Kur Ali Podrimja i shkruante Dritëro Agollit: Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin, të gjej ilaç për jetën e tij (DOKUMENT)

Elona Agolli, bija e shkrimtarit të njohur Dritëro Agollit, herë pas here zbulon korrespondencat e babait të saj me të afërmit dhe miqtë e tij, shkruan KultPlus.

Ndër të tjera, para disa vitesh Elona pati zbuluar edhe një letër që i ishte dërguar babait të saj nga Ali Podrimja, në kohën sa e kishte të shtrirë djalin e tij Lumin, në një spital në Beograd.

Letra është e vitit 1979, dhe sipas Elenës, Ali Podrimja në atë kohë duhet të ketë qenë 37 vjeç.
Podrimja i drejtohej Dritëro Agollit me një lutje, se nëse mund ti gjej ndonjë mjek të mirë, për djalin e tij Lumin. Kurse letra ishte drejtuar Beograd-Tiranë.

Më poshtë po ju sjellim letrën e plotë të Ali Podrimës, që ia kishte nisur në vitin 1979, Dritëro Agollit.

I dashur Dritëro ,
Dëshiroja të jem me Juve, por qe ,më gjet kjo e keqe. Megjithë intervenimet e mëdha të mjekëve, fëmija im gjendet në një kotësi të thellë .
Ai nuk kishte ekinokokun, por tumor në brinin e shtatë të anës së majtë. Tmerr, tmerr dhe diçka e paparamenduar . S’di si do ta mashtroj dhe si do t’i tregoj Fitores; s’di si do t’i kaloj ditët me të.
I dashur Dritëro, nëse mundesh dhe nëse ke miq të mirë nga mjekët, të lutem interesohu dhe më lajmëro disi. Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin , të gjej ilaç për jetën e tij.
Këtë fotografi të Lumit ia jep Xhevairit.
Më fal , nuk po mundem më të shkruaj .
Ju dëshiroj çdo të mirë ty, familjes suaj dhe të gjithë shokëve.
Me dashuri vëllazërore
Ali Podrimja
30.10.79 , Beograd
P.S
30 tetorin do ta mbaj në mend si ditë të rëndë për familjen time .
Aliu
Kohë më pas , do të shkruhej e mrekullueshmja poezi “Lum Lumi”:



Lum Lumi
A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi.
– poezi nga Ali Podrimja. / KultPlus.com

Le Figaro (1914): Shkresa e fundit e Princ Vidit drejtuar shqiptarëve, para se të largohej nga porti i Durrësit

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Tetor 2018

“Le Figaro” ka botuar, të dielën e 6 shtatorit 1914, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me shkresën e fundit të Princ Vidit drejtuar shqiptarëve, para së të largohej nga porti i Durrësit, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëri

Lamtumira e princ Vidit

Princi Vilhelm Vidi, ish-princ i Shqipërisë, mbërriti mbrëmë në Ankona dhe u nis për në Vjenë.

Ja teksti që u ka drejtuar shqiptarëve para se të largohej nga Durrësi :

“Shqiptarë !

Kur delegatët tuaj erdhën për të më ofruar kurorën e Shqipërisë, unë iu përgjigja me besim thirrjes së një populli fisnik dhe kalorësiak, i cili më kërkoi t’a ndihmoja në veprën e rilindjes kombëtare.

Unë kam ardhur tek ju me dëshirën më të zjarrtë për t’ju ndihmuar në këtë detyrë patriotike. Ju keni parë, që në fillim, përkushtimin e të gjitha përpjekjeve të mia për riorganizuar vendin, i etur për t’ju mundësuar një administratë të mirë dhe vënien e drejtësisë për të gjithë.

Megjithatë, ngjarje të këqija erdhën për të penguar punën tonë të përbashkët. Në të vërtetë, disa mendje, të verbuara nga pasioni, nuk e kuptuan qëllimin e reformave dhe nuk donin t’i jepnin besim një qeverie të sapolindur.

Përveç kësaj, lufta që sapo ka shpërthyer në Evropë ka komplikuar më tej situatën tonë. Kështu që mendova se, për të mos lënë papërfunduar punën për të cilën dëshiroj të kushtoj fuqinë dhe jetën time, do të ishte e dobishme për mua që të shkoj për disa kohë në Perëndim. Por duhet ta dini, se nga larg dhe afër, do të kem vetëm një mendim, që të punoj për prosperitetin e atdheut tonë fisnik dhe kalorësiak shqiptar.

Gjatë mungesës sime, komisioni ndërkombëtar i kontrollit, i dërguari i Evropës që krijoi atdheun tonë, do të drejtojë qeverinë.”KultPlus.com

Fragment nga ‘Mjelësja e Vermeerit’

Manuel Rivas

Dihet se asnjëherë nuk kam për t’ia shpërblyer time mëje atë që bëri për mua, ashtu siç nuk do të jem kurrë në gjendje të shkruaj diçka të ngjashme në Letër si ajo që Miguel Torga shkroi në Coimbra, më 3 shtator të 1941.

– “Bir“…

dhe kjo që paskëtaj lexohet

është kaq e pastër dhe kaq e ndritshme

sa hyn thellë në errësirën time.

Nëna ime ishte mjelëse. Ajo e bartte qumështin me një karrocëz në dy gjyma të mëdhenj prej zinku. Qumështi që shpërndahej ishte ai i lopëve të gjysh Manuelit nga Corpo Santo, nja njëzet kilometra larg qytetit. Ky gjyshi im, kur ishte i ri, mori një ditë në dorë pendëpuplën e shkrimit të famulltarit dhe tha: “sa e bukur do të më dukej letra po të dija shkrim!”. Dhe e mësoi me një shkronjë të hijshme si përdredhka bimësh. Për nevojat e familjes, shkroi qindra letra për emigrantët. Në shkrimoren e tij erdhi për herë të parë, me postë, Statuja e Lirisë, Kataraktet e Iguazus dhe një kalorës guanç i Pampës. Ne jetonim në lagjen Monte Alto të Corunjës në një përdheckë të rrugës Santo Tomas, aq e ulët ishte sa përshkohej nga furrtaret që iknin përmes rrasave të lëvizshme. Nganjëherë luaja me to, duke i përngjarë me ushtri armike. Unë e njihja frikën, por jo tmerrin. Tani po ju rrëfej se si u njoha me të. Nëna ime mjelëse u nis me karrocën dhe gjymat prej zinku. Jam duke luajtur me motrën time, Marie. Befas, dëgjuam shpërthime dhe një poterë të madhe në rrugë. Nxorëm kokën në dritaren e poshtme për të parë ç’po ndodhte. Ngjeshur pas qelqit, zbuluam tmerrin. Tmerri vinte drejt nesh. Nëna na gjeti të përqafuar e duke qarë në banjo. Tmerri ishte Mbreti Kabezudo.

            Më 1960 jam 3 vjeç. Pasdite, dëgjoj këngën e të burgosurve në oborrin e burgut. Natën, shkëndijat nga Kulla e Herkulit rrotullohen si qerthuj kozmikë mbi kokën e shtratit. Drita e farit është një detaj  i rëndësishëm për mua: im atë është në anën tjetër të detit, në një vend që quhet La Guaira.

            Jam tre vjeç. Gjithçka më kujtohet shumë mirë. Më mirë se kjo që ka ndodhur sot para se të filloja këtë rrëfim. Për më tepër, kujtoj atë që të tjerët sigurojnë se nuk ka ngjarë. Për shembull: njerku im, nuk e di se si, ka arritur të sjellë një gjel deti për festën e krishtlindjeve. Mbrëmja e festës, kafsha iku deri te maja e Kullës së Herkulit. Gjithë komshinjtë e ndoqën. Kur, sapo po e kapnin, gjeli nis të fluturojë në një mënyrë të habitshme dhe humbet në det si një patok i egër. Kjo ishte njëra nga gjërat që pashë dhe nuk ndodhën.

            Më 1992 isha në Amsterdam për herë të parë. Ai udhëtim aq i dëshiruar ishte për mua një lloj pelegrinazhi. Mezi prisja të shihja Ngrënësit e patateve. Përpara asaj tabloje të një zjarri misterioz – thellësisht më fetarja nga ato që kam parë, shembulli i vërtetë i “La Sagrada Familia” të Gaudit – ndrydhja shtytjen e gjunjëzimit. Pata frikë të tërhiqja vëmendjen si ndonjë turist eksentrik, nga ata që baresin përmes katedrales me syze dielli e pantallona të shkurtra. Në kastijane ka dy fjalë “hervor” e “fervor”. Në gajego kemi vetëm një “fervor” (zjarr, afsh). Drita e zjarrit të burimit të patateve zbret përtej rrezatimit të hollë e përndrit fytyrat e familjes fshatare që vështron me afsh ushqimin e shenjtë, frutin e përunjur të tokës. Po kështu isha në Rijksmuzeum dhe aty u përballa me Mjelësen e Vermerit.

            Magjia e mjelëses, pikturuar më 1660, rrezëllin në dritë. Ekspertë e kritikë kanë shkruar tekste shume shpjegues mbi natyrshmërinë e këtij ndriçimi, megjithëse e fundit mbetet gjithmonë një pikëpyetje. Është ajo që e quajnë ‘misteri i Vermeerit’. Para se të përfundonte në Rijksmuzeum, pati pronarë të ndryshëm. Më 1798 një farë Jan Jakobi ia pat shitur një farë J. Spoon me një çmim prej 1500 fjorintash. Në inventar ka informacionin që vijon: “Drita, duke hyrë nga dritarja në anë, jep një përshtypje mrekullisht të natyrshme”

            Para kësaj pikture, unë jam tre vjeç. E njoh atë grua. E di përgjigjen për enigmën e dritës.

Ka shekuj, nënë, në Delft, të kujtohet?

Ti dërgoje gjyma zinku në shtëpinë e Johannes

 Vermeer, piktorit, burrit të Katherina Balnes,

 Bija e zonjës Maria Thins, ajo e shtrira,

Që kishte një bir tjetër gjysëm të marrë,

Vilhemin, në mos u gabofsha,

 Ai që shnderoi të shkretën Meri Gerrits,

Shërbëtorja që tani e hap portën

Me qëllim që të hysh ti, nënë

E të ofron për te tryeza në qoshk

Dhe me kanë derdh flutura lulesh

Nga bagëtia e kullotave të tua

 Në tapetet e gjelbër e të errët të Delftit.

E njëjta që unë ëndërrova në Rijksmuzeum,

Johannes Vermeer i zbardhi me qumësht

 Ato mure, tunxhin, koshin, bukën, krahët tuaj

Kudo në trillin e tablosë.

Burimi ndriçues është dritarja

Drita e Vermeerit, kjo enigmë e shekujve,

Kjo qartësi e pashprehshme, prekur nga duart e Zotit,

Qumësht për ty, porositur në stallën e errët,

Në kohën e lakuriqëve.

Kur ia dhashë ta lexonte poemën nënës sime, as iu drodh qerpiku. U ndjeva i pasigurt. Sado që fliste për dritë, kushedi, ishte fort e errët. Shkova të merrja një libër që fliste për Vermeerin, atë të John Michael Montias, në të cilin vinte edhe një riprodhim i Mjelëses. Këtë herë ime më m’u duk e prekur. Vështroi figurën gjatë pa folur. Pastaj, edhe poemën, e iku.

            Ditë më vonë, ime më erdhi për vizitë në shtëpinë tonë. Sillte, siç ishte mësuar, vezë nga pulat e saj dhe patate, qepë e sallata nga kopshti i saj. Ajo gjithmonë thotë: “kudo që të shkosh, ço diçka ”. Para se të përshëndetej, tha: “kam sjellë edhe diçka për ty”. Hapi çantën dhe nxori një letër të bardhë, palosur si një shami me dantella. Letra mbështillte një fotografi. Ime më më shpjegoi se kishte shkuar derë më derë në motra për ta rigjetur.

            Ishte një fotografi e beqarisë. Përpara 1960-ës, megjithatë, natyrisht, shumë më vonë se 1660. Ime më nuk kujton kush qe fotografi. I kujtohet shtëpia, zonja zemërshtrigë, biri gjysmë i marrë dhe shërbëtorja që hap portën.

Ishte një vajzë shumë e bukur nga Kujedo (Culledo)

Një ditë shkova dhe ma hapi tjetra. Atë e kishin pushuar nga puna, veç asnjëherë s’e mora vesh psenë” Në vështrimin e saj lexoja një pyetje: “…dhe ti, si e dije për të shkretën Mari?” Aty për aty shtoi: “…drapri gjithmonë bie mbi të varfrin

            Përkundrazi, ime më nuk i jepte asnjë rëndësi asaj që gruaja e tablosë dhe ajo e fotos ngjanin si dy gota qumështi.

Përktheu nga spanjishtja: Brikena Smajli

Manuel Rivas (1957)

Gazetar, romancier, eseist dhe poet galician, i  lindur në La Coruña, kryeqytet i Galicias, më 1957, Rivas është vetëm 15 vjeç kur fillon të merret me gazetari, por do të jetë diplomimi i tij në Shkencat e komunikimit dhe informimit në Madrid që do ta lidhë përfundimisht me gazetat dhe revistat gajege dhe spanjolle: “El País”, “El Ideal Gallego”, “Diario de Galicia” dhe “La Voz de Galicia”. Shkrimet e tij dallojnë për përkushtimin ndaj problemeve sociale dhe ekologjike, prandaj jo rastësisht do të jetë bashkëthemelues i Greenpeace, ku do të ketë rëndësi të madhe aktiviteti i tij gjatë katastrofës ekologjike të shkaktuar nga fundosja e Prestige-s.

Si shkrimtar Rivas konsiderohet sot një nga prozatorët më në zë bashkëkohorë spanjollë, dhe jo vetëm për çmimet e vlerësimet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka revolucionarizuar letërsinë gajege dhe ka bërë emër jo vetëm në Galicia e Spanjë, por edhe më gjerë në Europë e Amerikë. Manuel Rivas përbën një përjashtim të rrallë në panoramën e letërsisë botërore, ai nuk është vetëm i rrënjosur në gjuhën e vendit, atë gajege, por në vërtetësinë e thellë të kësaj gjuhe, ku dallohet gjuha bisedore e përditshme, e rrugës, e shtëpisë së tij në Galicia, një prozë kjo sa e përimtuar në lokalen, aq edhe universale dhe nga ana tjetër edhe ndërkufitare mes gjinive, ku përzihet eseja, rrëfimi dhe poezia, loja mjeshtërore me këndvështrimet dhe kohët. Për Rivas-in, letërsia i jep zë kujtesës së plagëve të pësuara nga trupi, toka dhe gjuha.

Disa nga veprat e Rivasit janë përshtatur me shumë sukses në kinematografi, si e mirënjohura Gjuha e fluturave, ekranizim i një tregimi të përfshirë në librin Çfarë më kërkon, dashuri?, nga José Luis Cuerda apo Lapsi i marangozit, me regjisor Antón Reixa, që u përzgjodh në çmimet Goya të Akademisë spanjolle të filmit.

Edhe ekranizimi i Gjithçka heshtje është (Todo é silencio) më 2010, e gjen finalist për çmimin Hammett. Në vitin 2012 boton Voices Baixas (Zërat e Ulët), ku zhytet në fëmijërinë e tij dhe të motrës, Marías, që bëhen dëshmitarë të mbijetesës familjare gjatë regjimit të Frankos dhe të “zërave të ndërhistorisë”.

