Haradinaj: ‘Viti i Skënderbeut’ do të bashkojë edhe më tej shqiptarët

Nën kryesinë e dy kryeministrave, Edi Rama i Shqipërisë, dhe Ramush Haradinaj, i Kosovës, në Tiranë është mbajtur sot takimi i parë inaugurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që një organizim i tillë do të bashkojë edhe më tej shqiptarët.

Viti i Skënderbeut do të nisë me mbledhjen e dy qeverive më 27 nëntor e vijon të nesërmen më 28 nëntor në 105 vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Rama e quajti këtë vit si motiv për të ripërtërirë lidhjet me njëri-tjetrin dhe si një yll orientues të rrugës së përbashkët, në funksion të një të ardhme të merituar për të gjithë shqiptarët.

“Nuk kishte se si sot, teksa kryeministri i Kosovës e nderon Shqipërinë me vizitën e tij zyrtare, mos të nguteshim që të çelnim siparin e përpjekjes së përbashkët për konkretizim të një viti simbolik që e duam të favorshëm dhe frymëzues për të gjithë shqiptarët, viti nën shenjën e paperëndueshme të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut” tha kryeministri Rama.

Nën kujdesin simbolik të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Viti i Skënderbeut do të bëjë bashkë në aktivitete të ndryshme botën akademike e universitare të dy shteteve, por edhe të vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët. /KultPlus.com

Obrist, harroje këtë histori me Edi Ramën

Shkruan Vincent W.J. van Gerven Oei

Kuratori zvicerian Hans Ulrich Obrist, në një artikull të botuar më 18 shtator, në revistën e artit artsy.net, përpiqet në mënyrë të dëshpëruar të fitojë pikë duke shfrytëzuar kapitalin kulturor të artistëve të mirënjohur botërorë, të tillë si gjermani Joseph Beuys dhe kubanezja Tania Bruguera. Të dy artistët njihen për ndërhyrjet e tyre në politikë.

Në artikull, Obrist nuk le pa përmendur edhe Kryeministrin Edi Rama (dhe “mikun e tij të ngushtë Anri Sala”), “programin” e të cilit ne “duhet ta kuptojmë [..] në kuadër të skulpturës shoqërore të Beuys-it”.

Obrist qëllimisht harron se të dy artistët Beuys dhe Bruguera ishin pjesë e lëvizjeve opozitare kundër regjimeve konservatore apo diktaturës — Beuys ishte themelues i Partisë së Gjelbër gjermane, dhe Bruguera është kritike e njohur e regjimit kubanez.

Ndërsa Edi Rama është, në fakt, pjesë e qenësishme e klasës së politikanëve/oligarkëve të vetëpasuruar, i cili e përdor artin për të shmangur vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga politikat e tij shkatërruese, përmes “idiotëve të dobishëm” të tipit të Obristit.

Që Obrist nuk di asgjë për politikën bashkëkohore shqiptare është e qartë nga referenca që ai i bën projektit “pastrim dhe gjelbërim” të gati 20 vjetëve më parë kur Rama ishte kryebashkiaku i Tiranës.

Por Obrist injoron me dashje politikat aktuale të Ramës si “artisti në detyrë”, të cilat përfshijnë shkatërrimin e thesareve natyrore në të gjithë vendin, kthimin e Shqipërisë në hambarin e drogës së Europës dhe shndërrimin e Shqipërisë në një “kosh” për hedhjen e mbeturinave të vendeve të tjera.

Siç e kam thënë shumë herë më parë, në vend që të përdorë artin për të rishikuar dhe ndryshuar politikën, Rama është shembulli i dikujt që përdor gjuhën e artit bashkëkohor për t’u dukur “perëndimor”, “kozmopolitan” dhe “i civilizuar”: pra, përdor zhgarravinat e tij shumëngjyrëshe e pa kuptim për të maskuar fytyrën e shëmtuar të një regjimi grabitqar.

Do të ishte e udhës t’i kujtonim Obristit se në të njëjtën revistë ku ai ka publikuar banalitetin e radhës, është publikuar dhe një recesion i dy kritikëve të artit për punën e Edi Ramës. Ata shkruajnë se “për të qënë tërësisht të sinqertë, punimet nuk do të kishin shumë rëndësi nëse ato nuk do të ishin bërë nga Kryeministri i Shqipërisë”.

