Rama ndan pamje të rrugës panoramike Shëngjin-Velipojë

Rruga Shëngjin-Velipojë është kthyer tashmë një nga akset më panoramike të vendit, me potencial për zhvillimin e turizmit.

Përmes rubrikës “Beautiful Albania”, Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje panoramike me perëndimin e diellit nga rruga e re, e cila lidh dy zonat bregdetare, Shëngjinin dhe Velipojën.

Nga porti i Shëngjinit rruga i ngjitet shpatit me një lartësi 100-120 metra mbi nivelin e detit dhe ruan të paprekur plazhin e Shëngjinit, Ranën e Hedhun dhe plazhet e tjera të zonës. Më pas lidhet me infrastrukturën e Velipojës. Kjo rrugë lidh dy qendrat kryesore turistike bregdetare.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore ekzistuese si dhe ndërtimi i rrugëve të reja, që lidhin më shpejt qytetet me zonat turistike bregdetare, janë prioritete të punës së qeverisë./atsh/KultPlus.com

Rama: Inva Mula, performancë të jashtëzakonshme në Amfiteatrin e Durrësit

Sopranoja Inva Mula u ngjit në skenën e Amfiteatrit antik në Durrës, ku zhvilloi koncertin “Meloditë e Mesdheut”.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ky koncert teksa theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “sopranoja shqiptare Inva Mula së bashku me mjeshtrin e pianos Ekland Hasa dhe virtuozin e violonçelit Redi Hasa, sollën një performancë të jashtëzakonshme në Amfiteatrin e lashtë të Durrësit, nën jehonën e historisë, tingujt e melodive më të bukura mesdhetare”.

Sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula, ngjitej për herë të parë në skenën e Amfiteatrit antik. Ajo kishte në krah instrumentistët virtuozë, vëllezërit Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violonçel, si dhe korin e fëmijëve “Okarina”. Repertori dhe çdo detaj ishte menduar në harmoni me vendin dhe qytetin ku u mbajt koncerti.

Instrumentisti i njohur Ekland Hasa ka bërë dhe orkestrimin e shumë këngëve që vijnë nga Turqia, Italia, Spanja, Kroacia

Publiku, mes qytetarëve dhe turistëve të shumtë, përjetoi një udhëtim muzikor në brigjet e Mesdheut, nën tingujt e melodive më të bukura të këtij rajoni. Një ngjarje artistike që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, duke e kthyer Durrësin në një skenë të vërtetë emocioni dhe kulture./atsh/KultPlus.com

Rama: Super energjia e Solar Fest në Sarandë

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga festivali “Solar Fest” i zhvilluar në qytetin e Sarandës.

“Super energjia e Solar Fest në Sarandë”, shkroi kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Solar Music Festival”, i cili mbahet prej disa vitesh, sjell në qytetin e bukur të Sarandës DJ të nivelit botëror, artistë dhe muzikantë të njohur e jo vetëm.

Ky festival është kombinimi i muzikës së mirë, festave të jashtëzakonshme në anije, si edhe të pushuarit në plazh përgjatë ditës.

Festivali ka një program argëtues të jetës së natës ndryshe nga festivalet e tjerë./atsh/KultPlus.com

Rama: Energjia verore nga Gjiri i Gramës

Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit, është një ndër destinacionet e preferuara nga turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Gjiri i Gramës, i cili ofron një peizazh natyror shumë tërheqës për çdo vizitor.

“Me energjinë verore nga Gjiri i Gramës”, shkruan Rama, ndërsa ndan pamje nga plazhet më spektakolare të jugut, me ujin e pastër kristal e natyrën e virgjër.

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det.

Gjithashtu, ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty njihet si “Shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave./atsh/KultPlus.com

Rama ndan fotot: Qetësi nga plazhi i Livadhit në Himarë

Plazhi i Livadhit në Himarë, i njohur për ujin e tij të kristaltë dhe shkëmbinjtë e lartë që e rrethojnë, është shndërruar në një destinacion të preferuar për turistë vendas e të huaj që zgjedhin Rivierën Shqiptare për të pushuar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga ky plazh, i cili përveç ujërave të kristalta të Jonit ofron qetësi për çdo pushues.