Ndër veprat mund të përmendim: Balada e lutjes së perëndimit (1985) Mohikania (1987) Asnjë mjellmë (1989); Zhdukja e dëborës (2009), Guindillasomiedo (2013);
Gjithçka mirë (1985), Një milion lopë (1989), ( çmimi i kritikës); Ngrënësit e patateve (1991), Çfarë më kërkon, dashuri?(1996), çmimi kombëtar i prozës; Fshati i natës (1997), Lapësi i marangozit(1998), Ajo, shpirt i mallkuar (1999) dhe  Në dorë dy petritë (2000), Librat digjen keq (2006), Përrallat e një dimri (2006), Gjithçka heshtje është (2010), Gjëja më e çuditshme (2011)

Tregimi është shkëputur nga përmbledhja “Çfarë më kërkon, dashuri?” (1996)/palimpsest/KultPlus.com

Hesse: Letër një artisti të ri

I dashur J.K,


Të falenderoj për mesazhin që më dërgove me rastin e Vitit të Ri. Ai është i trishtueshëm e dëshpërues dhe e kuptoj atë mjaft mirë. Megjithatë, ka aty një frazë ku ti thua se të është ngulitur në mendje ideja se një kuptim dhe një mision kanë qenë caktuar për ty dhe për jetës tënde dhe se ti vuan nga moszbulimi i këtij kuptimi dhe nga mospërmbushja e këtij misioni. Pavarësisht, kjo më duket inkurajuese, sepse është e vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dhe të lutem që t’i kujtosh e t’i meditosh herë pas here shënimet që do të shkruaj në lidhje me këtë subjekt. Këto reflektime nuk janë të miat, ato janë po aq të vjetra sa bota dhe bëjnë pjesë në atë që njerzit kanë shprehur si më pozitive për veten dhe misionin e tyre.
Atë që ti bën në jetë, dua të them, jo vetëm si artist, por gjithashtu dhe si njeri, burrë e baba, mik, komshi, etj., pra, e gjitha kjo vlerësohet në funksion të “kuptimit” të përjetshëm të botës dhe sipas kritereve të drejtësisë së përjetëshme, jo duke iu referuar disa matjeve të vendosura njëherë e përgjithmonë, por duke i aplikuar veprimeve të tua, aftësinë tënde, të veçantë e personale. Kur Zoti do të gjykojë, ai nuk do të pyesi : “A ke qenë një Hodler, një Picasso, një Pestalozzi, një Gotthelf ? Përkundrazi ai do të pyes : “A ke qenë dhe a je në të vërtetë J. K.-ja për të cilin ti ke trashëguar disa predispozita ? I pyetur në këtë mënyrë, askush nuk do mundet që t’i flasë për egzistencën dhe gabimet e veta pa ndjerë tmerr e turp ; pak a shumë ai mund të përgjigjet : “Jo, s’kam qenë ky njeri, por të paktën jam përpjekur që të bëhem i tillë brenda mundësive të mia.” Po t’i thotë ato me sinqeritet, ai do të jetë i justifikuar e do të dalë i fituar nga prova.
Nëqoftëse ti shqetësohesh nga imazhe të tilla si “Zoti” apo “gjykatësi i përjetshëm”, lëri ato qetësisht menjanë, sepse ato s’kanë shumë rëndësi. E vetmja gjë që ia vlen është fakti që secili prej nesh është depozitues i një trashëgimie dhe mbajtësi i një misioni ; secili nga ne ka trashëguar nga nëna dhe babai, nga stërgjyshërit e tij të shumtë, nga populli i tij, nga gjuha e tij, disa veçanti të mira apo të këqia, të këndshme apo të pakëndshme, disa talente dhe disa difekte, dhe të gjitha këto të mbledhura sëbashku na bëjnë të jemi këto që jemi, ky realitet i përveçëm që quhet J.K., në rastin tënd. Kështu pra, këtë realitet të përveçëm, secili nga ne duhet ta vërë në pah, ta jetojë deri në fund, ta çojë deri në pjekuri, dhe më sëfundi, ta perfeksionojë sa të jetë e mundur. Në lidhje më këtë mund të citojmë shembuj mjaft mbresëlënës e që i gjejmë me bollëk në historinë universale dhe historinë e artit. Ashtu siç shohim që në shumë përralla ka shpesh një perzonazh që është idioti i familjes, i paafti, dhe ndodh që atij t’i jepet roli kryesor. Është pikërisht besnikëria në vetë natyrën e tij që i bën individët e tjerë, më të zgjuar se ai, e të favorizuar nga suksesi, të duken mediokër.
Kështu, në fillim të shekullit të kaluar jetonte në Frankfort familja Brentano, e pasur me individualitete mjaft të zotë. Nga njëzet fëmijët që kishte në atë kohë, dy prej tyre sot janë të shquar : poetët Klement dhe Betina Brentano. E pra, këto vëllezër e motra të shumtë qenë të gjithë të zgjuar, interesantë më tepër se mesatarja, mendje të ndritura, talente të klasit të parë. Vetëm i madhi i fëmijëve ishte dhe ashtu mbeti, i leshtë dhe gjithë jetën e tij e kalojë në shtëpinë e prindërve, një shpirt i qetë i vatrës familjare për të cilin nuk kishte ndonjë rrugëzgjidhje ; katolik, ai respektonte të gjitha detyrat e besimtarit ; si djalë dhe si vëlla tregohej i matur e babaxhan, dhe në mes të bandës së lumtur e mëndjemprehtë të vëllezërve e motrave, ku shpesh shpërthente ekstravaganca, ai bëhet gjithnjë e më shumë qendra e heshtur dhe e qetë e familjes, një lloj guri i çmuar familiar që rrezatonte paqe e mirësi. Vëllezërit dhe motrat e tij flasin për këtë leshko, për këtë qenie foshjore, me një respekt, një dhëmshuri të tillë, si për asnjë tjetër. Pra, dhe atij gjithashtu, këtij budallai, këtij idioti, i kishte qenë caktuar një kuptim dhe një mision dhe ai i kishte përmbushur ato më mirë se të gjithë vëllezërit e motrat e tij të ndritur.
Shkurt, kur dikush ndjen nevojën për të justifikuar jetën e tij, nuk është niveli i përgjithshëm i aksionit të tij, parë nga pikëpamja objektive, që ka rëndësi, por më shumë fakti që vetë natyra e tij, ajo që i ka qenë dhënë, të shprehet sa më sinqerisht që të jetë e mundur në egzistencën dhe në aktivitetin e tij. Tentativa të panumërta na kthejnë vazhdimisht nga kjo rrugë ; më e forta prej tyre është ajo që në brendësi të vetes sonë na bën të besojmë  se mund të ishim dikush krejt tjetër nga ai që jemi në realitet dhe kështu fillojmë të imitojmë modele dhe të ndjekim ideale që jo vetëm nuk duhen, por as që mundemi t’i arrijmë. Kjo tentativë është veçanërisht e fortë tek personat e pajisur me aftësi superiore, tek ata, ajo paraqet shumë më tepër rrezik se një egoizëm i thjeshtë me rreziqet e tij vulgare, sepse ajo shfaqet me pamjet e një fisnikërie shpirtërore e morale.
Në një moment të jetës, çdo djalë i ri ka ëndërruar të drejtojë një karrocë me kuaj apo një lokomotivë, të bëhet gjuetar apo gjeneral, dhe më vonë, të bëhet një Gëte apo Don Zhuan ; kjo është një tentative e natyrshme, e pashmangshme në zhvillimin normal të individit dhe një mënyrë për t’u vetë-edukuar : imagjinata, si të thuajsh, duke kërkuar në të errët, merr kontakt me mundësitë e së ardhmes. Por jeta nuk i plotëson këto dëshira dhe idealet e fëmijërisë e të rinisë vdesin vetvetiu. Megjithatë, ne vazhdojmë përherë me dëshirën për të bërë gjëra për të cilat nuk jemi bërë dhe përpiqemi t’i imponojmë natyrës sonë kërkesa që e dhunojnë atë. Të gjithë ne reagojmë në këtë mënyrë. Por në të njejtën kohë, në momentet e një vetëdije të mbrendshme e ndjejmë gjithnjë e më shumë se nuk ka rrugë që do të na çojnë jasht vetes sonë, drejt diçkaje tjetër, se duhet ta përshkojmë jetën me aftësitë e dobësitë që janë tonat e thjesht personale dhe ndodh që disa herë të bëjmë përparime, të realizojmë diçka që deri mëparë nuk ishim të zotët ta bënim, dhe për një çast, pa hezituar, e aprovojmë dhe kënaqemi me veten. Sigurisht që kjo kënaqësi nuk ka asgjë të qëndrueshme ; megjithatë, pas kësaj, pjesa më intime e vetes sonë s’tenton gjë tjetër veçse të ndjehet e rritur dhe e pjekur në mënyrë të natyrshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në harmoni me botën dhe nëqoftëse arrijmë që ta njohim këtë gjendje, eksperienca që mund të bëjmë do të jetë akoma më e thellë.
Kur them se misioni që i besohet çdo individi është i ndryshëm për secilin prej tyre, nuk kam aspak parasysh atë që diletantët e artit, të vjetër e të rinj, quajnë mbrojtja dhe afirmimi i individualitetit e origjinalitetit të tyre. Kuptohet vetvetiu se kur një artist e bën artin profesion dhe qëllim të jetës së tij, i duhet të fillojë nga mësimi i gjithshkaje që i shërben mjeshtrisë ; ai s’duhet të mendojë se do t’i duhet që ta shmangë këtë nxënie me qëllim që të ruaj origjinalitetin dhe personalitetin e tij të vyer. Shembujt të tillë nuk mungojnë. Përpjekja personale për të asimiluar atë që kemi mësuar është një detyrë fillestare, si në fushën e artit, ashtu dhe në atë të jetës së përditëshme. Duhet që fëmija të mësojë të hajë, të jetë i pastër, i duhet mësuar shkrimi e këndimi. Studimi i gjithshkaje që duket se ia vlen të mësohet nuk bëhet pengesë në zhvillimin e individualitetit, përkundrazi e favorizon dhe e pasuron atë. Më vjen turp që të shkruaj të zezë mbi të bardhë gjëra të tilla kaq të qarta, por kemi mbrritur në atë pikë ku askush nuk duket se ka instiktin e të reaguarit sipas rregullave natyrale dhe e zëvëndëson këtë instikt me një kult primitif të së jashtëzakonshmes dhe absurdes. Në art, nuk jam aspak armik i së resë, përkundrazi, dhe ti e di mirë, por në fushën e moralit, domethënë kur është fjala për sjelljen e njeriut në lidhje me detyrën që i bie të kryej, modat dhe shpikjet e reja më duken të dyshimta dhe jam krejt mosbesues kur dëgjoj njerëz të arsyeshëm të flasin për morale të reja, etika të reja, sikur të flisnin për moda apo stile në art.
Në botën aktuale i kërkojnë njeriut akoma tjetër gjë, dhe kjo kërkesë është e përhapur nga partitë politike, nga vende apo profesorë të moralit universal. I kërkojnë njeriut që ai të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga vetevetja dhe nga ideja që nëpërmjet tij, diçka personale dhe e veçantë mund të ketë kuptim ; e bëjnë të kuptojë se ai duhet që t’i adaptohet një lloj humanizmi normal apo ideal që do të jetë ai i së ardhmes, që duhet të transformohet në një nga ingranazhet e makinerisë, në një nga gurët e ndërtesës, mes miliona gurëve të tjerëve, po aq të ngjashëm. Nuk do të doja që të shprehesha mbi vlerën morale të kësaj kërkese : ajo ka anën heroike e madhështore të saj. Por nuk besoj në atë. Vënia në rresht e individëve, me gjithë dëshirën e mirë, është në kundërshtim me natyrën dhe nuk të çon në paqe e në gjakftohtësi, por në fanatizëm dhe në luftë. Në fund të fundit, flitet për një kërkesë prej murgu dhe ajo është legjitime kur bëhet fjalë për murgjit, për njerëz që kanë hyrë të lirë nën urdhrat fetare. Megjithatë, nuk besoj që kjo kërkesë, që është e lidhur me modën, do mund të paraqesë një rrezik serioz për ty.
Shoh që letra është kthyer pothuajse në një disertacion. Do të bëj disa kopje dhe kur të më jepet rasti do t’ia lexoj gjithashtu dhe personave të tjerë. Mendoj se nuk do të kesh ndonjë kundërshtim.


Përktheu: YD/KultPlus.com

5-vjeçari mori një nga letrat e fundit të shkruara nga Mbretëresha, iu dërgua një ditë pasi ajo vdiq

Një djalosh 5 vjeçar ka pranuar një nga letrat e fundit të dërguara nga Mbretëresha Elizabeth II, vetëm një ditë pasi ajo vdiq.

James McConnell i shkroi një letër të përzemërt monarkut të ndjerë gjatë një udhëtimi me familjen e tij në Londër gjatë Jubileut të Platinit.

Djaloshi nga Birtley i Gateshad, shkroi: “E dashur Mbretëreshë, Gëzuar Jubileun e 70-të të Platinit. Faleminderit nga James”, raporton Mirror, transmeton Telegrafi.

Por babai i tij Graeme McConnell mbeti i habitur kur James mori një letër nga Buckingham Palace të premten e 9 shtatorit, një ditë pasi Elizabeth II vdiq.

Ajo që e bëri letrën edhe më të trishtuar ishte se ajo e mbante datën e një dite më parë – ditën që ajo vdiq.

Përgjigja mbretërore përmbante një fotografi të Mbretëreshës së ndjerë dhe lexonte: “Unë ju dërgoj falënderimet e mia mirënjohëse për mesazhin tuaj të sjellshëm me rastin e Shtatëdhjetë vjetorit të Hyrjes sime në Fron, Elizabeth R 2022”.

Babai Graeme tha: “Sapo po bëhesha gati të dilja dhe kambanat për Mbretëreshën filluan të binin, kur letra doli u fut nga dera. Ishte mjaft emocionuese. Ishte vërtet prekëse.

“James i pëlqen çdo gjë që ka të bëjë me mbretëreshën. Ai e kupton që mbretëresha ka vdekur dhe ajo ka shkuar të jetojë në parajsë. Duhet të ketë qenë një nga letrat e fundit që dërgoi ER”, bëri të ditur McConnell.

“Do të ketë qenë një zonjë që punon në pallat që e dërgoi atë. Por James mendon se ajo u ul dhe e shkroi këtë letër para se të vdiste. Unë nuk dua ta prish këtë moment për atë”, shtoi tutje Graeme. / KultPlus.com

Mitrush Kuteli, drejtuar gruas: Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje

Dhimitër Pasko ka lindur më 13 shtator të vitit 1907, ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar, i njohur ndryshe me emrin e penës Mitrush Kuteli. Pseudonime të tjera që përdori për të shkruar qenë edhe Janus, Izedin Jashar Kutrulia me Dr. Pas.

Kjo është Letra-Testament, që shkrimtari Mitrush Kuteli, u drejtoi gruas dhe fëmijëve të tij, para se të ndahej nga jeta, në kushtet e njohura kur nuk i lejohej dalja në dritë, botimi i veprave të tij, dhe, sigurisht, për pasojë, edhe të vuajtjeve të thella shpirtërore.

Një nga themeluesit e prozës moderne shqiptare, autor i dhjetëra novelave, (apo rrëfenjave, siç i quante), romaneve, poeti, studiuesi, përkthyesi i shkëlqyer, ekonomisti i talentuar dhe atdhetari i madh, u dënua me burg pas një gjyqi farsë, duke u akuzuar, madje, edhe si propagandist i Luftës së Tretë Botërore (!)…

Gjimnazistet e Shkollës së Gjuhëve të Huaja, Fiona Kopali dhe Klaudia Hasanllari, ia kërkuan Letrën-Testament familjes së shkrimtarit.

Po e botojmë këtë Letër–Testament, me disa pak shkurtime të pjesëve thjesht familjare.

E dashur Efterpi,

Këtë letër, që është ndoshta e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurt, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.

Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqija. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri. Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur. Isha i zbathur, i zhveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”. Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qejf të më vrisnin… Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” –“S’di”. –“Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. –“Fundja, do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha dhe e kam të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur kohët e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krijoj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç‘të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…..

Letrën ta nisa për tjetër gjë: të të përsëris porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qenë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.