Ndoshta, ne mund të kemi nevojë për më shumë artistë në politikë, por ama qartësisht edhe për më pak politikanë në art./ KultPlus.com

Fotografi e vjetër, Gjelosh Gjokaj bashkë me Edi Ramën (FOTO)

Sot shënohet përvjetori i parë i vdekjes së artistit të madh shqiptar Gjelosh Gjokaj, po gjurmët që ka lënë në artin shqiptarë vlerësohen të jenë një pasuri e madhe për këtë komb, shkruan KultPlus.

Se një marrëdhënie të mirë artistike kishte pasur Gjelosh Gjokaj me artistin shqiptar Edi Rama, tashmë kryeministër i Shqipërisë, pat treguar në statusin e vitit të kaluar vetë Edi Rama.

Kurse KultPlus ju sjellë një fotografi nga kjo miqësi, e realizuar në galerinë Schröder, Augsburg në vitin 1992. Në radhën e parë, nga e majta Schröder Galerist dhe Gjelosh Gjokaj, radha e dytë nga e majta Sami Bicaj Taki Pavlovski dhe Edi Rama./KultPlus.com

Një vit pa artistin e madh shqiptar Gjelosh Gjokaj (FOTO)

Ai la pas vetes më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë, kurse Edi Rama me rastin e vdekjes së artistit, një vit me herët pat shkruar se ndarja e tij nga jeta është e trishtueshme, pasi ndërpret një fazë tejet interesante ku kishte hyrë krijimtaria e tij, në moshën që Pikaso e quante ideale për t’u rikthyer në fëmijë!, shkruan KultPlus.

Një vit pa artistin e madh shqiptar Gjelosh Gjokaj, i cili pat vdekur pikërisht më 25 shtator, në një spital të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ishte themelues i shkollës së artit pamor – grafikës në Prishtinë. Ai la pas vetes më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë.
Akademik Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 në Milesh të Tuzit në Mal të Zi.

Shkollën e Mesme të Artit dhe më pas, studimet e larta në Akademinë e Artit i kreu në Beograd. Diplomoi më 1963. Në vitet 1964-1969 themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë. Që prej 1983 jetonte në Augsburg, Gjermani./KultPlus.com

Rama: TKOB transformim në një hapësirë dinjitoze dhe europiane për artin dhe kulturën (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në Facebook fotot nga kantieri i transformimit rrënjësor i Teatrit të Operas dhe Baletit.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje nga kantieri i transformimit rrënjësor të Teatrit të Operas dhe Baletit në një hapësirë dinjitoze dhe europiane për artin dhe kulturën”’, shkruan kryeministri Rama në “Facebook”.

Ritmet intensive gjatë ndërhyrjeve pritet te sjellin përfundimin në kohë të projektit. Thënë ndryshe, në vitin 2019 publiku në TKOB do të mund t’i ndjekë shfaqjet në një teatër tërësisht të transformuar dhe modern.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova, shkruan VP./ KultPlus.com

Akademikët i shkruajnë letër kryeministrit Rama

9 anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga Italia, Kosova, Greqia, Holanda dhe Mali i Zi, iu drejtuan kryeministrit Edi Rama me një letër, ku i apelojnë atij që të mos e shpërbëjë strukturën aktuale të akademisë, pas deklaratave te tij publike qe pasuan zgjedhjet për kryetarin atje.

Eliminimi i këtij institucioni sipas 9 profesorëve, do të çonte në një pikë pa kthim që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Anëtarët e nderit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, thonë se shkrirja e akademisë, do të sillte krijimin e strukturave të tjera të cilat do të jenë në varësi tërësore nga politika, ashtu siç akademia, sipas tyre është ndodhur shpesh herë gjate viteve të tranzicionit.

9 akademikët në letrën drejtuar kryeministrit e përkrahin atë për idenë e reformimit të këtij institucioni, por sipas tyre, potenciali i nevojshëm për ta bërë këtë, ekziston aktualisht në Akademinë e Shkencave.

Sipas tyre detyra për rilindjen e Akademisë së Shkencave i takon kryeministrit ndërsa kolegët e tyre kanë detyrën e realizimit të reformimit të institucionit drejt standardeve moderne të kërkimit shkencor, shkruan GSH.