Ky plazh ndodhet poshtë Kalasë së Himarës, duke ofruar një kombinim të mrekullueshëm të historisë dhe natyrës.

Me një shtrirje prej rreth 1,2 kilometra dhe një gjerësi prej 100 metrash, me rërë të pastër dhe të mineralizuar, plazhi i Livadhit tërheq çdo vit vizitorë të shumtë, sidomos të huaj.

Ai ofron një qetësi jo të zakontë, gjë e cila është një nga kriteret kryesore që kanë pushuesit, dhe sidomos familjarët në përzgjedhjen e destinacioneve turistike gjatë sezonit veror.

Vendi është i përshtatshëm për t’u larë në thellësi dhe për hedhje nga shkëmbinjtë.

Plazhi i Livadhit ofron të gjitha shërbimet e nevojshme për pushime relaksuese, me një larmishmëri hotelesh, lokalesh, restorantesh të çdo lloj portofoli. Ai është i përshtatshëm për çdo tipologji turistësh, vendas e të huaj.

Po në veçanti vizitorët e huaj duket sikur janë magjepsur nga ky plazh, për shkak të ujit të pastër dhe mundësisë që jep natyra për të eksploruar./atsh/KultPlus.com

Rama: Energji pushimesh në Gjirin e Gramës

Gjiri i Gramës, një nga plazhet më spektakolare të jugut të Shqipërisë, tërheq çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj, është ndër atraksionet absolute të pushimeve për turistët e huaj, por edhe ata vendas.

I fshehur në vijëzimin bregdetar të Karaburunit, Gjiri i Gramës është një destinacion i preferuar për pushuesit që zgjedhin bregdetin e jugut të Shqipërisë gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të një grupi pushuesish që shijojnë ujërat e kaltra të Gjirit të Gramës, ndërsa kanë ngritur çadra kampingu në rërën e plazhit.

“Dhe me këtë energji pushimesh nga Gjiri i Gramës”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjiri i Gramës gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit (Vlorës).

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore.

Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga stuhitë detare.

Gjithashtu ai është përdorur gjatë në Antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si “Shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave./atsh/KultPlus.com

Lumi Vjosa, zemra e Parkut Kombëtar, pushtohet nga turistët këtë verë

Brigjet e lumit Vjosë, tashmë zemra e Parkut të parë Kombëtar të Lumenjve në Europë, po mbushen çdo ditë e më shumë me vizitorë nga e gjithë bota. Nga dashamirët e natyrës e deri te aventurierët me kanoe, Vjosa po shndërrohet në një prej destinacioneve më të kërkuara për ekoturizëm në rajon.

Me rrjedhën e saj të lirë që përshkon kanione spektakolare, pyje të dendur dhe fusha të gjelbra, Vjosa është cilësuar nga ekspertët si “lumi i fundit i egër në Europë” – një mrekulli natyrore që ka shpëtuar nga ndërhyrjet industriale dhe që ruan një biodiversitet të jashtëzakonshëm.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot në rrjetet sociale foto nga brigjet e Vjosës të mbushura me turistë vendas e të huaj, duke theksuar vlerat natyrore dhe potencialin që ky park ka për të nxitur turizmin e qëndrueshëm në Shqipëri.

“Vjosa nuk është vetëm një lum, por një pasuri kombëtare dhe europiane. Ruajtja e saj është një investim për të ardhmen e gjelbër të vendit,” – është shprehur ndër të tjera Kryeministri në postimin e tij.

Turistët, të tërhequr nga bukuritë e paprekura dhe mundësitë për aktivitete si eksplorimet me kanoe, kampingjet ekologjike dhe shëtitjet në natyrë, e shohin Vjosën si një oaz të rrallë autenticiteti dhe qetësie larg betonit dhe zhurmës së qytetit.