Ne u bashkuam, rrojtmë e bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëherë kisha shëndet dhe i kapërceva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netët ë mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngrën. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua,po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i lë fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobektësi të madhe, në pamundësi për t’ua arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar,po këta vjetë pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta,pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime të kaluar; në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë e shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes,po se s’munda. Kaq munda,kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi e nuk kthehet dot,nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë,kur muarën vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë. Luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi as me veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht,veprimtarinë time. Kam qenë kundër rusëve, sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë, kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arsye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar,aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vendas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojat e para ka qenë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.

Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk e di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij-të cilëve u lë trashëgim punën dhe ëndrrat e mija- të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.

Jam i sigurt se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.

Nisa të shkruaj një letër të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva-ndonëse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa- dhe shiko se ku arrita.

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netët i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.

Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Nuk do të lajmëroni para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërm për të bërë formalitetet e varrimit dhe varrimin. Kaq.

S’kam qejf të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.

2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

3……………………..

4. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeliu kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike-ajo fizikë, ay mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesion kryesor. Profesionizmi në letërsi, në vendin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ua lë atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet,do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos i prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njeri-tjetrin, të ndihmoni njeri-tjetrin, të duroni njeri-tjetrin! Mos i vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hidhni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mendja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjerësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arsyes. Shpesh, zemra të shpie në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arsyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndërroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjesit, me mendjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.

Ta doni dhe ta nderoni mamanë, se ka qenë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvojë nga jeta e hidhur dhe kjo përvojë mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.

Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.

Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë as që dua të ngjallem, as që dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.

Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë!

Yti

Dhimitraq /KultPlus.com

Kur Podrimja i shkruante Agollit: Ç’të bëj, ma grabisin Kosovën…

(marrë nga profili i Elona Agolli)

Letër e poetit dhe mikut Ali Podrimja , dërguar 26 shkurt 2003 …

I dashur Dritëro,

Ç’të bëj? Në veri ma grabisin Kosovën serbët ; në jug maqedonët, në Perëndim malazezët …Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës , po të Malit të Zi , ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë …

E, unë ku të prehem ?

Shqipëria , mund të më ofrojë azil? Kam rënë në hall me bajraktarët e Kombit. Nuk di ç’të bëj? …

Të qafon yt vëlla,

Ali Podrimja

26 shkurt 2003

Ulpianë/ KultPlus.com

Victor Hygo: Letërsia është qeverisje e njerëzimit nëpërmjet mendjes njerëzore

Nga Aurenc Bebja

“Le Rappel” ka botuar, të mërkurën e 19 qershorit 1878, në ballinë, fjalimin e Victor Hugo, të mbajtur me rastin e Kongresit letrar ndërkombëtar në Paris, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ky është fjalimi i mbajtur nga Victor Hugo në sesionin e hapjes së Kongresit letrar ndërkombëtar:

Zotërinj,

Ajo që e bën madhështinë e vitit të paharrueshëm në të cilin jemi është se, në mënyrë sovrane, mbi thashethemet dhe zhurmat, duke imponuar një ndërprerje madhështore të armiqësive të çuditshme, ai i jep zë civilizimit. Mund të themi për të : ky është një vit i bindur. Atë që dëshironte të bënte, ai e bëri. Ai zëvendëson axhendën e vjetër, luftën, me një axhendë të re, progresin. Ai u bë ball rezistencave. Kërcënimet gjëmojnë, por bashkimi i popullit buzëqesh. Vepra e vitit 1878 do të jetë e pashkatërrueshme dhe e plotë. Asgjë e përkohshme. Ne ndiejmë se në gjithçka që bëhet ndihet diçka përfundimtare. Ky vit i lavdishëm shpall, përmes Ekspozitës së Parisit, aleancën e industrive; me njëqindvjetorin e Volterit, aleancën e filozofive; me kongresin të mbledhur këtu, aleancën e letërsive (Duartrokitje); federatë e madhe pune në të gjitha format; venerim i vëllazërisë njerëzore që ka si bazë fshatarët dhe punëtorët dhe si kurorë mëndjet. (Bravo.)

Industria kërkon dobinë, filozofia kërkon të vërtetën, letërsia kërkon të bukurën. E dobishmja, e vërteta, e bukura, ky është qëllimi i trefishtë i gjithë përpjekjes njerëzore; dhe triumfi i kësaj përpjekjeje sublime është, zotërinj, civilizimi midis popujve dhe paqja midis njerëzve.

Për të dëshmuar këtë triumf, ju jeni dyndur nga të gjitha pjesët e botës së civilizuar. Ju jeni inteligjencat e mëdha (zgjuarsia) që kombet i duan dhe i respektojnë, ju jeni talentet e famshëm, zërat bujar të dëgjuar, shpirtrat në punën e përparimit. Ju jeni paqeruajtësit. Ju sillni këtu rrezen e vlerave. Ju jeni ambasadorët e shpirtit njerëzor në këtë Paris të madh. Mirësevini ! Shkrimtarë, oratorë, poetë, filozofë, mendimtarë, luftëtarë, Franca ju përshëndet. (Duartrokitje të zgjatura.)

Ju dhe ne, ne jemi qytetarë të qytetit universal. Të gjithë, krah për krah, le të pohojmë unitetin dhe aleancën tonë. Le të hyjmë, të gjithë së bashku, në atdheun e madh të qetë, në absoluten, që është drejtësia, në idealin, që është e vërteta.

Nuk është për interes personal ose të kufizuar që jeni mbledhur këtu; është për të mirën e përbashkët. Çfarë është letërsia? Është aktivizimi i shpirtit njerëzor. Çfarë është civilizimi? Është zbulimi i përhershëm që shpirti njerëzor ndërmerr në çdo hap; nga ku fjala « Përparim ». Mund të themi se letërsia dhe civilizimi janë identike.

Popujt e masin veten me letërsinë e tyre. Kalon një ushtri prej dy milion burrash, por një Iliadë mbetet; Xercès ka ushtrinë, por i mungon epika (epopeja) : Xercès harrohet. Greqia është e vogël në territor dhe e madhe me Eskilin. (Lëvizje) Roma është vetëm një qytet; por përmes Tacitus, Lucretia-s, Virgjilit dhe Juvenal-it, ky qytet mbush botën. Nëse flisni për Spanjën, Cervantes shfaqet; nëse flisni për Italinë, Dante ngrihet; nëse përmendni Anglinë, shfaqet Shekspiri. Në kohë të caktuara, Franca përmblidhet në një gjeni dhe shkëlqimi i Parisit bashkohet me qartësinë e Volterit. (Bravo të përsëritura.)

Zotërinj, misioni juaj është i lartë. Ju jeni një lloj asambleje themeluese e letërsisë. Ju keni kapacitetin, nëse jo të miratoni ligje, të paktën t’i diktoni ato. Thoni gjërat e duhura, shprehni idetë e duhura dhe nëse, nga e pamundura, nuk ju dëgjojnë, epo mirë, do ta bëni ligjin të kuptojë gabimin e tij.

Ju do të bëni një themel, pronën letrare. Ajo është në të drejtën (drejtësinë), ju do ta vendosni në kod (ligj). Sepse, unë them, zgjidhjet dhe këshillat tuaja do të merren parasysh.

Ju do të bëni që legjislatorët të cilët dëshirojnë ta reduktojnë letërsinë në një fakt lokal, të kuptojnë se letërsia është një fakt universal. Letërsia është qeverisja e njerëzimit nëpërmjet mendjes njerëzore. (Bravo)

Prona letrare është e dobishme për përgjithësinë. Të gjitha ligjet e vjetra monarkike e kanë mohuar dhe ende e mohojnë pronën letrare. Çfarë qëllimi? Me qëllim skllavërimin. Pronari-shkrimtar është shkrimtari i lirë. T’i heqësh pasurinë do të thotë t’i heqësh pavarësinë. Të paktën shpresojmë kështu. Prej kësaj, ky gabim i veçantë, i cili do të ishte fëminor nëse nuk do të ishte tradhtar : Mendimi i përket të gjithëve, prandaj nuk mund të jetë pronë, prandaj prona letrare nuk ekziston. Konfuzion i çuditshëm, së pari, i aftësisë së të menduarit, e cila është e përgjithshme, me mendimin, i cili është individual; mendimi jam unë; pastaj, konfuzion i mendimit, një gjë abstrakte, me librin, një gjë materiale. Mendimi i shkrimtarit, si mendim, i shpëton çdo dore që dëshiron ta kapë atë; fluturon nga shpirti në shpirt; ai e ka këtë dhuratë dhe këtë forcë, virum volitare per ora; por libri është i dallueshëm nga mendimi; si libër, është i kapshëm, aq i kuptueshëm sa që ndonjëherë kapet. (Qeshin.) Libri, produkt i shtypshkronjës, i përket industrisë dhe përcakton, në të gjitha format e tij, një lëvizje të gjerë tregtare; ai shitet dhe blihet; është pronë, vlerë e krijuar dhe jo e fituar, pasuri e shtuar nga shkrimtari në pronën kombëtare, dhe, në të vërtetë, në të gjitha aspektet, më e pakontestuesja e pronave. Kjo pronë e paprekshme shkelet (dhunohet) nga qeveritë despotike; ata konfiskojnë librin, duke shpresuar të konfiskojnë shkrimtarin. Nga ku sistemi i pensioneve mbretërore. Merrni gjithçka dhe jepni pak. Shkatërrim dhe nënshtrim të shkrimtarit. E vjedhin, pastaj e blejnë. Përpjekje e padobishme, për më tepër. Shkrimtari shpëton. Ne e bëjmë atë të varfër, ai mbetet i lirë. (Duartrokitje.) Kush mund t’i blejë këto ndërgjegje madhështore, Rabelais, Molière, Pascal ? Janë përpjekur, por rezultati është i dëshpëruar. Monarkia është një lloj thithje e tmerrshme e forcave vitale të një kombi; historiografët u japin mbretërve titujt e etërve të kombit dhe etërve të letrave; gjithçka mbahet në tërësinë fatale monarkike; Dangeau, lajkatar, e sheh nga njëra anë, Vauban, i ashpër, e sheh nga ana tjetër; dhe, për atë që quhet “shekulli i madh”, për shembull, mënyra në të cilën mbretërit janë baballarë të kombit dhe etër të letrave rezulton në këto dy fakte të liga: njerëzit pa bukë, Corneille pa këpucë.

Çfarë fshirje e errët o mbretërim i madh!

Zotërinj, le t’i kthehemi parimit : respektimi i pronës. Le të vëzhgojmë pronën letrare, por, në të njëjtën kohë, të krijojmë pronën publike. Të shkojmë me tej. Le ta bëjmë më të madhe. Që ligji t’u japë të gjithë botuesve të drejtën të botojnë të gjithë librat pas vdekjes së autorëve, me kushtin e vetëm të pagimit të trashëgimtarëve të drejtpërdrejtë të një honorari shumë të ulët, i cili në asnjë rast nuk tejkalon pesë ose dhjetë përqind të fitimit neto. Ky sistem shumë i thjeshtë, i cili pajton pasurinë e padiskutueshme të shkrimtarit me të drejtën jo më pak të padiskutueshme të pronës publike u tregua, në komisionin e vitit 1836, nga ai që po ju flet në këtë moment dhe kjo zgjidhje mund të gjendet, me të gjitha zhvillimet e saj, në procesverbalin e komisionit, botuar më pas nga Ministria e Brendshme.

Parimi është i dyfishtë, mos të harrojmë. Libri, si libër, i përket autorit, por, si mendim, i përket – fjala nuk është shumë e gjerë – njerëzimit. Të gjitha inteligjencat janë të pranueshme. Nëse një nga dy të drejtat, e drejta e shkrimtarit dhe e drejta e shpirtit njerëzor, do të sakrifikohej, sigurisht që do të ishte e drejta e shkrimtarit, sepse interesi publik është shqetësimi ynë i vetëm, dhe të gjitha, unë e deklaroj që duhet të radhiten para nesh (Shenja miratimi).

Por, sapo e thashë, kjo sakrificë nuk është e nevojshme.

Ah! drita ! drita gjithmonë ! drita kudo ! Nevoja për gjithçka është drita. Drita është në libër. Hapni librin në tërësi. Lëreni të shkëlqejë, lëreni të jetë (bëjë). Kushdo që jeni që dëshironi të edukoni, gjallëroni, ndërtoni, zbutni, qetësoni, vendosni libra kudo; mësoni, tregoni, demonstroni; shumëfishoni shkollat; shkollat janë pikat e ndritshme të civilizimit.

Ju kujdeseni për qytetet tuaja, dëshironi të jeni të sigurt në shtëpitë tuaja, jeni të preokupuar nga ky rrezik : lëreni rrugën të errët; konsiderojeni këtë rrezik edhe më të madh: ta lini mendjen njerëzore në errësirë. Inteligjencat janë rrugë të hapura; ata kanë vajtje-ardhje, kanë vizitorë, të mirë apo të këqij, mund të kenë kalimtarë fatalë; një mendim i keq është i njëjtë me një hajdut nate, shpirti ka keqbërës; sillni dritë kudo; mos i lini në inteligjencën njerëzore ato qoshe të errëta ku mund të kenë folenë bestytnitë, ku mund të fshihet gabimi, ku mund të fshihen gënjeshtrat. Injoranca është një muzg; e keqja rri aty. Merrni parasysh ndriçimin e rrugëve; por mendoni gjithashtu, mendoni mbi të gjitha, për ndriçimin e shpirtrave. (Duartrokitje të zgjatura.)

Kjo kërkon, sigurisht, një shpenzim të mrekullueshëm të dritës. Pikërisht, për këtë shpenzim të dritës, Franca ka punuar për tre shekuj. Zotërinj, më lejoni të them një fjalë birnore, e cila, për më tepër, është në zemrat tuaja si në timen; asgjë nuk do të mbizotërojë kundër Francës. Franca është në interesin publik. Franca po ngrihet në horizontin e të gjithë popujve. Ah! Thonë ata, bën dritë, Franca është aty! (Po / po…Bravo të përsëritura.)

Se mund të ketë kundërshtime ndaj Francës, kjo çudit; por ka megjithatë ; Franca ka armiq. Ata janë madje armiqtë e civilizimit; armiqtë e librit, armiqtë e mendimit të lirë, armiqtë e emancipimit, provimit, çlirimit; ata që shohin në dogmën një mjeshtër të përjetshëm dhe në njerëzimin një të mitur të përjetshëm. Por ata po humbin kohën e tyre, e kaluara ka mbaruar, kombet nuk kthehen në të vjellat e tyre, verbëria ka një fund, dimensionet e injorancës dhe gabimit janë të kufizuara. Mbani anën tuaj, njerëz të së kaluarës, ne nuk kemi frikë nga ju ! vazhdoni, reagoni,  ne po ju shikojmë me kuriozitet ! provoni forcën tuaj, fyeni 89, dekurajoni Parisin, thoni anatemën për lirinë e ndërgjegjes, për lirinë e shtypit, për lirinë e tribunës, anatemën për ligjin civil, anatemën për revolucionin, anatemën për tolerancën, anatemën për shkencën, anatemën për përparimin. Mos u mërzitni. Ëndërroni, derisa të jeni, një syllabus (planprogram) aq të madh për Francën dhe një fikës (errësues) aq të madh për diellin (Brohoritje unanime. Duartrokitje të trefishta.)

Nuk dua të përfundoj me një fjalë të hidhur. Le të shkojmë lart dhe të qëndrojmë në qetësinë e pandryshueshme të mendimit. Ne kemi filluar të pohojmë pajtimin dhe paqen; le të vazhdojmë këtë pohim krenar dhe të qetë.

Unë e kam thënë diku tjetër, dhe e përsëris, e gjithë mençuria njerëzore qëndron në këto dy fjalë : Pajtim dhe ripajtim; pajtim për idetë, ripajtim për njerëzit.