Letra e plotë:

Shkëlqesia Juaj Zoti Kryeministër

Ne, nënshkruesit e kësaj letre publike, në cilësinë e anëtarëve të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ju drejtohemi me këtë apel të sinqertë, me qëllim që Ju të mos vijoni drejt shpërbërjes së institucionit në të cilin e kemi për krenari të jemi pjesë. Për më tepër Ju ftojmë të bëheni promotor i hapjes së një faze të re të dialogut me botën akademike, duke vazhduar në qëllimin përfundimtar të propozimit të një reforme të mundshme dhe rigoroze të sektorit delikat të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Edhe ne, nënshkruesit, ndajmë bindjen se pjesa më e madhe e kohës që ishte në dispozicion për të ndërmarrë një proces radikal reformues të Akademisë ka kaluar jo në mënyrë efikase, dhe se sot, ndoshta, është më se e nevojshme dhe e përshtatshme transformimii saj në një qendër kërkimore moderne dhe konkurruese ekselente.

Për shkak të ndjenjës së përgjegjësisë individuale dhe kolektive, ne mendojmë se lëvizja drejt eliminimit të institucionit do të çojë në një pikë pa kthim, që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri. Kjo është ajo që ne themi, pa ushqyer supozimin se disponojmë zgjidhje përfundimtare dhe efektive, dhe pa pretenduar të zëvendësojmë pritshmëritë legjitime të programit të ri qeveritar që do të bëni. Por, ndonjëherë kurajoja për të qendruar dhe për të diskutuar mund të rezultojë më përmbushëse e ndoshta edhe më e dobishme, duke evituar të biem në gabime të pariparueshme si ato kur në të njëjtën kohë bashkë me ujërat e pista hedhim edhe foshnjen. Akademia e Shkencave, si institucionet e tjera publike shqiptare, ka përjetuar tranzicionin e gjatë dhe të pafund nga diktatura në demokraci, që ka tronditur shoqërinë shqiptare. Ju vetë e keni bërë të vetëdijshme atë, kur keni theksuar nevojën për të ngritur strukturat publike shqiptare, në radhë të parë universitetet, në një regjim normaliteti.

Formula Juaj “të bëjmë shtet” ishte më e pranuara, sa më të dukshme ishin mosfunksionimet burokratike, padrejtësitë sociale, format korruptive, që, në kompleksitetin e tyre, rrënojnë shoqërinë shqiptare dhe fshikullojnë qytetarët në jetën e tyre të përditshme. Në vitet kur shqiptarëve u mohohej e drejta për t’u ndjerë “qytetarë europianë” shumë nga ne kanë qenë mbështetës aktivë të kërkesave të paraqitura në universitetet tona nga studentët e vendit Tuaj, të cilët, të dekurajuar nga kushtet e universiteteve shqiptare, synonin të studionin jashtë vendit. Ata ishin të rinj që linin shuma të konsiderueshme si “peng” për t’iu përmbajtur standardeve që i përulnin dhe i poshtëronin. Megjithatë, u arrit që shumë prej tyre të diplomohen, disa të vazhdojnë trajnimet e tyre shkencore jashtë shtetit dhe në disa raste edhe të rekrutohen në universitetet tona. Gjithë kjo ndodhi në sintoni dhe me mbështetjen e plotë të kolegëve tanë të shquar nga universitetet publike shqiptare dhe Akademia e Shkencave. Ka qenë një periudhë e gjatë tranzicioni që ende nuk ka mbaruar, por që, edhe falë ndërhyrjes Tuaj të vendosur reformuese prej disa vitesh, është karakterizuar nga një ndryshim i rëndësishëm i trendit.

Ne e gjejmë në universitetet, të cilat, ndërsa ende ankohen për hendekun me standardet evropiane (por ne i sigurojmë ata se kjo nuk është “primati” negativ ekskluziv i Shqipërisë). Megjithatë nuk mund të thuhet se janë në të njëjtin nivel me anarkinë e njëzet viteve të kaluara, ndërkohë që ka një burim optimizmi në rrugën e ndërmarrë nga universitetet shqiptare për të rindërtuar besimin tek familjet dhe studentët, duke iu bashkuar përpjekjeve të sinqerta të stafit akademik për realizimin e trajnimeve shkencore gjithnjë e më konkurruese.

Ne nuk e fshehim se xhepat e mëdhenj të rezistencës pasive pengojnë një përfundim të mirë të procesit reformues, por ky argument është fitimprurës vetëm për ata që nuk kanë kulturë qeveritare dhe i dorëzohen populizmit të zakonshëm: “sa më keq të shkojë, aq më mirë”. Sigurisht nuk është kjo tema më e përshtatshme për të trajtuar çështjen që në këto ditë ka shpërthyer në mënyrë mediale duke supozuar trajtat e një improvizimi dhe jo të një serie dramatike të vështirësisë institucionale që lëngonte prej kohësh dhe që akoma nuk ka gjetur zgjidhjet e duhura. Akademia e Shkencave ka vuajtur kërcënime politike, duke pësuar censurë të pashembullt, që, sipas nesh, përfshihet dhe ajo në faktorët që e kanë zvogëluar dhe sjellë në gjendjen komatike që ajo ndodhet sot.