Autoritetet vendore dhe organizatat mjedisore janë të angazhuara për të ruajtur këtë pasuri natyrore përmes menaxhimit të qëndrueshëm dhe edukimit të vizitorëve mbi rëndësinë e mbrojtjes së ekosistemit unik të lumit./KultPlus.com

Aksi rrugor Ura e Çerenecit – Zgosht, transformon Dibrën dhe Elbasanin për Zhvillim Rural dhe Turizëm Malor

Rruga e re Ura e Çerenecit – Zgosht, e cila është rreth 47 km e gjatë dhe lidh Dibrën me Elbasanin, përbën një investim me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale pamje pas përfundimit të punimeve për këtë segment rrugor, duke theksuar ndikimin e madh që do të ketë ky projekt për përmirësimin e infrastrukturës dhe ndërlidhjen mes dy qarqeve të vendit.

“Me rrugën e re Bulqizë–Librazhd, aksi Ura e Çerenecit–Zgosht, që jo vetëm lidh Dibrën me Elbasanin, por krijon një korridor të ri lindor duke sjellë më afër bukuritë natyrore dhe pasuritë e turizmit malor, nxit ekonominë rurale dhe i jep jetë sipërmarrjeve të reja bujqësore e turistike,” shkruan Rama në postimin e tij.

Ky segment rrugor është i rëndësishëm për përmirësimin e mundësive të hyrje-daljeve për komunitetet lokale, fermerët dhe ndërmarrjet e tjera ekonomike, duke ofruar një rrugë të shpejtë dhe të sigurt për turistët që duan të vizitojnë destinacione në Shqipërinë lindore. Disa prej këtyre destinacioneve përfshijnë Parkun Shebenik-Jabllanicë në Librazhd dhe zonat kulturore, natyrore e historike në qarkun e Dibrës,transmeton KultPlus.com

Ky projekt, përveç ndikimit të tij ekonomik, do të kontribuojë në forcimin e turizmit malor dhe zhvillimin e bizneseve të reja, duke sjellë mundësi të reja për sipërmarrësit dhe të rinjtë në këto zona. Po ashtu, hapja e një pike kufitare të re në Urat e Bushtricës, pjesë e Korridorit 8, që po ndërtohet nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, do të lehtësojë lëvizjen e banorëve dhe turistëve, duke ofruar lidhje më të shpejta dhe më të sigurta me vendet fqinje.

Kjo rrugë do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë rurale, duke nxitur më shumë investime dhe mundësi për të rinjtë e zonave përkatëse, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetet e këtyre rajoneve./KultPlus.com

Rama ndan pamje nga plazhi i Pishporos në Fier

Me 18 kilometra vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qyteti i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ajri të plazhit të Pishporos në Fier. Vija bregdetare ranore e Pishporos, mbetet një destinacion turistik ende i pazbuluar.

Plazhi i Pishporos shtrihet në një gjatësi prej 9.5 km mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorë.

Në stinën e verës plazhet ranore me shtrirje të konsiderueshme në territorin e bashkisë së Fierit, të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 kilometra në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet edhe plazhi i Semanit, me gjatësi 7 kilometra. Pjesë e vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13.7 kilometra dhe plazhi Ndërnënas 8 kilometra.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e vizitorëve në Fier./atsh/KultPlus.com

Rama: Vizitorë nga e gjithë bota në Butrint

Qyteti antik i Butrintit vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj edhe gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga turistët e shumtë që edhe në këto ditë të nxehta korriku zgjedhin të vizitojnë qytetin antik, që ndodhet 20 km larg Sarandës.

“Parku Kombëtar i Butrintit që zgjohet çdo ditë me zërat e vizitorëve që vijnë nga e gjithë bota për të prekur historinë dhe bukurinë”, shkruan Rama krahas pamjeve.

Ky park vijon të jetë një nga atraksionet më të vizituara turistike edhe gjatë këtij viti në Shqipëri. Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëra vjeçare ngjall kuriozitetin e turisëve nga vende të ndryshme të botës.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.

Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit./atsh/

Rama publikon reportazhin e BBC: Zbulimi i Linit, vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë

Një nga zbulimet më të jashtëzakonshme arkeologjike ka ndodhur në brigjet e liqenit të Ohrit, në fshatin piktoresk të Linit në Pogradec.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një pjesë nga reportazhi i BBC-së, ku Lini konsiderohet vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë.