Zotërinj, ne jemi këtu midis filozofëve, le ta shfrytëzojmë rastin, të mos trembemi, le të themi të vërtetat. (Buzëqeshje dhe shenja miratimi me kokë.) Ja një, një të tmerrshme : raca njerëzore ka një sëmundje, urrejtjen. Urrejtja është nëna e luftës; nëna është famëkeqe, vajza është e tmerrshme.

Le t’ua kthejmë goditje për goditje. Urrejtje ndaj urrejtjes! Luftë kundër luftës! (Sensacion.)

A e dini se cila është kjo fjalë e Krishtit : A e doni njëri-tjetrin ? Ky është çarmatimi universal. Është shërimi i njerëzimit. Ky është shpengimi i vërtetë. Duajuni ! Kështu e çarmatosim më mirë armikun; duke ia zgjatur dorën në vend se t’i tregojmë grushtin. Kjo këshillë nga Jezusi është një urdhër nga Zoti. Është e mirë. Ne e pranojmë atë. Ne jemi me Krishtin, ne të tjerët ! Shkrimtari është me apostullin; ai që mendon është me atë që do. (Bravo.)

Ah ! le të bërtasim për civilizimin ! Jo ! jo ! jo ! ne nuk duam barbarë që bëjnë luftë, as egërsira që vrasin ! Ne nuk duam as luftë popull me popull, apo luftë njeri me njeri. Çdo vrasje nuk është vetëm e egër, por e pakuptimtë. Lavdia është absurde dhe kamja është budallaqe. Ne jemi luftëtarë të shpirtit dhe është detyra jonë të parandalojmë luftën e lëndës; funksioni ynë është që gjithmonë të hidhemi në mes të dy ushtrive. E drejta për jetën është e paprekshme. Ne nuk i shohim kurorat, nëse ka, shohim vetëm kokat. Të falësh do të thotë të bësh paqe. Në orët e errëta, ne u kërkojmë mbretërve që të kursejnë jetën e njerëzve dhe ne kërkojmë që republikat të kursejnë jetën e perandorëve. (Duartrokitje.)

Është një ditë e bukur për të paligjshmin kur ai i lutet një populli për një princ dhe kur ai përpiqet të përdorë, në favor të një perandori, këtë të drejtë faljeje që është e drejta e mërgimit.

Po, të pajtojmë dhe ripajtojmë. Ky është misioni ynë, tek ne filozofët. O vëllezërit e mi të shkencës, poezisë dhe artit, le të vëzhgojmë gjithëfuqinë civilizuese të mendimit. Me çdo hap që bën njerëzimi drejt paqes, le të ndiejmë gëzimin e thellë të së vërtetës që rritet në ne. Le të kemi kënaqësinë krenare të punës së dobishme. E vërteta është një dhe nuk ka rreze divergjente; ajo ka vetëm një sinonim, drejtësinë. Nuk ka dy drita, por vetëm një, arsyeja. Nuk ka dy mënyra për të qenë i sinqertë, i arsyeshëm dhe i vërtetë. Rrezja që është në Iliadën është identike me qartësinë e cila është në Fjalorin filozofik. Kjo rreze e pakorruptueshme kalon shekujt me drejtësinë e shigjetës dhe pastërtinë e agimit. Kjo rreze do të triumfojë mbi natën, domethënë mbi antagonizmin dhe urrejtjen. Kjo është mrekullia e madhe letrare. Nuk ka asgjë më të bukur. Forca e shpërqendruar dhe e tronditur para ligjit, arrestimi i luftës nga mendja, është, o Volter, dhuna e zbutur nga mençuria; është, O Homer, Akili i marrë nga flokët nga Minerva ! (Duartrokitje të gjata.)

Dhe tani që do të përfundoj, më lejoni një dëshirë, një dëshirë që nuk i drejtohet asnjë partie dhe që i drejtohet të gjitha zemrave.

Zotërinj, është një romak që është i famshëm për një ide fikse, ai tha : Le ta shkatërrojmë Kartagjenën ! Edhe unë kam një mendim që më fikson, dhe ja cili është : Shkatërroni urrejtjen: Nëse letërsia njerëzore kanë një qëllim, ky është ai. Humaniores litterœ. Zotërinj, shkatërrimi më i mirë i urrejtjes bëhet nëpërmjet faljes. Ah ! Të mos mbarojë ky vit i madh pa paqësimin përfundimtar, të përfundojë me mençuri dhe përzemërsi dhe që pasi të ketë shuar luftën e huaj, të shuajë luftën civile. Kjo është dëshira e thellë e shpirtrave tanë. Franca në këtë kohë po i tregon botës mikpritjen e saj, le t’i tregojë edhe mëshirën e saj. Mëshirën ! Le ta vendosim këtë kurorë në kokën e Francës ! Çdo festë është vëllazërore; një festë që nuk fal dikë nuk është një festë. (Emocion i fortë. – Bravo të dyfishuara.) Logjika e gëzimit publik është amnistia. Le të jetë ky fundi i këtij solemniteti të admirueshëm, Ekspozita Universale. Pajtim ! pajtim ! Sigurisht, ky takim i gjithë përpjekjes së përbashkët të njerëzimit, ky takim i mrekullive të industrisë dhe punës, kjo përshëndetje e kryeveprave mes tyre, duke u përballur dhe krahasuar njëra-tjetrën, është një spektakël i madh ! por ka një spektakël ende më të madh, është mërgimtari që qëndron mbi këmbë në horizont dhe atdheu që i hap krahët! (Brohoritje e gjatë; anëtarët francezë dhe të huaj të Kongresit që rrethojnë oratorin në estradë vijnë ta urojnë dhe t’i japin dorën, midis duartrokitjeve të përsëritura nga e gjithë salla).

https://ëëë.darsiani.com/la-gazette/le-rappel-1878-fjalimi-i-victor-hugo-ne-sesionin-e-hapjes-se-kongresit-letrar-nderkombetar-letersia-eshte-qeverisja-e-njerezimit-nepermjet-mendjes-njerezore/

Publikohet përmbajtja e një letre të pahapur për më shumë se 300 vjet

Një letër e shkruar më 31 korrik 1697, nuk arriti kurrë të mbërrijë te personi që ishte destinuar.

Letra u gjet në Holandë, midis viteve 1689 dhe 1706, në një arkë druri me 577 letrave të tjera të padërguara dhe të mbyllura, të cilat u ruajtën në një muze në Hagë.

Deri më tash këto letra nuk u hapën asnjëherë për të mos dëmtuar teknikën e veçantë të mbylljes që ato kishin.

Në ato kohë të largëta, kur mungonte zarfi dhe kode të ndryshme të sigurisë, hartuesve të letrave iu duhej të përdornin një teknike të specifike të mbylljes së letrës, një lloj palosjeje të ndërlikuar që ruante privatësinë e tekstit.

Megjithatë, një ekip kërkimor ka gjetur një mënyrë për të lexuar një nga letrat pa e shpalosur atë. Kjo është arritur duke përdorur një skaner me rreze X dhe algoritme kompjuterike. Teknika zbuloi përmbajtjen e letrës që është një kërkesë nga dërguesi, Jacques Sennacques, ndaj kushëririt të tij, marrësit Pierre Le Pers, një tregtar francez, për një kopje të njoftimit mbi vdekjen e Daniel Le Pers.

Përmbajtja duket jo dhe aq e rëndësishme, por studiuesit thanë se letra jep një pasqyrë interesante të jetës sociale të njerëzve të zakonshëm të asaj kohe. \ a2news/ KultPlus.com

Halili letër të hapur institucioneve: Nuk i ka hije librit të Anton Pashkut të trajtohet në atë formë makabre

Nga Ervina Halili

I nderuar z. Zyberaj,

Me datë 8 Maj 2020, kemi verpuar shumë shpejt në tërheqjen e materialeve të Rilindjes të cilat po qëndronin në kontenjerin e Pallatit të Shtypit, e konsideroj bashkëpunim të suksesshëm. Sot, me datë 8 Janar 2021, gjej shkas përvjetorin e ditëlindjes së Anton Pashkut, një shkrimtar i madh por jo shumë i respektuar sa i përket arkivës së tij, të adresoj një problem tjetër po aq të rëndësishëm e për të cilin do të na duhej bashkëpunim pak më i angazhuar.

1. Kati përdhesë i shtypshkronjës Rilindja, i menaxhuar nga AKP, ka një magazinë të errët dhe të lagësht me libra të shtypshkronjës Rilindja, nga autorë të botuar që nga vitet e 70-ta, të cilat dergjen nëpër lagështinë e dyshemesë. Këto libra do të duhej të ishin pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare e cila do të duhej ta shpërndante në biblioteka rajonale, duke qenë se këto libra, shumica prej të cilave ende janë libra që obligohen si libra leximi nga programet e lëndëve mësimore, të cilat unë vetë gjatë studimeve më është dashur t’i blej me vështirësi se nuk është se janë ribotuar, është e rëndësishme t’i kthehen qytetarit në shërbim.

Biblioteka Kombëtare do të ishte shumë falenderuese (supozoj) nëse do të mund të bashkëpunonit mbi këtë aksion që parimisht është profesional dhe institucional, dmth ju takon ta bëni, dhe së dyti është shumë i rëndësishëm dhe dinjitoz, sepse nuk i ka hije librit të Anton Pashkut të trajtohet në atë formë makabre. Do të ishte shumë mire po ta shihja pak edhe Ministrinë e Kulturës, (Zyra për Trashëgimi Kulturore) të interesohej për këtë trashëgimi. Në anën tjetër, ju i njihni mirë ligjet mbi Arkivat, por po e rikujtoj Ushëzimin Administrativ Nr. 09/2007, Neni 15, që ju obligon të shkoni dhe të interesoheni për këtë material, së bashku me Bibliotekën Kombëtare, dhe zyren për trashëgimi te Ministrisë se Kulturës, mundësisht, e ta vlerësoni nëse ia vlen ta keni apo ta lini në terrinat e mykura.

2. Në hapësirën ku dikur ishte KosovaLive, dmth brenda shtypshkronjës Rilindja, është raportuar që ruhet ende një fond i gjerë i gazetës Rilindja të cilat janë marrë privatisht pas mbylljes së pallatit, thuhet të jenë marrë duplikatet, mesiguri me qëllim të mirë, për t’u mbrojtur. Ky material është arkivë shtetërore. Biblioteka Kombetare poashtu, do te ishte mirë ta shpërndajë këtë material edhe në bibliotekat e tjera rajonale (besoj). Nuk ka të drejtë askush, materialet e lidhura institucionalisht të cilat kanë qenë pjesë e arkivit të gazetës publike, t’i bëjë pronë private. Duhet të gjurmohet ky rast dhe materialet te kthehen sa me shpejt.

A do të kishit mirësinë që stafi juaj ta vazhdonte këtë proces së bashku me Bibliotekën Komëbtare të Kosovës dhe me Ministrinë e Kulturës? – Prishtina nuk është rajoni i vetëm që do të duhej ta kishte këtë arkivë.

Unë jam shumë optimiste që së shpejti ky aksion do të përfundojë tërësisht.

U pafshim për lajme të mira!

Ervina

p.s. Kjo letër është dërguar publike vetëm që aksioni të ketë efekt me të shpejtë dhe transparent. / KultPlus.com

Martin Çuni: Letër nga burgu famëkeq serb

Martin Çuni

Dje ishte datëlindja e nuses time, Mrikës. Ja letërurimin që ia pata shkruar në vitin 1989 nga burgu i Nishit:

Mrikë e dashur, ka diçka që njeriu e kujton me më shumë dëshirë dhe me më shumë mall. Thonë sa më larg syve aq më larg zemrës. Çudi! Nëse është ashtu atëherë te unë është diçka e veçantè, diçka e jashtëzakonshme. Mua ma merr mendja se nuk është bash ashtu si thonë. Nëse dikë e ke vërtetë në zemër nuk e harron kurrë; përkundrazi, nëse je larg, atëherë e do edhe më shumë e të mundon malli për të e nuk të len vend.Çdo shenjë që ta kujton atë person, të shtynë edhe më tepër të mendosh për të, të vuajsh për të. Mrikë, nuk kemi pasur jetë kutadi se çfarë, por kemi pasur pak e thjeshtë (thjeshtësinë e çmoj shumë), dhe mirë ka qenë për ne, në çerdhen tonë të varfër, por të bukur. Zemra e mirë ta bën jetën më të bukur. Zemra e mirë ta bën jetën më të lumtur, më të dashur dhe i harron të tjerat… Shumë gjëra që të rrethojnë, edhe se nuk janë të mira,  nga sytë e lëbyrur disi nuk i sheh apo i tejkalon! Sytë t’ i lëbyr dashuria për të dashurit, për ata që t’ i zvoglojnë vuajtjet në jetë, për ata që të shikojnë me sy të mirë e me dashamirësi, që në ty nuk e shohin të keqen, frikën dhe urrejtjen, të cilat duhet të jenë të huaja për njeriun që është tamam njeri. E tamam njeri është ai që nuk urren nga smira dhe nga grykësia!

Mrikë kam parë shumë në jetë, apo mua ashtu më duket. Kam hasur shumë karaktere, së fundi më të llojllojshmet, disa prej të cilëve kanë rënë në skëterrën e errësirës dhe të së keqes për të mos dalur kurrë më. Shumë gjëra nuk do të kisha mundur as t’ i merrja me mend, po mos t’ i kisha dëgjuar dhe hasur vetë! Çfarë bëhet nga njeriu që lind pa të këqia dhe pa orientim të prapë, por që nga ata është bërë e keqja që vështirë mund ta marrësh me mend. Krejt kjo nga mungesa e edukatës së mirëfilltë dhe të drejtë, nga lënia pas dore e njeriut kah ta çojnë erërat, mu si gjethi që i frynë era, herë andej e herë këndej. Më duket për këto të kam shkruar edhe një herë, po e lë pra…

Në këtë errësirë nganjëherë e ndiej më shumë mungesën tuaj. Ndiej mungesë më së shumti atëherë kur mendoj se në disa raste do të duhej që bile t’ jua shtrëngoj duart e t’ jua them ndonjë fjalë urimi nga zemra e zhuritur për ju! Ja, nuk janë larg ditëlindjet tuaja e do të kisha dashur të jem pranë jush, bile për disa momente. Do të vijë ajo ditë kur do të jemi bashk. Them po, por është bukur larg. Si ta marrësh them larg se atë që e ke në zemër e ke larg edhe nëse të ndajnë vetëm disa minuta e lere më vitet që janë shekuj që kurr nuk mund të kthehen në jetë!

Mrikë e dashur, çfarë të të them për datëlindjen tënde nga larg? Nuk ka fjalë që mund t’ i shprehnin të gjitha urimet e mia dhe dëshirat e mia që të kam në jetë bashk me filizat e mi. Të kam ruajtur thellë në zemrën time si dikur kur isha në jetë, kur ishim në jetë të dy në botën tonë si e patëm ndërtuar të thjeshtë, por me pasurinë më të çmueshme të jetës, harmoninë. Nuk janë asgjë thesaret, gurtë e çmuar, pasuritë ku ta di se çfarë, po nuk pate jetë ashtu si e do vet, harmoninë në jetë me të dashurit tu që i ke pranë e me të cilët duhet të jetosh. Jeta me dhunë nuk është jetë. Jeta atë nuk e duron, dhe atëherë nuk mund ta quajmë jetë po skëterrë. E di atë kallximin popullor si e humbin qetësinë e gëzimin vëllezërit kur ua falin lirat!? E ndalin këngën dhe mbaron gëzimi! Sapo e hetojnë shkakun ata i kthejnë lirat dhe vazhdojnë jetën e lumtur në harmoni. Po, a ka jetë ideale? Jo, nuk ka sepse është smira. Ajo është armiku më i madh i harmonisë midis njerëzve, çdokund, edhe në familje, krahas me interesin.

