëve të para pas tërmetit, u kthye për të gjithë ne në një motivim pune, shprese, për të arritur këtu ku jemi, për të rimëkëmbur atë çfarë është e bukura jonë shqiptare, por mbi të gjitha për t’i ridhuruar Tiranës një kartëvizitë të vërtetë, siç është mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar”.

Margariti u shpreh se, nuk do t’ia kishte dalë dot e vetme, pasi theksoi ajo, “është patjetër falë edhe mbështetjes së skuadrës së madhe të Ministrisë së Kulturës, që në asnjë moment nuk hezitoi që të hartonte me qindra projekte objektesh të dëmtuara”.

Ajo dha një falënderim të veçantë edhe për ambasadorin Soreca, i cili theksoi Margariti, “besoi që në fillim dhe na shtriu dorën e bashkëpunimit dhe gjithë ambasadorët e pranishëm këtu që kanë qenë prezentë, jo vetëm në rastet e vështira, por sa herë që kemi pasur për të celebruar atë çfarë na lidh bashkë, që është e bukura”.

“Faleminderit edhe ambasadores Hohmann që e mori stafetën në një moment të vështirë, kur dukej se kantieret e restaurimit ishin futur në problematikat e mëdha, por së bashku ia dolëm të arrijmë në këtë ditë”, u shpreh Margariti.

Ministrja Margariti theksoi se restaurimi i mozaikut ka qenë punë e gjatë dhe e vështirë.

“Të restaurosh një mozaik, të vendosësh ca teserina mund të dukej si një rrugë e lehtë, por nuk ka qenë e tillë. Më vjen mirë që kemi bashkëpunuar me të njëjtën fabrikë, e cila në vitet ’80 ka realizuar këto teserina dhe ndodhet në Venecia. Me habinë e madhe të tyre panë se si kishim ruajtur në magazinat tona këtë numër të lartë të teserinave dhe sot i riprodhoi me të njëjtën cilësi si atëherë, për të bërë këtë kartëvizitë që është shumë simbolike”, tha Margariti.

Margariti bëri të ditur se, shumë shpejt do të nisë projekti i madh për restaurimin e plotë të Muzeut Historik Kombëtar.

Ndërsa ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann në fjalën e saj falënderoi të gjithë ata që kanë punuar për restaurimin e mozaikut.

“Jnë vërtet artistë, të cilët me të gjitha aftësitë e tyre, me artin e tyre kanë bërë një punë të mrekullueshme. Kanë mësuar edhe studentët, duke i përçuar këto aftësi tek të rinjtë. Falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ekipin e UNOPS, nuk mund t’ia kishim dalë pa ju”, tha Hohmann.

Ambasadorja Hohmann u shpreh se, “ju dëgjuat që bëhet fjalë për 123 tonalitete ngjyrash që janë përdorur për të gjithë pjesëzat që bëjnë mozaikun. Mendoni sa aftësi janë përdorur këtu dhe të gjitha këto do vazhdojnë të përdoren edhe në të ardhmen”.

“Janë të gjitha këto aftësi, të cilat përbëjnë çdo pjesë të këtij mozaiku, jo vetëm këtij që kemi këtu, por edhe të jetës sonë. Janë këto aftësi, të cilat do të përdoren edhe në të ardhmen, për t’i bërë ballë çdo vështirësie që do të vijë edhe në sferën ekonomike. Kemi gjithë këtë larmi aftësish dhe pikërisht kjo është edhe motoja e BE-së, të bashkuar në diversitet, në këtë larmi, që ne ofrojmë dhe këtë dëshirojmë që të bëjë Shqipëria kur të bëhet shtet anëtar i BE-së”, tha Hohmann.

Projekti madhor i restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar u mundësua falë programit “EU4Culture”.

Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigant me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbej”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981.

Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare./atsh/KultPlus.com

Berat, restaurohet porta e Xhamisë së Kuqe

Pas dëmtimit të portës hyrëse në rrënojat e xhamisë së kuqe, DRTK Berat ka marrë masa për restaurimin dhe rivendosjen e saj.

Vënia e portës siguron monumentin nga vandalizmi dhe jep një pamje më dinjitoze për vizitorët.