“Arkeologët kanë zbuluar atë që besohet të jetë vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë, në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri. Dëshmitë tregojnë se një komunitet i organizuar gjuetarësh dhe bujqish ka jetuar aty deri në 8 000 vjet më parë”, thuhet në një reportazh të fundit të rrjetit mediatik të BBC.

Kryeministri theksoi se grupi i arkeologëve shqiptarë dhe zviceranë të intervistuar thonë se po vijojnë të punojnë çdo ditë mbi këtë zbulim, duke u zhytur në 3 metra thellësi.

“Deri më tani nuk është zbuluar as 1% e asaj që mendohet të ketë qenë pjesë e këtij vendbanimi të hershëm, ku janë gjetur mostra druri, kockash, qeramike dhe materialesh të tjera”, shtoi Rama.

Sipas arkeologëve nga Universiteti i Bernës dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë, jeta në këtë vend daton nga 8000 deri në 4000 vjet p.e.s., duke e bërë Linin vendbanimin palafit më të hershëm të zbuluar ndonjëherë në Europë./KultPlus.com

Rama: Lini, vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë

Një nga zbulimet më të jashtëzakonshme arkeologjike po ndodh në brigjet e liqenit të Ohrit, në fshatin piktoresk të Linit në Pogradec.

Kryeministri Edi Rama ndau sot fotot e Prof. Adrian Anastasi nga Lini, ndërsa bëri të ditur se Lini konsiderohet vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë.

“Sipas arkeologëve nga Universiteti i Bernës dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë, jeta në këtë vend daton nga 8000 deri në 4000 vjet p.e.s., duke e bërë Linin vendbanimin palafit më të hershëm të zbuluar ndonjëherë në Europë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se gërmimet në zonën e Buqezës kanë nxjerrë në dritë struktura të hershme prej druri nën ujë dhe gjurmë të një komuniteti që përdorte me zgjuarsi burimet natyrore nga bujqësia dhe blegtoria, te peshkimi dhe gjuetia.

Kryeministri citoi prof. Albert Hafner nga Universiteti i Bernës, i cili u shpreh: “Ky projekt, i cili u miratua në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe që falë bashkëpunimit me IKTK, sot e kemi të shpallur zonë arkeologjike nënujore
“Lini është të paktën 500 vjet më i vjetër se çdo vendbanim i këtij lloji i zbuluar më parë në Itali apo Spanjë”.

Rama tha se kjo është një tjetër arsye për të qenë krenarë për thesaret që mbart toka shqiptare./atsh/KultPlus.com

Rama ndan pamje nga liqeni i zi në Radomirë: Freskia malore sfidon vapën e korrikut

Liqeni i zi në Radomirë është një prej perlave natyrore të Dibrës, i vendosur në zemër të Alpeve shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje nga ky liqen, një destinacion për të gjithë në këto ditë të nxehta korriku.

“Freskia e liqenit të zi në Radomirë, në zemër të Alpeve të Dibrës, ku ajri i pastër dhe qetësia malore sfidojnë vapën e korrikut”, shprehet kryeministri.

Liqeni i zi ndodhet në një lartësi mbi 1500 metra mbi nivelin e detit dhe është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara për ecje malore dhe turizëm natyror në veriun e Shqipërisë falë natyrës së paprekur dhe peizazheve të rralla./atsh/KultPlus.com

Festivali “Shpirti i Ballkanit” në Korçë, Rama: Festë ngjyrash, ritmesh dhe kulturash

Edicioni i 7-të i festivalit “Shpirti i Ballkanit”, që u zhvillua këtë fundjavë në Korçë, krijoi një atmosferë mbresëlënëse për qytetarët dhe turistët.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky festival.

“”Shpirti i Ballkanit” ndezi Korçën. Artistët nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Franca iu bashkuan yjeve shqiptarë në një festë ngjyrash, ritmesh dhe kulturash”, shkruan Rama.

Rrugët e qytetit të Korçës u kthyen në një mozaik gjuhësh, kostumesh dhe identitetesh, që u prit me entuziazëm nga qytetarët dhe vizitorët, një dëshmi e gjallë e shpirtit ballkanik që bashkon përtej kufijve.