Sa fjalë kam për të thënë.  Mrikë, shumë…? Por të t’ i them do ta humbin vlerën… Thesari më i mirë është i sigurtë kur nuk e dijnë të tjerët! Po ta dinin do ta keqpërdornin për interesa të prapta kundër të mirës. … Ka thesar shpirtëror që duhet të ruhet më shumë se thesaret e tjerë sepse ai është vetëm për ata e jo për të tjerët. Është vlerë e vogël për të tjerët, ndërsa e madhe për vet ata. Andaj kujtimet tona do t’ i mbajmë të ndryra në vetvete si vuajtjet tona, si mallin tonë.Le të ziejnë përbrenda si dikur, sa t’ u vijë koha edhe një herë t’ i kujtojmë nën velin tonë të afrisë. Çdokush zemërmirë ka thesar të tillë të paprekshëm, pa smirë. Çdokush e ka yllin e vet të ndritshëm, në qiellin e dëshirave të realizuara apo të parealizuara në jetë. Më ka rrëfyer një shok për yllin e tij, se si ai yll i ishe shfaqur vetëm para vdekjes në lule të rinisë. Kurr nuk e kishte menduar përpara, por i kishte dalur aq afër për t’ u larguar në dy botra, njera realitet i hidhur tjetra abstrakte pa jetë, humbëtirë në dukje e në të vërtetë shndërrim materjeje, kthim në natyrë, si ëndërr e papërfunduar.

Mrikë, athua ishte ëndërr e përjetuar jeta jonë e shkurtër. Këtë unë për vete nuk e quaj jetë, por një skëterrë, a katarzë njerëzore të cilën njeriu ka ditur ta krijojë kundër vetvetes si bir  i Kainit, sepse edhe ai i ka pasardhësit e vet. E gjer sa të mundet fara që e ka mbjellur ai, do të gjejnë truall të mirë smira dhe e keqja njerëzore. Është vështirë që të mbillet fara e të mirës njerëzore. Megjithatë jeta jonë ishte ëndërr e bukur sado që e shkurtër për t’ u vajtuar. Meqë vaji nuk bën punë, pra vetëm ta kujtojmë. E kujton edhe ti ndoshta, meqë s’ na ka mbetur tjetër vetëm të përkundim kujtimet si era gjethet në vjeshtë. E terë kohën kështu sillem e nuk mund të ta them atë që duhet thënë se do ta humbte vlerën që e ka për ne, dhe vetëm për ne…

Mrikë e di se një letër të bie në dorë e dy nuk të binë, por s’ ke ç’ t’ i bësh. Kështu, si të kam thënë, po më duket sikur bisedoj me ty. Bile me mendime iku nga realiteti që më rrethon sado që pak kohë, Një ditë e rëndësishme për ty, të kujtohet, të dhuroja lule. Ato i dua shumë se vërtetë janë diçka e bukur që krijon natyra. Si nuk bëhet garë edhe për të bukurën në jetë  si bëjnë garë lulet për bukuri!? Secila me bukurinë e vet karakteristike të plotsuar edhe me aromë dehëse! Trendofilet më pëlqejnë shumë. Është interesant se ato për ta ruajtur bukurinë kanë bërë gjembat që të thumbojnë, poqese dikush don t’ i këpusë! Njeriu sikur punon kundër vetvetes, shpeshherë ashtu vepron edhe kundër luleve! Po dominon bukuria e vdekur nër qytetet tona, gurët e betonarmea janë bërë zbukuruese që shëmtojnë. Sa pak vend është lënë për lule, sa pak vend është lënë për jetën e filizave tona të reja, luleve të jetës!

Edhe tash për ditëlindjen tënde do të të dhuroja një tufë lule të freskëta, edhe ato jo të ndonjë kopshti në rrethojë, po nga ndonjë rogë në shpatmali që nuk është e kufizuar me asgjë që t’ i pengojë rrezet e Diellit, që të pengojnë drenushat për t’ u sjellur lirisht, dhe bletët e të lira që të mbledhin nektarin! Lulet do t’ i mblidhja një nga një dhe ngadalë që të mos i lendoj, megjithse është krim që të këputen, por meqë janë për ty ( e diç duhet të të dhuroj) do ta kisha bërë atë me dëshirë, Do të kishim shkuar atë ditë jashtë qytetit e do të endeshim në natyrë, në bjeshkën që kam qenë dikur si fëmijë. Do të shkonim te kroi i ahut me ujë të kulluar si loti i drenushës e të freskët si uji i borës në gryka. S’ dihet,  ëndërrat ka ndodhur që janë realizuar; kjo meqë është ëndërr që lehtë mund të realizohet s’ është çudi që të bëhet realitet ndonjëherë në jetën që na ka mbtur borgj edhe pak! Kjo është dëshira ime e ti ndoshta ke dëshira të tjera e unë po bëj llogari pa hanxhinë si thonë!

Këtë letër, Mrikë e kam filluar paradite dhe tash po e vazhdoj në mbrëmje. Sa ndryshon njeriu nga mëngjesi deri në mbrëmje? Ndryshon varet… E sa thua ti ndryshon për shumë vite, s’ mund ta marrësh me mend! Sa herë kujtoj kohën e shkuar, them se këtu jam me shekuj. Jeta dikur më duket shumë larg. Dhe vërtetë ashtu është.  As hyjësitë nuk janë aq larg nga njera tjetra. Ato ndoshta nuk do të takohen kurr, ndërsa ne nuk di sa kohë na ndan, meqë asgjë nuk është absolute pos materies. E po e zëmë se takohen hyjësitë, apo nuk takohen megjithatë ne do të takohemi doemos, herëdokurë në qiellin tonë të dëshirave të vogëla,

Mrikë, unë ditëlindjen nuk e kam festuar kurr. As të parët tanë nuk e kanë pasë zakon, qe besa edhe nuk kanë pasur kohë për atë punë. Ndërsa tash as që më bie ndërmend kur e kam datëlindjen.Çfarë ditëlindje, çfarë pallavrash. Herë më duket se jam i lindur shumë heret sa kam harruar, kur s’ e mbaj mend dot! Herë herë më duket shumë vonë, është dashur shumë më përpara që të mos e takoj këtë jetë. Herë them mirë është, mu ashtu është dashur, dhe vërtetë kjo e fundit është me vend, as parakohe as paskohe. Unë erdha në jetë një ditë maji, ndërsa ti në një ditë shtatori. Erenikun e kishim në mes, ndërsa Drini na bashkoi atëherë, nuk e di kur do të bashkohemi përseri!?

Sa ua kam lakmi poetëve që gjithçka e shprehin me vargje. Shkurt po shumë kuptimplote. Vërtetë aftësi e jashtzakonshme.Kuptohet të gjithë poetët nuk më kënaqin me artin e tyre. Disa më duken shumë më të afërt, më duken me zemër të butë se mendafshi, me fjalë mehlem për varrë që të galdojnë thell në shpirtë! Edhe po t’i lexosh me dhjetra herë nuk të bëhen tepër, po përkundrazi të bëhen edhe më të afërta edhe më të ngrohta, edhe më të dashura. Fjalët janë si fijet e mendafshit të thurura në pëlhurë në ndonjë pikturë të bukur që subjektin e bëjnë të gjallë me jetë të jashtëzakonshme dhe të fuqishme. E ashtu do të kisha dashur të jenë fjalët e mia që t’ i shprehu të gjitha urimet e përjetimet për datëlindjen tënde Mrikë. Të kam larg syve, por në zemër ngujuar të mbaj. Ja këto mendime i kam që në mëngjes me rreze të pakta të diellit që depërtojnë nëpër sitë e nëpër shoshë dhe arrijnë të zbehta si në Polin e veriut. Po të mos ishin rrezet tuaja të shpresës dhe të fjalës do të mërdhihesha edhe në pkë të gushtit si jam tash. Mirëpo unë zemrën e kam të ngrohtë nga zjarri i largët që buron nga ju dhe që ka fuqi të jashtëzakonshme njerëzore. Është si pishtar dhe fuqidhënës për mua.

Mrikë ju më patët rrëfyer se si një dimër, ftoit që e keni në oborr, acari i madh ia kishte  tharë të gjitha degët e pastaj çka kishit hequr që ta rigjeneroni! Si më duket ashtu do ta keni edhe me mua! Për një kohë do të heqni derisa të përshtatem sadokudo me jetën që e kam harruar tashmë, dhe që më duket si e kaluar e largët me shekuj të perënduar, të cilët flejnë në krahët e historisë duke sharruar dalë ngadalë në harresë derisa të shuhen e të flejnë në qetësinë e tyre pa i trazuar dorë e askujt më. Sa e mirë është dora e harresës nganjëherë! Po mund të bëhej klasifikimi i harresës, dhe të harroheshin vetëm të këqiat në jetë e të mbaheshin në jetën e kujtesës vetëm përjetimet e mira dhe të gëzuara që bota të merrte  ngjyrë më të bukur në jetën tonë të shkurtër sa çil e mbyll sytë, si thotë plaku shekullor: ” jetova sa hyra në këtë derë e dola në atë tjetrën, pra shumë pak! E kjo e jona edhe më pak edhe e biberosur me të gjitha të mirat eksik, kuptohet!

E dashur Mrikë, ndoshta nuk kam të drejtë, por ja që realiteti po na i prishë planet romantike. Edhe romantizmi ka dalur nga mjerimi, për ta bërë jetën më të zbukuruar! Apo për t’ i mbyllur sytë para realitetit të hidhur që rrethon.

Mrikë gjyshja ime këndonte në mënyrën e vet, që ne na dukej e çudtishme. Ajo i thurte vet vargjet e rimuara dhe përmbajtësore. Vargjet e saj ishin epike. Ato ishin vargje për jetën që e kishte kaluar, për ato që kishte përjetuar gjatë tetë dekadave të jetës së saj të vështirë.. Ajo kishte përjetuar shumë stihi luftërash në jetën e saj. Ajo ato nuk i quante këngë nga se ishin të dhembshme, ashtu si kishte qenë edhe jeta, shumë prekëse e tronditëse. Gjithë jetën e këndonte në to. Ajo thoshte  këto nuk janë këngë po jeta i ka bërë të tilla. Edhe mua ato më preknin dhe më trondisnin shumë thellë. Asnjëherë nuk kam mundur t’ i dëgjoj i qetë!

E unë nuk di çfar këngësh të këndoj, dhe a duhet të këndoj? Fat i keq është që kurr nuk kam mësuar të këndoj. Po të kisha ditur do të këdoja edhe si gjyshja këngë epike. Ajo këndonte edhe nga ato që nuk i kishte krijuar vet. Më trgonte një herë edhe për fuqinë e atyre këngëve. Ja si: një plak i kishte lutur gratë që ta këngëvajtonin për së gjalli për jetën e tij. (Kishte qenë shtëpi e madhe.)Ato e kishin vajtuar aq mirë sa plaku nga përmallimi nuk i ndal dot lotët!. Gjyshet i kanë kujtimet e mira, andaj edhe unë i kam shumë!

Ja erdhi serish mbrëmja. Mbrëmja më duket shumë e gjatë, më e gjatë se tërë dita! Atëherë më ngërthehen mendimet, kujtimet, dëshirat dhe gjakimet, trazohen e bëhen rrokopujë. Gjithë këto që po t’ i them, nuk janë për t’ u venë në letër urimi e përgëzimi për datëlindje, por sillu e mbështillu e ku dhemb dhëmbi shkon gjuha, dashur e padashur. Drita e mbrëmjes është më misterioze dhe nxitëse për të menduar. Ndoshta kjo rrjedh nga lodhja se secili mendon në vetvete për telashet e veta dhe gjerat që e preokupojnë thellë në shpirtë!

Mrikë, çka të të dhuroj unë përpos fjalëve, përpos dëshirave nga zemra që të të qeshë edhe ty fati ndonjëherë ashtu si ke dëshirë, me siguri atëherë do të më qeshte fati edhe mua se ne fatin e kemi sëbashku të gërshetuar ( nos thuaj që e kam me interes!).  Ta dijsh se jam me ty me mendime dhe me zemër. Sa herë e shikoj qiellin kah ju, mendoj athua i shoh retå që i shihni edhe ju? Athua e shohim ndonjë pikë në qiell sëbashku në të njejten kohë? Shpesh them me vete të kisha mundësi të dal në mbrëmje  dhe të shikoj yjet, ndonjerin nga ata që e shikoni edhe ju;  kështu shikimet do të na takoheshin bile në një yll! Mendimet do t’ i kishim sëbashku në një yll dhe ato e ato shikime do të takoheshin atje dhe do të reflektoheshin reciprokisht: të miat te ju e t’ uajat te unë. Oh të kishte një mundësi të tillë! Por unë yjet nuk mund t’ i shoh asnjëherë se nuk dal në mbrëmje. Shëtinë e kam vetëm paradite e kështu pak shpresë kam te retë sepse ato janë shumë poshtë dhe të errëta!  Ndoshta retë në stratosferë do të mund të kishin një ndërmjetsim të tillë që na duhet ne, por megjithatë kam pakëz shpresë!

Më mirë le t’ i lëmë mendimet të lira që të gjejnë rrugën e vet, dhe mjetet për udhëtim si të munden e si të dijnë.  Po njeriu nga natyra është i prirur që të gjejë rrugë ( e më së shumti më pëlqen rruga e poetëve se është më e bukura!). Dikur njerëzit çonin fjalë përmes zogut të malit, përmes pëllumbit e dallëndyshes e unë pse të mos ju përgëzoj , përshëndes dhe uroj përmes yjeve!? Po ja që nuk bëhet se yjet nuk i shoh dot që t’ i  porosis në mbrëmje se ditën ata nuk shihen! T’ i përcjelli urimet përmes Diellit e humbin vlerën e vet  se është ditë dhe dëshirat e mia do t’ i mësonte gjithë bota, pra çdokush qoftë qëllim mirë apo qëllimkeq! Më në fund më mirë po t’ i dërgoj kështu e ndoshta do të të bijnë në dorë heret a vonë e nuk do ta humbin vlerën, se dëshirat janë dëshira e urimet urime kurdo që të arrijnë.

– Të të them Mrikë i bëfsh shumë pranvera, por më të mira se këto të fundit ( një dekadë është!) e mos të të bie t’ i harrosh!

Është pak cok!

– Uroj që të kesh shëndet të mirë dhe jetë sa malet!

– Uroj që të të plotsohen të gjitha dëshirat, edhe ato më të voglat!

– Uroj që të gëzosh e vetëm të gëzosh se mjaft me hidhërime!

– Uroj që t’ i kesh të gjitha të mirat e mos të dijsh çfarë të bëjsh me to! Për të mirë!

– Uroj që t’ i bësh njëqind e një pranvera!

– Ja më në fund po e përfundoj këtë letër ( të shkruar për dy ditë), duke jua përcjellur të falat e mia me shëndet të gjithve: ty Mrikë, babait, nënës, Agronit, Teutës, Martes me të sajt, të afërmve dhe kush të pyesë!

 Nga larg ua shtrëgoj duart!

‘ Yti Martini E shtunë, e dielë: 12 e 13 gusht 1989, letra nr. 39. /radioevropaelirë/ KultPlus.com

Letra e “pazakontë” e shkruar nga Van Gogh dhe Paul Gauguin gjersa jetuan së bashku

   

Van Gogh dhe Paul Gauguin, shkruan një letër “të pazakontë” ndërsa jetuan së bashku, në fund të vitit 1888.

Letra, e nënshkruar nga artistët Vincent van Gogh dhe Paul Gauguin, që përmbante detaje të vizitës së tyre në bordello, u shit në ankand, për 210.600 euro. Letra u paraqit nga Fondacioni Vincent van Gogh, pranë shtëpisë së ankandeve “Druo” në Paris, të martën.

Artistët shkruan një letër piktorit francez Emile Bernard, në fund të vitit 1888. Në letër, ata përshkruajnë sesi është të jetosh dhe të punosh në qytetin francez, Arles. Van Gogh dhe Gauguin, të dy postimpresionistët me famë botërore, ishin të bindur se kishin filluar “rilindjen e madhe të artit”, sipas letrës.