Duke i prerë qendrat nevralgjike jetike, institutet historikë, të cilët përbënin motorin e vërtetë propulsiv të kërkimit shkencor gjatë periudhës komuniste, Akademia u katandis në një strukturë të thjeshtë honorifike me burime njerëzore të kufizuara e me pak stimuj, shpesh e akuzuar se ishte në “opozitë” dhe disa herë “bashkëudhëtare” e qeverive të ndryshme; duke iu nënshtruar akuzave dhe shpifjeve më të rënda , pa patur asnjë zë, të brendshëm ose të jashtëm, që të ngrihet për të kujtuar se kjo është e njëjta Akademi e Shkencave, që në periudhën më obskurantiste të historisë së Shqipërisë kishte përfaqësuar, në të mirë dhe të keq, një pikë referimi dinjitoze dhe të respektuar për albanologjinë ndërkombëtare, për të cilin asnjë studiues i huaj – ne të parët – nuk ia mohoi kurrë rolin e bashkëbiseduesit të privilegjuar. Ajo që ka ndodhur në më shumë se dy dekada ka qenë një sulm serioz ndaj lirisë së shkencës dhe së drejtës së shenjtë të kërkimit shkencor për t’u organizuar në përputhje me procedurat dhe standardet e miratuara në çdo pjesë të botës demokratike. Tentativat e sabotimit të funksionit primar, të diskreditimit të profilit profesional, të pikturimit si të një karikaturë e së shkuarës, të braktisjes në fatin e vet dhe madje deri në frikësimin e atyre që guxojnë të propozojnë përpjekje të ndrojtura për ta përshtatur atë me nivele më të pranueshme; për më tepër këtyre u janë shtuar forma të pashpjegueshme të imobilitetit, strategji konfuze që kurrë nuk u konsoliduan në projekte të vërteta dhe reale, teorema të tymosura të asimiluara nga leximi i nxituar i statuteve të të tjerëve që konsideroheshin si të përshtatshme për Shqipërinë, siç ishin ato të Anglisë, Francës ose Italisë, vende plotësisht ndryshe dhe që me të drejtë mburren me eksperienca të konsoliduara në këtë sektor. E gjitha kjo ndodhi pa hapur një diskutim të sinqertë edhe të zgjatur në kohë, për situatën aktuale dhe për shkaqet që e sollën atë, mbi hipotezën e një reforme të mundshme të përshtatshme për potencialin e një vendi në zhvillim si Shqipëria, dhe për të përmbushur njëkohësisht pritshmëritë për një specializim të lartë të gjeneratave të reja dhe për një vleftësim të avancuar të mallrave dhe burimeve ekonomike, mjedisore, kulturore dhe industriale të vendit. Me një fjalë, një projekt të vërtetë dhe të përshtatshëm i cili shikonte të ardhmen e Akademisë pa iu nënshtruar domosdoshmërisht polemikave të paqarta dhe debatit të kryer këto ditë nga filozofët e rinj me qëndrim gjakftohtë, nga të cilat Shqipëria duket se ka mrekullisht me shumicë pas rrëzimit të regjimit të vjetër.