Në mbrëmje, tingujt e folkut dhe xhazit përshkuan Pazarin e Vjetër, duke sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme.

“Shpirti i Ballkanit” është më shumë se një festival, është një përqafim kulturash, një thirrje për të festuar atë që na bashkon./atsh/KuktPlus.com

Rama ndan pamje nga liqeni i zi në Radomirë, Dibër

Fshati i Radomirës, 37 km nga Dibra është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për të pasionuarit pas ngjitjeve në mal.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga liqeni i zi në Radomirë, si një ftesë për t’u vizituar nga turistë vendas e të huaj.

Liqeni i zi, një mrekulli natyrore e fshehur në fshatin Radomirë të Dibrës, është një destinacion përrallor.

Liqeni në dimër ngrin në sipërfaqe dhe ka një hapësirë prej 0.8 ha. Është i pasur me një botë të gjallë. Ka vlera shkencore gjeologjike, hidrologjike, biologjike, estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore.

Ky liqen është i rrethuar nga një masiv pyjor me pishë të zezë. Për vlerat e veçanta natyrore gëzon statusin Monument Natyre.

Radomira, pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik, shënon hyrjen në rrugën turistike që ngjitet drejt malit të Korabit.

Pranë këtij fshati sidomos gjatë stinës së verës vijnë shumë turistë vendas e të huaj. E vendosur rrëzë malit të Korabit, majës më të lartë në Shqipëri dhe e rrethuar nga pisha është Radomira magjike.

Ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në anët e Korabit përbëjnë burime të çmuara që mund të kontribuojnë në zhvillimin e zonës, duke e kthyer Radomirën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

Dibra ka resurse të jashtëzakonshme natyrore, pasi është një nga trevat më të bukura të vendit, kufizohet me Maqedoninë dhe shtrihet në një territor të gjerë, nga lartësia e malit të Korabit dhe deri në kufijtë e Matit me malin e Dejës, ku shtrihet në veri Lura, një nga perlat e Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

FamTour Albania, Rama: Gjirokastra, skenë magjike ku historia e arti takojnë sytë e botës

Hollywood vjen në Gjirokastër. Kryeministri Edi Rama përcolli momente nga vizita e producentëve më të famshëm të kinemasë, të cilët kanë zgjedhur Gjirokastrën për filmat e tyre.

“Hollywood vjen në Gjirokastër sepse tanimë Gjirokastra nuk është vetëm krenaria jonë, por një skenë magjike ku historia dhe pasioni për artin takojnë sytë e botës”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Producentët më të famshëm të kinemasë — nga Warner Bros, Amazon, HBO, Disney, Paramount, NBCUniversal — panë nga pranë një vend ku Perëndia ka qenë arkitekt dhe njeriu ka ndërtuar skenën e magjishme për artin e imazhit, me mundësinë për ta përfshirë në hartën e filmave botërorë”, theksoi Rama.

Rama shtoi se, “me mikpritjen e ngrohtë të Bashkisë Gjirokastër dhe energjinë unike të qytetit,  “FamtourAlbania” u kthye në një udhëtim emocionesh, frymëzimi dhe ideve të reja për kinemanë”./atsh/KultPlus.com

Rama: Turistët e aventurës rafting në Shkumbin

Turistë e aventurës këtë fundjavë kanë shijuar bukuritë natyrore dhe adrenalinë e rafting në lumin Shkumbin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga rafting në peizazhin fantastik që ofron lugina e lumit Shkumbin.

Turistët lundruan përgjatë vijës Egnatia, mes pamjeve magjike të një prej urave më të njohura dhe më të mirëmbajtura të rrugës Egnatia, urën e Kamarës.

Lugina e Shkumbinit ka një bukuri të rrallë me katarakte, shpella, plazhe të vogla, etj.

Përgjatë lumit në krahinën e Mokrës, ka edhe mjaft vende të përshtatshme për peshkim dhe vende të tjera piktoreske, që mund të vizitohen nga turistët e natyrës dhe ata të aventurës, si Selca e Poshtme në krahinën e Mokrës me një vendbanim të lashtë ilir, ura e Golikut në fshatin Golik, atje ku bashkohen tri degë të lumit Shkumbin.