Artistët formuan vizionin e tyre në Arles, por pasi kaluan disa muaj së bashku, miqësia e tyre përfundoi keq dhe Gauguin u largua.

Si datë, përmenden 1 dhe 2 nëntor, ndërsa letra u shkrua disa javë përpara se Van Gogh të pësonte një sulm nervor dhe preu veshin e tij të majtë.

Artisti hollandez kreu vetëvrasje në vitin 1890. Muzeu “Van Gogh” në Amsterdam, ku letra do të ekspozohet më vonë, gjatë këtij viti, thotë se është e vetmja korrespodencë që kishte Van Gogh me një artist tjetër.

Muzeu e përshkroi letrën si “dokumenti më domethënës i shkruar nga Van Gogh, që ishte në pronësi private”.

Shtëpia e ankandeve “Druo”, thekson se letra është “e pazakontë”, për shkak të asaj se, sa të bindur ishin artistët se veprat e tyre do të çonin në një revolucion në art.

Van Gogh dhe Gauguin, theksojnë shtëpinë e ankandeve, ishin “plotësisht të vetëdijshëm, se arti i tyre shënon një pikë kthese dhe se, vetëm gjeneratat e ardhshme do t’i kuptojnë ato”.

Drejtoresha e Muzeut Van Gogh, Emily Gordenker, deklaroi se ishte “e kënaqur” që një “letër e tillë” e rëndësishme, do të ekspozohej në muze.

Çfarë thotë letra?

Artistët kthehen pas në kohë, gjatë qëndrimit të tyre në Arles, ku punuan së bashku, në një apartament me qira në Shtëpinë e Verdhë.

“Tani, diçka që do t’ju interesojë – kemi shkuar në bordello, disa herë dhe me siguri, do të shkojmë më shpesh, për punë” – shkruante Van Gogh, në letrën që përmban katër faqe.

“Për momentin, Gauguin po punon në kanavacë rreth një nate në kafene, që e pikturova edhe unë, por me karaktere që u takuam në bordello. Premton, të jetë një punë e bukur”.

Edhe pse letra i drejtohet mikut të tyre, ajo gjithashtu, përfaqëson një bisedë midis Van Gogh dhe Gauguin, i cili, foli për përvojën e punës së bashku.

Në letër, Van Gogh e përshkroi Gauguin, si “një qenie të pakorruptuar, me instinktin e një bishe të egër”.

“Me Gauguin, gjaku triumfon ndaj ambicies,” – shtoi ai. “Por. mjaft për këtë, ju e patë atë afër më mirë dhe më gjatë se unë, thjesht desha t’ju jepja përshtypjet e mia të para, me disa fjalë.”

Nga 9 tetor 2020, letra, së bashku me 40 dokumente të tjera, do të shfaqen në muzeun “Van Gogh” në Amsterdam. / KultPlus.com

Hanks i shkruan letër djalit me emrin Corona i cili u ankua se po ngacmohet në shkollë për shkak të emrit

Aktori amerikan Tom Hanks i ka shkruar letër dhe i ka dërguar një makinë të shkrimit të brendit Corona, një djali australian i cili ishte ngacmuar në shkollë për shkak të emrit të tij, Corona.

Corona De Vries, 8 vjeçar, i kishte shkruar i pari, Tom Hanksit dhe gruas së tij, Rita Wilson, pasi kanë qenë sëmurë nga virusi.

“Kam dëgjuar në lajme që ti dhe gruaja jote jeni sëmurë nga koronavirus, a jeni në rregull”, ka shkruar ai, shkruan BBC.

Ai ka shtuar se e do emrin e tij, por në shkollë po e thërrasin koronavirus.

“Jam shumë i mërzitur dhe i zemëruar kur njerëzit më thërrasin kështu”, ka shkruar ai.

Tom Hanks në përgjigje i ka shkruar “I dashur shok Corona”. “ Letra jote na ka bërë mua dhe gruan time të ndihemi mrekullueshëm. Faleminderit që je një shok kaq i mirë- shokët i bëjnë shokët të ndihen mirë”, transmeton KOHA.

Hanks dhe Wilson janë kthyer nga Queensland në SHBA, pasi kanë shpenzuar tri javë për t’u shpruar nga koronavirusi.

Aktori i ka thënë djaloshit se “ti je njeriu i parë që e kam njohur dhe që mban emrin Corona”, ka thënë ai. / KultPlus.com

“Nanë ti gjithmonë u ke përballue rrebesheve të mëdha dhe nuk je lodhë”

“Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë”, i thotë ai nënës së tij.

Letrën e Gërvallës, mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Nanë e dashtun!

Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!

Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!

Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.

Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë.

Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?

Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun.

Të përqafojmë me mall prej së largu, djemtë, rejat e nipat.

Djali yt – Isufi”. /KultPlus.com

Letra që shkrimtari i madh amerikan ia dërgoi Petro Markos

Një ndër autorët më të mirë shqiptarë, i cili për fat të keq vlerësohet jo aq sa duhet, është Petro Marko. Me librat e tij “Nata e Ustikës”, “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit” e të tjerë, ai krijoi të parat vepra shqipe të letërsisë së brezit të humbur.

Fati kishte dashur që një herë e një kohë, ai të takohej me laureatin e mimit Nobel, shkrimtarin e madh Ernest Heminguej.

Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:

…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:

-Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!

-Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin “Hasta la vista”. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta “I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë”.

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: “I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…

Letër e një kinezi që u kthye nga ish-Jugosllavia

Miq të dashur,

Po kthehem nga një udhëtim i gjatë nga Ballkani, kjo krahinë e Evropës që disa e quajnë të errët. I kam kaluar atje disa muaj dhe e ndiej veten tejet të lodhur nga ky rrugëtim. Nuk është aq udhëtimi që më lodhi, por më shumë hutimi në të cilin gjendesha gjatë qëndrimit tim, dhe takimet e mia me njerëzit e atjeshëm. Diçka e rëndë shqitej nga peizazhet që i kisha vizituar, kjo ngarkesë e pllakoste shpirtin tim dhe e ndieja veten të molisur, shkruan sot Koha Ditore.

Në fillim të këtij shekulli, sa kaluan pak më shumë se dhjetë vjet, u ndez Lufta e Parë Botërore pikërisht në Ballkan, në Sarajevë. E dhjetë vjet para se të përfundojë ky shekull, vorbulla e luftës e shkatërroi një pjesë të këtij gjysmë-ishulli. Shumë dokumente dëshmojnë për atë që ndodhi. Disa vite ua kushtova përgatitjeve për këtë udhëtim: lexova studime të shumta për historinë e shekullit XX të Ballkanit, kronika, hulumtime dhe raporte të misioneve të ndryshme.

Nga drejtori i bibliotekës së qytetit tonë kërkova të na sjellin shumë vëllime nga Evropa. Ajo që zgjoi kërshërinë time për ngjarjet dramatike në këtë rajon, aq të largët e aq pak të njohur prej nesh, është njëfarë kontrasti midis, në njërën anë, idesë që kisha pasur mbi të kaluarën e një pjese të Ballkanit, Greqisë antike…/Muhamedin Kullashi

Babai i shkruan Ermal Metës, tregon historinë pse i biri nuk i flet

Gëzim Meta, babai i Ermal Metës ka reaguar pas koncertit të këngëtarit të njohur në Tiranë me një letër publike.

Këtë letër Gëzim Meta e motivon me arsyen se ka bërë përpjekje për të takuar të birin, kur ishte në Tiranë, por Ermali nuk e ka pranuar takimin me të. Prindërit e Ermal Metës janë të divorcuar dhe Ermali ka jetuar me nënën.

Në disa intervista për mediat italiane dhe shqiptare, Ermal Meta është shprehur se i ati i tij ka ushtruar dhunë mbi të në fëmijëri. Madje këngëtari është shprehur se disa motive të vuajtjeve në adoleshencë janë përfshirë në këngët e tij si një mesazh kundër dhunës si “Lettera a mio padre” dhe “Vietato morire”, ku flet për fëmijërinë e dhimbshme të tij.

Tek ‘Lettera a mio padre’ ka treguar për raportin më babanë e tij. Babanë ai e përshkruan një njeri që nuk ndodhej kurrë në shtëpi. Ndërkohë, i ati, Gëzim Meta, në këtë letër publike, insiston të sqarojë se nuk ka qenë i dhunshëm. Gëzim Meta i lutet Ermalit që të takohen dhe ulen për të biseduar së bashku, ku shton se “do t’ia fal edhe fjalët që ka thënë publikisht në adresë të tij”

Letra e plotë, e publikuar në gazetën “Panorama”:

Në datën 30 maj 2018, dy ditë para koncertit të Ermalit ishim mbledhur me disa shokë të shoqatës së emigrantëve të Greqisë, dhe po diskutonim për disa probleme që na shqetësojnë në një bar-kafe pranë Sheshit Skënderbej. Në bisedë e sipër, njëri nga shokët më thotë:

– Ke ardhur për koncertin që do të japë djali më 1 qershor?

– Po, – i thashë.

Një person i tretë që nuk e dinte këtë gjë, më thotë:

– Pse, ti je babai i tij?

– Po, – iu përgjigja.

Ai po më shikonte me kërshëri duke mos m’i ndarë sytë për asnjë çast.

– Më fal, – i them, – por çka këtu për t’u habitur.

– A e di ti si e kam përfytyruar unë babanë e këtij? – ma priti ai. – Një person 190 cm të gjatë, kokërruar, me tatuazh dhe me shkop ose me një rrip në dorë, ku mezi priste me padurim të rrihte djalin e vet çdo mbrëmje.

Pa e zgjatur më tej, ky ishte imazhi që ishte krijuar për personin tim. Megjithëse buzëqesha me zor, ndjeva një trishtim të cilin nuk munda të arrij ta ndrydhja brenda vetes. Pra arsyet për të cilat po jap këtë intervistë, janë dy:

E para, duhet t’u them të gjithë njerëzve që unë nuk jam ai që përshkrova më lart, por një njeri krejt tjetër.

E dyta, në pamundësi të mungesës së dialogut me Ermalin, nuk më ngelet gjë tjetër veçse të përdor mikrofonin dhe lapsin e letrën për komunikimin tim me të. Ai më njeh pak dhe unë kam detyrimin t’i shpjegoj se kush jam. Fillojmë me të parën që ka të bëjë me CV-në time.

Kam mbaruar shkollën e mesme të muzikës, në degën flaut, në vitet ’80. Kam punuar si mësues muzike dhe si orkestrant në orkestrën e qytetit të Fierit. Kurse sot e kësaj dite vazhdoj të marr pjesë në orkestrën e qytetit të Agrinios në Greqi. Gjatë periudhës në emigracion kam dhënë mësime në degën e flautit në Greqi – Agrinio.

Në vitet 1985-1990 kam vazhduar universitetin në Shkodër në degën Histori-Filologji, ku më pas u diplomova në Universitetin e Tiranës, në janar 1993. Në vitet 1990-1996 kam punuar si mësues në shkollë të mesme (gjimnaz), duke dhënë mësim në lëndët Histori, Filozofi, Sociologji, Pedagogji etj. Krahas dhënies së mësimit në shkollën e mesme, kam dhënë kontribut edhe në studentët e veçantë duke ndihmuar si konsulent në mbrojtje diplome, në të cilën ata kanë pasur nevojë. Gjatë gjithë karrierës sime si muzikant, nuk kam pasur asnjë rast dhune të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Të gjitha këto që po them janë lehtësisht të verifikueshme.

Për mua shprehjet që përdoreshin atëherë si p.sh. “kush të rreh, të do” ose kishte raste kur mësuesi e rrihte nxënësin dhe prindi i thoshte “mirë ta bëri, na edhe një pëllëmbë nga unë”, i kam urryer dhe i urrej edhe sot. Unë nuk jam dakord as me edukimin biblik ose spartan që praktikohet rëndom edhe sot. Për mua, mjeti më i mirë është komunikimi.

Pas vitit 1996 jeta ime ka vazhduar si emigrant në Greqi. Nga martesa ime e dytë, familja përbëhet nga bashkëshortja me profesion piktore dhe dy fëmijët, të cilët këtë vit mbarojnë universitetet përkatëse në Greqi. Kam një integritet të lartë moral e shoqëror në të gjithë shoqatën e emigrantëve të qytetit ku ata më kanë zgjedhur edhe kryetar të kësaj shoqate.

Kjo CV që unë kam nuk është shumë e pasur, por është e pastër. Si edukator i atij brezi e më vonë, obligimi im ka qenë komunikimi, dialogu, dëgjimi, deduksioni, analiza e si pasojë, konkluzioni.

Fjala dhunë për mua është atavizëm. Mbase do të duket patetike, por nga viti 1978 e deri më sot, nuk kam ngritur dorë asnjëherë, as te pesë fëmijët e as te nxënësit në përgjithësi. Unë kam një natyrë që ndihem i fyer po të më respektojnë ose të më duan nga frika. Unë kam punuar me shokë, kolegë, e të gjithë më njohin.

Atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë retorike: “Pse djali juaj flet për një dhunë në familje? A mos vallë ai ka fantazi apo mos vallë është ushqyer me një urrejtje nga të tjerët?”.

Të dashur qytetarë!

Në mënyrë që t’i japim përgjigje këtyre pyetjeve, duhet të kaloj pak prapa në kohë. Me mamanë e Ermalit, pra me ish-bashkëshorten time, u njohëm e u dashuruam në shkollën e mesme të muzikës në Durrës. Unë isha në degën e flautit kurse ajo vazhdonte për violinë. Në vitin 1980 ne u martuam. Pas 5 muajsh martese, unë shkova ushtar dhe ish-bashkëshortja jepte mësim në shkollën e muzikës të qytetit të Fierit, në degën e violinës. Për mua ajo periudhë ka qenë një nga momentet më të vështira. Fakti që unë isha ushtar, larg saj, më trishtonte edhe se ajo ishte shtatzënë.

Kisha vetëm 4 muaj që isha larguar nga shtëpia dhe më mundonte mendimi se ajo do të lindte dhe unë nuk do të isha pranë saj. Duke u përpjekur me të gjitha mënyrat ku disa syresh ishin shumë të vështira për t’u bërë nga ana ime dhe me ndihmën e disa miqve të babait tim, u bë i mundur një shtrimi im në spitalin ushtarak të Fierit, që të isha pranë saj në momentet e lindjes, pasi spitali ushtarak dhe shtëpia e lindjes ishin dy godina pranë e pranë njëra-tjetrës. Pata një gëzim shumë të madh pasi mbas 4 muajsh ndarjeje do të ishim pranë njëri-tjetrit. Meraku ishte i madh pasi ishte lindja e parë dhe ajo ishte e vogël për këtë sfidë.

Më 20 prill Ermali lindi dhe unë ndjeva diçka që nuk e kisha provuar më parë. Pas një periudhe të vështirë prej dy vitesh e pak, me ndihmën e prindërve të mi, u bëmë me shtëpi. Unë isha vetëm 25 vjeç dhe më së fundmi kishim një shtëpi, të cilën e ëndërronin jo pak njerëz në atë periudhë. Me punën tonë dhe me ndihmën e prindërve tanë, arritëm ta kompletonim shtëpinë me orenditë e duhura. Të gjitha nuk i blinim dot, por disa i bëra edhe vetë, pasi më vinte ndoresh. Në momentin para marrjes së shtëpisë, ne ishim bërë edhe me një djalë tjetër, ku edhe në këtë periudhë unë isha prapë ushtar, por tashmë gjërat kishin ndryshuar pasi nuk ekzistonin ato vështirësi që kalova në periudhën e lindjes së Ermalit. Ushtrinë e bëja në Fier dhe isha më i lirë.

Në vitin 1985, mua më doli e drejta e studimit për të vazhduar universitetin me korrespondencë në Shkodër. Lexoja shumë sidomos në sezon provimesh, pasi nuk e kisha luksin të kthehesha në asnjë provim se dyfishohej shpenzimi.

