Artistët nga Gjermania xhirojnë film artistik në Kalanë e Rozafës

Kalaja e Rozafës, e ngritur mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës ka zgjuar interesin e 40 aktorëve gjermanë për të xhiruar filmin e tyre më të ri “Vampirët”.

Aktorët e Forum Heersum, shoqatë socio-kulturore nga Saksonia e Poshtme në Gjermani kanë ardhur të xhirojnë në Shkodër skenat e filmit, shkruan agjencia gjermane e lajmeve “Deutche Welle”.

Artistët e kanë zbuluar kalanë nga aktorja e njohur shkodrane që jeton prej 27 vitesh në Gjermani.

Juli Ndoci shprehet se “të gjithë aktorët erdhën më shumë dëshirë në Shqipëri dhe asnjë prej tyre nuk është penduar, por është tmerrësisht i lumturuar për atë çfarë sheh dhe përjeton, sesi janë njerëzit sesi është ushqimi sesi është historia të cilën pak njerëz e dinë”.

Filmi me metrazh të shkurtër do të shfaqet verën e ardhshme para publikut në gjermani.
Producenti Jurgen Zinke shprehet se ishte ide shumë e mirë, pasi Shqipëria është një vend i panjohur.

“Ne kemi kënaqësi të kemi pjesë të stafit tonë Juli Ndocin, që e njeh Shqipërinë kaq mirë dhe s’mund të kishim xhirime më të mira”.

Ndërsa regjisori Ulli Jaeckle thotë se “natyrisht shesh xhirimi është shumë i rëndësishëm. Lokalizimi këtu në Shqipëri lidhet edhe me faktin se këtu ka vende fantastike dhe për ne gjermanët Shqipëria është e panjohur”.

“Këtu ka vende madhështore, ku mund të shkosh pa problem, të cilat në Gjermani do t’i kishin bllokuar për publikun”, shprehet regjisori Jaeckle.

Oliver e ka njohur Shkodrën si vendlindja e gruas së tij, Julit. “Për një “vampir” nuk ka gjë më të mirë se sa të vijë këtu, sepse është vend interesant e ka turistë”, thekson ai.

E lashta kala e Rozafës, në Shkodër vizitohet çdo ditë e më tepër nga të gjitha moshat, vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer. Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik, i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës./k.s/ /a.g/KultPlus.com

Publikohet projekti për restaurimin e Kalasë së “Rozafës” në Shkodër

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Ndërhyrje restauruese në Kalanë e Shkodrës”. Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në muret e kalasë.

Kalaja e Rozafës në Shkodër është një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas dhe këto ndërhyrje janë të nevojshme, pasi i kthejnë këto vende në atraksione të denja për turistët.

Kjo Kala ngrihet mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja.

Java News raporton se projekti përfshin të gjithë hapësirën e Kalasë, ku do të restaurohen dhe vihen në dukje rrëzë saj në anën jugore gjurmët arkeologjike që fillojnë nga Bronxi i hershëm. Në mes shek.V-IV p.e.r filloj ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Në antikitet zona përreth banohej nga fisi Ilir i Labeatëve dhe jo rastësisht historiani Tit Livi e quan “vendi më i fortë i labeatëve”.

Në këtë kohë qyteti merr hov të madh zhvillimi dhe si fakt për këtë përparim është monedha e përdorur qysh në vitin 230 p.e.s. Nga monedha mësojmë se Qyteti në këtë kohë është quajtur Scodrinon. Në vitin 181 p.e.s qyteti ishte kryeqendër e Mbretërisë Ilire me mbretin Genti në krye. Në këtë periudhë qyteti shtrihej në pjesën jugore të kodrës, i rrethuar me mure dhe porte hyrëse ndërsa mbi kodrën ku sot ngrihet Kalaja ishte ndërtuar Akropoli ilir.
Gjurmët më të dukshme të periudhës ilire në Kala i gjejmë në oborrin e vogël mes Barbakanës dhe portës së dytë si dhe në të majtë të kthesës hyrëse tek porta e dytë. Pikërisht në Kala dhe përreth saj gjatë shek.II p.e.s u zhvilluan luftërat me perandorin romake dhe në vitin 168 p.e.s, pushtohet nga ushtrija perandorake. Në periudhën e Dioklecianit qyteti (nga reformat e tij) bëhet qendër administrative e provincës së Prevalit.