Raftingu nis nga ura e Bushtricës dhe përfundon pranë qytetit të Librazhdit. Lumi i Shkumbinit e ka grykëderdhjen në një nga plazhet më të bukura në Shqipëri, i cili është Plazhi i Vilë-Bashtovës./atsh/KultPlus.com

“Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga kalaja e Lëkurësit në Sarandë

Kalaja e Lëkurësit, në Sarandë është kthyer vitet e fundit në një atraksion të veçantë të turizmit në qytetin bregdetar.

Kjo kala ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës të braktisur në vitin 1878, në një pozicion dominues mbi gjirin e Sarandës dhe qafën e Gjashtës, përballë Manastirit të Dyzet Shenjtorëve.

Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video me pamje nga perëndimi i diellit nga kalaja e Lëkurësit, Sarandë, mbushur me turistë.

Kalaja e Lëkurësit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës më 30 maj 1970.

Mendohet që ndërtimi i saj është bërë nga Sulltan Sulejmani në vitin 1537, kur sulmoi Korfuzin dhe ishte i domosdoshëm kontrolli i skelës së Sarandës dhe rrugës Sarandë-Butrint./atsh/KultPlus.com

Rama: Teatri i ri Kombëtar po merr formë dita-ditës

Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar po vijon, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda vitit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, projekt i cili po merr formë çdo ditë e më shumë.

“Me punën në kantierin e Teatrit të ri Kombëtar, që po merr formë dita-ditës, si një tjetër gur i çmuar mes gjerdanit të veprave që e kanë transformuar kryeqytetin”, shkruan Rama.

Projekti i ri, vepër e njërit prej arkitektëve më të mëdhenj bashkëkohorë, Bjarke Ingels, e studios daneze BIG, synon të krijojë një ndërtesë që lidhet me hapësirën e jashtme, si një strukturë performuese dhe një zgjatim fleksibël i jetës publike të Tiranës, ku Teatri bëhet vetë një “aktor” në kontekstin e qytetit.

Projekti po zhvillohet në zonën ku aktualisht gjendet pozicionuar Teatri Kombëtar në ndërthurjen e akseve të pedonaleve. Ndërtesa është ndarë në dy pjesë: një për aktorët dhe administratën, dhe një tjetër për publikun, me funksionin kryesor teatrin.

Të dy pjesët kanë akses të veçantë. Publiku do të ketë hyrje nga fasada kryesore ose një hyrje tjetër nën hark. Ndërsa pjesa e tavanit të ndërtesës do të shërbejë gjithashtu si një teatër i hapur/auditor, ku publiku mund të ulet në shkallare për aktivitete të ndryshme.

Teatri i Ri Kombëtar në Tiranë do të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon. Ky teatër do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë./atsh/KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Saranda: Magjike

Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e së premtes pamje të Sarandës, të cilën e cilëson si “magjike”. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shfaqet një pamje mbresëlënëse e qytetit bregdetar, ku bie në sy një kroçerë turistike në afërsi të portit.

“Saranda magjike”, shkruan Rama krahas videos që ofron një panoramë të qartë të detit Jon dhe vijës bregdetare të qytetit jugor.

Saranda, një nga destinacionet më të preferuara turistike të Shqipërisë, mirëpret çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj. Me ujërat e kristalta, trashëgiminë historike dhe klimën mesdhetare, qyteti ofron një kombinim të përsosur për pushime relaksuese. Ajo shquhet për vende tërheqëse si Kalaja e Lëkurësit, Manastiri i 40 Shenjtorëve, Parku Kombëtar i Butrintit (UNESCO), si dhe plazhet e shumta me rërë të bardhë (Ksamil) dhe ujë të pastër.

Porti i Sarandës është gjithashtu një nga portet kryesore në vend. Saranda është shndërruar vitet e fundit në një stacion për turizmin kroçeristik në vend, duke pritur anije luksoze nga e gjithë bota, të cilat sjellin mijëra turistë për vizita njëditore në qytet dhe në atraksionet përreth.

Qeveria shqiptare po vijon investimet për përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik mesdhetar i qëndrueshëm./atsh/KultPlus.com

Me çadër në dorë e me këngën e Shkodrës Elektronike, Rama pret liderët europianë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po pret ardhjen e liderëve europianë në Tiranë në një mot me shi.