Më 4 janar 1987 erdhi në jetë vajza e madhe, pra fëmija e tretë. Punët dhe vështirësitë tashmë ishin shtuar dhe unë përpiqesha të kontribuoja sa mundja. Vështirësitë shtoheshin edhe për faktin se ish-bashkëshortja shkonte çdo pasdite në orkestrën e qytetit dhe unë në këtë periudhë isha me provimet e universitetit. Në këtë periudhë kemi një ndihmë të madhe nga prindërit e mi, pasi kujdeseshin shpesh për mbajtjen e tyre. Fëmijët kishin, të themi, dy vatra pasi shtëpia e prindërve ishte shumë afër me shtëpinë tonë. Nuk e harroj sidomos ndihmën e babait tim, i cili dergjej përditë në radhët e gjata të ushqimeve me përpjekjen maksimale që fëmijëve të mos u mungonte asgjë. Këtyre radhëve nuk u shpëtoja dot as unë. Një ndihmë të madhe ka dhënë edhe motra ime për dashurinë që ka dhënë sidomos për Ermalin, duke e marrë me vete në shumë ekskursione ku ajo shkonte me shkollën e saj. Ajo ka aq shumë fotografi me Ermalin sa që nuk kemi ne të gjithë bashkë. Do të isha mosmirënjohës në qoftë se nuk do të përmendja edhe ndihmën e ish-vjehrrës sime, e cila sado që jetonte në Vlorë, ndihmonte me sa mundësi që kishte. Ruaj shumë respekt për të.

Pra në vitet 1980-1990 në familjen tonë kemi të bëjmë me një familje klasike shqiptare, me dritëhijet e veta dhe me problematikën e tyre të rutinës së përditshme. Problematikat ishin minimale për faktin se fëmijët ishin të mbarë dhe se regjimi i asaj kohe nuk lejonte vese e probleme stresonte te fëmijët. Këto i dimë të gjithë. Kjo gjendje e mirë e familjes vazhdoi deri në pranverën e vitit 1990. Në këtë vit ndodhi ajo që unë e quaj apokalipsi i familjes sime. Pa hyrë në detaje, pas nuk i intereson askujt, ekuilibrat u prishën, familja kaloi një depresion të thellë, ku palët tashmë kishin kaluar në llogore dhe çdo gjë kaloi drejt divorcit. Tashmë paqja kishte mbaruar dhe mes nesh filloi e ashtuquajtura luftë që po na ndjek edhe sot.

Në situatën e debateve, të cilat ishin verbale u përpoqa në çdo rast të ruaja gjakftohtësinë. Në të gjitha këto debate verbale, Ermali ishte pjesëmarrës. Ai ishte pjesëmarrës në gjyq, ky gjyqi nuk i la shije të mirë. Gjyqi ishte i ashpër, por ju siguroj se ishte më pak i ashpër se shumë biseda televizive që ndodhin sot me analistë të ndryshëm në shumë kanale televizive. Kemi parasysh se gjyqi zhvillohej në kohën e diktaturës, ku të gjithë qëndronin gatitu para gjykatësit. Pavarësisht nga e gjithë kjo, e vërteta është se në atë gjyq, ai është ndjerë i dhunuar.

Pas përfundimit të gjyqit, çdo gjë kaloi në vitin zero. Takimet u refuzuan edhe për faktin se gjakrat ishin të nxehta. Vitet 1990-1993 pas divorcit, më lanë me një trishtim dhe me një depresion, të cilin e kalova shumë vonë.

Fëmijët, sidomos Ermali refuzonte takimet me mua. Me sa kuptohej, Ermali nuk e kishte inatin vetëm me gjyqin e zhvilluar, por atij në mënyrë sistematike i flitej me urrejtje kundër meje. Në vitin 1994 fëmijët largohen për në Itali me mamanë e tyre. Pata një trishtim tjetër, se jo vetëm nuk më pyeti kur i mori fëmijët, por të paktën të kisha një adresë, ku në një të ardhme të mundja të komunikoja.

Unë, që të jem i sinqertë, jo se do refuzoja largimin e tyre, por kam përshtypjen se kisha të drejtën absolute të dija se ku shkonin dhe të komunikoja me ta. Pas njëfarë periudhe, arrita të marr një numër telefoni. Kontaktin e parë e pata në telefon me Ermalin, i cili më refuzoi bisedën. Mendova se është akoma i vogël dhe se kur të rritej do të uleshim një herë si dy burra për të qartësuar shumë gjëra me ftohtësi, e cila për fat të keq nuk ndodhi asnjëherë. Me vajzën pata disa kontakte, kurse me djalin e dytë shkëmbyem disa mesazhe në facebook. Jetën e tij artistike unë e kam ndjekur nga larg dhe pavarësisht se nuk takoheshim, mua më gëzonte fakti se ai po bënte hapa të rëndësishëm në karrierën e tij.

Besova se diçka po ndryshonte për mirë kur befas Ermali artikulon dhunën kundër meje. Pavarësisht kësaj, mua më vinin shumë mesazhe urimi nga shumë shokë e miq të mi, që më njihnin nga afër. Pas një qetësie relative filloi një debat i heshtur mesazhesh për një shprehje që unë përdora në përgjigje të shkrimeve që më bënin miqtë e mi. Shprehja që unë përdora ishte se “dardha do të bjerë nën dardhë”. Ky është një zhargon i thënë shpesh dhe unë kisha parasysh se edhe unë kisha kënduar në rininë time të hershme. Me këtë nuk doja të merrja meritat e askujt, por ishte thjesht pjesa e ADN-së që ai ka tek unë.

Në shumë intervista dhe në festivalin e Sanremos shikoj një shtim të sulmit kundër meje me të ashtuquajturën dhunë. Për mua nuk kishte shumë rëndësi fakti që po më ofendonte në festivalin e Sanremos, por kishte rëndësi karriera e tij. Ai kishte një kreshendo në karrierë dhe kjo duhej inkurajuar. Kënaqesha shumë kur këndonte, por mërzitesha shumë kur artikulonte fjalë fyese kundër meje. Shpesh e shikoja me syrin e komercialitetit.

Gradualisht unë po bëhesha si simbol i dhunuesit të pashembullt. Filluan telefonatat nga shumë televizione këtu. Krahas këtyre, këtu filluan të më telefononin edhe nga Italia, në mënyrë që të jepja intervistë. Nuk munda të pranoja kurrsesi të jepja intervistë, pasi djali ishte në një pozicion në të cilin po ndërtonte emrin e tij të ri si kantautor. Shumë shokë e miq të afërm më thoshin se “si e pranon ti që djali të thotë “bastard”. Ku është parë e dëgjuar një ofendim kaq i rëndë. Më shumë u shqetësova kur ajo shprehja që tha kundër meje iu kthye në bumerang. Ai, pa e kuptuar, po vetërrezikonte disi karrierën e tij.

Përfaqësimi që i bëri Italisë në Eurovision dhe koncerti pas kësaj në Tiranë, e bënë që të ishte një artist i plotësuar. Tashmë kishte ardhur momenti që emri punonte për të. Me dëshirën për ta parë dhe me shpresën për të folur me të, vij në Tiranë në datën 30 maj. I shkruaj një letër që e dorëzoj në recepsionin e “Plazës”, me numrin e telefonit brenda. Pas kësaj nuk mora përgjigje. Në darkën e 1 qershorit, bie në kontakt me një nga personalitetet e Bashkisë së Tiranës, ku m’u premtua një takim me të, por pa sukses. Nga shumë intervista që dha në Shqipëri, një gazetar e pyeti se “A do të kishte dëshirë të takohej me babanë?”. Përgjigjja e tij ishte lakonike: “S’dua, pikë”. Pra ishte në vazhdën e të gjithë refuzimit që ka bërë prej vitesh.

Refuzimi i tij më trajtonte sikur unë isha personi që kisha bërë të gjitha të zezat e kësaj bote. Me një të rënë të lapsit fshihej gjithë ajo periudhë 10-vjeçare, plot sakrifica, punë, përpjekje. Duke pasur parasysh të gjitha këto probleme që u trajtuan, unë do t’i thosha Ermalit të mos nxjerrë konkluzione nga momenti i depresionit të familjes që kaluam. Ai nuk duhet të skicojë portretin tim pa më njohur mua mirë. Populli thotë se nuk duhet të dëgjojmë vetëm nga një vesh. Në momentin që mua m’u mbyllën të gjitha rrugët e komunikimit, u detyrova të ndaj të gjithë këtë histori me publikun, i cili duhej të mësonte se babai i tij nuk është “TERAS”, por një zotëri që gëzon respekt në shoqëri. Momentet që ndava me ju janë vetëm një pjesë e vogël e historisë dramë të familjes sonë.

Detajet e shumta njerëzore, probleme të tjera të bukura, stresuese, melankolike, depresive, dritëhije të adoleshencës, vështirësitë e ushtrisë, konspiracione të mirëfillta e shumë të tjera, unë kam vendosur që t’i pasqyroj në një libër autobiografik, i cili ka filluar të shkruhet pak kohë më parë. Mendoj se të tre fëmijët e mi dhe gjithë publiku do të shikojnë dhe do të mësojnë në këtë libër se babai i tyre jo vetëm që nuk ka qenë dhunues, por është përpjekur sa ka mundur që t’i rrisë me dashuri. Kemi parë që njerëzit kanë qenë në hasmëri dhe e kanë lënë pas të kaluarën. Njeriu, duke ngelur peng i së shkuarës, pengon të ardhmen. Dialogu dhe komunikimi bëjnë që gjërat të ecin përpara. Urrejtja vret dhe ne kemi nevojë më shumë se kurrë për shumë dashuri.

Unë jam pjesë e identitetit tuaj. Gjërat nuk mund të zhbëhen pa u konsumuar biseda. Prisja gjithmonë që djali i madh të ulej përballë meje dhe të më thoshte një ditë të gjitha gjërat që ndiente dhe të priste prej meje ato që kisha unë për t’i thënë. Pas kësaj le të jepte kartonin e kuq. Unë, sido që të jetë, e kam falur për të gjitha gjërat që ka folur në adresën time. Unë jam i hapur për çdo gjë. Rinaldi, djali im dhe vëllai i tij, thotë: “Le t’i japin Çezarit atë që është e Çezarit”.

Me respekt

Gëzim Meta

“Kur kam nisur ta doja vërtet veten time”, një perlë e vërtetë nga Charlie Chaplin

Charlie Chaplin ishte një aktor, regjisor, kompozitor dhe producent në kinematografinë britanike, autor i mbi 90 filmave me rëndësi dhe ndikim të madh në shekullin XX. Sot ne duam t’iu kujtojmë këtë fjalim të bukur të tij dhe jemi të sigurt që do t’iu bëjë të reflektoni po aq sa ne.

“Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam kuptuar se dhimbja dhe vuajtja shpirtërore po shërbenin për të më kujtuar se po jetoja në kontrast me vlerat e mia. Sot e di që kjo gjë quhet origjinalitet.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, e kuptova se sa ofenduese ishte t’i imponoja të tjerëve mendimet e mia, edhe pse e dija se mund të mos ishte koha e duhur, apo se personi tjetër nuk ishte i gatshëm t’i pranonte ato. Sot e di që kjo gjë quhet respekt.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam ndaluar së kërkuari një jetë ndryshe dhe kam kuptuar se sfidat që po kaloja, ishin një ftesë që unë të përmirësohesha. Sot e di që kjo gjë quhet pjekuri.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam kuptuar se çdo situatë ndodhte në vendin dhe kohën e duhur, dhe se çdo gjë që më ndodhte, kishte një kuptim të caktuar. Që nga ajo kohë, kam mësuar të jem më i qetë. Sot e di që kjo gjë quhet besim në vetvete.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, nuk e kam humbur më kohën duke planifikuar projekte të mëdha për të ardhmen. Sot bëj vetëm gjërat që më sjellin lumturi dhe kënaqësi, që i kam pasion dhe i bëj sipas mënyrës sime, duke respektuar kohën e duhur. Sot e di që kjo gjë quhet thjeshtësi.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam hequr dorë nga gjithçka që rrezikonte shëndetin tim : ushqimet, njerëzit, objektet, situatat dhe çdo gjë tjetër që më dëmtonte. Në fillim, këtë gjë e quaja egoizëm i shëndetshëm, ndërsa tani e di se kjo quhet dashuri për veten.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam ndaluar së kërkuari që të tjerët të më pohojnë se kam të drejtë. Që kur bëra këtë gjë, kam nisur të bëj më pak gabime. Sot e di që kjo gjë quhet përulësi.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam ndaluar së jetuari në të shkuarën, apo së shqetësuari për të ardhmen. Sot jetoj vetëm në të tashmen dhe e di që kjo gjë quhet mirëqenie.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam kuptuar se mendimet e mia mund të më sëmurin dhe të më bëjnë të ndihem keq. Por kur kam mësuar të dialogoj me zemrën, intelekti është shndërruar në aleatin më të mirë. Sot e di që kjo gjë quhet urtësi.

Nuk duhet asnjëherë të trembemi nga kontrastet, konfliktet dhe problemet që kemi me veten tonë dhe me të tjerët, sepse edhe yjet bien, por atje ku ata përplasen, lindin botë të reja. Sot, unë këtë e quaj “Jetë””./ KultPlus.com

Letra e Mitrush Kutelit për Lasgush Poradecin

Dje u mbushën 110-të vite që kur lindi në Pogradec shkrimtari i njohur Dhimitër Pasko me pseudonimin letrar Mitrush Kuteli. Pasi përfundoi shkollën në Bukuresht, ai u kthye në Shqipëri ku jetoi e punoi si shkrimtar, përkthyes dhe financier dhe ku vdiq në vitin 1967.

Po sjellim sot një letër që ai i ka dërguar Lasgush Poradecit:

I dashur Llazar,

S’di qysh të filloj e qysh të shkruaj. Me dhembje, duke shkelur brutalisht përmi shpirtin t’im, të pata shkruar përpara pak kohe, në një ditë, një k.p. dhe një letrë. Nuk isha zot i vetë vetes. Nervoz, i konsumuar dita me ditën prej lufte e brengash, i munduar në çdo fillim lufte, i dërmuar shpirtërisht… të pata shkruar tepër ashpër. Më von, pas disa ore më ardhi keq… Po të ma dish gjëndjen nuk do më gjykosh rëndë. Qetohem. Turbullohem. Ngrihem. Vdes. Dhe sa herë nuk e thërres argumentin…

Dhe të them tashi si pat qënë puna që të shkrojta ashpër:

1) Përgjegjësia morale (dhe mbase më tepër) kundrejt një rrethi që s’më kupton e s’të kupton… pyetjet e dëndura: kur dalin poezitë e Lasgushit, sa e sa insceptibilitete.
2) Dëshira e madhe që të shoh të realizuar ëndërrën t’ime dhe t’ënden, të shoh në dorë volumin e poezive.
3) Pritje e gjatë e një letre konfirmimi prej teje. Më dërgove dorëshkrimin pa asnjë shpjegim. Pas tij asnjë letrë përveçse pasi e kishe vënë në postë. Të gjitha këto më prishnin mëntsh.

Po t’i lemë këto.