Zoti Kryeministër,

Nuk Ju fshehim se eliminimi përfundimtar i Akademisë së Shkencave nga tabloja institucionale e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor trondit ndërgjegjet tona për një arsye tjetër që mendojmë se është e nevojshme të ngrejmë: ajo krijon një mundësi shumë më të dëmshme nga sa mund të jetë në vetvete tentativa e shkrirjes, që është ajo e ndërtimit të strukturave alternative në varësi tërësore nga politika, nga stinët dhe humori i saj. Në botën e sotme shumë të globalizuar, është më e nevojshme të sigurohet autonomia e kërkimit shkencor, duke e bërë atë gjithnjë e më të lirë nga kushtëzimi i jashtëm i interesave të politikës, përfshirë dhe ato të industrisë. Në asnjë vend të botës nuk përndiqet shërbimi i shkencës, me përjashtim të vendeve nën diktaturë. Autonomia në mjediset e shkencës dhe promovimi shkencor është në fakt një nevojë thelbësore për të matur jo vetëm shkallën e demokratizimit të brendshëm të një vendi, por edhe për për të studiuar aftësinë e tyre për të identifikuar dhe zhvilluar, në një autonomi të përsosur dhe të vetëdijshme, bashkëpunime të frytshme dhe të qëndrueshme me institucionet ndërkombëtare akademike dhe universitare në bazë të interesave të përbashkëta kërkimore. Ndërhyrjet e jashtme mund të jenë shkak i ndryshimit të procedurave normale të protokollit dhe shpesh ndikojnë në bashkëndarjen e projekteve me interes reciprok të dyanshëm të partnerëve, për shkak të faktit se gjuhët e shkencës dhe politikës shpesh nuk takohen dhe nuk ndajnë të njëjtën gramatikë bazë. Duke ripërsëritur këtë parim universal, ne ripërtërijmë gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në çdo diskutim me kolegët tanë akademikë shqiptarë për të filluar stinën e re të rilindjes së Akademisë së Shkencave. Ne jemi plotësisht të bindur se aty ekziston potenciali, burimet dhe vullneti për të ringjallur fatet e institucionit prestigjioz që për vite me radhë i ka dhënë shkëlqim dhe orientim albanologjisë. Akademia nuk u ndërtua as nga godina dhe as nga pagat, por nga burrat bujarë, intelektualët e apasionuar, studiues eruditë me vlera të respektuar nga kolegët e tyre në botë, si Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Kristo Frashëri, Jorgo Bulo, Stefanaq Pollo, Dhimitër Shuteriqi, Selaudin Betekshi, Petrit Gaçe, Petraq Pilika dhe eksponentët e tjerë të shumtë të brezit të parë të akademikëve, që ditën të disenjojnë një rol dhe një funksion për Akademinë “e tyre”, duke u ofruar brezave të ardhshëm me angazhimin e tyre një model të jetës dhe të shkencës, me respekt për kolegët dhe me pasion për kërkimin. Ndjekësve të tyre u takon detyrimi, pikërisht në këtë moment të vështirë dhe të papërsëritshëm që të imitojnë shembullin e tyre bujar.

Juve, Zoti Kryeministër, ju takon detyra të nisni “Rilindjen” e Akademisë, kolegëve tanë u takon ajo e realizimit, edhe me kontributin tonë të pa interes nëse do të na kërkohet.

Për sa më sipër, mbetemi në dispozicion kur dhe nëse Juve e shihni të nevojshme t’Ju takojmë personalisht për të ofruar bashkëpunimin tonë.

Ju falenderojmë për vëmendjen Tuaj.

Prof.
ALIU Ali Anëtar nderi Kosovë
ALTIMARI Francesco Anëtar nderi Itali
DJUROVIĆ Momir Anëtar nderi Mal i Zi
ISMAJLI Rexhep Anëtar nderi Kosovë
J. D. DRENTH Pieter Anëtar nderi Hollandë
JOCHALAS Titos Anëtar nderi Greqi
MANDALÀ Matteo Anëtar nderi Itali
PIERONI Andrea Anëtar nderi Itali
QOSJA Rexhep Anëtar nderi Kosovë

Rama: Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është mbyllur diskutimi maratonë me skuadrën e re qeverisëse duke treguar tutje edhe vendimin e parë që do ta marrë qeveria në vitin 2018, përcjellë KultPlus.

Sipas Ramës, vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”.

“Mbyllëm diskutimin maratonë me skuadrën e re qeverisëse. Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 VITI I SKENDERBEUT”, shkruan Rama në Facebook.

Viti 2018 përkon në 5050 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. / KultPlus.com

Çifti anglez të mahnitur me Shqipërinë: Vendi më i sigurt në Evropë (VIDEO)

Një çift anglez kanë ardhur për të vizituar bukuritë shqiptare. Ata kanë mbetur të mahnitur nga njerëzit të cilët sipas tyre janë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë, gjithashtu të mrekulluar nga vendet turistike të cilat janë të shumta në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Kryeministri Edi Rama, ka postuar një video ku ky çift anglez flet për eksperiencën e tyre në Shqipëri dhe shpreh përshtypjet që kanë marrë nga ky vend, e ku thonë se do të donin të rrinin gjatë.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë përshkrim të bukur të Shqipërisë, sjellë drejtpërdrejt e me thjeshtësi nga përjetimi i këtij çifti anglez turistësh”, shkruan Rama në Facebook. / KultPlus.com