Me një çadër në dorë, Rama qëndron në tapetin e kuq, ndërsa në sfond u dëgjua kënga “Zjerm” e Shkodrës Elektronike, e cila po e përfaqëson Shqipërinë në Eurovisionin e sivjetmë.

Deri më tani në Tiranë ka arritur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez./ KultPlus.com

Rama: Transformim i shëtitores buzë detit në Durrës në hapësirë urbane shumë më tërheqëse

Në Durrës kanë nisur një seri investimesh madhore që kanë hapur një kapitull të ri zhvillimi për qytetin bregdetar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një tjetër projekt të bukur të bashkisë së Durrësit, konceptuar nga studioja e famshme spanjolle e themeluar nga legjendari Ricardo Bofill.

Rama theksoi se ky projekt do ta transformojë këtë pjesë të shëtitores buzë detit në një hapësirë urbane shumë më tërheqëse, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së ofertës turistike të Portës së Adriatikut.

Aktualisht në Durrës po zbatohen disa projekte infrastrukturore, të cilat do të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e zonave turistike, por edhe në menaxhimin e trafikut gjatë sezonit turistik.

Projekti për Lungomaren e Durrësit do t’i japë edhe më shumë vlerë shtëpive, hoteleve, njësive të shërbimit, ndërsa parashikohet edhe zgjerimi i zonës ranore në 100 metra./atsh/KultPlus.com

Rama: Fëmijët e çdo qarku do ndërtojnë shtëpinë e Europës tek kopshti i Skënderbeut

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale momente nga aktiviteti i artistëve të vegjël në sheshin “Skënderbej” në Tiranë të cilët me talentin e tyre kanë hedhur në telajo punimet e tyre.

Pjesë e këtij aktiviteti kulturor me fëmijët e rrjetit të ri të ngritur nga shkolla “Arte dhe Zeje”, janë bërë jo vetëm të vegjlit nga kryeqyteti, por nga çdo qark i i Shqipërisë.

Kryeministri thekson se këta fëmijë do të marrin pjesë në ndërtimin e Shtëpisë së Europës tek sheshi “Skënderbej”.

“Fëmijët e Tiranës së bashku me fëmijët e çdo qarku, do të marrin pjesë në ndërtimin e shtëpisë së Europës tek kopshti i Skënderbeut, ku do të mblidhen udhëheqësit e krejt kontinentit tonë demokratik, për Samitin e Komunitetit Politik Europian më 16 maj”, shprehet Rama./atsh/KultPlus.com

Anija Art Explora, Rama: Durrësi me statusin “port arti” për 10 ditë

Kryeministri Edi Rama ka vizituar nga afër anijen “Art Explora” duke u njohur me gjithë gamën e aktiviteteve kulturore që do të ofrohen për dhjetë ditë në qytetin bregdetar të Durrësit, nga ekspozita, te shfaqjet artistike, festivalet dhe koncertet, duke synuar që ta sjellë artin më afër publikut shqiptar.

Kryeministri Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale, i shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit Emirana Sako, kreu i fondacionit francez “Art Explora”, Frédéric Jousset, ministri francez për Evropën Benjamin Haddad dhe organizatorë të tjerë të aktivitetit, ndërsa e ka cilësuar “anijen “Art Explora” një eksperiencë unike, që i jep Durrësit për dhjetë ditë me radhë statusin e një porti arti”.

Qyteti i Durrësit mirëpret kështu një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të vitit, teksa katamarani më i madh në botë i llojit të vet, pjesë e iniciativës ndërkombëtare Art Explora, ndalet në portin e qytetit për të sjellë një eksperiencë unike për publikun.

Për dhjetë ditë me radhë, qytetarët dhe vizitorët do të kenë mundësinë të përjetojnë një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike të një niveli të lartë, të hapura për publikun.

Ky aktivitet i jashtëzakonshëm e kthen Durrësin në një pikë takimi midis artit klasik dhe bashkëkohor, duke promovuar qytetin si një qendër kulturore mesdhetare./atsh/KultPlus.com