Me dyndjet sllave qyteti pushtohet dhe gjatë shek.XI bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës (në vitin 1040). Më vonë qyteti pushtohet një kohë të shkurtër nga bullgarët, por deri me sot nuk janë zbuluar gjurmë ndërtimesh të kësaj periudhe në Kala. Në shek.XIV qyteti bëhet qendër e rëndësishme autonome, madje më 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së Balshajve. Më 1396 kalon nën sundimin e Venedikut dhe në këtë kohë qyteti quhet me emërtimin Scutari.

Në këtë periudhë, mes sundimit të Balshajve dhe pushtimit Venedikas Kalaja merr formën që ka dhe sot. Kullat mbrojtëse në oborrin e parë i përkasin kësaj kohe. Pas Balshajve ishin Venedikasit që vunë dorë në Kala, kryesisht në fortifikime dhe ndërtime me karakter ushtarako-administrativ. Me 1407-1414 ndërtohet Barbakania me qëllim mbrojtjen e hyrjes në kështjellë. I gjithë kompleksi i hyrjes përfundoi më 1468 kur pasi përballoi kryengritjet e popullsisë vendase në vitet 1405-1410 kundër sundimit Venedikas, kështjella po bëhej gati të përballonte pushtimin osman. Venedikasve i përket dhe një ndërtesë monumentale në oborrin e tretë me tre kate dhe e pajisur me frengji topash e njohur si Kapiteneria./ KultPlus.com

Turistët mahniten nga Kalaja e Rozafës, 58 241 vizitorë nga janari në korrik 2018

Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një rritje të konsiderueshme të turistëve në monumentet e kulturës në gjithë vendin.

Kalaja e Rozafës në Shkodër, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas.

Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik, i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës.

Kalaja e Shkodrës në periudhën janar- korrik 2018 është vizituar nga 58,241 turistë, nga të cilët 16.105 përfituan nga hyrjet falas në ditët e përcaktuara nga Ministria e Kulturës.
Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të konsiderueshme të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar , ku kalaja u vizitua nga 22,823 turistë.

Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik.

Në muret rrethuese të kalasë dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).

E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.

Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit ilir Gent. Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët.

Brenda mureve të saj ruhen ruhen një sërë mjedisesh si garnizone, depo, një ndërtesë administrative, etj. Sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve , me porta mes tyre.

Objekte të tjera me vlera të mëdha kulturore e që tregojnë shumë për historitë e kaluara të popullit tonë janë ,cisternat e ujit të shek XV, katedralja e shek XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Po kështu aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës, i cili shpjegon periudhat e ndryshme të kalasë./ ata

Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës gjithnjë në rritje

Monumentet e kulturës si vende atraksion dhe historike po presin çdo ditë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Fillimi i sezonit të ri turistik duket premtues pasi këto vende janë ”magnet” për turistët e huaj sepse kanë brenda tyre histori, kulturë dhe detaje mistike që ngjall jo pak kuriozitet tek vizitorët.

E lashta kalaja e Rozafës, në Shkodër vizitohet çdo ditë e më tepër nga të gjitha moshat, vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer. Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës.

Kalaja e Shkodrës në periudhën janar-qershor 2018 në total ka tërhequr 43690 vizitorë, nga të cilët 6623 është numri i atyre që kanë përfituar hyrje falas gjatë festave zyrtare, ditëve të shënuara të Trashëgimisë dhe të dielave të fundit të çdo muaji.

Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik, shkruan atsh.

Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).

E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.

Objekte të tjera me vlera të mëdha kulturore e që tregojnë shumë për historitë e kaluara të popullit tonë janë ,cisternat e ujit të shek XV, katedralja e shek XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Po kështu aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës, i cili shpjegon periudhat e ndryshme të kalasë./KultPlus.com