Xhamia e Kuqe Berat, mendohet se është një nga xhamitë e para të ndërtuara në Shqipëri.

Për identifikimin dhe datimin e këtij objekti ka ndihmuar në radhë të parë përshkrimi i Evlija Çelebiut, gjatë vizitës së tij të dytë në Berat, më 1671.

Sipas tij, në kalanë e Beratit ai ka parë dy faltore islame. Në kalanë e qytetit janë rrënojat e dy xhamive të quajtura njëra “e kuqe”, mesa duket prej përdorimit me shumicë në muret e saj të tullave me të njëjtën ngjyrë dhe tjetra “e bardhë”, e ndërtuar krejt me gurë të gdhendur gëlqerorë.

Aktualisht në ditët e sotme Xhamia e Kuqe ruhet në formë rrënoje pranë rrethimit jugor të kalasë së Beratit. Muret janë shembur e vetëm pak kanë mbetur mbi tokë, ndërsa minarja qëndron ende në këmbë nga teknika më e fortifikuar e ndërtimit dhe materiali i punimit të saj është në ngjyrë të kuqe nga ka marrë edhe emrin.

Minarja ruhet më tepër dhe i shton vlerat këtij monumenti, ajo është e ndërtuar me teknikën e klausonazhit dy rreshta horizontale tullash e dy vertikale me fuga të përpunuara pastër. Nga kazani ruhet vetëm një pjesë e fundit të tij me tulla të vendosura në formë dhëmbëshare./atsh/KultPlus.com

Restaurohet filmi “Koncert në vitin 1936” (FOTO)

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka restauruar filmin “Koncert në vitin 1936”.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga filmi i restauruar mjeshtërisht i cili tanimë sjellë tek publiku një pasuri të shtuar dhe të shpëtuar për trashëgiminë audiovizive shqiptare.

Rama thekson se, shpëtohet nga çngjyrosja pa kthim filmi “Koncert në vitin 1936”, me regji të Saimir Kumbaros e skenar të Kiço Blushit, tanimë i restauruar mjeshtërisht duke e bërë të pavdekshme lojën mbresëlënëse të Robert Ndrenikës, Mirush Kabashit, Margarita Xhepës e me radhë.

Restaurimi është bërë nga ekipi i specialistëve të restaurimit digjital Koushik Bhattacharya dhe Ritajit Raychaudhuri në Mumbai Indi, për rikthimin e ngjyrave të dekoloruara të filmit “Koncert në vitin 1936”.

Filmi “Koncert në vitin 1936” është prodhim i vitit 1978, me regji të Saimir Kumbaros dhe skenar të shkruar nga Kiço Blushi, bazuar mbi tregimet e novelës së Dhimitër S. Shuteriqit. / KultPlus.com

“Vajtimi i mbivarrshëm”, restaurohet një ndër ikonat e rralla të piktorit David Selenica

Restaurimi dhe konservimi i thesareve kulturore mbetet një sfidë e specialistëve të Laboratori të Restaurimit të Veprave të Artit, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Ditët e fundit specialistët përfunduan restaurimin e ikonës: “Vajtimi i mbivarrshëm”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.

Vepra është një ndër ikonat e rralla që ndodhen në këtë muze, të realizuara nga David Selenica, piktori i madh shqiptar i gjysmës së parë të shek. XVIII.

Kjo ikonë ishte pjesë e veprave të vjedhura nga MHK në vitin 1994, bashkë me “Epitafin e Gllavenicës”, të cilat u gjetën më pas në vitin 1996.

Përsa i përket mjeshtërisë artistike ndër piktorët e shkollës së Korçës më i talentuari është David Selenica. Në pavijonin e ikonave pasbizantine në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara dy ikona të ikonografit David Selenica  “Hyrja e Hyjlindëses në Tempull” dhe “Shpërfytyrimi”, ndërsa në fondin e Muzeut Historik Kombëtar është ikona “Vajtimi i mbivarrshëm”.

