Rrugëtim i ri muzeal në Tiranë në kuadër të Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot- Skënderbeut

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama fton gjithë shqiptarët të marrin pjesë në rrugëtimin e ri muzeal që do qëndroi i hapur në Tiranë deri më 20 maj, me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot-Skënderbeut , shkruan KultPlus.

“Një rrugëtim i ri muzeal, me vëllimet më të rralla dhe më të moçme të trashëgimisë sonë humaniste dhe shpirtërore ju pret prej kësaj fundjave e deri më 20 maj, në zemër të Tiranës, për të përjetuar nëpërmjet shqisave, një rrëfim unik të Shqipërisë së vlerave dhe qytetërimit, në zemër të Europës! Përmes një Urtësie të Pashuar”, – shkruan Rama.

Muzeu do të çelet te Vila 31 (ish-rezidenca e diktatorit) të premten, më 4 maj, prej orës 20.00-22.00 dhe prej datës 5 maj-20 maj, prej orës 10.00-22.00./ KultPlus.com

20 arbëreshë të Italisë pushtojnë Shqipërinë për Vitin e Skënderbeut

“Të dua Arbëri” një aktivitet me përmasa mbarëkombëtare pritet të zhvillohet nga data 1 deri ne 6 Maj në Shqipëri në kuadër të shpalljes nga Qeveria Shqiptare, të vitit 2018 si Viti i Skënderbeut.

Aktivitetet do të shtrihen në Tiranë, Krujë, Lezhë, Bulqizë, Peshkopi dhe Dibër të Madhe. Grupeve etnike do t’u shtohen edhe një grup i madh i shqiptarëve të Italisë. Gjatë ditëve të aktivitetit një grup prej të paktën 20 arbëreshësh, do të performojnë në muzikë, teatër, kulinari, traditat më të mira të spikatura, nga enciklopedia njerëzore e arbëreshëve, paraardhësve të shqiptarëve të Italisë, një nga rastet unikale në botë të ruajtjes në këtë formë kaq sublime të jetës së të parëve të tyre.

Në kuadër të shkëmbimit të këtyre traditave dhe aktivieteve të larmishme që do të zhvillohen në Tiranë dhe në rrethe të vendit, Qendra Albanian Excellence në Tiranë dhe Shoqata Vorea, me qendër në Frascineto, Itali, kanë nënshkruar pak ditë më parë në në këtë qytezë të vogël të Kalabrisë një marrëveshje bashkëpunimi. Frascineto banohet nga shumica e një popullate arbëreshe. Sipas Presidentes së Albanian Excellence, Flora Nikolla: “Marrëveshja ka në qendër të saj, evindentimin ,vlerësimin, njohjen dhe përhapjen e traditës arbëreshe, një qëndrese kjo kolektive e admirueshme ndaj të parëve të tyre, që kurse u detyruan të lënë Arbërinë pas shekullit XV, me vdekjen e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.”

Kjo marrëveshje u nënshkrua në Komunën e Frascineto-s, në prani të Kryetarit të Komunës, Dr. Angelo Catapano, për Albanian Excellence nga Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës, znj. Flora Nikolla dhe për Shoqatën Vorea nga Drejtoresha Ekzekutive, znj. Lucia Martino.

“Kjo marrëveshje parashikon një bashkëpunim dyvjeçar mes dy shoqatave të njohura për aktivitetin e tyre konkret në favor e në mbështetjes të vlerave më të mira shqiptare dhe arbëreshe, në kulturë, art dhe turizëm , një sferë për të cilën dy shoqatat do të angazhohen përmes shumë iniciativa të reja, nisur edhe nga që turizmi është më pak i zhvilluar mes dy vendeve në kohën e ushtrimit të turizmit kulturor, elitar dhe emocional me nota argëtimi:”, tha Flora Nikolla për “Shqiptarja.com”.