Është nje detyrë për ty dhe për mua që të dali volumi. Me që ti nuk munt, dergoma këtë dorëshkrim së bashku me shënimet e tua të fundit. Nga të 900 Schilingat që ke marrë mbaj 200 ti për harxhet e tua dhe dërgomë vetëm 700. Besoj të më sosin. Në qoftë se nuk do mjaftojnë do bëhem urë e gur e do t’i plotësoj. Korrekturat do t’i dërgoj aty. Ti të më tregosh formatin që të pëlqen. Të tjerat leri në kujdesin t’im. Pasi të dali volumi do mundim të shesim mjaft numura. Fitimi do të jetë t’ëndi. Me këto të holla të përkujdesesh për shëndetin t’ënd. Përveç këtyre si të dali libra do mundim të kërkojmë ndonjë subvencion për ty prej M. Së Arësimit ose gjetkë. Është momenti psikologjik më i sgjedhur. Kam mik një gazetar dhe një poet gjerman M. Rosenkranz– i cili ka shtypur disa volume poezie– që do të të bëjë recenzione në gjuhën gjermane. Unë do të shkruaj shqip dhe rumanisht. Gjithashtu do bëj një recenzion frëngjisht për revistën “Les Balkans” të Athinës. Do kësilloj me vepërim si thua ti, t’ja thyejmë gjunjët Djallit të Shqipërisë…

Kjo është udhë më e mirë dhe më korekte. Mos rri në mendime sepse jam menduar dhe kam vrarë unë mëndjen mjaft. Sgjidh rrugën e mirë për dërgimin e të hollave dhe mos vono. Çdo vonim të sjell dëm moral dhe material. Nuk është çudi se shtypja e librës do të të sjellë një reaksion psikollogjik dhe do mund të ketë reperkusione për ty.

Unë jam në mbarim e sipër të thezës. Kam 44 faqe dorëshkrim. Gjithsej do bëhen përmbi 500. Faqe shtypi do të jenë 300. Me sa vojtje e bëra vetëm unë e di. Asnjë tjetër. Mungesë materiale, mungesë morale… E si t’a mbaroj? Hiç. Perspektiva për shtypjen e kësaj proze nuk kam asnjë. Trokas derë më derë. Hiç.

Po ta levdonja Bankën e Shqipërisë do kisha “situatë”. Po shpirti është shpirt. Për pastërtinë e tij dhe për idealin e shqipes po hiqem zvarrë. S’ka gjësend. Si thua ti: Valoj me sulm e gas. U mbarua gazi? Digjet fitili dhe pa dritë nuk do mbetemi. Ç’thua ti? Nuk është kështu?

“Shqipëria e re nuk ka dalë prej shumë kohe. Me këtë numër do shikosh ndryshime. Zgjohemi, vepërojmë dhe godasim me ashk. Dhe do vazhdosh të lëçitësh (daca nu se vinde magarul acela de proprietor). Pe mine ma doboara reumatismele. Afi plona Ah. Doamne.

Cancua nuk më shkruan asgjë. Ka frikë mos i presin kreditin nga banka sepse unë qenkam jashtë ligjit.

Me postën e parë pres dorëshkrimin dhe të tjerat.
Me dashuri e dhembje!

(Shkruan Konica.al)./ KultPlus.com

Akademikët i shkruajnë letër kryeministrit Rama

9 anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga Italia, Kosova, Greqia, Holanda dhe Mali i Zi, iu drejtuan kryeministrit Edi Rama me një letër, ku i apelojnë atij që të mos e shpërbëjë strukturën aktuale të akademisë, pas deklaratave te tij publike qe pasuan zgjedhjet për kryetarin atje.

Eliminimi i këtij institucioni sipas 9 profesorëve, do të çonte në një pikë pa kthim që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Anëtarët e nderit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, thonë se shkrirja e akademisë, do të sillte krijimin e strukturave të tjera të cilat do të jenë në varësi tërësore nga politika, ashtu siç akademia, sipas tyre është ndodhur shpesh herë gjate viteve të tranzicionit.

9 akademikët në letrën drejtuar kryeministrit e përkrahin atë për idenë e reformimit të këtij institucioni, por sipas tyre, potenciali i nevojshëm për ta bërë këtë, ekziston aktualisht në Akademinë e Shkencave.

Sipas tyre detyra për rilindjen e Akademisë së Shkencave i takon kryeministrit ndërsa kolegët e tyre kanë detyrën e realizimit të reformimit të institucionit drejt standardeve moderne të kërkimit shkencor, shkruan GSH.

Letra e plotë:

Shkëlqesia Juaj Zoti Kryeministër

Ne, nënshkruesit e kësaj letre publike, në cilësinë e anëtarëve të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ju drejtohemi me këtë apel të sinqertë, me qëllim që Ju të mos vijoni drejt shpërbërjes së institucionit në të cilin e kemi për krenari të jemi pjesë. Për më tepër Ju ftojmë të bëheni promotor i hapjes së një faze të re të dialogut me botën akademike, duke vazhduar në qëllimin përfundimtar të propozimit të një reforme të mundshme dhe rigoroze të sektorit delikat të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Edhe ne, nënshkruesit, ndajmë bindjen se pjesa më e madhe e kohës që ishte në dispozicion për të ndërmarrë një proces radikal reformues të Akademisë ka kaluar jo në mënyrë efikase, dhe se sot, ndoshta, është më se e nevojshme dhe e përshtatshme transformimii saj në një qendër kërkimore moderne dhe konkurruese ekselente.

Për shkak të ndjenjës së përgjegjësisë individuale dhe kolektive, ne mendojmë se lëvizja drejt eliminimit të institucionit do të çojë në një pikë pa kthim, që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri. Kjo është ajo që ne themi, pa ushqyer supozimin se disponojmë zgjidhje përfundimtare dhe efektive, dhe pa pretenduar të zëvendësojmë pritshmëritë legjitime të programit të ri qeveritar që do të bëni. Por, ndonjëherë kurajoja për të qendruar dhe për të diskutuar mund të rezultojë më përmbushëse e ndoshta edhe më e dobishme, duke evituar të biem në gabime të pariparueshme si ato kur në të njëjtën kohë bashkë me ujërat e pista hedhim edhe foshnjen. Akademia e Shkencave, si institucionet e tjera publike shqiptare, ka përjetuar tranzicionin e gjatë dhe të pafund nga diktatura në demokraci, që ka tronditur shoqërinë shqiptare. Ju vetë e keni bërë të vetëdijshme atë, kur keni theksuar nevojën për të ngritur strukturat publike shqiptare, në radhë të parë universitetet, në një regjim normaliteti.

Formula Juaj “të bëjmë shtet” ishte më e pranuara, sa më të dukshme ishin mosfunksionimet burokratike, padrejtësitë sociale, format korruptive, që, në kompleksitetin e tyre, rrënojnë shoqërinë shqiptare dhe fshikullojnë qytetarët në jetën e tyre të përditshme. Në vitet kur shqiptarëve u mohohej e drejta për t’u ndjerë “qytetarë europianë” shumë nga ne kanë qenë mbështetës aktivë të kërkesave të paraqitura në universitetet tona nga studentët e vendit Tuaj, të cilët, të dekurajuar nga kushtet e universiteteve shqiptare, synonin të studionin jashtë vendit. Ata ishin të rinj që linin shuma të konsiderueshme si “peng” për t’iu përmbajtur standardeve që i përulnin dhe i poshtëronin. Megjithatë, u arrit që shumë prej tyre të diplomohen, disa të vazhdojnë trajnimet e tyre shkencore jashtë shtetit dhe në disa raste edhe të rekrutohen në universitetet tona. Gjithë kjo ndodhi në sintoni dhe me mbështetjen e plotë të kolegëve tanë të shquar nga universitetet publike shqiptare dhe Akademia e Shkencave. Ka qenë një periudhë e gjatë tranzicioni që ende nuk ka mbaruar, por që, edhe falë ndërhyrjes Tuaj të vendosur reformuese prej disa vitesh, është karakterizuar nga një ndryshim i rëndësishëm i trendit.

Ne e gjejmë në universitetet, të cilat, ndërsa ende ankohen për hendekun me standardet evropiane (por ne i sigurojmë ata se kjo nuk është “primati” negativ ekskluziv i Shqipërisë). Megjithatë nuk mund të thuhet se janë në të njëjtin nivel me anarkinë e njëzet viteve të kaluara, ndërkohë që ka një burim optimizmi në rrugën e ndërmarrë nga universitetet shqiptare për të rindërtuar besimin tek familjet dhe studentët, duke iu bashkuar përpjekjeve të sinqerta të stafit akademik për realizimin e trajnimeve shkencore gjithnjë e më konkurruese.

Ne nuk e fshehim se xhepat e mëdhenj të rezistencës pasive pengojnë një përfundim të mirë të procesit reformues, por ky argument është fitimprurës vetëm për ata që nuk kanë kulturë qeveritare dhe i dorëzohen populizmit të zakonshëm: “sa më keq të shkojë, aq më mirë”. Sigurisht nuk është kjo tema më e përshtatshme për të trajtuar çështjen që në këto ditë ka shpërthyer në mënyrë mediale duke supozuar trajtat e një improvizimi dhe jo të një serie dramatike të vështirësisë institucionale që lëngonte prej kohësh dhe që akoma nuk ka gjetur zgjidhjet e duhura. Akademia e Shkencave ka vuajtur kërcënime politike, duke pësuar censurë të pashembullt, që, sipas nesh, përfshihet dhe ajo në faktorët që e kanë zvogëluar dhe sjellë në gjendjen komatike që ajo ndodhet sot.

Duke i prerë qendrat nevralgjike jetike, institutet historikë, të cilët përbënin motorin e vërtetë propulsiv të kërkimit shkencor gjatë periudhës komuniste, Akademia u katandis në një strukturë të thjeshtë honorifike me burime njerëzore të kufizuara e me pak stimuj, shpesh e akuzuar se ishte në “opozitë” dhe disa herë “bashkëudhëtare” e qeverive të ndryshme; duke iu nënshtruar akuzave dhe shpifjeve më të rënda , pa patur asnjë zë, të brendshëm ose të jashtëm, që të ngrihet për të kujtuar se kjo është e njëjta Akademi e Shkencave, që në periudhën më obskurantiste të historisë së Shqipërisë kishte përfaqësuar, në të mirë dhe të keq, një pikë referimi dinjitoze dhe të respektuar për albanologjinë ndërkombëtare, për të cilin asnjë studiues i huaj – ne të parët – nuk ia mohoi kurrë rolin e bashkëbiseduesit të privilegjuar. Ajo që ka ndodhur në më shumë se dy dekada ka qenë një sulm serioz ndaj lirisë së shkencës dhe së drejtës së shenjtë të kërkimit shkencor për t’u organizuar në përputhje me procedurat dhe standardet e miratuara në çdo pjesë të botës demokratike. Tentativat e sabotimit të funksionit primar, të diskreditimit të profilit profesional, të pikturimit si të një karikaturë e së shkuarës, të braktisjes në fatin e vet dhe madje deri në frikësimin e atyre që guxojnë të propozojnë përpjekje të ndrojtura për ta përshtatur atë me nivele më të pranueshme; për më tepër këtyre u janë shtuar forma të pashpjegueshme të imobilitetit, strategji konfuze që kurrë nuk u konsoliduan në projekte të vërteta dhe reale, teorema të tymosura të asimiluara nga leximi i nxituar i statuteve të të tjerëve që konsideroheshin si të përshtatshme për Shqipërinë, siç ishin ato të Anglisë, Francës ose Italisë, vende plotësisht ndryshe dhe që me të drejtë mburren me eksperienca të konsoliduara në këtë sektor. E gjitha kjo ndodhi pa hapur një diskutim të sinqertë edhe të zgjatur në kohë, për situatën aktuale dhe për shkaqet që e sollën atë, mbi hipotezën e një reforme të mundshme të përshtatshme për potencialin e një vendi në zhvillim si Shqipëria, dhe për të përmbushur njëkohësisht pritshmëritë për një specializim të lartë të gjeneratave të reja dhe për një vleftësim të avancuar të mallrave dhe burimeve ekonomike, mjedisore, kulturore dhe industriale të vendit. Me një fjalë, një projekt të vërtetë dhe të përshtatshëm i cili shikonte të ardhmen e Akademisë pa iu nënshtruar domosdoshmërisht polemikave të paqarta dhe debatit të kryer këto ditë nga filozofët e rinj me qëndrim gjakftohtë, nga të cilat Shqipëria duket se ka mrekullisht me shumicë pas rrëzimit të regjimit të vjetër.

Zoti Kryeministër,

Nuk Ju fshehim se eliminimi përfundimtar i Akademisë së Shkencave nga tabloja institucionale e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor trondit ndërgjegjet tona për një arsye tjetër që mendojmë se është e nevojshme të ngrejmë: ajo krijon një mundësi shumë më të dëmshme nga sa mund të jetë në vetvete tentativa e shkrirjes, që është ajo e ndërtimit të strukturave alternative në varësi tërësore nga politika, nga stinët dhe humori i saj. Në botën e sotme shumë të globalizuar, është më e nevojshme të sigurohet autonomia e kërkimit shkencor, duke e bërë atë gjithnjë e më të lirë nga kushtëzimi i jashtëm i interesave të politikës, përfshirë dhe ato të industrisë. Në asnjë vend të botës nuk përndiqet shërbimi i shkencës, me përjashtim të vendeve nën diktaturë. Autonomia në mjediset e shkencës dhe promovimi shkencor është në fakt një nevojë thelbësore për të matur jo vetëm shkallën e demokratizimit të brendshëm të një vendi, por edhe për për të studiuar aftësinë e tyre për të identifikuar dhe zhvilluar, në një autonomi të përsosur dhe të vetëdijshme, bashkëpunime të frytshme dhe të qëndrueshme me institucionet ndërkombëtare akademike dhe universitare në bazë të interesave të përbashkëta kërkimore. Ndërhyrjet e jashtme mund të jenë shkak i ndryshimit të procedurave normale të protokollit dhe shpesh ndikojnë në bashkëndarjen e projekteve me interes reciprok të dyanshëm të partnerëve, për shkak të faktit se gjuhët e shkencës dhe politikës shpesh nuk takohen dhe nuk ndajnë të njëjtën gramatikë bazë. Duke ripërsëritur këtë parim universal, ne ripërtërijmë gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në çdo diskutim me kolegët tanë akademikë shqiptarë për të filluar stinën e re të rilindjes së Akademisë së Shkencave. Ne jemi plotësisht të bindur se aty ekziston potenciali, burimet dhe vullneti për të ringjallur fatet e institucionit prestigjioz që për vite me radhë i ka dhënë shkëlqim dhe orientim albanologjisë. Akademia nuk u ndërtua as nga godina dhe as nga pagat, por nga burrat bujarë, intelektualët e apasionuar, studiues eruditë me vlera të respektuar nga kolegët e tyre në botë, si Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Kristo Frashëri, Jorgo Bulo, Stefanaq Pollo, Dhimitër Shuteriqi, Selaudin Betekshi, Petrit Gaçe, Petraq Pilika dhe eksponentët e tjerë të shumtë të brezit të parë të akademikëve, që ditën të disenjojnë një rol dhe një funksion për Akademinë “e tyre”, duke u ofruar brezave të ardhshëm me angazhimin e tyre një model të jetës dhe të shkencës, me respekt për kolegët dhe me pasion për kërkimin. Ndjekësve të tyre u takon detyrimi, pikërisht në këtë moment të vështirë dhe të papërsëritshëm që të imitojnë shembullin e tyre bujar.

Juve, Zoti Kryeministër, ju takon detyra të nisni “Rilindjen” e Akademisë, kolegëve tanë u takon ajo e realizimit, edhe me kontributin tonë të pa interes nëse do të na kërkohet.

Për sa më sipër, mbetemi në dispozicion kur dhe nëse Juve e shihni të nevojshme t’Ju takojmë personalisht për të ofruar bashkëpunimin tonë.

Ju falenderojmë për vëmendjen Tuaj.

Prof.
ALIU Ali Anëtar nderi Kosovë
ALTIMARI Francesco Anëtar nderi Itali
DJUROVIĆ Momir Anëtar nderi Mal i Zi
ISMAJLI Rexhep Anëtar nderi Kosovë
J. D. DRENTH Pieter Anëtar nderi Hollandë
JOCHALAS Titos Anëtar nderi Greqi
MANDALÀ Matteo Anëtar nderi Itali
PIERONI Andrea Anëtar nderi Itali
QOSJA Rexhep Anëtar nderi Kosovë