Pavijoni i Ikonografisë ka të ekspozuar një koleksion prej 65 ikonash të shekujve XIV-XIX, ku vizitori njihet me mjeshtrat e mëdhenj të ikonografisë shqiptare duke filluar me Onufrin, të birin Nikollën, Onufër Qipriotin, Kostandin Shpatarakun, David Selenica, Kostandin e Athanas Zografin, Mihal Anagnostin, vëllezërit Çetiri, Kostandin Jeremonakun e shumë autorë anonimë. Ikonografia lindi, triumfoi dhe u zhvillua bashkë me krishtërimin.

Ikonat pikturohen mbi dërrasë dhe më pas vendosen në ikonostas sipas një renditje të caktuar. Arti bizantin i pikturimit të ikonave i nënshtrohej rreptësisht kanoneve të kishës.

Ikonografit nuk i lejohej të ndryshonte përmbajtjen dhe rregullat që përcaktonin kanonet e shenjta dhe tradita e kishës. Fytyrat e shenjtorëve që paraqiten nëpër ikona shprehin asketizëm dhe përulësi, sepse ata kanë qenë njerëz që kreshmonin, luteshin dhe bënin jetë të përkushtuar ndaj Perëndisë. /atsh / KultPlus.com

Restaurohet mulliri i shekullit 19-të në Graboc të Obiliqit

Mulliri i Behramajve në Graboc të Obiliqit, i vitit 1864, restaurohet me investimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në përurimin e restaurimit të tij, mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministrat Halil Matoshi dhe Qazim Rrahmani si dhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi tha se mulliri është pjesë e veçantë dhe e rëndësishme e kësaj zone, i cili ka luajtur një rol jetik në jetën e njerëzve dhe ka shërbyer për furnizimin e banorëve me përbërësin kryesor të ushqimit, miellin.

“Ky mulli ka një histori dhe i cili i ka mbijetuar fazave të ndryshme të historisë, përplasjeve të ndryshme, sidomos me këtë pjesë të popullatës, e që në luftën e fundit, banorët janë furnizuar me miell prej këtij vendi”, u shpreh ndër të tjera ministrja, duke thënë se ndjehet e lumtur që MKRS-ja e ka restauruar këtë objekt të trashëgimisë.

Gjithashtu, në kuadër të vizitës në Komunën e Obiliqit, ministrja ka zhvilluar një takim në komunë, ku me kryetarin Xhafer Gashi, kanë diskutuar për projektet që deri tani ministria ka investuar në këtë Komunë, sikurse është shtëpia e kulturës, të cilin ministrja pati rastin të vizitojë dhe e cilësoi si një investim me vend, të cilin e ka mbështetur MKRS-ja.

Ministrja Dumoshi e informoi kryetarin Gashi se MKRS-ja do ta përkrah për vitin 2021 me dy projekte të rëndësishme të cilat komuna i parasheh më me prioritet. Ajo porositi kryetarin që të informojë dhe nxisë organizatat rinore që të aplikojnë në thirrjet që ministria shpall për financim të projekteve për rini.

Nga ana e tij, kryetar i Obiliqit, Xhafer Gashi, e falënderoi ministren Dumoshi për tërë përkrahjen që ka dhënë dhe që planifikon për vitin e ardhshëm në projektet që janë me interes për Komunën e Obiliqit.

Kryetari Gashi tha se MKRS-ja në vazhdimësi e ka pasur në vëmendje komunën e Obiliqit.

Dumoshi e Gashi vizituan edhe shkollën “Ismail Dumoshi” në Obiliq, e cila mban emrin e heroit të Kosovës, i cili është i ati i ministres Vlora Dumoshi. / KultPlus.com

Restaurohet banesa e familjes Bullari në Berat, monument kulture kategoria e parë

Në lagjen “Goricë” në Berat ka nisur puna për restaurimin e fasadës së banesës së familjes Bullari monument kulture kategoria e parë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bën të ditur se trajtimi i suvasë dhe elementëve drusorë nga specialistët janë një element i rëndësishëm për këto banesa si dhe streha e çatisë, e cila ka një konfigurim me tavan dërrase me hark të suvatuar”.

“Aktualisht po punohet për trajtimin e fasadës pasi pamja e saj me kalimin e kohës ka pësuar dëmtime dhe ka nevojë për ndërhyrje”, – shprehet DRTK.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./atsh / KultPlus.com