Marrëveshja, parashtron njëherazi edhe organizimin e aktivitetit shumëdimensional. Në bazë të kësaj Marrëveshje, gjatë këtyre ditëve , grupi prej të paktën 20 arbëreshësh i bashkohet projektit “Të dua Shqipëri ! ” Kryetari i Komunës së Frascinetos, Dr . Catapano , ka përgëzuar palën shqiptare për nënshkrimin e kësaj marrëveshje duke e cilësuar si “një hap më shumë më afrimin mes Arbëreshëve të Italisë dhe Shqipërisë”.

Ai falënderoi gjithashtu të dy shoqatat , për vullnetin e tyre të mirë në organizmin e aktivitetit “Të dua Arbëri “ në muajin Maj në Shqipëri, duke u shprehur optimist që ky aktivitet kaq domethënës , do të vijojë edhe me aktivitete të tjera nga të dyja shoqatat , shqiptare dhe italo-arbëreshe.

Zonja Lucia Martino, aktiviste e njohur edhe në bashkëpunimet e mëparshme dhe një zonjë e rrallë në ruajtjen dhe zhvillimin e traditës arbëreshe tha se, ishte e emocionuar dhe priste me padurim zhvillimin e “Të dua Arbëri”, ku ajo do të prezantonte njëherazi me grupin e saj të gjithë atë punë të vullnetshme e plot dashuri, që ka bërë për një kohë të gjatë, në krijimin e traditës teatrore , të ruajtjes së kulturës së gjithë kahershme shqiptare përfshirë edhe kulinarinë të cilën ajo me shumë zell, dëshiron t’ua bashkëngjisë edhe menuve të restoranteve shqiptare.

Flora Nikolla, drejtuese e Qendres Albanian Excellence është shprehur se projekti, “Të dua Arbëri”, është një projekt i ndërtuar, me dhe mbi dashuri e vlerësim për këtë pjesë shqiptaro-italiane, të cilët me devotshmëri kanë ruajtur deri më tani, gjuhën, traditat, doket shkrimin e shqipes, ashtu sikundër edhe ritet fetare.

Flora Nikolla është shprehur më tej se “në të gjitha fushat sikundër edhe letërsia arbëreshe, ka shumë krijues, poetë, shkrimtarë, intelektualë të njohur, jo vetëm në Itali e Shqipëri por kudo edhe në mërgatë dhe kjo është një detyrë më shumë e shoqatës që ajo drejton për evidentimin dhe botimin e tyre në një të afërme, në vëllime të veçanta, si një vlerë e shtuar e këtij fenomeni historik dhe me vlera unikale”./ KultPlus.com

Viti i Skënderbeut, muzetë e Krujës të gatshëm për numrin në rritje të vizitorëve (VIDEO)

Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndaj Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe ai Etnografik në Krujë janë përgatitur maksimalisht për t’iu përgjigjur sa më mirë numrit gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Për vitin 2017, numri i përgjithshëm i i personave që kanë vizituar këto muze shkon në rreth 105 mijë vizitorë, prej të cilëve gati 30 për qind janë turistë të huaj. Për vitin që kaloi vihet re një shtim me 5-7 mijë persona i numrit të vizitorëve, krahasuar me vitin 2016.

Mehdi Hafizi, drejtori i Muzeut Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe atij Etnografik, Krujë, detajon disa nga përgatitjet që po bën stafi i këtyre muzeve për t’iu përgjigjur denjësisht të gjitha pritshmërive të vizitorëve në vitin 2018.

Sipas tij, Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja. “Stafi i Muzeve të Krujës ka treguar gatishmëri maksimale për t’i pritur vizitorët me kulturë dhe profesionalizëm. Kjo ka bërë që numri i vizitorëve të ketë një rritje 5-7 mijë më shumë se viti paraardhës dhe numri i përgjithshëm për vitin 2017 të shkojë rreth 105 mijë vizitorë, te kategorive të ndryshme”, tha ai.

