Aktori i famshëm dhe ylli i dikurshëm i mundjes, Dwayne Johnson, e tregon anën e tij më të ndjeshme në këtë dramë të fuqishme indie mbi botën e arteve marciale mikse. Ai është “prekës”, dhe nuk do të ishte çudi nëse do të nominohej për çmime të mëdha.
Dwayne Johnson mund të mos përdorë më pseudonimin e tij të famshëm të mundjes në kreditet e filmave, por sa herë që shfaqet në ekran, ende duket e përshtatshme ta quash The Rock. Kjo sepse ai duket kaq i pathyeshëm. Nuk është vetëm se personazhet e tij heroikë mund t’i përballojnë goditjet që do të shkatërronin shumicën e njerëzve, ata i përballojnë duke buzëqeshur me dhëmbë të bardhë të përsosur. Karriera e tij në Hollywood është ndërtuar mbi imazhin e një njeriu që duket se nuk thyhet kurrë.
Por “The Smashing Machine”, që pati premierën në Festivalin e Filmit në Venecia, është hera e parë që shohim se edhe “Shkëmbi” mund të shembet.
Ky film i ndjeshëm dhe artistik, i bazuar në një dokumentar të HBO të vitit 2002, rrëfen historinë e vërtetë të Mark Kerr, një luftëtar MMA-je që ishte një nga pionierët e këtij sporti brutal në kohën kur kampionët e tij ende nuk ishin as të pasur, as të famshëm. Johnson është ndoshta i vetmi aktor që mund ta luajë bindshëm Kerr-in: fiziku i tij kolosal dhe i skulpturuar mbush ekranin, dhe meqë për një herë ka flokë, krijon përshtypjen se Marvel mund të kishte kursyer për Hulk-un thjesht duke e lyer Johnson-in me ngjyrë jeshile.
Por, sado “malor” dhe i pathyeshëm të duket protagonisti, ky film indie me tone melankolike është për dikë që mund të lëndohet, fizikisht dhe emocionalisht.
Në skenën hapëse, të vendosur në vitin 1997, Kerr shfaq vetëbesim rinor ndërsa shkatërron fytyrat e kundërshtarëve të tij. (“Një gju në fytyrë,” thërret komentatori. “Një gju i mrekullueshëm në fytyrë!”) Por kur filmi kalon në vitin 1999, vitet e dhunës tashmë kanë lënë gjurmët e veta, dhe jo vetëm në veshin e tij të dëmtuar. Meqë MMA ende nuk është bërë fenomen në SHBA, Kerr lufton kryesisht në Japoni, ku ndihet i vetmuar dhe i huaj: disa skena të kujtojnë Lost in Translation të Sofia Coppola-s, megjithëse askush nuk do ta ngatërrojë Johnson-in me Bill Murray.
Udhëtimet e vazhdueshme mes Japonisë dhe shtëpisë së tij në Arizona e tensionojnë marrëdhënien me të dashurën e tij, Dawn (e luajtur nga Emily Blunt, ky film është një kontrast i madh me bashkëpunimin e tyre në “Jungle Cruise” në 2021). Kerr i lutet farmacistëve për qetësues gjithnjë e më të fortë, pjesërisht për të zbutur dhimbjet e pafundme nga goditjet në kokë, dhe pjesërisht për të arritur përsëri “kulmin e lartë” që përjeton kur fiton një ndeshje. Ai mbahet në këmbë vetëm nga mbështetja e mikut më të ngushtë, Mark Coleman (i luajtur nga luftëtari i vërtetë i MMA, Ryan Bader), por përderisa të dy janë në të njëjtin sport, gjithmonë ekziston mundësia që të përballen mes vete në ring.
Më afër filmit Raging Bull apo The Wrestler sesa një film sportiv tipik i Hollivudit, megjithëse nuk është aq rraskapitës apo i fuqishëm sa ata, The Smashing Machine është shkruar dhe drejtuar nga Benny Safdie, i cili bashkë me vëllain e tij Josh ka bashkëshkruar filmat Good Time me Robert Pattinson dhe Uncut Gems me Adam Sandler. Ai ka përvojë në të shfaqurit e aktorëve të famshëm të Hollywood-it në dritën më pak glamuroze të mundshme.
Johnson është ndjeshëm i prekshëm kur Kerr humb kontrollin e jetës së tij dhe tmerrësisht i paqëndrueshëm në grindjet me Dawn, të cilat bëhen aq të shpeshta, sa që ai përqendrohet më shumë në to sesa në ndeshjet e tij në Japoni, edhe pse i thotë një gazetari se duhet të jetë i përqendruar si një “rreze lazer” për të fituar.
Mos u çudisni nëse Johnson nominohet për Oscar. Filmat e tij të mëdhenj të Hollywood-it kanë fituar miliarda dollarë, kështu që ky rol serioz dhe i nuancuar është një mundësi e qartë për Akademinë për ta shpërblyer për karrierën e tij të suksesshme.
Sidoqoftë, nuk është një shkëputje e plotë nga imazhi i tij, nuk është ndonjë zbulim i madh që ai po luan një sportist muskulor që nisi si mundës, dhe gjithmonë ka qenë një aktor i aftë, ndaj nuk është surprizë që mund të shpërthejë në lot apo të bjerë në një trans të droguar.
Është e vërtetë gjithashtu se The Smashing Machine nuk është aq shpërthyes dhe i furishëm sa filmat e mëparshëm të Safdie-t, ndaj Johnson nuk e ka nevojën të shkojë në ekstreme aq të errëta sa Pattinson në Good Time apo Sandler në Uncut Gems.
Megjithatë, është prekëse të shohësh këtë ikonë të atleticizmit dhe pozitivitetit në një film melankolik që ngre pyetjen: a ia vlen vërtet gjithë ajo stërvitje dhe vuajtje për një kampionat?
Titulli “The Smashing Machine” nuk përmendet asnjëherë në dialog, kështu që mbetet në dorën e shikuesit të vendosë: a i referohet ai vetë Kerr-it, sportit brutal që i mori aq shumë, apo vetë jetës?/BBC/KultPlus.com