Në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka sinjalistikë turistike në gjuhët shqip-anglisht, ndërsa në Muzeun Etnografik informacioni i përgatitur jepet në 12 gjuhë të huaja. Gjendja e të dy Muzeve si brenda dhe jashtë, sipas drejtorit Hafizi, “është përmirësuar në vazhdimësi”.

Për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Hafizi thekson se do të ishte pozitive nëse bëhen përpjekje për të mundësuar ekspozimin për një periudhë të caktuar kohore në këtë Muze, të armëve të Heroit tonë kombëtar.

Po ashtu, ai sugjeroi hapjen në ambientet e Muzeut të një ekspozite me vepra origjinale të piktorëve shqiptarë kushtuar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, për një periudhë 6- mujore, vepra të cilat ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Me interes, sipas Hafizit, do të ishte që objektet e periudhës mesjetare që gjenden në Muze të tjerë në vend, gjatë vitit 2018, të ekspozohen në këtë Muze.

“Në Muzetë e Krujës, ne kemi dhjetëra eksponate që tërheqin vëmendjen e turistëve të huaj, por mund të themi që historia e Skënderbeut dhe veprat e artit zgjojnë interes në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndërsa në Muzeun Etnografik zejet, mënyra e jetesës dhe e gjithë banesa”, tha ai.

Intervista për ATSH-në e Mehdi Hafizit, drejtorit të Muzeut Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe atij Etnografik, Krujë./ KultPlus.com

Për Vitin e Skënderbeut BSH hedh në treg tre monedha

Në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeut, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi emetimin e një serie monedhash përkujtimore me tematikë “550 vjet in memoriam Gjergj-Kastrioti Skënderbeu (1468-2018)”.

Seria do të emetohet gjatë vitit 2018 dhe do të përbëhet nga tre monedha, me vlerë emërore 200 Lekë në metal ar, 100 Lekë me metal argjend dhe 50 Lekë në metal të thjeshtë.

Miratimin për shtypjen e monedhave metalike përkujtimore, është për qëllime numizmatike, në vitin 2018./ KultPlus.com

Haradinaj: ‘Viti i Skënderbeut’ do të bashkojë edhe më tej shqiptarët

Nën kryesinë e dy kryeministrave, Edi Rama i Shqipërisë, dhe Ramush Haradinaj, i Kosovës, në Tiranë është mbajtur sot takimi i parë inaugurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që një organizim i tillë do të bashkojë edhe më tej shqiptarët.

Viti i Skënderbeut do të nisë me mbledhjen e dy qeverive më 27 nëntor e vijon të nesërmen më 28 nëntor në 105 vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Rama e quajti këtë vit si motiv për të ripërtërirë lidhjet me njëri-tjetrin dhe si një yll orientues të rrugës së përbashkët, në funksion të një të ardhme të merituar për të gjithë shqiptarët.

“Nuk kishte se si sot, teksa kryeministri i Kosovës e nderon Shqipërinë me vizitën e tij zyrtare, mos të nguteshim që të çelnim siparin e përpjekjes së përbashkët për konkretizim të një viti simbolik që e duam të favorshëm dhe frymëzues për të gjithë shqiptarët, viti nën shenjën e paperëndueshme të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut” tha kryeministri Rama.

Nën kujdesin simbolik të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Viti i Skënderbeut do të bëjë bashkë në aktivitete të ndryshme botën akademike e universitare të dy shteteve, por edhe të vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët. /KultPlus.com

Rama: Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është mbyllur diskutimi maratonë me skuadrën e re qeverisëse duke treguar tutje edhe vendimin e parë që do ta marrë qeveria në vitin 2018, përcjellë KultPlus.

Sipas Ramës, vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”.

“Mbyllëm diskutimin maratonë me skuadrën e re qeverisëse. Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 VITI I SKENDERBEUT”, shkruan Rama në Facebook.

Viti 2018 përkon në 5050 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. / KultPlus.com